SHKRIMI
e enjte, 09 korrik 2020

GJOKË DABAJ: CILI ËSHTË ROLI I AMBASADORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË ZGJEDHJET E SHTETEVET TË BASHKUAR TË AMERIKËS?

Durrës, 5 qershor 2020: Zonja Juri Kim paska shkuar te njerëzit që po merren me kodin zgjedhor të Republikës së Shqipërisë! Palët paskan bërë 9 orë “bashkëbisedime” dhe prapë s’paskan rënë në ujdi për një kod zgjedhor të pranueshëm! Më në fund, u muar vesh që paskan arritur deri te pika: Kush e ka radhën për ta gjuajtur topin. Më tutje s’i dihet.

M
egjithatë, ne si popull, na mbeten disa gjëra të pasqaruara. Ndoshta përjetësisht të turbullta. Madje, fatalisht të turbullta.

Ambasadorët që po merren me punët tona, po quhen ndërkombëtarë. Por ata s’janë ndërkombëtarë, sepse, që të quheshin ndërkombëtarë, e pakta, duhej t’i kish dërguar këtu OKB-ja. Përkundrazi, ata janë mirëfilli kombëtarë apo shtetërorë, sepse vijnë këtu në emër të shteteve të tyre dhe kjo, thjeshtë, fare thjeshtë, do të thotë që ata punojnë këtu për interesat e shteteve të tyre dhe jo për interesat e kombeve, pjesë e të cilëve jemi edhe ne. Pra, nuk duhet thënë “me punët tona po merren ndërkombëtarët”, por “me punët tona po merren të huajtë”.

Në ato 9 e më shumë orë diskutime, a u fol edhe për dy çështje shumë të rëndësishme, që ne shqiptarëve na duhet kohë, ndoshta shekuj për t’i kuptuar? E para: Si veprohet, psh në SHBA, kur një grua e rreh i shoqi e ajo s’ka para për të hapur gjyq kundër atij që e ka rrahur dhe që e rreh sa herë t’i teket?! E dyta: Një shtetas, i cili rregullisht i jep shtetit 30% të pagës së vet në formë tatimi, a e fiton të drejtën për të pasur një varr falas, apo detyrohet ta blejë varrin, edhe pse muaj për muaj i ka derdhur në arkën e shtetit 30% të pagës së vet?!

Në ato 9 e më shumë orë diskutime, të cilat megjithatë rezultuan të pamjaftueshme, a u fol diçka lidhur me sloganin “Zgjedhje të lira e të ndershme”?! Sepse, ne shqiptarët, kur themi “zgjedhje të lira” nënkuptojmë që edhe i pandershmi është i lirë të votojë pandershmwrisht. Kur themi “të ndershme”, ai i pandershmi s’do t’ia dijë fare, sepse mbështetet te pjesa e parë e sloganit, i cili është tërësisht idiot, hartuar prej njerëzish që s’i njohin fare ligjet e shkencës që quhet logjikë. Hartuesve dhe trumbetuesve tw këtij slogani (dhe të tjerëvet si ky), o u mungon vetë atyre logjika, o mendojnë që votuesit janë turma pa logjikë.





Në ato 9 orë diskutime do të jetë folur, ma merr mendja, edhe për të quajturin gjyqësor të pavarur. Apo ndoshta për gjyqësorin e pavarur janë caktuar 9 orë të tjera?! Gjithsesi, nuk duhet harruar që ne shqiptarët e kemi një përvojë 30-vjeçare revoltuese, tepër të hidhur, me gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë të pavarur. Ata, pikërisht duke qenë të pavarur, u bënë milionerë, ndërsa krimi e mbuloi dheun tonë. A prapë do të mbetemi me gjyqësorë të pavarur, që ia rropën lëkurën këtij populli?! Që u bënë një ndër shkaktarët e shndërrimit të Republikës së Shqipërisë në Republikë varrezash… për njëzetvjeçarë dhe për tridhjetëvjeçarë!

Por po e lëmë mënjanë këtë varg pyetjesh që na vijnë në mendje me këtë rast, kaq tragjik dhe kaq komik, sa njeriu s’di të zgjedhë, të gajaset së qeshuri, apo të marrë një armë e t’ia heqë vetes.

Për shembull, këta njerëz, këta shqiptarë, që po merren me hartimin e kodit tonë zgjedhor, a e kanë kryer shkollën e mesme? A kanë mësuar në shkollë si shkruhet një i quajtur hartim, një tekst, i lidhur me një titull që e shkruan mësuesi në dërrasë të zezë? Ta zëmë, nën titullin “Një ditë e bukur me diell”, ata të mos shkruajnë për vullkanet, për eshtrat e varrevet, për mënyrën si prodhohen enët e porcelanit, por të shkruajnë për ditën e bukur dhe për diellin. Po dua të them: A janë analfabetë këta hartues kodesh, apo janë të kurdisur së prapthi në moralin e tyre?!

Po i lë, pra, mënjanë këto pyetje dhe po merrem sërish me zonjën Juri Kim. (Dua t’jua pohoj sinqerisht që më dhemb shpirti kur detyrohem të flas kështu për atë grua.)

Dihet botërisht që ne e kemi një ambasador në SHBA. E kemi apo s’e kemi ambasadorin tonë atje?! Sigurisht që e kemi. Përndryshe, s’ka marrëdhënie reciproke midis dy shetesh.

Por, sa dhe si merr pjesë ambasadori i Republikës së Shqipërisë, kur në SHBA ka fushatë zgjedhore?! Cili është roli i ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në rregullimin e marrëdhënieve midis republikanëvet dhe demokratëvet në SHBA?!

Me dijeninë time, ambasadorët e Republikës së Shqipërisë asnjëherë nuk janë përzier në rregullat apo parregullsitë që kanë Shtetet e Bashkuar të Amerikës në praktikën e tyre zgjedhore. As në Francë, as në Gjermani, nuk është ndier gjëkundi zëri i ambasadorëve tanë, kur ata vende kanë pasur probleme me zgjedhjet. As në Rusi s’ka shkuar ndonjëherë ambasadori ynë t’i thotë Putinit: Shiko, se këtu s’e ke ligjin të mirë!

Atëherë, ç’punë kanë ambasadorët e huaj të vijnë e t’u rrinë mbi krye hartuesve tanë të kodeve zgjedhorë?! Nuk po dua të them: Ç’duan ata këtu!? Ç’kërkon Juri Kim në komisionet tanë zgjedhorë, kur në komisione zgjedhorë të SHBA-së ambasadorët tanë as që mund të afrohen, le më t’u japin udhëzime ligjrregulluesve të SHBA-së!? Ç’duan këta, që përzihen në punët tona, kur ne nuk përzihemi në punët e tyre?! Sado që nuk duam që në SHBA, dhe në Francë, dhe në Gjermani, dhe në Rusi, të shkojnë punët aq për faqe të zezë, sa ç’po shkojnë përditë, ne prapë nuk mund të ndërhyjmë në punët e tyre!

Ligjvënësit tanë, hartuesit e kushtetutave, i dinë gjuhët e huaja më mirë se shqipen. Ligjvënësit tanë, gjuhët e huaja i kanë perendi, ndërsa shqipen e kanë thjeshtë shërbëtore. Pse s’i qorrojnë sytë e t’i lexojnë kushtetutat e botës këta ligjvënës shqiptarë, por u dashka t’u shkojnë ambasadorët e t’u tregojnë me gisht: Lexo këtu, shiko këtu! Dhe t’i kërcënojnë: S’ka BE, po s’e bëtë kështu si duam ne!

Thashë diçka, por s’thashë asgjë. Kjo botë e sotme, e mbushur me absurd, me budallallëqe, me padrejtësi, me cektësi të krupshme në logjikën e ligjwhartuesve, me një moral të pëgëjtur të tyre e të mbushur plot me poshtërsi, kjo botë, pra, po shkon drejt katastrofash, të cilat as që mund të përfytyrohen.

Zonja Juri Kim është një njeri i mrekullueshëm, është një njeri që të ndjell respekt sapo e shikon në ekranin e televizorit. Por ajo është pjesë e një makine gjithnjerëzore, të konstruktuar… për t’u shkatërruar! Një makinë gjithnjerëzore që s’mund ta shpëtojmë, as ajo që është ambasadore, as unë që jam një copë katundar në një cep të Ilirisë, keqas të rrëgjuar! Në një cep të Ilirisë! Kështu do të thoshte Mitrush Kuteli ynë i paharrueshëm.

 


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks