SHKRIMI
e premte, 22 qershor 2018

ISMAIL ARSLLANI: CICERONI NGA KASABAJA E TETOVËS

 Tetovë, 4 tetor 2017: Një person i rrallë, ciceron i vërtetë, tetovari Abdylsami Xhaferi, tashmë disa dekada shqiptaro-amerikan, veprimtar për çështje kombëtare në Çikago të SHBA-së, qytetar i vjetër, me memorie të thellë, të freskët, djaloshare, që kapërcen kapacitetet mendore të një njeriu me shumë vite mbi kurriz, që të mund të regjistrojë kaq shumë detaje për Tetovën e dikurshme, për Tetovën e tij. Duket sikur ka rrëmbyer kohën për vete dhe ka vendosur në rradaken e tij, Tetovën e mes-shekullit të kaluar. Pikërisht në vitin 1969, me shpirt të thyer u detyrua të largohet nga vendlindja, pas ndjekjes së hordhive të UDB-së, për të marrë rrugën e mërgimit tej oqeanik. Që atëherë ka ndaluar ecjen e kohës dhe flet pa u hamendur për ngjarje të largëta, për krime të pas luftës, për jetën e rëndë të tij dhe të familjes, për lagjet e vjetra të kasabasë së dikurshme që tashmë janë tretur nga toponimia e saj.

Vrasje me pushkatime

“Kam ruajtur me xhelozinë më të madhe rrëfimet e më të moshuarve në Tetovën time të shekullit të kaluar”, shpalos kujtimet Abdylsami Xhaferi. “Më jehojnë ende në vesh bisedat e pasdarkeve për do vrasje që kishin ndodhur në qytet. Flitej për vitin 1949, para dhe pas këtij viti. Ishin pushkatuar tre shqiptarë në ngastrën e kombinatit të dikurshëm bujqësor-industrial “Miçurin”, në dalje të qytetit për në Shkup, aty përreth rrugës, ku edhe ishin varrosur. Më kujtohet kur burrat kalonin dhe uleshin pranë këtyre tre varreve dhe këndonin ndonjë lutje për shpirtin e tyre”.

“Në Çarshinë e madhe të qytetit, mbaj mend, kishte një çezme, me një “fontanë” prej 2 metrash të lartë, me ujë pa këputur. Në vitin 1949, thoshin burrat e asaj kohe, ishin pushkatuar aty Rasim Xherma, i ati i Mehmet Tuzit dhe i biri i Hamdi Xhermës, si dhe një person tjetër i pa identifikuar nga Bojana e Dervenit. Ndërsa te kisha, në rrugën që shpie për në fshatin Sellcë të malësisë së Sharrit, te lokaliteti i quajtur “Kolltuk”, në pjesën e epërme të qytetit, janë vrarë Aqif Brodeci, oficer me gradën toger dhe Hazbiu, i biri i Muharrem Xhermës”, kujton këto ngjarje Abdylsamiu.



- Ismail Arsllani -


Legjenda për Sokolhanen

Pranë lumit Shkumbin, në të majtë të rrjedhës së tij, afër Urës së re të hekurit, ishte Hamami i vjetër i qytetit, i cili u meremetua në vitin 1956-1957. Flitej se në këtë objekt kishin gjetur disa dokumente për ndërtimin e këtij hamami, që dëshmonte për vjetërsinë ilire të tij, por pushteti i atëhershëm i treti pa gjurmë këto dëshmi historike për shqiptarët. Në vazhdim të rrugës së quajtur të Gostivarit, në drejtim të qendrës, në të majtë ishte një godinë e fortë, me arkitekturë të kohës, që quhej Sokolhane.

Për emrin e këtij objekti ka edhe një legjendë, që është përcjellë brez pas brezi në qytet. Thoshin se aty kishte ndodhur një vrasje, diku nga viti 1930. Një malësor e kishte vrarë një vojvodë. Ky, vojvoda, ka pasur aty një tavolinë, ku nuk ka guxuar të ulet asnjë njeri, madje edhe kur s’ka qenë aty. Por vjen një malësor dhe ulet pikërisht në atë tavolinë, madje kur nuk ishte vojvoda. Në momentin që vjen, e kap për veshi malësorin për ta larguar nga aty. Malësori i prekur për këtë sjellje të tij arrogante, nxjerr “hanxharin” dhe e therë në vend. Pas këtij akti, malësori kërcen nga dritarja dhe merr arratinë.

Ndonëse ka pasur të pranishëm në vendin e ngjarjes, askush e asnjëherë nuk e mësoi se kush ishte ky malësor. Këtij të panjohuri ia ngjitën nofkën Sokol. Që atëherë, ky objekt kishte marrë emrin Hani i Sokolit, apo Sokolhane, si është shqiptuar nga tetovarët deri në rrënimin e tij, për zgjerimin e rrugës së “Ilindenit” nga viti 2006, por vendi mbeti i djerrë dhe shfrytëzohet edhe sot si një vendparkim i egër pranë Gjykatës së Tetovës.

Përballë Sokolhanes ka qenë deri në vitet e para të pas Luftës së dytë botërore, godina e burgut të vjetër, i ndërtuar nga koha e Turqisë. Në atë burg ka vuajtur dënimin edhe i vëllai i Abdylsamiut, i cili ishte arrestuar në kufi me Shqipërinë, gjatë tentimit të tij për të ikur andej kufirit. Në të majtë të Sokolhanes, ka qenë lagjja Gamgam dhe Xhamia po me këtë emër, që është ndërtuar nga një familje e Gamgamëve, e cila është shpërngulur në Turqi, rrëfen për këto ngjarje Abdylsamiu.

Katandisja e familjeve nga pushteti

Pushteti i atëhershëm komunist kishte për qëllim futjen e përçarjes mes popullit shqiptar, por edhe mes shqiptarëve dhe turqve në Tetovë. Por meqë nuk arritën qëllimin, filluan të ushtrojnë një presion të hatashëm dhe dhunë represive fizike ndaj të gjithë myslimanëve, duke i lënë të pa punë e pa shkollë, me bastisje të shtëpive, burgosje pa kurrfarë faji etj., që filloi me arrestimin e intelektualëve të paktë shqiptarë, me pretekstin se ishin tubuar në organizata ilegale dhe me akuzën për rrëzimin e pushtetit. Një gjë e këtillë e tmerrshme kishte katandisur edhe familjen e Abdylsamiut, në mënyrë që babai i tij kishte ikur në Turqi, ku kishte jetuar 15 vjet, ndërsa vëllai i madh Shefajeti, ishte burgosur dhe dënuar 5 vjet, pasi ishte kapur në kufi për në Shqipëri.

Fat të ngjashëm kanë pasur edhe të rinj të tjerë nga Tetova. Kështu, të birin e Sulejmanit, djali i xhaxhait të arsimtarëve Salajdin dhe Nexhmedin, që jetonin në një lagje te Eski-Xhamia, morën kur kishte 24 vjeç dhe e lënë të vdekur nga torturat në kazamatet e Shkupit. Edhe i biri i Hafëz Gafurit nga Eski-Xhamia dhe disa të tjerë, si Tahir Ivanja, u persekutuan nga pushteti, me gjithë të vëllanë nga mëhalla e Teqesë. Në vitin 1946 ishte formuar organizata ilegale NDSH, por vetëm disa vite më vonë, më 1951, pushteti ndërmori aksionin e arrestimit të shqiptarëve nga radhët e mësuesve, për të shkatërruar arsimimin e shqiptarëve.

“Kam qenë ndër nxënësit e parë të shkollës fillore sapo të hapur “Liria” në Tetovë, në vitin 1951, kur UDB-a arrestoi arsimtarët tanë, vëllezërit Sulejman dhe Qerim Arifi, të cilët i dënuan me burg. Atëherë u burgos dhe prof. Murat Isaku, shkrimtar, kurse klasën ku mësoja e mori mësuesja Emine Vela. Më vonë na dërguan në një objekt të papërshtatshëm, në medresenë e Eski-Xhamisë, ku mbetëm dy vjet, për t’u kthyer sërish në SHF “Liria”, kujtohet sot Abdylsamiu.

Lagjet e Tetovës kasaba

Tetova e asaj kohe identifikohej qartë me lagjet e saj. Rrugës së quajtur “e Gostivarit”, sot “Ilinden”, në drejtim të qendrës së qytetit, në anën e djathtë ka qenë vendi i quajtur “Dulija” (që është zhdukur që moti), ku tregtarët paguanin taksa për të hyrë në qytet(!). Në të djathtë ishte Monopoli i vjetër, ndërtuar që nga koha e Turqisë. Në krahun e majtë, ishte Teqeja Sersem Ali Baba, sot e njohur si Harabati Baba, ndërsa në të djathtë ndahej mëhalla e Klikovës, ndërsa pranë ishte Bafçja e Përzhës, të cilën e kishte nacionalizuar shteti pas Luftës së Dytë Botërore, pronë e Sali ef. Përzhës, i cili me presion të pushtetit ishte detyruar të shpërngulet në Turqi.

Një rrugë tjetër shpinte te fushat pjellore të qytetit, pronë e shqiptarëve, ku një pjesë e mirë u nacionalizua në vitin 1951 për ndërtimin e Fabrikës së tekstilit, më vonë e njohur si “Teteks”. Para se të arrihej në këtë fabrikë, u zaptuan edhe fusha të tjera të bukës të shqiptarëve, për të ndërtuar banesa kolektive për punëtorët, që vinin edhe nga qytetet e tjera. Më vonë, u nacionalizuan edhe sipërfaqe të tjera pjellore, për të ndërtuar banesa për maqedonasit e Egjeut, që kishin ikur gjatë luftës nga Greqia, për në shtetet e Evropës lindore. Atyre u premtuan punë dhe banesa, për qëllime politike dhe demografike.

Në Çarshinë e madhe, spikatej Xhamia, e bardhë si pëllumbi, me një sipërfaqe të madhe për falje, me shatërvan dhe me shumë çezme. Çezmat ishin të radhitura në tri nivele, që ishin në shërbim të besimtarëve. Në të majtë të xhamisë ishin disa varreza të vjetra të personaliteteve të shquara fetare. Në kompleksin e saj kishte mjaft gjelbërim dhe vende për të pushuar qytetarët. Në të djathtë ishin zyrat e Myftinisë së Tetovës, një godinë e vakëfit që një kohe kishte shërbyer si medrese.

Vetë sheshi kishte përreth ndërtesa dykatëshe, me stilin arkitektural të asaj kohe, me shumë dyqane për konsum të gjerë të qytetarëve, ndërsa kopshti i madh i një shtëpie që ishte nacionalizuar nga shteti, pronë e familjes së Abdurahman Kargës, që kishte kryer filozofinë në Romë të Italisë dhe ishte profesor në Gjimnazin e Tetovës, ishte shndërruar në kinema të hapur të verës. Pas kalimit të kësaj prone në duar të shtetit, familja e Abdurahman Kargës u detyrua të shpërngulet në Turqi. Në veri të sheshit të qytetit ishte një rrugicë përplot me dyqane zejesh, disa dhjetëra sosh, ndërsa në skajin e epërm të saj ngrinte shtat Posta e vjetër, me arkitekturë të spikatur.

Në rrugën e Kaçanikut, në të djathtë ishte Banka e qytetit dhe një zdrukthëtari e madhe. Aty pranë rrugës, ishte edhe një Han i Babës Nazmi, i cili kishte pajtona me kuaj që bënte punën e “taksistit”. Më andej, ishte Hani i Daut Arabaxhiut, i cili po ashtu kishte pajtona për të shitur dhe për të dhënë me qira. Aty pranë shtëpia e madhe e arkitekturës së kohës, e doktorit të njohur Evçeviq, pastaj shtëpia e Hamdi Arifit, i cili merrej me bartjen e mallrave prej Tetove për në Shkup dhe Gostivar e anasjelltas.

Prej dy djemve të Hamdi Arifit, njëri quhej Beko. Për të flitej një legjendë: Në kohën e demonstratave të Tetovës, në vitin 1968, ai kishte ndaluar muzikën në Kafenenë e Fuat Mandos, që ishte në një cep të Pazarit. Këtë e kishte bërë për shkak të burgosjes së një numri të madh të shqiptarëve, pas demonstratave të ’68-tës. Në ndërkohë, vjen Tahiri, një bashkëpunëtor i policisë dhe kërkon që të lëshohet muzika. Ngrihet në këmbë Beko, kap për fyti atë dhe e ofendon keq. Bëhet një tollovi në kafene, që përfundon pa pasoja më të rënda.

Prej Xhamisë së Pashës, drejt rrëzë maleve, përballë Gjimnazit të Tetovës, ishin pallatet dhe konakët e pashallarëve të Tetovës. Kjo rrugë, shpinte në Bazhdarhane, prej nga vazhdonte për në fshatrat e malësisë. Në gjysmë rrugë, në të majtë, ka qenë shtëpia e Sheh Mustafa Tetovës, një personalitet i shquar, i cili ka qenë pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit, në vitin 1878 dhe, pa mëdyshje, krenaria e Tetovës kasaba.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

DOKUMENTAR

DR.MATHIEU AREF: 'PELLAZGËT DHE GREQIA E LASHTË'

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks