SHKRIMI
e diel, 19 nëntor 2017

KUSHTRIM BEKTESHI: VLERA E FRYRË SI FENOMEN SHOQËROR!

Pashtriku.org, 31 tetor 2017: Kur donin ta thumbonin ose ta përqeshnin dikë që i ishte ‘rritur mendja’, i thoshin: je fryrë si buka e furraxhisë. “Syrin ta ngop, por jo dhe barkun” - shpesh më sillet nëpër mend kjo thënie kur mendoj për fenomenin e një gjëje tjetër të fryrë në shoqërinë tonë - vlerën.

Gjatë kohës kur Kosova ishte nën okupimin serb dhe thuajse gjithë shqiptarët e Kosovës ishin larguar nga puna e mezi mbijetonin, gjëja që më së shumti e kujtoj gjatë qëndrimeve të mia atje është era e bukës së blerë. Çdo ditë familjarët e mi në Kosovë blinin nga dy qese përplot me bukë të sapopjekur, thuajse po shtronin sofrën për pesëdhjetë mysafirë të ftuar. Por, e vërteta ishte se gjithë ato bukë bliheshin për nevojat e një porcioni ditor për shtatë-tetë persona. Atë bukë aq shumë e fryenin furraxhinjtë, aq sa po ta shtypje të mblidhej e tëra në grusht. Aq ishte vlera e vërtetë e asaj buke – sa një grusht, por receta enigmatike që përdornin mjeshtrit furraxhinj e bënte të dukej sikur të kishte dhjetëfishin e sasisë së vërtetë dhe me atë vlerë edhe e shisnin.

Familjarët e mi shpesh bënin ironi me këtë fenomen të kohës duke thënë “kjo bukë syrin ta ngop, por jo dhe barkun”. Kur donin ta thumbonin ose ta përqeshnin dikë që i ishte ‘rritur mendja’, i thoshin: je fryrë si buka e furraxhisë. “Syrin ta ngop, por jo dhe barkun” – shpesh më sillet nëpër mend kjo thënie kur mendoj për fenomenin e një gjëje tjetër të fryrë në shoqërinë tonë – vlerën. Vlera të fryra që shfaqen si kërpudhat pas shiut dhe promovohen me ngulm si të tilla, qoftë në politikë, gazetari, kulturë apo art. E pastaj fryhen e fryhen nëpër media, portale, kuluare, rrjete sociale, biseda kafenesh e besa edhe biseda akademike, sa thua ti ke të bësh me individë që kanë dhunti gjenialitetin. Mjafton t’ua heqësh fasadën, gjithë bujën që ua krijojnë mjeshtrit e propagandës, dhe si puna e bukës së fryrë, sheh se vlera e vërtetë e tyre është aq e vogël sa nuk vlen as të matet në kandar.



Po ku i ka rrënjët fenomeni i vlerës së fryrë që vjen gjithmonë i imponuar në mesin tonë!? “Furraxhinjtë” e këtij fenomeni gjithmonë janë të punësuar në furrat e pushteteve që për qëllim kanë kahëzimin e mendimit dhe shijes së masës aty ku ata duan.

Ta kujtojmë pak sistemin monist të ish-Jugosllavisë.

Në raport me shqiptarët pushteti në mënyrë sistematike, me direktiva të qarta ka investuar në krijimin e vlerave të fryra ndër shqiptarë, me qëllim që këta individë me idetë dhe qëndrimet e tyre mëpastaj ta ç’orientojnë masën nga aspiratat për të qenë të barabartë me kombet tjera që e përbënin federatën Jugosllave. Me një fjalë, nëpërmes këtyre vlerave të fryra, pushteti është përpjekur që t’ua lajë trurin me akull shqiptarëve dhe t’ua krijojë iluzionin se jetojnë në një sistem që as me parajsën s’ka të krahasuar. Pushteti, me aparaturën e tij propagandistike impononte këto vlera të fryra që në librat shkollorë për filloristë, duke ua servuar fëmijëve heronjtë e kamufluar dhe autorët mediokër shqiptarë si modele të arritjeve më të mëdha të historisë dhe kulturës tonë.

E njëjta metodologji aplikohej edhe në teatër ku aktorë të patalentuar promovoheshin si talentë të jashtëzakonshëm dhe “talentin” e tyre e kishin për detyrë ta shpërfaqnin kryesisht nëpër manifestime kombëtare, duke çjerrë zërin gjatë leximit të poezive patriotike dhe duke parakaluar si palaço rrugicave, të maskuar me petkun e heronjve kombëtarë (imazhe të cilat kemi pasur rastin t’i shohim edhe në kohën e sotme). Sistemi monist, në anën tjetër, me të njejtën aparaturë propagandistike shfrytëzonte metoda çnjerëzore për t’i mbajtur nën hije dhe për t’i heshtur gjithë ata individë që përfaqësonin vlera të mirëfillta në fushën e profesionit ku ata vepronin, por që nuk i përshtateshin qëllimeve të pushtetit. Sigurisht, asgjë nuk arriti t’i heshtë në vendosmërinë e tyrë për t’i shërbyer kauzës kombëtare, edhe përkundër masave të tmerrshme represive që i ushtronte pushteti ndaj tyre. Fatmirësisht ai sistem dështoi në përpjekjen për zhbërjen e indit tonë kombëtar, gjë që e tregon realiteti historik i kohës së sotme. Por, edhe përkundër shpërbërjes së atij sistemi monist, jo se nuk mbetën fosile që ende edhe sot përpiqen të klonojnë e indoktrinojnë ndër të rinjtë idetë e një kohe të shkuar duke i përshtatur me rrethanat e sotme - por gjithmonë me të njejtin qëllim të sistemit të shkuar monist. Dallimi është vetëm tek metodologjia e propagandimit, mënyra e plasimit të ideve dhe servimit të “vlerave”. Derisa në sistemin monist propagandimi bëhej në mënyrë direkte nëpërmes kanaleve shtetërore televizive dhe gazetave (që në atë kohë ishin të pakta në numër dhe i nënshtroheshin një cenzure të rreptë), prapseprapë qëllimet e kësaj propagande ishin më lehtë të identifikueshme dhe jorastësisht shumica dërrmuese e shqiptarëve të asaj kohe shumë shpejt dhe pa hamendje u rreshtuan në anën e intelegjencës që luftonte për kauzën kombëtare. Ndërsa sot, kur cenzura totale dhe masat represive duken çështje të një kohe të shkuar, propagandimi vjen i mbështjellë me letër të bukur zbukuruese dhe plasohet me elegancë nëpërmes mediave të shumta elektronike dhe të shkruara, sidomos nëpërmes “port-haleve” elektronike dhe rrjeteve sociale, duke krijuar kështu një mjegullinë për syrin e rëndomtë në identifikimin e informaconit të vërtetë nga dezinformacioni, gënjeshtrës nga e vërteta, vlerës nga antivlera. Prandaj sot, si kurrë më parë, na duhet prezenca e mendimit të thellë analitik dhe kritik, debateve përmbajtësore nëpër mediat elektronike dhe të shkruara, qoftë për politikën, historinë, gazetarinë, kulturën apo artin, me qëllim që mos t’i lihet shteg servimit të vlerave të fryra që për qëllim kanë kontaminin e ambientit tonë politik e kulturor. Në të kundërtën, në këtë kakafoni debatesh të çorientuara e inatçore që po mbizotrojnë në mesin tonë, në gjithë këtë lëmsh idesh, orientimesh dhe vizionesh për të ardhmen, në gjithë këtë arrogancë konfrontimesh në politikë, në gjithë këtë formë pa përmbajtje që kryesisht po mbizotëron në kulturë dhe art, rrezikojmë që “vlera e fryrë” të bëhet lehtë e pranueshme dhe si e tillë të arrijë ta kahëzojë mendimin dhe shijen e masës së gjerë. “Vlerave të fryra” që proklamojnë idetë neokomuniste ku shqiptarët duhet t’i rikthehen mandolinës e t’i bien çiftelisë, apo atyre që proklamojnë idetë neotomane ku shqiptarët duhet të rishkruajnë historinë dhe të zhyten në ujërat e turbullta të debateve ekstreme religjioze, u duhet dhënë një përgjigje e vendosur kolektive e mbarëkombëtare që ato ide përfundimisht duhet të flaken me rrënjë e farë nga realiteti ynë. Kjo përgjigje duhet të jetë e prerë, pa pardon dhe pa rezerva.

***

Po i kthehem përsëri bukës së fryrë nga kujtimet e fëmijërisë time. Familjarët e mi kursyen xhepin dhe ngopën barkun kur e kuptuan se duhej të fillonin vetë ta gatuanin bukën, e mos të lejojnë të mashtrohen nga furraxhinjtë e panjohur që iu shisnin bukën e fryrë që vetëm syrin ta ngopin, por jo dhe barkun. 'Panalbanica'.

- Autori është regjisor.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks