SHKRIMI
e mërkurë, 18 tetor 2017

PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: E ARDHMJA E MAQEDONISË DHE SHQIPTARËT

Shkup, 8 mars 2017: (Pjesë nga intervista ekskluzive me kryetarin e Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Shkup, e realizuar nga Portali ,,Dritarja online”, Prishtinë)

Shqiptarët në Maqedoni dita-ditës po zgjohen, vetëdijesohen dhe bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët, për ta marrë fatin në duart e veta dhe rolin që u takon në këtë shtet. Kjo tendencë është vënë në lëvizje sidomos pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të 11 dhjetorit, nga të cilat subjektet politike shqiptare dolën humbëse të mëdha, në aspektin numerik të mandateve të fituara të deputetëve në Parlament (me gjithsej 20 deputetë, që paraqet 16,6% të numrit të përgjithshëm të përfaqësuesve në organin ligjvënës), që realisht nuk e reflekton as për së afërmi përqindjen e popullsisë shqiptare, e cila sipas ekspertëve të kësaj fushe është shumë më e lartë, mbi 35% e numrit të përgjithshëm të popullsisë në Maqedoni. Edhe pse vota e shqiptarëve kësaj radhe u nda në më tepër parti, disa faktorë të tjerë ndikuan që subjektet politike të shqiptarëve të afrohen dhe të bashkohen rreth një projekti, me nënshkrimin e një Deklarate të përbashkët për kushtet që duhej t’i parashtrohen cilësdo forcë politike që do ta fitojë mandatin për formimin e qeverisë së re në Maqedoni. Në këtë Deklaratë, e cila u vlerësua si Platformë e partive politike shqiptare, me përkrahjen edhe të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, ku janë përfshirë një varg kërkesash që duhet të realizohen në të ardhmen, me të cilat do të sigurohej barazia e plotë e shqiptarëve në Maqedoni.



Duan apo nuk duan forcat nacional-shoviniste sllave, shqiptarët përbëjnë shumicë të konsiderueshme të popullsisë së përgjithshme në Maqedoni, mbi 35%, ku maqedonasit marrin pjesë me afër 45%, ndërsa bashkësitë tjera etnike pakicë, me 20%.

Aktualisht, nyja e pazgjidhur e çështjes shqiptare në Maqedoni është moszgjidhja e statusit juridik-kushtetues dhe politik e popullit shqiptar, me çka shqiptarët do të jenë element konstituiv, popull shtetformues në këtë shtet. Kjo nuk paraqet diçka të re në këtë shtet, përkundrazi është një korrigjim i padrejtësisë ndaj shqiptarëve që u bë pas pavarësimit të Maqedonisë, me miratimin e Kushtetutës (1991), por edhe me ndryshimet e saj përmes amendamenteve, në frymën e Marrëveshjes kornizë të Ohrit (2001), e cila shqiptarët i trajton si pakicë kombëtare, edhe përkundër faktit se populli shqiptar ka qenë element konstituiv në ish Republikën Socialiste të Maqedonisë, sipas Kushtetutës së vitit 1974!

Të gjitha ndryshimet tjera formale, kushtetuese e ligjore, mund të jenë vetëm heshtje e problemeve, të cilat në të ardhmen mund të shpërthejnë në forma të tjera më të ashpra, varësisht nga rrethanat e reja që mund të krijohen.

Nga statusi shtetformues i popullit shqiptar në Maqedoni do të përfitonte edhe populli maqedonas, me identitet, histori dhe gjuhë të kontestuar nga fqinjët e saj, sidomos serbët dhe bullgarët, të cilët përherë gjatë historisë Maqedoninë e kanë konsideruar si pjesë integrale të shteteve të tyre, si shtet të tyre të dytë në Ballkan, ndërsa Greqia e mban peng çështjen e emrit të këtij shteti që nga viti 1993 e deri më sot, duke shtruar si argument emrin e shtetit Maqedoni, e cila me copëtimin dhe ndarjen e Maqedonisë, mes Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë, me Marrëveshjen e Bukureshtit (13 gusht 1913), kur kësaj të fundit ia dha pjesa më e madhe e Maqedonisë (pjesa e quajtur Maqedonia e Egjeut), e cila aktualisht e mban këtë emër, dhe është një nga 13 rajonet e Greqisë së sotme, sipas ndarjes territoriale të vitit 20111.

Sa më tepër që të faktorizohen shqiptarët në Maqedoni, aq më e sigurt do të jetë e ardhmja e këtij shteti, me perspektivë evropiane, i integruar në strukturat euroatlantike, NATO dhe BE. Me këtë do të përfitonin edhe vetë maqedonasit, të cilët përkrah shqiptarëve do të mund ta ruajnë identitetin e tyre kombëtar, fetar, kulturor dhe gjuhësor. Jo vetëm nga fakti se shqiptarët janë populli më tolerant dhe paqësor në këtë rajon, por nga fakti se shqiptarët janë i vetmi popull që nuk i takon familjes së popujve sllavë, nuk ka asgjë të përbashkët me identitetin e maqedonasve, me gjuhën, kulturën, traditën dhe historinë e tyre, dhe si të tillë nuk e rrezikojnë qenien e tyre, sot dhe në të ardhmen.

Përfundimisht duhet ta kuptojnë të gjithë, në radhë të parë qytetarët e këtij vendi, shtetet fqinje edhe faktori ndërkombëtar se, Maqedonia duhet të ruhet dhe forcohet si shtet edhe në të ardhmen, për arsye se:

- Maqedonia është shteti i vetëm që siguron baraspeshë të nevojshme mes shteteve të tjera të Ballkanit, të cilat gjatë të kaluarës kanë shfaqur pretendime territoriale ndaj njëri-tjetrit, tendenca për dominim në rajon dhe kanë nxitur konflikte me përmasa të gjera shkatërruese;

- po me këtë qëllim, për herë të parë Maqedonia u krijua si njësi e veçantë (republikë) e ish Federatës Jugosllave, pas Luftës së Dytë Botërore (1944), me ndërhyrjen e Internacionales komuniste, por si entitet politik e jo si shtet nacional;

- Maqedonia e sotme është krijuar në pjesën më të madhe të territorit të saj të sotëm, në trojet etnike shqiptare, në të cilat shqiptarët edhe aktualisht paraqesin popullsi në shumicë të konsiderueshme dhe vitale, që siguron zhvillim ekonomik, stabilitet politik dhe progres të këtij vendi në të ardhmen;

- pavarësisht nga statusi juridik-kushtetues dhe politik aktual, shqiptarët përbëjnë shumicë të konsiderueshme dhe duhet patjetër të jenë element konstituiv, popull shtetformues në Maqedoni, me çka do të garantohet e ardhmja evropiane e këtij shteti;

- Maqedonia bën pjesë në projektin e BE ,,Ballkani Perëndimor” dhe në projektin e NATO-s ,,Karta e Adriatikut” (A5), mekanizmin për stabilitetin e rajonit dhe integrimin euroatlantik (ku bëjnë pjesë Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, në perspektivë edhe Kosova), si dhe në struktura të tjera të integrimeve rajonale dhe globale;

- ky shtet sipas përbërjes etnike nuk mund të jetë shtet nacional i popullit maqedonas, për faktin e pamohueshëm se maqedonasit nuk përbëjnë shumicë, me vetëm 45% të popullsisë së përgjithshme të këtij vendi, ku shqiptarët përbëjnë mbi 35% të kësaj popullsie dhe janë i vetmi popull autokton, ndërsa mbi 29 bashkësi të tjera etnike pakicë përbëjnë afër 20% të popullsisë së këtij vendi;

- edhe pse aktualisht njihet vetëm gjuha maqedonase si gjuhë zyrtare, me njohjen e gjuhës shqipe për gjuhë zyrtare të këtij vendi do të sigurohej hapja më madhe e tij ndaj rajonit dhe botës, duke pasur parasysh se në gjuhën shqipe komunikojnë shumica e popullsisë në rajonin e Ballkanit, mbi 22 milionë qytetarë të botës dhe kjo gjuhë bën pjesë në grupin e gjuhëve kryesore të botës (30) që nuk rrezikohen nga zhdukja e tyre në perspektivë të gjatë, sipas ekspertëve ndërkombëtarë.

- shqiptarët janë i vetmi popull fqinj që nuk i rrezikojnë maqedonasit, me të cilët jeton nga thellësia e shekujve, në paqe, bashkëpunim, harmoni dhe mirëkuptim, pa pasur ndonjëherë konflikte luftarake dhe tendenca sundimi ndaj tij, prandaj edhe paraqesin aleatin më të natyrshëm dhe garancinë e vetme për ruajtjen e identitetit të popullit maqedonas, në këtë shtet dhe në rajonin më të gjerë, të identitetit, kulturë dhe gjuhës së tij, të cilat kërcënohen hapur nga shtetet tjera fqinje.

- shqiptarët besojnë me arsye në të ardhmen evropiane të këtij shteti dhe të rajonit, përbëjnë element të fuqishëm për garantimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare në rajon, prandaj edhe duhet ta marrin rolin që u takon në ndërtimin dhe të ardhmen e Republikës së Maqedonisë.

(Shkup, 5 mars 2017)


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks