SHKRIMI
e mërkurë, 16 gusht 2017

DR. ALBERT HABAZAJ: 20 KORRIKU, DITA E VETERANIT!

Vlorë, 22 korrik 2017: (Nga Vlora për 60 vjetorin e Organizatës së Veteranëve) - 20 korriku kaloi. Veteranët dhe pasardhësit e tyre në Vlorë e pritën pa zhurmë, por me nderim dhe krenari ditëlindjen jubilare të Veteranit Shqiptar, festën e 60 vjetorit të krijimit të organizatës, që nderon epopenë më të madhe çlirimtare të shqiptarëve në kohëra, Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Organizata e veteranëve është trashëgimtarja e denjë që mbron dhe transmenton brezave vlerat më të larta morale, atdhetare dhe kombëtare të LANÇ. Flokëbardhët fisnikë të Vlorës, të heshtur e dinjitozë, të rënduar nga pesha e viteve por që nuk dinë të ankohen mblidhen tek Selia, strehëza e tyre dhe kujtojnë vitet e stuhishme të luftës për liri, shoqet e shokët e rënë. “Mund të kishim rënë edhe ne në luftë - tregon thjeshtë 96 vjeçari Selman Karefili. - Ranë shokët tanë, të mirët…, - dhe kurajozi në furtunë s’e komandon dot lotin të mos i shkas “pa leje” faqeve të bronxta, tek kthen vështrimin e kujtesës 73-74 vite mbrapa... S’di të mburret, se i ka inat të dukurit bosh Veterani. Pak ish - partizanë kanë ngelur, se jeta bën të vetën e ata janë rralluar e, përditë rrallohen të bardhë, duke lënë emrin dhe kujtimin për historinë dhe për brezat. Kanë një jetë të tërë që i kanë mposhtur dhembjet e plagëve të marra për liri. Ata janë dëshmorët e gjallë të Atdheut. Të gjithë veteranët dhe pasardhësit e tyre në Vlorë meritojnë secili nga një shkrim mirënjohjeje. Le të jetë ky botim në shtypin online një lule respekti për veteranët tanë, për spaletën morale të kombit. Në këtë 60 vjetor të ditëlindjes së Organizatës së Veteranëve, krahas të tjerëve, po ravijëzoj falënderimin me shpirt, timin dhe të grupmoshës sime për veteranët e nderuar Seit Jonuzaj, Manxhar Binaj e Velo Malaj, për pasardhësit e veteranit Balil Banushaj, Asqeri Llanaj e Mirban Duka. Nuk mund të lë pa përmendur idealisten Resmie Ruci, shembëlltyrë e gjallë e zjarrit të shpirtit dhe gjakut çlirimtar për liri.

Resmia. Resmie Ruci është një shoqe dinjitoze, e palodhur, e paepur, këmbëngulëse, serioze, besnike e idealeve të 28 mijë yjeve të pashuar. Shoqja Resmia, jo vetëm si kryetare e Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të LANÇ Vlorë, gëzon një respekt mbarëpopullor në qytet dhe në fshatrat e qarkut të Vlorës e më gjerë. Fjala e saj dëgjohet se i thotë me tërë mend, për idealin e të rënëve. Shkrimet e saj në revistën “Pavdekësia” lexohen me emocion, sepse ajo derdh floririn e shpirtit për nderim të yjeve të pashuar. Vepra e saj ndiqet me respekt, se e bën me shpirt, për idealin e luleve të lirisë, për një Shqipëri të drejtë e më të mirë.

Xha Seiti. Seit Jonuzaj aktualisht është kryetar i Komitetit të Veteranëve të Vlorës. Është njeri i ditur xha Seiti dhe modeli i duhur i veteranit të sotëm shqiptar. Ai di të punojë, të veprojë, të shkruajë pa u dukur, pastër. Thjeshtësia e tij e bën të madhërishëm. Ka lindur në Kallarat më 1927. Mori pjesë që në moshë të re në LANÇ. Ai ka qenë partizan. I vogël në moshë me ideale të mëdha. Pas Çlirimit ka kryer shkollën e lartë të Marinës në Baku (BS) më 1952 dhe kualifikimin pasuniversitar në Petërburg (Leningrad) më 1957. Ka kryer detyra të ndryshme komanduese në Flotën Luftarake dhe prej vitit 1973 pedagog në Akademinë e Marinës “Hysni Kapo” Vlorë. Gjatë kësaj periudhe ka kryer studime hidrografike si dhe një varg studimesh të tjera në lidhje me detarinë shqiptare dhe shqiptarët e detit në kohëra. Është autor i fjalorit terminologjik katërgjuhësh të detarisë (shqip - anglisht - italisht - rusisht, me rreth 8000 termat më të përdorshëm në fushën e detarisë. [Tiranë, Toena, 2008]; i tekstit universitar “Parandalimi i përplasjeve në det” [Vlorë, Triptik, 2009]; autor i disa monografive për figura të shquara të trevës etj. Me kumtesën “Tradita e detarisë në trevën e Vlorës”, ishte një ndër 58 kumtuesit e Konferencës Shkencore “Vlora në rrjedhat e kohës”, drejtuar nga Prof. Shaban Demiraj, akademik [Tiranë, Toena, 2001, 375 f., kumtesa e tij: f. 292-302].



Xha Manxhari. Nuk është e nevojshme t’i bëjmë jetëshkrim veteranit Manxhar Binaj, sepse atë e njeh Sevasteri, Kudhës-Grehoti, Lumi i Vlorës, Labëria, Gjirokastra, Tepelena, Tirana, Vlora, Shqipëria. Për të, sikurse për të gjithë veteranët e Vlorës, vlerat e Luftës sonë antifashiste janë të përjetëshme. Është një shprehje e mençur: “Fjalët i merr era, e shkruara qëndron”. Edhe xha Manxari, që njeh në sy Luftën, Lirinë, Ndërtimin e Mbrojtjen, Zhgënjimin e Shpresën, jeton e vepron me dinjitet, serioz, i qetë, i rreptë, i dashur, i përgjegjshëm, fjalëpagremisur, model i traditës, që duhet të ndjekin brezat për të ecur përpara. Xha Manxhari meriton shumë, por nuk kërkon, u hap rrugë të tjerëve. Ai shkruan dhe me këtë veprim bën një akt fisnik historiografik, kur e dimë që kujtesa jonë shkrimore është fatkeqësisht e shkurtër kronologjikisht. Pena e tij është e njohur në gazetën “Kushtrim Brezash”, por ai ka shkruar edhe në gazetën “Ndryshe”, shkruan te gazeta jonë “Labëria”, sikurse dhe te “Dita”, “Panorama”, “Koha Jonë”, “Telegraf”, etj. Ende na vjen jehona e shkrimeve të tij për historinë rrëqethëse të ish partizanes Rakibe Dervishi, me aktin e madh të kësaj partizaneje të vogël, bijës trime nga Ramica, apo kur shkruan për gjurmë të një jete dhe të një vdekjeje me lavdi, kushtuar Osman Beshirit, partizanit dhe komandantit legjendë të Luftës. Për Luftën termopiliane të Drashovicës, e para beteja e parë frontale e LANÇ, na kujtohet shkrimi sa jetësor aq brilant “Hej Drashovicë, këtu u përleshën lebër dhe fric…”. Nuk mund të harrojmë gjithashtu kujtimet e tij mbresëlënëse në shkrimin: “Kur numëroja votat me gogla gome në zgjedhjet e '45”, ku flet si komisionier i zgjedhjeve të para; etj. Vepra e tij kryesore është monografia “Epopeja e Vlorës” [Vlorë, Triptik, 2015, 192 f], ku shfletojmë historinë e lavdishme të Luftës Nacionalçlirimtare, 1939-1944, jo vetëm të krahinës së Vlorës, ku shmallemi me heronj e dëshmorë, me fotografitë e tyre, me shkrime, korrespondenca për shtypin, duke zbuluar nga faqja në faqe, pjesë të historisë së LANÇ, nga Mesapliku, Gumenica, krijimi dhe inagurimi i Brigadës V S Heroinë e Popullit, Çeta “Plakë”, Lufta e Drashovicës, “Epopeja e Vlorës”, në gjithë gjeografinë e saj, duke dalë edhe jashtë kufijve lokalë në Përmet, me Kongresin e Përmetit, në Pezë, me Konferencën e Pezës, në Shkodër me epopenë e Perlat Rexhepit, Jordan Misjes e Branko Kadisë etj. Redaktori i librit Agim Jazaj e vlerëson meritueshëm veteranin tonë të nderuar për testamentin e lirisë që lë brezave: “Autori i njohur Manxhar Binaj në librin: “Epopeja e Vlorës” u shpalos përpara lexuesit me “trinomin” e tij si: Ish luftëtar i LANÇ, drejtues i lartë i administratës së shtetit, por dhe si autor. Pra, si: i Pushkës, i Mendjes dhe i Pendës”.

Xha Velua. Është 88 vjeç, shtatlartë e i thantë, pas zeshkan, rrahur nga dielli. Velo Sakua ishte djalë i vetëm. Edhe pse, sipas traditës së të parëve dhe Kanunit të Labërisë, nuk thirrej në luftë i vetmi i derës, labi i vogël u organizua për çlirimin e Atdheut, si debatikas. Qe ndërlidhës i partizanëve, shpinte letra e trakte atje ku qe destinacioni i duhur në kohën e duhur. Korrieri ynë fluturonte, nuk ecte. Pas Çlirimit, u fut në shkollën për ish-partizanët, hapur rishtazi për kuadrot e dala nga lufta (si shkollë e mesme). U mobilizua në repartet e ndjekjes së bandave në Veri të vendit. Në vijim, punoi në krahinën e Lumit të Vlorës me Agjit-Propin. Me krijimin e kooperativave, u emëruar kryetari i parë i kopoerativës së Ramicës, në vitin 1956, vit ky kur u krijuan të gjitha kooperativat bujqësore të Lumit të Vlorës deri në Kuç. I thoshnin “Velo Sako Biçikleta”, edhe pse, kuptohet, që nuk mund të kishte biçikletë, por se ecte shumë në këmbë e s’lodhej për punën. Kreu dhe Shkollën e Lartë të Partisë në Tiranë dhe, deri sa doli në pension, la e ka një emër të bardhë për vete, për familjen, për fshatin e shoqërinë. Ka pesë vajza dhe 1 djalë, Adriatikun, pegagog anglishtje në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës. Djali tjetër, Lefteri, ish-mësues i gjuhëve të huaja në shkollën e mesme “Laze Nuro” Brataj ka vite që i përket paharrimit. Nuk e kemi dëgjuar asnjëherë veteranin e nderuar Velo Malaj të mburret për dekoratat që ka merituar, “Medaljen e Çlirimit” “Medaljen e Ushtrisë”, atë “10 Korriku” etj.

Balili. Është zëri i veteranëve të Vlorës në gazetën “Kushtrim Brezash”. Pa firmën e Balilit, pa përkushtimin e tij dhe kërkesat për më mirë, veprimtaritë dhe punët e vyera që bën Organizata e Vlorës, ndoshta nuk do të ishin pasqyruar kaq të përditësuara. Balil Banushaj, ndërkohë është një nga aktivistët më të dalluar të shtypit të veteranëve shqiptarë. Përveçse në gazetën tonë “Labëria”, ai shkruan dhe te revista “Pavdekësia”, në gazetat “Kushtrim Brezash”, “Dita”, “Telegraf”, etj. Po të heqim paralele shkrimore, në kohë të ndryshme, publicistikat e Balil Banushajt na vijnë si imazh i skicave të gjalla të Aleks Çaçit, me një ndryshim, se shkrimtari veteran nga Palasa e Himarës i ka përjetuar ngjarjet e personazhet, ndërsa publicisti pasardhës veterani nga Bashaj i Smokthinës i nderon ato ngjarje e personazhe të paharruar për lirinë. Nuk mund t’i radhisim të gjitha botimet e Balilit këtu, por mjafton të përmendim disa nga shkrimet: “Shtëpia ku ka pas qënë strehuar shtypshkronja në Tërbaç: [Shtëpia e Nuredin Salatit], “Fshati Kropisht i Vlorës ua njohu herët hyneret ballistëve”, “Gruaja labe që sakrifikoi gjithçka për LANÇ : [Duze Bajrami]”, “Dëshmori Fiqiri Muka në këngë”, “Dëshmori Haxhi Deraj”, “Konsiderata veteranësh për klerikun patriot, Sadik Rakip Aliaj: Në 110 vjetorin e lindjes së tij”, “Dëshmori i parë i Dukatit - Hasan Mëhilli”, “Masakra e Boderit - kulmi i terrorit gjermano - ballist në Smokthinë”, etj. Edhe Balili sëmuret e ka halle, e ndoshta më shumë se të tjerët, por ai njeri nuk di të ankohet një herë të vetme. Ai i ka shkelur me pëllëmbë fshatrat e Vlorës nga Delisufi, Poro, Alibani e Novosela në Qeparo, Vajzë, Velçë e Selenicë. Bashkë me veteranin Zeqir Dule Ribaj e gjen fshat më fshat të Lumit të Vlorës, për ta mbajtur të gjallë jetën e veteranëve dhe abonimet në gazetë deri në fshatrat më të largët malorë. Di vetëm të punojë, të shkruajë e të propagandojë vlerat e LANÇ dhe lavdinë e dëshmorëve, heronjve dhe partizanëve çlirimtarë. Prandaj kur ka numër që në gazetën “Kushtrimi brezash”, nuk shihet firma e tij, lexuesi thotë “Ç’ka Vlora?”, jo “Mos ka ndonjë hall Balili?”…



Dr. Asqeriu. Me origjinë nga Cakrani, është vlerë e shtuar në shoqëri e në Vlorë. Është mjek stomatolog, pasardhës veterani, autor i palodhur librash, ku në thelbin e gjurmimeve dhe hulumtimeve të monografit të përkushtuar Asqeri Jonuz Llanaj qëndron një shpirt i pastër kombëtar, ushqyer me idealin e madh e të patjetërsueshëm të lirisë dhe përparimit. I veçantë është libri “Karafila nga Zemuni”, botuar me rastin e 70 vjetorit të Çlirimit të Atdheut (2014), kushtuar 19 djemve cakranjotë, që padrejtësisht iu nënshtruan vuajtjeve dhe torturave më barbare të nazifashistëve, deri në humbjen e jetës, por në të njëjtën kohë janë dhe nderi e krenaria e Cakranit. Shoqata Kombëtare Atdhetare - Kulturore “Labëria” kohë më parë bëri një akt simbolik kuptimplotë për kontributet që ka dhënë dr. Asqeriu, duke e vlerësuar me dekoratën “Mirënjohje e Labërisë”, me motivacionin: “Për vlera të shquara intelektuale. Autor i mbi njëzet monografive me motive patriotike e nderuese. Për kontribut 50 vjeçar në fushën e shëndetit dentar dhe mbi të gjitha për krijimtarinë e tij profesionale, letrare, historike, shoqërore të vendlindjes së tij Cakranit dhe të qytetit të Vlorës, ku banon. Për angazhim të tij brenda dhe jashtë vendit me aktivitete kulturore- atdhetare”.

Mirbani. Bania është i biri luftëtarit dhe këngëtarit të Epopesë së Njëzetës dhe mësuesit të Vranishtit Xhemil Veli Duka. Bania ka qenë oficer dhe është marrë me krijimtari letrare qysh i ri. Ka botuar shumë libra poetikë. Tani është në pension dhe aktivizohet me dëshirë me veteranët e qytetit. Është dhe pasardhës veterani, si dhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” të Vlorës. Mirban Duka e vlerëson shpirt e me penë Luftën e Lavdishme Nacional Çlirimtare. I nderon deri në adhurim 28 mijë yjet e pashuar, heronjtë dhe dëshmorët e lirisë. U shpreh mirënjohjen e tij veteranëve, këtyre dëshmorëve të gjallë të idealit, këtyre lisave të bardhë, që bien një nga një, duke u thurur këngë, vargje që i interpreton vetë me një zjarr të ngrohtë frymëzimi.

Albert Habazaj, kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks