SHKRIMI
e mërkurë, 18 tetor 2017

PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: ORGANIZATAT TERRORISTE NUK MUND TË KONSIDEROHEN ALEATË STRATEGJIKË!

Tetovë, 2 mars 2017: Njëra nga partitë më të mëdha politike të Maqedonisë, VMRO-DPMNE, u formuar në vitin 1990, si trashëgimtare e organizatës së fshehtë politike po me këtë emër (VMRO), e cila është themeluar në Selanik, në vitin e largët 1893, në kohën e përpjekjeve të popujve ballkanikë për çlirim kombëtar dhe krijimin e shteteve të tyre.

Por, në vend se kjo organizatë të fokusohej në realizimin e interesave të popullit ,,maqedonas” (populli maqedonas u njoh për herë të parë si etnitet i veçantë nga Kominterna, në vitin 1936), ajo u shndërrua në organizatë klandestine, me premisa terrorizmi, brenda së cilës dominuan tri rryma politike (organizata të ndara) dhe ushtarake (çeta komitësh të udhëhequr nga vojvodët), ajo probullgare, proserbe dhe krahu autonomist, i cila u angazhua për një Maqedoni autonome në kuadër të Perandorisë Osmane, me kryeqytet Selanikun, jashtë ndikimit të Serbisë dhe Bullgarisë, duke i vlerësuar si shtete me pretendime hegjemoniste dhe pushtuese ndaj Maqedonisë.

Në betejë e përgjakshme për dominim mes këtyre tri rrymave, vetëm mes dy luftërave botërore janë likuiduar mbi 3500 veprimtarë, intelektualë dhe funksionarë politikë e ushtarakë nga Maqedonia. Dominimi i frymës mercenare mes këtyre fraksioneve, në shërbim të politikave të shteteve fqinje, si dhe implikimi i udhëheqësve kryesorë të kësaj organizate në disa atentate, kidnapime dhe plaçkitje masive të popullsisë, ka lënë gjurmë të thella në kujtesën e popullsisë në Maqedoni, e cila me pak përjashtime edhe sot e konsideron si organizatë terroriste dhe kundër interesave të Maqedonisë dhe të qytetarëve të saj.



Historia e organizatave politike konspirative me emrin VMRO

Emërtimi (termini) VMRO (Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase-OBRM) ka të bëjë me organizatat politike nga e kaluara (historike), me këtë emër:

- VMRO / ORV - Organizata nacionalçlirimtare nga koha e Perandorisë Osmane;

- VMRO (Autonomiste) – Organizata nacionalçlirimtare mes dy luftërave botërore;

- VMRO (E bashkuar) – Organizata politike maqedonase mes dy luftërave botërore;

- VMRO-SDRMA – Organizata politike e fshehtë (konspirative) maqedonase pas Luftës së Dytë Botërore;

- VMRO – PRAVDA (DREJTËSI) - Organizata e fshehtë politike maqedonase pas Luftës së Dytë Botërore.

Partitë dhe organizatat politike aktuale me emrin VMRO

Në Maqedoni:

1. VMRO-DPMNE – Parti politike maqedonase aktuale, lider Nikolla Gruevski;

2. VMRO – Maqedonase – Parti politike maqedonase aktuale, lider Boris Stojmenov;

3. VMRO – VMRO (E vërtetë) – parti politike maqedonase aktuale, lider Boris Zmejkovski;

4. ВMRO – DP (partia demokratike) – parti politike maqedonase aktuale, lider Vlladimir Gollubovski;

5. VMRO – Partia popullore – parti politike maqedonase aktuale, kryetar Marjan Dodovski, lider Lubço Georgievski;

6. VMRO – DOM – parti politike maqedonase aktuale;

7. VMRO – MNM – organizatë nacionaliste maqedonase antishqiptare, aktualisht vepron në diasporë dhe brenda vendit, lider Lupço Mirçevski – Trepet;

8. VMRO – Tatkovisnska (atdhetare) - parti politike maqedonase aktuale (probullgare), lider Dimirat Crnomarov.

Në Bullgari:

1. VMRO – BND – parti politike bullgare me orientim nacionalist, trashëgimtare e shoqërive kulturore-arsimore në Bullgari, lider Krasimir Karakaçanov;

2. VMRO – BDD – organizatë politike bullgare, lider Atanas Popov;

3. VMRO – SMO – organizatë politike bullgare, lider Hristo Matov;

4. VMRO – NIE – parti politike bullgare, lider Petko Atanasov.

Partia politike maqedonase VMRO-DPMNE (OBRM-PDUKM), e cila e mban emrin e VMRO-së historike (Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase), me shtojcën DPMNE, (Partia Demokratike për Unitet Kombëtar Maqedonas - PDUKM), gjatë dhjetë viteve të fundit ka qenë në pushtet në Republikën e Maqedonisë, deri në zgjedhjet e 11 dhjetorit 2016, në koalicion me partinë shqiptare BDI.

Në zgjedhjet e para parlamentare në Maqedoni, të vitit 1990, kjo parti fitoi numër më të madh të deputetëve në Parlamentin e parë pluralist në Maqedoni, me gjithsej 38 mandate deputetësh, më tepër se partia e transformuar komuniste (socialdemokrate), e cila fito 31 deputetë, ndërsa partitë shqiptare fituan 23 deputetë, nga gjithsej 120 deputetë sa ka parlamenti i këtij vendi.

Kjo parti nacionaliste dhe antishqiptare e ka udhëhequr Qeverinë e Maqedonisë gjatë viteve 1998-2002, në koalicion me partinë shqiptare PDSH. Kjo periudhë është karakterizuar me përdorim të dhunës, terrorit dhe kriminalitetit të të gjitha formave dhe llojeve.

Nga viti 2006 deri në zgjedhjet e fundit parlamentare, kjo parti po ashtu ka qeverisur me vendin, në koalicion me partinë e shqiptare BDI, me përjashtim të viteve 2006-2008, kur kjo parti nacionaliste maqedonase ka qenë në koalicion (bashkëqeverisje) me partinë shqiptare PDSH.

Në historinë e këtij shteti, kjo parti do të njihet edhe si nxitëse dhe përkrahëse e idesë për ndarjen e një pjese të Maqedonisë, të banuar kryesisht me popullsi shqiptare (rajoni i Pollogut), dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, në shkëmbim të disa territoreve kinse të banuara me popullsi sllave brenda kufijve të shtetit shqiptar. Kjo ide e mbështetur edhe nga një grup akademikësh maqedonas, fatkeqësisht u përkrah edhe nga disa politikanë shqiptarë të asaj kohe (2001), pa mbajtur llogari se kjo ide ka qenë pjesë e elaborateve serbe, por si e tillë mbeti vetëm në sirtarët e qeverisë serbe, në kokat e disa shovinistëve të sotëm sllavë dhe si projekte fitimprurëse të disa mercenarëve shqiptarë.

VMRO, lëvizje politike thellësisht antishqiptare

Në filozofinë politike të kësaj partie historikisht ka dominuar dhuna, terrori, vrasjet, likuidimet me motive politike të kundërshtarëve politikë, kidnapimet, plaçkitja dhe të gjitha format e krimit të organizuar. Kjo lëvizje politike njihet kryesisht si antishqiptare, ndërsa nga shumë institucione të botës është cilësuar si organizatë terroriste.

Si lëvizje politike e ndarë në shumë parti, gjatë viteve të pluralizmit në Maqedoni përherë ka nxitur urrejtje ndaj shqiptarëve, përçarje, ndasi, segregacion, përmes sloganeve të njohura nëpër mitingjet e kësaj partie dhe grafiteve të shkruara në vende publike kudo nëpër vendbanimet e Maqedonisë, sidomos në ato ku jetojnë shqiptarët, me përmbajtje shoviniste dhe raciste, si: ,,Vdekje shqiptarëve!”, ,,Dhoma gazi për shqiptarët!”, ,,Shqiptar i mirë vetëm shqiptari i vdekur!”, ,,Shqiptarët të dëbohen përtej kufirit!” etj.

Kjo parti i ka nxitur të gjitha protestat e qytetarëve joshqiptarë në Maqedoni, kundër arsimit shqip, sidomos kundër Universitetit të Tetovës; kundër zgjidhje së statusit të personave dhe familjeve të përfshira në konfliktin e vitit 2001; kundër përdorimit të flamurit shqiptar, të gjuhës shqipe dhe të gjitha të drejtave qytetare e kombëtare të shqiptarëve, pa përjashtim, gjatë gjithë periudhës nga pavarësimi i Maqedonisë deri në ditët e sotme.

Pa ndërhyrë në të drejtën e zgjedhjes së opsionit politik të popullatës joshqiptare në Maqedoni, është dëshpërues dhe për t’u analizuar fakti se, pse subjektet politike të shqiptarëve në Maqedoni nuk e kanë kundërshtuar asnjëherë hapur këtë frymë politike antishqiptare, por kanë e qeverisur vendin së bashku, disa subjekte edhe kanë shpallur për ,,partner strategjik”, duke u sjellë shqiptarëve dëme të paparashikueshme.

Politikëbërja gjithsesi nënkupton llogaridhënie dhe përgjegjësi historike

Mbetet që në të ardhmen të studiohen të gjitha detajet e këtij bashkëpunimi, me argumente, fakte e dëshmi se, çfarë dobie e çfarë dëmi i ka sjellë ky bashkëpunim lëvizjes politike të shqiptarëve. A ka qenë në dobi të popullit shqiptar, apo vetëm në interes të klaneve të caktuara brenda subjekteve politike të shqiptarëve?

Sidoqoftë, e ardhmja duhet ta dëshmojë se, futja në dara, mes kudhrës e çekanit, e lëvizjes politike të shqiptarëve në Maqedoni, ndërmjet forcave ,,të reformuara” ish komuniste dhe të forcave politike të udhëhequra nga bandat çetnike antishqiptare, a ka qenë domosdoshmëri, lajthitje e udhëheqësve politikë shqiptarë, mungesë përvojës së tyre, papjekuri politike, apo strategji e përgatitur mirë nga shërbimet sekrete sllave, nga vendi dhe jashtë, me ndihmën edhe të disa grupimeve politike të shqiptarëve në dëm të çështjes shqiptare në Maqedoni?!


(1 mars 2017)


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks