SHKRIMI
e diel, 23 shtator 2018

DR.LEDIAN DROBONIKU: PSE DUHET TË RIKUPEROJMË IDENË E KOMBIT? (PJESA E DYTË)

Tiranë, 10 korrik 2018:

Po rasti i Shqipërisë?

Duhet të pranojmë se lëvizjet tona kombëtariste kanë lëvruar më shumë aspektin e parë, pra kombin si ndjenjë (vepra letrare e artistike) e jo si vullnet për të konkretizuar këtë përbashkësi vlerash në një projekt shteti-komb. Pas përgjumjes së ndjenjës kombëtare, rilindasit ishin të detyruar të bënin këtë përzgjedhje, duke u fokusuar tek elementët shpirtërorë të kombit. Megjithatë kryevepra e Rilindjes Kombëtare dhe traktati ideologjik i saj (Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të jetë) rikuperon dhe idenë e kombit si vullnet e si projekt.

Pasi shteron në pjesën e parë, trashëgiminë kulturore, historike e gjuhësore, (kombi si ndjenjë) Sami Frashëri ravijëzon dhe elementët themelorë të shtetit-komb shqiptar (kombi si vullnet). Elementët autentikë historikë e gjeografikë i jepnin të drejtën e plotë popullit shqiptar të formonte shtetin e vet, sipas vizionit pranuar nga bashkësia ndërkombëtare, në atë periudhë. Shqipëria kishte njohur një organizim politik në kohën e shtetit të Gjergj Kastriotit më të gjitha elementët dhe simbolet e një shteti. Megjithatë Sami Frashëri, paralajmëron shqiptarët se duhet të forconin karakterin politik të kombit, për tu përballur me sfidat e reja moderne ndërkombëtare.


Kështu Lëvizja Kombëtare arriti të martonte në mënyrë të lumtur vlerat më të mira shqiptare me ato të iluminizmit evropian.

Në vizionin e rilindasve, shteti-komb shqiptar duhet të ngrihej mbi ide demokratike e jo elitiste, duke u ndarë nga regjimet mesjetare. Është kjo arsyeja se përse u refuzua forma e monarkisë dhe u përzgjodh forma e Republikës. Kombi duhet të shihej si “shtëpi” e qytetarëve të tij të lirë e të barabartë, të cilët formonin nga poshtë vullnetin e shtetit-komb. Në fakt shqiptarët kishin maturuar ndër shekuj, nën eksperiencën e tyre juridike, vendimmarrjen kolegjiale (plakoni) duke privilegjuar kështu pjesëmarrjen dhe “pleqërimin”, sesa vendimet arbitrare nga sipër.



Samiu parashikonte kështu shtrirjen kapilare në të gjithë territorin kombëtar të organizmave përfaqësues dhe asambleve popullore për organizimin e jetës politike. Kjo strukturë do të lejonte pjesëmarrjen direkte të qytetarëve në politikë duke mbajtur gjallë interesin për territorin dhe fatet e kombit. Duket qartë këtu një vizion avangardë i demokracisë, jo thjesht përfaqësuese por demokraci pjesëmarrëse në shumë nivele si ajo e Zvicrës. Madje Shqipëria kishte më shumë avantazhe se Zvicra, sepse kishte kohezion kombëtar dhe popullsi homogjene.

Ky ravijëzim politik i shtetit-komb shqiptar, nuk ishte vetëm parimor por kishte dhe qëllime praktike.

Parësore për rilindësit ishte mbjellja e një kulture politike tek shqiptarët të cilët duhet të lidhnin interesin e tyre individual me begatinë e përgjithshme, sipas aksiomave të shkencës politike dhe ekonomike të kohës. Tensioni natyror mes interesit individual e atij komunitar mund të zgjidhej vetëm brenda një Republike demokratike e cila harmonizonte instancat e lirisë me ato të barazisë. Qëllim tjetër praktik ishte ai i sigurisë kombëtare. Sipas doktrinës së Monteskies, rilindësit kishin kuptuar se popujt e vegjël mund të begatojnë dhe mbrohen vetëm në një shtet demokratik, vetëm aty ku shteti është i tokëzuar me vullnetin e popullit sovran. Në rastin e kundërt, nëse pushteti përqendrohej në duart e një monarkie apo oligarkie, ajo do blihej ose shantazhohej lehtësisht nga fuqitë e huaja. Fjalë profetike në atë çfarë pushtetarët shqiptarë kanë bërë kundër interesit kombëtar.

Fatkeqësisht modeli i shtetit-komb rilindas nuk u zbatua kurrë. Të gjitha regjimet politike që pasuan shtetin shqiptar ishin kundër shpirtit dhe frymës së Rilindjes Kombëtare. Qoftë monarkia, ashtu dhe regjimi komunist apo dhe demokratura e tranzicionit, ngrihen mbi ide elitiste e jo demokratike. Pushteti mbeti gjithmonë brenda një elite autoreferenciale (monarkia, partia-shtet komunist, partitë-shtet-monopole ekonomike) e cila nuk përfshiu qytetarët e lirë në jetën politike dhe ekonomike të vendit. Si pasojë interesi kombëtar u sakrifikua për interesat e një pakice dhe vendi nuk zhvilloi dot as demokracinë dhe as ekonominë.

Por traktati ideologjik i Rilindjes, nuk ravijëzonte vetëm elementët politikë por dhe ato ekonomikë të shtetit-komb shqiptar. Me një largpamësi të kthjellët, Samiu kuptonte rëndësinë e politikave sovraniste të ekonomisë shqiptare për mbijetesën e shtetit shqiptar. Si njohës i mirë i Shqipërisë dhe burimeve të saja pasurore, ai mbështeste idenë e krijimit të një ekonomie kombëtare prodhimi që krijonte sinergji, begati të përgjithshme e drejtësi sociale. Gjithashtu Samiu prek rëndësinë e financës shqiptare dhe nevojën e akumulimit të kapitalit brenda Shqipërisë për të mundësuar zhvillimin ekonomik dhe rritjen e raporteve tregtare me jashtë.

Edhe një njohës fillestar i ekonomisë reale dhe monetare, kupton që ky vizion rilindas, nuk përputhej as me vizionin feudal zogist, as atë komunist e as atë neoliberist të sotmin. Ndërsa regjimi zogist dhe ky neoliberist u dhurojnë të huajve sektorët strategjikë, na kthejnë praktikisht në koloni importi, nuk krijon begati të përgjithshme dhe prodhon padrejtësi sociale, ai komunist ishte autarki izolacioniste që bllokonte lirinë dhe kreativitetin e qytetarit shqiptar. Të tre këto forma regjimi edhe pse në ekstrem të njëri-tjetrit, prodhojnë paradoksalisht të njëjta efekte negative mbi popullin shqiptar, duke mos lejuar zhvillimin e demokracisë dhe begatisë ekonomike.

Nëse Lidhja e Prizrenit filloi si një organizim i shqiptarëve për të përballuar sulmin e shteteve ballkanike, ajo më pas evoluoi si një organizatë përfaqësuese e shqiptarëve kundrejt Perandorisë Osmane, madje tentoi të vinte në jetë programin për autonominë e Shqipërisë. Veprimtarët më vizionarë të Rilindjes, si Pashko Vasa, Sami Frashëri, Jeronim de Rada etj., e kishin të qartë se në fund të procesit shqiptarët do të duhej të dilnin në një shtet të pavarur dhe do të duhej të mbështeteshin në forcat e veta. Në lidhje me eksperiencën e diktaturës enveriste, duhet të kujtojmë se qysh në Mukje, komunistët nuk pranuan kufijtë e shtetit të atëhershëm që ishin më pranë idealit të përputhjes territoriale komb-shtet. Gjithashtu, ata “tradhtuan” Kosovën te Jugosllavia, rrezikuan që Shqipëria të bëhej republika e shtatë e Jugosllavisë, vranë nacionalistët shqiptarë, u shkëputën nga Perëndimi, vendosën diktaturën mbi popullin shqiptar etj. Lista e veprimeve të komunistëve kundër kombit është e gjatë. Le të themi që regjimi komunist u përpoq që kombin t’ia përshtaste shtetit. Edhe pse nuk mohohej ekzistenca e shqiptarëve matanë kufirit, prapëseprapë “kombi socialist shqiptar” konsiderohej ai brenda kufijve të shtetit, “nga Vermoshi në Konispol”, siç thuhej në atë kohë. Pra, kemi një ngushtim të përfytyrimit të kombit në praktikën politike dhe shoqërore që ndiqte regjimi.

Në dritën e fakteve historike, na duhet të pohojmë se vizioni rilindas u realizua përgjysmë, më shumë mbi kombin si ndjenjë sesa si vullnet apo projekt. Nëse ai mundësoi zgjimin e kombit shqiptar, të njëjtën gjë nuk mund ta themi për ndërtimin e shtetit-komb.

Fatkeqësisht kjo asimetri shqiptare, vijon edhe sot, ku energjitë hidhen vetëm për aspektet sentimentale e shpirtërore të kombit sesa për elementët për ndërtimin e shtetit-komb. Kjo nuk vjen vetëm nga injoranca mbi shkencën politike, ekonomike, jurisprudenciale që ka përfshirë vendin, por shërben dhe si një valvul për të shfryrë fatalizmin në një vajtim kombëtar. Njerëzit e kanë më të thjeshtë të flasin kuturu për historinë, mitet, gjuhën, moralin sesa si ndërtohet një shtet e ekonomi kombëtare. Për këtë duhet jo vetëm kompetencë por dhe vullnet përplasjeje me interesat e një oligarkie që nuk dëshiron ringritjen e kombit dhe begatinë e popullit.

Por cilët janë ato kategori që refuzojnë sot, idenë e kombit dhe shtetit-komb?

Na duhet të pranojmë se këto 3 dekada nën regjimin neoliberal, ideja e kombit ka njohur një sprapsje qoftë në kuptimin popullor ashtu dhe atë intelektual.

Shpërthimi i individualizmit ekstrem, konkurrencës dhe konfliktualitetit social çmontuan me shpejtësi çdo lloj lidhje solidare, në çdo lloj niveli, familje, shkollë, komunitet deri tek shteti dhe kombi. Iluzioni se realizimi i njeriut bëhet vetëm individualisht pavarësisht se si shkon shoqëria mban peng akoma shumicën e shqiptarëve. Si pasojë ka një indiferentizëm ndaj së mirës publike, politike dhe ekonomike. Republika nuk shihet si shtëpia e shqiptarëve, por pronë e një oligarkie autoreferenciale dhe qytetarët thjesht si banorë në të. Mungesa e një kulture demokratike, bën që shumica e shqiptarëve ta kuptojnë ende politikën si dele/gim e jo pjesëmarrje aktive në fatet e vendit. Kjo mendësi baritore promovohet nga oligarkia pol-eko-mediatike shqiptare dhe lobet e huaja, por është krejtësisht e kundërta me vizionin rilindas, të cilët kishin kuptuar se pjesëmarrja e qytetarëve në politikë dhe ekonominë kombëtare, ishte garancia e vetme e begatisë së përgjithshme dhe forcimit të kombit shqiptar.

Ideja e kombit shihet sot me pesimizëm edhe nga intelektualët shqiptarë. Formimi i tyre në epokën neoliberiste, bën që ata të preferojnë koncepte antitetike me kombin si: individualizmi, kozmopolitizmi, globalizmi, multikulturalizmi, konkurrenca, deregulation etj. Tek shumica e tyre, kombi shihet si një relike e historisë e cila më shumë i ka sjellë dëme shoqërisë sesa të mira. Pak kuptojnë se në fakt, ky është rrëfimi i neoliberizmit, i cili ka nevojë të denigrojë kombet dhe shtetet për dominimin pa kufij të kapitalit transnacional në dëm të popujve dhe të drejtave të fituara. Evropa njohu një periudhë paqeje (Belle epoque – shek XIX) përgjatë krijimit të shteteve komb, kurse luftërat botërore ishin pasojë e dinamikës imperialiste të kapitalit e jo urrejtjes së popujve. Nëse do ishin popujt e jo elitat, që do dekretonin luftën – kujton Thomas Paine – luftërat pothuajse do të zhdukeshin, sepse askush nuk do dërgonte djemtë e tij në një luftë aneksuese por vetëm mbrojtëse. Fatkeqësisht inteligjencia shqiptare ngatërron konceptin e nacionalizmit me atë të patriotizmit, kur Shqipëria nuk ka pasur kurrë imponimin e fuqisë së saj shteteve të tjera, por ka përdorur ndjenjën kombëtare për tu mbrojtur e zhvilluar një bashkëjetesë të organizuar.

Intelektualët e majtë duhet të kuptojnë se Shteti kombëtar, ka qenë gjithashtu e vetmja hapësirë ku është luftuar e fituar të drejtat ekonomike e sociale përballë elitave. Shteti social dhe demokracia ka kuptim vetëm brenda një populli e brenda hapësirës së shtetit-komb. Këto të drejta nuk mund të fitohen e demokracia të vendoset dot në hapësirën ndërkombëtare, sepse nuk ka një popull global por elita globale. Ëndrra e Karl Marksit për bashkim të proletarëve të të gjithë botës në luftë ndaj elitave kapitaliste, ishte një nga utopitë e parealizueshme sepse njerëzit kanë empati e solidaritet me ata që kanë afër tyre e jo ata të huaj e të largët. Këto lidhje transnacionale i krijojnë vetëm elitat të cilat kanë interes të përbashkët dhe mjetet për organizim. Popujt duhet të luftojnë betejat e tyre brenda shtetit të tyre, të marrin në kontroll atë, vendosin demokracinë e mandej kërkojnë paqen në një botë të trazuar.

Edhe intelektualët e djathtë duhet të kuptojnë, se betejat për liri, pronë e iniciativë ekonomike kanë sens vetëm brenda një kombi. Globalizmi nuk fagociton vetëm proletarët por dhe borgjezinë e prodhimit, sepse fatet në vendin tënd i vendosin disa elita të huaja që diktojnë një lloj kolonizimi financiar. Konflikti social me punëtorët mund të zgjidhet vetëm nëse kemi një ekonomi prodhimi, ku fitojnë të dyja palët me negocimin për interesin kombëtar.

Një tjetër ligjëratë e cila ka zëvendësuar idenë e shtetit-komb, është ajo e integrimit evropian. Kushtetuta e Shqipërisë që në preambulën e gjithë përmbajtjen e saj, kërkon ngritjen e shtetit komb e jo një modeli tjetër alternativ si de facto kasta ka krijuar këto dekada. Kjo antikushtetueshmëri nuk duket vetëm në strukturën e brendshme politike dhe ekonomike aktuale, por dhe në moton se “shqiptarët do bashkohen në Evropë”. Por Evropa në natyrën e saj, nuk bashkon por ndan kombet. Dhe rreziku është se sa më shumë vonohet bashkimi me Kosovën aq më shumë atje njerëzit afeksionohen me flamurin e ri, institucionet e shtetit të ri. Kjo strategji perverse ishte kryevepra e oligarkisë shqiptare dhe lobeve të huaja, duke ngrirë vullnetin e popullit shqiptar për bashkim e rezistencë, ashtu si dhe për kërkesa legjitime mbi funksionimin e demokracisë, ngritjen e një ekonomie prodhimi, mirëqenie dhe drejtësie sociale. Bashkimi Evropian ishte një krijesë neoliberiste i cili nuk afronte popujt, por bashkonte elitat duke prodhuar konflikte sociale brenda vendit dhe mes vetë vendeve. Bashkimi me familjen evropiane, nuk realizohet duke çbërë shtetin-komb shqiptar (shih forcimin e Francës apo Gjermanisë dhe devijimit të rregullave evropiane sa herë cenohen interesat e tyre kombëtare) duke humbur sovranitetin politik, ekonomik, monetar, kulturor, por ashtu si e kërkonin rilindësit shqiptarë, me një shtet sovran në një bashkësi të drejtë mes të barabartëve.

Në të njëjtën linjë antikombëtare shkon dhe rritja e ksenofilisë tek opinioni publik shqiptar. Të gjithë bëjnë garë se me kë duhet të bëhet Shqipëria (me Amerikën, me Turqinë, Italinë, Gjermaninë, Greqinë etj) e jo si të ndërtohet më parë Shqipëria. Nata e zezë, si thamë më sipër, kalon nga injoranca totale që ka përfshirë vendin. Askush nuk kupton më – si thoshte Sami Frashëri – se nuk ka miqësi mes kombeve, por interesa, të cilat ose i negocion ose i pëson. Askush nuk kupton më se cili është interesi kombëtar e çfarë janë politikat sovraniste. Në mungesë të tyre vendi do mbetet gjithmonë koloni e perandorisë së radhës e nuk do jemi kurrë partnerë por vasalë. Nuk do arrijmë të shfrytëzojmë vetë pasuritë kombëtare, të zhvillojmë ekonomi prodhimi, punësim e mirëqenie për të gjithë popullin shqiptar. Nga ky adhurim idjotesk për të huajt, kalon dhe mallkimi që na ktheu nga popull autokton në popull endacak nëpër botë.

Por çfarë janë politikat sovraniste?

Janë ato politika që kryhen për mbrojtjen e interesit (politik-ekonomik-kulturor) të kombit dhe popullit shqiptar. Sigurisht interesi i popullit nuk përputhet me interesin e një oligarkie brenda vendit dhe elitave të huaja. Zaptimi i shtetit nga kjo oligarki me mbështetjen e lobeve të huaja, ka bërë që pasuritë kombëtare mos të përdoren për interes publik. Shqipëria nuk krijoi dot as kapitalizëm prodhimi e as borgjezi industriale, por aristokraci, lobe që mbahen vetëm me importe e spekullim. Kjo kastë është armike e popullit shqiptar e nuk do politika sovraniste. Krijimi i një ekonomie kombëtare ka nevojë që këto pasuri dhe sektorët strategjikë të vihen në shërbim të saj e jo në duart e spekulatorëve. Ja pse nga kurthi i neo-kolonizimit mund të dalim vetëm me politika sovraniste, duke kthyer naftën, minierat, bankat, portet e aeroportet, telekomunikionet e siguracionet në duart e shqiptarëve e rolin aktiv të një shteti demokratik por efikas. Por kjo nuk mund të bëhet nga oligarkia që ndërkombëtarët krijuan dhe mbështesin prej dekadash, por nga lëvizje të reja autentike popullore që rivendosin demokracinë autentike e pjesëmarrëse. Aty ku populli vendos fatet e tij e jo thjesht dele/gon pushtet e voton kukullat e sistemit.

Kasta ka privatizuar e shkatërruar shtetin shqiptar, (nën eufemizmin e shtetit minimal) i cili ka hequr dorë nga detyrimet kushtetuese e mbrojtja e interesit publik. Shteti shqiptar nuk është tërhequr vetëm nga mbrojtja e interesave ekonomikë por dhe nga mbrojtja e kulturës kombëtare. Këtë e ka bërë në disa mënyra:

1. Duke hequr kontributet publike dhe rolin kurues ndaj kulturës dhe artit, duke ia besuar “mekanizmave të tregut” dhe llogjikës së parasë. Si rezultat “art” bëjnë vetëm lekaristët duke bllokuar median dhe hapësirën me banalitete e antivlera që po shkatërrojnë rininë shqiptare. Njerëzit e artit nuk kanë mundësi të kontribuojnë në asnjë drejtim sepse gjenden si peshku pa ujë, të rrethuar nga lekaristët me pushtet e me dyfek. Si pasojë shqipja ka ndaluar së dëgjuari në vepra të bukura, filma, telefilma, teatër, këngë, vjersha e poezi. Çdo gjë me cilësi e dëgjon në gjuhë të huaj dhe shqipja përdoret vetëm për jetën banale të përditshme. Çpasionimi ndaj shqipes është vdekja e ngadaltë e një gjuhe si çdo organizëm tjetër që nuk prodhon fryte.

2.Duke promovuar kulturat e huaja pa asnjë kriter e kontroll, të filmave, telefilmave, mënyrave të jetesës, historisë së shtrembëruar, problemeve jo shqiptare por të importuara, heronj jo shqiptarë. Mos na duket çudi se si fëmijët bërtasin emrin e Ertugrulit e jo Skënderbeut kur luajnë mes veti. Këtë e bëjmë të gjithë në fushat tona, nëse indi kombëtar gërryhet çdo ditë e më shumë. Në doktrinë ky quhet “pushtim i butë” dhe është strategjia e zbatuar nga shumë vendeve antagoniste me Shqipërinë.

3. Tërheqja e rolit të shtetit nga promovimi i artit dhe kulturës, është shoqëruar me dorëzimin e këtyre detyrave “organizmave privatë” si mijëra ojf që kanë mbirë si kërpudha helmuese në të gjithë vendin. Tematikat e tyre janë të tilla që në dukje “emancipojnë” rininë por në fakt e budallepsin, duke e përgatitur për ta sunduar me “dashuri e qetësi” nesër.

4. Rënia e shkencës dhe arsimit në shqip. Kjo nuk përkëthehet vetëm në një analfabetizëm funksional të rinisë, por dhe sprapsjen e gjuhës shqipe nga tekstet shkencore në të gjitha fushat, por sidomos në shkencat humane, si ekonomi, drejtësi, shkenca politike, filozofi, psikologji, sociologji etj. Këtu gjuha shqipe ose nuk është e përpunuar për të shpjeguar konceptet e ligjet ose është përmbytur nga zhargone të huaja. Ekzistenca e aktivitetit jo vetëm të shkollave por dhe ojf-ve që preferojnë gjuhën angleze nga ajo shqipe, krijon te të rinjtë idenë se çdo gjë që duket “trendi” dhe progresiste duhet të thuhet në gjuhë të huaj. Po të futësh këtu dhe përhapjen e rrjeteve sociale, modeluar pas anglishtes, efekti zmadhohet dhe më shumë duke krijuar një asimilim gjuhësor të shpejtë dhe total. Një tjetër shqetësim madhor mbetet Jugu i Shqipërisë, dominuar prej dekadash nga Greqia. Shqiptarët atje tashmë ushqehen materialisht e shpirtërisht me influencën konstante greke. E njëjta gjë me shkollat turke që po përhapen me shpejtësi në Shqipëri duke prodhuar shpesh aktorë dhe ide antagoniste me historinë dhe interesat e Shqipërisë.

5. Ky vakum që shteti shqiptar krijoi me tërheqjen e tij, u shoqërua me një zgjatim të fesë në mënyrë anormale. Degradimi moral që ka përfshirë vendin, padrejtësia sociale, konfliktet mes skllevërve, sigurisht nëse nuk parandalohen nga shteti, janë një terren pjellor për besimet fetare. Por këto të fundit nuk e luajnë atë rol në të mirë të gjithë kombit shqiptar, por vetëm për një pjesë të tij duke minuar dhe atë bashkëjetesë fetare në themel të kombit tonë (Feja e shqiptarit është shqiptaria - Pashko Vasa).

6. Problem tjetër ka qenë emigracioni i jashtëm dhe urbanizimi. Ndërsa emigracioni dhe njohja me kultura të tjera jo gjithmonë shoqërohet me pasurim por shpesh herë dhe me asimilim të kulturës kombëtare. Kurse urbanizimi i shpejtë, sidomos në kryeqytet, krijoi masa të reja pa lidhje me territorin e ri dhe indin social, ndryshe nga vendlindja origjinale ku lidhjet ishin të forta.

7. Dalja e shtetit shqiptar nga shinat kushtetuese duket qartë në politikat e tij që nuk mbyllin por zgjerojnë padrejtësinë sociale në shifra alarmante. Kjo prodhon një largim të popullit nga interesat e përbashkët dhe ndjenjës së atdheut si shpreheshin rilindësit pas ideve iluministe, si ajo e Robespierre. Në deklaratën e famshme mbi parimet e moralit politik, në 1974, Robespierre nënvizon se virtyti publik është në thelb, dashuria për atdheun dhe ligjet e tij, dhe shton se – meqenëse esenca e Republikës ose e Demokracisë, është barazia, nga kjo rrjedh se dashuria për atdheun përfshin domosdoshmërisht dashurinë për barazinë. Përndryshe për të varfrit idea e kombit mbetet një ide e largët nëse mbeten të përjashtuar nga politika dhe ekonomia e atdheut të tyre.


(VIJON)


_______________________________________

DR.LEDIAN DROBONIKU: PSE DUHET TË RIKUPEROJMË IDENË E KOMBIT? (PJESA E PARË)

http://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7831

***

DR.LEDIAN DROBONIKU: PSE DUHET TË RIKUPEROJMË IDENË E KOMBIT? (PJESA E DYTË)

http://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7839

***

DR.LEDIAN DROBONIKU: PSE DUHET TË RIKUPEROJMË IDENË E KOMBIT? (PJESA E TRETË)

http://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7849


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Selver Mackaj 2

Selver Mackaj 1

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks