SHKRIMI
e enjte, 20 qershor 2019

FATMIR LEKAJ: LPK'ja DHE UҪK'ja DY FAKTORË TË RËNDËSISHËM TË LËVIZJES SONË KOMBËTARE (II)

Osllo, 4 prill 2019:

Pikënisja konkrete

Diaspora shqiptare në përgjithësi dhe emigracioni politik shqiptar në veçanti, e kanë pasur një rol shumë të rëndësishëm në kuadër të proceseve për komb-formimin, çlirimin dhe faktorizimin politik të shqiptarëve në Ballkan. Megjithëkëtë, politizimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, i ka pasur pasojat e veta edhe në emigracion. Sepse, deri në fillim-vitet `70, emigracioni politik shqiptar ka qenë kryesisht i preokupuar me ndonjë përjashtim (Hysen Tërpeza, Tahir Kerrnaja, Sami Repishti etj.), vetëm me veprimtarinë kundër regjimit diktatorial në Shqipëri, dhe jo me ndonjë veprimtari konkrete për çlirimin e Kosovës me vise.


Pas demonstratave të vitit 1981, regjimi i Beogradit i vuri në shënjestër edhe veprimtarët e Lëvizjes Çlirimtare, në kuadër të emigracionit politik shqiptar, të cilët kishin nisur gjatë viteve `70, veprimtarinë konkrete për çlirimin e Kosovës me vise, dhe konsideroheshin si një kërcënim politiko-diplomatik ndaj Serbisë, në lidhje me çështjen e Kosovës. Kjo ndikoi që shërbimi i sigurisë shtetërore jugosllave (UDB), të përpiqet të përçaj, frikësoj dhe të dobësoj sa më shumë, veprimtarinë e emigracionit politik shqiptar, madje edhe nëpërmes organizimit të atentateve. Me 14 prill 1981, në Frankfurt të Gjermanisë u plagos rënd veprimtari Rasim Zenelaj. Ndërsa me 10 tetor 1981 në Bruksel të Belgjikës, u vra veprimtari, Vehbi Ibrahimi (që të dy veprimtarë të Besëlidhjes Kombëtare Shqiptare në krye me Emin Fazliun). Gjithashtu në Bruksel, rreth 9 vite më vonë, përkatësisht me 25 shkurt 1990, u vra veprimtari Enver Hadri.

Me fjalë të tjera, Lëvizja Çlirimtare, (Pas Luftës së Dytë Botërore), e karakterizuar nga veprimtaria e grupeve klandestine, si brenda vendit (në trojet e banuara me shqiptar në ish-jugosllavi), ashtu edhe jashtë vendit që nga vitet `70 (në kuadër të emigracionit politik shqiptar), për shkak të rrethanave të vështira për veprim, ka pasur vështirësi të bashkohet formalisht në një organizatë me strukturë të qëndrueshme politike. Në këtë vazhdë, ndikimin vendimtar për përafrimin e një pjese domethënëse të grupeve klandestine, që vepronin në kuadër të Lëvizjes Çlirimtare, e ka pasur (me prapavijën dhe personalitetin e tij përbashkues) idealisti, veprimtari, intelektuali, poeti dhe këngëtari, Jusuf Gërvalla. Rrjedhimisht, inicimi në diasporë (në vigjilje të demonstratave të vitit 1981) për themelimin e organizatës Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK-s), në krye me Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën, Bardhosh Gërvallën, Ibrahim Kelmendin etj., (tre të parët u ekzekutuan në një atentat të UDB-s, në Shtutgard të Gjermanisë, me 17 janar të vitit 1982), dhe inkurajimi i veprimtarisë së LPK-s në Kosovë, në krye me Rexhep Malën, Nuhi Berishën etj., (të cilët ranë heroikisht me 12 janar të vitit 1984 në Prishtinë, në një përballje të armatosur e të pabarabartë nën rrethimin e forcave policore), është një pikënisje konkrete e fillesës së organizimit të rezistencës së armatosur në Kosovë.

Formalizimi i themelimit të LPK-s, e njohur fillimisht si Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ), është i bazuar edhe në platformën “Teza rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës” e lëshuar në qarkullim në qershor 1981, nga Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Nezir Myrtaj etj., dhe bazuar në takimin e 17 shkurtit 1982, në mes të përfaqësuesve të dy grupeve klandestine, Sabri Novosellës dhe Abdullah Prapashticës, me Konsullin e Shqipërisë në Turqi, Bujar Hoxhën, (përndryshe i biri i Hoxhë Kadri Prishtinës - Kryetar i Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës). Ndërsa me 15 maj 1982, udhëheqjes së LPK-s, ju bashkëngjit Xhafer Shatri⁹, i cili përfaqësonte grupin më të fuqishëm klandestin në Kosovë, gjatë viteve `70 (Grupi Revolucionar i Kosovës, i njohur më pastaj si Grupi Marksist Leninist i Kosovës dhe Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës).

Në këtë vazhdë, nga njëra anë, dega e LPK-s, brenda vendit (në trojet e banuara me shqiptar në ish-jugosllavi) e vazhdoi veprimtarinë çlirimtare gjatë viteve `80 - `90, përkundër rrethanave të vështira për veprim. Gjatë kësaj periudhe, strukturat e regjimit të Beogradit në Kosovë me vise, burgosën, torturuan dhe vranë veprimtarë dhe simpatizantë të LPK-s. Në kuadër të kësaj veprimtarie, gjatë viteve `80 -`90, u vranë nën rrethim dhe përballje të armatosur e të pabarabartë me forcat policore, u dënuan me burgje të rënda dhe vdiqën si pasojë e torturave, edhe disa ndër drejtuesit dhe veprimtarët më të spikatur të veprimtarisë klandestine dhe të degës së LPK-s, brenda vendit, përveç tjerëve: Bajram Bahtiri, Zijah Shemsiu, Fehmi Lladrovci, Xhavit Haziri, Xhabir Morina, Enver Topalli, Sejdi Veseli, Abdullah Tahiri, Hysen Gega, Metush Krasniqi, Kadri Osmani, Ahmet Haxhiu, Arif Seferi, Ali Ajeti, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Fadil Vata, Bejadin Hallaqi, Xhemaijli Berisha, Tahir Lush Berisha, Hasan Ramadani, Mehë Ramë Uka etj. Kjo vazhdimësi e veprimtarisë së degës së LPK-s, brenda vendit, ka qenë jetike për mundësinë e organizimit të kryengritjes së armatosur në Kosovë në fund-vitet `90. Në kuadër të këtyre zhvillimeve, një rol shumë të rëndësishëm e ka pasur, simboli i guximit akademik, Ukshin Hoti, i cili (përveçse me bashkëveprimtarët e tij, Halil Alidemajn etj., e kanë përkrahur hapur kërkesën për Republikën e Kosovës, gjatë demonstratave të vitit 1981), ka qenë një inkurajues i madh për veprimtarët e LPK-s.



Nga ana tjetër, dega e LPK-s, jashtë vendit (në kuadër të emigracionit politik shqiptar), e ka ndihmuar në vazhdimësi organizimin dhe riorganizimin (pas goditjeve) të degës së LPK-s, brenda vendit, dhe e ka pasur një rol të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Sepse në vazhdimësi organizoi demonstrata dhe protesta, në qendrat e shteteve perëndimore, me kërkesën për Republikën e Kosovës, duke e ushtruar njëkohësisht veprimtarinë lobiste dhe diplomatike. Në ketë drejtim, një kontribut të veçantë e kanë dhënë edhe disa struktura lobiste dhe të diplomacisë jo-formale të ish-emigracionit politik shqiptar, të themeluara para shembjes së murit të Berlinit: Organizata Rinia Shqiptare-Kosovare në Botën e Lirë, në New York (1970), Komiteti i Kosovës për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Belgjikë (1983), Komiteti i Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror në Zvicër (1985), Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (1988), që bashkëpunonte drejtpërdrejt me LPK-n, Shoqata Migjeni në Slloveni (1989), Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane (1989) etj. Kjo veprimtari lobiste dhe e diplomacisë jo-formale, ndikoi përveç tjerash për kyçjen e çështjes së Kosovës në kuadër të kancelarive diplomatike të shteteve perëndimore, dhe në kuadër të “Procesit të Helsinkit” (si një proces shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare në mes Lindjes dhe Perëndimit, që rezultoi me fitoren e shteteve perëndimore). Pas shembjes së murit të Berlinit, kjo veprimtari lulëzoi edhe në Kosovë. Në fund-vitin 1989 u themelua Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë. Ndërsa në muajin prill 1990, u themelua Komiteti Kosovar i Helsinkit.

Faktorizimi

LPK-ja, ishte e vetmja organizatë e fuqishme politike e shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe në diasporë që në programin e vet, nuk e përjashtonte kryengritjen e armatosur, si mjet të fundit për çlirimin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi (pasi që të gjitha mjetet tjera politiko-diplomatike të konsumohen). Pas themelimit të LPK-s, në vitin 1982, katër mbledhjet e përgjithshme të kësaj organizate që janë mbajtur në vitin 1987, 1989, 1991, 1993 dhe këshillat e përgjithshëm që kanë rezultuar nga këto mbledhje të përgjithshme, si organi më i lartë udhëheqës i LPK-s, e kanë ruajtur kontinuitetin organizativ për mundësinë e kryengritjes së armatosur në Kosovë, pas konferencës së Dejtonit. Në mbledhjen e IV të përgjithshme të vitit 1993 (e mbajtur në shtëpinë e veprimtarit, Fatmir Brajshorit), u mor vendimi për fillimin e kryengritjes së armatosur, në krye me udhëheqësin kryesorë të LPK-s, në Kosovë, Xhavit Hazirin, i cili më pastaj u burgos, së bashku me udhëheqës të tjerë të spikatur të LPK-s, në Kosovë, Ahmet Haxhiun, Bejadin Allaqin etj. Në bazë të këtij vendimi të mbledhjes së IV të përgjithshme, filloi shndërrimi i këshillave të LPK-s në Kosovë, në njësi të armatosura. Meqë dega e LPK-s, brenda vendit, e veçanërisht udhëheqja e saj, goditej në vazhdimësi (me burgosje, tortura dhe vrasje), dega e LPK-s, jashtë vendit (në kuadër të emigracionit politik shqiptar) kishte kompetencat që në situata të caktuara të merrte përgjegjësinë për udhëheqjen e përgjithshme të organizatës. Kjo bartje e kompetencave ndodhi konkretisht pas mbledhjes së IV të përgjithshme, sepse pjesa dërmuese e udhëheqjes së degës së LPK-s në Kosovë, u burgosën, dhe disa prej tyre që i shpëtuan arrestimeve, emigruan jashtë vendit. Në kuadër të degës së LPK-s, jashtë vendit, në kohë dhe hapësirë, ndikim të madh kanë pasur, përveç tjerëve: Hasan Malaj, Saime Isufi, Ibrahim Kelmendi, Xhafer Shatri, Ali Ahmeti, Emrush Xhemajli, Xhavit Haliti, Gjyle Krasniqi, Jashar Salihu etj.

Gjatë fillim-viteve `90, LPK, dega jashtë vendit, formoi 3 sektorë të rëndësishëm, (sektorin e organizimit politik të drejtuar nga Fazli Veliu, Muhamet Kelmendi etj., sektorin e lidhë-mbajtjes të drejtuar nga Emrush Xhemajli, Rexhë Ibërdemaj, Adem Grabovci, Gafurr Elshani dhe sektorin e rëndësisë së veçantë të drejtuar nga Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Azem Syla), duke e përfshirë themelimin e fondit “Vendlindja Thërret” të kryesuar nga Jashar Salihu. Ndërsa si sektor i propagandës shërbeu në vazhdimësi redaksia e “Zërit të Kosovës” (e drejtuar nga Skënder Durmishi, Xhafer Shatri, Mustafë Xhemajli, Avni Dehari, Beqir Beqa, Bislim Elshani, Adnan Asllani etj.). Gjatë viteve 1993 – 1995, pjesë të këshillave të LPK-s në Kosovë dhe në Maqedoni u shndërruan në njësi të para të armatosura, (në krye me Durmish Gashin, Halil Çadrakun, Selim Gashin, Xheladin Gashin, Sokol Bashotën, Fatmir Limajn, Ragip Shalën, Rexhep Selimin, Mujë Krasniqin, Isa Krasniqin, Asllan Pantinën, Skënder Rexhepin, Fadil Nimanin, Rexhep Bislimin, Qerim Kelmendin, Adrian Krasniqin, Gursel Sylejmanin, Beqir Limanin, Xhemajl Jasharin, Ismet Sylejmanin, Shaqir Shaqirin, Jonuz Musliun etj.), dhe me insistimin e tyre, kryesia e LPK-së, dega jashtë vendit, merr vendim për fillimin e lëshimit të komunikatave. Me 17.11.1994 u lëshua komunikata e parë ushtarake dhe u mor vendimi që organizimi i ri ushtarak të quhet (emërtohet), Ushtria Çlirimtare e Kosovës – UÇK.¹⁰ Në këtë vazhdë, një fraksion “radikal” i LPK-s, Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), ju bashkëngjit UÇK-s. Megjithëkëtë, faktorizimi i UÇK-s, në kuptimin e shtrirjes së idesë tek masat popullore për domosdoshmërinë dhe fuqizimin e kryengritjes së armatosur, ballafaqohej me shumë pengesa (si në Kosovë dhe si në diasporën shqiptare). Një ndër pengesat ishte Lëvizja Paqësore (LDK), në kuptimin se një ndër aspektet kryesore të politikës së Lëvizjes Paqësore, ishte pengimi i revoltës së dhunshme. Në lidhje me këtë, Malcolm, përveç tjerash shkruan:

“Politika themelore e ndjekur nga Rugova në LDK që nga viti 1990 ka pasur tri aspekte: së pari, për ta penguar revoltën e dhunshme; së dyti, për të “ndërkombëtarizuar” problemin e Kosovës, që do të thotë për t’i kërkuar format e ndryshme të ndërhyrjes politike ndërkombëtare (duke filluar me ndërmjetësimin diplomatik e deri te vënia e protektoratit të Kombeve të Bashkuara mbi Kosovën); dhe, së treti, për të mohuar sistematikisht legjitimitetin e pushtetit serb, duke i bojkotuar zgjedhjet dhe regjistrimet dhe duke krijuar së paku konturet e një aparati shtetëror të “Republikës së Kosovës”. Synimi i parë nga këto të triat ka qenë i suksesshëm deri në një farë mase, gjë që vështirë se mund të përfytyrohej nga kush njeh traditën luftarake të shqiptarëve dhe historinë e tyre të gjatë të kryengritjeve të armatosura. Synimi i dytë i dha mundësinë Rugovës që të bënte një numër të madh vizitash nëpër kryeqytetet të huaja, por me këtë u arrit pak, si p.sh. miratimi i ca rezolutave nga disa forume, siç janë Kombet e Bashkuara dhe Parlamenti Evropian. Si qëllimi i dytë i politikës, ashtu edhe qëllimi i tretë, kontestojnë tok një ide – e cila ende njihet si parim nga fuqitë më të mëdha të Perëndimit – se statusi i Kosovës është vetëm një çështje e brendshme e Serbisë. Me formimin e institucioneve të një republike të ndarë, shqiptarët e Kosovës ishin angazhuar në një strategji politike që fillon me kushtin “sikur të ishte”. Të sillesh sikur Kosova nuk ishte pjesë e Serbisë, do të dukej, me një fjalë, një shtirje e thjeshtë; mirëpo nëqoftëse kjo strategji do të vazhdojë me vendosmëri për një kohë mjaft të gjatë, atëherë qeveritë e jashtme do të jenë të detyruara, më në fund, të pranojnë se i kishin besuar një fantazie, kur kishin vazhduar të trajtonin Kosovën si pjesë përbërëse të shtetit të Serbisë. Pyetja që u shtrohej shqiptarëve, së këndejmi, ishte: edhe sa do të jenë në gjendje të durojnë dhe sa duhet të vuajnë ndërkohë ?”¹¹

Për hovin e mobilizimit në kuadër të Lëvizjes Paqësore (LDK-s), gjatë fillim-viteve `90, ndikuan një sërë ndodhish dhe aktivitetesh politiko-shoqërore në Kosovë, përveç tjerash: me 2 nëntor 1989, ranë heroikisht dy udhëheqësit kryesorë të LPK-s, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, nën rrethim dhe përballje të armatosur e të pabarabartë me forcat policore. Me 2 shkurt 1990, filloi aktivitetin aksioni për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave (i iniciuar nga disa veprimtarë të LPK-s, dhe i udhëhequr nga profesor, Anton Qeta etj.), dhe evoluoi në një mobilizim dhe solidaritet gjithë-popullor. Gjatë demonstratave të vitit 1989-1990 (si reaksion kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës), ranë dhjetëra dëshmorë. Në qershor 1990, u themelua Bashkësia e Sindikatave të Pavarura të Kosovës në krye me Hajrullah Goranin. Me 2 korrik 1990, delegatët shqiptarë (të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, që filloi punën me 4 dhjetor 1989) e shpallën Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Rreth dy muaj më vonë, përkatësisht me 7 shtator 1990, në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Kaçanik, ku ishin të pranishëm pothuajse të gjithë delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, u miratua edhe Kushtetuta e Kosovës (Kushtetuta e Kaçanikut), që ishte përpiluar paraprakisht nga Gazmend Zajmi, Ejup Statovci etj. Në këtë vazhdë, disa pjesëtarë të ish-strukturave udhëheqëse institucionaliste të Kosovës, por edhe disa veprimtarë të mirënjohur të Lëvizjes Çlirimtare, (kryesisht ish të burgosur politik), ju bashkuan strukturave udhëheqëse të LDK-s. Gjithashtu, me pluralizmin politik në jugosllavi, përveç LDK-s, u themeluan edhe disa parti tjera të shqiptarëve në Kosovë (Partia Shqiptare Demokristiane, Partia Liberale, Partia Fshatare, Partia Socialdemokrate, Partia Republikane, Parlamenti Rinor që në fakt ishte bërthama e Partisë Parlamentare etj.), dhe u organizuan në kuadër të një Këshilli Koordinues të udhëhequr nga LDK.

Këshilli Koordinues i Partive Politike të Kosovës (i përbërë nga Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Ali Aliu, Ramush Tahiri, Veton Surroi, Shkëlzen Maliqi, Reshat Nurboja etj.), e emëroi një Komision Qendror për organizimin dhe mbajtjen e referendumit popullor (i përbërë nga Fehmi Agani, Fatmir Sejdiu, Rifat Blaku, Hivzi Islami, Ramush Tahiri, Ejup Statofci, Ismet Salihu etj.). Përkundër rrethanave të vështira, referendumi u mbajt me 26 -30 shtator 1991, ku mbi 90% të shqiptarëve të Kosovës votuan pro-pavarësisë së Kosovës dhe rrjedhimisht e legjitimuan Deklaratën e 2 korrikut dhe Kushtetutën e 7 shtatorit. Gjithashtu me 24 maj 1992, u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare¹² dhe presidenciale në Kosovë, të cilat i fitoi Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe kryetari i saj, Ibrahim Rugova, u zgjodh President. Gjithashtu paraprakisht, me 19 tetor 1991, ishte themeluar Qeveria e Kosovës në Egzil, në krye me Bujar Bukoshin, që fillimisht u vendos në Lubjanë të Sllovenisë dhe më pastaj nga viti 1992 në Bon të Gjermanisë.

Represioni gjatë fillim-viteve `90, ndikoi që të ketë edhe iniciativa pothuajse publike për organizimin e kryengritjes së armatosur të shqiptarëve, kundër regjimit neofashist të Milosheviqit. Me këtë qëllim, një grup i shqiptarëve nga Kosova, kishte shkuar për stërvitje ushtarake në Shqipëri, në vitin 1991. Ndërsa me shpërthimin e luftës në Kroaci dhe Bosnje, disa ushtarak shqiptar të ish-armatës jugosllave etj., kishin iniciuar ngritjen e një fronti të përbashkët që do të përfshinte shqiptarët me palët tjera në luftë, kundër regjimit neofashist të Milosheviqit. Këtyre iniciativave (që shumë shpejtë u dekonspiruan), nuk ju kushtua ndonjë interesim dhe mbështetje e veçantë, nga udhëheqësit e politikës paqësore të Kosovës. Megjithëkëtë, ndikimi i Lëvizjes Paqësore për të penguar revoltën e dhunshme të shqiptarëve, në masë të madhe ishte i logjikshëm politikisht, deri në përfundimin e konferencës së Dejtonit. Por çuditërisht as para dhe veçanërisht pas konferencës së Dejtonit, nuk u sinkronizua ndonjë lloj strategjie e përbashkët (plan B), në mes LDK-s (duke përfshirë Qeverinë e Kosovës në Egzil) dhe LPK-s. Mos përfshirja e çështjes së Kosovës në konferencën e Dejtonit, ishte njëkohësisht dështim i politikës paqësore. Në lidhje me ketë, Malcolm përveç tjerash shkruan:

“Fundi i luftës në Bosnjë nuk e solli edhe përfundimin e krizës në Kosovë. Ky fakt ishte vetëm një goditje për prestigjin e Rugovës. Ai, në të vërtetë, për katër vjet me radhë e kishte bindur popullin e vet se duhet të kenë durim derisa bashkësia ndërkombëtare të impononte një zgjidhje përfundimtare për ish-Jugosllavinë, në të cilën do të respektoheshin edhe interesat e tyre. Mirëpo, zgjidhja e paraqitur nga amerikanët në Dejton, të Ohajos, në nëntorin e vitit 1995, i la shqiptarët e Kosovës pikërisht aty ku ishin. E vetmja përkrahje në favor të Kosovës ishte një pajtim nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se “muri i jashtëm” i sanksioneve kundër Serbisë (duke përfshirë edhe mohimin e të drejtës për pjesëmarrje në Fondin Monetar Ndërkombëtar), do të mbetej derisa Beogradi të përmirësonte gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Përndryshe, Marrëveshja e Dejtonit në përgjithësi ndikoi në konsolidimin e sundimit të Milosheviqit në Serbi: diplomatët e Perëndimit deklaruan haptazi se ata i ishin atij mirënjohës për përpjekjet e tij “për vendosjen e paqes”, dhe se e konsideronin atë si një forcë konstruktive në rajon, largimi i të cilit mund të shpinte në një destabilizim”¹³


VIJON

***


FATMIR LEKAJ: HISTORIA E LËVIZJES KOMBËTARE NA OBLIGON TË PËRKRAHIM LËVIZJEN VETËVENDOSJE, SI VAZHDUESEN E IDEALIT TË UÇK-së (I)

http://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8639


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks