SHKRIMI
e enjte, 27 prill 2017

FAHRI DAHRI: JOSHEMI ME DEMOKRACINË, GËLLTISIM DEMAGOGJINË!

Itali, 28 mars 2017: Kjo trajtesë me aspekte filozofike dhe përvoja historike në organizimet shtetërore politike, merr shtysë nga aktualiteti i padëshirueshëm i zhvillimeve politike, ekonomike dhe juridike që i janë diktuar shoqërisë shqiptare, gjatë periudhës së kalimit të marëdhineve në prodhim nga sistemi shtetëror socialist në sistemin shtetëror demokratik.

Shoqëria shqiptare, me trashëgimi konceptesh jetësore perëndimore, e ndodhur gjeografikisht në kufijt ndarës mes lindjes dhe perëndimit, është përballur me invazione të huaja: romake, bizantine, otomane dhe në gjysmë shekullin e kaluar nën edukimin moral, politik, ekonomik dhe shoqëror të bolshevizmit, ka përballuar trysni dhe kriza të shumta e të shumllojta, por asnjëherë nuk e humbi identitetin e saj të qytetarit europian. Brenda vetvetes shoqëria shqiptare ruajti traditat më të vyera të trashëguara që nga lashtësia dhe asnjiherë nuk u mposht nga ndikimet e huaja.

Erdhi viti 1990 me shndërrimet e mëdha në sistemet shtetërore, dhe shoqëria shqiptare e përqafoi pa hezitim ndryshimin, duke treguar se nuk i është zhdukur identiteti gjenetik, u hodh në krahun e sistemit shtetëror demokratik. Por faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, edukimi i kultivuar tek disa gjatë sistemit socialist, ndikuan në uzurpimin e pushtetit dhe vështirësuan kalimin e shpejtë të shndërrimit. Si pasojë ka 26 vjet që kjo shoqëri dergjet në periudhën e tranzicionit famkeq, duke u mbajtur qëllimisht larg ligjeve dhe parimeve demokratike. Në këtë këndvështrim, si intelektual dhe në përgjgje të thirrjeve për vendosjen e shtetit të së drejtës, shtjellohet ky shkrim përmbledhës.

I.- Lindja e idealit demokratik

Ideali demokratik, thuhet se e ka origjinën në Greqinë e lashtë të epokës klasike (shek. V dhe IV pk), në periudhën e reformave të Solonit, Pisistratit dhe Klistenit, që bënë të mundur përparimin dhe ngritjen e sistemit demokratik, sistem që u përfundua nga Perikliu. Në ato kohëra u formuluan kriteret e demokracisë politike të drejtpërdrejtë, ku qytetarët i merrnin vetë vendimet lidhur me njësitë administrative përkatëse. Sigurisht për kohën ajo formë e demokracisë ishte një kthesë e madhe për shoqërinë, megjithëse ishte e kufizuar, femrat, skllevërit dhe banorët e huaj të Athinës, nuk konsideroheshin si qytetarë dhe si të tillë nuk kishin të drejta për të vendosur edhe zgjedhjet, parim themelor i demokracisë zinin një rol dytësor (preferohej shorti - tërheqja-shansi), ishte arritur barazia në përcaktimin e magjistratëve .



Eklezia (shoqëri e thirrur ose asamble e cila i drejtohet shoqërisë nga një bashkësi e caktuar), merrte vendime për gjithçka. Ajo ndihmohej në detyrën e saj nga këshilli (senati), ku diskutoheshin çështjet e ngritura nga asambleja dhe jepeshin mendime paraprake. Funksionet e magjistratit ishin kolegjiale dhe vjetore, mbikqyreshin ngushtësisht nga populli. Magjistratët kryesorë të qytetit mbanin pushtetin ekzekutiv. Demokracia ndikonte edhe në zbutjen e pabarazisë ekonomike dhe shoqërore me praktikën e liturgjive (kryerje punë publike ose veprime shërbese), detyrime që shteti u ngarkonte qytetarëve më të pasur, për të mbështetur më të varfrit, si dhe duke siguruar punë për të gjithë.

Para se të njihemi edhe me “Asambletë e para përfaqësuese në Mesjetë”, mendoj se duhet të ndalemi tek origjina e idealit të demokracisë. Më lart u citua se origjina e saj vjen nga Greqia e lashtë, që nga epoka klasike. Pikërisht për të realizuar sqarimet lidhur me keqkuptimet mes nocionit përgjithësues dhe të veçantë të përcaktimeve me emrin Greqi, duhet të bëhet dallimi mes hapësirave të Greqisë së lashtë dhe hapësirës që shtrihet shteti i Greqisë së sotme.

● Greqia e Lashtë është përcaktuar me qytetërimin që i përket periudhes së historisë greke, që zgjati nga Periudha Arkaike (shekullit të VIII deri në shek.VI p. K.) dhe përfundoi në vitin 146 p.K. Historia na njeh me hapësirat territoriale të Greqisë së lashtë, e cila shtrihej nga Azia e vogël, Afrika veriore, Italia e jugut e deri në brigjet e Spanjës. Në hapësirën e Greqisë së lashtë, kuptohet bënin pjesë etni të ndryshme me dialekte të veçanta, ishte një territor i përbërë nga shumë rajone, ku çdo rajon kishte të folurën e tij. Sa sipër, arrihet në përfundimin se Greqia e lashtë, jetëgjatësinë dhe shtrirjen e saj territoriale e mbylli në vitin 167 para erës sonë. Ndërsa shteti i sotëm Grek e ka fillesën në vitin 1830, si i tillë nuk është aspak vazhdimsi e Greqisë së lashtë, apo helenizmit, të zhdukura afro 2.200 vjetësh (146 p.e.s.- 2017 e.s.) nga historia e shoqërisë njerëzore. Kombësia e shtetit të sotëm Grek, është ndërtuar mbi bazën e besimit ortodoks dhe gjuhës kishtare ortookse; ndërsa Greqia e lashtë, ishte e përbërë nga shumë rajone, banorë të etnive të ndryshme, me gjuhë, zakone, kultura të ndryshme, po ashtu Greqia e lashtë nuk bazohej tek besimi ortodoks .

Në këto ekzistenca shumë të hershme, të hershme dhe të sotme, nuk ka baza argumentuese, llogjike dhe të drejta që dikush nga ato ish rajone, kur dikur bënin të përbashkëtën, të bëhet trashëgimtarë, apo të deklarohen pasardhës të drejtë për drejtë të dijeve, kulturës, traditave, qytetërimit, të cilat shfaqin vazhdimësinë e ekzistencës në çdo territor të atyre rajoneve, por sot janë me emra të përveçëm dhe quhen shtete. Dijet, klultura, përparimet, zhvillimet, i gjithë qytetërimi i lashtë, nuk kanë qenë të izoluara, apo produkt i një fisi, rajoni apo rrace, por ato kanë qenë dhe mbeten qytetërim ndërkombëtar (me të shprehurit e sotëm).

Në qytetërimin e Greqisë së lashtë, organizimi politik me idealet e demokracisë, nuk ishin të vetmet që përdoreshin në Athinë, parime demokratike, bile më të plota, i ndeshim edhe në organizimin politik shtetëror të Epirit, të cilat i gjejmë të aplikuara si më poshtë.

● Për vërtetësinë e mos izolimit rajonal të qytetërimit të lashtë, ka shumë argumente dhe të dhëna historike, por le të ndalemi në Epir me Dodonën thesprote. Fillimisht një faltore e vogël, e ndërtuar në shek. IV p.K. për nder të Zeusit (Zeusi i Dodonës, njihej si Zeusi Pellazg, një hyjni që parashikonte fatin), ndërsa në shek. 3 p.K. mbreti i Epirit, Pirro bëri ndërtime të mëdha në Dodonë, ku një herë në katër vjet organizoheshin lojra, rrethoi me mur orakullin dhe drurin e shenjtë (“Lisin”), gjithashtu ndërtoi një faltore për Herakliun dhe një tjetër pë Dionën, për herë të parë atje u ndërtua një theatër. Në atë kohë Dodona, krahas të qënurit qendër fetare bëhet edhe qendër e rëndësishme politike e Epirit.

Delphi, vend i rëndësishëm arkeologjik, një qytet historik i Greqisë së lashtë (në juglindje të Agrinios), vend i shenjtë më i rëndësishëm në nderim të perëndisë së Apollonit së bashku me Didyma (Didyma ishte një qytet i Greqisë së lashtë në rajonin Ionia, pranë qytetit modern turk Didim). Delfi lidhet me delfinët. legjenda rrëfen se Apollo sëparë erdhi në Delfi në formën e delfinit, që mbante në shpinë priftërinjtë e Kretës. Sipas Homerit, orakulli është Pytho. Një legjendë tjetër shprehet se Apollo duke ecur nga veriu në Delfi, u ndal në Tempe (sot Tempes), qytet në Thesali, për të marrë “Laurel” (e njohur si pemë) të cilën ai e konsideronte “bimë të shenjtë”.

Këto ishin dy qendra të shenjta dhe të rëndësishme në hapësirën panhelenike, pra “ndërrajonale” të lashtësisë, gjithashtu vërtetohet se në emërin e përgjthshëm të “Greqisë së lashtë”, siç u tha përfshinte rajone të shumta, që sot quhen shtete. Shkurtimisht le të njihemi me organizimin administrativ të tre fiseve kryesore epirote, fise jogreke edhe me organizimet politike federative, kanë ruajtur të drejta të barabarta për secilin pjesëmarrës në federatë.

● Në gjysmën e dytë të shek. IV p.K. ndryshime të rëndësishme ndodhën edhe në organizimin shtetëror të Epirit. Lidhja e Mollosëve u shndërrua në formën shtetërore të karakterit federativ, ashtu siç ishte edhe më përpara, por me emërtim të ri kushtetues: “Aleancë e Epirotëve”. Shtet i epirotëve (po e quajmë kështu atë aleancë), u formua nga bashkimi i shtetit të mollosëve me aleatët (symahoi), me Kasopenë dhe Elean fqinje, si edhe me shtetin e thesprotëve. “Aleanca Epirote” mendohet të jetë vendosur në kohën e Aleksandrit, ose pas vdekjes së tij, kur Kleopatra, e shoqja trashëgoi “mbretërinë”. Federata epirote nga pikëpamja e formës së qeverisjes, përfaqësonte një shtet federativ me bazë monarkinë dhe me të drejta të barabarta të të gjithë pjesëmarrësve në federatë.

Në kuadrin e federatës, çdo bashkësi etnike e madhe apo e vogël, kishte organizimin e brendshëm të saj, Kuvendin e popullit dhe prostatin e tij. Bashkësitë, në qeverisjen e shtetit epirot, merrnin pjesë nëpërmjet kolegjit, përfaqësuesve të tyre (damiorgë), që zgjidheshin nga çdo komunitet i veçantë etnik. Në krye të shtetit qëndronte mbreti, i cili zgjidhej nga familja mbretërore e mollosëve të dinastisë tradicionale të Eakidëve, por quhej mbret i shtetit Epirot. Ashtu si dhe më përpara, pushteti i tij vazhdoi të ishte i kufizuar nga prostati, i cili megjithëse ruante titullin Mbret “i mollosëve”, ushtronte autoritetin e tij mbi të gjithë territorin e shtetit Epirot. Mbreti ishte i detyruar të ruante ligjet, të organizonte mbledhjet e asamblesë të nënshtetasve epirotë dhe t’i drejtonte ato.

Eklezia e mollosëve, ia lëshoi vendin asamblesë së re, më të gjerë, ku merrte pjesë e gjithë popullsia e shtetit Epirot. Kjo asamble kishte funksione legjislative, miratonte edhe dekretet shtetërore dhe quhej Symahia e epirotëve. Mbas një shekulli u zëvendësua nga “Lidhja Republikane Epirote”. Vdekja e Aleksandrit mollos, çoi në prishjen e marrëdhënieve midis shtetit të Epirit dhe të Maqedonisë. Në krye të luftës kundër Maqedonisë u vendos Olimbia (bijë mollose), e cila u kthye në vendlindje për t’iu kundërvënë Antipatresit të Aleksandrit maqedon, që ishte në opozitë. Me ardhjen në Epir, Olimbia filloi të sundojë shtetin epirot si mbikqyrse, ndihmëse e nipit të mitur Neoptolemit II, sëbashku me Ajakidin të birin e Arrybës. Olimbia u detyrua tja lëshointe pushtetin Kasandrit, i biri i Antipatrit, dhe më pas u vra.

Gjendja në Epir nuk ndryshoi edhe kur në krye të shtetit Epirot u vendos Alketa II, i biri i Ajakidit, i cili ndryshoi politikë dhe bëri aleancë me Maqedoninë, veprim që krijoi një opozitë të fortë në Epir, kundër së cilës ai luftoi me ashpërsi, por pa rezultat. Në vitin 307 p.e.s. gjendja filloi të ndryshonte. Glaukia ndërhyri me forcë në punët e brendshme të Epirit, vendosi në fronin mbretëror Pirron 12-vjeçar dhe ndikimin e tij që zgjati 5 vjet, pasi Kasandri organizoi shfronësimin e Pirros dhe vendosi në fron Neoptolemin II. Pirroja u largua për disa vite në Egjypt. Atje mësoi shumë nga jeta shoqërore, nga arti luftarak, u dallua për shkathtësi, guxim dhe trimëri të rrallë në disa nga betejat e zhvilluara. Vdekja e Kasandrit të Maqedonisë në vitin 297 dhe zemërimi i popullsisë epirote ndaj Neoptolemit II, bëri të mundur që Pirro, i përkrahur nga Ptolemeu (i cili shpresonte ta kishte Pirron mbështetje për planet e tij në Greqi) të rikthehej në Epir në fronin e Mbretërisë Epirote.

Me këtë trajtesë të shkurtër historike, lidhur me organizimet politike të periudhave të lashtësisë, u njohëm me disa parime demokratike që funksiononin në disa shtete të Ballkanit jugor, të cilat nuk i plotësonin të gjitha kriteret, siç i pëcaktojmë sot, kritere të cilat përmirësoheshin në vazhdimësi, prandaj do ndalemi disi edhe në organizimet politike të Europës mesjetare.

Nga të dhënat historike, rezulton se në Europën mesjetare nuk ekzistonte ndonjë shtet demokratik, por ishin disa qytete, (komuna) në Flandër (Belgjikë) dhe Itali, të cilat kishin përvoja të përafërta me demokracinë. Në nivel kombëtar, ekzistonin asambletë përfaqësuese, të zgjedhura nga populli dhe të mbledhura nga dëshira e mirë e mbretit, si Parlamenti në Angli, Kortesi (kuvendi) në Spanjë, Shtresat e Përgjithshme në Francë. Në të vërtetë vetëm asambletë angleze zotëronin pushtet të vërtetë, që nga firmosja e “Magna Carta, 1215, Angli” (Kartës së Madhe në 1215), ku përcaktohej se për taksat, duhet të jepej miratim nga Parlamenti.

● Kaluan mijëvjeçarë dhe shekuj, ndër të cilët përvojat dhe vetë jeta në bashkësi shoqërore, ndikuan pak e nga pak në përmbushjen dhe plotësimin e kritereve, parimeve të demokracisë në organizimet politike, derisa u arrit në “Lindjen e demokracive moderne”

Ideali demokratik modern shfaqet në fillim të shekullit XVIII, i cili bazohet në vlerësimin e individit dhe barazinë gjyqësore, duke krijuar një konceptim të ri mbi të drejtat e njeriut. Konceptim ku njeriu i lirë dhe i pajisur me vullnetin e tij, nuk është më i nënshtruar nga forcat hyjnore.

Liria tek njeriu, përkufizohet si një dhunti e vetvetishme (spontane) e qenies njerëzore dhe realizohet plotësisht nëpërmjet njohjes së të drejtave natyrore, të patjetërsueshme, të shenjta. Ky konceptim e trondit shoqërinë e urdhërave dhe privilegjeve të Regjimit të Vjetër dhe pranohet solemnisht në Francën e Revolucionit, ku Deklarata mbi të drejtat e njeriut dhe qytetarit e vitit 1789 deklaroi se: “Njerëzit lindin dhe qëndrojnë të lirë dhe të barabartë si e drejtë ”. Ndërsa në Paris, më 10/12/ 1948, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, u miratua “Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut” (DUDNj), por edhe kësaj deklarate, gjatë viteve i janë bërë përpunime me traktate ndërkombëtare, lëvizje apo kalime ekonomike, instrumente rajonale të të drejtave të njeriut. Karta Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut përbëhet nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale e Kulturore, Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, me dy Protokolle fakultative, jo të detyrueshme, të cilat shtjellojnë më tej të drejtat e njeriut, u miratuan nga Asambleja e Përgjithshme e OKB në vitin 1966. Në vitin 1976, pasi Konventat ishin ratifikuar nga mjaft shtete anëtare dhe me plotësim e kuorumit, ato hynë në fuqi. “Karta Ndërkombtëare e të Drejtave të Njeriut,” mori fuqi në Ligjin Ndërkombëtar.

Në nenin 18 të “Deklaratës Universale pёr të Drejtat e Njeriut”, sanksionohet se secili ka të drejtën e lirisë së mendimit, tё ndërgjegjes dhe tё fesё; ku përfshihet liria e ndёrrimit të fesё, tё bindjeve dhe lirinë që njeriu (qoftë vetë ose në bashkësi me të tjerët), të shfaqë publikisht ose privatisht fenё apo bindjen e vet, nёpёrmjet arsimit, praktikёs, kryerjes së kultit dhe riteve fetare. Nenin 19, siguron të drejtën e lirisë së mendimit e të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, lirinë e kërkimit marrjen dhe pёrhapjen e informacionit, ideve, me çfarëdo mjetesh, pa marrë parasysh kufijtë. Neni 15 ”Askush nuk duhet të privohet arbitrarisht nga shtetësia e tij, as nga e drejta për të ndërruar shtetësinë”.

Deklarata vërtet saktëson detyrimin e shteteve për respektimin e ndërrimeve të besimit fetar, të drejtën e lëvizjes dhe shtetësisë, por kaq e vërtetë është se disa shtete Ballkanike ( të theksuara shteti Grek dhe ai Serb), në praktikë jo vetëm që nuk e zbatojnë, por besimin fetar e kanë prioritet për eskpansionizëm, nxitje konfliktesh deri në kryerje gjenocidi ndaj pakicave me etni dhe besim fetar ndryshe, duke goditur rëndë demokracinë.

Bazat e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe aktet më të rëndësishme të cituara më lart, janë sanksionuar edhe mbas Luftës së Dytë Botërore me miratim aktesh të tjera të rëndësishme për garantimin e tyre. Realizimi dhe zbatimi në praktikë i konventave, akteve të tjera ligjore në mbrojnë të drejtave themelore të njeriut, gjejnë zgjidhje nëse organizimet shtetërore zbatojnë parimet e demokracisë; ndryshe ato vështirësohen edhe nëse ndiqen rryma të tjera filozofike, apo mos aplikimi i drejtë i konceptit filozofik që i përshtatet zhvillimit ekonomiko-shoqëror, veprime të cilat janë vërtetuart tek ne.

II.- Disa koncepte filozofike dhe pozicionet e partive tona politike

Demokracia është formë qeverisje ku shumica e njerëzve ushtrojnë sovranitetin e tyre ose drejtëpërdrejtë, nëpërmjet referendumeve, ose indirekt, nëpërmjet zgjedhjes së përfaqësuesve. Mbas luftës së Dytë Botërore, teoritë për demokracitë qeverisëse shtetërore janë të shumta dhe me dallime mes tyre. Njihen disa sisteme politike qeverisëse, ndër ta veçohet sistemi shtetërore demokratik. Ka disa rende shtetërore si rende liberale, rende shtetërore një partiake, siç ka dhe rende shtetërore të quajtura demokratike por nuk lidhen aspak me kuptimin e fjalës demokraci.

Nisur nga aktet themelore të miratuara ndërkombëtarisht, kërkohet që shtetet e regjimeve demokratike, në Kushtetutat e tyre, duhet të garantojnë, liritë themelore të njeriut; organizimin e zgjedhjeve të lira e të rregullta dhe shumë partiake; ndarjen e pushteteve legjislative me ato ekzekutive; të drejtën universale të votës; mënyrat, praktikat që ndiqen për ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë; sigurinë që ligjet të gjejnë përputhje me kushtetutën dhe zbatueshmtrinë. Vendosja e së drejtës universale e “votës”, si një akt madhor është arritje e madhe e demokracisë. Kjo e drejtë, fillimet e saj i kishte shumë të kufizuara, për një kohë të gjatë, e drejta e votës i ishte rezervuar gjithmonë një pakice; përjashtonte nga zgjedhësit në popullatë ata që nuk kishin të ardhura të mjaftueshme etj.

E drejta e votës tek ne është shpërfillur, ajo është masakruar moralisht, materialisht dhe politikisht. Vota është shkëmbyer me para, pasuri, padrejtësi dhe deri edhe në krim. Mos respektimi i së drejtës së votës, ka shkatërruar edhe pozicionet e përfaqësueseve të dalë nga manipulimi i votave, të cilët vallëzojnë me kapërcime të elektoratit sa anash, lart, poshtë, kryq e tërthor. Goditje, “ataku” synimeve të “demokracisë.”

Ngjarjet e mëdha që ndodhen në vendet e Europës lindore në vitin 1989 e mbas, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, i dhanë fund përballjejes mes pushteteve një partiake dhe demokracisë liberale në favor të kësaj të fundit. U arrit që pluralizmi liberal të fitoi epërsinë si sistem demokratik, megjithatë, pavarësisht nga vlerat ku ky sistem është vendosur, në praktike ka shumë regjime që ushtrojnë pushtetin autoriar. Krahas pranimit dhe përshtatjes të së “drejtës së votës” nga të gjitha shtetet e regjimeve liberale, u ngritën edhe organizata të mëdha politike, si partitë politike dhe sindikatat, duke pranuar liritë kolektive, si: liria e protestës, antarësimet në sindikata, shoqatat civile etj. Kalimi në këto koncepte, duke mënjanuar konceptimin klasik të rolit të individit në fushën politike, sollën (prunë) ndryshime të mëdha në politikë, duke përmbysur rregullat ekzistuese. Partitë politike, të majta, të djathta, të qendrës majtas apo djathtas, tashmë filluan të rrjeshtohen në gara për të marrë pushtetin. Hyrja në gara në një mënyrë ose tjetrën, lehtëson dhe mxit mashtrimet, shpifjet, kamuflimet, të cilat me ndikimin nga “nxehja e gjakrave garuese”, shpien edhe në konflikte antagoniste, siç ndodhi tek ne në vitet 1996-1997. Me lindjen e rivalitetit mes grupeve të mëdha shoqërore edhe asambletë legjislative u grupuan sipas forcave politike. Në këto kushte, për të siguruar shumicën parlamentare dhe marrjen e pushtetit, lindi struktura politike:“Koalicionet parlamentare”.

Demokracitë liberale, si shumëfishim i organizatave politike, sociale dhe ekonomike. kanë formuar grupe interesi që vendosen në mes të individit dhe pushtetit, kjo ka siguruar rritjen e rolit të shtetit, misionin e kufjtë e vet. Përballë këtij zhvillimi, mendimtarë të fushës ekonomike dhe politologë, mendojnë edhe për një rikthim të decentralizimit (liberalizmit), duke studiuar mundësitë në “zvogëlimin e shtetit”, kjo edhe për arësye të disa dukurive se pluralizmi i opinioneve të ndryshme, në kushte të caktuara, shpie në dobësimin e pushtetit.

Nuk do ndalemi për të treguar rrugën që ka ecur dhe ecet në vendin tonë, lidhur me zbatimet e parimeve demokratike, sepse me vëmëndje të përqëndruar, kushdo shqiptar me informimin përkatës, arrin të kuptoj largësitë ekstreme gjatë këtyre 26 viteve. Organizimet politike tek ne, arrihen të kuptohen me dallimet mes organizimeve shtetërore demokratike të disa shtete europiane (jo ballkanike), me organizimet shtetërore politike në vendin tonë me kohën e mbretërisë, kohën e “demokracisë popullore” ose “diktaturën e proletariatit” dhe kohën e tranzicionit të egër partiak të qeverisur si nga e djathta dhe e majta shqiptare. Shpresohet në masat e qeverisjes aktuale, parlamentit dhe dashamirësinë këmbëngulëse të faktorit ndërkombëtar, të themelohet vendosja e shtetit të së drejtës edhe në Shqipëri.

Ligjet dialektike tregojmë se “sasia dëmton cilësinë”. Efektet negative të këtij ligji tek ne, janë vërtetuar edhe praktikisht sidomos në fushën politike shumëpartiake, universitete të shumta, me zbatimin e politikës së ekonomisë liberale, jashtë parimeve të demokracisë liberale, etj Mbas vitit 1990, me ligjërimin e pluralizmit politik, është abuzuar rëndshëm me shtrëmbërimet e parimeve të demokracisë nga mos njohja, ose nga prirjet “shqiptare” për të synuar drejt ekstremeve, pa u menduar se e vërteta gjendet mes dy ekstremeve apo dy të kundërtave. Si këpurdhat mbinë njëra pas tjetrës tek ne 219 parti politike nga viti 1990 e deri sot, me parti për numur popullsie më të madh në krahasim me çdo vend të Evropës. Të 219 partitë tona politike, ideollogjikisht dhe objektivisht nuk kanë arritur dot as nivelin mesatar të parimeve demokratike që aplikojnë disa shtete europiane (ekstremizmi negativ), megjithatë shteti Shqiptar me anë të Buxhetit shtetëror për vitin 2016 ka financuar vetëm për tre partitë e mëdha 151.432.381 lekë të reja. Kësaj shume i shtojmë donacionet dhe të ardhurat e tjera, rezulton se këto tre parti sigurojnë 230.908.363 lekë të reja të ardhura (sipas gazetës Tema të datë 26 mars 2017). Kuptohet se këto të ardhura më pas përdoren për të përballuar shpenzimet partiake. Taksapaguesit shqiptarë paguajnë vetëm për këto tre parti kryesore 180.444.081 lekë, ose afro 1,9 miliardë lekë të vjetra dhe sëbashku me qytetarët shqiptarë, nëpërmjet blerjeve ku përfshihet edhe rritja e çmimeve të mallrave të konsumit që bëhet për sponsorizimet e partive, shumat që dalin nga xhepat e familjeve shqiptare arrijnë në 2 miliardë e 310 milionë lekë të vjetra.

Fenomeni i shfaqur tek ne, me parcelizim partish sipas shtresave të ndryshme të popullsisë, ka prodhuar papërgjegjshmëri ndaj kritereve demokratike, ka konsoliduar dhe fetishizuar rolin e “individit” dhe paprekshmërinë e "liderëve partiakë” si rrjedhojë, politika ka devijuar drejt “kriptoautokracisë”. Zhvillimet politike; ngërçi ekonomik; indiferenca apo “strukja” e pushtetit dhe pafuqishmëria për të luftuar “fenomenet e pista”: korrupsionin aktiv e pasiv në çdo hallkë të shtetit, trafiqet negative shtetërore e ndërshtetërore, janë fenomene që shkatërrojnë pushtetin, dobësojnë shtetin prandaj duhen ndalur me masa drastike. Pa ngurim duhet filluar me zbatimin e “Reformës në drejtësi” dhe me miratimin e akteve ligjore e nënligjore, të cilat realizohen pa u “tromaksur” prej kushteve të njërit apo tjetrit krah politik, apo strukturë administrative shtetërore me apo pa konflikt interesi.

Të gjitha këto “plagë të rënda kanceroze”, të mbjella dhe të kultivuara nga politika, janë të pranishme dhe po e grryejnë (scoop out) shoqërinë tonë, njihen prej të gjithëve, prandaj mbi 90 % e shqiptarëve kanë treguar dhe tregojnë vullnet të plotë për tu kuruar dhe shkëputur përgjithmonë nga “Uni” i djeshëm dhe i sotëm, si dhe nga “autokracia”.

Për të kuptuar se si arrihet në “zvoglimin e shtetit”, sjellim për lexim platformën elektorale, të njërit prej kandidatëve për presidencën Franceze. Sipas shtypit, ajo platformë elektorale synon “Ti japë fjalën popullit”, që nënkupton dobësim të “parlamentit”, me dhënie prioritet “votës popullore”, e cila sigurohet me anën e “Referendumeve”. Realizimi në praktikë i referendumeve, sipas këtij koncepti, bën të mundur marrjen e përgjigjeve për pyetjet, lidhur me probleme të veçanta e të rëndësishme, drejtëpërsëdrejti nga elektorati, dhe vendosja në ligj, në përputhje me përgjigjen e pjesëmarrësve në referendum.

Konceptimin e demokracisë, sipas masave për “zvoglim të shtetit”, shumica e drejtuesave europianë e denoncojnë si një atentat ndaj institucioneve të demokracisë. Këto ide i quajnë pretekste, gjoja dëshirohet ti jepet fjala popullit, por realisht ata mendojnë se përbëjnë rrezik dhe krijojnë paqendrueshmëri dhe çoroditje të elektoratit. Kohëzgjatja, apo periudha, brenda së cilave vend të rëndësishëm zë përvoja, tregon se kërkohet seriozitet ndaj qendrimeve korrekte dhe ligjore me ekzistencën “shumë partiake”, të cilat tek ne kanë krijuar shqetësime, përçarje dhe rishfaqur “luftën e klasave”, fenomene tepër negative, me pasoja serioze në frenimin e zhvillimit ekonomik dhe prospertitetit shoqëror. Nëse është koha për realizim të “zvoglim të shtetit”, e sigurtë që jemi tepër vonë për realizimin e platformës “Zvoglim të detyrueshëm të numurit shumë partiak”.

Nga institucionet shkencore të fushave përkatëse, kërkohen studime, hulumtime dhe kryerje analizash me konkluzione shkencore, të argumentuara për të ndërruar “binarët” e politikës, pa hezitim drejt vendosjes së parimeve themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Shoqëria jonë sot përballet edhe me tendencën e pushtetit teknokratik. Dihet se forcimi i shtetit demokratik, duke filluar nga shekullit XX, ka ndihmuar në rritjen e rolit të qeverisë dhe administratës; ndërsa pushteti teknokratik (i shteteve në fund të shekullit të XX), ka tendencë për zëvendësimin e pushtetit të të zgjedhurve. Nga bashkëbisedimet me sipërmarrësit, ndodh që të rrezikohen debatet me të cilat zakonisht kërkohet rregullimi i interesave të kundërta. Edhe zhvillimi i shoqërisë demokratike karakterizohet nga prania e qytetarëve në pjesëmarrjen politike, kjo si rrjedhojë e rënies së ideologjive mobilizuese që shoqërohen, si dhe shfaqja gjithnjë e më shumë e krizës së ligjshmërisë së institucioneve politike. Ky “deficit demokratik” rritet shpesh nga një personalizim më i madh i pushtetit.

Disiplina filozofike e “Gnoseologjia”, ndihmon për të kuptuar dhe njohur realitetin, mundësitë për realizimin e njohjes, vërtetësinë e njohjes, aftësitë, apo limtet tona për njohjet. Me shumëllojshmëritë e njohjes, janë marrë shumë filozofë dhe ekzistojnë drejtime të ndryshme për mënyrat dhe rrugët që ndihmojnë njohjen e realitetit, si: empirizmi, i cili bazohet tek përvoja dhe rekomandon se për njohjen e botës, duhet medoemos që ajo të shihet, të preket, të dëgjohet, të nuhatet, të shijohet. Pra është e kushtëzuar me ndjerjen dhe perceptimin (ndërgjegjësimin), përfshirja e përvojave të jashtme dhe e të brendshme, refleksionet që janë në jetën e brendshme të njeriut. Ndërsa sensualizmi, nuk mbështetet tek përvojat, por rekomandon se njohja është e mundur vetëm me anë të shqisave. Sipas “Racionalizimit”, burimi kryesor (ose i vetëm) i njohjes së botës, është arsyeja apo mendja; vetëm arsyeja, mendja është në gjendje ta kuptojë kush është themelore, e përgjithshme dhe e domosdoshme, pa njohjen e tyre nuk mund të ketë shkencë të vërtetë. Empirizmi, pikëpamje tjetër filozofike, trajton “përvojën” si burim kryesor të njohjes së botës nga njeriu. Nërsa koncepti i njohjes sipas pikpamjes filozofike të kritiçizmit, bëhet me anë të "bashkëpunimit" të “shqisave” dhe të “mendjes”, apo “arësyes”. Kanti, përfaqësues kryesor i kriticizmit, ka konkluduar se njohja fillon me shqisat dhe përvojën, por formën e saj përfundimtare e jep “mendja”. Mendja i jep trajtë, formë, materialit kaotik të shqisave dhe vendos një ligjshmëri të caktuar. Kanti përfundon duke konstatuar se "mendja është ligjëdhënese e natyrës". Intuitivizmi, njohjen e vërtetë e kushtëzon vetëm në bazë të intuitës, si aftësi irracionale (e paarësyeshme) e njeriut, vetëm intuita (mprehtësia) është në gjendje ta kuptojë, të njohë çfarë është më kryesore për jetën, si proces i përhershëm. Dogmatizmi. Ky koncept filozofik kundërshton të renë dhe i jep mbeshtetje të kaluarës, ndodhet në krahun që kundërshton të rejat, bashkëkohoret, nuk përshtatet me ndryshimin.

Së fundi do ndalemi tek “Demagogjia”, jo se duhet të ishte e para për tu trajtuar, por se është një praktikë politike që konsiderohet si degjenerim i demokracisë. Partitë politike, krahas fushatave, demagogjinë e përdorin në vazhdimësi si “levë” për të siguruar besimin e elektoratit me anë të “joshjes” së dëshirave, përmbushjes se synimeve të tyre me premtime të cilat mbeten të papërmbushura. Një përkufizim të pranuar të demagogjsë, e gjejmë tek shkrimtari çek Milan Kundera (lindur më 1.4. 1929), i cili konkludon: “Ata që konsiderojnë djallin një ithtar të së keqës dhe engjëjt luftëtarë për të mirën, pranojë demagogjinë e engjëjve. Gjërat janë qartësisht më të ndërlikuara. “Demagogjia”, rrejdh nga“demagogos” që përbëhet nga dy fjalë “demos”= popull dhe “ago”= udhëheq, pra nënkuptohet se “udhëheq populli”. Në pamje të parë krijohet përshtypje pozitive, sepse thuhet që udhëheq populli. Por të vërtetën e demagogjisë, e ka sqaruar historiani Thukididi, nisur nga “demagogët” athinas që zëvëndësuan “udhëheqjen e popullit”. Ata me gënjeshtra mashtruan asemblenë athinase përmes premtimeve të rreme, të pasinqerta e spekulimeve ndaj kundërshtarëve politikë. Platoni, mbas disa vitesh, demagogjinë e përkufizon si formë të korruptuar të qeverisjes që rrjedh direkt nga demokracia. Megjithatë, në dallim nga qeverisjet e tjera të korruptuara si tirania dhe oligarkia, ai preferonte demagogjinë, pasi kjo të paktën nuk e shmang (avoid) lirinë. Për Aristotelin demagogjia është forma më e keqe e mundshme e qeverisjes, pasi favorizon padrejtësisht më shumë të varfërit se sa të pasurit. Këtë gjykim ai e kishte pasi gabimisht i konsideronte njerëzit përgjithësisht të barabartë, ndërsa në të vërtetë njerëzit janë të barabartë vetëm nga natyra.

III.- Kriza e shteteve dhe disa aspkte të rendit tonë shoqëror

Krizat në shtetet e fuqishëme janë shfaqur gjithnjë e më shumë si realitet që prej viteve 1970, me ngritjen e neoliberalizmit. Lëvizja Upgrade (përmirësim) e liberalizmit, u shfaq pas Luftës së Parë Botërore, e cila kufizon ndërhyrjen e shtetit në çështjet ligjore dhe ekonomike. Milton Friedman, Frank Knight George Stigler, por edhe austriaku Friedrich Hayek, mbrojtën parimet e tregut të lirë dhe kritikuan ndërhyrjen e shtetit. Ata theksuan nevojën për të reduktuar sektorin publik; nevoja për të rritur lirinë e aktivitetit ekonomik dhe për të zvogëluar rolin e sindikatave ndaj kërkesave të tyre për rritjen e pagave, të cilat ndikojnë në zgjerimin e shkallës së papunësisë. Këto mendime janë të njohura në vitet shtatëdhjetë me rritjen e çmimeve dhe rënien e punësimit.

Në ditët e sotme “stanjacioni (frenimi) shekullor” ka mbërthyer ekonomitë më të zhvilluara të botës. Të gjithë vrejmë me shqetësim se tek disa, pasuria po shtohet, ndërsa pagat reale po qëndrojnë thuajse të pandryshuara, çmimet rriten dhe papunësia tek forcat e punës është në rënie. Shqetësues është edhe fakti se ligjvënësit, institucionet kërkomore shkencore, nuk japin ide të reja në favor të ndryshimit të stanjaciomit, ose janë të zbeta, për të mos thënë mungojnë.

Stanjacioni që po mbërthente (shtrëngonte) ekonomitë, disa shteteve të fuqishme e shikonin si rrjedhojë e ofertës, prandaj u hodhën mendime për marrje masash duke nxitur uljen e taksave mbi fitimet, uljen e pagave me synim për të rritur investimet. Në të vërtetë normat e taksimit rezultojnë shumë më të ulëta krahas atyre të 40 viteve më parë dhe, ulja e mëtejshme e taksave do të ndikojë në rritjen të ndjeshme të deficiteve fiskale. Shqetësim serioz janë edhe nivelet shumë të larta të borxheve. Marrja në konsideratë e këtyre fakteve nuk këshillonte që oferta të aplikonte masa të tilla, ndryshe ato masa ishin të pajustifikuara dhe të papërgjegjshme. Në vlerësim të situatës, disa shtete kanë vlerësuar se mendimi më i mirë dhe më i drejtë duhet ti gjej zgjidhjet tek “kërkesa”. Prandaj i u drejtuan teorisë së John Maynard Keynes më 1936. Kur “kërkesa agregate” (niveli i shpenzimeve reale mbi mallra të konsumit final që familjet, bizneset, qeveria apo blerësit jashtë vendit) është në nivel më të ulët se sa prodhimi i kërkuar për punësim të plotë, atëherë prodhimi bie në nivelin e kërkesës.

“Kërkesa Agregte” është raporti në mes shpenzimeve agregate (shpenzimet totale) dhe nivelit të çmimive. “Shpenzimet Agregate” janë shuma e shpenzimeve të çdo sektori në ekonomi: si familjet (konsumi), firmat (investimet), qeveria, dhe neto eksporti (diferenca mes eksportit dhe importit). Dihet, kërkesa për investime private është e pavarur, siç është gjithashtu e pavarur edhe kërkesa konsumatore. Zgjidhjen e situatave të tilla, teoricienë të ekonomisë e shikojnë tek masat e qeverisë, si mjeti që ndihmon në rritjen e punësimit dhe rritjes ekonomike, nëse kërkesa autonome bie nën nivelin e kapaciteteve prodhuese vendet e punës fillojnë të mbyllen, si rrjedhojë rritet papunësia, bie niveli ekonomik. Ky fenomen spjegohet kryesisht nga roli gjithmonë në rritje i shtetit në jetën ekonomike dhe qytetarit, gjë që shkaktohet rritja e shpenzimeve qeveritare, që shoqërohet me rritje të borxheve publike. Buxhetet kalojnë në krizë dhe shpenzimet publike bëhen të pakontrolluara. Situatë analoge, e ngjajshme edhe me qeverisjet e vendit tonë.

Dihet se prona mbi mjetet e prodhimit, kushtëzon edhe mënyrën e prodhimit. Si faktor subjektiv prona shenjon marrëdhëniet e prodhimit, të cilat përcaktohen nga forcat prodhuse; si rrjedhojë ndryshimi i marrëdhënieve të prodhimit, kushtëzohet nga zhvillimi i forcave prodhuese. Kur forcat prodhuese nuk përputhen (ndeshen) me marrëdhëniet e ë tyre vjetra të prodhimit, kuptohet nuk ndryshojnë forcat prodhuese por ndryshon marrëdhënia në prodhim, ky ndryshim nënkupton kalimin cilësor nga një marrëdhënie prodhimi në një tjetër. Po kështu ndodh edhe me organizimet shtetërore mbi bazën e tregut të lirë", ku siguria për qëndrueshmëri dhe zhvillim ekonomiko-shoqëror kushtëzohet nga raporti i përputhjes së "ofertës me kërkesën". Nëse oferta nuk merr në konsideratë për tu përputhur me kërkesën, e cila ka shumë përbërës si: nivelin ekonomik, nivelin kulturor, vendndodhjen, stinët, moshat, gjinitë, racat, ngjyrat, atëhere do të kemi superprodhim, rritje çmimesh dhe rritje të papunësinë, shtohen stoqet, ngadalësohet zhvillimi. Ndryshe marrja seriozisht në konsideratë e përbërësve të “kërkesës”, “oferta” do të bjerë në nivelin e kërkesës. Kështu ligji i përputhjes, apo ruajtja e ekuilibrave mes ofertës dhe kërkesës, janë domosdoshmëri objektive, jo vetëm për organizimet shtetërore demokratike.

Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit tek ne, nuk janë studjuar dhe aplikuar ligjet, është deklaruar bujshëm për “ekonomi të tregut të lirë”, por tregut të lirë i kanë munguar rregullat dhe ligjëshmëritë përkatëse. Tregu ynë është kacafytur me spontaneitetin, ka mbetur i pa informuar, as i edukuar me ligjet objektive që karakterizojnë “tregun e lirë”. Deri sot “Oferta dhe kërkesa” në “tregun e lirë”, është pushtuar nga rrëmuja, monopolet jashtë kontrollit, elemente këto favorizuese për lulëzimin e “tregut të zi”.

Në përfundim të kësaj trajtese, thirrja mbështet plotësisht shpejtimin e përfundimit të “Reformës në Drejtësi", përfshirë të gjitha aktet e saj ligjore e nën ligjore; ndërsa partitë politike parlamentare ti largohen “politikave të rrugës”, të distancohen nga “kotësitë” e debateve, sharjeve, shpifjeve, grindjeve, të kërkojnë ngritjen e nivelit të tyre profesional politik, juridik, ekonomik në përshtatje me parimet e demokracisë dhe elementët përbërse të saj, të cilat janë të domosdoshme për tu zbatuar. Duke qenë se ndodhemi në prag fushate, ka rëndësi përzgjedhja e kandidatëve sipas plotësimit të kushteve themelore të cilat janë reflektuar në “Reformën e Drejtësisë”.

Mars 2017 Fahri Dahri


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks