SHKRIMI
e premte, 21 shtator 2018

GJOKË DABAJ: UNË I AKUZOJ PARAARDHËSIT E MI (2)

Durrës, 8 shtator 2018: Ata që nuk e njohin ose nuk duan ta njohin historinë, nuk e dinë ose nuk duan ta dinë, që, në këto hapësira, e pakta që nga viti 1219, Kisha Pravosllave sërbe ka bërë çmos që t’i sërbizojë banorët e këtyre anëve. Deri në pjesën e dytë të shekullit XV ajo kishë s’kish arritur në këto hapësira pothuaj asnjë rezultat. Mirëpo, nga shekulli XV e këndej, e ndihmuar edhe nga kërcënimi i islamizimit, gjithmonë edhe për faj të paraardhësvet tanë, Kisha Pravosllave Sërbe ia kish dalë që, me 60% popullsi arbërore, të krijojë një komb të ri, kombin malazias. Natyrisht që ajo Kishë sot nuk mund të jetë e kënaqur, sepse nuk dëshiron që të ketë kombe të tjerë rretherrotull përveç kombit sërb.

Në ndërkohë, ja edhe një çudi tjetër që ka ndodhur në këtë të lëkundshmin dhe të thuash krejt të paqëndrueshmin dinjitet të shtetasvet të Malit të Zi. Në Ulqin, më 1981, ka pasur 1.082 „jugosllavë“, ndërsa më 1991-shin 1.191 „jugosllavë“. Në Tivar, më 1981 ka pasur 2.924 “jugosllavë“, kurse më 1991 numri i „jugosllavëvet“ të Tivarit rritet në 2.739. Se si do të mund të krijohej një komb „jugosllav“ në një shtet prej më shumë se 15 kombesh dhe etnitetesh të ndryshëm, është një absurd më vete, por që, në Ulqin e Tivar, të ketë kaq shumë „jugosllavë“ (sigurisht shumica shqiptarë) është absurd i shumëfishtë, gati i pakonceptueshëm e megjithatë I NDODHUR.

Në 2003-shin, përveç sërbëvet „TË SHTUAR“ dhe malazezëvet „TË PAKËSUAR“, qenë regjistruar si „boshnjakë“ 63.272 banorë dhe 28.714 me „kombësi myslimane“. Gjithsej bëheshin „boshnjakë“ e „myslimanë“ 91.986. (F.152) Historikisht nuk dihet të ketë pasur ndodnjë lëvizje nga Bosnja në Malin e Zi të sotmin. Mund të ketë ardhur ndonjë graduat ushtarak, i komanduar nga Perandoria Osmane, në Podgoricë ose në Tivar, por lëvizje të popullsisë BOSHNJAKE nga Bosnja në territorin e sotëm të shtetit malazias, nuk dihet të ketë pasur. Atëherë, si u krijua „popullsia boshnjake“ në këtë shtet që quhet Republika e Malit të Zi?! Gjasat më të besueshme janë që këta „boshnjakë“ në një të kaluar jo të largët shumica të kenë qenë shqiptarë. Por, duke u gjendur në një shtet, i cili në zjarrin e pushtimit, kish vrarë këtu me mijëra banorë, është zgjedhur si rrugë e parë „shpëtimi“ ndërrimi i gjuhës. Qe ndërruar gjuha, por duke qenë myslimanë, prapëseprapë ata nuk mund të quheshin malazezë, për arsyen e thjeshtë se malazezët janë që të gjithë ortodoksë pravosllavë. Evropa dhe Rusia s’kishin menduar fare për vështirësi të këtilla praktike. E braktisën gjuhën e të parëvet bashkë me shumicën e veçorivet etnokulturore, por malazezë nuk mundën të bëhen! Disa prej tyre, siç e pamë, provuan të quhen „jugosllavë“, por as ashtu nuk doli gjë. Pat nga ata që u bënë komunistë, por në aspektin kombëtar pjesëmarrja në një organizatë komuniste (në kushtet e Jugosllavisë) nuk ndihmonte asgjë. Duke pasur përballë të atillë „komunistë“, pjesa tjetër e popullsisë, shpeshherë brenda së njëjtës familje, e gjeti me vend të kundërvihet duke u deklaruar „mysliman“. Në një Jugosllavi titiste, të deklaruar si „demokratike“, të pohoje se je edhe në pikëpamje kombëtare një „mysliman“, nuk përbënte kurrfarë problemi. Vetëm SHQIPTAR të mos konsidroheshe dhe SHKOLLË SHQIPE të mos kërkoje („se boll dhe madje tepër i kish shteti jugosllav shqiptarët e Kosovës“). Çdo deklarim tjetër ish i pranueshëm!

Kjo është pak a shumë historia e „kombësisë“ „boshnjake“ dhe „myslimane“, që regjistrimi i vitit 2003 i nxori plot 91.986. Një popullsi mirëfilli E ÇORIENTUAR, si pasojë e vendimevet ANTINJERËZORË të Berlinit 1878 dhe të Londrës 1912-1913.



Ndërkaq, vetë malazezëvet, vetë kombit malazias, i ndodhi EDHE MË KEQ. Në regjistrimin e 2003-shit rezultoi që në 17 komuna „dominonte“ gjuha sërbe, ndërsa gjuha malaziase u konfirmua si „dominuese“ vetëm në NJË KOMUNË, në atë të Cetinjës. (F.166) A ka lajm më të trishtueshëm për një shtet që është krijuar me emërtimin Mali i Zi, para një shekulli e gjysmë, me një gjuhë të dallueshme nga sërbishtja dhe me tradita të veçanta, se, mbas një shekulli e gjysmë, gjuha e kombit që e krijoi atë shtet, të mos dominojë veçse në një qytet të vetëm?! Ndonjë supersticioz do të thoshte: „Cetinjën e ka zënë haku i shqiptarëvet“.

Si popullsi maleziase më 2003-shin u regjistruan vetëm 273.366 banorë. Një goditje tjetër kjo tepër e rëndë për atë komb! (F.152) Ndonëse në shtetin e vet, malazezët nuk arritën të përfaqësohen si komb as me 41% të popullsisë së përgjithshme. (F.152) Në vitin 1948 kombi malazias në Republikën e Malit të Zi pat përbërë 90.67%. Në vitin 1991 numri i banorëvet të regjistruar si malazezë kish zbritur në 61.86%, ndërsa tash 40.64%. (F.156-157)

Sigurisht që vetë malazezët do të bëjnë analizat e duhura, por ne mendojmë që brezi i sotëm i tyre duhet të punojë seriozisht për t’u afruar me shqiptarët. Aq më tepër kur në genin e 60% të tyre dëshmohet geni i arbanasëvet (arbërvet). Dy do të ishin kërkesat kryesore të shqiptarëvet: E para, malazezët, në shkallë akademike dhe në parlamentin e tyre, të deklarohen, me rezoluta të qarta e të plota, kundër të gjithë veprimevet të paraardhësvet të tyre në dëm të territorevet të Shqipërisë dhe në dëm të shqiptarëvet. E dyta, jo vetëm të shprehen demokratikisht, por të marrin masa konkrete shtetërore për të hapur shkolla shqipe në të gjithë mjediset ku banojnë shqiptarë, pavarësisht si janë regjistruar apo si „vetëdeklarohen“ ata.

Përfundimisht, i erdhi radha të hidhemi tash drejtpërsëdrejti te titulli që i vura këtij shkrimi: Unë i akuzoj paraardhësit e mi!

Faji i rëndë, në shumicën e rastevet tepër i rëndë, i paraardhësvet tanë ndaj të gjithë brezavet që kanë ardhur mbas tyre e përfundimisht edhe ndaj brezit tonë të sotëm, daton qysh heret. Secili brez i iliro-arbro-shqiptarëvet është dëmtuar në mënyrën më të pafalshme prej gabimevet dhe fajevet të brezavet paraardhës. Këtu historiografia shqiptare nuk duhet të ketë mëshirë! Të mos ketë mëshirë as ndaj fajevet të brezavet që kanë jetuar e s’janë më dhe AS NDAJ NESH, që jemi sot e nesër nuk do të jemi! Sigurisht, duke mos mohuar asnjëherë meritat që njëri apo tjetri brez i ka pasur.

Por unë u ndala sot vetëm tek tema që po trajtoj në lidhje me lëndën që na e ka ofruar kaq profesionalisht autori i nderuar Dr.Nail Draga.

Ia morën malazezët Shqipërisë krahinat dhe qytetet një nga një! Ku ishin shqiptarët që nuk i mbrojtën tokat e tyre?! Pse lejuan t’u merreshin: Podgorica, Spuzha e Zhablaku?! Pse lejuan t’i aneksohej Malit të Zi krahina e Kuçit, shekull mbas shekulli krahinë arbërore?! Ka lloj-lloj justifikimesh: Jo, na kish pushtuar Turqia, jo, Malin e Zi e përkrahnin Fuqitë e Mëdha... Por pyetja nuk mund të mos sillet e risillet prapë: Po ne ku ishim?! Dua të them. Ku ishin të parët tanë, që u hëngërt shpirti pleh atje ku janë?! Edhe Mali i Zi ish nën Turqinë! Një Mal i Zi me 40 mijë banorë, të cilëvet u mbarohej buka pa hyrë dimri!

Shkon, ky Mal i Zi, me një ushtri s’e di sa mijëra vetësh, por jo më e madhe se ç’mund të mblidhnin Kosova, Shkodra, Gjirokastra e Vlora, dhe bën plojë në viset e Plavës! I dalin një tufë malësorësh, e mundin dhe: KTHEHEN NË SHTËPI! Nuk shkojnë deri në Cetinjë e t’i thonë Knjaz Nikollës: Rri urtë, se boll e kemi Turkun mbi krye! Në mos Knjaz Nikollës, eshtravet të tija, atje ku të afërmit do të ishin mbledhur për ta qarë!

Mblidhen ca shqiptarë të tjerë te Ura e Rzhanicës, e ndalin hovin e Knjazit, por meazallah se e kapërcejnë Urën! Ndërsa Tirana, Berati e Janina rrinë mbi sofate e numërojnë tespihet! A nuk meritojnë ata shqiptarë t’u thuhet njëmijë herë: U hëngërt shpirti pleh?! Mblidhen në Berlin Fuqitë e Mëdha dhe thonë: Epo, meqë po ju shqetësokan ca malësorë te Ura e Rzhanicës, hajt t’ia falim Knjazit Ulqinin! T’ia falim edhe Ulqinin, meqë Tivari nuk i mjaftoka! Kush na e ka fajin këtu?! Bizmarku?! Bizmarku dhe të gjithë ata që ishin mbledhur rreth tij, doemos që kanë faj, se vendimet e tyre janë vendime kriminelësh. Por të parët tanë janë shumëfish MË KRIMINELË, ndaj nesh që do të lindnim në robëri prej bijavet të tyre! Si, more, nuk e gjetën një mënyrë për të mos i lënë në robëri bijat, bijtë, nipërit dhe mbesat e tyre, mbasnipërit dhe mbasmbesat e tyre?!

Të gjitha këto që thashë, mund dhe duhet t’i përsëritim edhe për sanxhakun e Nishit, edhe për sanxhakun tjetër rreth Pazarit të Ri, edhe më vonë për krejt Kosovën, edhe për vilajetin e Manastirit e të Janinës. Asnjë paraardhës i yni, që është bërë shkaktar për të mbetur në robëri pasardhësit e tij, mos pushoftë në paqe për njëmijë vjet dhe mos iu qetësofshin kurrë kockat!

Vetëm mbasi t’i kemi thënë të gjitha këto fjali KAQ TË RËNDA, historianët dhe sociologët do të mund t’u hynin analizavet shkencore. Pse ndodhi kështu në Kombin tonë, i cili mbart me vete cilësi nga më të mrekullueshmet njerëzore?! Le ta fillojmë analizën te Pashallëqet, për të mos hyrë me këtë rast më thellë në histori! Pse nuk u realizua pavarësimi i Shqipërisë në kohën e Pashallëqevet?! Nuk duhet të harrojmë që, në ata vite, të gjitha fuqitë e Evropës ishin TË INTERESUARA dhe bënë përpjekje të hynin në lidhje, si me Bushatasit, ashtu edhe me Tepelenasin.

Përgjigjja është fare fare e thjeshtë! As Bushatasit, as Tepelenasi, nuk e patën vendosur në administratat e tyre SHKRIMIN SHQIP! As Bushatasit, as Tepelenasi, nuk kishin hapur SHKOLLA SHQIP në pashallëqet e tyre, sado që shkrimi ynë EKZISTONTE e pakta prej 250 vjetësh! S’ka nevojë të kërkohet më tutje! Nëse këtë punë do ta kishin kryer Bushatasit dhe Tepelenasi, që duhej të ish e para punë e tyre para se të mprehnin shpatat për t’u pavarësuar, Shqipëria do të qe pavarësuar që në kapërcyell të shekujvet XVIII e XIX. A ke si të mos thuash, u hëngërt shpirti pleh atyre pashallarëve, thjeshtë sepse nuk hapën shkolla shqip dhe nuk praktikuan administratë në gjuhën shqipe?!

Në mbijetesën dhe në fuqizimin e cilitdo komb ka funksionuar dhe funksionon një STRUKTURË me TRE PËRBËRËS, historikisht e dëshmuar si e domosdoshme: 1.Kombi të ketë në gjuhën e vet një udhëheqje ideologjike kombëtare (në mos të vetme, të paktën mbizotëruese). 2.Kombi të qeveriset prej një aparati shtetëror, (i cili, në periudha fatkeqësie, ndodh që të jetë edhe i huaj). 3.Kombi të mbahet në jetë nga një masë e mjaftueshme prodhuesish.

Koncepti ideologji kombëtare, në rastin tonë, kërkon të trajtohet pak më gjërë. Ideologjia kombëtare mund të burojë dhe duhet të burojë nga vetë kombi. Por është e domosdoshme të jetë E SHKRUAR dhe të PREDIKOHET në vazhdimësi NË TERREN. Historitë e kombevet dëshmojnë që një ideologji mund të jetë edhe e huazuar, madje mund të jetë edhe dogmë e mbushur me besime të kotë. Vendimtare është që, cilado ideologji, qoftë edhe e huazuar, qoftë edhe dogmë, të PREDIKOHET, institucionalish dhe në vazhdimësi NË GJUHËN e kombit përkatës dhe të predikohet në terren, gojagojës e jo me teletransmetime. Teletransmetimet janë faktor ndihmës.

Ideologjia kombëtare, E SHKRUAR, e cila në fakt është një udhëheqje shpirtërore e kombit, është e domosdoshme të ketë një qendër të vetme dhe është e domosdoshme të ketë predikuesit dhe objektet, ndërtesat, ku ata të mund t’i mbledhin njerëzit e vet dhe t’ua transmetojnë në mënyrën më të përshtatshme ushqimin shpirtëror.

Ideologjitë kombëtare janë udhëhequr dhe udhëhiqen nga klasat e pasura kombëtare. Ndërsa populli, masa e ithtarëvet, është ajo që e mban më këmbë ideologjinë e vet, ushqimin e vet shpirtëror. Pikërisht këtu, te bashkëpunimi dhe bashkëveprimi midis dy klasavet, përndryshe antagoniste, qëndron forca e një kombi. Po s’pat një ideologji përbashkuese midis popullit dhe klasës, që i organizon, i zotëron dhe menaxhon të mirat materiale, aty nuk ka dhe nuk mund të ketë komb të konsoliduar. Kombet mbijetojnë, edhe në situata të disfavorshme, pikërisht falë një ideje kompaktësuese, e cila predikohet. Dhe unë bëj çudi të madhe si ka mundur të gjallojë deri më sot ky Kombi im, pa një të tillë organizim. Të ketë qenë Oda?! Të kenë qenë dasmat, mordet dhe festat?! Të kenë qenë këngët dhe vallet vendëse?!

Në historinë e Kombit tonë, fatkeqësisht, bashkëpunimi në aspektin etnik, e në vazhdim, kombëtar, midis klasavet antagoniste, ka ekzistuar vetëm në periudha të shkurtëra dhe në raste të pakët. Në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ai bashkëpunim, sado që nuk u ngrit në shkallën e institucionit afatgjatë, i dha frytet e vet për aq sa mundi të shfaqet.

Por, në përgjithësi, të pasurit tanë nuk kanë menduar për kombin, të cilit i përkisnin. Një i pasur shqiptar, njëkohësisht edhe pushtetar i çfarëdo shkalle, mund të ketë mbajtur roje, personale apo të objektevet, mund të ketë mbajtur kuzhinierë e shërbëtorë, magazinierë, kujdestarë qensh, gra, për të plotësuar dëshirat ekstra seksuale, por që të afrojë rreth vetes njerëz të ditur, kjo, me sa duket, as që u ka shkuar ndërmend. Për UDHËHEQËS SHPIRTËRORË të popullit të vet, të pasurit tanë zor se janë preokupuar ndonjëherë. Prandaj edhe na kanë ndodhur mynxyrat që, kur i kujtojmë, na zihet fryma.

Prandaj dhe, një Mal i Zi fare i vogël, arriti të na i marrë, të na i shpopullojë, të na i kolonizojë dhe të na i asimilojë tokat tona sa dyfishin e tokavet të tyre dhe sa gjashtëfishin e qytetevet të tyre (Sepse malazezët vetëm një qytet kishin kur u ngjizën si komb!) Dhe kjo ka ndodhur thjeshtë sepse ai komb, kombi malazias, është mbështetur te një UDHËHEQJE SHPIRTËRORE përbashkuese. Madje njihet në histori që atij kombi i kanë prirë që në zanafillë vetë udhëheqësit shpirtërorë, duke bërë njëkohësisht edhe udhëheqjen laike.

Ky është shpjegimi shkencor, pse popujt fqinjë dolën më të fuqishëm se ne nga sundimi osman dhe pse ata arritën ta copëtojnë Shqipërinë aq mizorisht, duke çuar në varre qindra bij e bija të këtij kombi!

Fajin (kryesor) nuk e kanë pushtuesit, as përkrahësit e pushtuesvet!

Kur ujqërit futen në tufat e bagëtivet dhe i shtrijnë përtokë me dhjetëra e qindra, është gabim të fajsohen ujqërit. Pa le kur kopetë i sulmojnë çeta grabitësish, i vrasin barinjtë dhe kopetë i marrin për vete për t’i therur! Duhet të fajsohen të zotët e tufavet dhe të kopevet, që nuk i ORGANIZOJNË si duhet punët e veta! ATA t’i vënë gishtin kokës, nëse nuk duan që prapë po ata ujqër a po ata grabitës t’ua shkretojnë fare, bagëti e njerëzi!

Kapitull shtesë. Kombi malazias është në gjendje të keqe në këtë kohë, pikërisht sepse udhëheqja e tij shpirtërore është në krizë, e uzurpuar nga krerët e Kishës Sërbe. Rrjedhimisht, kombi malazias, i gjendur para një të këtillë realiteti, do të duhej, në radhë të parë të konsolidonte, ndoshta të rikonstruktonte nga themelet udhëheqjen e vet shpirtërore.

Mbas kësaj, ose krahas kësaj, shteti malazias duhet të rregullojë legjislacionin e vet në lidhje me përkatësinë kombëtare: Të ndalojë me ligj çdo lloj MASHTRIMI në regjistrimet e popullsisë. (E them këtë për Malin e Zi, por, një ligj të këtillë në të vërtetë, do të duhej ta kish secili shtet.) Ta ndalonte VJEDHJEN E IDENTITETIT dhe të caktonte gjobat përkatëse për çdo shkelje, duke u nisur nga parimi që, të vjedhësh një përkatësi kombëtare, është krim shumëfish më i rëndë se të vjedhësh një ka ose një kalë.

Nëse në Mal të Zi do të miratohej një i këtillë ligj dhe të zbatohej me rigorozitetin e duhur, rezultati do të ishte ky: 200.000 gjoja “sërbë” do të regjistroheshin malazezë. Ata shqiptarë që kanë gënjyer, duke vjedhur kombësitë e të tjerëvet, do të detyroheshin të mos vjedhin më. Magjypët do të detyroheshin të shkruheshin magjypë, gabelë, ose romë, siç po u thonë tani, ndonëse edhe kjo do të mbetej për t’u diskutuar. Atyre shtetasve të Malit të Zi, që janë deklaruar me “kombësi myslimane” dhe atyre që janë deklaruar “boshnjakë”, pa qenë prej Bosnjet, ndoshta do të duhej t’u përcaktohej një rregull i këtillë, mbështetur secili në të dhëna shkencërisht të vërtetuara: me prejardhje malazi (porijeklom Crnogorac), ose me prejardhje shqiptar (porijeklom Albanac). Ky përcaktim, me prejardhje malazi dhe me prejardhje shqiptar, do të shprehte thelbësisht të vërtetën dhe, njëkohësisht, do t’i çlironte nga barra e gënjeshtrës mijëra banorë.

Besimi fetar, vetëkuptohet, ka rubrikë më vete. Por edhe këtu do të duhej vendosur një rregull i rreptë: Kush nuk e praktikon rregullisht religjionin, është i detyruar me ligj të regjistrohetsi jopraktikues, përndryshe ndëshkohet. Kroatët do të ishin të detyruar të shkruheshin kroatë, sërbët e vërtetë, ata që kanë ardhur këtu nga Sërbia, do të ishin të detyruar të shkruheshin sërbë dhe ndoshta, në kuadër të një të këtillë legjislacioni, mirëfilli demokratik, një pjesë e shtetasvet të Malit të Zi do të dilnin hercegovas apo edhe turq, italianë, hebrenj etj. Gjithsesi, mbas një të këtillë regjistrimi, vërtet të saktë, stabiliteti në shtetin malazias, në aspektin nacional, do të ish i garantuar.

Kombi ynë, për fat të keq, nuk ka ende një UDHËHEQJE SHPIRTËRORE, e cila do të mund t’ia çelte këtij kombi horizontet e së ardhshmes.

Ndoshta nuk do t’i kisha thënë të gjitha këto, madje ndoshta nuk do të kisha shkruar asgjë me një të këtillë titull zemërcopëtues, në qoftë se edhe për të ardhshmen nuk do të qëndronte pezull fati i Kombit Shqiptar. Po i rendit, fare shkurt, vetëm disa nga faktet, përballë të cilëvet, secili shqiptar i ndershëm, si dhe secili shqiptar çerek i ndershëm apo gjysmë i ndershëm, nuk duhet të rrijë duarkryq.

Dikush që thonë se shqetësohet për Shqipërisë (E kanë fjalën, në këtë rast, vetëm për Republikën e Shqipërisë, jo për krejt Shqipërinë.), na ka sajuar një fushatë me emërtimin Veting (fillimisht në fushën e drejtësisë). Ç’duhet të kuptojmë ne shqiptarët prej kësaj fushate?! Prej kësaj fushate, ne shqiptarët, duhet të kuptojmë që, këtu në Shqipëri nuk bëhet fjalë për 5 apo 15 juristë të pamoralshëm. Në Shqipëri (Pak nga pak kjo sëmundje po shtrihet në krejt Shqipërinë, që ngaTirana deri në Prishtinë e që nga Prishtina deri në Shkup.) po “lulëzon” sot, dua të them, po metastazon si kanceri, një kastë e tërë juristësh moralisht të ndyrë. Sa pare bën t’i kemi 5 apo 7 juristë të ndershëm, të pavetëndotshëm, me etiketën “qyqar” ose “merhum” mbas shpatullës, kur krejt kasta e atyre, që janë thirrur për të ndarë drejtësi, është e ndotur, e ndyrë, e qelbur në krejt moralin e saj?!

E unë tash po pyes: Sa prej këtyre kuazijuristëve i kanë lexuar librat plot shqetësim të Dr.Nail Dragës?! Atyre, as që u bëhet vonë për Kombin e vet!

Mbas drejtësisë, Vetingu, normalisht do të duhej të kalonte, për shembull, te mjekësia. Kasta e mjekësisë, ku të sëmurët kanë frikë të shkojnë, s’është aspak më e pastër se kasta e juristëvet. 5 apo 7 mjekë të përkushtuar, heronj që i ngjajnë Jezu Krishtit, nuk e zbardhin dot faqen e krejt kastës! I sëmuri i sotëm shqiptar ka më shumë frikë nga mjeku e mjekësia dhe nga farmacisti, sesa nga vetë sëmundja!

E unë prapë po pyes: Sa prej këtyre mjekëve, zhvatës të pacientëvet të vet, i kanë lexuar librat plor alarm të Dr.Nail Dragës dhe librat e autorëvet të tjerë si ky?! Atyre s’po u bëhet vonë për pacientët e vet (Nëse s’u japin para, nën dorë e mbi dorë!) le më t’u bëhet vonë për Kombin!

Kasta e tregtarëvet dhe e të quajturvet industrialistë, po na e mbush tregun me ushqime të dyshimtë! Krejt Kombi Shqiptar i është nënshtruar, në kohën tonë, një helmimi të heshtur! Para jo më shumë se dy javësh, njëri nga axhët e këtij vendi, një xhaxha i ndershëm, me të cilin më rastisi të udhëtoja në autobus, e kish pyetur të nipin, punëtor në njërën nga fabrikat tona të mishit: „Si e ke punën? Të kam parë që po vjen vonë në shtëpi.“ I nipi i ish përgjegjur: „Po i ndërrojmë etiketat një sasie të madhe mishi. Na e ka gjetur kontrolli të prishur, të papërshtatshëm për t’u shitur, madje me rrëzik që të helmojë me qindra njerëz, na e ka ndaluar ta tregtojmë, por ne po ia ndërrojmë etiketat dhe po e nxjerrim prapë në treg.“

Dhe, a mbetet për të pyetur, nëse kjo kastë spekullantësh, që e helmon popullin me ushqime të prishur, të mykur, të intoksikuar apo gjenetikisht të deformuar, shqetësohet sadopak për fatet e cilësdo pjesë të popullit të vet, mbetur këtu e 100 vjet nën pushtimin e shtetevet fqinjë?!

Përballë të këtillë shkatërruesve të çdo gjëje të mirë e të virtytshme që Kombi ynë ruan në shpirtin e vet, a mund të qëndrojë indiferente pjesa e vetëdijshme e brezit të sotëm të shqiptarëvet?! A na lejohet ne, të sotmëvet, që edhe brezat e ardhshëm të na akuzojnë, siç po i akuzojmë ne paraardhësit tanë?!

Nuk ka, pra, rrugë tjetër Kombi Shqiptar, vëçse t’i hyjë vendosmerisht punës për ta riedukuar vetëveten me një mënyrë INSTITUCIONALE, sistematike, efikase dhe, doemos, afatgjatë, sepse punët e mira duan shumë kohë për t’u kryer.

Gjokë Dabaj, Durrës, 4-18 gusht 2018

FUND


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Selver Mackaj 2

Selver Mackaj 1

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks