SHKRIMI
e mërkurë, 23 tetor 2019

FATMIR LEKAJ: KONFERENCA E DEJTONIT, LËVIZJA PAQËSORE E LDK-së DHE AKSIONET E ARMATOSURA TË UҪK-së (3)

Osllo, 10 prill 2019: Rrjedhimisht, ngjashëm sikurse udhëheqja politike shqiptare e institucioneve të Krahinës së Kosovës në krye me Fadil Hoxhën etj., që u konsumua, duke konsideruar se të drejtat politike të bazuara në kushtetutën jugosllave të vitit 1974, e kishin zgjidhur çështjen politike të Kosovës në Jugosllavi. Gjithashtu edhe politika e LDK-s, në krye me Ibrahim Rugovën etj., u konsumua duke konsideruar (edhe pas konferencës së Dejtonit) se çështja politike e Kosovës, zgjidhet vetëm me metoda paqësore. Njëri ndër protagonistët e proceseve politike në Kosovë gjatë viteve `90 dhe më pas, Blerim Shala në pasthënien e librit Rrëfimi për Luftën dhe Lirinë (1999), paksa në mënyrë nihiliste dhe antihistorike, përveç tjerash shkruan:

“Kurrë Serbia nuk do ta braktisë Kosovën. Kurrë Perëndimi nuk do të intervenojë ushtarakisht në Kosovë. Kurrë Kosova nuk do të bëhet e lirë dhe e pavarur. Ishin këto qëndrime politike të cilat ishin lidhur si gur rreth qafës së secilit shqiptarë në vitet e nëntëdhjeta. Ideja e pavarësisë, e cila ishte zyrtarizuar në vitin 1990-1991, me vendimet e Kuvendit të Kosovës dhe me votën e qytetarëve në Referendum, në të nëntëdhjetat, u bë një fjalë goje, një llomotitje, një mburojë për të mbajtur monopolin e një pushteti të rremë që ndërtohej pra mbi prononcimin verbal në dobi të shtetit të Kosovës. Në vete, secili prej nesh, druante që për të gjallët tanë nuk do të përjetonim asnjë ditë të vetme, asnjë çast të vetëm në liri. Robëria dukej si kob i përjetshëm. Në këtë skenë fati dhe politike, gjithçka u përmbys, me të paraqitur të disa dhjetëra vetave, të cilët kishin atë bindjen e moçme shqiptare se nuk mund të ketë liri pa luftë dhe se nuk mund të ketë pavarësi pa flijim. Mbase nuk e kanë ditur në fillim se çka është lufta, se me kë në të vërtet kapeshin fyt për fyti, se ç ‘gjë mund të dalë nga gjithë kjo rrëmujë, por e dinin mirë, tepër mirë, se të gjitha iluzionet ishin sosur, se afati i përdorimit të fjalëve përulëse kishte kaluar, se vdekja për liri kishte shumë më tepër vlerë sesa jeta nën Serbi.”¹⁴

Duhet të kihet parasysh, se UÇK, ishte parësisht rezultat i përpjekjeve të pandërprera (dhe dytësisht i individëve të caktuar) të Lëvizjes Çlirimtare për Çlirimin e Kosovës me Vise dhe Bashkim Kombëtar, prej vitit 1912, dhe shërbeu si katalizatori kryesor për çlirimin e Kosovës. Njëkohësisht duhet të kihet parasysh, se Lëvizja Paqësore (LDK), në krye me akademikun urtak me përgjegjësi të madhe politike dhe të ndikuar nga post-strukturalizmi francez, Ibrahim Rugovën, e ka pasur rolin kryesor për shmangien e luftës në fillim-vitet `90, në mes popullit shqiptar të Kosovës dhe regjimit neofashist të Milosheviqit. Përndryshe, ka pasur gjasa të mëdha që gjenocidi me përmasa aq të mëdha që ndodhi në Bosnjë, të ndodhte me përmasa edhe më të mëdha në Kosovë. Gjithashtu, strategjia paqësore e LDK-s, kontribuoi për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan, sepse (për dallim të Kroacisë dhe Bosnjës) shpërthimi i luftës në Kosovë, kishte potencialin të zgjeronte luftën përtej territoreve të ish-Jugosllavisë. Fatkeqësisht, shtetarët perëndimorë, që nga fillimi i konfliktit të armatosur në Jugosllavi (në fillim-vitet `90), u treguan të ç’ koordinuar në ndërmarrjen e hapave konkretë dhe efektiv për ta ndaluar/ndëshkuar dhunën e regjimit neofashist të Milosheviqit. Në ketë vazhdë, edhe gjatë konferencës së Dejtonit e shpërfillën dhe e injoruan Ibrahim Rugovën, duke mos e inkuadruar si një protagonist të rëndësishëm për zgjidhjen e krizës politike në Jugosllavi. Me fjalë të tjera, shtetet perëndimore, edhe pse kishin keqardhje më shumë ose më pak për situatën e rëndë të shqiptarëve në Kosovë, nuk ishin në gjendje të shpërblejnë politikën paqësore të Kosovës që sakrifikonte me vite në kurriz të shqiptarëve për zgjidhje politike paqësore, dhe për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan.



Konferenca e Dejtonit i humbi të gjitha shpresat se shqiptarët mund të çliroheshin vetëm me politikën paqësore. Megjithëkëtë, sikurse grevat e minatorëve dhe përpjekjet e institucionalistëve në krye me Kaqusha Jasharin etj., duke e përfshirë një numër të caktuar të delegatëve shqiptar të Kuvendit të Kosovës, gjatë vitit 1988 dhe fillim-vitit 1989 (kundër nismës për suprimimin e dhunshëm të autonomisë së Kosovës) si faktor i brendshëm, dhe shembja e murit të Berlinit, si faktorë i jashtëm, që e patën ndikimin e vet, për t’i dhënë legjitimitet ndërkombëtar, Lëvizjes Paqësore të Kosovës (LDK-s). Gjithashtu politika e Lëvizjes Paqësore (para konferencës së Dejtonit) si faktorë i brendshëm, dhe gjenocidi në Bosnjë, si faktorë i jashtëm (që preku thellë ndërgjegjen e shteteve perëndimorë) e patën ndikimin e vet, që ti japin legjitimitet ndërkombëtar luftës së më vonshme të UÇK-s. Në kuptimin se shqiptarët e Kosovës në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, kishin provuar me vite të zgjidhin problemin e Kosovës pa luftë, por ishin refuzuar nga Milosheviqi, dhe se shtetet perëndimore nuk mund të toleronin të ndodhë në Kosovë e njëjta përmasë gjenocidiale, që kishte ndodhur në Bosnjë. Veçanërisht duke e marr parasysh faktorin gjeopolitik, ngase një konflikt i armatosur në Kosovë (për dallim të Bosnjës) e kishte potencialin e zgjerimit të luftës, përtej kufijve të ish-Jugosllavisë. Në lidhje me kontekstin politik në Kosovë pas konferencës së Dejtonit, Mønnesland përveç tjerash, shkruan:

“Në vitet 1996-97, filluan të shfaqen informatat për forcat e armatosura guerile shqiptare. Deri në ketë kohë, shqiptarët, shumë kënd e befasuan, duke mos ju përgjigjur dhunës me mjete të dhunshme. Fillimisht ishin grupe të shpërndara dhe jo mirë të organizuara, të cilat e quanin vetën, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK. Zona kryesore e tyre ishte rajoni kodrinor i Drenicës në perëndim të Prishtinës. Presidenti Rugova u distancua nga këto grupe dhe për një kohë mohoi se ato ekzistonin. Ndërsa veprimtari i të drejtave të njeriut, Adem Demaçi, e mbështeste UÇK-në dhe dëshironte të shërbente si zëdhënës i tyre…..”¹⁵

Pas konferencës së Dejtonit (dhe çlirimit të Kroacisë me forcat e veta, në vitin 1995), u intensifikuan aksionet e armatosura të UÇK-s. Në këtë vazhdë, edhe UÇK pësoi goditje të njëpasnjëshme, e veçanërisht në vitin 1997. Përveçse u arrestua koordinatori i UÇK-s, në Kosovë, Nait Hasani etj., u vranë edhe disa ndër drejtuesit më të spikatur të UÇK-s, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Luan Haradinaj, Adrian Krasniqi etj. Me 1 tetor 1997, përfaqësues të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (Muhamet Mavraj, Albin Kurti, Bujar Dugolli, Driton Lajçi, Ilir Dugolli etj.), në krye me rektorin Ejup Statovcin, organizuan demonstratën e fuqishme studentore, që njëkohësisht nënkuptonte një lloj mbështetje për UÇK-n. Me 28 nëntor 1997, në Llaushë të Drenicës, gjatë varrimit të mësuesit Halit Gecaj, i vrarë nga forcat e policisë serbe, në praninë e qindra njerëzve, tre ushtarë të UÇK-s, dolën haptas para të pranishmëve dhe u thanë se UÇK-ja ekziston.¹⁶ Gjithashtu në diasporë, me 09 dhjetor 1997, një veprimtar i LPK-s, në Skandinavi, deklaroi publikisht për radiotelevizionin norvegjez (NRK), se UÇK ekziston dhe se shqiptarët në diasporë kanë filluar mobilizimin për të mbështetur financiarisht dhe ushtarakisht UÇK-n.¹⁷ Në fund të vitit 1997, kryesia e LPK-s, e aprovoi stemën e UÇK-s, e dizajnuar nga veprimtari Adnan Asllani.¹⁸ Me 22 shkurt 1998, në Zyrën Amerikane në Prishtinë, Adem Demaçi takoi të Dërguarin Special të SHBA-së për Ballkanin, Robert Gelbart, i cili paraprakisht e kishte cilësuar UÇK-n, si një organizatë “terroriste”. Sipas biografit të Adem Demaçit, Shkëlzen Gashit, në këtë takim: “Demaçit i kërkohet ta mbështesë tezën se UÇK-ja është organizatë terroriste. Por ai jo veç kundërshton, por pohon me këmbëngulësi se UÇK-ja është organizatë çlirimtare”¹⁹ Në këtë vazhdë, përkundër vështirësive të mëdha, rezistenca e armatosur dhe heroike e UÇK-s, vazhdoi në krye me Adem Jasharin, Muj Krasniqin, Ilir Konushevcin, Shkëlzen Haradinajn, Bahri Fazliun, Agron Rrahmanin, Xhevat Berishën, Remzi Ademajn etj., dhe paralelisht vazhduan me këmbëngulësi edhe përpjekjet politiko-diplomatike të UÇK-s.

Dy ndodhitë e mëdha

Në këtë vazhdimësi, dy ndodhi të mëdha e bën ndryshimin e madh për faktorizimin e UÇK-s. Ndodhia e parë, është e ngjashme me rënien heroike në krye të detyrës të udhëheqësve të LPK-s, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, Bardhosh Gërvallës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës etj., në një periudhë kyçe historike, përkatësisht pas demonstratave të vitit 1981, që kontribuoi për një inkurajim dhe mobilizim më të fuqishëm të Lëvizjes Çlirimtare, në kuadër të LPK-s. Ngjashëm, në një periudhë kyçe historike, rezistenca heroike, dhe rënia në mars të vitit 1998, e patriotit altruist, prijësit të Lëvizjes së Armatosur të UÇK-s, Adem Jasharit, dhe 57 anëtarëve të familjes së tij, (ku u masakruan 58 persona nga ana e regjimit neofashist të Milosheviqit), kontribuoi për një mobilizim shumë të fuqishëm të Lëvizjes Çlirimtare, në kuadër të UÇK-s.

Në kuadër të këtij mobilizimi të domosdoshëm, LPK, organizoi shkuarjen në Kosovë të një pjese të veprimtarëve me përvojë, përveç tjerëve: Ismet Jashari, Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovici, Ahmet Kaçiku, Agim Bajrami, Sejdi Sejdiu, Skënder Çeku, Xhemajl Fetahu, Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj, Sami Lushtaku, Shukri Buja, Nasim Haradinaj, Hashim Thaçi, Emrush Xhemajli, Gafurr Elshani, Abdyl Mushkolaj, Kadri Veseli, Nazmi Brahimaj, Azem Syla, Adem Grabovci, Avdi Muja, Imri Ilazi, Sabri Kiçmari, Selim Krasniqi, Metush Zenuni, Agron Gërvalla, Demir Demiri, Cenë Aliçkaj, Muharrem Dina²⁰, Ujkan Nikçi etj. Gjithashtu, UÇK-s, ju bashkëngjiten ushtarakët e parë: Agim Qela, Bekim Berisha, Agim Ramadani, Ekrem Rexha, Tahir Sinani, Bislim Zyrapi, Naim Maloku, Sali Veseli, Rifat Sylejmani etj.

Me 24 mars 1998, forcat serbe rrethuan fshatin Gllogjan në Dukagjin dhe e bën një sulm (të ngjashëm sikurse ndaj familjes Jashari), ndaj familjes Haradinaj, e cila tashmë ishte vigjilente për mundësinë e ndonjë sulmi të papritur. Sulmi ndodhi me 24 mars 1998, dhe familja Haradinaj me bashkëluftëtar bëri një rezistencë të suksesshme që ndikoi të zmbrapsë forcat serbe. Kjo rezistencë heroike në krye me komandantin Ramush Haradinaj, i inkurajoi mijëra shqiptarë të tjerë në rajonin e Dukagjinit, ti bashkëngjiten UÇK-s.

Pjesa tjetër e LPK-së u bë mbështetja kryesore politike, diplomatike, financiare e logjistike për UÇK-në, nga jashtë territorit të luftimeve: Fazli Veliu, Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Raif Gashi, Sejdi Gega, Refik Hamiti, Jashar Salihu, Bardhyl Mahmuti, Rexhë Ibërdema, Sahit Krasniqi, Hasan Ukëhaxha, Murat Jashari, Shefit Xhaferi, Ibrahim Kelmendi, Xhavit Hoxha, Salih Bicku, Xhavit Bajraktari, Agush Buja, Musa Demiri, Halil Selimi, Ramiz Lladrovci, Gafurr Zendeli, Rexhep Halimi, Muharrem Elshani, Afrim Emini, Sahadete Zhitia, Selam Bajrami, Pleurat Sejdiu, Begzat Gashi²¹ Ramadan Avdiu, Sabit Veseli, Shaban Muja, Xhevat Bislimi, Sheradin Berisha, Haki Morina, Ibish Neziri, Lulëzim Etemaj, Ibrahim Xhemajli etj. Në kuadër të këtyre zhvillimeve, përveç tjerash inicimi dhe inkurajimi për përkrahje masive të UÇK-s, nga diaspora shqiptare, nëpërmes demonstratave etj., ishte i domosdoshëm për faktorizimin dhe sensibilizimin ndërkombëtar të luftës legjitime të UÇK-s. Sipas ish-kryetarit të LPK-s, Bedri Islamit:

“Pas demonstratës dhe metingut masiv të Lëvizjes në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të zhvillohej në Gjermani, në vitin 1996, nën kujdesin e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe në drejtimin e Fehmi Lladrovcit, tashmë hero i Kosovës, dhe të Ibrahim Kelmendit, vendi tjetër më i parë ku do të zhvillohej një demonstrim i tillë, do të jetë Norvegjia. Kjo do të jetë edhe pika më kulmore e parapërgatitjes së mbështetjes fuqishëm të luftës dhe kjo u bë realitet, në një masë kohore shumë të shkurtër, që nga dërgimi i ndihmave, vullnetarëve, spitalit fushor e deri tek gazetarët e diplomatët norvegjezë, e më tej, skandinavë apo anglezë. Ka qenë një mbështetje totale, e cila zë vendin e saj të veçantë në historinë e re të Kosovës”²²

Në muajin mars 1998, u paraqit “publikisht” në një intervistë, drejtuesi i sektorit të rëndësisë së veçantë të LPK-s Xhavit Haliti etj.²³ Kjo intervistë e ka rëndësinë e vet, sepse për herë të parë zyrtarisht për mediat paraqitet personi i autorizuar nga LPK, dhe i cilësuar si personi kryesor i UÇK-s (sidomos deri në këtë kohë). Sektori i rëndësisë së veçantë në kuadër të LPK-s (që kishte për detyrë të organizojë dhe koordinoj kryengritjen e armatosur në Kosovë), që nga fillimi ishte më i pavarur krahasuar me sektorët tjerë të LPK-s, dhe pas vitit 1998, për shkaqe që dihen dhe nuk dihen, u vet-pavarësua edhe më shumë, duke u shndërruar në shtabin qendror të UÇK-s dhe drejtorinë politike, dhe më pastaj në Shtabin e Përgjithshëm. Mënyra e këtij transferimi është konsideruar anashkalim i vet organizatës (LPK-s), që de jure ishte pjesë e saj por de facto vepronte si strukturë e re paralele. Veçanërisht u konsiderua si anashkalim, pozicionimi i Hashim Thaçit (pa autorizimin e duhur të LPK-s) në pozitën e drejtorit të drejtorisë politike të UÇK-s, i cili gradualisht dhe sidomos gjatë Konferencës së Rambujesë, e akumuloi pushtetin politik brenda UÇK-s - LPK-s. Ndoshta kjo kishte të bënte pjesërisht edhe me vet aspektin organizativ si “fenomen universal”. Studiuesi Robert Michels, në studimin e tij të famshëm Partitë politike: Një studim sociologjik i tendencave oligarkike të demokracisë moderne (1911), konstaton se të gjitha organizatat pashmangshmërisht rezultojnë në “ligjin e hekurt të oligarkisë”. Në kuptimin se me zhvillimin e një organizate, një grup personash, duke kontrolluar resorët, linjat e informacionit etj., dalëngadalë e akumulojnë pushtetin në kuadër të organizatës. Madje sipas kësaj teorie (“ligji i hekurt i oligarkisë”), edhe në kuadër të organizatave me intenca të njëmendta demokratike dhe me dëshirat për ndarje të duhur të pushtetit, dalëngadalë rezultojnë një “grup personash” që akumulojnë pushtetin brenda organizatës. Megjithëkëtë, kjo teori (që shpeshherë cilësohet si pothuajse i vetmi “ligj” në kuadër të shkencave shoqërore), është modifikuar nga studiues të tjerë të mëvonshëm.

Me zgjedhjen e Bedri Islamit, kryetar të LPK-s, në vitin 1998, u arrit të bëhej menaxhimi më i mirë i mundshëm (marr parasysh rrethanat), duke shmangur përçarjen brenda LPK-s, në mes sektorit të veçantë (tashmë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-s) dhe kryesisë së LPK-s, respektivisht Këshillit të Përgjithshëm të LPK-s. Përndryshe, thellimi i përçarjes do të kishte efekt fatal për luftën çlirimtare. Në vazhdën e faktorizimit të UÇK-s, përveç tjerash, me 15. qershor 1998, u paraqit me një deklaratë të guximshme në lajmet për Kosovën në Televizionin shqiptar, zëdhënësi i UÇK-s, brenda vendit, Jakup Krasniqi.²⁴ Me 24 qershor 1998, në Junik të Kosovës ndodhi një takim (që pati efekt të madh në mediat ndërkombëtare), në mes disa ushtarëve të UÇK-s, në krye me Hajdin Abazin dhe të Dërguarin special të ShBa-së për Ballkanin, Richard Holbrooke, i cili në ndërkohë ishte emëruar në postin që kishte më parë, Robert Gelbart.²⁵ Me 29. qershor 1998, u realizua një takim i rëndësishëm në mes zëdhënësit të UÇK-s, jashtë vendit, Bardhyl Mahmutit dhe Richard Holbrooke, në Forumin Ndërkombëtar të Crans-Montanas, në Zvicër.²⁶ Ndërsa me 2 korrik 1998, gazeta e mirënjohur zvicerane “Le Temps”, botoi deklaratën e Xhafer Shatrit (në cilësinë e Ministrit të Informatave të Qeverisë së Kosovës në Egzil, me seli në Gjenevë), i cili kishte kontakte të drejtpërdrejta në OKB, ku përveç tjerash thuhej:

“E konfirmoj gjithashtu dhe qartas se lindja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është rezultat logjik i terrorit serb që po zgjat qe 17 vjet dhe i një indiference të padurueshme të bashkësisë ndërkombëtare për fatin tonë. Po përpiqem gjithashtu të bind të gjithë se anëtarët e kësaj organizate nuk janë terroristë, por njerëz që po sakrifikohen për popullin e tyre.………. Është e njohur botërisht se, në një mënyrë apo në një tjetër, ministri që nga vjeshta e vitit 1997 mbron publikisht idenë se pas kaq vitesh të përpjekjeve pacifiste që nuk dhanë fryte, lufta e armatosur është bërë e domosdoshme për çështjen e Kosovës.”²⁷

Shtabi i përgjithshëm i UÇK-s, për shkak të shumë faktorëve dhe shpejtësisë së zhvillimit të ngjarjeve nuk arriti të organizoj në nivel të duhur strukturën ushtarake të UÇK-s. Përveç tjerash nuk u arrit që komandantët të transferohen (nga vendlindjet/vendbanimet e tyre) në vende tjera në Kosovë. Gjithashtu fillimisht, udhëheqja kryesore e UÇK-s, karakterizohej nga një lloj provincializmi, sepse përveç drejtorit politik të UÇK-s, edhe komandanti i përgjithshëm i UÇK-s etj., ishin nga zona e Drenicës. Në këtë vazhdë pati nguti me lëshimin në qarkullim të komunikatave të caktuara që ende krijojnë huti. Kjo para se gjithash është pasojë e mos koordinimit politik, sidomos pas konferencës së Dejtonit, për një plan B, (për një organizim të përbashkët të kryengritjes së armatosur në Kosovë), në mes LDK-s (duke e përfshirë Qeverinë e Kosovës në Egzil), dhe LPK-s., por siç thotë populli “faji mbetet jetim”. Megjithëkëtë, kjo nuk i zbehë sakrificat dhe luftën heroike dhe të suksesshme të UÇK-s kundër regjimit neofashist të Milosheviqit (si “Davidi kundër Goliatit”), dhe rrolin e UÇK-s, si një ndër guerilat më të suksesshme në botë.

Ndodhia e dytë, është gjithashtu e ngjashme me ndodhin para shumë dekadash në kuadër të Lëvizjes Çlirimtare. Sikurse idealisti dhe intelektuali, Hasan Prishtina, që e pati ndikimin e rëndësishëm për orientimin politik të Lëvizjes Kaçake, duke i dhënë dimension të gjerë kombëtar (antiprovinsialist). Rroli i simbolit të rezistencës kombëtare, dhe i drejtave të njeriut, fituesit të çmimit Sakharov, Adem Demaçit, i cili me 13 gusht 1998, e mori përgjegjësinë e përfaqësimit të përgjithshëm politik të UÇK-s, me seli në Prishtinë, i mbështetur nga sekretari, Albin Kurti etj., ndikoi fuqishëm për mobilizimin edhe më të madh të UÇK-s, në nivel kombëtar. Ndërsa, diaspora shqiptare në përgjithësi, dhe përfaqësuesit politik të UÇK-s në diasporë në veçanti, (kryesisht veprimtar të LPK-s, të mirë-shkolluar në universitetet prestigjioze perëndimore dhe të emëruar nga drejtoria politike e UÇK-s, kryesia e LPK-s, dhe nga Përfaqësuesi i Përgjithshëm Politik i UÇK-s, Adem Demaçi), nëpërmes takimeve me shtetar perëndimor, debateve televizive etj., e kanë dhënë një kontribut të madh për sensibilizimin ndërkombëtar të luftës legjitime të UÇK-s. Përveç tjerash, me 10 nëntor 1998, u realizua takimi zyrtar në mes delegacionit të përfaqësuesve të UÇK-s në diasporë, Sabri Kiçmari etj., me Ministrin e Jashtëm të Austrisë, Wolfgang Schüssel në Bruksel (gjatë kësaj periudhe Austria ishte udhëheqëse e radhës së BE-s).²⁸ Në këtë kuadër, takime të ngjashme pati edhe në mes përfaqësuesit të UÇK-s në Norvegji, me Ministrin e Jashtëm të Norvegjisë, Knut Vollebæk, (njëkohësisht kryetar i organizatës për siguri dhe bashkëpunim evropian-OSBE-s), i cili e ka pasur një rol të rëndësishëm negociues për dërgimin e misionit të vëzhguesve të OSBE-s, në Kosovë gjatë luftës²⁹, duke e përfshirë kontributin e përfaqësuesve politik të UÇK-s në Francë, Angli, SHBA etj. Në këtë vazhdë, një numër i caktuar i intelektualëve, akademikëve, dhe aktivistëve të shoqërisë civile në Kosovë, në krye me Rexhep Qosen, Veton Surroin etj., dhe në diasporë në krye Ismail Kadarenë, Shenasi Ramën, Daut Dautin, Muhamedin Kullashin etj., e kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për mbështetjen politiko-diplomatike të UÇK-s, e veçanërisht qeveria dhe diplomacia formale e “Shqipërisë Londineze” etj.

Në janar 1999, u themeluan institucionet informative të UÇK-s, radio “Kosova e Lirë dhe agjencia e lajmeve “Kosovapress”. Themelimi i këtyre institucioneve informative ishte iniciuar nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-s, (Jakup Krasniqi, Shaban Shala, Ramë Buja, Kadri Veseli etj.)., dhe u arrit të realizohej me kontributin e dhënë në mënyra të ndryshme nga: Ahmet Qeriqi, Nezir Myrtaj, Mentor Hoxha, Basri Beka, Shaqir Shaqiri, Islam Berisha, Bajram Jashari, Bekim Haxhiu, Blerim Peja, Xhevdet Gashi, Musa Jashari, Isë Krasniqi, Hilmi Ramadani, Nusret Pllana, Martin Çuni, Rizah Asllan Berisha, Berat Luzha, Xhevdet Gashi, Blerim Peja, Enver Tefik Gashi, Rizah Berisha, Milaim Berisha, Elez Durmishi, Ismet Sopi, Fadil Berisha, Nuri Bega, Ismet Behxheti, Rauf Dhomi, Efraim Kastrati etj.³⁰

Me përshkallëzimin e krizës humanitare në Kosovë, UÇK u forcua edhe më shumë, duke u përkrahur nga atdhetarët me ndikim, pa marrë parasysh subjekteve politike shqiptare që u takonin, edhe nga diaspora (Sali Çekaj, Ahmet Krasniqi, Tahir Zemaj etj.). Madje mobilizimi në kuadër të UÇK-s, përfshiu edhe mobilizimin ushtarak nga vendet e largëta (SHBA-të etj.), siç është shembulli i Batalionit Atlantiku etj., dhe veçanërisht shembulli i sakrificës nga ky Batalion, i tre vëllezërve Bytyqi, të cilët gjatë një misioni humanitar për të shpëtuar fqinjët e tyre romë, u burgosën nga forcat serbe dhe më pastaj u ekzekutuan. Kjo njëkohësisht vërteton se UÇK, nuk ishte kundër pakicave (minoriteteve). Në kuadër të luftës së lavdishme të UÇK-s, ka mjaft raste ku nga disa anëtar të një familje ranë dëshmorë, siç është rasti i vëllezërve Ismet, Muharrem dhe Nazim Asllani etj.

VIJON...

_________________________

FATMIR LEKAJ: LPK'ja DHE UҪK'ja DY FAKTORË TË RËNDËSISHËM TË LËVIZJES SONË KOMBËTARE (II)

http://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8650


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks