SHKRIMI
e mërkurë, 24 prill 2019

DILAVER GOXHAJ (SHPETIM GOLEMI): SË PARI SHTET - PASTAJ PUSHTET! (28 KORRIK 1998)

Tiranë, 28 mars 2019: Organizimi i UÇK-së shënoi një hap të ri në zhvillimin e proçeseve drejt pavarësisë së Kosovës. Ngjarjet po vërtetojnë se krijimi i UÇK-së dhe ngritja në luftë të armatosur e tërë popullit të Kosovës ishin të domosdoshme, pasi vetëm pas këtyre ngjarjeve lëvizi Evropa.

Pra, mund të themi se bota diplomatike ishte për ruajtjen e statukuosë në ish Jugosllavinë e mbetur. Shpërthimi i luftës së armatosur në Kosovë i vendos forcat politike të Kosovës dhe z.Rugova para detyrës të angazhohen me luftën dhe të përcaktojnë saktësisht detyrat e UÇK-së e ato të vetat, për vetë çastet që po kalon Kosova.

Lufta në Kosovë po ecën drejt rritjes dhe po organizohet gjithnjë e më shumë nën ndikimin e zhvillimeve të vetëvetishme të ngjarjeve. Dimë se kërkesat e popullit kosovar për pavarësi kanë filluar qysh në vitin 1981, në formën e demonstratave të fuqishme, të cilat më vonë ishin edhe më të egra, prandaj dhe shteti sërb iu përgjigj me heqjen e çdo lloj autonomie Kosovës në vitin 1989.

Në këtë kohë doli teoria e "Gandizmit" e z.Rugova, e cila në vend që ta kapërcente fazën fillestare të luftës çlirimtare, që ishin demonstratat, e tulati këtë lëvizje dhe vuri në plan të parë rrugën paqësore. Propaganda e LDK- së, si parti shumë e madhe, e bëri punën e vet dhe populli kosovar shpresoi ta fitonte pavarësinë, sikundër e fitoi Hindia, duke ngatërruar faktorin gjeografik e konfliktuoz, pasi Hindia ish e kolonizuar nga Anglia, por nuk kish një shtrirje territoriale me atë si dhe nuk pretendohej nga Anglia, se Hindia ishte tokë angleze.

Vëndin e demonstratave të fuqishme e zunë konferencat e shtypit të z.Rugova si dhe vizitat e tij nëpër kancelaritë e Evropës, ndërkohë që ushtria serbe po bën ndëshkime ndaj popullit shqiptar në Kosovë. LDK-ja duhet ta ketë të qartë se rruga paqësore është një nga rrugët e fitores së lirisë, por as kryesoria dhe as e vetmia. Në kushtet e Kosovës rruga kryesore për fitoren e lirisë u pa se qënkërka vetëm rruga e luftës me armë. Shtypja serbe dhe propaganda paqësore e LDK-së e mbu- shën kupën e durimit për popullin kosovar, i cili filloi përpjekjet për rezistencë ndaj shtypjes poshtëruese serbe.

Kjo rezistencë fillimisht ishte sporadike dhe kur i merrte përsipër UÇK-ja nuk besohej, por quhej nga zëra brënda LDK-së, si alibi e serbëve për të justifikuar raprezaljet e tyre.

Gradualisht, nga veprime mbrojtëse spontane u kalua në përpjekje të armatosura e të organizuara kundër forcave ushtarako-policore serbe, të cilat morrën formën e një lufte të armatosur. Ajo po shkon drejt kryengritjes së armatosur, ku në anën e saj po kalon i gjithë populli kosovar. Kjo u vërtetua për herë të parë në ngjarjet e Drenicës, 5-8 Mars 1998, dhe më vonë njësi të ushtrisë serbe kaluan në shpopullim masiv, prandaj dhe nuk u zhvilluan edhe zgjedhjet në 14 zona elektorale.

Rugova është kundër kryengritjes së armatosur

Qeveria serbe bëri të pamundurën për ta fshehur të vërtetën e veprimeve të saj terroriste në Drenicë. Edhe z.Rugova, përveç se i dënoi në parim ato veprime nuk deklaroi se ato qenë veprime ushtarake si kundërpërgjigje ndaj luftës së UÇK-së. Ai s'e bëri dhe nuk e deklaron këtë pasi nuk pranon se rruga e tij paqësore është e kotë dhe se rezultoi e pasuksesëshme.

Qeveria serbe, duke mashtruar, s'bëri gjë tjetër veçse demaskoi vehten e saj para gjithë botës, me përjashtim të Rusisë.Ndërkohë, përpjekjet e popullit kosovar e të UÇK-së, kundër ushtrisë e policisë serbe, po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta, duke u përhapur edhe në krahina të tjera. Në mediat botërore jepeshin e jepen çdo ditë lajme të tilla, por duke e theksuar se kryhen ndaj policisë serbe. Ky lloj deklarimi po vazhdon edhe sot, por e vërteta është se nuk kemi të bëjmë vetëm me policinë serbe, pasi policia nuk ka helikopterë luftarakë, tanke, avionë, artileri me grykë zjarri dhe artileri reaktive, të cilat janë përdorur dhe po përdoren me shumicë nga pala serbe. Rezultati më i madh që ka arritur dhe po arrin pala serbe është shpopullimi i fshatrave, ku ajo mendon se strehohen luftëtarët e UÇK-së, duke e harruar përvojën e tyre të luftës guerile, pasi përsëri Drenica dhe disa zona të tjera kanë mbetur territor i pashkelur nga ushtria serbe, ndaj edhe i godet me artileri me larghedhje të madhe. Si rrjedhojë e kësaj lufte hapi i parë u bë, u kalua në organizimin e UÇK-së, gjë që u njojt si nga SHBA ashtu edhe nga Grupi i Kontaktit, ndërsa presidenti Rugova nuk u deklarua qartë në asnjë rast për UÇK-në. Në vend që ta përkrahte UÇK-në me të gjitha forcat e t'ua shpjegonte të gjitha shtresave të popullit rëndësinë që ka ajo për popullin kosovar në luftën për liri, me qëllim që të ndihmonte që ajo të bëhet e aftë për lirimin e Kosovës,ai hesht në mënyrë inatçore.

Krijimi i UÇK tregon se kemi mbërritur në etapën e fundit, në qoftë se është në përmasat sikundër deklarohet, ku thuhet se janë krijuar edhe brigada luftarake.

Kjo nuk do të thotë se e gjithë lufta ka arritur në tërësi në shkallën më të lartë. Jo. Nga shumë pikëpamje lufta ende nuk është zhvilluar, pasi në shumë qytete të Kosovës ka ende tipare të luftës fillestare dhe se politika e z.Rugova dhe e shumë forcave politike shqiptare nuk ka asnjë ndryshim nga politika e tyre e mëparëshme.

Por kjo do të thotë se përfaqësuesit e popullit, jo deputetët por lufttarët e lirisë, kanë arritur deri në detyrat e reja më të larta të luftës për liri, të luftës përfundimtare me armikun e popullit kosovar. Kjo nuk u arrit në sajë të konsideratave politike e të rrugës paqësore, por në sajë të presionit e rritjes së luftës së armatosur të popullit kosovar të organizuar në UÇK.

Detyrat e UÇK-së

Puna e parë e UÇK-së është të shpalli kryengritjen; t'i japi gjithë popullit kosovar udhëheqjen ushtarake, që është e domosdoshme për luftën çlirimtare; të krijoi pikat mbështetëse të luftës së hapur të të gjithë popullit; të përhapi luftën gradualisht në të gjithë Kosovën; të siguroi (fillimisht në zonat e lira) lirinë e plotë politike; të bëjë zëvendësimin e pushtetit të vjetër serb, duke aktivizuar gjithë popullin,etj.

Vetëm duke e kuptuar rëndësinë e këtyre detyrave formacionet e UÇK-së mund të korrin fitore e që do të shërbei si një mbështetie e pushtetit provizor që po ngrihet ose që duhet të ngrihet. Pushteti provizor është një institucion po aq i nevojshëm dhe jetik, në fazën e tanishme të luftës, sa edhe UÇK-ja. I pari do të bëjë udhëheqien dhe mobilizimin e popullit për luftë, ndërsa e dyta nevojitet për luftën me armë dhe për udhëheqjen ushtarake të popullit kosovar në luftën për pavarësi. UÇK-ja është e domosdoshme sepse vetëm nëpërmjet saj, e cila është forca e popullit, mund të zgjidhtet problemi i pavarësisë së Kosovës. Ndërsa organizimi i kësaj force të armatosur quhet organizim ushtarak i popullit kosovar, që po bëhet vullnetarisht.

Kemi folur edhe më parë se ky organizim ushtarak ka nevojë për udhëheqje politike, të cilën e bën një organ i caktuar për drejtimin e luftës. Prisnim që ky organ të delte ose nga mbledhja e gjithë forcave politike të Kosovës ose nga Kuvendi i Kosovës, që u mblodh menjëherë pas atij takimi, ku patëm një gëzim të përzier me ankth. Them se patëm një ndjenjë ankthi pasi ishim në

pritje të lajmeve se ku do të mbahej kuvendi; kush do të ftohej nga partitë joparlamentare; sa deputetë do të merrnin pjesë dhe kryesoria kush dhe si do të ishte organi që do të zgjidhej për drejtimin e luftës. Porsa mësuam për kohën, vendin dhe pjesëmarrjen në mbledhjen e parë të Kuvendit, instiktivisht na lindën shumë pyetje. Si mundi të mblidhej Kuvendi ditën për diell, në orarin zyrtar, në selinë e z.Rugova dhe nën hundën e policisë serbe, pa u diktuar nga ajo? Si nuk u vu re grumbullimi i rreth 70 deputetëve në atë orë, kur dimë që policia serbe rri zgjuar 24 orë në 24 orë? Pse nuk u mbajt mbledhja e tij në një nga zonat e çliruara të Kosovës, apo ishte më i sigurtë nga ruajtja e policisë serbe se sa nga UÇK-ja? A mos vallë nuk e dinë deputetët e Parlamentit dhe Rugova se në Kosovë po bëhet luftë?

Këto dy pyetjet e fundit po na mundojnë si shumë. Në qoftë se këto dy pyetjet janë të vërteta, atëherë kuptohet se pse z.Rugova nuk është prononcuar për UÇK-në.

Çuditë e Parlamentit të Kosovës

Në një shkrim të mëparshëm jam shprehur se nëqoftëse z.Rugova nuk bie dakort me partitë politike aktive për organizimin e një Komiteti Kombëtar, a një lloj organi tjetër për udhëheqjen e luftës, po e theksoj, për udhëheqjen e luftës, atëherë është e domosdoshme vetaktivizimi i kuvendit me nismën e kryetarit të Qeverisë aktuale të Kosovës, që të zgjedhi këtë organ drejtimi, por duke u shoqëruar me vendimin për ngrirjen e veprimtarisë politike të partive të atjeshme, deri në organizimin e zgjedhjeve të lira pas çlirimit të Kosovës.

Përsëri jam i atij mendimi, përderisa në zgjedhjet e 22 Marsit 1998 nuk u bënë votime në të gjitha zonat,si dhe nuk morrën pjesë të gjitha partitë politike. Por, me sa shohim, z.Rugova takimin me partitë politike e ka bërë për të tatuar pulsin e tyre dhe për t'i kapur ato në befasi. Kësaj i thonë djallëzi dhe dihet që veprimet e djallëzuara nuk dallohen për inteligjencë,por për ligësi. Kjo u vërtetua në vendimet që ka marrë kuvendi, i cili ka zgjedhur të gjitha llojet e komisioneve, por për të qenë të saktë, mungonte vetëm komisioni i lojrave të fatit. Pra Kosova po digjet, ndërsa deputetët e saj duan të ndezin cigaret. Kosova po lufton për liri a vdekje, ndësa LDK-ja po vrapon të ndajë pushtetet, duke harruar se UÇK-ja, që po vritet e gjakoset, nuk përbëhet vetëm nga antarë të saj. Kësaj i thonë: Peshku në det e tigani në zjarr. Kjo është e ngjashme me atë çka ndodhte në kohën kur Turqia po qëllonte me top Kostandinopojën (Stambollin) për ta pushtuar, ndërsa këshilli papal, në vend të ngritjes së popullit në luftë e të luftonte bashkë me atë për të mbrojtur Kostandinopojën, vazhdonte të diskutonte në se trupi i Krishtit ishte prej mishi a prej ndonjë substance tjetër si e Zotit. Ky veprim nuk tregon gjë tjetër përveç trubullim it të mendjes nga etja për pushtet dhe na vjen shumë keq që ekziston, edhe në këto momente dramatike, kjo sëmundje djalli. Zotërinjtë deputetë nuk mendojnë se si ta çlirojnë Kosovën, por po vrasin mendjen se a do të jenë sot në komision e nesër ministëra. Kosova po digjet në flakë e deputetët presin me naivitet shpëtimin e saj nga të tjerët. Kësaj i thonë, "Shoqeni më qani burrin, që më ka vdekur, se unë do të shkoj në dasëm".

Mundet edhe të jem shprehur pak ashpër, por mos bërja e mbledhjes së Kuvendit në një zonë të lirë, tregon se deputetët jo vetëm që nuk e njohin UÇK-në, por as nuk janë dakort me luftën e saj. Këtë dyshim e vërteton edhe fakti se për asnjë deputet që mungonte nuk u tha në se ishte në front, a nëse ishte i plagosur, a në se ishte vrarë me armikun etj. Pra, asnjë nga ata që e quajnë vehten "Baballarë të Kombit", nuk ka dalë me armë në dorë për fitoren e pavarësisë, por rrinë në gatishmëri për të marrë kolltuqe. Mirëpo, duhet t'u kujtojmë se mund të ndodhi si në "Epopenë...." e Shefqet Musarajt, ku populli do t'u thotë: "Si shpejtë bre burra/ U kthet nga Qabeja/ Ne djegim duart! E ju vrap në gështenja." A e ndjeni këtë varg, zotërinj deputetë?

Kam bindjen se z.Rugova do të kthjellohet e do ta korigjojë këtë gabim dhe, sëbashku me deputetët dhe gjithë forcat politike, do ta ngrenë institucionin e nevojshëm për udhëheqien e Luftës Çlirimtare. Të mos harrojmë se, vetëm njerëzit e mëdhenj e me zemër të madhe mund të bëjnë një komb me vlera të madha. Duhet ta kuptojnë të gjithë deputetët, që ishin në atë mbledhje, se kanë bërë një lajthitje, të cilët pandehën se pas miratimit të komisioneve dhe të Qeverisë, Kosova do të çlirohet me ndihmën e shkopit magjik.

"Rilindja", 28 Korrik 1998




Ilustrimet: © Pashtriku.org

______________


DILAVER GOXHAJ (SHPËTIM GOLEMI): BETEJA E RAHOVECIT (KORRIK 1998) */

http://www.pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8620


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks