SHKRIMI
e enjte, 19 korrik 2018

DR.SADRI FETIU: KULTI DHE AUTORITETI

Prishtinë, 13 janar 2018: Që të dyja këto fjalë janë me origjinë latine. Në fjalorë të gjuhëve të ndryshme evropiane kanë spjegime të dallueshme midis tyre. Kështu cultus shpjegohet si i adhuruar, dhe ka të bëjë me adhurimin fetar, shërbesën fetare ndaj ndonjë hyjnie. Por, fjala ka marrë edhe kuptimin e adhurimit të tepruar ndaj dikuj, të cilit i vishen cilësi të jashtëzakonshme (të rrejshme) dhe kërkohet përulje, gjunjëzim përpara tij. Në politikë është krijuar edhe shprehja kult i personalitetit, si idealizimi i tepëruar ndaj ndonjë personi dhe përkrahja e verbër ndaj autoritetit të tij të trilluar. Shprehja ka origjinë nga N. S. Hrushçovi, i cili në Kongresin e 20-të të P. K. Bashkimit Sovjetik ka mbajtur referatin “Për kultin e personalitetit dhe pasojat e tij të dëmshme”, me të cilin është kritikuar kulti i Stalinit. Ndërkaq, fjala latine auctoritas shpjegohet si “nderim i fituar me punë e me meritë; vlerë, rëndësi dhe aftësi e dikujt që pranohen nga të gjithë dhe që ngjallin bindje dhe besim”. Prandaj konsiderohet autoritet një njeri i shquar në fushën e dijes apo edhe të jetës shoqërore, që ushtron ndikim të dukshëm në shkencë ose edhe në shoqëri.

I mora në vështrim këto dy fjalë neolatine në gjuhën tonë me qëllim të caktuar, sepse kam vërejtur këto ditë në dorëheqjet e disa aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje po flitet për njëfarë kulti të Albin Kurtit, i cili u paska dalë si pengesë për veprimtarinë e tyre të mëtutjeshme në pozitat udhëheqëse brenda kësaj lëvizjeje. Politikanët e këtillë sikur kanë harruar, apo nuk e kanë ditur fare, se kulti i individit mund të krijohet nga sundimtari me pushtet të pakufishëm diktatorial, siç ishin: Stalini, Titoja, Çausheski etj., e jo nga njeriu që në vazhdimësi ka punë me gjykata, dënime dhe burgje, siç ishte dhe siç është edhe sot e kësaj dite rasti i Albin Kurtit. Këta politikanë, sipas të gjitha gjasave paskan planifikuar që ta mënjanojnë përgjithmonë Albinin nga jeta politike e sidomos nga udhëheqja në Vetëvendosje, të cilën ai në vazhdimësi e ka ndarë me të tjerët, duke u dhanë mundësi që ata të jenë në pozita të larta, e madje edhe në krye të Lëvizjes (p. sh. Visar Ymeri, i cili, sipas gjasave, paska menduar se duhet të jetë kryetar edhe në mandatin tjetër, duke pohuar: “Albini jo, kurse unë - mundet (apo bën))!

Nuk jam anëtar i “Vetëvendosjes”, por e kam përcjellë në vazhdimësi aktivitetin e saj dhe e njoh shumë mirë Albinin që nga mosha e tij me e re. E kam lexuar me shumë vëmendje dhe e kam mbajtur një fjalë në përurimin e librit të Albinit, të botuar më 2007, prandaj i jap vetes të drejtë që të konstatoj se Albin Kurti me punën dhe me jetën e tij është autoritet i pakontestueshëm në jetën tonë shoqërore. Ky autoritet është bërë i padurueshëm për të gjithë ata që janë bërë pjesëtarë të Lëvizjes “Vetëvendosje” për interesa të ngushta personale, e në mënyrë të veçantë - tmerrësisht i padurueshëm - për ata që kanë pasur synim “t’ia zënë” vendin Albinit. (?!)

Këtu, dhe askund tjetër, qëndron enigma e dorëheqjeve “të fabirikuara” të disa “kuadrave udhëheqëse” në “Vetëvendosje”, pas miratimit të kandidaturës së Kurtit për kryetar të Vetëvendosjes…

Me qëllim që të njihet plotësisht autoriteti i pakontestueshëm i Albin Kurtit, i krijuar me punë dhe përkushtim para më shumë së dhjetë vjetëve, lexuesit duhet ta lexojnë librin e tij “ Zgjohu! Për rezistencë drejt lirisë”, të botuar më 2007, ose të paktën, fjalën time të përurimit të librit me titull “E vërteta jonë e hidhur”, që po ia bashkangjes këtij shkrimi.




DR.SADRI
 FETIU: E VËRTETA JONË E HIDHUR


Fjalë e mbajtur më rastin e përurimit të librit të Albin Kurtit “ZGJOHU! Për rezistencë drejt lirisë”, Prishtine, 2003 – 2007, f. 334.


Pjesëmarrës të ndërtuar, sot jemi të gjithë dëshmitarë të një situate të veçantë, sepse po përurojmë veprën e një njeriu, i cili duke vepruar për lirinë e plotë njerëzore, nuk është vetë i lirë që të jetë këtu bashkë me ne, që të dëgjojë se çka do të thuhet për punën e tij. Por, Albin Kurti edhe në burgun e tij shtëpiak, edhe në burgun e vërtetë të UNMIK-ut, ashtu si edhe në burgjet e Serbisë, është si gjithmonë i lirë shpirtërisht, sepse nuk ka burg që mund ta mbajë brenda idenë liridashëse.

Këtu, në këtë libër që kemi para nesh është shpirti i lirë i Albinit. Këtu është mendja e ndritur e tij. Në burgun më të errët të obskurantizmit janë në të vërtetë ata që përpiqen pa sukses t’ua mbyllin rrugën ideve liridashëse të Albin Kurtit, ata që sot e robërojnë popullin tonë duke ia mohuar lirinë, duke ia shkelur brutalisht të drejtën e tij për vetëvendosje. Në burgun e turpit janë edhe ata që kanë krijuar konsensusin e plotë për të heshtur, për t’iu nënshtruar me shumë përultësi politikës që synon ta ruajë pozitën tonë të përcaktuar nga dhunuesi ynë shekullor, që është kodifikuar nga organi më i lartë ndërkombëtar, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me Rezolutën famëkeqe 1244. Me në fund, do ta themi se në burg jemi të gjithë ne që presim tash tetë vjet të zgjidhet statusi ynë.

Libri i Albin Kurtit “Zgjohu! Për rezistencë drejt lirisë” është përmbledhje e shkrimeve të tij të periudhës 2003 -2007, në të cilat me një gjuhë racionale pohohet e vërteta jonë e hidhur. Ky libër i Albin Kurtit vjen në kohën kur për fatin tonë, për të ardhmen tonë, presim në mënyrë rraskapitëse që të vendosin të tjerët, kur jemi bërë objekt i lojës, i kusuritjeve të politikave të huaja, kur jemi përkundur në përgjumjen e përgjithshme që na ka caktuar e ashtuquajtuara politikë gandiste e pacifiste e partisë më të madhe të Kosovës, pas qerres së të cilës e kanë lidhur fatin e vet edhe partitë e reja, të ashtuquajtura “të krahut të luftës”, që në ngutje marramendëse për të marrë pjesë në pushtet, e harruan qëllimin për të cilin kishin luftuar dhe ishin flijuar bijtë më të mirë të popullit tonë.

Libri i Albinit synon ta pohojë të vërtetën për gjendjen tonë të sotme. Në të është bërë analiza e hollësishme shkencore e gjendjes sonë të përgjithshme, sociale, politike e psikologjike, është përimtuar deri në hollësi politika e UNMIK-ut si model i ri i politikës pragmatike, si edhe sjellja nënshtruese e vendorëve, e të ashtuquajturave organe të vetëqeverisjes vendore ndaj të huajve, që në Kosovë paraqesin pushtetin e vërtetë autarkik.

Albin Kurti në këtë libër është marrë gjerësisht edhe me rrethanat e krijuara që nga Konferenca e Rambujesë e deri sot, duke hetuar vijën e pashkëputur të veprimeve të politikës kundër interesave jetike të popullit tonë, si edhe mashtrimin dhe hutimin e shqiptarëve, që menduan se u çliruan përfundimisht nga Serbia në qershor të vitit 1999. Këtu me argumente bindëse pohohet synimi i politikës evropiane, jo për ta zgjidhur çështjen kombëtare të shqiptarëve, për ta liruar nga sundimi i huaj popullin e Kosovës, por vetëm për t’i zbutur pasojat e regjimit të Milosheviqit me anë të realizimit të të drejtave njerëzore. Duke i zbërthyer në hollësi të gjitha veprimet konkrete të UNMIK-ut, sidomos kërkesën për plotësimin e standardeve para statusit, autori i librit na ballafaqon drejtpërdrejt me politikën që shkon në favor të ruajtjes së parimeve themelore

të Rezolutës 1244. Në këtë rast vihet në dukje jo vetëm vazhdimësia e pakufizuar e administrimit të huaj në Kosovë dhe absolutizmi i tij, i kamufluar me adminstratën vendore, por edhe sjellja shpërfillëse e të huajve, mediokriteti i tyre ndaj vendorëve të përbuzur që me sjellje dhe veprime nuk dallohen me asgjë nga vendasit e vendeve të kolonizuara të Afrikës në gjysmën e parë të shekullit XX. Mu për këtë Albin Kurti në libër angazhohet që UNMIK-u si frenues i zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës, si mohues thelbësor i demokracisë së vërtetë, si keqpërdorues i saj për qëllime vetanake, të largohet sa më parë nga Kosova.

Në shkrimet e Albinit është analizuar në hollësi edhe politika e Serbisë, e cila në thelb nuk ka ndryshuar me asgjë, sepse ka mbetur politikë koloniale ekspansioniste, e njëjtë me atë të kohës së Nikolla Pashiqit, që i shfrytëzonte të gjitha mundësitë për t’i ruajtur territoret e pushtuara dhe për ta zgjeruar politikën kolonizuese në Kosovë. Në këtë drejtim është parë si tepër e rrezikshme politika e decentralizimit, që në thelb nuk ka qëllim që pushtetin t’ia ofrojë qytetarit, por që të krijojë mundësi për depërtime të Serbisë sa më thellë brenda territoreve me shumicë shqiptare, duke krijuar mundësi që komunat etnike serbe të popullohen me kolonë të rinj të sjellë nga Serbia në emër të kthimit të qëndrueshëm. Kritikës së argumentuar i shtrohet edhe çështja e multietnicitetit të Kosovës, si edhe eksterritorialiteti i kishave dhe manastireve ortodokse, sidomos në viset e qindpërqinda shqiptare të regjionit të Dukagjinit.

Në këtë rast duke parë ballë për ballë perfiditetin e politikës serbe dhe vetëshpërfilljen e anëtarëve të grupit negociator, që brenda kërkesave për konsensuesin e paqëllimtë u shndërrua edhe në grup të Unitetit, autori i këtyre shkrimeve e përmban shpesh zemërimin e tij, duke e zëvendësuar atë në vetëpërmbajtje me anë të një ironie të hollë që dëshmon aftësinë e veçantë të shprehjes, që e shquan edhe stili karakteristik i shprehjes intelektuale.

Krahas analizës së gjithanshme të sjelljeve vetëshpërfillëse

të politikanëve të Kosovës, në librin e Albinit trajtohet edhe politika e shtetit shqiptar, që vepron gjithnjë një hap pas kohës dhe, duke defaktorizuar vetveten deri në pafundësi. Albini kështu na ballafaqon me shumë të vërteta të hidhura, prandaj qëndrimet e tij ndodh që edhe të keqkuptohen, sepse ne shqiptarët e Kosovës me veprimet politike të faktorit vendor dhe me politikën e veçantë të administratës së përkohshme të UNMIK-ut, që ka qëllim ta kamuflojë dhe ta mjegullojë sa më gjatë pozitën tonë të vërtetë, e kemi krijuar bindjen se punët tona po ecin në drejtimin e duhur.

Ç’ është e vërteta, libri i Albin Kurtit, në vazhdimësinë e tij kronologjike që nga viti 2003 e deri sot, e tregon të kundërtën. Shkrimet e para të këtij libri e lënë përshtypjen e konstatimeve hipotetike, por tash në vitin 2007, që të gjitha i ka vërtetuar koha, sepse Albini si njohës i mirë i rrjedhave të politikës evropiane i kishte vërejtur me kohë ecuritë e caktuara të kësaj politike, prandaj edhe ishte përcaktuar qartë për të drejtën themelore të popullit për vetëvendosjen si garanci të lirisë dhe zhvillimit demokratik të popullit të Kosovës.

Thirrja për zgjim që bëhet në vetë titullin e librit mund të krijojë përshtypje të gabuar se këtu kemi të bëjmë me një vepër thjesht propagandistike, me shkrime plot parulla fraze¬ologjike, që janë karakteristike për veprat e revolucionarëve e të prijatarëve të lëvizjeve të caktuara politike. Në këtë rast ndodh e kundërta: libri i Albin Kurtit është shkruar me një stil që e karakterizon logjika e ftohtë e studiuesit të mirëfilltë të çështjeve të caktuara, me një shprehje të njohësit sovran të çështjeve të trajtuara. Edhe në rastet kur shkrimet kanë kara¬kter polemizues, kur në to ka edhe ndonjë përbërës pamfletik, ato kanë gjithnjë për bazë argumentin shkencor dhe parimin e caktuar filozofik. Për t’i dëshmuar më qartë idetë e tij, autori në shumë raste u referohet edhe autorëve të tjerë të arealit të përgjithshëm evropian e botëror. Ai në këto shkrime dëshmon se i njeh mirë pikëpamjet e filozofëve të shquar të botës bash¬këkohore.

Albin Kurti është intelektual i formuar i brezit të ri. Ai mund të matet me sivëllëzërit e tij kudo në Evropë dhe në botë, sepse jetën e vet të deritashme dhe vitet e burgut i ka shndërruar në shkollë të vazhdueshme të përsosjes së intelektit të tij. Ai hyn në radhën e shqiptarëve të paktë që e ka mposhtur plotësisht ndjenjën e përgjithshme të inferioritetit, e cila i karakterizon popujt që kanë jetuar një kohë të gjatë në robëri, mu ashtu siç ka ndodhur edhe me ne shqiptarët.

Albini, intelektual e dëshmon veten dhe përvojën e vet studiuese edhe në një nga shkrimet e tij më të suksesshme të këtij libri, që u kushtohet mu intelektualëve. Ky shkrim, i mbështetur mirë në argumente shkencore, i pajisur edhe me referenca përkatëse të mendimtarëve të ndryshëm, mund të karakterizohet si manifest i vërtetë për rolin e intelektualëve në një shoqëri të organizuar demokratike që synon zhvillimin dhe përparimin.

Duke u nisur nga parimet themelore për pozitën e intelektualit sot dhe për rolin që duhet të luajë ai për të mirën e popullit të tij dhe të mbarë njerëzimit, Albin Kurti konsideron se mison i shenjtë i tij është liria e përgjithshme të cilin, ai e sheh në të drejtën për vetëvendosje, e cila, si e drejtë e garantuar ndërkombëtare, u takon të gjithë popujve. Ky është synimi i tij në këtë vepër, me të cilën ai do që ta zgjojë popullin nga apatia, nga mashtrimi, nga kamuflazhet që ia kanë bërë politikanët vendorë të cilët ai, në disa, raste i quan edhe kolaboracionistë, konsensualistë dhe të neveritshëm, si edhe politika e UNMIK-ut, e cila e ka keqpërdorur të drejtën demokratike të popullit për ta përligjur vazhdimësinë e sundimit të vet absolut dhe organet e vetëquajtura të pushtetit vendor, që shërbejnë si dekor i demokracisë, prapa të cilit fshihen interesat e ngushta vetjake të ndërkombëtarëve të korruptuar dhe të pushtetarëve vendorë, që punojnë për vete, pa i përfillur të drejtat e popullit për liri e zhvillim.

Libri i Albinit, “Zgjohu! Për rezistencë drejt lirisë” më në fund, dëshmon ecurinë e kundërt të politikës me interesat

e përgjithshme të popullit. Ai, me një gjuhë të drejtpërdrejtë, me argumente të shumta, e demaskon politikën e deritashme ndërkombëtare ndaj Kosovës, ua çjerr maskat administratorëve të huaj dhe politikanëve vendorë. Ai dëshmon se kjo politikë e ka rehabilituar, plotësisht Serbinë, se e ka larë atë nga të gjitha krimet e luftës, duke e bërë palë të drejtpërdrejtë në negociata me shqiptarët. Kjo politikë e rehabiliton Serbinë që i ka mbajtur shqiptarët në robëri më shumë se një shekull, duke ua ngushtuar në vazhdimësi hapësirën e tyre jetësore, duke i dëbuar sistematikisht nga territoret e tyre që nga vitet e periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në anën tjetër, ky libër i kundërvihet politikës përulëse të shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, e cila, duke hequr dorë nga e drejta për vetëvendosje dhe duke i pranuar negociatat me Serbinë, në fakt bën kompromisin e palejueshëm me lirinë e tyre, me të drejtën e tyre për të jetuar të lirë dhe për t’iu bashkuar botës bashkëkohore si pjesë e pandashme e saj në proceset e zhvillimit të përgjithshëm demokratik të popujve. Libri, duhet të pohohet me të drejtë, duke mbrojtur të vërtetën e pakontestueshme të popullit për liri, ua çjerr maskat dhunuesve, shpërdoruesve të lirisë dhe të demokracisë, kriminelëve, hajnave ndërkombëtarë e vendorë.

Ky është shkaku i vërtetë pse mbahet në burg Albin Kurti.

Gjatë historisë njerëzore kemi shembuj të shumtë kur e vërteta nuk kuptohet drejt as nga vetë popujt, kur bartësit e saj më këmbëngulës për ta mbrojtur atë bëhen viktima që martirizohen nga pushtetet obskurantiste, por edhe shembuj të tjerë kur e vërteta do të ngadhënjejë në mënyrë revolucionare. Albin Kurtin sot ne shqiptarët, të hutuar pas interesave të ngushta individuale dhe pas organizimeve partiake, që janë në shërbim të këtij hutimi, që e ka kultivuar me dhjetëvjetësha politika, nuk jemi duke e kuptuar drejt. Ndërkaq, strukturat politike e pushtetore ndërkombëtare dhe vendore janë duke e viktimizuar, duke e torturuar në burgje të rregullta dhe shtëpiake.

Hiç më larg se nesër do të bëhet edhe gjykimi i tij, ku do të gjykohet jo ai, por idetë e tij të shprehura në këtë libër. Nesër, pra do të gjykohet ideja për lirinë tonë, ideja për të drejtën tonë për vetëvendosje, ideja për ardhmërinë tonë.

Po nesër (sa absurd!). Grupi i unitetit do të diskutojë me ndërkombëtarët të ashtuquajturën kartë e mirëkuptimit, me të cilën pesëshja jonë “e famshme”, në emrin tonë, pa na pyetur fare, do t’ia falë Serbisë të gjitha fajet, të gjitha krimet dhe do ta ftojë, do ta lusë, me shumë përulje, kriminelin që të bëhet mik me ne!... Ky është turpi ynë!...

Ky, pra, është mjerimi ynë!...

Kundër këtij turpi e këtij mjerimi lufton me shpirt dhe me mend Albin Kurti, i cili është në burg shtëpiak e shtetëror...

Kundër këtij turpi e mjerimi është shkruar ky libër, të cilin duhet ta lexojë çdo shqiptar që synon ta ruajë, të paktën, një pjesë të vockël të dinjitetit të tij...

(2007)


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks