SHKRIMI
e mërkurë, 15 gusht 2018

PROF. ASOC. DR. VANGJEL KICI: PERSPEKTIVA E MADHE NAFTË-GAZMBAJTËSE E KRAHINËS SË DIBRËS

Kanada (Toronto), 15 janar 2018: Në krahinën e Dibrës janë të ekspozuara në sipërfaqe katër struktura të mëdha diapire me shumë interes për naftë dhe gaz. Dy nga këto përfaqësohen nga masivi i Bulqizës dhe ai i Lurës. Dy strukturat e tjera diapirike përfaqësohen nga gipset rreth qytetit të Peshkopisë. Poshtë anve të këtyre gipseve, në thellësi të vogla, pritet të ndodhen gëlqerorët naftë-gazmbajtës. Kërkimet dhe shfrytëzimi i naftës dhe i gazit të bëhen nga vet shteti shqiptar.

***

Ky shkrim mund t’i shërbejë publikut jo gjeolog, për të kuptuar esencën e problemit, sepse nuk ishte e mundur të shmangeshin disa terma dhe koncepte gjeologjike. Specialistve gjeologë, që mund ta lexojnë këtë artikull, harta gjeologjike brënda tekstit do tu “flasë” më tepër se ky shkrim.

Gjatë vitit 1987, autori i këtij shkrimi, së bashku me grupin, kreu punime gjeologjike në krahinën e Dibrës. Ai studioj atje jo vetëm gjeologjinë, por pa nga afër edhe varfërinë e madhe ekonomike të banorve. Flasim për kohën, kur fshatarve kooperativistë u ishte hequr jo vetëm tre dylymshi, por edhe bagëtia e familjeve (shkurtimi i oborrit kooperativist dhe tufëzimi i bagëtive të oborreve kooperativiste). Fatkeqësisht, kjo varfëri ekonomike vazhdon edhe sot, në kohën e “demokracisë”. Në vitin 1995, autori me grupin e gjeologve u rikthye përsëri në këtë krahinë. Në fshatin Popinarë të Maqellarës, një fshatar na tregoi: “Punojmë në bujqësi matan kufirit, në Maqedoni. Na paguajnë 5 marka në ditë. Tre marka i konsumojmë për ushqimin ditor, kurse 2 marka i sjellim në shtëpi, për të ndihmuar familjen”.

Kjo është varfëri e madhe.

Pse kështu?

Mungojnë pasuritë natyrore në këtë krahinë, që është kaq e varfër?

Jo, nuk mungojnë aspak, por ato duhen kërkuar, zbuluar dhe vënë shfrytëzim, në shërbim të popullit. Përveç kromit të famshëm në Bulqizë, krahina ka perspektivë të madhe për naftë dhe gaz. Pa e tepruar, kjo krahinë mund të jetë aq e pasur me naftë, sa të krahasohet me një krahinë të vendeve arabe të pasura me naftë! Pra, vendi është shumë i pasur me burime natyrore, por populli jeton në varfërí të plotë, sepse atij i mungon qeverisja e duhur. Qeveria jonë nuk merret me probleme ekonomike. Këto probleme ajo ua ka lënë vetëm privatve, sepse gjithçka është privatizuar, kurse qeveritë e shteteve të tjera të Europës merren kryesisht me ekonominë, sepse i kanë të dy format e pronës, atë shtetërore dhe atë private.

Ministria jonë e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk merret fare me probleme kërkimi për naftë dhe gaz, sepse e gjithë Shqipëria është nxjerr në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Kjo ministri merret pothuajse vetëm me tendera, d.m.th. oferta, ose propozime për dhënie pasurie, ku merret pasuria e popullit (e shtetit) dhe u jepet të tjerve. Të gjitha këto pasuri jepen me konçesione korruptive! Pra, shkaku i varfërisë është keqqeverisja, keqadministrimi i pasurisë. Banorët e Peshkopisë, dhe të fshatrave përreth, dibranët me tradita të lashta patriotike nuk do të largoheshin jashtë shtetit, për të kërkuar punë dhe mirëqënie, sepse punën dhe mirëqënien i kanë aty, “tek dera e shtëpisë” (tek nafta, që pret të zbulohet pranë Llixhave dhe pranë fshatit Sllatinë, tek kromi, dhe nafta e madhe, që pret të zbulohet nën masivin e madh të Bulqizës, dhe nën masivin e Lurës). Pasuritë e mëdha natyrore dibranët i kanë aty: Kromin, naftën, gazin etj. Populli le të kërkojë nga qeveria, që të bëhen kërkime nga shteti (jo nga të huajt), për zbulimin dhe shfrytëzimin e naftës dhe të gazit! Le t’i mbrojë këto pasuri nga grabitja, duke kërkuar shtetëzimin e tyre! Këto pasuri populli le t’i shfrytëzojë për mirëqënien e tij. Kështu, dibranët nuk do të largoheshin nga vendi i tyre.

Brezi im i moshuar, nga përvoja e punës gjatë jetës, kaq mund të bëjë për popullin e vet, duke hapur ndonjë perspektivë të re, sado të vogël, për zhvillimin e ekonomisë. I takon popullit, dhe sidomos brezit të ri, që t’i zhvillojë dhe mbrojë pasuritë e veta. Populli duhet ta ketë fuqinë, dhe jo qeveria, e cila duhet të jetë në shërbim të popullit dhe jo mbi supet e tij, sikurse është tek ne.

Nga ana gjeologjike, krahina e Dibrës përfshin zonën e Korabit dhe pjesën lindore të Brezit Ofiolitik të Mirditës (Mirditë-Kosovës). Autori i këtij shkrimi ka fakte dhe mendime të kundërta, për disa çështje themelore të gjeologjisë së kësaj krahine, të cilat janë pranuar padrejtësisht si të mirëqëna nga gjeologët shqiptarë. Këto fakte dhe mendime, që hapin perspektiva, do të shprehen më poshtë:

Deri sot mbizotëron mendimi, se Shqipëria Lindore ka ndërtim gjeologjik shumë mbulesorë. Mbulesat shkëmbore, gjoja të vendosura njëra mbi tjetrën, mendohet se kanë ardhur nga lindja, nga jashtë Shqipërisë. Ky mendim i gabuar e ngatërron shumë gjeologjinë e krahinës në fjalë, dhe e përjashton padrejtësisht perspektivën e madhe naftë-gazmbajtëse të Shqipërisë Lindore. Autori i këtij shkrimi ka argumentuar, se ky ndërtim shumë mbulesorë nuk ekziston. Pra, ndërtimi gjeologjik i Shqipërisë Lindore, ku bënë pjesë edhe krahina e Dibrës, është i thjeshtë. Për sqarimin e disa problemeve të gjeologjisë së krahinës së Dibrës, dhe të perspektivës naftë-gazmbajtëse të saj, është botuar, në shqip dhe në anglisht, libri me titull: Perspektiva naftë-gazmbajtëse e rajonit të Peshkopisë, 2014.

Interpretimi gjeologjik i deritanishëm e ka përjashtuar padrejtësisht ekzistencën e dy diapireve kripore (gips dhe anhidrit), që ndodhen pranë qytetit të Peshkopisë. Këta diapire të mëdhenj kanë shumë interes për naftë dhe gaz, në gëlqerorët e strukturave të shpuarjes, poshtë anve të tyre.

Strukturat gëlqerore të shpuarjes, poshtë anve të këtyre diapireve kripore, janë të mëdha dhe ndodhen shumë cekët. Këtu duhet kërkuar pa vonesë për naftë dhe gaz. Të mohosh diapiret, do të thotë të mohosh naftën.

Gëlqerorët mesozoikë, të brezit Peshkopi-Korab (shih hartën më poshtë), janë dhënë padrejtësisht me trashësi të vogël (200-300 m). Kështu është zvogëluar shumë rezervuari për grumbullimin e mundshëm të naftës dhe të gazit. Në fakt, trashësia e gëlqerorve mesozoikë të brezit Peshkopi-Korab është shumë më e madhe (rreth 4000 m). Pra, rezervuari për grumbullimin e naftës dhe të gazit është shumë i madh.

Shkëmbinjtë ofiolitikë (magmatikë) të Brezit të Mirditës gabimisht konsiderohen të formuar në një oqean të dikurshëm. Ky interpretim e përjashton perspektivën e madhe naftë-gazmbajtëse të brezit në fjalë, sepse në ofiolite nuk ka naftë dhe gaz, dhe sepse trashësia e ofioliteve jepet shumë e madhe. Autori ka argumentuar se ofiolitet nuk janë formuar në oqean, dhe se poshtë ofioliteve, në thellësi jo aq të mëdha, duhet të vazhdojnë gëlqerorët me trashësi rreth 4000 m, dhe depozitimet e tjera të kores kontinentale. Kështu hapet perspektivë shumë e madhe, për naftë dhe gaz, në Brezin Ofiolitik të Mirditës (Mirditë-Kosovës).



Deri sot, ofiolitet pranohen të ardhur nga lindja, nga jashtë Shqipërisë. Në fakt, ofiolitet janë formuar brënda Shqipërisë. Masivët ultrabazikë, të serpentinizuar (metamorfizuar) në shkallë të ndryshme, përfaqësojnë struktura të mëdha diapirike (trupa magmatikë, që depërtojnë nga poshtë gëlqerorve, dhe i ngren ata poshtë vetes). Poshtë anve të këtyre masivëve diapirikë, në thellësi jo të mëdha, duhet të ndodhen strukturat gëlqerore të shpuarjes. Këto struktura gëlqerore gjigante kanë perspektivë të madhe për naftë dhe gaz. Krahina e Dibrës përfshin dy masivë ultrabazikë të serpentinizuar (diapire gjigante), dhe këta janë: Masivi i Bulqizës dhe masivi i Lurës.

Pra, krahina e Dibrës ka katër diapire të mëdhenj: Dy diapire janë kripore (të ndërtuara nga gipsi dhe anhidriti), kurse dy diapire të tjerë përfaqësohen nga masivët shkëmborë ultrabazikë të serpentinizuar. Deri tani, ekzistenca e dy diapireve kripore është mohuar, kurse diapiret ultrabazike janë pranuar, por paraqiten padrejtësisht pa interes për naftë dhe gaz. Por, me diapir bota nënkupton naftë dhe gaz. Pra, padrejtësisht krahinës së Dibrës i është hequr perspektiva e madhe naftë-gazmbajtëse e katër diapireve!

Përveç strukturave diapirike, në sektorin Shupenzë-Maqellarë-Peshkopi pritet të ketë edhe struktura të tjera antiklinale gëlqerore, të mbuluara nga argjilat (flishi i moshës jurasiko-kretake, shënuar në hartë me indeksin J3t-Cr1v). Këto struktura gëlqerore ndodhen në thellësi të vogla dhe me shumë interes për naftë dhe gaz. Këtu duhen kryer punime seismike.

Shtrohet pyetja: A ekziston sistemi i naftës në krahinën e Dibrës? Përgjigja është PO! Ky sistem përbëhet si vijon:

1- Ekzistojnë strukturat e favorshme për grumbullimin e naftës dhe të gazit (strukturat gëlqerore të shpuarjes, poshtë anve të diapireve).

2- Ekzistojnë shkëmbinjtë burimorë, të pasur me karbon organik, për krijimin e naftës dhe të gazit. Këta shkëmbinj janë shistet (rreshpet) e zeza argjilore të moshës Silurian-Devonian, të shënuara në hartë me indeksin S-D, dhe ato të Triasikut të poshtëm, të shënuara me T1.

3- Shkëmbinjtë e pasur me karbon organik kanë arritur pjekurinë (maturimin) për

krijimin e naftës dhe të gazit.

4- Sipër shkëmbinjve burimorë vazhdojnë gëlqerorët e moshës triasike-jurasike (trashësi rreth 4000 m), që shërbejnë si rezervuar për grumbullimin e naftës dhe të gazit. Ata janë shënuar në hartën gjeologjike me indekset T1-2, T2-J3, dhe T3-J1. Në brezin Peshkopi-Korab, sikurse shihet në hartë, gëlqerorët e moshës triasike-jurasike duhet të vazhdojnë poshtë depozitimeve eocenike dhe atyre jurasiko-kretake të Fushës së Maqellarës, që shtrihen diskordant. Deri tani, pikërisht kjo nuk është pasur parasysh! Pra, gëlqerorët kanë përhapje shumë më të madhe, por janë të mbuluar (maskuar). Gëlqerorët duhet të vazhdojnë edhe poshtë diapireve kripore.

5- Mbi strukturat gëlqerore të shpuarjes shtrihen shkëmbinj mbulesorë, të papërshkueshëm nga nafta dhe gazi. Në diapiret ultrabazike, si shkëmbinj mbulesorë të këtyre strukturave, shërbejnë vet ofiolitet, dhe shistet argjilite me copa shkëmbore. Në diapiret e kriprave, si shkëmbinj mbulesorë të strukturave gëlqerore të shpuarjes shërbejnë vet kriprat (gipsi dhe anhidriti), sikurse edhe argjilat e moshës Eocen, dhe ato jurasko-kretake, që i rrethojnë diapiret, dhe duhet të vazhdojnë edhe poshtë tyre.

6- Strukturat gëlqerore të shpuarjes, dhe shkëmbinjtë mbulesorë të tyre, formojnë kurthet për ruajtjen e naftës dhe të gazit.

Të gjitha faktet e lartëpërmendura formojnë sistemin e naftës. Pa këtë sistem, nuk ka naftë dhe gaz. Kështu krijohet bindja, se krahina e Dibrës duhet të ketë naftë dhe gaz. Shpërthimet e fuqishme të gazit metan (gaz nafte), në minierën e kromit në Bulqizë, janë një tregues shumë i rëndësishëm, për mundësinë e ekzistencës së një vendburimi gjigant nafte dhe gazi, në gëlqerorët e strukturës së shpuarjes, poshtë anve të masivit ultrabazik të Bulqizës, sikurse edhe poshtë anve të masivit të Lurës dhe masivëve të tjerë të Brezit të Mirditës, që janë të shumtë në numër. Nuk duhet harruar se sipërfaqja e masivit të Bulqizës arrin mbi 300 km2. Ai është një diapir më i madh se diapiri kripor i Dumresë, ku janë bërë shumë shpenzime dhe shpime të thella për naftë dhe gaz, por pa sukses (p.sh., pusi Dumre-7 arriti thellësinë 6119 m !). Përkundrazi, poshtë masivit të Bulqizës, gëlqerorët naftë-gazmbajtës pritet të takohen shumë më cekët, rreth thellësisë 2000-3000 m. Pra, shpenzimet e kërkimit do të jenë shumë më të vogla se në Dumre.

Më sipër është paraqitur një pjesë e hartës gjeologjike të krahinës së Dibrës, e zhveshur nga depozitimet kuaternare. Në perëndim shihen pjesët lindore të masivit ultrabazik të Bulqizës dhe atij të Lurës. Në lindje shihen dy diapiret kripore të Peshkopisë. Njëri ndodhet në lindje të qytetit, kurse tjetri në veri të tij (në hartë janë shënuar me ngjyrë kafe dhe indeksin P2). Pra, mosha e kriprave të Peshkopisë është Permian i mesëm (268 milionë vjet, e përcaktuar në Gjermani, sipas moshës izotopike të squfurit), kurse në Dumre mosha e kriprave është dhënë triasike. Kjo tregon se këto kripra nuk kanë lidhje ndërmjet tyre, sikurse interpretohen padrejtësisht deri tani. Në pjesën qendrore të hartës, me shtrirje jug-veri, ndodhet një thyerje tektonike (falje normale), e shënuar me vijë të kuqe dhe rënie lindore (drejt depozitimeve me moshë më të re). Kjo tregon se blloku në lindje të kësaj thyerje është ulur rreth 4000 m, sepse kaq është trashësia e gëlqerorve në brezin në lindje të ofioliteve, mbi të cilët shtrihen diskordant depozitimet jurasiko-kretake (jashtë rajonit). Ky bllok jo vetëm që është ulur, por edhe është zhvendosur drejt lindjes. Zhvendosja rritet nga jugu drejt veriut. Në prerjen lindje-perëndim, që kalon nëpër qytetin e Peshkopisë, vërehet zhvendosja maksimale (rreth 8 km). Kaq duhet të jetë zhvendosur në perëndim edhe blloku në perëndim të thyerjes, sepse thyerjet e tipit falje normale ndodhin në rajonet, që janë në tërheqje (shtrirje) nga të dy anët. Në rastin tonë tërheqjet janë drejt lindjes dhe drejt perëndimit. Kjo tregon se Shqipëria Lindore nuk ka ndërtim gjeologjik shumë mbulesorë, dhe se mbihipjet në perëndim janë jo të mëdha (maksimumi rreth 8 km, por edhe shumë më të vogla, sikurse shihet në pjesën jugore të hartës). Brezi Peshkopi-Korab jo vetëm që nuk ka mbihipur drejt perëndimit, sikurse interpretohet pedrejtësisht deri tani, por përkundrazi, ai është ulur dhe zhvendosur drejt lindjes, jo më shumë se rreth 8 km!

Pranë kufirit shtetëror shqiptaro-maqedon, në Skërtec, takohen shkëmbinj vullkanikë të harkut të Korabit (shënuar në hartë me ngjyrën blu). Pakëz më tej, në lindje të kufirit shtetëror (në Maqedoni), takohen shumë shkëmbinj vullkanikë të harkut vullkanik të Korabit (riolite, andesite, diabaze etj.). Po ta rikthejmë situatën, para se të ndodhte thyerja tektonike e lartëpërmendur, duke e ngritur bllokun në lindje të thyerjes, brezi Peshkopi-Korab afrohet shumë me brezin gëlqeror, që ndodhet në lindje të ofioliteve. Kështu, shkëmbinjtë vullkanikë të malësisë së Korabit vijnë në vendin e tyre të origjinës, d.m.th. në brezin gëlqeror në lindje të ofioliteve të Mirditës. Pra, ofiolitet janë formuar në hullinë e Mirditës, që ndodhej pas- harkut vullkanik të Korabit, dhe jo në oqean! Poshtë ofioliteve, që janë shkëmbinj magmatikë, duhet të ndodhen gëlqerorët dhe shkëmbinjtë e tjerë sedimentarë të kores kontinentale.

Nga sa u parashtrua më sipër, mund të nxjerrim disa konkluzione:

1- Në krahinën e Dibrës nuk ekziston ndërtimi gjeologjik shumë mbulesorë.

2- Kriprat e Peshkopisë (gips dhe anhidrit) përfaqësojnë dy struktura diapirike me interes për naftë dhe gaz, në gëlqerorët poshtë anve të tyre, në thellësi të vogla. Pas kryerjes së punimeve seismike, në rast se vërtetohet prania e strukturave gëlqerore të shpuarjes, poshtë anve të diapireve, së pari në diapirin në veri të Peshkopisë të shpohet një pus kërkimi për naftë dhe gaz, sepse kurthi është më i sigurt. Në diapirin e Llixhave të Peshkopisë shpimi i kërkimit duhet bërë më vonë, hap pas hapi, sepse burimet e ujrave termale squfurore na çojnë në dyshime, se vendburimi i naftës dhe i gazit mund të jetë shkatërruar, por kjo nuk është e sigurt.

3- Në krahinën e Dibrës janë të ekspozuara në sipërfaqe katër struktura të mëdha diapirike. Dy nga këto struktura përfaqësohen nga masivët ultrabazikë të serpentinizuar (masivi i Bulqizës dhe masivi i Lurës). Dy strukturat e tjera diapirike përfaqësohen nga kriprat (gips dhe anhidrit). Të katër këta diapire gjigantë janë me shumë interes për naftë dhe gaz, në strukturat gëlqerore të shpuarjes, poshtë anve të tyre.

4- Këtu, interesi për kërkimin e naftës dhe të gazit është i madh, sepse diapiret janë të mëdhenj, dhe sepse strukturat gëlqerore të shpuarjes pritet të ndodhen kryesisht në thellësi të vogla. Pra, kërkimi i naftës dhe i gazit do të jetë me kosto relativisht të ulët.

Nafta, si pasuri shtetërore, do të hapte shumë fronte të reja dhe të përhershme pune. Ajo do të zhdukte papunësinë dhe do t’i sillte të ardhura të mëdha arkës së shtetit. Pra, populli i krahinës së Dibrës, dhe i të gjithë Shqipërisë, do të jetonte me mirëqënie dhe i lumtur në vendin e vet.



KUSH ËSHTË VANGJEL KICI


Vangjel Kici u lind në Bubullimë të Lushnjës në vitin 1935. Shkollën 7 vjeçare e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Tekniku i naftës) në Kuçovë. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Pragës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës (1956 -1961). U diplomua gjeolog - paleontolog në Universitetin e Tiranës (1963). Deri në vitin 1975 ka punuar në Institutin e Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit në Fier, ku u mor me studimin e stratigrafisë së depozitimeve të Paleogjenit të Shqipërisë Perëndimore. Ka punuar 5 vjet si punëtor në Ndërmarrjen e Nxjerrjes së Naftës në Kuçovë. Nga viti 1980 deri sa doli në pension (1998) ka punuar në Institutin e Kërkimeve Gjeologjike në Tiranë dhe është marrë me studimin e stratigrafisë së depozitimeve të Mesozoik - Paleogjenit të Shqipërisë Lindore. Është autor dhe bashkautor në shumë studime dhe artikuj shkencorë mbi stratigrafinë dhe gjeologjinë e Shqipërisë. Edhe pas daljes në pension vazhdon të shkruajë mbi gjeologjinë dhe perspektivën naftëgazmbajtëse të Shqipërisë. Jeton dhe vepron në Toronto të Kanada.


***

PROF. ASOC. DR. VANGJEL KICI: FUQIA MAGJIKE (NAFTË-GAZMBAJTËSE) E BREZIT OFIOLITIK MIRDITË-KOSOVË

http://www.pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7038


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Selver Mackaj 2

Selver Mackaj 1

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks