SHKRIMI
e diel, 20 shtator 2020

BESNIK IMERI: FEJA E SHQIPTARIT ASHT SHQIPTARIA (MBI FENË E SHQIPTARËVE) Pjesa II

Vlorë, 8 shtator 2020: Nuk është e rastësishme që ne SOT si popull festojmë zyrtarisht një festë pagane, 14 marsin. Dhe kjo është meritë edhe e atij kryeministri, që i propozoi kuvëndit para disa viteve për ta bërë 14 marsin festë zyrtare. Prova më e mirë për këtë është qëndrimi publik, si ai i datës 14 mars 2011, kur kleri katolik dhe musliman shprehën pakënaqësinë e tyre se pse shqiptarët e festojnë ditën e verës, duke u përpjekur t’i ulin vlerat asaj. Nuk është e rastësishme, që ne më shumë festojmë ndërrimin e viteve (këtë kult pagan) se sa Bajramin, apo Krishtlindjet dhe Pashkët. Sepse ne si popull, po të përmendim një fjalë të madhe të profesor Dhimitër Pilikës, nuk na lidh asgjë me fetë (krishtërimi dhe myslymanizmi) që kanë lindur në shkretëtirat arabike; ku ka dhe pak jetë. Historikisht raca e jonë ka jetuar në vënde me male dhe fusha me gjelbërim, ujra të bollshme e të pastra. Atje ku jeta ka gjalluar më shumë se në çdo vend tjetër, me dorën e vetë Zotit.

Gjej rastin këtu të përmend një fakt domethënës, të gjithë të huajt që kanë kaluar nëpër viset shqiptare, duke filluar nga udhëtarët e shekullit të XVIII e deri më sot, kanë folur për një bukuri magjepëse (gati hyjnore do të thosha unë) dhe që nuk e kanë parë në vënde të tjera. Kujtojmë këtu Eduart Lirin. Dhe kjo është një e vërtetë e pakundërshtueshme. Prandaj ne jemi paganë dhe nuk mund të quhemi të pafe, pasi jetojmë në nje vend te bekuar nga zoti. Sepse ne besojmë pafundësisht dhe me fanatizmin më të madh tek JETA. Tek jeta me NDER dhe në LIRI. Po të mos kishim këtë besim fanatik, sot ne nuk do të ekzistonim si komb, por do të ishim zhdukur. Por për nderin dhe lirinë ne bëjmë edhe sakrificën më sublime, falim vetë jetën. Shikoni çfarë lidhje unike më e fortë se çdo nyje gordiane. Me vdek si me le. Një sintezë e pazbërthyeshme si vetë atomi, ku uniteti dhe papajtueshmëria e të kundërtave, ndërrimi i vëndeve me njëra tjetrën; parimi më i lartë i dialektikës Hegeliane, gjen pasqyrim të shkëlqyer. Më thoni një komb tjetër, ku mund të gjëndet ky parim hyjnor. Ju kujtoj këtu se si vdiqën vajzat dhe gratë e Sulit, duke u hedhur në greminë, për të mos rënë në dorë të gjaksorit, drakulës shqiptare, Ali Pashë (Beshishti) Tepelena.

Krishtërimi, mburret me vetësakrifikimin e një njeriu të vetëm, të Jezusit hebre. Por çdo shqiptar, për nder dhe atdhe, është një Jezu Krisht. Ky moment është kapur me një mëndjemprehtësi të jashtëzakonshme nga i madhi Ismail Kadare tek “Kush e solli Doruntinën”, kur Kostandini për të shpënë në vend fjalën e dhënë, BESEN, NDERIN; RILINDI si JEZU KRISHTI, u ngrit nga varri. Dhe në veprën teatrore, nga klerikët kjo u quajt sakrilegj; pasi këtë privilegj e kishte vetëm Jezu Krishti, dhe asnjë tjetër.

Mungesa e një lidhje të qëndrueshme me fetë monoteiste, alternimi i tyre në shekuj; përqafimi i tyre me shumë me dëshirë se sa me forcë (është me vend këtu të pëmendim mbështetjen vullnetare që i dha raca jonë predikimeve të Palit, me të shkelur këmba e tij në Ballkan dhe përqafimin vullnetar të krishtërimit, shumë shekuj më parë se grekët ortodoksë të sotëm) ; tregon se populli i yne e ka pasur fenë monoteiste një mjet dhe jo një qëllim, një mjet dobiprurës në shtjellat e historisë. Feja monoteiste me shumë ka qënë një gunë që populli i ynë e ka veshur, apo e ka hedhur tej, sipas acareve apo zhegut të historisë në shekuj. Shtyhemi thellë në shekuj dhe shkojmë në mes të mijëvjeçarit të parë të erës tonë, atëhere kur turma të mëdha popujsh paganë barkthatë (SKLLAVET) vinin që nga stepat dhe shkretëtirat e Azisë Qëndrore, dhe si një kulçedër thithën lëngun e jetës të Ballkanit, që asokohe banohej pothuajse tërësisht nga raca e jonë ILIRO-TRAKO-DARDANO-MAQEDONO-EPIROTE.

Ilirët (Po i përmbledhim të gjithë në një emërtim) asokohe nuk e kishin përqafuar krishterimin në mënyre masive, ata vazhdonin të ishin paganë; por për t’u dalluar nga kjo turmë e stërmadhe pagane; në mënyrë të menjëhershme si me një urdhër nga lart, përqafuan masivisht krishtërimin për t’u ndarë nga ata, për mos t’u bërë NJË me ata. Në mënyrë instiktive Kodi i racës filloi të veprojë në vetmbrojtje. Ja pse u bëmë ne të krishterë. Ja si shprehet historiani i nderuar Prof.Dr.Kristo Frasheri: “…me dobësimin e presionit të shtetit perandorak bizantin, që erdhi si pasojë e dyndjeve barbare, banorët shqiptarë të tradicionit autokton Ilir u lidhën ngushtë me fenë e krishterë. Kjo për arësye se në këto kushte, ideollogjia e krishterë e forconte më mirë se feja politeiste, bashkimin e tyre kundër fiseve barbare sllave të gozhduara ende pas paganizmit… Krishtërimi u përqafua vullnetarisht…”. (“Identiteti Kombëtar Shqiptar”,botim i vitit 2006,faqe 59).

Në lidhje me këtë problem arkeologu i shquar dhe historiani Neritan Ceka në veprën e vet madhore “Ilirët” shkruan : “…Prania e kishës (bëhet fjalë në Dardani), e cila ishte e lidhur me popullsinë autoktone të krishtere, dëshmon se Dardania nuk u sllavizua nga paganët e stepave. Në vitin 787 peshkopët e Dardanisë morën pjesë në koncilin e Nikesë, ndërsa perandori Bizantin Leoni I III (717-741) vuri nën varësinë e patriarkut të Kostantinopojës edhe peshkopatën e Justiniana Primës. Peshkopata e Shkupit na del përsëri në dritën e dokumenteve në vitin 864, vit në të cilin prijësi bullgar, Borisi, u pagëzua si i krishterë në kishën e Ballshit (katedralja e Bylysit) sëbashku me popullin e vet…”(faqe 162).

Dhe kur dhe ata skllavët u konvertuan në të krishterë, filloi shkërmoqja dhe asimilimi i racës tonë. Dhe ata (skllavenët) si “krishterë të devotshëm” filluan të ndërtojnë kisha dhe manastire në tokat tona, për të cilat SOT po na kërkojnë reston. Kujtojmë këtu manastiret dhe kishat e Pejës. Por të mos harojmë, se në atë fillim shekulli të katërt të erës tonë, ishte pinjolli i racës tonë, biri i Dardanisë kreshnike, hyjnori perandor KOSTANTINI I MADH; që me ediktin e Milanit ne motin 313 të erës tonë, legjitimoi krishtërimin në perandorinë romake, krishterim te cilin po e gezon sot gjithe bota e qyteteruar.

Ndokush mund të pyesë se përse e bëri këtë Kostantini, mos valle ishte i përdellyer ndaj krishtërimit? Jo. Kishte vetëm një arësye dhe vetëm një, arësyen politike shtetërore për të stabilizuar politikisht perandorinë që po brehej nga grindjet fetare. Dhe për atë se sa besimtar ishte ai ndaj fesë së krishterë, kujtojmë faktin që ai është pagëzuar nga kisha e krishterë në prag të vdekjes, duke dhënë shpirt dhe kundër dëshirës së tij. Megjithatë Kisha e Perëndimit, për veprën që bëri e ka shpallur shënjtor. Ishte një bir tjetër i racës tonë Dardanasi (lindur ne qytetin Bederiana pranë Naisit (Nishit të sotëm) në Dardani) dhe perandori i shkëlqyer, JUSTINIANI I MADH, që ndërtoi dhe rindërtoi rreth 160 kështjella në Ballkan për të mbrojtur racën e tij nga turmat pagane skllave. ”Për atdheun nga vinte ndërtoi 157 kështjella, që nga Danubi në Epir, që të siguronte këto territore nga dyndjet që kishin filluar prej shekujsh. Eshtë meritë e tij, që një pjesë e madhe e territorit shqiptar shpëtoi nga dyndjet sllave… Ai nuk pranoi t’i vendoste sllavët në Iliri…Justiniani ishte një njeri fetar dhe një katolik i devotshëm, por që i pëlqente të komandonte vet kishën e krishterë… Justiniani e mbrojti kishën e krishterë dhe i dhuroi prona të shumta, ndërtoi kisha dhe manastire të shumta, ku mbi të gjitha dallon kishën e Shën SOFISE”. (Elena Kocaqi “Albanët me famë në mijëvjeçare” faqe 183-186).

Ishte ky Justinian që ngriti një kishë autoqefale (Peshkopatën) të pavarur nga Roma në qytetin e tij të lindjes Bederiana (Justiniana Prima); ishte ky bir i Dardanise kreshnike që ngriti një nga shtatë mrekullitë e botës, Katedralen e Shën Sofisë në Kostandinopojë (e cila edhe sot pas rreth 1500 vjetësh qëndron madhështore mbi ujrat e Bosforit, në formën e xhamisë blu). Gjithashtu ai ngriti katedralen e Bylysit, që turmat skllavene kur erdhën aty e kthyen në një ahur bagëtish. Por ky njeri i madh bëri edhe një gabim; për t’u shkëputur përfundimisht dhe për t’u ndarë qartazi dhe prerazi nga turmat pagane skllavene; ndaloi me ligj paganizmin, luftoi dhe përzuri nga perandoria e vet Bizantine gjithë paganët. Por në mes të këtyre paganëve ishin dhe mëndjet më të ndritura të asaj kohe, filozofët dhe shkencëtarët, të cilët shkuan drejt Lindjes dhe i dhanë shkëlqim të ndritur Persisë. Ja si e përshkruan saktësisht Neritan Ceka këtë ndodhi; “Justiniani ishte perandori i fundit Bizantin, i cili përdori latinishten si gjuhë zyrtare. Ai ishte njëkohësisht perandori që adoptoi përfundimisht krishtërimin si religjion të vetëm të shtetit bizantin, duke përzënë elitën intelektuale pagane dhe duke mbyllur Akademinë Platonike të Athinës, djepin e neoplatonizmit pagan.

Qindra filozofë dhe shkrimtarë mërguan për në oborrin e mbretit të Persisë, duke hedhur njërën nga shtyllat mbi të cilat u ngrit më pas kultura humaniste islame” (Neritan Ceka “Ilirët”, faqe 160). Ndërsa Elena Kocaqi në veprën e sipërpërmendur shprehet: “Justiniani ishte një armik i ashpër i paganizmit grek dhe në vitin 529 mbylli Akademinë e Athinës, djepin e paganizmit”. Kjo i dha dorë kishës së krishterë (shprehet Aristidh Kola) që të prishë dhe të shkaterojë deri në themel, të gjithë tempujt dhe vëndet e kultit pagan, të cilat ishin mrekullitë e antikitetit; dhe mbi gërmadhat e tyre të ndërtojë kishat. Dhe këtu është vendi për t’u treguar të krishterëve “safi” që na rrethojnë, se ishte përsëri një bir i popullit tonë GJERGJ KASTRIOTI (i ashtuquajtur Skenderbeu), që u bë mbrojtës i krishtërimit; se përndryshe ajo Europë e krishterë, që sot ne shqiptarët na quan pothuajse muhamedanë, pa ATË (Skënderbeun) dhe pa luftën gjigande të një populli të vogël, i cili u ndesh me golgothanë osmane; SOT mund të ishte vet muhamedane dhe të falej në xhami.

Europa nuk duhet të harojë që KOSTANDINI, JUSTINIANI dhe GJERGJ KASTRIOTI janë shqiptarë.

Vazhdojmë me pyetjen tjetër.

3.Sot në kohët moderne kur në ethir ndryshimet dhe dallimet fetare, po kthehen edhe në mbulesa dhe veshje të dallimeve politike; cili do të jetë rreshtimi i kombit tonë në këtë ndasi fetare që po konturohet në botë?! Nga do të shikojmë ne nga Lindja, apo nga Perëndimi? Si do të kapërxehet kjo larmi fetare në një rreshtim të mundshëm në të ardhmen ?!

Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje, po e fillojmë me një shpjegim shumë të thjeshtë. Nga ndryshon një shqiptar tipik i krishterë nga një shqiptar tipik musliman? Ndryshimi nuk është thelbësor, ndryshimi nuk prek etnotipin shqiptar. Ndryshimi është sipërfaqësor, çështje ngjyre. Po të bëjmë një krahasim elementar, është njësoj si të thuash ku ndryshon një futbollist i “Dinamos” nga një futbollist i “Partizanit”? Kushdo do të përgjigjej thjesht, nga fanella e skuadrës që përfaqeson. Madje një futbollist mund të ndryshoj skuadrën dhe të mbetet po ai.

Kështu ka ndodhur edhe me shqiptarët, ata vetëm kanë ndërruar fanellat këto 2000 vjet. Dhe kanë mbetur po ata që kanë qënë këtu e 6000 vjet më parë. NJË RACË. Kështu duhet t’i shikojë shqiptarët bota e qytetëruar; jo nga besimi që ndjekin, por nga të qënit shqiptar. Mikja e madhe e shqiptarëve Edit Durham, e cila shetiti pothuajse të gjithë Ballkanin e fillim shekullit te XX, e ka kapur në mënyrën më të shkëlqyer thelbin e problemit dhe e ka shprehur në mënyrën më të qartë ( si drita e diellit) këtë çështje. Ajo thotë pak a shumë kështu; Kur pyesja një rumun se çfarë je, më përgjigjej i krishterë; një sërb, më përgjigjej ortodoks; një bullgar, i krishterë; një kroat, katolik; një boshnjak, musliman; një grek, ortodoks. Kur pyesja një shqiptar, i çfarëdo feje që të ishte, i krishterë, apo musliman; më përgjigjej jam SHQIPTAR, duke shpërfillur faktin se kujt besimi i përkiste. Ky është dallimi i MADH i shqiptarëve nga popujt e tjerë që popullojnë Ballkanin.

Këtë duhet ta mësojnë mirë ideusit, projektuesit dhe zbatuesit e rregjistrimit të popullsisë në Shqipëri mbi baza fetare. Ky rregjistrim i projektuar në skutat e errëta nga mëndje djallëzore, synon përçarjen e kombit tonë, synon vdekjen e tij. Atë që nuk kanë mundur ta realizojnë tek shqiptarët në shekuj, po përpiqen ta realizojnë tani, në këtë pragshekulli të XXI, ku aspiratat e shqiptarëve për një bashkim kombëtar janë më të forta se kurrë.

Gjithashtu, Europa dhe gjithë bota e qytetëruar duhet t’a dijë mirë. Shqiptarët kanë per të qënë indiferentë në çdo rreshtim të mundshëm me ngjyrim fetar. Ata që nuk përkrahën kryqëzatat në periudhën e errësirës mesjetare, nuk mund të bëhen tifozë në kohët moderne e të ndriçuara. Ata do të mbeten indiferentë ndaj erërave dhe korenteve që mund të fryjnë, nga Lindja, apo nga Perëndimi qofshin ato. Europa duhet të na pranojë kështu siç jemi, rrugë tjeter nuk ka. Larmia jonë fetare është një tufë lule shumëngjyrëshe që me aromat e saj, dhe me vendndodhjen tonë në mes të Lindjes dhe Perëndimit, do të zbusë shpirtrat e ndezur nga afshet fetare. Larmia jonë fetare, vetë ekzistenca e saj tek ne, është një shembull i gjallë për popujt e tjerë me fe të ndryshme në të gjithë botën; që të jetojnë në harmoni me njeri tjetrin, siç jetojmë ne shqiptarët mes vedi.

Vijojmë me pyetjet

4. Kjo larmi fetare është një mungesë, apo është një virtut?! Dhe në se është virtut e cilësi kjo bashkëjetesë, a ka ardhur koha t’ua tregojmë edhe të tjerëve. Dhe ky komb që posedon këtë armë sekrete të bashkëjetesës paqësore fetare; do t’ua rrëfejë edhe kombeve të tjerë kodin e këtij fenomeni ?! A duhet t’ia tregojë botës së qytetëruar këtë kod?! A e ka të drejtën morale ky komb t’i tregojë dhe mësojë botës së qytetëruar këtë mënyrë bashkëjetese, dhe a duhet ta respektojë bota e qytetëruar këtë rrëfenjë?!

Jam i mendimit se jemi bash në çastin e duhur në këtë fillim shekulli të XXI. Çfarë duhet të shikojë bota e qytetëruar tek kombi i ynë; larminë dhe diversitetin fetar, apo unitetin dhe bashkëjetesën fetare; mungesën e formimit të kulturës fetare, apo ekzistencën e vetive të shkëlqyera, nga më të rrallat dhe uniket në botë?! Mendoj se bota e qytetëruar duhet të shikojë këto të fundit. Jo se jemi ne më të mirë se të tjerët, por duan apo s’duan kombet e tjerë, ato ekzistojnë objektivisht vetëm tek ne. Modestia e jonë në këtë rast do te ishte hipokrizi dhe “gjunjëpërthyerje”. Sinqeriteti dhe e vërteta janë virtut. Ndërkohë që të tjerët janë të djallëzuar dhe të pasinqertë. Ndoshta vetë Zoti, për ruajtjen e këtyre cilesive na ka zgjedhur neve, dhe pse ka zgjedhur ne, duhet pyetur vetem AI, sepse ai e DI këtë gjë. Për të gjitha këto cilësi, të cilat fatmirësisht tek kombi i ynë, janë me shumicë; ka kombe që na kanë zili, dhe për të mbuluar zilinë e tyre, mungesën e përjetshme të këtyre cilësive tek vetja e tyre; janë munduar të na përgojojnë, përbuzin dhe përçudnojnë në sytë e të tjerëve. Ata e dinë shumë mirë se vetë ekzistenca e jonë është verbuese, prandaj historikisht janë munduar ta errësojnë sa të jetë e mundur këtë shkëlqim rrezatues që rrjedh biologjikisht nga genet e racës tonë, e cila ka mbetur e pastër, e bukur, inteligjente dhe e fortë si nje smerald prej mijëra vjetësh. Një fosile e gjallë e ardhur deri më sot në kohët moderne, që nga mugëtirat e kohrave (një trashëgimtare e drejtëpërdrejtë e racës së bardhë që në agun e parahistorisë së shoqërisë njerëzore); e ruajtur nga një koracatë e shkëlqyer, që nuk kanë arritur t’a shpërbëjnë furtunat dhe shtërngatat e historisë.

Ismail Qemali në vitin 1917, në lidhje me racën e shqiptarëve në kujtimet e tij shprehet: “Ndërmjet Adriatikut, Pindit, vargut të Ballkaneve e Alpeve Dinarike mbi vijën që ndan Lindjen nga Perëndimi, ku historia ka parë takimim e shumë popullsive nomade e shumë qytetërime të lindura, atje është Shqipëria si një fortesë e mbrojtur nga sulmet e huaja. Në tri anë nga rrethi i majave të maleve të larta e nga ana e katërt nga deti. Shqipëria është banuar që në fillim nga një racë, origjina e së cilës shkon në kohë të Pellazgëve. Megjithëse jo e huaj nga qytetërimi grek, kjo racë ruajti karakterin e vet dhe krenarinë e origjinës së saj parahelenike…Me rënien e perandorisë Romake, ata dolën në arenën e botës, si provë që i perkisnin një race, fortësia e së cilës nuk ndikohej nga koha, dhe inteligjenca kombëtare e së cilës nuk mund të prishej nga zakonet… Me gjithë pushtimet e shumta e të vazhdueshme nga ana e Romës, Bizantit, normanëve, bullgarëve, sërbëve, italianëve dhe turqve; ata edhe sot paraqesin shfaqjen e rrallë e interesante të një kombësie të ruajtur të pastër e të painfektuar gjatë shekujve…” (“Kujtime” botim i vitit 1997, faqe 304-305).

Ja si shikohen shqiptarët në syrin e një diplomati anglo-sakson në vitet e trubullta të Luftës së Parë Botërore “…Po të kthehemi në parahistori, para se rapsodët homerike t’u këndonin hyjnive dhe heronjve mitologjikë, para se të shkruhej gjuha greke, jetonte një popull me emrin Pellazgë… Shqiptarët janë të vetmit që kanë ardhur deri më sot nga kjo racë e fuqishme parahistorike… Është tragjedi tej çdo përfytyrimi, që kjo racë e MADHE dhe shumë e lashtë të katandiset në këtë gjëndje, e cila meriton të quhet skandal i qytetërimit europian…”. GEORGE FRED ËILLIAMS. 1914.

Unë, sot pas një shekulli, mund të shtoj (të njëjtin perifrazim) … Është tragjedi tej çdo përfytyrimi, që kjo racë e MADHE dhe shumë e lashtë të katandiset sot në këtë gjëndje, e cila meriton të quhet skandal i qytetërimit europian… për shkak të papërgjegjshmërisë së politikanëve shqiptarë (brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë së 1913-ës), qysh nga vitet 20 të shekullit të kaluar e deri më sot, si dhe qëndrimit përbuzës dhe mospërfillës të politikanëve europianë të çdo kohe.

Mund të shpërthejnë pyetjet uluritëse dhe paduruese, kush është kodi juaj; na e thoni? Përgjigja është kjo. Kodin tonë e njeh shumë mirë Zoti i ynë. Dhe zoti i ynë është në majat e maleve tona, ngjituni tek baba Tomorri ose shkoni në Dodonë. Atje do të merrni përgjigjen e duhur. Përgjigja e jonë është nga më të thjeshtat dhe nga më zhgënjyeset, për ata që çoç presin. Çdo gjë e vyer dhe me vlerë, që ka ky komb, është trasmetuar me skrupulozitetin më të madh nga ATI tek BIRI. Ky kod asnjëherë nuk është shkruajtur, ne nuk kemi pasur biblioteka dhe arkiva për ta ruajtur atë; sepse edhe bibliotekat dhe arkivat më të sigurta, rrebeshet e historisë i kanë shkatëruar (gjë që historia e ka vërtetuar shumë mirë me biblotekën e Aleksandrisë e ngritur nga pinjolli i racës tonë Ptolemeu, shoku,bashkëluftëtari dhe gjenerali i Aleksandrit të Madh, dhe e djegur me barbarizëm nga Oktavian Augusti).

Ky kod është trasmetuar goja gojës, brez pas brezi, bir pas babe dhe nip pas gjyshi, me GJUHËN TONË, nga më të stërlashtat. Ky kod është shkruar vetëm në një vend, dhe atje është shkruar me dorën e zotit. Ai është shkruar në mishin, gjakun dhe kockat tona; në genin tonë gjenetik si racë ( me këtë duhet nënkuptuar raca jonë shqiptare, trashëgimtare në linjë të drejtëpërdrejtë nga popujt Iliro-Trako-Dardano-Maqedono-Epirotë; të cilët nga ana e tyre kanë për gjyshër pellazgët, dhe jo raca në kuptimin shkencor biologjik); një racë e pastër, e cila nuk ka pësuar mutacione prej mijëra vjetësh, dhe këtë pastërti dhe këto cilësi të parët tanë i kanë ruajtur me fanatizëm brez pas brezi. Për këtë gjë, dhe vetëm për këtë gjë ne mund të akuzohemi për fanatizëm si komb.

Dhe që është një racë me cilësi të jashtëzakonshme, kjo duket me faktin se kjo racë ka nxjerrë personalitete të jashtëzakonshëm, të cilët kanë mbetur meteorë të pashuar në qiellin e historisë botërore si: Aleksandri i Madh, Pirrua i Epirit, Kostandini i Madh, Justiniani i Madh dhe Gjergj Kastrioti.

Për vetitë dhe cilesitë e kësaj race (nënkupto një popull me një identitet të veçantë), të cilat bota na i njeh si të veçanta; do të flasim një herë tjetër. Sot do të vazhdojmë të flasim për fenë e shqipëtarëve. Vazhdojmë.

Shikoni klerikët tanë historikisht. Nëqoftëse kanë shkëlqyer, nuk kanë shkëlqyer në fushën e fesë (megjithëse edhe aty kanë qënë të përsosur dhe të paarritshëm), por kanë shkëlqyer me një kulturë erudite verbuese, e vënë me mish dhe me shpirt në shërbim tek më e shënjta çështje, tek simbioza Atdhe-Mëmëdhe. Përmendim, Gjon Buzukun, Frang Bardhin, Budin, Pjetër Bogdanin, Ndre Mjedën, Naim Frashërin, rektorin e të parit universitet të Turqisë Hoxha Tahsinin, At Kristo Negovanin, Dom Nikollë Kaçorrin, Baba Faja Martaneshin etj etj, dhe duke vazhduar më tej me dy kollosët Gjergj Fishta dhe Fan Noli. Gjej rastin këtu të veçoj klerikët katolik, të cilët me erudicionin verbues dhe patrotizmin e zjarrtë, kanë zënë vend të nderuar në panteonin e Historisë së Shqipërisë.

Çfarë i shtyu ata klerikë t’i përkushtoheshin fuqimisht dhe madhërisht çështjes kombëtare? Çfarë e shtyu Ikonom Zoto Himariotin t’i shkruante Mitropolisë së Drinopulit (Gjirokastrës) në atë vjeshtë të dytë të motit 1891 : “…Epitropia e Kishës Qëndrore të Himarës, në një mbledhje të saj, vendosi t’ju kujtojë se nuk kini asnjë të drejtë të ndërhyni në çështjet tona…Kurrë s’kemi ndryshuar as bindje, as karakter dhe mbas vitit 1875 kemi vazhduar t’i qendrojmë besnik idealit tonë kombëtar për lirinë e popullit shqiptar. Lidhja (Lidhja e Prizrenit) është e shqiptarëve dhe Himariotët janë shqiptarë. Lidhja është e shqiptarëve dhe jo e turqve dhe vepra e qëllimi i Abdul Frashërit, Myslim Gjolekës, Koto Hoxhit, Mikel Haritos etj janë edhe tonat. Kjo është rruga e popullit të Himarës.” Nënshkruar, Kryetari i Epitropisë Ikonom Anastas Zoto.(Rami Memushaj “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike”, Botim i Toenës 2004, faqe 182). Të tillë burra kishte Himara, Ikonom Anastas Zoto ishte një copë shkëmb nga Akrokeraunet e lavdishme të Himarës. Po sot, a ka mbetur ndonjë?

Cila ishte ajo forcë tërheqëse, më e fortë se tërheqja kozmike, që i perthithi këta klerikë, madje deri në vetsakrifikim?! Mos vallë me këtë forcë shpjegohet edhe toleranca dhe indiferenca jonë fetare si komb?! Kur kjo forcë është kaq e madhe tek klerikët, po tek populli thjeshtë?! Shqipëria Sot, më tepër se kurrë, ka nevojë për klerikë të këtij klasi.

Jo rastësisht Rilindasit shpallën devizën “Feja e shqiptarit asht Shqiptaria”, e cila ishte një yll ndriçues i çështjes kombëtare; e cila edhe sot në shekullin e XXI mbetet më aktuale se kurrë për ne shqiptarët; kur mëndje me tru të thartuar që para 150 vjetësh dhe shpirtëra të frymëzuara nga ligësia e errësirës së shpellave të malit Atos; duan të na trajtojnë si një kope bagëtish, duke na ndarë me trish, e më katërsh sipas besimit dhe sekteve fetare. Mjerë Shqiptarët ku kanë arritur, ku i huaji është bërë Zot dhe komandon në vatrat e tyre. Dhe ata si një popull raja, si skllevër të bindur do të dynden në qëndrat e rregjistrimit, për të plotësuar epshet djallëzore të atyre që kanë patur si mjete komunikimi me popullin tonë zjarrin, thikën dhe helmin. Dhe nga kjo gjëmë, Rilindasve, atje ku prehen nuk do të ndihen të qetë, dhe do t’u dhëmbin kockat e patretura nga bëmat e nipërve dhe stërnipërve të tyre sodi. Ngrihuni nga varri o Rilindas dhe dilini zot vatanit, se shqiptarët e sotëm të vdekur e të pakallur, si bagëtia në grazhd po ripërtypin ushqimin që u hedhin të huajt dhe gjakprishurit nga raca e tyre.

Në mirënjohje të veprës së pavdekshme të RILINDASVE, le t’u ngremë nje PANTEON në një nga kalatë tona legjendare; në mos aty, në majë të malit të Tomorrit, atje ku kanë edhe fronin perënditë.

Shqipëria, SOT më shumë se kurrë ka nevojë për një Rilindje Kombëtare; pas më se një shekulli, kjo do të jetë një RILINDJE E DYTË. Dhe kjo Rilindje Kombëtare e II-të do të vijë me domosdo; duam apo s’duam ne, duan apo s’duan miqtë dhe armiqtë e kombit tonë. Që tani po e ndiejmë AGUN e saj.

BESNIK IMERI, 7 mars 2010

_________________

BESNIK IMERI: FEJA E SHQIPTARIT ASHT SHQIPTARIA (MBI FENË E SHQIPTARËVE) Pjesa I

http://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10465

***

BESNIK IMERI: FEJA E SHQIPTARIT ASHT SHQIPTARIA (MBI FENË E SHQIPTARËVE) Pjesa II

http://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10466


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks