SHKRIMI
e premte, 18 shtator 2020

BEHXHET SHALA BAJGORA: SABIT BROKAJ, NJË JETË E TËRË NË SHËRBIM TË KOMBIT DHE ATDHEUT, DERI NË PËRJETËSI!

Prishtinë, 15 shattor 2020: Lufta si mjet për arritje të paqes

Baca Adem jetësisht ishte i interesuar që çështja e Kosovës mundësisht të zgjidhej në mënyrë paqësore ose, si alternativë me sa më pak viktima ndonëse, me kalimin e kohës dhe duke e njohur politikën gjenocidale të Serbisë sikur edhe karakterin puro kriminal të Sllobodan Millosheviqit ishte i sigurt se nuk do të kalojmë me pak viktime. Realisht, në të gjitja takimet me shokë, kundërshtarë politik dhe debatet në mediat e Serbisë, Baca Adem thoshte se: “vetëm liria nuk ka çmim dhe për ta fituar lirinë ka kuptim dhe është e domosdoshme të flijohet edhe jeta...” Në këtë kontekst, duke ditur se lufta me Serbinë është e pashmangshme, kërkonte përkrahje politike dhe ushtarake kudo që besonte se do të përkrahej. Tërë kohën, së bashku me Ahmet Haxhiun punonin për të krijuar kushte që të mos zëheshin në befasi aq më parë që dhuna kishte eskaluar, deri në gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë. Edhe Shashivar Makolli – Qali ka qenë kumbar kudo që është folur për lirinë dhe kudo që ishte shkrepur një plumb për liri, në të gjitha trojet ku jetonin shqiptarët e që ishin të robëruar. Që nga dalja e fundit nga burgu (1990) para fillimit të luftës, në prag dhe në fillim të luftës logjistikën e Bacës Adem, veturën dhe të gjitha shpenzimet i hiqnin Nuhi Ahmeti – Llapqini dhe Avdullah Dërgutu – Dula Taraku. Nuhiut nofkën ia kishte lënë Baca Adem kurse Avdullahut, për shkaqe objektive ia pata lënë unë. Dua të theksoj se Llapqini dhe Dul Taraku kanë ndihmuar shumicën e atyre që ishin rrezikuar duke i dërguar jashtë Kosovës sikur që edhe Elmi Reçicën, kur e ndante vetëm një fije peri nga arrestimi e dërguan në në Zonën e Çyqavicës për të vazhduar pastaj për në Zonën e Nerodimes. Baca Adem , nuk ndalej as ditën e as natën dhe gjithnjë ishte në lëvizje. Pas masakrës në Lagjen e Monollëve në Pollatë të Besianës, duke u kthyer rrugës Baca Adem më tha ta ndaloi veturën dhe, sa i mllefosur por edhe më shumë i vendosur tha se lufta paqësore më nuk ka kuptim dhe duhet të bëhemi gati me të gjitha mjetet dhe mundësitë për një luftë të armatosur ndërsa KMDLNj do ta kemi si bazë logjistike për sigurimin dhe shpërndarjen e informatve për dhunën e regjimit jugosllav dhe serb ndaj shqiptarëve. Këto fjalë i pati thënë vetëm edhe gjeneral Shaban Shalës në ndërkohë që pjesa dërrmuese e KMDLNj-së ishte në funksion të organizimit të luftës çlirimtare. Në KMDLNj erdhi edhe Xhavit Haziri që Këshillin e kishte vetëm si mbulesë në ndërkohë që ishte në vet majat e kierarkisë së UÇK-së. Elmi Reçica ishte pjesë e stafit dhe tërë kohën kalonte në terren. Në KMDLNj ishte edhe dr. Hafir Shala dhe Shaban Shala kështu që me Nuhiun, Avdullahun , Limkën, Binakun u bë një bërthamë e besueshme që ndihmoi dhe ishte pjesë aktive e rezistencës së armatosur e që përfundoi me luftën çlirimtare. Ishte edhe Rexhep Bislimi dhe shumë të tjerë që u burgosën, vdiqën nën torturë apo ranë në fushën e nderit duke u bërë heronjë të lirisë dhe përjetësisë sikur që ishte komandant Remzi Ademaj, komandant Petriti.



Dy gjeneralët e luftës për liri dhe çlirim të Kosovës, Baca Adem Demaçi dhe Sabit Brokaj

Baca Adem Demaçi, në kërkim të përkrahjes politike dhe ushtarake shpesh shkonte në Shqipëri apo mbante kontakt me përsona përgjegjës për këtë përkrahje. Kam qenë në rrjedha për takime dhe kontakte të shumta që ka pasur me Sali Berishën, Fatos Nanon, Ramiz Alinë , Pandeli Majkon , Rexhep Mejdanin dhe personalitete tjera politike dhe ushtarake të Shqipërisë. Ishte takuar edhe me Ahmet Krasniqin për të cilin kishte mendim shumë të mirë. Pas këtyre takimeve kishte ndjenja të përziera , herë ishte i ngazëllyer e herë ishte i dëshpëruar. Një lider i thoshte se do të përkrahim nëse na përkrahë kundër Ibrahim Rugovës. Tjetri thoshte se duhet ta masni shumë veten dhe të mos hyni në luftë me shpresë te ne sepse ne nuk jemi në gjendje ta mbrojmë as veten tonë. Një tjetër thoshte se ju përkrahi 100% me një kusht që të mos më përmendni apo , asgjë nuk keni parë dhe asgjë nuk keni ndjerë nga goja ime. Ishte jashtëzakonisht i zemëruar dhe i mërzitur kur një personalitet nga vet majat e politikës shqiptare ishte treguar shumë shpërfillës ndaj kërkesës së Bacës Adem për sigurim të armatimit . Pas të gjitha argumenteve që ia tha Baca Adem, në një situatë të tensionuar iu drejtua me fjalët : “ndihmonani sepse në mungesë të armatimit njerëzit po vdesin dhe se as Shqipëria, nëse Kosova nuk çlirohet nuk do t’i mbijetoi agresionit të Serbisë dhe se, për me qenë më konkret, Kosova po digjet, Kosovës i është vënë flaka dhe zjarri nga Serbia...” Përgjigja e këtij të pafytyrit ishte: “le të digjet në flakë sepse nuk e nënshkruaj t’ua japim as edhe një armë të lehtë...”Në këto çaste të hidhërimit dhe zhgënjimit Bacës Adem iu afrua një person që nuk e njihja duke i thënë: “Baca Adem, jam Sabit Brokaj, Ministër i Mbrojtjes dhe do ju përkrahim deri në çastin kur, nëse është nevoja tërë armatimin dhe potencialin ushtarak do ta vëmë në shërbim të luftës në Kosovë dhe vëllezërve tanë që po bëjnë një luftë heroike e cila , në të njëjtën kohë është edhe lufta jonë ...”. Baca Adem pastaj kishte edhe takime tjera me Sabit Brokajn të cilin e përshkruante si një patriot të paepur dhe i gatshëm për të gjitha sakrificat. Kardiolog me profesion , deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Ministër i Shëndetësisë një kohë dhe në kohën më kritike për shqiptarët dhe Kosovën ishte Ministër i Mbrojtjes. Mjekët, sipas përkatësisë dhe natyrës duhet të jenë humanistë për aq kohë sa e bëjnë punën e mjekut por, nëse kemi parasysh përvojën e të gjitha luftave, jashtë dhe brenda trojeve shqiptare e sidomos kohën kur janë angazhuar në mënyrë aktive në politikë, dëshmitë flasin se janë shndërruar, në shumë raste në kriminelë të luftës dhe kriminelë të politikës. Janë dehumanizuar duke ua shitur mendjen, shpirtin, trupin dhe kapacitetin profesional politikanëve injorantë që me çdo kusht e kanë gjakuar pushtetin dhe me çdo kusht kanë dashur ta mbajnë pushtetin. Sabit Brokaj ishte vlonjat, me tradita të larta njerëzore, morale , politike dhe mbi të gjitha kombëtare prandaj, në kohën e duhur dhe kur politika shqiptare nuk e çante fort kokën për luftën në Kosovë, mori përgjegjësi personale duke mos kuryer asgjë që i shkonte në ndihmë luftës në Kosovë . Baca Adem ka qenë i impresionuar me gatishmërinë e Sabit Brokajt për të ndihmuar luftën në Kosovë me të gjitha mjetet e disponueshme dhe , gjithmonë dhe në çdo rast për Sabit Brokajn ishte shprehur me respektin më të madh duke e konsideruar si një luftëtar dhe gjeneral të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe Baca Adem, sikur edhe Sabit Brokaj, luftën e kishin vetëm pikënisje për liri dhe çlirim të Kosovës kurse bashkimin kombëtar e kishin si synim, me të cilin i zinte nata dhe agonte dita. Personalitetet e mëdha botërore, njerëzore, kombëtare, politike dhe morale dallohen nga vdekatarët e rëndomtë për faktin se në çastet e rëndësishme kur fasulja hahej kokërr për kokërr dhe kur vdekjen e kanë më afër se këmishen, interesin e përgjithshëm e kanë motiv dhe gatishmëri për çdo sakrificë ndërkaq që veten e tyre e shndërrojnë në një atom të interesit të përgjithshëm. Baca Adem Demaçi dhe Sabit Brokaj ishin njerëz të mëdhenj, shqiptarë edhe më të mëdhenj, humanistë që i tejkalojnë kufijtë lokalë dhe rajonalë dhe sakrifikues të pashembullt në mbrojtje të idealit të njerëzimit të jetojnë të lirë dhe sipas vullnetit të tyre. Një kohë kanë qenë të ndarë fizikisht por me një lidhje të përhershme shpirtërore në trajtën e luftës së pandërprerë për bashkim kombëtar që pjesërisht e arriten pas përfundimit të luftës në Kosovë duke e gatuar bukën dhe ëndrrën me shumë sakrifica , djersë dhe gjak. Po të ishte gjallë Baca Adem, shumë do të dëshëprohej dhe mërzitej për shkak të vdekjes së Sabit Brokajt.

Njerëzit e mëdhenj , njerëzit e mirë, atdhetarët e vërtetë, njerëzit me vlera të rralla dhe të vërteta, në një mjedis të ndryshkur që është në tokat ku mbijetojnë me shumë mund pjesa më e madhe e shqiptarëve, mund të ndjehen të lirë vetëm në botën e amshueshme kur kalojnë në përjetësi në ndërkohë që ndryshku njerëzor, kombëtar, politik dhe moral e duan përjetësinë e pushtetit të prekshëm ndërkaq që kanë frikë nga bota e amshueshme për faktin se pastaj askush nuk do t’i përmend më. Respekti që blehet me para dhe pushtet është rruga më e shkurtër dhe më e sigurt drejt harresës dhe, në jo pak raste mallkimit të historisë.

Prandaj, le të kujtojmë me respekt dy kolosët e çështjes kombëtare , Bacën Adem Demaçi që u bë i pavdekshëm në të gjitha hapësirat ku frymon njerëzimi dhe Sabit Brokaj , i amshueshëm në të gjitha hapësirat ku frymon shqiptaria !

Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA Prishtinë, 15 shtator 2020


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks