SHKRIMI
e diel, 19 nëntor 2017

ISMAIL ARSLLANI: NJË 'FESTË' E MALLKUAR E TETOVARËVE

Tetovë, 14 nëntor 2017: Në të kaluarën e një sistemi të perënduar monist, në Tetovë, sikundër edhe në disa qytete të tjera të Maqedonisë, shqiptarët kudo që jetonin, me pak ndikim e pa pushtet, ishin të detyruar të shënonin disa “festa” që, në fakt, nuk ishin të tyre. Cila është, në të vërtetë, etimologjia e festës: Ditë e shënuar që kremtohet çdo vit për të përkujtuar një ngjarje të rëndësishme në jetën e një populli; ditë që dallohet nga të tjerat se lidhet me një ngjarje të caktuar e të gëzuar; festë kombëtare, festë zyrtare e ditë pushimi për gjithë popullin, për një ngjarje me rëndësi të veçantë historike e shoqërore, si festa e çlirimit, festa e nëntorit etj. Por është një pikëpyetje e madhe nëse festat ishin kështu edhe për shqiptarët.

“Festat” për shqiptarët ishin avaze të vjetra, që filluan nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore (1945) e vazhduan deri në shembjen e sistemit monist (1991), kur festohej pushtimi dhe proklamohej “çlirimi” (lufta nacionalçlirimtare etj).

Së këndejmi, kur flitet për festat e çlirimit, duhet kujtuar se Tetova ishte “çliruar” e fundit prej qyteteve, meqë ishte bastion i shqiptarizmit, dhe ky “çlirim” erdhi pas një tradhtie të partizanëve shqiptarë, të cilët, në emër të “vëllazërim-bashkimit” me popujt sllavë, lejuan hyrjen e aradheve partizane në këtë qytet, më 19 nëntor 1944.

Që atëherë e deri më 1991, kur Maqedonia u shkëput nga ish-Jugosllavia, me shpalljen e pavarësisë, për afër pesë dekada, shqiptarët në Tetovë kanë “shënuar” me detyrim “ditën e çlirimit”, me një varg manifestimesh. Si dukej shënimi i një feste moniste në Tetovë: në orën pesë të mëngjesit, derisa tetovarët ishin në gjumë, dëgjoheshin të shtëna armësh të pjesëtarëve të APJ-së, në mesin e të cilëve edhe ushtarë shqiptarë, duke improvizuar një sulm, për të kujtuar “hyrjen” e aradheve partizane dhe “çlirimin” e qytetit. Më pastaj, vendoseshin kurora lulesh nga delegacione të Lidhjes së Luftëtarëve të LNÇ-së te përmendorja e Gruas pranë Pallatit të Kulturës, te bustet e heronjve maqedonas në sheshin e qytetit dhe te varrezat e partizanëve. Mbahej akademi solemne në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës, me ç’rast ndaheshin mirënjohje dhe shpërblime tradicionale etj., si dhe bëhej pranimi solemn i personave “me merita” tek kryetari i komunës.



Çfarë festonin në të vërtetë shqiptarët e Tetovës, përderisa kishin neveritje ndaj kësaj date që dukej e shëmtuar në kujtesën e tyre kolektive? Çka kishte ndodhur në Tetovë atë ditë, shumë vite më parë? Tetovarët e vjetër kanë qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të ngjarjeve të asaj kohe, por edhe brezat e rinj kishin dëgjuar më vonë për djallëzinë dhe gjenocidin që ishte inskenuar ndaj shqiptarëve në ditën e hyrjes së aradheve partizane në Tetovë.

Atëbotë, nga frika për ndonjë revoltë apo kryengritje të shqiptarëve pikërisht në ditën e hyrjes në Tetovë, strukturat komanduese të partizanëve, me direktivë të Shkupit, kishin urdhëruar arrestimin e dhunshëm të të gjithë burrave tetovarë nën kërcënim të tytave dhe mbylljen e tyre në objektin e Monopolit të Tetovës. Aty ishin grumbulluar me mijëra burra shqiptarë (numri i tyre lëviz prej 6-15 mijë), për të bërë një katrahurë të vërtetë që ishte projektuar të përfundojë me vrasjen dhe zhdukjen e tyre në kthinat e ngushta të monopolit të duhanit. Ishte fat i madh, që këta njerëz shpëtuan nga një tragjedi më e madhe, të cilën do ta mbante mend historia, meqë ndërhynë disa ushtarakë të lartë shqiptarë, ndonëse në ndërkohë ishin vrarë dhe zhdukur një numër i tyre në mënyrën më mizore, pa u sqaruar rastet sot e kësaj dite.

Si ka ndodhur ngjarja, çka i ka paraprirë kësaj? Disa dëshmitarë të kohës, i kanë deklaruar para shumë vitesh autorit të këtij shkrimi, se pas Luftës së Dytë Botërore, partizanët, oficerët dhe komunistët shqiptarë që kishin nën kontroll Tetovën para kapitullimit gjerman dhe hyrjes së partizanëve nëpër qytete, për të evituar ndonjë hakmarrje eventuale ndaj popullatës shqiptare, kishin organizuar vetëdorëzimin e Tetovës më 14-15 nëntor të vitit 1944, por edhe ky gjest i vullnetit të tyre nuk ndihmoi që të ndërmerret një fushatë hakmarrjeje ndaj shqiptarëve që përfundoi në Monopol. Aradhet partizane të stacionuara andej Grupçinit, diku në mes të rrugës Tetovë-Shkup, hezitonin të hynin në Tetovë nga frika e ndonjë komploti të mundshëm. Komandantët partizanë e konsideronin Tetovën si bastion të ballistëve, ndaj dhe për disa ditë shtynin hyrjen në këtë qytet.

Pas shumë hamendjeve, në mëngjesin e 19 nëntorit të vitit 1944, kishin marrë guximin që të hynin në Tetovë, duke shtënë nga armët e tyre në ajër, sepse përpara vetes nuk kishin ndonjë rezistencë dhe aradhet partizane erdhën pa shkrepur asnjë plumb. Që të jetë absurdi edhe më i madh, partizanët dhe komunistët shpallën pikërisht këtë ditë tmerri dhe represioni ndaj shqiptarëve me mbylljen e burrave dhe masakrimin e tyre në Monopol, si ditë e “çlirimit” të Tetovës.

Golgota e shqiptarëve nuk përfundoi vetëm me Monopolin, por edhe me thirrjen e bijve më të mirë shqiptarë nga Tetova, në emër të “vëllazërim-bashkimit” dhe të LNÇ-së, që t’i kyçeshin luftimeve të fundit në frontin e Sremit afër Beogradit, për të qenë “mish për top” të gjermanëve që ishin para kapitullimit. Mijëra të tjerë u dërguan në Tivar, ku u vranë dhe u likuiduan pa kurrfarë faji, vetëm pse ishin shqiptarë.

Partizanët proklamonin “barazinë” me shqiptarët, por në praktikë kjo ishte vetëm përmes grykës së pushkës, diktatit të nënshtrimit dhe të diskriminimit. Ky “model” i premtimeve të mëdha e boshe që u ishin dhënë shqiptarëve, nuk ishte ushtruar vetëm në Tetovën shqiptare, por edhe në Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë, Manastir, Kumanovë, Shkup e në vendbanime të tjera. Kjo situatë ishte përjetuar mjaft rëndë nga shqiptarët. Dëshpërimi i popullatës shqiptare të këtyre trevave ka qenë mjaft i madh, pas një jete disa vjeçare nën administrimin e Shtetit Shqiptar (1941-1944) dhe kjo kthesë radikale në jetën e tyre, kishte shkaktuar trauma të pashlyeshme. Aq më shumë se këta pushtetarë të rinj komunistë, këtë proces të ndërrimit të pushtetit e quajtën “çlirim kombëtar”, ndërsa shqiptarët u detyruan këtë edhe ta “festojnë” për disa dekada.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks