SHKRIMI
e diel, 23 shkurt 2020

BEQIR ELSHANI: JUPITERI DHE MOLLËKUQJA

Suedi, 24 janar 2020: Kuizi i diturisë në televizion nuk është tërheqës vetëm për pyetjet e vështira, të cilave u përgjigjen garuesit, por edhe për pyetjet e lehta kur garuesit nuk dinë të përgjigjen. Dhe njëra prej pyetjeve të lehta dhe të zakonshme, ishte pyetja mitologjike se cili prej perëndive greke quhet Zeus: Jupiteri, Marsi, Neptuni apo Merkuri. Garuesi nuk e dinte, prandaj kërkoi ndihmën e shikuesve në sallë. Për habi garuesit të dobët nuk i ndihmuan as shikuesit në sallë, të cilët Merkurit, Marsit dhe Neptunit i dhanë pikët e larta, kurse zotin suprem - Jupiterin nuk e përfillën fare. Me anën e kësaj u pa që shikuesit e pranishëm ishin të dobët në mitologjinë antike greke e romake, gjëra që mësohen qysh në shkollën fillore. Jo vetëm kaq, sepse garuesit me gjithë shikuesit nuk e dinin që Zeusi, Poseidoni dhe Hermesi janë perëndi greke, kurse Jupiteri, Neptuni dhe Merkuri janë perëndi romake.

E njëjta pyetja mitologjike ishte edhe për një garuese të radhës se kush është hyjni i muzikës: Apoloni, Zeusi, Poseidoni apo Hefesti. Për fat të keq edhe në këtë rast garueses nuk mund t'i ndihmonin as shikuesit, ata u përcaktuan për Hefestin. Fatkeqësia më e madhe është se kur nuk e dinë që hyjniu i muzikës është Apoloni fort i lavdishëm në fushën e artit dhe muzikës, përndryshe bir i Zeusit dhe një nga dymbëdhjetë perënditë e Olimpit, shikuesit e përcaktojnë Hefestin, që ky i fundit ishte vetëm farkëtar i lavdishëm dhe i dashuri i Afërditës. Prandaj Hefesti nuk kishte aspak të bënte me artin dhe muzikën. Tekembramja, jo vetëm që duhet ditur se kush është Apoloni, por edhe duhet ditur se Poseidoni është hyjni i detit, Hefesti hyjni i zjarrit, dhe Zeusi zoti gjeneral, siç thuhet i të gjithëve. Përveç kësaj, hyjnitë e kanë edhe një shpjegim për aktivitetin e tyre ndaj njerëzimit, derisa Demetra jepte bukën, Herakliu mishin e demit, Poseidoni mishin e peshkut, Dionisi verën dhe Afërdita mirësinë, kurse si rezultat i të mirave në jetë e në punë, Apoloni nuk jepte asgjë për ngrënie, pos muzikës. Siç duket, në dallim me hyjnitë në kohën antike, hyjniu Apolon ka pasur një të metë, në vend të bukës popullit ia ka dhënë muzikën dhe frymëzimin poetik.

Dukuri e njëjtë ishte me pyetjen e biologjisë, që ka të bëjë për njohjen e mjedisit tonë natyror. Në kuizin e diturisë "Smartare än en femteklassare" (Më i aftë se klasa pestë) ishte pyetja për kandrrën e vogël - mollëkuqen, pa të cilën pemët do të dëmtoheshin nga morrat parazitë. Mollëkuqja është një kandërr e kuqe me pika të zeza, që të gjithë fëmijët rriten duke mbajtur në dorë. Pyetja e kuizit ishte: "Sa pika të zeza i ka mollëkuqja?" Për habi, garuesi burrë nuk e dinte, prandaj e humbi kushtin e garës. Mirëpo kur drejtuesja e programit i pyeti katër nxënës shoqërues, njëzëri u përgjigjën që mollëkuqja i ka shtatë pika të zeza. Me siguri që garuesi e dinte që tabela e shahut i ka 64 figura, por nuk e dinte sa pika të zeza i ka mollëkuqja. Programi garues në televizionin suedez "Smartare än en femteklassare" është tërheqës, shikuesit e të gjitha moshave e ndjekin me interesim. Ky program shfaqet një herë në javë dhe marrin pjesë të rriturit e të gjitha profesioneve dhe pozitave shtetërore, ndërsa ndihmës janë nxënësit. Prandaj nëse garuesi humb në garën e diturisë, detyrohet të pohojë që është më i dobët se një nxënës i klasës së pestë.

Gara në dituri

Kur e pyeti udhëheqësi i programit televiziv të Suedisë pjesëmarrësin në kuizin e diturisë se cili prej qyteteve ka metro (hekurudhë të nëndheshme), Moska apo Dublini, garuesi u përgjigj bindshëm për Dublinin, me të cilin e humbi kushtin. Pa dyshim që pyetja ishte e lehtë, ngjashëm sikur të pyetet se cili det është më i madh në botë, Mesdheu apo Atlantiku, dhe përgjigja e drejtë del "Atlantiku". Është për t'u habitur me bindjen e disa qytetarëve, të cilët mendojnë mbase ish-kryeqyteti socialist nuk ka metro, kur dihet që metro e Moskës është ndërtuar qysh prej vitit 1930 me 188 stacione, përndryshe i quajtur Metro moskovite e V. I. Leninit (ryska: Московский метрополитен имени Ленина), do të thotë qysh në kohën e socializmit të Josef Stalinit, i cili është një ndër metrotë më të njohur dhe më të bukur në botë. Pastaj një vend i madh që ka dhënë themeluesin e socializmit, Vlladimir I. Leninin, po ashtu dijetarë të mëdhenj në fushën e shkencave të natyrës, letërsisë dhe artit, patjetër do të jep edhe arkitektë në fushën e teknikës dhe ndërtimtarisë. Jo vetëm kaq, sepse Rusia ka krijuar edhe traditën e ndërtimit të metrosë në qytete të ndryshme të vendit, siç janë Leningradi, Kijeva, Tbilisi dhe Baku. Në vazhdim, për nga numri i udhëtarëve metro e Moskës zë vendin e dytë në botë menjëherë pas metrosë në Tokio me 37 milionë banorë. Vlen të theksohet se në vitin 2010 metroja moskovite kishte 2,35 miliardë udhëtime, që konkretisht ua kalonte të gjitha metrove europiane, siç janë Londra, Parisi, Berlini, Hamburgu, Vjena, Budapesti, Athina, Roma, Milanoja, Madridi, Barcelona, Lisbona, Glazgova, Stokholmi, dhe Osloja.. Sipas shënimeve statistikore çdo ditë udhëtojnë shumë udhëtarë në Moskë, saqë arrijnë dyfishin e metrosë në Londër dhe në Nju Jork. Në anën tjetër, derisa sipërfaqja e kryeqytetit të Irlandës, Dublin, ka 180 km me 500 000 banorë, sipërfaqja e Moskës vetëm si qendër ka 1081 km, kurse si komunë ka 2511 km, me 12 milionë banorë, aq sa ka kryeqyteti argjentinas Rio de Zhaneiro. Qytetet tjera europiane, si Parisi, Berlini, Vjena, Budapesti, Athina dhe vitet e fundit Stokholmi kanë metro, mirëpo asnjëri nuk e ka madhësinë kolosale si metro e Londrës, që është ndër më të vjetrit në botë, e cila është ndërtuar në vitin 1863.

Masa e objektit

Vërtet gishtat përkulen, por vetëm në anën e brendshme të pëllëmbës, jo në anën e shpinës së dorës. Pëllëmba e dorës e mban kokën në meditime, por edhe trupin me anën e mbështetjes në tokë. Sipërfaqja e pëllëmbës është prej majës së pëlqerit deri te maja e gishtit të vogël. Përdorimi i gishtit të madh (pëlqerit) në historinë e civilizimit ka qenë masë e objektit prej largësisë kudo që gjendej, dhe atë qysh prej kohës së vjetër në Mesopotami dhe në Egjipt. Të gjitha matjet janë bërë me anën e masës së trupit. Egjiptianët gjatë ndërtimit të piramidave masën e gjatësisë e përdorën me anën e krahëve dhe me anën e gjerësisë së dorës, që është një e shtata e krahëve. Ndërsa gjerësia e gishtit është sa një e katërta e gjerësisë së dorës, gjithashtu edhe e këmbës. Ky sistem i matjes përdoret në mbarë botën, dhe është pjesë e kulturës që përdoret në veprimtarinë e zdrukthëtarisë. Pikërisht mjeshtrit gjatësinë dhe gjerësinë e gozhdës e matin me anën e pëlqerit, prandaj masa e trungjeve kanë të dyja: shkallën e centimetrit dhe shkallën e gishtave. Pastaj largësia prej majës së pëlqerit deri te maja e gishtit të vogël të dorës quhet pëllëmbë, dhe është e barabartë me dhjetë gishta të dorës. Javën e parë gruri ka qenë tre pëllëmbë, javën e dytë është rritur tre pëllëmbë e dy gishta, kështu tregonin fshatarët që me gëzim pritnin pjekjen e grurit në arë.

Njësia e vjetër për matjen e gjatësisë quhet kut, që është e barabartë me pjesën e krahut nga bërryli deri te gishtërinjtë, domethënë rreth 64 centimetra. Mirëpo derisa metri e ka masën e caktuar standarde, masa e kutit është me hamendje, megjithatë nevoja njeriun e detyron të përdorë masën e gishtave së dorës, masën e pëllëmbës së dorës dhe kutin. Ndonjëherë për njeriun trupvogël njerëzit me ironi thonë se është dy pëllëmbë mbi tokë. Duket qartë që këtu kemi litotën, kur dihet që dy pëllëmbë është pula e shtëpisë. Ndërsa e kundërta e litotës është hiperbola, kur për llafazanin thuhet që gjuhën e ka një pëllëmbë, do të thotë dy herë më të madhe. Me shprehjen e pëllëmbës bëhet edhe krahasimi i punës apo objektit të njeriut, psh. Shtëpia e Sokratit ishte një pëllëmbë, mirëpo lavdia e tij ishte me kilometra.

Lepuri dhe nepotizmi

Gjenden tri lloje rrenash: rrena e zakonshme, rrena e mallkuar dhe rrena statistike, thotë shkrimtari, Mark Tuen. Mirëpo gënjeshtra ndonjëherë është e mirë, nëse e bënë në raste të duhura. Rrena e bardhë përdoret për të mos i lënduar të tjerët. Shpeshherë personat që thonë gjithmonë të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës, mund të gjenden në situata të palakmueshme në rrethin e tij. Ndërsa rrenë e zezë nëse njeriu thotë që do të lajë duart, domethënë që shkon në nevojtore. Pastaj frazeologjia "Lepurin e sheh, mirëpo malin nuk e sheh dot" ose qengjin e sheh, mirëpo tufën e deleve nuk e sheh, domethënë kur njeriu e sheh një pikë të dobët, por nuk i sheh, jo të metat, por të zezat e veta, që janë të mëdha e të shumta sa një mal. Ose kur për interesa të ngushta sakrifikon pjesën më të madhe të vendit duke rrezikuar jetën e njerëzve dhe të kafshëve me gjithë botën bimore. Me të drejtë fabulisti francez, La Fonteni, në fabulën e tij "Hejbetë" thotë se njerëzit mendjemëdhenj s'e shohin trarin që u ka zënë sytë, por shohin qimen në syrin e tjetrit". Konkretisht janë simpatizantët e PDK-s që shtëpinë e nuses së Albin Kurtit e shohin në Norvegjinë e largët, por nuk i shohin pallatet luksoze të ministrave që i kanë para syve në Kosovë. Kjo është një shprehje ironike kur ndonjë nepotist (shqip do të thotë nipizëm-familjarizim) që interesohet për vete dhe për rrethin e tij, për anëtarët e familjes, pastaj shokun, tezakun, kunatën, mikun, etj., si dhe me anën e mitës në dëm të popullit dhe interesit të përgjithshëm. Edhe disfata bie në grupin e nepotizmit, për të cilën kur njeriu humb diçka të madhe, siç janë qetë, por shqetësohet për vogëlsira, siç janë brirët e demave. Një mike tregon se derisa fqinjën e kishte afër me shtëpi, kanë qenë indiferente, mirëpo pas shpërnguljes së saj me një vend tjetër me mallëngjim përshëndeten. Pastaj, nëse dikush thotë që lopën po e çon për ta ndërzyer me një ka, quhet ironi, pasi që kau është i tredhur, prandaj po e çon në thertore. E kundërta e nepotizmit burokratik "është njeriu fisnik me kuptim të mirë, kur dikush interesohet për gjënë e tij të shtrenjtë në mes të popullit. Kjo do të ishte sikur të thuhet shtëpinë e së dashurës sime po e shoh, mirëpo katundin nuk e shoh dot. Psh. djaloshi takon shumë vajza të bukura, mirëpo nuk e gjen vajzën që e dashuron, siç është "Hirushja" në të cilën princi me anën e këpucës në të gjitha anët kërkon të gjejë vajzën (Hirushen) dhe në fund martohen. Prandaj, lavdi princit të Hirushes!

Dora e zemrës

Frazeologjia "me dorën në zemër" dhe "me zemrën në dorë" kanë dallime, e para shpreh dëshirën me drejtësi dhe me ngrohtësi, kurse e dyta shpreh dhimbjen dhe keqardhjen, si dhe shqetësimin me frikë se mos ndodh ndonjë e keqe e papritur për të afërmit e tij. Pastaj frazeologjia "e vë zemrën në dorë" domethënë që njeriu i beson mikut. Derisa për shprehjen me dorën në zemër, dora mbështetet me arsye në gjoks, kurse me shprehjen me zemrën në dorë, lëvizja e dorës në drejtim të zemrës bëhet në mënyrë emocionuese. Gjithashtu edhe frazeologjia "me dy duar" ka kuptimin e dëshirës me dorën në zemër. Ndryshe me frazeologjinë popullore me dy duar, sipas shkrimtarit francez, Viktor Hygo, njeriu me dorë të dyfishtë, do të thotë që di të përdorë shpatën si ushtar dhe pushkën si oficer. Sinonim i frazeologjisë së shqetësimit është edhe shprehja "më iku kërthiza", që do të thotë u tremb shumë, kur njeriu ndjen ndonjë lajm të hidhur e tronditës për dikë, (sidomos prindërit e shqetësuar për fëmijët e tyre). Në vazhdim metafora "Të lexosh librin në shpellën e ariut" do të thotë të lexosh librin në rrethana të vështira pushtuese. Psh. libri "Gjarpijt e gjakut" i Adem Demaçit në ish-Jugosllavi mund të lexohej me qiri në shpellën e ariut, ndërkohë duke mbajtur njërin sy dhe njërin vesh te dera mos po vjen ariu (lexo: agjenti i UDB-ës jugosllave) dhe të arreston.

Lidhur me betimin e qytetarëve për garantimin e të birit apo të bijës, familjes, mikut apo qëndrimit, të cilët garantojnë se do të vënë dorën në zjarr, mirëpo do ta vriste në qoftë se i biri del terrorist. Kështu ishte betuar, babai për të birin që akuzohej për terrorizëm, me anën e së cilës garantonte për pafajësinë e të birit. Prandaj po jap një shpjegim për kuptimin e metaforës tragjike "vë dorën në zjarr" që burimin e ka qysh prej kohës së vjetër etruske. Në shekullin e VI-të para erës sonë, romaku, Mucius Kordus, duke dashur të vrasë mbretin etrusk, Lars Porsenën, gabimisht vret sekretarin e tij. Prandaj për shkak të vrasjes së njeriut të pafajshëm atentatori dorën e djathtë e vuri në zjarr: do të thotë e ndëshkoi vetveten për pakujdesinë e tij, sepse kishte bërë dy gabime: një atentatori ka dështuar në vrasjen e armikut, dhe dy ka vrarë njeriun e pafajshëm. Prandaj, respekt romakut që parimisht e dënoi vetveten!


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks