SHKRIMI
e shtunë, 17 nëntor 2018

GJOKË DABAJ: LUFTA JONË S’KA TË MBARUAR!

Durrës, 2 shtator 2018: Në kuptimin filozofik, kur me fjalën luftë nuk kuptojmë vetëm përplasjet me armë zjarri; lufta e një kombi nuk mbaron asnjëherë. Në çastin kur të konsiderohet se “mbaroi lufta”, në kuptimin e gjerë të fjalës, mund të thuhet dëshprimisht se ka mbaruar ose po mbaron së ekzistuari vetë kombi që deri atëherë ka ekzistuar.

Gjithë këto po më vinin në mendje mbrëmjen e 22 gushtit, kur ishin mbledhur, në një restorant të ngushtë, në Tiranë, nja dyzet a diç më shumë ish-pjesëmarrës dhe ish-kontribues të drejtpërdrejtë në tri luftërat e fundit (me armë), që i bëri Kombi Shqiptar dhe që rezultuan me shpalljen shtet edhe të një pjese tjetër të Shqipërisë, e që zyrtarisht u quajt Republika e Kosovës.

Takimin e kish organizuar shoqëria “Lëvizja” me kryetar atdhetarin e pazhurmshëm por punëmbarues, Xhevat Gjini (Bislimi). Thashë të pazhurmshëm, sepse Xhevati nuk punon për bujë, as mediatike, as të ndonjë forme tjetër. Dhe thashë punëmbarues, sepse Xhevati, sigurisht i përkrahur me gjithë përkushtimin e duhur prej shokëve dhe bashkëpunëtorëve të vetë, punët në të mirë të Kombit, jo vetëm i planifikon mirë, por edhe i kryen në mënyrën më të mirë të mundshme.

Takimin e drejtoi një tjetër person i rëndësishëm i Kombit Shqiptar, i cili tashmë ka hyrë në histori si njëri prej drejtuesvet kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dilaver Goxhaj.

Pjesëmarrësit ishin që të gjithë, jo vetëm luftëtarë, jo vetëm kontribues të asaj lufte, por, mbi të gjitha, sakrifikues të vetëvetes dhe të familjevet të veta. I dëgjoja dhe thosha me vete: “Të shumtët e këtyre vetëm rastësia i ka lënë gjallë.”

Dhe ish fat i madh që kishin mbetur gjallë, sepse: Kush do t’ua tregonte shqiptarëvet të gjitha ato që kishin ndodhur?! Kush e kish filluar luftën e armatosur, kush i kish hartuar taktikat dhe strategjinë e asaj lufte dhe kush i kish komanduar ata luftëtarë?! Sepse, të mos ishin këta, kush do t’i rrëzonte malet me gënjeshtra e me shpifje që janë ngritur e vazhdojnë të ngrihen përmbi të vërtetat e asaj lufte?!

Cila ishte lidhja midis Republikës së Shqipërisë dhe atyre që kishin marrë përsipër të çlironin edhe pjesë të tjera të Shqipërisë?!

Dëshmia e Zotit Refik Kuca, njeriut që kishte hartuar planet konkretë operacionalë të asaj ushtrie që do të krijohej në viset shqiptare jashtë kufijvet të Republikës së Shqipërisë, më befasoi dhe menjëherë e pyeta Dilaverin:

- “Nga është ky, që ju po i thoni Xha Refik?”

- “Nga Progonati”, më tha Dilaveri.

Dhe atëherë në mendjen time u ripërvijua ideja që, nëse kemi arritur diçka deri më sot, kjo ka ndodhur pikërisht falë bashkëpunimit të njerëzvet atdhedashës skaj e më skaj të Atdheut tonë. Fola me plakun Refik, të cilin s’kish pse e quaja Xhaje, sepse edhe vetë jam mbi të 80-at, dhe ai, kur i thashë kush jam, më përmendi Xheladin Beqirin nga Gjilani, Hero i Popullit, i cili pat jetuar në Labëri si bir i Labërisë dhe jetën e pat dhënë për lirinë e asaj Labërie, njësoj sikur ta jepte për lirinë e Gjilanit dhe të Karadakut të tij.

Një lidhje intensive dhe vendimtare midis RPSSH-së, sidomos të asaj nga viti 1981 e këndej, dhe Lëvizjes Kombëtare në Kosovë e në vise të tjerë të Shqipërisë jashtë kufijvet të RPSSH-së, na e solli bukur në kujtesë bashkëveprimtari i Jusuf Gërvallës, Hasan Ukëhaxhaj prej Deçani. Bukur dhe bindshëm!

Në përgjithësi, ideja ish se lëvizja jonë me synimin për t’u çliruar nga pushtuesit sllavë, as që do të mund të merrte formë konkrete, pa ekzistencën dhe pa rolin aktiv të shtetit shqiptar, të cilit të parët tanë mezi ia kishin siguruar njohjen ndërkombëtare. Në ata çaste po i krahasoja shqiptarët me kurdët. Në qoftë se kurdët do ta kishin, qoftë edhe një copë të vogël të Kurdistanit të njohur si shtet i pavarur kurd, sot perspektiva e kombit kurd do ta kish rrugën të hapur drejt çlirimit të plotë. Kurse ne, duke pasur, ndryshe nga kurdët, një copë Shqipëri shtet të pavarur, përkundër të gjitha histerivet shqiptarofobe dhe përkundër lukunive të pambarimta tradhëti mbas tradhëtie, ia arritëm më në fund të kemi edhe një shtet të dytë shqiptar, duke qenë të vetëdijhëm se kjo arritje e jona kurrsesi nuk mund të jetë fundi a “finalja” e përpjekjevet tona.

Lidhjen midis shtetit ekzistues shqiptar dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga lufta e së cilës do të lindte një shtet i dytë shqiptar, e dëshmonte në mënyrën më të pakontestueshme, prania në atë takim edhe e Zotit Sabit Brokaj, Ministër Mbrojtjeje i Republikës së Shqipërisë dhe këshilltar i Presidentit të Republkës pikërisht në ata vite kur në krahinat e Shqipërisë përtej kufijvet shtetërorë po zhvilloheshin beteja për jetë a vdekje. Parë me një sy më të kthjellët, Zoti Sabit Brokaj, në ata vite, nuk ka qenë vetëm një ministër MBROJTJEJE, por ka qenë edhe një ministër MËSYMJEJE për çlirimin e pjesëvet të paçliruara të Shqipërisë. Pa punën e tij dhe pa përkushtimin e tij, patriotik dhe shtetëror, vështirë se do të mund të viheshin në jetë shumë nga komponentet jetikë të asaj lufte.

Gani Krasniqin e kisha pranë. Cili shqiptar nuk ndjehet krenar kur ka afër Gani Krasniqin?! Por kur Dilaveri tha: „Tani do të dëgjojmë njërin prej luftëtarëvet që ka marrë pjesë, jo në një, por në tri luftëra“, i bëra pyetjen vetes: Kur do të vijë ajo ditë që njerëzit si Gani Krasniqi i Malishevës, veç tjerash, edhe prind i një dëshmori, ta njohin të gjithë të rinjtë shqiptarë dhe të edukohen me shembullin e tij?!

Për kë të flasësh më parë në atë tubim atdhetarësh, modestë deri në dhimbje?! Për një komandant, i sëmurë tashmë, Adem Shehu, i cili mezi qëndronte edhe ulur, por që u çua në këmbë kur foli?! U çua në këmbë dhe lotët mezi i mbante, se në Republikën e Kosovës sot po shkelen me këmbë të ndotura idealet e atyre që e bënë luftën! Në ata çaste, tek po ligjëronte ai hero i gjallë i Gollakut, mua po më vinin në mendje disa vargje të Asdrenit drejtuar tradhtarëvet uzurpatorë:

Mjaft, mjaft! Se u mbush kupa e hidhërimit!

Gjarpërinj, pushoni! Helmin tej e shporrni,

mos dalim tej kufirit të durimit,

që në fund, ç’mbollët, ju të korrni!“//

Dyzet apo diç më shumë pjesëmarrës nuk janë shumë, por lënda me të cilën po mbushej ai takim, ishte sa për dhjetëfishin e pjesëmarrësvet. Secili kish për të kujtuar shumë. Mund të rrinim me orë të tëra dhe përjetimet e atyre pak muajve të luftës, nuk do të rrëfeheshin të gjithë dhe kjo shihej sepse asnjëri nuk përsëriste ç’kish thënë dikush para tij.

Hysen Ymeri, Xhemil Çela, Emrush Xhemajli, Beqir Barxha, Myftar Sfarça...

Me Myftarin kemi qenë bashkëstudentë në Tiranë në fund të vitevet 1960 dhe në fillim të vitevet 1970. Ishim mbi 130 studentë të ardhur nga viset e shqipërisë së pasçliruar, që ndiqnim degë të ndryshme të Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe të Universitetit Bujqësor të Kamzës. Këshilla më mbresëlënëse që na e përsërisnin shpeshherë pedagogët si dhe oficerët e Ministrisë së Punëvet të Brendshme që kontaktonin me ne, ishte kjo: „Studioni shumë, grumbulloni sa më shumë dituri, sepse do t’i duheni Kosovës mbasi ajo të jetë çliruar!“

Në atë takim s’kish të tjerë ish-bashkëstudentë të asaj kohe, përveç Myftarit dhe meje. Ç’është bërë me ta?! Sa ka qenë dhe sa është kontributi i secilit prej nesh, mbasi Republika e Kosovës e mori pavarësinë?!

Myftari tregoi mënyrën si kish shkuar në luftë. Unë nuk munda të tregoj asgjë, sepse nuk shkova në atë luftë dhe e kam peng dhe gati ndiej zili, pse Myftari gjeti rrugë për të shkuar, ndërsa unë nuk e gjeta dot një shteg për të kaluar andej.

Aty ishin edhe luftëtarë e kontribues të tjerë:

- Hulusi Beqiri nga Maqedonia,

- Halim Krasniqi nga Kosova,

- Fatmir Arifi nga Presheva,

- Maliq Doçi,

- Dritan Goxhaj,

- Agim Sallaku,

- Mitat Bogdani,

- Gjokë Lleshi,

- Perlat Sula,

- Sokol Poga,

dhe mjekët e Spitalit Ushtarak:

- Luan Nikollari,

- Rasim Madani,

- Eslem Hasani,

dhe disa përfaqësues të familjeve bazë lufte kryesore të Hasit etj.

Në të vërtetë, i gjithë Kombi ka marrë pjesë në atë luftë, që nuk ish aspak e lehtë. Nuk ish e lehtë, se përballë kishim një ushtri të kompletuar sërbe, por edhe se në popullin tonë dhe sidomos në shumë prej atyre që kishin në dorë për të kontribuar për së mbari, kish mundur të depërtojë lloj-lloj çoroditjeje që sot kujtohet me indinjatë të pambarimtë.

Midis nesh ndodhej edhe Yll Polovina, autori i një vargu librash me shumë vlerë, midis të cilëvet një pjesë e konsiderueshme bën fjalë pikërisht për luftërat në atë që sot quhet Republika e Kosovës, në Kosovë Lindore (Luginën e Preshevës) dhe në Republikën e Maqedonisë. Prej libravet të Yllit kam në dorë “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës”. Është libër 350-faqesh dhe i kushtohet i tëri pjesëmarrjes së Dilaver Goxhajt në luftë. Të shkruhet një libër biografik 350-faqesh për një njeri që ende është gjallë fizikisht, përbën pa dyshim një nder të madh për atë njeri dhe për meritat e tija, në këtë rast për Dilaver Goxhajn. Meritat e Dilaver Goxhajt tashmë janë dukshëm gjurmëlënëse në historinë e Kombit Shqiptar.

***

Shoqëria “Lëvizja”, e kryesuar nga i palodhshmi Xhevat Gjini (Bislimi) duket sikur është krijuar pikërisht për t’u dhënë të kuptojnë të gjithë shqiptarëve se lufta nuk ka mbaruar. Përkundrazi, shoqëria „Lëvizja” po u thotë shqiptarëvet se jo vetëm nuk ka mbaruar lufta, por ajo luftë gjendet tani në një fazë tepër të rrezikshme, në fazën kur krijohet përshtypja e rreme se lufta ka mbaruar dhe ashtu masa më e madhe e Kombit tentohet të vihet në gjumë.

Nuk do harruar që në Kombin tonë, të mirë e të mrekullueshëm, ka shumë PLEHËRA. Prandaj dhe pjesa e mirë e këtij Kombi e ka shumëfish më vështirë për të vepruar si pjesët e mira të kombevet të tjerë. Pse nuk merr përsipër qeveria e Tiranës për t’i vlerësuar e nderuar këta personalitete të spikatur të Kombit tonë?! Pse nuk i dekoron qeveria e Tiranës këta bij të këtij Kombi, që kanë sakrifikuar aq shumë për çlirimin e një pjese të Atdheut të kësaj qeverie?!

Atëherë kur duhej luftuar me armë dhe po luftohej me armë, skota pacifiste u thoshte shqiptarëvet “Mos luftoni! S’ka nevojë të luftoni, se lirinë mund ta fitojmë edhe pa derdhur gjak.” Tani, po të atillë „shqiptarë“ po u thonë shqiptarëvet: “Jemi NE që e bëmë luftën dhe jemi NE që e fituam lirinë! Tash e kanë në dorë fatin e Kombit politika jonë dhe diplomacia jonë! Ju rrini e mos u ndieni!”

Por, mjafton vetëm disa pyetje t’ia bëjmë popullit tonë dhe njëkohësisht të këtillë „politikanëve“ tanë, dhe përgjigjja e pyetjes: a ka mbaruar apo s’ka mbaruar lufta?, do të dalë vetëvetiu.

Si guxon ai tjetri, në këtë rast Greku, të na vijë mu përballë Sarandës e të na përdridhet rreth disa pikave të quajtura „kufitare“, duke u përpjekur të zhvatë sa më shumë det nga deti ynë?! A s’e di ai që kufiri real midis Shqipërisë dhe Greqisë është jo përballë Sarandës, por përballë Prevezës?! Por, a ua thonë dot negociatorët tanë qyqarë këto fjalë negociatorëvet dinakë të Greqisë?!

Si guxon pala greke, në pikun e lëvizjes së mërgimtarëve tanë, në pikën kufitare të Kakavijës, të punojë vetëm me një sportel, kur nuk do të mjaftonin as katër sportele?! A nuk është kjo një tallje cinike me krejt Kombin tonë?! A i bën këto lojëra Greqia në kontaktet kufitarë detarë apo ajrorë me Italinë dhe Turqinë?!

Si guxon dhe si i gjen mënyrat Greku për t’i vënë një rruge të Këlcyrës emrin e Anastas Janullatosit e që e miratojnë pushtetarët tanë?! A pak heronj të vetët kanë Këlcyra dhe Përmeti, por mbetën t’i vënë një rruge emrin e një antishqiptari të dëshmuar e të tejdukshëm tejpërtej?!

Si guxon një Mal i Zi, mbasi ia ka marrë Shqipërisë një copë të madhe të tokavet dhe një duzinë qytetesh, të kërkojë tash të na marrë edhe gjysmën e Rugovës me pëlqimin edhe të pjesës dërmuese të Kuvendit të Kosovës?! Kënd kemi vënë në krye të Republikës së Kosovës dhe në krye të Republikës së Shqipërisë?! A kemi vënë dele apo njerëz me sedër njerëzore?! A do të guxonte Mali i Zi të luante kështu me Kroacinë apo edhe me Luksenburgun?!

Si guxon një Sërbi luftëhumbëse, të cilës i doli nga dora një Jugosllavi dhe e cila iku me bisht ndër shalë nga zjarri i një Tuxhmani, të kërkojë tash në tokën e Shqipërisë një farë “Zajednice” të sërbëvet?! Si guxon një Sërbi luftëhumbëse të kërkojë dhe ta fitojë të drejtën e qeverisjes mbi manastiret tanë ortodoksë?! Xhamitë dhe teqet tona a po i qeverisin klerikët turq e arabë, sado që disa prej tyre mund edhe t’u shërbejnë turqvet dhe arabëvet?! Kishat tona katolike a po i qeverisin klerikët italianë, spanjollë a francezë, sado që këta varen fetarisht prej Vatikanit?! Si guxon një Sërbi luftëhumbur qoftë edhe të ëndërrojë për t’ia marrë, për t’ia rrëmbyer, Republikës së Kosovës Mitrovicën e Veriut, Zveçanin, Leposaviqin, Zubin Potokun e deri edhe Graçanicën, Manastirin e Deçanit e Brezovicën?!

A po e shohin më në fund shqiptarët që lufta jonë nuk ka mbaruar dhe as që ka për të mbaruar ndonjëherë, në qoftë se duam të ekzistojmë?!

Durrës, 25 gusht 2018.



Shkup, janar 2018: Në sheshin Skenderbe, para mozaikut gjigant në Shkup me pjesëmarrësit e Simpoziumit që u mbajt në ITSH.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Selver Mackaj 2

Selver Mackaj 1

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks