SHKRIMI
e mërkurë, 19 qershor 2019

REAGIM I KMDLNJ'së: KOLONIZIMI I VERIUT TË KOSOVËS DHE STANDARDET E DYFISHTA!

Prishtinë, 26 mars 2019: Qeveria e Serbisë, që nga përfundimi i luftës në Kosovë ka ushtruar pushtet efektiv në veriun e Kosovës dhe pjesët e enklavizuara brenda Kosovës, me shumicë serbe. Përmes instrumentalizimit të qytetarëve të Kosovës, përkatësiht serbëve, deri më sot e ka mbajtur të tensionuar situatën politike dhe në këtë mënyrë ka bërë ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të një shteti të pavarur dhe sovran. Bashkësia ndërkombëtare që ka qenë dhe vazhdon të jetë vendimmarrës për shumicën e proceseve në Kosovë ka legalizuar dhe legjitimuar zbatimin e standardeve të dyfishta duke përkrahur dhe bashkëpunuar me ekstremistët serbë por edhe me ata shqiptarë, kur kanë pasur nevojë për përkrahjen e tyre. Nëse pas përfundimit të luftës në Kosovë kanë reaguar kundër shpërnguljes, zhvendosjes apo ikjes së serbëve nga Kosova apo edhe në vitin 2004, atëherë kanë pasur plotësisht të drejtë pavarësisht nëse serbët janë larguar me vet iniciativë apo, në jo pak raste për shkak të pasigurisë dhe dhunës së ushtruar ndaj tyre. Ndërkombëtarët por edhe vendorët kanë kërkuar që të mundësohet kthimi i pakushtëzuar si e drejtë elementare e njeriut të të gjithë personave të zhvendosur në pronat e tyre pavarësisht përkatësisë etnike, besimit fetar, gjinisë, bindjeve politike apo statusit në shoqëri.

KMDLNj-në, në atë kohë i ka vizituar të gjitha qendrat dhe lokacionet në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe disa lokacione në Mal të Zi ku kanë jetuar si të zhvendosur qytetarët serbë nga Kosova dhe ata romë duke organizuar vizita “shko dhe shiko” dhe duke organizuar takime me udhëheqësit komunalë si dhe me palën pranuese , shqiptarët. Ndërkombëtarët në këtë drejtim kanë zbatuar rreptësisht kritere selektive dhe kushtëzuese; janë angazhuar vetëm për kthimin e serbëve të zhvendosur por në të njejtën kohë kanë penguar kthimin e shqiptarëve dhe joserbëve të zhvendosur dhunshëm nga Mitrovica në shkurt të vitit 2000.

Aq më keq, ndërkombëtarët , përkatësisht KFOR-i francez në mënyrë aktive ka marrë pjesë në përzënien e shqiptarëve nga Mitrovica në vitin 2000 gjatë një inkursioni të dhunës së paramilitarëve, policëve dhe shërbimeve sekrete të Serbisë. KFOR-i francez e pati arrestuar edhe kryetarin e Qendrës rajonale të KMDLNj-së në Mitrovicë, Halit Barani duke i konfiskuar disa materiale dhe dëshmi.

Pastaj ishin angazhimet e ndërkombëtarëve për kthimin e serbëve dhe romëve të zhvendosur në pronat e tyre që ishte kërkesë e drejtë dhe në të njejtën kohë ishte angazhimi i ndërkombëtarëve kundër kthimit të shqiptarëve dhe joserbëve në pronat e tyre në Mitrovicë e që ishtë krejtësisht e padrejtë, në kundërshtim të plotë me të drejtat elementare të njeriut.

Për qëllime politike dhe rirregullim territorial, Mitrovica u nda në dy qytete ; e Veriut dhe e Jugut e që paraqet nonsens që një qytet ndahet në kohë paqeje thuaja 15 vite pas përfundimit të luftës. Deri sa një agjencion kriminal i quajtur Habitat, i cili ishte mbi ligjin, mbi çdo institucion dhe mbi vet shtetin, me dhunë dhe forcërisht nxirrte nga banesat e uzurpuara shqiptarët, edhe në acarin më të madh, asgjë nuk ndërmorri për lirimin e banesave të uzurpuara të shqiptarëve dhe joshqiptarëve në veri të Mitrovicës duke i shndërruar refugjatë në shtetin e tyre. Ndërtuan shtëpi dhe banesa për serbët dhe romët e zhvendosur, me mjete të buxhetit të Kosovës dhe ato, jo që nuk u populluan me persona të zhvendosur por, ose u plaçkitën nga persona të papërgjegjshëm, ose u shitën ndonëse ishin donacione.

Në veriun e Mitrovicës nuk u ndërtuan shtëpi apo banesa për shqiptarët dhe joserbët e përzënë nga aty por nuk u lejuan as ndërtime individuale me arsyetimin se nuk po pajtohen serbët lokalë dhe se po kanë shqetësime nga kthimi i shqiptarëve.

Pas një kohe , në lokacionin Kodra e Diellit, qeveria e Serbisë e bëri publik një plan për ndërtimin e qindra shtëpive të banimit për serbë, me mjete të qeverisë së Serbisë , pa kërkuar fare leje nga autoritetet kosovare.

Autoritetet kosovare bënë zhurmë të çastit për të zhvendosur vëmendjen duke deklaruar se nuk do të lejojnë ndërtimin e shtëpive, pa leje dhe plan urbanistik.

Qeveria e Serbisë filloi ndërtimin e një lagjeje, pa lejen e askujt dhe tani e kemi një lagje kolonizuese, jo për serbët e Kosovës por për serbët që i dërgon Serbia, pa pëlqimin e Kosovës. Kolonizimi i veriut të Kosovës, tashmë është fakt i kryer dhe këto lagje të kolonistëve i përngjajnë Kibuceve që i ndërton Izraeli në tokat e okupuara palestineze. Qeveritë e Kosovës, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të ndaluar këtë ndërtim të lagjeve kolonizuese dhe në këtë mënyrë është përgjegjëse për spastrimin etnik në atë pjesë të Kosovës sikur edhe legalizimin e kolonizimit me qytetarë serbë që nuk iu binden ligjeve të Kosovës dhe që e luftojnë Kosovën me të gjitha mjetet e mundshme. Ndërkombëtarët e kanë mirëpritur këtë kolonizim duke kontribuuar në Urën mbi lumin Ibër, për të cilën kanë caktuar data kur do të bëhet hapja e saj por, në të njejtën kohë e pengojnë hapjen e Urës duke e pamundësuar lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët. Kolonizimi i veriut të Kosovës dhe ndryshimi drastik e strukturës etnike në një mënyrë apo tjetër përligj ndarjen e Kosovës e që do të duhej të kundërshtohej me të gjitha mjetet e lejuara dhe të palejuara.

Kthimi i të zhvendosurve në pronat e tyre është e drejtë e patjetërsueshme dhe që nuk duhet të kushtëzohet me asgjë sepse është e drejtë elementare e njeriut vetëm nëse konsiderohet si e drejtë universale siç edhe e parasheh Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara ndërsa kjo që po ndodh në Kosovë është në kundërshtim të plotë me këtë Deklaratë; përkatësia etnike është përcaktuese për realizimin e kësaj të drejte( për serbët) dhe refuzuese për realizimin e kësaj të drejte ( për shqiptarët) e që është diskriminim flagrant, përmes zbatimit nga pozicioni i të fortit i standardeve të dyfishta.

Shërbimi për Informim i KMDLNJ'së, Prishtinë, 25 mars 2019



___________________

SHTOJCË E PASHTRIKUT

Kolonizimi i veriut po ndodh, 300 shtëpi u ndërtuan te “Lugina e Diellit”


Rreth 13 mijë shqiptarë, të cilët janë dëbuar gjatë luftës së fundit dhe në shkurtin e vitit 2000 nga banesat e shtëpitë e tyre në veri të Mitrovicës, edhe më tutje jetojnë si refugjatë në jug të Mitrovicës, vetëm disa metra larg nga banesat përtej urës prej nga janë dëbuar, ndërkohë institucionet e shtetit të Kosovës nuk kanë bërë asgjë që atyre t’u sigurohet kthimi.

Rreth 500 prona të shqiptarëve mbahen të uzurpuara nga serbët, ndonëse në fund të vitit të kaluar 20 prej tyre janë rinovuar nga një organizatë e huaj për t’u krijuar kushte pronarëve që të kthehen. Shqiptarët kanë vështirësi të kthehen sidomos me ndarjen e qytetit të Mitrovicës në dy pjesë, jug dhe veri, ndërkohë deri atëherë Komuna e Mitrovicës nëpërmes një aksioni “Ndihmo edhe ti” kishte arritur të ndërtojë rreh 100 shtëpi në lagjet veriore të banuara me shqiptarë.

Por me ardhjen në pushtet të Goran Rakiqit në Komunën Veriore të Mitrovicës ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve është ndërprerë dhe secili që ka marrë iniciativën të ndërtojë është përballur me policinë dhe me inspektorët e Komunës Veriore.

Derisa shqiptarët nuk lejohen të ndërtojnë në pronat e tyre në veri dhe derisa shqiptarët nuk lejohen të kthehen në banesat e tyre përtej urës, prej nga janë dëbuar gjatë luftës, por edhe në shkurtin e vitit 2000, Serbia vazhdon të investojë shuma të mëdha të mjeteve për ndërtimin e objekteve të larta të banimit, si dhe të vendbanimeve të reja me qellim që serbët nga Serbia të kthehen në Kosovë.

________________

‘Lugina e diellit’, tendencë për ndarjen e Kosovës

https://www.youtube.com/watch?v=5tKHuwjI7x4



kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks