SHKRIMI
e mërkurë, 24 prill 2019

FATMIR LEKAJ: HISTORIA E LËVIZJES KOMBËTARE NA OBLIGON TË PËRKRAHIM LËVIZJEN VETËVENDOSJE, SI VAZHDUESEN E IDEALIT TË UÇK-së (I)

Osllo, 2 prill 2019: Si në shumë raste të tjera në botë, edhe në rastin e shqiptarëve, Lëvizja Kombëtare nuk ka qenë tërësisht politikisht homogjene, që nga Lidhja e Prizrenit (1878), e veçanërisht pas vitit 1912. Megjithëkëtë, rrymat e ndryshme politike në kuadër të Lëvizjes Kombëtare pas vitit 1912, kanë qenë më shumë rezultat i kalkulimeve strategjike (se sa i indoktrinimeve ideologjike etj.), me synimin kryesor dhe të përbashkët për çlirimin e Kosovës me vise, drejt bashkimit kombëtar. Rrjedhimisht, Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës me vise dhe Bashkim Kombëtar (pas vitit 1912), kryesisht karakterizohet nga gërshetimi i rezistencës aktive dhe pasive të shqiptarëve.

Rezistenca aktive, kundër pushtimit dhe sundimit serb të Kosovës që nga Lufta e Parë Ballkanike 1912, identifikohet përveç tjerash me: Lëvizjen Kaçake, Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, rezistencën kundër ri-pushtimit serb të Kosovës (gjatë përfundimit të Luftës së Dytë Botërore), dhe me grupet klandestine të pas Luftës së Dytë Botërore, që rezultuan me themelimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK-s) dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-s). Me fjalë të tjera, rezistenca aktive e shqiptarëve, pavarësisht rrethanave real-politike në kohë dhe hapësirë, ka qenë në vazhdimësi e karakterizuar nga idealizmi, përkushtimi dhe sakrificat, për çlirimin e pjesëve të okupuara të kombit shqiptar jashtë “Shqipërisë Londineze”, dhe për bashkimin e shqiptarëve në një shtet (union, federatë/konfederatë), bazuar në idealin kombëtar të Lidhjes së Prizrenit. Në këtë kuptim, rezistenca aktive e shqiptarëve për Çlirimin e Kosovës me Vise dhe Bashkim Kombëtar, e ka një vazhdimësi të pashkëputur prej vitit 1912, si në aspektin strukturor, ku gjatë goditjeve të ndryshme që ka marr në kohë dhe hapësirë, ka arritur të riorganizohet në mënyra të ndryshme, dhe si në aspektin e individit, duke qenë e inkurajuar nga personalitetet me ndikim të jashtëzakonshëm, përveç tjerëve: Hasan Prishtina, Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Ukshin Hoti, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Ahmet Haxhiu, Xhavit Haziri e deri tek Adem Jashari dhe Albin Kurti.



Rezistenca pasive e shqiptarëve, në kuptimin e “politikës si art i së mundshmes”, identifikohet kryesisht (pas Luftës së Parë Botërore), me Partinë Legale Shqiptare, Bashkimi (Xhemijeti) në kuadër të Jugosllavisë Monarkiste, në krye me Ferat Dragën etj. Ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore, identifikohet me udhëheqjen politike shqiptare të institucioneve të Krahinës së Kosovës në Jugosllavinë Federaliste, në krye me Fadil Hoxhën etj. Pas shembjes së murit të Berlinit (1989) identifikohet me Lidhjen Demokratike të Kosovës, në krye me Ibrahim Rugovën etj.,dhe pas Konferencës së Rambujes (1999), identifikohet kryesisht me udhëheqjen politike në krye me Hashim Thaçin etj. Gjithashtu edhe (në kuadër më të gjerë politik-kombëtar), udhëheqja politike e “Shqipërisë Londineze”, pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, në krye me Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën, ka qenë e karakterizuar nga një qasje real-politike, duke e përfshirë “luftën e ashpër për pushtet”, dhe në këtë vazhdë edhe qasja politike e udhëheqësve të më pastajmë (me disa ndryshime në rrethanat e reja, pas shembjes së murrit të Berlinit), në krye me Ramiz Alinë, Sali Berishën, Fatos Nanon etj.

Shikuar historikisht, vazhdimësia e rezistencës pasive e shqiptarëve, përkatësisht rezistenca politike institucionaliste (në Kosovë, por edhe në nivel kombëtar), ka shërbyer përveç tjerash, të amortizoj goditjet e regjimeve të Beogradit etj., që si qëllim final kishin të gjejnë “shkas” dhe “justifikim” për zhdukjen dhe dëbimin e tërësishëm të shqiptarëve nga Kosova dhe më gjerë, dhe për aneksimin e mëtutjeshëm të territoreve shqiptare. Ndërsa vazhdimësia e rezistencës aktive e shqiptarëve, përkatësisht Lëvizja Çlirimtare, ka shërbyer si katalizatori kryesor për çlirimin e Kosovës, dhe në këtë vazhdë ka ndikuar për inkurajimin e procesit për realizimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni dhe në vise të tjera të banuara me shqiptar, në ish-Jugosllavi. Rrjedhimisht, rezistenca aktive dhe pasive e shqiptarëve për çlirimin e Kosovës me vise, (përkundër sfidave, dobësive dhe divergjencave), ka qenë në masë të madhe komplementare, dhe kulmoi me luftën e lavdishme të UÇK-s.

Prapavija, pikënisja konkrete dhe faktorizimi i UÇK-s

Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës me Vise dhe Bashkim Kombëtar (pas Luftës së Dytë Botërore), karakterizohet nga tri rrymat politike:

- çlirimtarët,

- institucionalistët dhe

- akademikët.

Çlirimtarët, identifikohen me vazhdimësinë e rezistencës aktive, përkatësisht Lëvizjen Çlirimtare, e karakterizuar nga veprimtaria e grupeve klandestine që rezultoi me demonstratat e vitit 1968, ku ra dëshmorë Murat Mehmeti dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Demonstratat u iniciuan nga një grup i studentëve në Prishtinë në krye me Osman Dumoshin etj., që në fakt ishin celulë e të rinjve të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH), e themeluar në vitin 1963, nga Adem Demaçi etj.¹ Konkretisht demonstratat filluan në Prizren me 6 tetor 1968, në krye me Isa Demajn dhe bashkëveprimtarët e tij., i cili ishte koordinues i grupit të Prizrenit me grupin e studentëve të Prishtinës², dhe vazhduan në qytete të tjera, me kërkesat kryesore: “Duam vetëvendosje gjer në shkëputje”, “Duam Republikë”, “Duam Kushtetutë”, “Duam Universitet”, “Duam bashkimin e të gjitha viseve shqiptare me Kosovën” etj. Këto demonstrata e kanë pasur një ndikim të tërthortë edhe në kuadër të një procesi politik që kishte filluar në udhëheqjen jugosllave në vitin 1966 (i shkaktuar nga “lufta për pushtet” në mes Titos dhe Aleksandër Rankoviqit) dhe rezultoi me kushtetutën e re jugosllave të vitit 1974, në kuadër të së cilës u avancua edhe statusi politik i Kosovës. Rrjedhimisht, periudha gjatë fund-viteve `60 dhe fillim-viteve `70, karakterizohet nga një progres kulturoro-politik në Kosovë, përveç tjerash: lejimi i përdorimit të flamurit kombëtar (1968), themelimi i Universitetit të Prishtinës (1969), njësimi i gjuhës letrare shqipe në Tiranë në vitin 1972, ku të pranishëm ishin edhe delegatët shqiptar, jashtë “Shqipërisë Londineze” (Kosova etj.), dhe kulmoi me Kushtetutën e Kosovës në vitin 1974, që përcaktoi Kosovën si element konstituiv në kuadër të federatës jugosllave.

Institucionalistët, identifikohen me udhëheqjen politike shqiptare-institucionale të Krahinës së Kosovës, në krye me Fadil Hoxhën, Iljaz Kurteshin, Mahmut Bakallin etj., të cilët e kanë dhënë kontributin e tyre në kuadër të procesit politik që rezultoi edhe me Kushtetutën e Kosovës në vitin 1974. Megjithëkëtë, gjatë këtij procesi, dhe në vazhdimësi, përkushtimi i institucionalistëve, ka qenë i karakterizuar nga një rezistencë pasive, në kuptimin se nuk kanë qenë proaktiv në kuadër të përpjekjeve për transformimin e Krahinës së Kosovës në Republikën e Kosovës, edhe pse kishte pengesa reale për këtë transformim. Historiani Noel Malcolm, renditë “tri pengesa” kryesore që penguan Kosovën të avancohet në Republikë, në vitin 1974. Pengesa e parë ishte teorike, e bazuar në doktrinën komuniste të zhvilluar në Bashkimin Sovjetik, që në fakt ishte edhe gurthemel i federatës jugosllave, dhe nënkuptonte se republikat ishin entitete për “kombet” dhe jo për “kombësitë”. Megjithëkëtë sipas tij, ky kriter teorik nuk respektohej plotësisht. Për shembull popullata rumanishtfolëse e Moldavisë që kufizohej me Rumaninë, e kishte republikën e vet në kuadër të Bashkimit Sovjetik. Pengesa e dytë praktike, nënkuptonte se Kosova si Republikë formale do të mund ti bashkohet Shqipërisë, dhe pengesa e tretë politike, nënkuptonte se avancimi i Kosovës në republikë formale do të krijonte indinjatë të madhe tek serbet në Serbi dhe tek serbet në Kosovë.³

Akademikët, identifikohen me veprimtarinë në kuadër të institucioneve shkencore të Kosovës: Institutin Albanologjik (1967) që fillimisht u udhëhoq nga Fehmi Agani, pastaj nga Idriz Ajeti, Rexhep Qosja etj. Entin e Historisë (1967), që më pastaj evoluoj në Institutin e Historisë së Kosovës, dhe u udhëhoq për shumë vite nga Ali Hadri. Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (1975) e udhëhequr fillimisht nga Esat Mekuli, pastaj nga Idriz Ajeti, Dervish Rozhaja etj., dhe veçanërisht me Universitetin e Prishtinës, ku fillimisht ishte rektor Dervish Rozhaja, pastaj Idriz Ajeti, Feriz Krasniqi, Gazmend Zajmi etj. Kjo elitë akademike, nuk arriti gjatë viteve `70 – `80, të determinojnë figura sikurse Haveli, Valenca, Sakharov etj., dhe (me ndonjë përjashtim) nuk karakterizohet nga përpjekjet e veçanta për transformimin e Krahinës së Kosovës në Republikën e Kosovës. Megjithëkëtë, kjo elitë akademike e ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në kuadër të veprimtarisë shkencore dhe ngritjes së sistemit të lartë arsimor në Kosovë, duke e përfshirë edhe kontributin e pedagogëve nga Shqipëria, që vinin gjatë viteve `70 për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës. Pas shembjes së murrit të Berlinit (1989), pjesa dërmuese e elitës akademike të Kosovës, u bë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-s), në krye me kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovën.

Progresi kulturoro-politik i shqiptarëve gjatë fund-viteve `60 dhe fillim-viteve `70, duke e përfshirë Kushtetutën e Kosovës në vitin 1974, ishte një e arritur e madhe. Por njëkohësisht, nuk ishte ndonjë garanci e zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi. Sepse Kosova nuk kishte evoluar në një republikë formale që do të mund ti garantohej një siguri politike shqiptarëve në Jugosllavi, edhe pas vdekjes së Titos, i cili, prioritet parësor kishte pushtetin dhe stabilitetin politik dhe jo të ardhmen politike të shqiptarëve në Jugosllavi. Madje edhe përafrimi i Titos me Enver Hoxhën ishte strategjik. Malcolm, konstaton se pajtimi i Jugosllavisë me Shqipërinë, kishte të bënte se Tito ishte frikësuar paraprakisht nga pushtimi i Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik, dhe kishte nevojë për të gjitha shtetet antiruse në Ballkan. Ndërsa Shqipëria në ketë periudhë kohore, i kishte të prishura marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe nuk merrte subvencione nga sovjetikët. Rrjedhimisht, në fillim-vitin 1969, rezultuan marrëveshjet tregtare në mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, dhe pas disa muajsh edhe marrëveshja në bazë të së cilës erdhën (gjatë fillim-viteve `70), rreth 200 profesorë nga Shqipëria për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, duke përfshirë përdorimin e teksteve të botuara në Shqipëri.⁴

Për dallim të institucionalistëve dhe akademikëve, veprimtarët e Lëvizjes Çlirimtare, ishin idealist. Ideali për bashkim kombëtar dhe përvojat e hidhura historike të popullit shqiptar në Jugosllavi, para, gjatë, dhe pas luftës së dytë botërore, ishin motivacioni i tyre kryesor në përpjekjet për të transformuar Krahinën e Kosovës në Republikën e Kosovës, si një hap i domosdoshëm për sigurinë politike të shqiptarëve në Kosovë, (që do të shërbente edhe për sigurinë politike të shqiptarëve në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi), dhe njëkohësisht si një parakusht për bashkimin kombëtar të shqiptarëve në të ardhmen. Për këtë arsye, veprimtarët e Lëvizjes Çlirimtare nuk u magjepsen shumë, nga ndryshimet politike që solli kushtetuta jugosllave e vitit 1974, sepse këto ndryshime nuk e zgjidhnin çështjen politike të shqiptarëve në Jugosllavi. Madje, në kuadër të këtyre ndryshimeve pozitive të barazisë etnike, rezultuan edhe biefektet negative, sepse shqiptarëve u imponohej dhe u mundësohej më së shumti mobilizimi në radhët e partisë. Sipas Malcolm: “…..pabarazia e përgjithshme në punësimin publik, asnjëherë nuk u përmirësua: më 1980 llogaritej se çdo i pesti serb kishte rrogë shtetërore, kurse çdo i njëmbëdhjeti shqiptar merrte rrogë shtetërore. Aty ku shqiptarët bënë përparimin më të madh ishte hyrja e tyre në radhët e partisë dhe të administratës lokale”⁵ Rrjedhimisht, rekrutimi masiv i shqiptarëve në lidhjen komuniste, dhe privilegjet e pozitave partiake dhe burokratike, përveç anës pozitive, bartnin me vete imponimin, presionin dhe indoktrinimin, në kuptimin e lojalitetit dhe servilitetit ndaj Jugosllavisë dhe titizmit, dhe luftimin e veprimtarisë së Lëvizjes Çlirimtare. Në këtë vazhdë, rezultoi strategjia “përçaj dhe sundo” nga shërbimi i sigurisë shtetërore jugosllave, i dominuar nga Serbia (UDB), që nëpërmes privilegjeve, shantazheve dhe presioneve, përdorte një pjesë të shqiptarëve, për të luftuar veprimtarinë e Lëvizjes Çlirimtare.

Në mars-prill të vitit 1981, shpërthyen demonstratat e fuqishme në Kosovë me kërkesat socio-politike, që ndikuan përveç tjerash, për fillimprocesin e shembjes së themeleve të Jugosllavisë, dhe për ndërkombëtarizimin e çështjes politike të Kosovës. Reagimi i pushtetit serb ndaj demonstratave të vitit 1981, ishte shumë më brutal se sa ndaj demonstratave të vitit 1968. Forcat policore plagosën qindra demonstrues, ndërsa dëshmorë ranë: Naser Hajrizi, Asllan Pireva, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Zeka, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu, Tahir dhe Nebih Meha, Nesimi Dervishdana, Salih Maloku etj. Iniciatorët e këtyre demonstratave (duke përfshirë dy zëdhënësit kryesorë, Ali Lajçin dhe Hydajet Hysenin), u dënuan me burgime të rënda. Në këtë vazhdë, vetëm në periudhën 80`-90`, u dënuan me burgime të rënda mijëra shqiptar për «veprimtari armiqësore kundër Jugosllavisë» ndaj të cilëve u përdorën torrtura të rënda, ku pati edhe raste të vrasjeve gjatë torturave. Gjithashtu, në ushtrinë jugosllave u burgosën qindra dhe u vranë dhjetra ushtar shqiptar për «veprimtari armiqësore kundër Jugosllavisë». Konsiderohet se rreth 80% e të burgosurve politik në ish-Jugosllavi, kanë qenë shqiptarë.

Udhëheqësit politik shqiptar të institucioneve të Krahinës së Kosovës në krye me Fadil Hoxhën, Mahmut Bakallin, Azem Vllasin etj., edhe pse kishin një përvojë politike më të madhe, nuk u treguan mjaftueshëm të guximshëm dhe politikisht kreativ për ndonjë lloj koordinimi me iniciatorët e demonstratave të vitit 1981, në lidhje me kërkesën për “Republikën e Kosovës”, si një kërkesë e drejtë në kuadër të barazisë së popujve në Jugosllavinë federale. Së paku, nuk morën një qëndrim politiko-diplomatik, që në parim të jenë pro kërkesës për “Republikën e Kosovës” dhe njëkohësisht kundër mënyrës së shtrimit të kësaj kërkese nëpërmes demonstratave etj. Kjo mungesë koordinimi në mes politikës aktive dhe pasive të shqiptarëve, i ka pasur pasojat e veta në shumë aspekte, ngjashëm sikurse mungesa e koordinimit politik gjatë përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në mes Fadil Hoxhës dhe Shaban Polluzhës, Halim Spahisë etj. Duke përfshirë mungesën e koordinimit politik pas Luftës së Parë Botërore, në mes Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës, Fan Nolit etj., dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, në mes Enver Hoxhës dhe Mithat Frashërit etj.

Për demonstratat e vitit 1981, pati edhe konspiracione në kuptimin se ishin të orkestruara nga qarqet e shërbimit sekret serb, rus etj., për të kthyer në regres fuqinë politike të shqiptarëve në Kosovë, që e kishin fituar në bazë të kushtetutës së vitit 1974. Në fakt ky ishte dhe mbeti një konspiracion dhe vlerësim antihistorik, sepse demonstratat e vitit 1981, ishin një vazhdimësi historike e rebelimit të shqiptarëve kundër regjimeve shtypëse të Beogradit prej vitit 1912, duke përfshirë demonstratat e vitit 1968, dhe veçanërisht ishin të ndikuara nga veprimtaria dhe shtypi i grupeve klandestine të viteve `70 - `80. Me fjalë të tjera, një pjesë domethënëse e shoqërisë studentore e Universitetit të Prishtinës, ishin të ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë nga veprimtaria dhe shtypi i grupeve klandestine. Gjithashtu këto demonstrata ishin rezultat i kontekstit të përgjithshëm socio-politik në Kosovë. Në lidhje me këtë, ballkanologu norvegjez, Svein Mønnesland, përveç tjerash, shkruan:

“Mund të duket i çuditshëm rebelimi i shqiptarëve në një kohë kur kishin arritur të kenë më shumë të drejta se ndonjëherë më parë. Por "periudha e lulëzimit" në vitet '70, ndikoi në ngritjen e vetëdijes kombëtare, sidomos në mesin e të rinjve, që pashmangshëm rezultoi në rritjen e kërkesave politike. Pse Kosova nuk duhet të ketë status republike kur ka më shumë banorë sesa në Mal të Zi apo në Slloveni? Gjithashtu, për pakënaqësinë ndikonte që Kosova kishte mbetur ende zona më e varfër në vend”⁶

Supozohet se edhe “Shqipëria Londineze” mund të ketë pasur një ndikim të drejtpërdrejt ose të tërthortë në lidhje me demonstratat e vitit 1981, veçanërisht profesorët që vinin në Kosovë për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, gjatë viteve `70.⁷ Pushteti në “Shqipërinë Londineze”, përkrahu publikisht demonstratat e vitit 1981, dhe në kuadër të kësaj përkrahjeje përpiqej njëkohësisht të kontrollonte Lëvizjen Çlirimtare, me “përgjegjësinë e kalkulimit real-politik” që kishte si pushtet/shtet. Ndërsa veprimtarët e Lëvizjes Çlirimtare, për shkaqe patriotike dhe idealit për bashkim kombëtar, ishin lojal ndaj vendit amë (Shqipërisë Londineze) pavarësisht sistemit politik. Ketë më së miri e pasqyron intervista e njërit ndër personalitetet më të spikatura të Lëvizjes Çlirimtare, Jusuf Gërvallës, e publikuar me 20. janar 1982, në gazetën gjermane “Tagische Zeitung”, e veçanërisht dy përgjigjet e tij:

“Por cili është qëllimi i Lëvizjes Çlirimtare?

Jusuf Gërvalla: Qëllimi jo vetëm i Lëvizjes Çlirimtare, por edhe i të gjitha forcave përparimtare është shkëputje nga Jugosllavia dhe Bashkimi me Shqipërinë Amë!

A arsyetohet kjo vetëm me përkatësi nacionale apo ka edhe aspekte shoqërore e politike. A do të kërkonit ju bashkimin pavarësisht se, në Shqipëri mbretëron sistemi radikal komunist, radikal demokratik ose një sistem i së drejtës?

Jusuf Gërvalla: Pavarësisht nga çfarëdo sistemi!”⁸

VIJON...


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks