SHKRIMI
e enjte, 23 maj 2019

DR.JAKUP KRASNIQI: LUFTA NË KOSHARE DHE PASHTRIK (PRILL - QERSHOR 1999) Pjesa e parë

Prishtinë, 23 prill 2019: Pas fillimeve të bombardimeve të NATO-s mbi objektivat ushtarake e policore serbe dhe dëbimeve të shqiptarëve të Kosovës nga trojet e veta, jam angazhuar në organizimin e shqiptarëve për hyrje në mënyrë të organizuar në Kosovë dhe formave të tjera të organizimit ushtarak. Një pjesë të aktivitetit tim gjatë asaj kohe e ka pasqyruar TVSH-në, mediumi i vetëm gjithëkombëtar, që me gjithë dobësitë, për fajin e ekipit tonë (kosovar), ka pasur ndikim të madh për opinionin e gjerë shqiptar. Fillimisht, gjatë qëndrimit në Shqipëri jam përpjekur të bëj bashkimin e trupave që gjendeshin në pjesën veriore të Shqipërisë, ato të Rrethit të Hasit e të Qytetit Bajram Curr. Forcat e Hasit ishin nën komandën e Xheladin Gashit, ndërsa ato të Popajt ishin nën udhëheqjen e Rrustem Berishës dhe Nasim Haradinajt. Ky grup përbëhej kryesisht nga ushtarë e ushtarakë të Rrafshit të Dukagjinit, që pas ofansivës së verës 1998 kishin bërë tërheqje taktike në Shqipëri. Po të shikohet ajo që ka ndodhur me ta në verën e vitit 1998, dërgimi i njerëzve për t’u armatosur pa ndonjë kontroll, e sidomos dorëzimi i armëve, (falë zotit që kjo dukuri na ka ndodhur vetëm në Zonën e Dukagjinit dhe në një Brigadë të Suharekës) gjatë ofensivës serbe, vërtet është mirë që e tillë nuk ishte e tërë UÇK-ja, sepse ajo do të zhbëhej si ushtri. Dezertimi, ikja nga fronti i luftës, fshehja, dorëzimi i armëve etj.1 tregon për dëmet që i janë bërë luftës nga brenda. Kjo na detyronte të armatosim përsëri këtë zonë. Mbetja e një duzine ushtarësh në kohën e ofensivave të gusht - shtatorit 1998 në ZO të Dukagjinit tregon se sa është dëmtuar lufta nga brenda, nga mosdija dhe frika. Sa herë duhej armatosur kjo zonë, sa herë duhej ribërë ushtrinë në këtë zonë? Luftën tonë, nga ana tjetër, e kanë dëmtuar nga bota e perëndimit ata që për luftën kanë mësuar vetëm përmes ekraneve të TV-ve të huaja. Këta nëse nuk kanë kurajë të thonë ndonjë fjalë miradije për luftën, për organizatorët dhe udhëheqësit e saj, për fitoren që po e gëzojnë të gjithë, së paku të heshtin do të kishte qenë më mirë edhe për nderin e tyre, nëse fare e kanë. Gjatë kësaj kohe, gjithë veprimtarët politikë dhe ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë shtuar aktivitetin e tyre të mundshëm në shërbim të luftës që zhvillohej në Kosovë. Ishte një e metë e mekanizmave tanë në Shqipëri, sepse ata nuk kishin arritur të strukturoren sa duhet, nuk kishin një ndarje të përgjegjësive dhe nuk kishin arritur një legalizim të merituar. Edhe pse në këto kushte e rrethana mjaft të vështira, ata kishin arritur të punojnë shumë, madje dhe jashtë mundësive të tyre. Kërkesat dhe kritikat, sidomos ndaj të tjerëve gjithnjë janë më të lehta. Edhe unë fillimisht i kam kritikuar, por pas shumë përpjekjeve të pasuksesshme të një legalizimi, kam parë se mënyra e punës që kanë zgjedhur ata ka qenë më e mira e mundshme. Vullnetarë të shumtë disa muaj kishin ushtruar në Shqipëri dhe në kohën e fundit po tregonin gatishmëri për t’u kthyer në Kosovë. Kisha njohuri të mjaftueshme se ky grup, që përbëhej prej 200-250 ushtarëve, ishin të pakënaqur me eprorët e lartë të tyre,2 që po e zvarritnin hyrjen në Kosovë, që ishin bërë faktor pengimi i luftës dhe i bashkimit. Grupi kishte dhënë shumë shenja afrie dhe gatishmërie për të hyrë në Kosovë, por nuk kishin mjete të nevojshme, thoshin ata. Si po shihet „Ministria e Mbrojtjes“ me në krye Halil Bicin e Bujar Bukoshit, me seli në Laprakë, nuk kishte arritur t´i pajisin këta pak ushtarë as me radiolidhje. Kjo do të thotë se ata “eprorë” nuk ishin të interesuar të hynin në Kosovë e të luftonin kundër armikut. Para se të nisesha për në Popaj apo Babinë ku gjendeshin ata, e pashë të nevojshme të konsultohesha edhe me dy persona, me Nesim Haradinajn nga Gllogjani dhe me Babushin - gjeneralin që ishte përkrahës i pakursyer i luftës sonë nga Shqipëria. Dhe që të dy ishin të bindur se grupi i përmendur kishte kohë që kishte treguar shenja afrie e gatishmërie për të luftuar për Kosovën. Unë u thashë se do të shkoj që të bisedoj me ata të ashtuqujtur Ministri e Mbrojtjes me seli në Laprakë të Tiranës, dhe nëse janë të gatshëm të luftojnë në Kosovë për lirinë dhe pavarësinë e saj, si çdo ushtar tjetër i UÇK-së, duke pranuar komandën e lartë të SHP të UÇK-së, do t´u krijojmë të gjitha kushtet e mundshme për veprime operative.

Në Veri të Shqipërisë, në Kukës, Has e Tropojë shkova pas bombardimeve të para të NATO-s mbi caqet serbe dhe pas valës së parë të shqiptarëve të dëbuar dhunshëm nga trojet e tyre, nga Kosova. Në Kukës kisha qenë edhe një herë tjetër, ku isha njoftuar me gjeneral „Babushin“ - Kudusi Lamën. Vërtet ishte babaxhan. Te ai pashë jo vetëm një ushtarak të përgatitur profesionalisht, por edhe të ndërgjegjësuar politikisht dhe kombëtarisht. Kisha një frikë se shokët tanë që kishin kontaktuar më shumë me të nuk kishin shfrytëzuar profesionalizmin, gatishmërinë dhe përvojën e tij tepër të çmuar ushtarake. Mbi të gjitha ishte trim dhe i vendosur për të ndihmuar UÇK-në.



Helshan, prill 1999: Eprorët e UҪK-së, Xheladin Gashi - Plaku, Maliq Doçi, Shaban Musliu dhe Idriz Mehmeti, duke përgatitur ushtarët për udhëtim në Koshare.


Pas bombardimeve të NATO-s dhe valës së parë të refugjatëve tek unë po përzihej gëzimi me shqetësimin: gëzohesha për bombardimet që bënin avionët e „UÇK-së“ (fjala është për aeroplanët e NATO-së mbi Beograd dhe qytete të tjera serbe), e shqetësohesha për zhvendosjen biblike që po i bëhej popullit shqiptar. Në Cahan (fshat në Has të Shqipërisë), shumë afër kufirit shqiptaro - shqiptar, u fola disa ushtarëve dhe ushtarakëve tanë, për detyrat që në rrethanat konkrete na dilnin përpara. Dhe detyrë mbi detyrë për çdo shqiptar që e kupton detyrën e tij ishte: të ishte ushtar i lirisë. Për shqiptarët kudo ku ishin, detyrë më fisnike në ato momente nuk kishte. Pasi bujtëm një natë në Has, te Xheladin Gashi, të nesërmen në mëngjes, unë me “Dervishin” (ishte pseudonimi i Burim Murmullakut), nisemi për në Papaj, për në shtabin e Rrustem Berishës. Me ne ishte edhe Nasim Haradinaj. Diku kah mesdita pas një rruge të gjatë e të mundimshme arritëm në vendin e dëshiruar. Atje na pritën disa ushtarakë, Agim Ramadani, Anton Çuni etj. Në ndërkohë ka ardhur dhe Rrustem Berisha. Na kanë pritur shumë mirë. Për të biseduar nuk na është dashur ndonjë hyrje, as ndonjë bisedë kurtuazie, që zakonisht do të duhej të bëheshin në raste të tilla. Kemi hyrë drejt e në temë. Që në fjalët e para theksova se situata në Kosovë është e tillë, sa nuk di se edhe çka tjetër duhet të ndodhë që ne të shkojmë atje, të jemi atje ku na thërret zëri i popullit dhe i Atdheut. U kam thënë se Kosova ka nevojë për të gjithë ata që janë të gatshëm të luftojnë e të flijohen për fitore. Kërkesa ime ka qenë e qartë: ata kishin ushtruar që sa kohë, ishin mirë të përgatitur, nuk u mungonte as teknika e domosdoshme e luftës, duhej që së bashku me forcat tjera që kishim në Shqipëri të niseshin për në Kosovë, qoftë duke hapur edhe një front të ri. Me të gjitha kërkesat e mia kanë qenë dakord. Janë pajtuar që të jenë nën komandën e SHP të UÇK-së dhe të Ramush Haradinajt si komandant i ZO të Dukagjinit. Ua dhashë lidhjet me Bislim Zyrapin shefin e SHP dhe Ramushin, komandantin e ZO të Dukagjinit. Rrustem Berisha nga unë ka kërkuar “gulinovin” snajper 12.7 mm, radiolidhje dhe municion. “Golunovin” Snajperin 12.7 mm nuk kemi mundur t´ia sigurojmë, ndërsa radiolidhjet dhe municionin i kemi siguruar, e sidomos municionin me sasi të mjaftueshme. Dhe është i vetmi vend ku municioni nuk është bartur vetëm me supe të ushtarëve e të mushkave, por edhe me mjete tjera të transportit. Para se të ndahesha nga Rrustem Berisha i kam thënë: Ti do të jesh Komandanti që do të udhëheqësh aksionin e hyrjes në Kosove (nga Koshara). Kohën, vendin dhe gjithë sistemin e komandimit do ta caktosh me shtabin e njësisë. Përgjegjësia dhe pasojat do të bijën mbi ju.3 Kurse lidhjet me furnizim, si me ushtarë e municion i ka pasur me Xheladin Gashin. Se sa e si e ka zgjedhur vendin e depërtimit, është çështje e ushtarakëve kur ta analizojnë luftën e Koshares dhe ta japin fjalën e tyre. Grupi Special, që më vonë do të quhet Brigada 138 - „Agim Ramadani“,4 i cili bie heroikisht si gjithë luftëtarët tjerë të Brigadës 138 në luftimet e Koshares, gjatë gjithë kohës ka pasur sasi të mjaftueshme të municionit. Sasi që pjesët tjera të UÇK-së as kanë pasur mundësi ta ëndërrojnë.

Në kohën e drekës kemi shkuar dhe kemi drekuar së bashku me ushtarët, kjo nuk ndryshonte në cilësi nga ushqimi i ushtarëve tanë para bombardimeve. Kështu ishte atë ditë, dhe mund të them se ishte mirë, por nuk di se a ishte vazhdimisht ashtu. Po them: nuk di a ishte ashtu, se gjatë kohës sa luftohej në Koshare vinin ushtarë e njerëz që e vizitonin atë territor të lirë dhe kishin vërejtje për mënyrën e komandimit, të ushqimit e deri në dërgimin e ushtarëve në front. Kështu atë ditë me këta ushtarakë kemi zhvilluar një bisedë mjaft të përzemërt dhe vëllazërore, gjithnjë në interes të luftës për liri. Ky grup ushtarak që më vonë është shndërruar në Brigadë, në fillim përbëhej kryesisht nga ushtarët e Dukagjinit që ishin larguar pas ofensivës së verës 1998, gjersa më vonë aty janë inkorporuar ushtarë nga anë të ndryshme të Kosovës. Ushtarë që i ishin përgjigjur thirrjes së QPK-së dhe SHP të UÇK-së, punëtorë dhe veprimtarë politikë që kishin lënë jetën e rehatshme të perëndimit dhe ngjeshën armët e lirisë, si ishte rasti i Xhemajl Fetahut dhe i shumë dëshmorëve tjerë të UÇK-së. Xhemajl Fetahu ishte veprimtar i vjetër i lëvizjes politike klandestine, vinte nga radhët e ish të burgosurve politik. Zëvendëskomandanti ishte nga Zhegra e Gjilanit, kurse i ngarkuar për informim ishte gazetari Milaim Zeka i Drenicës, aty ishte edhe Anton Çuni i Hasit etj.

Në Koshare dhe Pashtrik, nga njerëzit e uniformuar ishte krijuar një Shqipëri Etnike në miniaturë. 5 Nuk di për ç´arsye, por ky formacion është vonuar bukur gjatë deri në fillim të aksionit. Në këtë kohë në SHP të UÇK-së ishte duke u përpunuar aksionin „Shigjeta“ që do të përgatitej nga ushtarët tanë që i kishim në Shqipëri dhe ata që do të vinin nga perëndimi pas shpalljes se Mobilizimit të Përgjithshëm. Koshara ishte fillimi i „Shigjetës“, pastaj do të vazhdohet me depërtimet në zonën e Pashtrikut. Operacioni „Shigjeta“, ishte përgatitur nga SHP i UÇK-së dhe më vonë, pas formimit të QPK edhe nga Ministria e Mbrojtjes. Nga Ministria e Mbrojtjes është caktuar Fatmir Lima, ndërsa nga SHP i UÇK-së, Bislim Zyrapi. Operacioni „Shigjeta“ edhe përkundër sukseseve, nuk ka arritur objektivat e tija për shkak të pengesave e vonesave në armatim etj. Duhet cekur se e tërë Ministria e Mbrojtjes e QPK-së ishte e angazhuar në organizimin e këtij aksioni, ndoshta ndër më të mëdhenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 6. Pas meje (pasi është vonuar sulmi) atje ka shkuar edhe Ministri i Mbrojtjes në QPK, Azem Sylaj. Herën e dytë, kur ka shkuar ka filluar Operacioni Shigjeta“ për thyerjen e kufirit, ku tërë kohën ka qenë i pranishëm. Kjo Brigadë ka zhvilluar luftime të suksesshme, armikut i ka shkaktuar humbje të mëdha, por objektiven e saj kryesor nuk ka arritur ta realizojë. Objektiv ka pasur hapjen e një korridori, që do të bënte lidhjen me hapësirat tjera të lira dhe dërgimin e municionit për zonat tjera të luftës. Kjo nuk u bë sepse armiku përqendroi forca të mëdha, të cilat nga NATO-ja nuk u goditën, gjersa forcat tona në Koshare u goditën katër herë “pahiri”. Pas goditjes se katër në Koshare, ne Tiranë erdhi Naim Maloku, i cili nga Rrafshi i Dukagjinit ishte tërhequr në Koshare, dhe mjaft i shqetësuar më njofton se për të katërtën herë forcat tona në Koshare ishin sulmuar nga avionët e NATO-s. Nga lufta ishin nxjerrë mbi 60 ushtarë, në mesin e tyre kishte mjaft edhe të vdekur. Unë kisha dëgjuar edhe për sulme tjera të avionëve mbi Koshare në pozicionet tona, por ishin dhënë në ndonjë rast si sulme të forcës ajrore serbe. 7 Në fakt edhe unë po ndjehesha i shqetësuar, ç´ishte në pyetje? Mos ishte ndonjë gabim në dhënien e koordinatave? Naimi shfaqte ndonjë dozë dyshimi, në dhënien e informatave për koordinata.8 Kisha një dozë dyshimi se shqiptarët nga anë të ndryshme mund të japin informata, por marrësi duhej të shërbehej vetëm nga një burim. Dyshimet e mia nuk shkonin më tej. Dyshimet e Naimit shkonin më larg. Mua më thoshte mendja se diçka tjetër duhej të kishte këtu. Në ndonjë bisedë me të huajt kisha arritur të nxjerr nga nënteksti i bisedës se kishte qarqe të caktuara në Evropë që nuk dëshironin që UÇK të dilte e fortë nga lufta. Animi i tyre edhe atëherë ishte për pacifizmin. Si duket hapja e korridorit për ndonjë anëtarë të NATO-s nuk ishte e dëshiruar. Unë kërkova kontakt me përfaqësuesin e Steit Departamentit të SHBA-ve dhe brenda një kohe të shkurtër rashë në kontakt me të dhe e njoftova për rastin e Koshares. Në mes të tjerash i thashë: se mund të konsiderohet gabim një herë, edhe dy herë, por tre dhe katër herë nuk mund të janë të rastësishme. I them se si ka ardhur deri të kjo nuk e di, por unë dyshoj se kjo është e qëllimshme. Gabimet nuk janë përsëritur më. Sipas një njoftimi në këtë kohë Gjeneral Klarku e merr komandën në duart e veta. Kjo si duket është njëri nga faktorët që e detyron Milosheviqin të nënshkruajë marrëveshjen, ndoshta për faktin se tani i mungonte burimi i informimit. Me gjeneral Klarkun dy here jam takuar gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë e të Parisit. Që në takimin e parë në selinë e NATO-s në Bruksel, te ky personalitet kam parë jo vetëm ushtarakun, por mbi të gjitha, kam parë politikanin dhe humanistin e përgatitur gjithanshmërisht për të mbrojtur një frymë të re filozofike në dobi të njerëzimit dhe të ardhmërisë se tij. Gjeneral Klarku, duke qenë në krye të NATO-s, në 50-vjetorin e themelimit të saj, nuk qe vetëm shpëtimtar i shqiptarëve të Kosovës, por edhe mbrojtësi më i madh moral i NATO-s dhe i vlerave të qytetërimit perëndimor. Sigurisht që këtu kishte edhe interesa gjeo-strategjike. Klarku ishte luftëtari më i vendosur kundër Holokaustit të organizuar milosheviqian. Këtë do të mund ta bënte vetëm njeriu që ka përvetësuar në qenien e tij vlerat kulmore të humanizmit, të filozofisë se shekujve dhe artit modern ushtarak, që e njihte tepër mirë.

Në rrethana tepër të vështira të krijuara pas bombardimeve, lidhjet me SHP të UÇK-së dhe „Kosovapressin“ nuk i ndërpremë kurrë. Kosova brenda natës mbeti pa gazetat dhe agjencitë e „demokracisë“. Në Kosovë vazhdoi të dëgjohej zëri i pushkëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i Radios “Kosova e Lirë” dhe i Agjencisë së lajmeve „Kosovapress“. Këto ishin institucionet e popullit shqiptar, institucionet e luftës e të pavarësisë, që edhe gjatë holokaustit, vazhduan ta njoftonin popullin shqiptar, ta njoftonin botën me atë që po ndodhte në Kosovë. Në botë ato ditë agjencia më e kërkuar ishte „Kosovapressi“. Asnjë gazetë ne Kosovë s´mund të zëvendësonte Agjencinë „Kosovapress“, ndoshta për faktin se imixhi i saj është arritur në ditët e luftës, në ditët më të vështira për Kosovën dhe popullin e saj. „Pandan“ i saj ishte edhe Radio Kosova e Lirë, e cila po vazhdon punën në rrethana të reja, por me vështirësi të shumta.

Barbaria serbe e cila pas bombardimeve të NATO-s, mori një fushatë të gjerë dhe të egër për pastrim e fshirje etnike të Kosovës. SHP i UÇK-së e më vonë edhe të QPK-ja, shpallin një mobilizim të përgjithshëm (31 mars 1999), 9 fillimisht për shqiptarët që gjendeshin në botën e jashtme. Për këtë ishim marr vesh edhe me SHP të UÇK-së si dhe me mekanizma të caktuar të Shqipërisë, të cilët duhet t´na jepnin ndihmën konkrete. Fillimisht u morëm vesh që t´i kemi së paku dy qendra të mëdha stërvitore, ku ata që do të rekrutoheshin si ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të ushtronin 10-15 ditë. Gjatë këtyre 10-15 dite do të kishin ushtrime të vazhdueshme taktiko-ushtarake, ku do t´i merrnin njohuritë e para e të nevojshme për përdorimin e armëve.10 Kështu ne kishim planifikuar, por kështu nuk na ndodhi. Qendrat stërvitore vërtet u bën, por në to u grumbullua një numër i madh i ushtarëve. Numri i ushtarëve në dy qendrat stërvitore kalonte numrin 5000-6000, ndoshta kishte edhe më shumë. Këta ushtarë në kohë të duhur nuk arritëm t´i armatosim. Kështu koha stërvitore u zgjat nga 15 në 45-50 ditë. Ishte shqetësues fakti se edhe në rrethana të tilla, kur toka e Kosovës digjej flakë, gjendeshin njerëz që dinin të fusnin në mesin e ushtarëve në forma të ndryshme pakënaqësinë dhe format tjera të luftës speciale. Urdhri për mobilizim u lëshua më 31 mars 1999. Opinioni publik u njoh përmes TVSH – programit satelitor. Përgjigjja ishte mjaft masive, sidomos nga vendet e Evropës Perëndimore dhe SHBA. Me gjithë ndonjë pengesë që hasëm aty - këtu, e që faji ishte i njerëzve tanë se mobilizimin e bënin me pompim më të madh se sa e kërkonte momenti. Nga të gjitha vendet e Evropës kishim një ndihmë e përkrahje të dëshirueshme nga mërgimtarët. Në Durrës ekzistonte qendra për pritjen e rekrutëve që vinin nga perëndimi, prej nga dërgoheshin në qendrat stërvitore.

VIJON...

_________________________


Referencat:

1 Bardh Hamza: Rrëfimi për luftën dhe lirinë, Prishtinë, 1999, f. 99 – 100.

2 Po aty.

3 Kudisi Lame: Deklaratë e tij për gjendjen e UÇK-së në Shqipëri, 6 mars 2000.

4. Jakup Krasniqi: Nga Takimi im me forcat e UÇK-së së Babinës që komandoheshin nga Rrustem Berisha, Nasim Haradinaj, Agim Ramadani, Anton Cuni, Milaim Zeka etj.

5. Me vendim të SHP të UÇK-së Njësia Speciale e Koshares quhet :Brigada 138 “Agim Ramadani”.

6. Formacioni komandues i kësaj Brigade ishte nën komandën e Zonës së tretë - të Dukagjinit.

7. Plani “Shigjeta” i hartuar nga SHP i UÇK-së.

8. Naim Maloku: Deklaratë për luftimet në Koshare, prill 1999.

9. Po aty.

10. Urdhri i SHP të UÇK-së për mobilizimin e përgjithshëm, më 31 mars 1999 (Arkivi i pasistemuar i UÇK-së).

11. Jakup Krasniqi: Nga bisedimet me ushtarakët në Shqipëri.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks