SHKRIMI
e shtunë, 18 nëntor 2017

DR.MOIKOM ZEQO: POLITIKA AMBIKUIDE DHE ANATEMA NDAJ FILMIT SHQIPTAR

Tiranë, 19 mars 2017:

1. Është e pamundur të mos flasim për politikën. Politika shqiptare vuan nga sindromi i të papriturave dhe shpesh pakuptimshmërisë absurde.

Të tërë analistët, ose opinionistët mund të flasin për subjektet e shumëfishta të politikës, më tepër me hamendje, larg lëndës së saj, apo kulisave të mjegullta.


Kjo është arsyeja, që përgjithësisht, këto 26 vjet emrat e analistëve dhe opinionistëve, në vend që të shkëlqenin, përkundrazi janë ndryshkur, në vend që të bëheshin më të besueshëm, përkundrazi, janë bërë krejt të pabesueshme.

Ajo çka lexohet në shtyp, apo shfaqet në mediat elektronike është më tepër një botë virtuale, e gjykimeve pa statusin e së vërtetës, të analizave ambikuide dhe të shpëlara.

Kështu që “këta brahmanë të opinionit publik” sipas shprehjes të mikut tim, prof. Fatos Tarifa, nuk arrin as t’i paraprijnë situatave, as t’i shpjegojnë situatat. Kjo buron veç të tjerave nga vetë paqartësia e politikës shqiptare.

Është e habitshme se sa e brishtë dhe sesa e palexueshme është politika shqiptare.

Në 2013 e majta shqiptare i fitoi zgjedhjet me 1 milion vota. Kjo përbën mazhorancën më të madhe nga tërë parlamentet në vendet e Europës. Në vend që kjo mazhorancë, që ndoshta s’do të arrihet më, të përdorej me guxim, në veprimet dhe vendimmarrjet politike të Kuvendit, qëndroi e plogët dhe jo efektive. Kurrë nuk e kam kuptuar pse ka ndodhur një gjë e tillë.

Shikoni se ç’ndodh këto kohët e fundit. Pa asnjë arsye të dukshme, pa as ndonjë sinjal paraprak, papritur Edi Rama i ndërron 4 ministra, ndërkohë që zgjedhjet e përgjithshme parlamentare janë kaq afër, në një hapësirë kohore prej pak muajsh.

Pse u bë ky ndërrim? Në një funksion më të lartë, të fuqizimit të PS-së? Nuk e besoj aspak këtë gjë.

Dy nga ministrat, Saimir Tahiri dhe Ilir Beqaj qenë më të kritikuarit dhe më të sharët nga opozita. Rama bënte, kinse, i mbronte deri në fund këta dy ministra. Dhe befas i zëvendëson duke krijuar dhe një precedent që ministrin e Brendshëm të ardhshëm, Fatmir Xhafaj, i cili ka luajtur rol në reformën në drejtësi, ta bëjë një shënjestër të gatshme, krejt të panevojshme, duke cenuar dhe reputacionin e këtij deputeti.

Dy ministrat e tjerë Klosi dhe Çuçi ishin normalë, gati të pakritikuar nga opozita. Po këta pse u hoqën? S’ka asnjë arsye.

Arsyeja e arsyeve, si do të thoshte Don Kishoti, është se gjoja këta ministra u hoqën për të qenë koordinatorë për zgjedhjet e ardhshme politike.

Po këta koordinatorë janë me kredenciale të cenuara publikisht dhe politikisht. Ata mund të ishin koordinatorë edhe duke qenë ministra. Tani statusi i tyre është akoma më qesharak, ata nuk janë as deputetë, sepse ka qenë kusht që bërja e ministrit do të thoshte që të hiqte dorë nga mandati i deputetit (edhe këtë gjë nuk e kam kuptuar kurrë pse duhet të ndodhi!).

Por ç’do të bëjnë këta koordinatorë?

Pse koordinatorët janë gjithçka për organizmin e zgjedhjeve të përgjithshme politike? Ç’është ky koncept pseudoteorik që gjoja në një parti politike “pakica” mobilizon shumicën? Me një fjalë “motori i vogël” ndez motorët e mëdhenj.

Elektorati i majtë, që është më i madhi dhe më zotëruesi në Shqipëri ka nevojë të përfillet në bazën e tij dhe të jetë ai vetvetja dhe përcaktuesi i deputetëve të ardhshëm. Por ja që nuk është. Atij i vënë “dado” dhe i thonë “detyra jote sublime është që të votosh emrat e listës së kryetarit”.

Ky është mallkimi që vijon prej kaq vitesh mbi politikën shqiptare i ndryshimeve antikushtetuese të vitit 2008.

Prandaj jam shumë i shqetësuar si qytetar, si njeri i letrave duke parë se e majta shqiptare reflekton një çoroditje midis deklaratave pompoze dhe pasigurisë së veprimit, midis fantazmagorisë dhe realitetit. Heqja e ministrave të PS-së me të drejtë trumbetohet si fitore e opozitës. Kjo e ka stimuluar opozitën. E ka bërë më të motivuar. Nuk e kam menduar që mund të vinte një rezultat i tillë, që e theksoj, për mua është krejt virtual. Opozita kërkon qeveri teknike.

Unë nuk jam profet dhe as dëshiroj të jem profet. Por unë mund të bëj pyetje logjike dhe racionale. Po nëse Rama zbythet, tërhiqet dhe në një moment dobësie politike të pranojë edhe qeverinë teknike? Ç’do të ndodhë atëherë? Ky parashikim në konditat e rënduara mund të ketë shumë ithtarë. Natyrisht që një qeveri teknike do ta komplikojë më shumë situatën politike.



Një qeveri teknike do krijojë pasiguri.

Qofsha i gabuar, por ndoshta mund të ndodhë çdo gjë për shkak, të paparashikueshmërisë time vetjake.

Gjithsesi e gjithë kjo katrahurë ndryshimesh të papritura, gjithë këto shpërbërje, mbështeten tek domosdoshmëria e një ndryshimi të ardhshëm radikal.

E kam thënë shumë herë, se dhe unë e mbështes këtë ndryshim radikal.

Nuk është fjala thjesht për “një Republikë të Re” siç qe fjala vjen në Francë projekti i De Golit për “Republikën e V”. Por që të ndodhë ky ndryshim i gjithanshëm, i tërësishëm, duhet që tërë klasa politike e sotme shqiptare të anulohet.

Duhet kuptuar se establishmenti politik dhe politikanët shqiptarë këto 26 vjet kanë dështuar. Kjo ka ndodhur dhe në vende të tjera. Ka ndodhur në Itali, në Greqi, në Spanjë. Por mesa duket do të ndodhë edhe në Shqipëri.

Por kjo hamendje e bën politikën shqiptare akoma më të mistershme dhe që kërkon mendje të mëdha vizionare.

Kërkon politikanë të rinj, trima, të ditur dhe qëndrestarë.

2. Sapo kam dalë nga spitali i dashur Besim, ku mbarova ciklin e gjashtë të kimio terapisë. Mjekimet e mia ende vazhdojnë.

Gjatë ditëve në spital, kam ndjekur debatin e bujshëm, e stërkalshëm, butaforik, për çështjen e filmave shqiptarë të Kinostudios “Shqipëria e Re” që sipas idesë së Agron Tufës, apo dhe të ndonjë tjetri, duhen ndaluar me ligj.

Të mos transmetohen më.

Pra të bëhet ndalimi përfundimisht në formë juridike i tërë kësaj pasurie të madhe të artit filmor të Shqipërisë.

Është hera e parë që bëhet një propozim i tillë delirant, me një negativizëm absolut dhe arkaik. Me një fjalë, tërë filmat shqiptarë të zhbëhen, të pluhurizohen, të kthehen në një Harresë dhe në një Amnezi absolute. Si ka mundësi në Demokraci të gjallojë një ide e tillë e pakuptimtë?

Demokracia bazohet mbi pluralizmin e ideve. Nuk ka përjashtime të ideve. Demokracia që përjashton idetë, qoftë dhe të kundërta, nuk është demokraci.

Mrekullia e Kushtetutës Amerikane është pikërisht Amendamenti i Parë, ku thuhet se nuk mund të persekutohet asnjeri për idetë dhe bindjet e tij politike dhe fetare. Mesa di unë është ky Amendament i Parë që përbën lirinë e patjetërsueshme dhe rinovimin e përhershëm dhe universal të Amerikës.

Kinematografia shqiptare është një shpikje e vonë e shek.XX.

Shqiptarët janë të fundit që e krijuan “artin e shtatë”. Më 1953, 8 vjet mbas Çlirimit të vendit, u ndërtua Kinostudio “Shqipëria e Re”, me atelietë më të mëdha se çdo vend tjetër evropian. Filmi “Skënderbeu” me një subjekt të mirëfilltë dhe të jashtëzakonshëm shqiptar, që ka fituar dhe çmime ndërkombëtare, ka ndikuar në krijimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve si asnjë film tjetër. Për dijetarët e kinemasë, studiuesit profesionistë të filmit duhet thënë se filmi shqiptar përbën një substancë autentikë.

Kinematografia shqiptare e krijuar nga regjisorë dhe aktorë shumë të talentuar, nga kompozitorë të muzikës së filmit tepër të njohur, përbën një nga thesaret e artit shqiptar tashmë në shekuj. Kjo kinematografi sipas disa studiuesve të huaj që kam mundur të lexoj, por që për momentin nuk po i citoj referencat e tyre, është kinematografi origjinale e krijuar si nj sintezë midis traditës së filmit të neorealizmit italian dhe traditës së filmit modern rus, të forcës popullore, të ndryshimeve progresive, revolucionare, siç i konceptonte regjisori gjenial Ezenshtejni.

Filmat shqiptarë kanë botën e tyre të artikuluar, kjo është bota shqiptare. Kinematografia jonë ndryshon, fjala vjen nga kinematografia jugosllave, bullgare, rumune, apo dhe hungareze dhe polake. Filmat shqiptarë janë mbështetur në temat historike dhe për shkak të popullaritetit të tyre të merituar të japin ndjesinë e një kinoditari real, si fjala vjen filmi “Nëntori i dytë”. Ajo që të bën përshtypje të veçantë është se mjedisi, garderoba etnografike, struktura arkitektonike popullore të fshatit dhe të qyteteve shqiptare, të veshjeve të personazheve të krijojnë idenë të një bote gjithashtu dokumentare, të papërsëritshme më, por që sot nuk ekziston.

Të gjithë filmat bazohen mbi dashurinë e pakufishme për atdheun. Asnjë film nuk bazohet mbi urrejtjen ndaj atdheut. Kjo është një pikë gravitacionale. E pashembullt.

Filmi shqiptar është organizuar nga regjisorë të përmasave të mëdha. I tillë është miku im, regjisori Dhimitër Anagnosti. Por edhe të tjerë nuk janë më pak. Për një rastësi historike apo për nje domosdoshëmri historike mund të them se në këto filma luajtën artistë të mëdhenj, që sot kanë vdekur. Imagjinoni! Duke i ndaluar filmat e tyre ne i vdesim për herë të dytë këta aktorë.

Asnjëherë muzika moderne shqiptare dhe profesioniste nuk ka pasur kaq shumë sukses sa muzika e filmave tanë. Në koleksionin e këtyre filmave ka pa dyshim, edhe filma të dobët, edhe stereotipe ideologjike, të cilat nuk mund ta dëmtojnë dhe ta prekin një shoqëri demokratike.

Urrejtja ndaj filmit shqiptar, si të gjitha urrejtjet e verbëta, është irracionale dhe e pashpresë. Kryqëzata për të ndaluar filmin shqiptar është e pakuptimtë sepse diçka e tillë paralele mund të bëhej dhe kundër shkrimtarëve të realizmit socialist, kundër koreografëve, kundër këngëtarëve, kundër piktorëve dhe skulptorëve. Pyes: a nuk ekziston në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozita e pikturës së realizmit socialist? Pse nuk ngrihet dikush dhe të thotë “t’i djegim të tërë këto piktura”? Nëse duam t’i ndalojmë filmat, pse mos të ndalojmë dhe pikturat dhe këngët, dhe vallet, dhe librat e shkrimtarëve të shquar të realizmit socialist?

Kam në shtëpinë time një vëllim të plotë në anglisht të poemave të Vladimir Majakovskit botuar në vitin 2012 në Amerikë.

Majakovski është poeti i revolucionit. Kur e mora librin në dorë mendova se shumë poema të tij revolucionare, për shkak të ndryshimit të epokave duhet të ishin hequr.

Por u habita kur pashë se në këtë përmbledhje ishte dhe poema e Majakovskit për Leninin. Dhe për lexuesin e kulturuar dhe normal kjo është diçka e vetëkuptushme. Por pikërisht shqiptarët shpesh nuk e di pse nuk tregohen të kulturuar dhe normal në disa aspekte.

Në shek.XVII poeti i madh anglez John Milton (1608-1674) autori i kryeveprës “Parajsa e Humbur” qe përkrahës u revolucionarit republikan Oliver Kromuellit.

Kur ra regjimi i Kromuellit dhe u instalua regjimi mbretëror i Stjuartëve John Milton qe vënë në listën e atyre që duheshin dënuar me vdekje, por Mbreti Stjuart i kohës, kur i sollën listën ogurzezë, ku ishte dhe emri i Miltonit tha në mëdyshje: “Se ç’ka kjo dora ime e djathtë që nuk do të firmosë!”

Kështu Miltoni nuk u dënua.

Kur u bë fushata për ndalimin e librave me pikëpamje të lira dhe krijimi i një censure mbretërore pikërisht ky Milton shkroi kryeveprën e tij të dytë, librin polemist nga më të rëndësishmit e botës, të quajtur “Areopagitica”.

Këtë libër dua ta lexojnë trundryshkurit dhe delirantët ,që kërkojnë të ndalojnë me ligj filmat shqiptarë. Emancipimi i shoqërisë bëhet në raport edhe me shijet estetike.

Emancipimi i shijeve estetike bëhet vetvetiu, pa dhunë dhe pa kallur në mendim “një xhandarmëri të mendjes” siç thoshte i paharruari Faik Konica.

3. Shqipëria është një vend që kërkon Shpresë.

E theksoj: Shpresa është konceptualitet. Nuk është një gjendje e thjeshtë humori. Shpresa është kauzë. Në udhëkryqet e këtyre 26 viteve më shumë sesa dështimet në ekonomi dhe në politikë, Shqipëria ka dështuar në kërkimin e shpresës.

Çfarë nuk kemi thënë për Shqipërinë. Kemi thënë se është një vend që nuk bëhet, gati një vend i mallkuar, një vend që nuk krijon dot shtet etj. Unë e kuptoj që në detaje të ndryshme ka elementë të së vërtetës.

Unë e kuptoj që Shpresa është një subjekt i shumicës. Pakica s’ka nevojë për Shpresë. Pakica ka nevojë vetëm për pushtet dhe fitime.

Por jam i bindur, ndaj u them shqiptarëve të mi, se brenda njerëzve të thjeshtë dhe popullit sythet dhe bërthamat e Shpresës janë, se Shpresa në fund të fundit është një kuptueshmëri. Se Shpresa është një vetëdije.

Ka ardhur koha që Shqipëria të kalojë Rubikonin e historisë. E ritheksoj siç e kam ritheksuar shumë herë se Shpresa simbolizohet dhe me funksionimin e Vettingut.

Vettingu nuk është një fjalë magjike. Vettingu nuk është shkopi magjik.

Por Vettingu është mundësia dhe instrumenti për të ndryshuar klasën e pandërgjegjshme politike, që parapolitikanët tanë t’i bëjmë politikanë të vërtetë, që populli të ketë përfaqësuesit e tij adekuatë dhe autentikë.



Në këtë aspekt ka rëndësi të madhe stimulimi i Shqipërisë shkencore dhe kulturore.

Nuk ka vetëm lajme politike në këtë botë, por ka dhe lajme kulturore të rëndësishme.

Lexoj në internet se miku im shkrimtari shumë i njohur francez Pascal Quignard sapo ka fituar çmimin e lartë letrar Andre Gide. Dhe u gëzova.

Por njëkohësisht u trishtova se këto ditë vdiq poeti, fituesi i çmimit Nobel Derek Walcott në moshën 87 vjeçare.

Është një poet i madh, social, me një metaforikë të jashtëzakonshme dhe për shumë kohë ka qenë poeti im më i preferuar.

Ai kishte miqësi me mikun tim,perkhyesit, Pirro Dollani, në SHBA dhe nëpërmjet Pirros i kam dërguar përshëndetjet e mia këtij poeti madhor të kohërave moderne.

Por ky poet që njihet në të gjithë botën nuk njihet në Shqipëri.

Kjo është një mangësi kulturore dhe artistike për ne shqiptarët.

Duke dashur për të gjallëruar mjedisin shkencor dhe kulturor të vendit, Akademia Shqiptare e Shkencave dhe e Arteve – që është një institucion alternativ i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë organizoi një panel kumtesash në qytetin e Gjirokastrës ku morën pjesë akademikët Isuf Kalo, Mariglen Spiru, Ksenofon Krisafi, Fatos Tarifa, Emil Lafe dhe Moikom Zeqo.

Interesi i gjirokastriteve qe shumë i madh. Unë fola për vlerat e patjetërsueshme të Gjirokastrës, kësaj ikone të trashëgimisë kulturore kombëtare dhe për mbrojtjen e këtyre vlerave ndaj çdo lloj projekti halucinant dhe anti shkencor.

Por në programin e saj Akademia Shqiptare e Shkencave dhe Arteve do të ushtrojë veprimtari edhe në qytete Korçë, Shkodër, Tiranë dhe Durrës.

Sinqerisht më ka habitur interesimi dhe pjesëmarrja e njerëzve në kumtimet tona shkencore.

Edhe kjo gjë përbën një motiv të Shpresës.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks