SHKRIMI
e enjte, 23 maj 2019

GJOKË DABAJ: HISTORI PËRPJEKJESH PËR TË QENË NJERI IMIRË DHE SHQIPTAR I MIRË

Durës, 4 maj 2019: Kur ma solli Isuf Çipi këtë libër te shtëpia, e ndjeva detyrë ta lexoja dhe të shkruaja diç për të. Tani jam duke e përfunduar. Po lexoj 20 faqet e fundit dhe po më vjen edhe mirë, edhe keq që e lexova. Në mbi 400 faqet e këtij libri, Isufi s’ka bërë tjetër, veçse ka shprehur revoltën e vet ndaj një shumice njerëzish, me të cilët ka pasur punë dhe ndaj fatkeqësivet që u kanë ndodhur shqiptarëvet kryesisht mbas vitit 1990.


Krejt ky libër është i mbushur me revoltë.

Revolta e parë është ndaj asaj pjese të komunistëvet që shkatërruan çdo gjë të mirë, të krijuar prej pjesës tjetër të komunistëvet dhe prej popullit të kësaj pjese të Shqipërisë që na e pat njohur Londra si gjoja shtet të pavarur.

Për gjysmë shekulli, Republika e Shqipërisë, mbasi u çlirua prej pushtuesvet italo-gjermanë dhe nuk lejoi të pushtohej prej të tjerë pushtuesish, pat realizuar një zhvillim të jashtzakonshëm, me përpjekje të jashtzakonshme.

Ramiz Alia është prototipi, shkaktari dhe zbatuesi (i brendshëm) i krejt asaj zezërie që ndodhi në Republikën e Shqipërisë mbas vdekjes së Enver Hoxhës. Asgjësimi i bujqësisë me anë të ligjit 7501, shkatërrimi tërësor i industrisë dhe nxjerrja në anëkand e qindra mijë shqiptarëvet, krejt rini e shkolluar, nga më të mrekullueshmet që kish bota, nxjerrja për t’u shitur për ç’të donin dhe sa të donin, Evropa Perendimore dhe Amerika Veriore.

Revolta e dytë e Isuf Çipit është ndaj njerëzvet që e morën pushtetin mbas rrëzimit të diktaturës komuniste. Me shpresa të mëdha se rrëzimi i asaj diktature do t’i sillte mbarësi kësaj pjese të kombit shqiptar, Isuf Çipi iu afrua Partisë Demokratike. Duke qenë një njeri seriozisht i shkolluar dhe me horizont të gjërë sidomos në shkencat e bujqësisë dhe blegtorisë, i sinqertë dhe i besueshëm, populli i zonës së Klosit, në rrethin e Matit, e zgjodhi atë si kryetar bashkie, kandiduar prej Partisë Demokratike. Punoi me vullnet të madh për t’ia përparuar ekonominë dhe kulturën trevës ku kish lindur dhe që i ishte besuar për ta udhëhequr. Mblodhi rreth vetes njerëz të përkushtuar ndaj vendlindjes dhe njerëz me dëshira për të zbatuar aty një demokraci të mirëfilltë. Mirëpo, shumë shpejt, Isuf Çipi do ta kuptonte se Qeveria Berisha nuk po punonte për të mirën e Shqipërisë. Përkundrazi, ajo qeveri ish e angazhuar për të vazhduar shkatërrimin e çdo gjëje të mirë që ish krijuar gjer atëherë, madje edhe përbashkësinë kombëtare Veri-Jug, themeluar prej rilindësvet tanë të lavdishëm, ajo qeveri po tentonte për ta shkatërruar.



Në vitin 1997, në bashkinë që e drejtonte Isufi, si edhe në krejt republikën, ndodhën plaçkitje të pashembullta, hapje magazinash dhe rrëmbim mallrash, grabitje armësh e municionesh, batërdi shpërthimesh dinamiti e zbrazje armësh të të gjithë llojeve, ndërsa ai nuk pat asnjë mundësi për ta mbrojtur atë bashki që populli ia kish besuar.

Një trajnim 10-ditor në Poloni Isufit i shërbeu për të kuptuar se si mund të rikthehet një vend në kapitalizëm, pa e shkatërruar atë që e kish ndërtuar komunizmi.

“Pas kthimit (nga Polonoia)”, shkruan Isufi, “një ditë, ia zbraza Berishës mu në zyrën e tij. Ai do të kthente kokën nga dritarja, për të mos më dhënë asnjë përgjigje dhe për të mos m’u afruar kurrë më.” (f.297)

Mbasi u bind që regjimi i Berishës nuk po punonte për të mirë të Atdheut, autori i këtij libri, vendos të provojë edhe Ed Ramën. Në një takim elektoral, në të cilin Ed Rama po zbatonte në mënyrën e vet parimin “gju më gju me popullin” (alias “me publikun”), Isufi, i nxitur edhe nga disa shokë që e njihnin mirë, mban një fjalim, në të cilin e parashtron pikëpamjen e vet mbi mënyrën se si do të mund të rimëkëmbeshin bijqësia dhe industria. Fjalimi i Isufit e detyron Edin të ngrihet dy herë në këmbë, t’i afrohet dhe t’ia shtrëngojë dorën. (f.335-3338)

Por edhe kjo përpjekje për t’i shërbyer me ndershmeri vendit ku ish lindur e ritur dhe kombit në përgjithësi, përfundon me një varg zhgënjimesh tepër dëshpërues.

Më në fund, autorit të këtij libri nuk i mbetet tjetër, veçse ta krahasojë periudhën e së quajturës “demokraci” me kohën kur këtë vend e pat qeverisur Enver Hoxha. Në 45 vjetët e asaj qeverisjeje shqiptarët e kësaj pjese të Shqipërisë, që quhet edhe “Shqipëria e Konferencës së Londrës”, kishin grumbulluar një pasuri, e cila llogaritej në më shumë se 600 miliardë dollarë. Vetëm floriri i pastër 24-karatësh i kalonte të 65 tonët. Ndërkaq, mosha mesatare e popullsisë së këtij shteti ishte 26 vjeçe, më e reja në botë. (f.265). E gjithë ajo pasuri, njerëzore e lëndore, mbas vitit 1990, u dekompozua totalisht dhe u shpërnda në drejtme të ditur e të paditur. Rinia mori arratinë dhe Republika e Shqipërisë u bë sërish vendi më i prapambetur i Evropës.

Isufit, tash, mbas një jete plot përpjekje pozitive dhe mbas peripecish të llojllojshme, deri edhe rrethime të shtëpisë me polici, burgime, përndjekje e shpifje, pra, mbas gjithë këtyre, i kujtohet kur e ëma, një devollite e fisme martuar me një matjan po aq të fisëm, u këndonte fëmijëvet të vet e më vonë edhe atyre të Isufit, një këngë që e këndonin ndër ne shumica e nënavet të asaj kohe: “O Enver, o yll, o dritë,/ Shqipërisë ia hape sytë,/ gjithnjë duke porositë:/ Shkolla natë e shkolla ditë!/ (f.407)

Krejt libri është i tejmbushur me ngjarje tronditëse, me emra njerëzish konkretë, shumicën e të cilëvet unë i kam njohur e i njoh, sepse kam jetuar e punuar atje një çerek shekulli. Aty ka me shumicë edhe cilësime negativë të jo pak prej atyre njerëzve, por mua nuk më takon të merrem me këtë aspekt të këtij libri. Për mua, të gjithë ata njerëz, midis të cilëvet kam jetuar e punuar, kanë qenë dhe mbeten njerëz të mrekullueshëm.

Një vend të posaçëm në këtë libër ka zënë i jati i Isufit, Mustafa Çipi, gjë që shikohet edhe te titulli “Shoqëria, familja dhe im atë”. Mustafai, pra i jati i Isufit, ndonëse ishte klerik, hoxhë, dhe Kuranin e dinte përmendësh, nga i cili citonte pjesët më humane, simpatinë për Kohën e Enver Hoxhës nuk e zbehu asnjëherë dhe kjo buronte nga fakti që Mustafai ishte një atdhedashës shumë i kthjellët dhe shumë realist në gjykimin e dukurivet.

Ky libër i Isuf Çipit është një nga librat e pakët të kohës sonë, i cili e thotë të vërtetën lakuriq, të ashpër dhe të hidhët, ashtu siç e ka përjetuar dhe kuptuar ai vetë, duke i marrë parasysh të gjitha pasojat e përshtypjevet, të mira apo të këqia.

Gjokë Dabaj, Durrës, 4 maj 2019.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks