SHKRIMI
e shtunë, 16 janar 2021

PROF.DR.VANGJEL KICI: REKOMANDIME PËR NAFTËN SHQIPTARE (NGA LIBRI I PABOTUAR)

Pashtriku, 30 dhjetor 2020: Për të provuar naftë-gazmbajtjen e madhe të mundshme, në gëlqerorët poshtë Brezit Ofiolitik të Mirditës (Shqipëria Lindore), rekomandoj:

1- Të bëhen dy profile seismikë paralelë, tërthor masivit ultrabazik të Bulqizës, me shtrirje në drejtimin perëndim-lindje (në luginën Plani i Bardh-Bulqizë-Fushë Bulqizë, që e ndërpret në mes masivin). Gjatësia e përgjithshme e të dy profileve të jetë rreth 50 km. Në rast se profilet tregojnë strukturën e shpuarjes së gëlqerorve, poshtë masivit, gjë që është shumë e mundur, dhe në thellësi të përshtatshme, të shpohet një pus kërkimi për naftë dhe gaz. Këtu është shumë e pritshme të zbulohet, në thellësinë rreth 2000-3000 m, një vendburim gjigant nafte dhe sidomos gazi, i rangut botëror! Ky zbulim i mundshëm duhet të ndryshojë krejt strategjinë e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Prandaj nga autori janë bërë rekomandimet e mëposhtme. Deri tani, përveç mungesës së profileve seismike, në masivin e Bulqizës janë bërë pothuajse të gjitha punimet e tjera gjeologjike, të nevojshme për kërkimin e naftës dhe të gazit. Si rezultat i këtyre punimeve tashmë të kryera, sot kemi në dispozicion këto të dhëna:

A- Ekziston Harta Gjeologjike e Masivit të Bulqizës dhe e rrethinave të tij, në shkallën 1:25 000.

B- Ekziston profili gravimetrik (Falco (Bari) - Durrës - Bulqizë - Peshkopi), i bërë me pagesë dhe specialistë nga Bashkimi Europian. Ky profil e jep praninë e gëlqerorve rreth thellësisë 2000 m, poshtë anëve periferike të masivit!

C- Është studjuar dhe vërtetuar, nga specialistët më të mirë francezë dhe shqiptarë, se masivi ultrabazik i Bulqizës, si dhe masivët e tjerë, përfaqësojnë një strukturë diapirike.

D- Është argumentuar, nga autori i këtij libri, se poshtë Brezit Ofiolitik të Mirditës (Shqipëria Lindore) duhet të vazhdojnë gëlqerorët e Malit me Gropa, që kanë trashësi rreth 4000 m. Praninë e gëlqerorve, poshtë ofioliteve, e tregon edhe profili gravimetrik, që u përmend më sipër.

E- Është argumentuar në mënyrë bindëse, nga autori i këtij libri, se ofiolitet e Shqipërisë janë autoktonë, dhe se Shqipëria Lindore nuk ka ndërtim tektonik disa mbulesorë!

F- Është vërtetuar me analiza, se gazi natyror, që ka shpërthyer disa herë në thellësitë e minierës së kromit në Bulqizë, përfaqësohet nga gazi metan i lagur (CH4), domethënë gaz shoqërues i naftës. Ai nuk është gaz i thatë, i krijuar gjatë serpentinizimit.

Për të marrë sa më shpejt rezultatin, mendoj se në strukturat e shpuarjes, siç është rasti poshtë masivit ultrabazik të Bulqizës etj., fillimisht për kërkimin e naftës dhe të gazit nuk janë shumë të domosdoshëm punimet seismike sheshore (në të gjithë sipërfaqen e masivit), të cilat hanë kohë. Pse? Sepse strukturat e shpuarjes nuk kanë kulm, krahë, mbyllje periklinale etj. Këto të fundit janë pjesë të strukturave antiklinale, të cilat duhet patjetër të përcaktohen me anë të punimeve seismike sheshore.

Pas zbulimit të mundshëm të naftës dhe të gazit, në të gjithë sipërfaqen e masivit të Bulqizës le të vazhdojnë punimet seismike, për të përcaktuar formën dhe madhësinë e strukturës gëlqerore të shpuarjes, poshtë masivit, dhe për të dalluar blloqet e mundshme tektonike etj.

2- Të bëhen dy profile seismikë paralelë, tërthor masivit ultrabazik të Tropojë-Has-Morinës. Profilet të kenë shtrirje nga jug-jugperëndimi drejt veri-verilindjes. Gjatësia e përgjithëshme e të dy profileve seismike të jetë rreth 50 km. Në rast se profilet tregojnë strukturën e shpuarjes së gëlqerorve, poshtë masivit, gjë që është shumë e mundur, dhe në thellësi të përshtatshme, të shpohet një pus kërkimi për naftë dhe gaz. Ky pus të shpohet në anën e Kosovës. Edhe këtu pritet të zbulohet, në thellësinë rreth 2000-3000 m, një vendburim gjigant nafte dhe gazi, i rangut botëror!

Kështu mund të zbulohen edhe shumë vendburime të tjera gjigante nafte dhe gazi, në gëlqerorët poshtë masivëve të tjerë të shumtë ultrabazikë, që ndodhen në Shqipëri dhe në Kosovë (Fig. 1).



Shtrohet pyetja: Pse të largohemi nga vendburimet ekzistuese të naftës?

Përgjigja është: Pa u larguar nga vendburimet ekzistuese, të përhapemi edhe më tej, sepse pritet të zbulojmë shumë vendburime gjigante nafte dhe gazi, në Shqipërinë Lindore dhe në Kosovë, domethënë në të gjitha trojet shqiptare!

3- Të fillojnë shpimet e kërkimit për naftë dhe gaz në strukturat e cekëta antiklinale gëlqerore, të mbuluara nga depozitimet flishore, pranë vendburimeve ekzistuese të naftës (Velça etj.). Këto struktura janë të përgatitura me kompleks punimesh gjeologo-gjeofizike, prandaj shkalla e suksesit pritet të jetë e madhe.

Theksoj se në të gjitha rastet e rekomanduara, fillimisht punimet seismike dhe shpimet le të bëhen nga një kompani e huaj prestigjioze e naftës, me pagesë nga shteti shqiptar, por pa marrëveshje hidrokarbure! Pra, pas kryerjes së punimeve, kompania e huaj e naftës të largohet. Më vonë punimet gjeologjike, seismike dhe shpimet etj. le t’i bëjë vet kompania shtetërore (kombëtare) e naftës shqiptare.

 Kërkimet dhe shfrytëzimin e naftës dhe të gazit në Shqipëri duhet t’i bëjnë vetë shqiptarët, sepse sipërfaqja e Shqipërisë është e vogël. Vetëm deti mund t’u jepet me

konçesione të drejta kompanive të huaja.

 Duhet formuar kompania shtetërore (kombëtare) e naftës shqiptare, mundësisht me kapital të përbashkët nga të dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova. Kjo kompani duhet të ketë seksionet e kërkimit, prodhimit, përpunimit dhe tregëtimit. Instituti i Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit (bashkë me Sektorin e Gjeofizikës), Instituti Teknologjik i Naftës, Ndërmarrjet e Shpimit etj., duhet të jenë nën vartësinë e drejtpërdrejt të kompanisë shtetërore (kombëtare) të naftës shqiptare. Atyre duhet t’u hiqet dryni, i vendosur padrejtësisht në vitin 2007. Me problemet e naftës duhet të merret vetëm kompania shqiptare e naftës, dhe jo qeveria!

Pas zbulimit dhe vënies në shfrytëzim të një vendburimi të ri nafte dhe gazi, kompania shtetërore e naftës shqiptare, duke vënë në punë edhe paratë e popullit, do të bëhet e aftë për vetfinancim. Ajo duhet të jetë e pavarur nga shteti, sikurse është kompania Statoil e Norvegjisë. Marrëdhëniet e kompanisë me shtetin le të rregullohen sipas modelit të Norvegjisë. Duke zhvilluar sektorin shtetëror të naftës, kompania do t’i sjellë të ardhura shumë të mëdha arkës së shtetit.

Zbulimi i mundshëm i naftës dhe i gazit, në Brezin Ofiolitik të Mirditës, do të hapte portën e madhe të zhvillimit të gjithanshëm të Shqipërisë dhe Kosovës, domethënë të gjithë kombit shqiptar. Kushti kryesor, për hapjen e kësaj porte, është nacionalizimi (kombëtarizimi, shtetëzimi) i naftës dhe i gazit të gjithë Shqipërisë. Nafta dhe gazi duhet të jenë pronë vetëm e kombit shqiptar (jo pronë e qeverisë!). Nafta dhe gazi duhet të kërkohen dhe të shfrytëzohen nga vetë shqiptarët. Këtë mund t’a bëjë vetëm një qeveri, që i shërben popullit shqiptar, dhe jo vetes dhe të huajve (duke u hequr si pronare e naftës!).

Deri tani, nacionalizimin e naftës shqiptare e kanë penguar dhe e pengojnë të huajt, në bashkëpunim me qeveritarët tanë të korruptuar, sepse nacionalizimi është kundër interesave të tyre grabitqare. Ky nacionalizim nuk bëhet duke iu lutur qeverisë, por populli duhet t’a detyrojë qeverinë. Duhet shfrytëzim i naftës dhe i gazit me disiplinë të rreptë, pa humbur asnjë pikë nafte, sikurse e shfrytëzon Norvegjia. Ky do të ishte një rast i rrallë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe të gjithë kombit shqiptar. Prandaj, t’a mbrojmë me çdo kusht naftën shqiptare, nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Të mos lejojmë në asnjë mënyrë që të na iki nga duart ky shans i mundshëm dhe i madh historik, i cili do të rriste në kulm smirën dhe agresivitetin e armiqve tanë të brendshëm dhe të jashtëm.

Çfarë mund të bëjë një qeveri e korruptuar dhe antishqiptare?

Ajo, sapo t’a marr vesh këtë perspektivë, mund t’ua japë të gjithë Shqipërinë Lindore me koncesione kompanive të huaja të naftës.

Pse mund t’a bëjë këtë?

Mund t’a bëjë që t’i hiqet Shqipërisë mundësia e zhvillimit ekonomik dhe e forcimit të gjithanshëm. Prandaj, kjo dhënie me koncesione nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë. Në të kundërt, hallall le t’a kemi varfërinë dhe skllavërinë!

 Pra, në radhë të parë duhet bërë nacionalizimi (kombëtarizimi, shtetëzimi) i naftës dhe i gazit të gjithë Shqipërisë, fillimisht përjashtuar vendburimet e dhëna me koncesione. Këto të fundit le të zgjidhen gradualisht, nëpërmjet Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Kështu do të shpëtonte nga shkatërrimi i plotë edhe rafineria e vetme shqiptare e përpunimit të naftës në Ballsh. Kjo rafineri është e dënuar për shkatërrim pikërisht nga kompanitë e huaja, që kanë marrë me koncesione vendburimet tona të naftës.

Pse?

Sepse këto kompani (Bankers etj) kanë vënë kushte, se naftën e vendburimeve tona e duan të papërpunuar! Pra, rafineria nuk ka çfarë të përpunojë, prandaj po shkatërrohet. Dhe kjo bëhet, që Shqipëria të mos prodhojë karburante, dhe në rast lufte të ngrem duart lart!

 Duhet anuluar (shfuqizuar) vendimi i qeverisë, për nxjerrjen e të gjithë Shqipërisë në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi.

 Duhet anuluar vendimi i qeverisë për privatizimin e Albpetrol sh.a.

 Kompanive të huaja të naftës, për moskryerje punimesh dhe shkelje të rënda të marrëveshjeve hidrokarbure dhe të Ligjit të Naftës në Shqipëri, duhet t’u anulohen (shfuqizohen) marrëveshjet hidrokarbure. Ky anulim mund të bëhet pa probleme, sepse ato janë shumë fajtore ndaj Shqipërisë. Këto kompani janë:

- Kompania Shell Upstream Albania ka marrë me koncesion (dorëzim) Bllokun 4.

- Kompania Pennine Petroleum Corporation ka marrë me koncesion Bllokun Velça.

- Kompania Albanides Energy ka marrë me koncesion Bllokun.

8. Kompania Navitas Petroleum Ltd., ka marrë me koncesion Bllokun Dumrea.

Këto kompani, dhe të tjerat para tyre, siç ishte kompania Sky Petroleum etj., gjatë shumë viteve nuk kanë kryer asnjë punim kërkimi në terrenin e blloqeve përkatëse. Ato vetëm i kanë akaparuar (monopolizuar) blloqet, që të mos kryejë askush tjetër kërkime në ‘to. Atyre u janë dhënë liçensat (autorizimet) qëllimisht për të bllokuar kërkimet dhe zbulimet e naftës dhe të gazit në blloqet më me perspektivë të Shqipërisë.

Pse të bllokohen?

Të bllokohen që të mos zhvillohet ekonomia e Shqipërisë. Shteti shqiptar të jetë sa më i dobët. Të mos hapen fronte të reja masive dhe të përhershme pune. Të mos rritet mirëqënia e popullit shqiptar. Shqiptarët të jenë pa punë dhe të varfër. Ata të largohen nga Shqipëria... Me sa duket, këto marrëveshje hidrokarbure shfrytëzohen edhe për pastrimin e parave të pista.

 Çdo qeveri shqiptare, që nuk e nacionalizon (kombëtarizon, shtetëzon) naftën dhe gazin e të gjithë Shqipërisë, por kërkon të japë blloqet tokësore me konçesione tek kompanitë e huaja, duhet shpallur antishqiptare, armike e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Mungesën fillestare të parave, të nevojshme për zhvillimin e sektorit shtetëror të naftës, le ta zgjidhim duke vënë në punë paratë e popullit. Në fillim, kështu e zgjidhi Norvegjia mungesën e parave, duke vënë në punë paratë e popullit, dhe nuk ua dha naftën dhe gazin të huajve! Kështu le ta zgjidhim edhe ne, dhe të mos ua japim naftën dhe gazin të huajve! Kombi shqiptar ka shumë pasanikë, brenda Shqipëri - Kosovës dhe në diasporë. Si t’i vemë në punë paratë e tyre në sektorin e naftës? Si bashkaksionerë? Me përqindje interesi dhe kthimin e parave pas vënies në shfrytëzim të vendburimeve të naftës...? Për këtë le të pyetet shteti norvegjez. Pra, nuk qendron aspak justifikimi i qeveritarve tanë, dhe i disa mbështetësve të verbër dhe fanatikë të qeverisë, se nafta jonë nuk mund të rishtetëzohet dhe të zhvillohet nga shteti, sepse shteti shqiptar nuk ka para. Edhe mungesën fillestare të specialistve të naftës le t’a zgjidhim si Norvegjia.

Zhvillimi i sektorit shtetëror të naftës (kam parasysh një “naftë të madhe”) do t’a zhvillonte shumë shpejt të gjithë ekonominë kombëtare shqiptare. Zhvillimi i sektorit shtetëror të naftës do të zhvillonte të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë: sektorin e ndërtimit, transportit, sektorin elektrik, mekanik, tregëtinë, financat etj. Do t’a forconte shumë shpejt shtetin shqiptar. Do t’a rriste shumë shpejt mirëqënien e popullit shqiptar. Shqipëria shumë shpejt do të arrinte mirëqënien e shteteve më të zhvilluara të Europës. Do të hapeshin shumë fronte të reja, masive dhe të përhershme pune, jo vetëm për shqiptarët brenda Shqipëri - Kosovës, por edhe për shqiptarët e diasporës. Pra, do të zhdukej papunësia. Do t’i pritej rruga emigrimit masiv të shqiptarve. Do t’i pritej rruga zbrazjes së trojeve tona nga shqiptarët. Kështu i zgjidhi Norvegjia të gjitha këto probleme, me anë të zhvillimit të sektorit shtetëror të naftës. Të marrim shembull prej saj. Kështu do t’a kalojmë edhe krizën ekonomike në Shqipëri dhe në Kosovë, të shkaktuar nga Pandemia Covid-19.

Nga kjo pasuri e madhe e pritshme e naftës dhe e gazit, Shqipëria dhe Kosova (i gjithë kombi shqiptar!) do të zhvilloheshin dhe forcoheshin në çdo drejtim: ekonomik, politik, ushtarak..., por kjo kërkon që në krye të shtetit të jenë njerëz të aftë, patriotë, nacionalistë, besnikë ndaj popullit dhe atdheut, dhe jo të paaftë, globalistë dhe jo nacionalistë, të pabesë ndaj popullit dhe atdheut, antishqiptarë dhe hajdutë.

Zhvillimi i turizmit, agroturizmit dhe i rrugëve, ku po bëhen padrejtësisht investime të mëdha (1 miliard dollarë), duke na zhytur thellë në borxhe, nuk zgjidh asnjë nga problemet e mësipërme! Këto investime le të bëheshin në sektorin shtetëror të naftës. Rezultatet do të ishin të shkëlqyera. Për naftën shtetërore, po të jetë nevoja, le të marrim kredi edhe 1 miliard dollarë të tjera. Nafta e siguron shlyerjen e tyre, dhe sjell fitime të mëdha.

Më në fund, shkrimi i këtij libri shumë premtues (i pabotuar) nuk e bëj për interesa personale. Shkrimi i këtij libri u bë për të treguar portën, që duhet hapur, për zhvillimin e gjithanshëm të Shqipërisë dhe Kosovës. Patriotët shqiptarë, kudo që ndodhen, le t’a kenë parasysh edhe këtë mundësi të madhe për kombin tonë.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks