SHKRIMI
e shtunë, 23 shtator 2017

DILAVER GOXHAJ: RRUGA PËR TEK E VËRTETA KA SHUMË ARMIQ!

Tiranë, 16 korrik 2017: Kishin kaluar gati dhjetë vite prej botimit të librit “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës”, me autor Ylli Polivinën, në të cilin trajtohet një pjesë e veprimtarisë sime luftarake në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Midis të tjerave, në disa faqe të atij libri përshkruhet një debat për mospushkatimim e një luftëtari të asaj ushtrie. Me sa duket, ky libër i pat rënë në dorë z.Limos Dizdari shumë më vonë nga viti i botimit, dhe i kishte tërhequr vemendjen, ndaj dhe më telefonoi. Pasi konsumuam përshëndetjet e rastit në telefon, m’u lut nëse do të kisha dëshirën që të pinim një kafe së bashku e të shkëmbenim disa mendime.

Kjo ftesë qe e papritur për mua, pasi me kompozitorin e mirënjohur Limos Dizdari njihesha fare pak. Kishim vetëm një njohje zyrtare të para gati pesëmbëdhjetë vjetëve, gjatë periudhës kur ai kishte qenë drejtues i Lidhjes së Shkrimtarëve. Derisa ai kërkoi takim me mua, një ushtarak që s’ka aspak lidhje me profesionin e tij, mendova se donte të rrëfente diçka me rëndësi për atë.

Pasi u ulëm të nesërmen në një prej lokaleve të qeta në Tiranë, z.Limos nxorri prej çantës së dorës atë libër dhe m’u drejtua, duke më thënë: “Të lutem, mos ma merrni për asgjë të papëlqyer, por kam një plagë familjare, e cila përngjan pak a shumë me çka trajtohet në këto faqe të këtij libri; dhe e hapi librin në ato faqe ku trajtohet ajo çështje çka përmenda më lartë. Njerëzit që përjetojnë tragjedira, ruajnë ndonjë gjë në shpirt që po t’u jepet rasti do ta tregojnë me gjithë qejf.

Ku qëndron lidhja e brengës tuaj me çka trajtohet në këto faqe?, e pyeta unë.

Dhe z.Limos m’u përgjegj duke më treguar, se edhe babai i tij, Hulusi Dizdari, pat qenë partizan, bashkë me djalin e tij adoleshent, Baftjarin, fillimisht në batalionin “Çamëria”, i cili u formua në shkurt të vitit 1943 e përbëhej me partizanë nga fshatrat e Konispolit, Delvinës, Vurgut etj., e që më pas mori emërtimin “Thoma Lulo”. Në këtë batalion i ishte ngarkuar detyra e intendentit të batalionit, ngaqë ishte ndër më të shkolluarit, kishte qenë në shkollën “Zosimea” në Janinë. Bazuar në origjinën familjare dhe atë ekonomike, ajo që e lidhte Hulusi Dizdarin me luftën çlirimtare nuk ishte interesi material, pasi ai vinte nga një familje e pasur, por thjeshtë ideja e çlirimit; shkurt, ndërshmëria, një materie e një rendi më të lartë, për të përmbysur atë botë të kalbur, të cilën do ta bënte vetëm duke u inkuadruar në rreshtat partizane.

Intendenti është ekonomati i rendimit luftarak. Një organizim i mirë ekonomik në rradhët partizane është i nevojshëm si ajri që marrim frymë. Që mund të kryhet prej rendimeve partizane një veprimtari e suksesshme luftarake, e që aksionet të vinë gjithnjë në rritje, duhet që jo vetëm ushqimi por edhe veshmbathja, armatimi e municioni duhet të jenë në domosdoshmërinë e mjaftueshme. Dhe të gjitha këto duhet t’i mendoi, t’i organizoi e t’i kryej intendenti. Intendentve, veçanërishtë në ushtritë çlirimtare vullnetare, për të kryer këtë detyrë u besohen të gjitha llojet e të mirave material, të lakmueshme për shumë njerëz, me dhe pa funksione. Si të tillë, intendentët janë luftëtarët më të shkathët e më inteligjentë, gjë që i bën xhelozë ata pa intelekt. Të qenët në luftë për intendentët është më së shumti një punë që kërkon ndershmëri e përkushtim; intendenti në luftën partizane është puna më e vështirë që njeh njeriu, është një punë pa asnjë lloj pushimi, pa shlodhje, është një punë prej 24 orë çdo ditë, të cilin nuk e zen gjumi edhe kur bie për të fjetur në gjumë. Por intendentët kanë një të keqe që i rrezikon: disponojnë të mirat materiale të çdo lloji.



Kompozitori ynë i shquar, Limos Dizdari.


Detyrën e intendentit të batalionit Hulusi Dizdari e vijoi edhe kur një kompani e këtij batalioni u inkuadrua në batalionin e 3 të Br7S, me urdhër të SHP të UNÇSH, të datës 20 shkurt 1944. Hulusiu u detyrua të largohej nga treva ku kishte familjen, i detyruar të shkonte pas djalit, i cili doli përsëri vullnetar për në Br7S.

Nëse i referohemi historikëve të formacioneve të LANÇ-it, mësojmë se nuk janë të paktë intendentët e vrarë gjatë asaj lufte. Dhe kjo kryesishtë për posedimin prej tyre të materialeve me vlerë, përfshi edhe stërlinat e ndihmës angleze. Ndoshta këtu duhet kërkuar edhe shkaku i pushkatimit pa gjyq partizan i Hulusiut, në 15 korik 1944, në Therepel të Skraparit; edhe pse këtë lloj pushkatimi e ndalonin dhe e dënonin rreptë rregulloret e asj ushtrie çlirimtare. Bazuar në dëshmitë verbale dhe me shkrim që i ka dhënë z.Limos ish-drejtuesit të lartë të Br7S si dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë të Hulusi Dizdarit, e tërë brigada u indinjua kur mësoi pushkatimin e tij pa asnjë lloj gjyqi e pa asnjë lloj shpjegimi! Prej atëherë e deri tash nuk i dihet as varri Hulusi Dizdarit, edhe pse emëri i tij figuron në Historikun e Br7S.

Djali i tij në atë kohë adoleshent, Baftjari, dhe shumë prej shokëve të luftës, bashkëvendas të Hulusiut, kërkuan t’u shpjegohej arsyeja e pushkatimit, por kishin marrë vetëm një përgjigje: “Atë e di komanda e brigadës”. Madje, pas këtyre kërkesave këmbëngulëse të Baftjarit dhe disa partizanëve të tjerë, komanda e brigadës e urdhëron Baftjarin fëmijë të largohej nga Br7S dhe të shkonte në Br19S. Pasi i vranë babanë pa asnjë lloj shpjegimi, “komandantët” e urdhërojnë të lypset edhe ai nga brigada! O Tempora, o Mores! A mund të mundohet kështu një fëmijë?!.. A ka gjë më të tmerrshme… Qoftë edhe sikur ta bënin për hir të lumturisë së pakufishme të të gjithë popullit. Një lumturi e tillë do të ishte e mallkuar…

Ndërsa Baftjarin, vijon tregimin z.Limos Dizdari, me mbarimin e luftës e dërgojnë në Shkollën e “Pionerëve të Luftës” (Shkolla Skendërbej), pastaj kryen Shkollën e Bashkuar të Oficerave dhe titullohet oficer artilerie, ndërsa në vitet 1963-1966 kryen edhe Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm, në Fakultetin e Artilerisë dhe emërohet në Korpusin e Shkodrës me detyrë shef i zbulimit të artilerisë së Korpusit. Në 19 janar 1970, në ora 22.30, sikundër na informuan me shkrim, (ndërsa ne, prekurori na pat thënë se ishte ora 22.05 dhe temperatura -50C), -vijon z.Limos-, Baftjari, duke udhëtuar për arsye shërbimi me një kamjon të zooteknikes së Shkodrës, prej Tirane në Shkodër, pasi kalojnë urën e Bahçallëkut shoferi ç’orientohet dhe bie me gjithë makinë në lumin e Bunës dhe, çuditërisht, shoferi paska dalë, edhe pse kamjoni përmbyset nga krahu i tij, ndërsa oficeri Baftjar Dizdari humbi!... Dhe nuk u kërkua më!

“U interesuam dhe na thoshnin se nuk dinin asgjë më shumë. Por çuditërishtë kolegët e tij komanda e Korpusit nuk i lejoi as të shkonin edhe për ngushëllim në familjen e Baftjarit, madje familjes nuk i çuan as pagën e muajit janar!.. Shoferin e kamjonit nuk e lejuan ta kontaktonim ne familjarët e Baftjarit!.. Edhe sot e gjithë ditën nuk dimë asgjë rreth tij… Njësoj si dhe për babanë…

***

Ua tregova këto dy ngjarje tragjike për ne, meqenëse më ngacmoi libri që lexova, si dhe për të mësuar diçka më shumë, nëse a mund të ndodhin të tilla pushkatime në luftë, pasi UÇK-ja, me sa kam kuptuar nga ky libër, ka qenë në stadin që ishte Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare në vitin 1944... Duke qenë i biri i Hulusiut dhe vëllai i Baftjar Dizdarit jam dhënë me mish e me shpirt pas këtyre dy tragjedive, që kanë mbetur ende të pazgjidhura”.

Me kaq e përfundoi tregimin e tij z.Limos Dizdari… Kompozitori heshti, diçka mendonte… Dhe unë shihja se si vuante shpirti i tij, se ç’pëpjekje bënte për ta mbajtur veten! Zëri dhe pamja e fytyrës së tij tregonin se ndodhej në një shqetësim të madh. Në tregimin e tij kishte më shumë heshtje se sa fjalë. Në përgjithësi frazat, sado të ndërtuara logjikisht dhe të thella që i kishte, ai më shumë të bindëte me heshtjen e tij mes tyre. Ata që kanë përjetuar ngjarje të njëjta e kuptojnë njeri-tjetrin më mirë kur heshtin, ndërsa njerëzve të lumturuar e indiferentë u duket e ftohtë dhe nuk u bën asnjë përshtypje të tilla ngjarje.

Qëndrimi i heshtur i z.Limos Dizdari është një akuzë e madhe, pasi familja e tij pati tre vullnetarë në rreshtat partizane: nënën, babanë dhe vëllanë, ku dy prej tyre nuk u dihet varri, duke mos u kthyer kurrë më në familje! Pyetjet e tij janë : “Ku janë? Ku i kanë varret? Ku është shteti?.. Janë dy jetë të munguara, ndërkohë që shoqëria dhe shteti nuk dinë të kërkojnë as ndjesë!”.

Këto dy tragjedi të familjes Dizdari më tronditën kur po i dëgjoja. Asnjë njeri nuk i do aq shumë pjestarët e familjes dhe të afërmit e tij se sa kur ata janë zhdukur në mënyrë enigmatike. Dhe enigma mbetet enigmë. Dhe ajo çka më ka bërë më shumë përshtypje: z.Limos Dizdari është një nga kompozitorët më kryesorë që është marrë më gjerësishtë me të rënët dhe Luftën Nacionaçlirimtare. Kjo më ka bërë shumë kureshtar për këtë angazhim social e të ndërgjegjshëm të këtij krijuesi të madh. Kjo duhet të jetë një tipar që buron nga një përgjegjësi e lartë ndërgjegjeje. Me sa duket z.Limos ndjek shembullin e traditës sonë popullore, që i përkujton në këngë të rënët për Atdhe, që të marrin aromën e trupit të këngëtarit e të këngëtarëve.

A janë adaptë e të gatshëm ata që drejtojnë sot prefekturat dhe qarqet përkatëse t’i sqarojnë këto dy tragjedi të lindura nga paraardhësit e tyre shtetarë, kur edhe organizmat e veteranëve janë interesuar për një gjë të tillë? Pyetja është e prerë, përgjigjia e qartë…Vetëm cinikët nuk dinë as ligjet e luftës dhe as ligjet e ndërtimit të shoqërisë njerëzore; vetëm cinikët shkaktojnë të tilla tragjedi enigmatke e i lënë pa përgjigje. Të gjithë ata që kanë vepruar kështu, si në korrikun e vitit 1944 ashtu edhe në janarin e vitit 1970, e deri më sot, jo vetëm që nuk po ua njohin atyre dy çlirimtarëve vlerat atdhetare e njerëzore, por as që denjojnë të japin edhe shpjegimet minimale të zhdukjes së tyre. Nuk kuptohet se ku e gjejnë edhe sot këtë guxim këta nëpunës të shtetit, të cilët sjellin njëmijë e një “argumenta”, ndoshta ngaqë nuk gjejnë dotë forcë të kërkojnë ndjesë. Sa armiq paska kjo rruga e ndershmërisë dhe e së vërtetës!

Duke kërkuar të mësoja diçka më shumë, e pyeta z.Limos se pse me kaq vonesë, dhe ja si m’u përgjegj: “Kjo jo për neglizhencën tonë si familje, as për neglizhencën time të munguar, pasi kam qenë më i vogli në familje, por ka ardhur kryesishtë nga besimi i tepëruar tek komisionet përkatëse dhe strukturat shtetërore të të dy periudhave, si rrjedhojë e respektit të treguar prej tyre dhe përkrahjes që kemi pasur si familje pas asaj lufte çlirimtare si dhe më pas, duke u zgjedhur edhe unë disa kohë në instancat më të larta të shtetit shqiptar… Të gjitha këto trajtesa e përkujdesje i kemi marrë si një lloj autokritike e bërë prej vetë shtetit… Por për më shumë, mund të flas herën tjetër”.

Për ata drejtues që kanë krijuar këto dy enigma, thonë se ishin trima. Po trimëria nuk është mënçuri, ndryshe të dy këto tragjedi do ta kishin një shpjegim. Pse e kanë fshehur dhe e fshehin të vërtetën?! Ato janë dy vrasje të mpleksura me dinakëri e prepotencë dhe jo me mënçuri, si nga komanda e Br7S ashtu edhe nga ata të Korpusit e të Ministrisë së Mbrojtjes, duke i lidhur me nyje të tilla që nuk mund të priten kollaj. Kush mbyt të vërtetën, ka bërë të keqen më të madhe.

Sikundër më shpjegon z.Limos, ata të institucionit të veteranëve i kanë thënë, se “babain tuaj e kemi shpallur dëshmor”. Dhe ai u ka kthyer këtë përgjigje: “Për çfarë mund të dëshmoi Hulusi Dizdari, për luftën heroike çlirimtare, apo si pjestar i luftës civile sikundër duan ta quajnë kolaboracionistët? Për veten time e di mirë ku jam inkuadruar, po babanë ku ta klasifikoj?!”

Ata që pushkatuan Hulusiun pa gjyq, e mbyll bisedën kompozitori ynë, ata duhet të kenë qenë me pushtet të lartë, ndryshe nuk do të kishin mundur të organizonin edhe zhdukjen e dëshmitarit partizan të interesuar, Baftjar Dizdarin; ai ka qenë një plan i hartuar nga njerëz dinakë e me shpatulla të mbrojtura. Jo më kotë në jurisprudencë thuhet se krimi lind krimin.

Kolonel Dilaver Goxhaj - Ish.zv.shef i SHP të UÇK-së.

Tiranë, 10 korrik 2017


Limos Dizdari : Dritero Agolli la pas nje veper qe shkelqen


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks