SHKRIMI
e shtunë, 21 korrik 2018

BEHXHET SHALA BAJGORA: EPOPEJA E MEKËS DHE JERUSALEMIT TË PATRIOTIZMËS DHE SAKRIFICËS SHQIPTARE!

Prishtinë, 3 mars 2018: (Rezistenca dhe shpirti i pamposhtur) - Pas sulmit të parë të shtetit të Serbisë ndaj familjes Jashari dhe atyre që u rreshtuan me Komandantin Legjendar , të Pavdekshmin Adem Jashari, një delegacion i KMDLNj-së në krye me Ademin tjetër të historisë , patriotizmës dhe sakrificës shqiptare , Bacën e Madh , Adem Demaçi e vizituan familjen Jashari . Në bisedë e sipër , Baca Adem e luti Ademin , Hamzën dhe babain Shaban Jashari të jenë më të kujdesshëm duke e pasur parasysh afërsinë e forcave policore dhe ushtarake serbe që ishin përqëndruar shumë afër shtëpive të familjes Jashari . Shaban Jashari , mësues i popullit dhe mësues i atdhedashurisë , deri në sakrifikim sublim , me respektin më të thellë iu drejtua Bacës Adem me fjalët : “ Bacë i nderuar dhe frymëzim i atyre që e duan lirinë deri në sakrificën më të skajshme , ne jemi përcaktuar për luftë për liri , pa e vënë në asnjë dyshim flijimin tonë për këtë liri dhe ky flijim është kontribut i papërfillshëm për qëllimin që e kemi , çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e trojeve që i kanë takuar dhe i takojnë Shqipërisë. Të gjithë këta që janë në këtë shtëpi i kanë detyrat që u takojnë dhe as kjo foshnja në djep nuk do të mbetet pa e dhënë kontributin . ..” Pastaj , Komandanti Legjendar Ushtarak , i Amshueshmi Adem Jashari iu drejtua Komandantit Politik , të Pavdekshmit Bacë Adem Demaçi me fjalët : “ Baca Adem , do të luftojmë dhe do të vritemi duke i kënduar lirisë dhe trimave që u sakrifikuan deri më tani...”

Më nuk pati hapësirë apo nevojë për kundërshtime sepse gatishmëria e familjes Jashari dhe trimave që ishin me ta ishte Kanun apo Kushtetutë , mbi të cilat nuk ka asnjë ligj tjetër. Realisht , kombi shqiptar , gjatë historisë së luftës për çlirimi të Kosovës dhe bashkim të trojeve shqiptare kishte dy komandantë që e shkruan , e jetësuan dhe e vulosën këtë histori ; Bacën e Madh Adem Demaçi, si Komandant Politik e që ishte inkarnim i ideve dhe aktiviteteve politike të Babait të politikës shqiptare , Hasan Prishtina dhe Komandantit Ushtarak të së Lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës , Legjendarit të Amshueshëm , Adem Jashari, si trashëgimtar i Komandantit ushtarak të të gjithë shqiptarëve , Gjergj Kastriotit – Skenderbeut. Disa “ vlera “ të shpifura politike dhe ushtarake janë në fakt karikatura që po bëhen përpjekje të portretizohen si heronj , për qëllime politike dhe të pastrimit të së kaluarës së pistë të tyre , në radhë të parë asaj kombëtare.

Menjëherë pas sulmit të dytë, në zyrat e KMDLNj-së në Prishtinë (në godinën e Bashkësisë Islame të Kosovës e që na kishte mundësuar qëndrimin thuaja 10 - vjeçar, pa asnjë kompensim , Myftiu i Kosovës, Rexhep Boja ) ra zilja e telefonit ku u lajmëruan Murat Musliu , Adem Meta dhe Xhemë Binaku duke treguar në imtësi zhvillimet e ngjarjeve dhe luftimet që zhvilloheshin në Prekaz , përkatësisht në Lagjen e Jasharajve. Treguan për kolona të mëdha të blindave të policisë dhe ushtrisë serbe dhe granatimet që i bëheshin shtëpive në këtë lagje. Ishte ky mëngjesi i hershëm kur aktivistët e KMDLNj - së nga ky rajon i Kosovës , përkundër rreziqeve për jetët e tyre , nuk ndaluan së raportuari , deri sa përfunduan luftimet . Menjëherë pas kësaj , e kamë thirrë Xhafer Shatrin në Gjenevë , ia kam dhënë informatat dhe e kam kërkuar numrin e telefonit të Rifat Jasharit në Gjermani të cilit ia kam dhënë të njëjtat informata , pa e ditur numrin e viktimave. Me t’u larguar forcat serbe , veprimtarët e KMDLNj-së kanë shkuar në vendngjarje duke i bërë fotografitë e të gjithë të vrarëve dhe rrethit të bombarduar. Po të njëjtën ditë i kemi dërguar filmat për zhvillim te Art Foto në Prishtinë duke u ofruar një kompensim simbolik , sepse nuk kishim mjete të mjaftueshme materiale . Atëherë , Naim Shala , njëri ndër pronarët e Art Foto , me lot në sy më është drejtuar me fjalët : “ Behxhet , nuk ka para të botës me të cilat paguhen këto foto dhe këto ngjarje prandaj vetëm më tregoni se për sa kopje ka nevojë KMDLNj , për 5 mijë apo për 50.000 mijë apo edhe më shumë ...” . Dhe është e vërtetë se kanë bërë kopje me një numër jashtëzakonisht të madh që u janë shpërndarë delegacioneve , gazetarëve dhe atyre që e vizitonin Kosovën. Për këtë kontribut të jashtëzakonshëm , të kushtueshëm dhe shumë të rrezikshëm , Art Foto nuk është vlerësuar nga asnjë institucion sikur që nuk ishte vlerësuar as Jahir Mulolli që e ka siguruar çdo informatë nga Morgu i Spitalit të Prishtinës në kohët më të rrezikshme , pas së cilave bënim informata që kurrë nuk u mohuan nga askush e madje as nga regjimi serb. Nuk u vlerësua as Foto Kçiku nga Gjilani që bëri fotografi të panumërta e as Foto Drini me Sali Cacën. Kontributi i madh i Arif Ejupit që u shqua për nikoqirrllëkun e jashtëzakonshëm duke ofruar , për vite të tëra mikpritje për delegacionin e KMDLNj-së që merrte pjesë në punët e Komisionit dhe Nënkomisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë e që zgjasnin disa muaj gjatë vitit dhe duke ua mbuluar të gjitha shpenzimet , fjetjen dhe ushqimin ndonëse nuk e kishte aspak gjendjen e mirë por hynte në borxhe , nuk u vlerësua aspak madje as nga ata që kishin qëndruar për muaj të tërë në banesën modeste të tij në Gjenevë.

Si u veprua pastaj , pas përfundimit të luftimeve

Me t’u bërë publike bilansi i luftimeve , KMDLNj vendosi kontakt me Tribunalin e Hagës duke kërkuar që një delegacion i këtij Tribunali t’i bëjë hetimet por që u pamundësua nga regjimi i Serbisë. Me gjeneralin e ndjerë , Shaban Shala u morëm vesh që të mos bëhej varrimi , pa u bërë shikimi i trupave nga ekspertë të Mjekësisë Ligjore të Prishtinës. U bë një ekip prej ekspertëve të mjekësisë ligjore me në krye Prof , dr. Hashim Maloku . Prof . dr. Lumnije Luci , Prof. Dr. Suzana Manxhuka dhe patologë të tjerë , si dhe avokatë të KMDLNj-së. Ky koordinim u bë me përkrahjen e Jahir Mulollit , laborant i lartë në Institutin e Patologjisë. Dua të them se stafi i KMDLNj -së ishte në kujdestari 24 orëshe sikur edhe ekipi profesionalë që qëndronte në Zyrën e KMDLNj -së . Ne i përpunonim informatat kurse përkthyesit në gjuhën angleze , serbe dhe franceze përkthenin duke i dërguar pastaj në të gjitha adresat e mundshme diplomatike , medieve , organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe qendrat e vendosjes . Kur kërkonim modalitetin si të shkohet në Prekaz , një anëtar i KMDLNj -së e që ishte edhe zyrtar i LDK-së propozoi ta bënim një kërkesë Policisë për të na lejuar të shkojmë në Prekaz , duke ia bashkangjitur edhe listën e veturave , me tabela të regjistrimit . Arsyetimi ishte se në këtë mënyrë do të merrnim leje pasi partia LDK kështu vepronte gjatë çdo vizite në terren. Pasi e morëm një letër , ekipi i kMDLNJ -së u nisë në drejtim të Prekazit dhe në udhëkryqin e Komaranit , pasi janë ndaluar nga policia dhe pas u është treguar “leja“ , janë kërcënuar nga policët me fjalët : “ shporruni nga këtu dhe kthehuni prapa se po ua shkërdhejmë nënën e nënës ...”. Menjëherë është kaluar në mundësinë tjetër , të hyhet në Prekaz nga ana e Vushtrrisë . Sinqerisht , ekipi i ekspetëve mjeko - ligjorë , i avokatëve të KMDLNj -së dhe të tjerëve ishin të gatshëm të shkonin në Prekaz mirëpo nuk patën mundësi të depërtonin . Kanë depërtuar raste individuale si Halime Morina me Binak Ulajn dhe disa të tjerë që i bënë shumë foto por mjeko - ligjorët nuk e patën këtë mundësi, përkundër përkushtimit dhe vullnetit . KMDLNj , atëherë ka shpërndarë me qindra e mijëra albume të improvizuara shpejt e shpejt për rastin e Prekazit si dhe kaseta ndërsa unë nuk kam lejuar të shpërndahej fotografia e Komandantit Legjendar , Adem Jashari , deri sa më vonë u vendos ndryshe. Në këtë rast të gjithë e dhanë kontributin që u kërkohej , duke mos kursyer asgjë. KMDLNj punonte në atë kohë 24 orë pa ndërprerje , një ekip punonte gjatë ditës të tjerët bënin kujdestari gjatë natës .

Prekazi si detonator për shpërthim dhe zgjerim të luftës

Po të mos ishte sakrifica biblike e katër brezave të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve që u flijuan me ta , lufta e UÇK -së , do ta merrte një drejtim dhe një kuptim tjetër. Po të mos ishte kjo sakrificë e paimagjinueshme dhe e pandodhur në asnjë vend të botës deri atëherë, liria do të vonohej shumë , tepër shumë sepse gjaku i derdhur i dëshmorëve të Prekazit shërbeu si lum në të cilin notonin mijëra dhe mijëra ushtarë të rinjë të UÇK-së, nga të gjitha vendet ku jetonin shqiptarët , ku mendohej shqip , ku ëndërrohej shqip , ku frymohej shqip , ku lindnin shqip dhe ku vdisnin shqip ! Edhe te ata që nuk e donin luftën apo sakrificën , për një çast u erdhi frymëzimi patriotik . Edhe ata që kishin mëdyshje , situata u qartësua , nuk kishte më jetë nën Serbinë , me asnjë kusht dhe në asnjë mënyrë! Pas Adem Jasharit shkuan komandantët Fehmi dhe Xhevë Lladrovci , Ilaz Kodra , Remzi Ademaj , Shkëlzen Haradinaj , Agim Ramadani , Sali Çekaj , Mujë Krasniqi dhe shumë ushtarë tjerë të UÇK-së , dëshmorë dhe martirë , pa bërë dallime politike dhe partiake. Dashuria për liri , atdhetarizmi , ndjenja për sakrificë për çështje sublime nuk kanë çmim që nuk duhet paguar ! Këto janë kryevepra që nuk i mbulon asnjë kohë , nuk i harron njerëzimi dhe historia ndonëse bëhen përpjekje për ndërrim rolesh ku horrët duan ta marrin rolin e tyre dhe për një kohë edhe e marrin , për t’u lakuriquar pastaj përfundimisht , në horrëllëqet e tyre. Është dallim i madh midis atyre që krijojnë vepra me pavdekësinë e tyre dhe ata që trashëgojnë vepra , gjithashtu me pavdekësinë e atyre që u bënë të pavdekshëm për veprat e tyre . Ata që trashëgojnë vepra të të pavdekëshmve , kryesisht dhe për shkak të grykësisë së tyre , vdesin për së gjalli, pa e rrezikuar me asgjë veprat e atyre që krijuan vepra. Prandaj , askush nuk mund ta kompromitojë askend , përveç vetes së tyre. Lufta e UÇK-së është dhe mbeti e shentjë , e papërsëritshme , e mrekullueshme , frymëzuese dhe mobilizuese edhe për ndërtimin e shtetit dhe të paqes dhe , si të tillë , kurrë dhe askush nuk do ta kompromitojë. Nuk ka luftë më të pabarabartë por edhe më të lavdishme që është bërë në botë se sa lufta e UÇK-së prandaj , si e tillë mbetet ndërgjegje e kombit , vetëdije e kombit , mbijetesë e kombit dhe vet kuptimi i ekzistencës së kombit. Kjo luftë ishte historia më e dhimbshme por edhe më krenare e popullit shqiptar të cilët , sigurisht , për herë të parë luftuan dhe u sakrifikuan për veten e tyre e që nuk ndodhi më parë në rrugëtimin e gjatë historik të shqiptarëve , drejt LIRISË !

Meka dhe Prekazi , Jerusalemi dhe Glloxhani

Meka është destinim final dhe jetësorë i të gjithë pelegrinëve të besimit islamë dhe të gjithë ata që nuk e vizitojnë epiqendrën e pelegrinazhit ndjehen të palotësuar. Jerusalemi është vendi i vuajtjeve dhe stacionit të fundit për shtetin e humbur , si për palestinezë ashtu edhe për hebrenjë. Këto dy vende paraqesin simbolikën e mbijetesës dhe gjakimit për liri ku kërkohaet frymëzim dhe shpagim për të gjitha vuajtjet. Shqiptarët e Kosovës i kanë dhe duhet t’i kenë dy adresa të frymëzimit , kujtesës historike , pikave të krenarisë kombëtare dhe njerëzore ; Prekazin e Jasharajve dhe Glloxhanin e Haradinajve , si pikënisje dhe pikësynim drejt të së ardhmës . Si vende ku sakrifica e ka ndërruar kodin gjenetik të shqiptarëve. Pa Prekazin dhe Glloxhanin , pa luftën e titanëve të lirisë që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës , familjes Jashari me Komandantin Legjendar , të Pavdekshmin Adem Jashari , udhëheqësinë shpirtërorë Hamëz Jasharin dhe Mësuesin e Lirisë dhe Atdhedashurisë , Shaban Jashari si dhe sakrificën dhe luftën e jashtëzakonshme të familjes Haradinaj , me komandantët Luan dhe Shkëlzen Haradinaj , Kosova do të dukej ndryshe , e ndrydhur në çizmën dhe kërbaçin e Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Kosovë e që flisnin shqip kurse dëgjonin , mendonin dhe vepronin serbisht . Është një koincidencë interesante ; Ademi ishte krijues i njerëzimit dhe rrjedhimisht edhe botës kurse , dy ademat , Baca i Madh me Vepra , Guxim dhe Sakrificë , Adem Demaçi dhe sakrifikuesi tjetër deri në vetflijim , Komandanti Legjendar , i Pavdekshmi Adem Jashari e krijuan dhe jetësuan lirinë e Kosovës duke lënë rrugë të shtruara për idealin e shumicës së shqiptarëve e që patjetër do të ndodhë , bashkimi i trojeve dhe popullit të ndarë shqiptarë. Dy ademat e krijuan dhe e vulosën lirinë duke shërbyer si shembull për të gjithë ata që e duan dhe gjakojnë lirinë, si stacion i vetëm dhe përfundimtar ku nuk banon më robëria !

Lavdia u takon atyre që me sakrificën e tyre krijuan dhe lanë vepra që zgjasin aq sa zgjatë edhe njerëzimi kurse trashëguesit e veprave që krijuan të tjerët , nëse nuk i ujisin me djersën dhe , nëse është nevoja edhe me gjakun e tyre shndërrohen në të kamur , pa karakter e mos të flasim për përmbajtje.

Lavdia u takon atyre që krijuan vepra , neve na mbetet që , përmes respektit të këtyre veprave të shkojmë rrugës që na e kanë ndriçuar dëshmorët dhe martirët , të bëhemi hija e tyre , në të kundërtën , shndërrohemi në plehra , njerëzorë , moral dhe kombëtarë ! Respekt dhe kujtim i përjetshëm për përmendoret e së kaluarës , së tashmes dhe të së ardhmes kombëtare në Kosovë , Prekazit të Jasharjave , me bashkëluftëtarë dhe Glloxhanit të Haradinajve , me bashkëluftëtarë !


Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA, Prishtinë 3 mars 2018



kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks