SHKRIMI
e martë, 23 tetor 2018

SHEMSI RECICA: PËRBALLJE BRENDASHQIPTARE NË KONFERENCËN E RAMBUJESË NË FRANCË (shkurt - mars 1999) (I)

Pashtriku.org, 17 korrik 2018: Në Rambuje të Francës, sikurse edhe para dhe pas saj, përveç lojërave dhe kombinimeve të Serbisë e të aleatëve historikë të saj, edhe krerët e grupimeve politike dhe ushtarake të Kosovës, i bënin lojërat dhe kombinimet e tyre, në kurriz të shqiptarëve të përvuajtur të Kosovës dhe në dëm të tyre.

***

Më shumë se vetë mbajtjes së Konferencës ndërkombëtare për Kosovën (në Rambuje 6 - 23 shkurt 1999, sh.b), që ishte pritur kohë të gjatë e që, deri në atë kohë, shënonte kulmin e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës dhe, njëkohësisht, edhe kulmin e interesimit dhe të angazhimit praktik të qendrave ndërkombëtare të vendosjes, për zgjidhjen e saj; pastaj, krahas kësaj, më shumë se edhe vetë suksesit eventual të saj, - shqiptarët e Kosovës, ata të Diasporës dhe më gjerë, e kishin mirëpritur arritjen e marrëveshjes ndërmjet grupimeve kryesore politike dhe ushtarake të Kosovës: UÇK-së, LBD-së, LDK-së, dhe të “të pavarurve“, për t’u përfaqësuar proporcionalisht, në një delegacion të përbashkët gjithëpërfshirës, i cili do t’i përfaqësonte dhe do t’i mbronte interesat e Kosovës, në Rambuje të Francës.

Megjithëkëtë, pra megjithë marrëveshjen e arritur ndërmjet grupimeve kryesore politike dhe ushtarake të Kosovës, shqiptarët ende kishin arsye, madje shumë të mëdha, për t’i ruajtur të paprekura shqetësimet e tyre, për mosmarrëveshjet ndërmjet krerëve shqiptarë.

Shqetësimet e shqiptarëve për mosmarrëveshjet ndërmjet krerëve të tyre dhe, rrjedhimisht, për dëmin që ato do t’i sillnin zgjidhjes së drejtë të çështjes së Kosovës, qenë rritur jashtë çdo mase, veçanërisht pas bojkotimit të Konferencës së Rambujesë, nga përfaqësuesi i përgjithshëm politik i UÇK-së, Adem Demaçi. Shqetësimet shqiptare nuk i pat zbutur as cilësimi i bojkotimit të Demaçit, si i “ngutshëm“, nga përfaqësuesi tjetër i UÇK-së dhe zëdhënësi i saj, Jakup Krasniqi.



Pas çarjeve të thella ndërmjet UÇK-së dhe FARK-ut, të dala në shesh në atë kohë, Konferenca e Rambujesë nxori në sipërfaqe edhe një çarje tjetër, të thellë, të dhembshme dhe tragjike, brenda vetë UÇK-së, që ishte përjetuar rëndë nga të gjithë shqiptarët.

Shqiptarët, që më shumë se për dy javë rresht, ishin shndërruar në sy dhe në vesh, të drejtuar nga Rambujeja, i kishin mirëpritur informatat për “frymën e bashkpunimit dhe të mirëkuptimit“ dhe për “qëndrimin unik“ të Delegacionit shqiptar në Rambuje, të publikuara nga të dërguarit specialë të mediave shqiptare, por shpresa dhe optimizmi i tyre, si gjithmonë, nuk patën zgjatur shumë.

Krahas këtyre informatave shpresëdhënëse, nga Kështjella mesjetare e Rambujesë dhe përrreth saj, përmes telefonave celularë, kanë rrjedhë edhe informata të tjera, dëshpruese për shqiptarët.

Lajmi i mirëpritur për emërimin e kryesuesit të Delegacionit të shqiptarëve, Hashim Thaçi, ende pa u përhapur mirë, u përgënjeshtrua nga kryeministri Bukoshi, i cili, përmes telefonit celular, për mediat shqiptare dhe për radion Dojçe Vele, deklaronte: “Nuk është e vërtetë që Delegacioni shqiptar i Konferencës për paqe këtu, në Rambuje, ka emëruar kryetar (koordinator), apo zëdhënës. Informata të tilla nuk kanë dalë nga Delegacioni ynë“.

Informatën tjetër për vendimin e negociatorëve shqiptarë për formimin e qeverisë së përkohëshme, me kryetar nga UÇK-ja, gjithashtu të mirëpritur nga shqiptarët, vetëm disa orë më vonë, e kishte përgënjeshtruar prapë Bukoshi. Sipas tij, ky nuk ishte vendim, por vetëm propozim. (Koha Ditore, 25 shkurt 1999).

Vendimin e negociatorëve shqiptarë për formimin e Qeverisë së përkohëshme, poashtu vetëm disa orë pas daljes së tij në opinion, e kishte kundërshtuar ashpër edhe përfaqësuesi i përgjithshëm politik i UÇK-së, Adem Demaçi. Sipas tij, “Iniciativa për krijimin e të ashtuquajturës Qeveri e përkohëshme e Kosovës, nuk është asgjë tjetër, pos një tentativë e zbehtë dhe naive e njerëzve që dështuan në bisedimet e dështuara, në Rambuje të Francës“. (Koha Ditore, 26 shkurt, 1999).

Përçarjet e krerëve tanë, kështu, edhe gjatë Rambujesë, dolën lakuriq në sipërfaqe, ndërkohë që shpresa e re dhe optimizmi i sapolindur i shqiptarëve, për bashkimin e faktorit shqiptar, kundrejt Serbisë, u zëvendësua nga një zhgënjim i ri i tyre, në krerët e grupimeve kryesore politike dhe ushtarake të Kosovës.

KRERËT SHQIPTARË NË DUAR TË HUAJA

Në Rambuje të Francës, sikurse edhe para dhe pas saj, përveç lojërave dhe kombinimeve të Serbisë e të aleatëve historikë të saj, edhe krerët e grupimeve politike dhe ushtarake të Kosovës, pra, i bënin lojërat dhe kombinimet e tyre, në kurriz të shqiptarëve të përvuajtur të Kosovës dhe në dëm të tyre.



Përçarjet dhe mosmarrëveshjet ndërmjet tyre, për çështjet madhore të kombit tonë dhe në momentet më kritike të tij, pra, në momentet historike të zhvillimeve në Kosovë dhe rreth saj, lënë përshtypjen sikur majat e piramidave të grupimeve tona, dirigjoheshin dhe dirigjohen nga duar të huaja, të pranishme në palët shqiptare, që ishin dhe janë aq të interesuara për mbikëqyrjen, për kontrollimin dhe për orientimin e zhvillimeve në Kosovë. Ato, duke i mbajtur frerët e krerëve shqiptarë, e luanin dhe e luajnë lojën e cic-micit, në bisedimet ndërmjet tyre, për marrëveshjet ndërshqiptare:

Kur njëri grupim kërkonte thirrjen e mbledhjes konstituive të Kuvendit, të dalë nga zgjedhjet e majit 1992, grupimi tjetër kërkonte zgjedhje të reja; kur njëri grupim kërkonte vazhdimin e punës së Qeverisë ekzistuese, grupimi tjetër nuk pajtohet dhe kërkonte formimin e qeverisë së re, të përkohshme; kur njëri grupim iniconte një veprim, grupimi tjetër nuk pajtohej, me arsyetimin se “ende është herët“, por kur ky i fundit iniconte, qoftë edhe të njëjtën veprim, grupimi i parë nuk pajtohej, me arsyetimin se “tashmë është bërë vonë“…(!)

MEDIAT TONA DHE DUART E HUAJA…NË TIRANË

Duart e huaja në majat e piramidave të grupimeve tona politike ishin dhe mbeten rreziku më i madh, nga të gjitha rreziqet e mundshme, për vendin dhe për shoqërinë tonë, që do të duhej të tërhiqte vëmendjen e të gjithë të interesuarve për çështjen tonë kombëtare. Megjithëkëtë, për çudi, ato janë mbuluar me një heshtje të hekurt.

Këtë çështje e kanë lënë në heshtje, për çudi, edhe ata gazetarë dhe analistë shqiptarë (të Kosovës), të cilët, nga Prishtina e nga Diaspora shqiptare, i mbushnin faqet e gazetave të tyre “kombëtare“ me “fakte“ e me “të dhëna“ për praninë e duarve të huaja, serbe dhe greke, në majat e piramidave të partive politike shqiptare (të Shqipërisë) dhe të vetë shtetit shqiptar.

Duart e huaja në majat e piramidave të grupimeve politike e ushtarake të Kosovës, me gjasë, nuk ishin “sferë e interesit“ të gazetarëve dhe analistëve shqiptarë (të Kosovës). Ata, prandaj, nuk shihnin afër, aty ku jetonin, pra në Kosovë. Ata ishin të prirur të shihnin larg, në Shqipëri, madje edhe më larg.


(VAZHDON)


_________________________


SHEMSI RECICA: PËRBALLJE BRENDASHQIPTARE NË KONFERENCËN E RAMBUJESË NË FRANCË (shkurt - mars 1999) (I)

http://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7866

***

SHEMSI RECICA: PËRBALLJE BRENDASHQIPTARE NË KONFERENCËN E RAMBUJESË NË FRANCË (Shkurt - mars 1999) (II)

http://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7870


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Selver Mackaj 2

Selver Mackaj 1

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks