SHKRIMI
e enjte, 02 prill 2020

BEHXHET SHALA BAJGORA: ZARET U HODHËN, A PO KALOHET RUBIKONI PËR TË SHPËTUAR APO PËR T’U FUNDOSUR!

Prishtinë, 4 shkurt 2020: Pas betejës të gjithë analistët (gjeneralët) bëhen të mençur : Ishte një gjendje e rëndë , nga 6 tetori 2019, kur përfunduan zgjedhjet e deri më 2 shkurt 2020, kur u nënshkrua Marrëveshja për bashkëqeverisje midis LVV-së , që i fitoi zgjedhjet dhe LDK-së , që doli e dyta. Ky ishte vullneti i votuesve dhe mbështetur në këtë vullnet u bë edhe koalicioni . Dua ta them se më shumë kohë , nerva , durim , vuajtje , lodhje dhe stres kanë shkaktuar bisedimet bilaterale Kurti – Mustafa , të cilët mund të vendosin vetëm për zgjidhjen e një numri të vogël të problemeve në Kosovë , se takimi i famshëm Stalin – Çerçill dhe Ruzvelt në Jaltë dhe Teheran që vendosi për fatin e shumë shteteve dhe popujve të botës. Nëse i krahasojmë këto dy marrëveshje në kontekstin gjeostrategjik atëherë duhet të pranojmë se Traktati Kurti – Mustafa është shumë më i rëndësishëm , së paku për qytetarët e Kosovës dhe Natalya Apostolova , e cila , së bashku me Mogerinin aq shumë u angazhua që qytetarët e Kosovës të fitojnë libaralizimin e vizave , se marrëveshja e Jaltës dhe Teheranit . Gjatë bisedave maratonike Kurti - Mustafa huqjen më të madhe e patën analistët , thuaja 2.000.000 analistë ( shkaku se çdo qytetar i Kosovës është analist ) sepse , në shumicën e falleve e gabuan fort hajmalinë që duhej të përdoret . Edhe analistët , sikur edhe mediet ishin qartë të ndarë në dy grupe , ata që ishin për Marrëveshjen Kurti – Mustafa dhe ata që ishin kundër. Fitohet përshtypja se edhe paguheshin për këtë !

Që nga 6 tetori 2019 , në të gjitha shkrimet dhe prononcimet kam thënë se nuk do të ketë koalicion tjetër përveç LVV-ë me LDK-ë dhe këtë nuk e kam bërë këtë se jam fort i mençur por kam qenë i sigurt se edhe LVV –ë sikur edhe LDK –ë po luajnë me karta bllof për faktin se as LVV –ë e as LDK –ë nuk kanë qenë të vendosura të shkojnë në zgjedhje të reja e as të kalojnë në opozitë. LVV –ë e ka pasur gjakim udhëheqjen e qeverisë , me Albin Kurtin , kryeministër dhe , nëse kësaj radhe Albin Kurti do ta lëshonte zogun nga duart atëherë , e tërë karriera e tij do të kalonte duke dëgjuar cicërrimen e zogjve në pullaze apo degë të pemëve. LDK –ë , që nga viti 2004 asnjëherë nuk ka fituar zgjedhjet por asnjëherë nuk ka mbetur pa pushtet prandaj , në një mënyrë apo tjetër ka krijuar vartësi ndaj pushtetit. Dhe këtu nuk shoh asgjë të keqe sepse në politikën tonë , pa standarde morale dhe profesionale , ikja nga pushteti llogaritet si çmenduri. LDK-ë e ka luajtur lojën mirë , gjatë tërë kohës sa nuk i fitonte zgjedhjet duke fituar më shumë se vet partia që i ka fituar zgjedhjet ! LDK-ë sot akuzohet se ka bërë marrëveshje joparimore dhe jo të natyrshme me LVV-ë por a nuk ishte e tillë edhe marrëveshja PDK-ë – LDK-ë . Në këtë rrafsh nuk shoh asnjë dallim ! Për çdonjërin që ka informata elementare e që nuk është dashur ndonjë intelegjencë mbi mesataren kosovare për vlerësim të situatës , ka qenë e qartë se votuesi brenda Kosovës e sidomos votuesi që e ka votën përcaktuese për çdo gjë në Kosovë ( faktori ndërkombëtar që vranë e nuk kthjellë së paku deri më tani ) kanë qenë për pozitën që u votua dje kurse shprehimisht dhe vendosmërisht ka qenë kundër pozitës së deridjeshme dhe opozitës së sotme . Për këtë ua ka lëshuar në qafë prokurorët e Hagës , të UNMIK-ut , EULESH-it dhe përsëri të Hagës , jo për t’i dënuar për korrupsion por për krime lufte në ndërkohë që me Vuçiqin , Dikoviqin , Gurin , Sheshelin , Vulinin dhe Daçiqin kanë ndërtuar marëdhënie bashkëpunimi dhe miqësore . Ndoshta , në lokacionin ku takohen dhe i cakin gotat me shlivovicë , përfundi këmbëve të tyre mund të jenë të varrosura mbetjet mortore të shqiptarëve të ekzekutuar , për fatin e të cilëve janë në ankth 21 vjeçar , kryesisht familjarët e tyre . Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nga ndërkombëtarët në Kosovë ka qenë një veprim në kundërshtim të plotë me veprimet që i kanë ndërmarrë në shtetet, shtetas të të cilëve edhe janë . Në Kosovë janë treguar të paskrupullt , të pamoralshëm dhe vet janë bërë pjesë e skemave piramidale kriminale , që nga ambasadorët , prokurorë dhe gjykatës dhe nivele më të ulëta. Për ndërkombëtarët aspak nuk ka qenë me rëndësi a jeni të vullnetshëm ta luftoni korrupsionin dhe krimin e organizuar sa që të jeni të vullnetshëm të bëni bisedime me Serbinë , të gjeni zgjidhje kreative duke treguar fleksibilitet , në dëm të Kosovës , pa asnjë dyshim ! Se a do të ndryshojë kjo qasje me qeverinë e re të vjetër , nuk mund ta paragjykoj . Mirëpo , është shumë e qartë se kërkesa imediate e bashkësisë ndërkombëtare nuk është lufta kundër korrupsionit por heqja e taksës 100% për mallrat serbe sikur edhe vazhdimi i bisedimeve me Serbinë që , për momentin nuk janë domosdoshmëri për Kosovën . Taksa 100% për mallrat serbe ka qenë potezi më i mirë , më i shëndetshëm , më i dinjitetshëm në aspektin kombëtar dhe shtetërorë dhe më frenuesi ndaj aktiviteteve 100% armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës . Të kërkosh një barazpeshim midis taksës 100% dhe ndaljes së fushatës së çnjohjeve që po e bënë Serbia është një imoralitet i skajshëm dhe prostituim i konventave ndërkombëtare . Ramush Haradinaj , nëse asgjë të mirë nuk ka bërë gjatë mandatit dyvjeçar , taksa 100% për mallrat serbe është mbulesë e mjaftueshme sepse e ktheu dinjitetin kombëtar dhe shtetërorë ! Na bëri të ndjehemi shtet !

Qeveria Kurti dhe qeveria Murti :

Pa praninë e opozitës , përjashtuar këtu opozitarin më konsekuent dhe më pozitiv , Behgjet Pacolli , vet i dyti që votuan për Qeverinë Kurti , opozitarët tjerë e lëshuan sallën kur u votua qeveria. Isha në sallë dhe kur kryesuesja e seancës , zonja Arbërie Nagavci e cila ka bërë një përparim të jashtëzakonshëm krahasuar me kohën kur vendosi të merrej me politikë , tash ka një siguri më të madhe oratorike dhe po lexon shumë mirë , tha se u votua qeveria Kurti me 86 vota dhe shifra më dukej shumë imagjinare , e pabesueshme dhe e pavërtetë . Doli pastaj që qeveria Kurti mori 66 vota ( 59 vota shqiptare nëse të Pacollit llogariten si të tilla ) dhe 7 minoritare . Pa 2 vota të Pacollit dhe 2 vota të Dudes e që vendosën të votojnë në momentin e fundit , qeveria do t’i kishte 62 vota , do të ishte Qeveri e Pakicës. Lista Serbe nuk e votoi qeverinë Kurti duke deklaruar se ata i besojnë Marko Gjuriqit e jo Albin Kurtit në ndërkohë që po kjo Listë Serbe 100 % i shërben Serbisë , 100% është kundër Kosovës dhe 100% i shfrytëzon të mirat që ia ofron Buxheti i Kosovës. Asnjë vend normal nuk do ta duronte këtë por , pasi e duruan më parë PDK-ë , LDK-ë dhe AAK-ë pse mos ta durojë tani edhe LVV –ë! Jemi një sa i përket Listës Serbe , shumë e kritikojmë por edhe më shumë i vardisemi kur kemi nevojë për votat e tyre. Mos të harroj ; një lider , serb i Kosovës , z. Petroviq , pasi u takua me kryeministrin Kurti dhe pasi nuk u mor në mbrojtje nga askush nga terrorizimi që ia bënte Lista Serbe dhe Serbia , dha dorëheqje dhe duket se këtë fat do ta kenë edhe serbët tjerë që e pranuan Kosovën dhe i shërbyen të gjithë qytetarëve të Kosovës. E kam fjalën për Sllobodan Petroviqin dhe Nenad Rashiqin. Këta ishin liderët serbë me të cilët Kurti donte të bënte dialog , si pëprfaqësues të serbëve të Kosovës ! Më të fortë dolën të jenë Goran Rakiq dhe Marko Gjuriq. Po cila është Qeveria Kurti ?

LVV-ë përkatësisht kryeministri Kurti emrat e ministrave të LVV –së i bëri publik kohë më parë përmes një vidio mesazhi. Aty mungonte vetëm emri i Glauk Konjufcës që u zgjodhë kryetar i Kuvendit të Kosovës. Pastaj , Glauk Konjufca u bë pjesë e kabinetit qeveritar .

Qeveria Kurti :

1. Albin Kurti është kryeminister i Kosovës . Është shembull tipik se nëse ia vëni vetes një qëllim , jeni këmbëngulës dhe të vendosur , sigurisht se do ia arrini këtij qëllimi. Rruga e Albin Kurtit nuk ka qenë e shtruar me lule por me shumë vuajtje dhe sakrifica. Ishte njëri ndër liderët e rezistencës studentore që u ketrajtua brutalisht nga polica serbe. Në moshë të re kur shumica iknin nga Zyra e UÇK-së në Prishtinë e që udhëhiqej nga Kuptimi dhe Përmbajtja e Luftës për Çlirim , Liri dhe Bashkim Kombëtar , Bacë Adem Demaçi , Albin Kurti , përkundër rrezikut edhe për jetë u bë sekretar , përkthyes , këshilltar dhe shoqërues i Bacës , deri në kohën kur u bë lider i opozitës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës. Albin Kurti sot nuk e përmend fare Adem Demaçin ose e përmend gjatë përvjetorit të shkuarjes në amshim. Albin Kurti ishte kundërshtar i UNMIK-ut , EULEX-it sepse mendonte se po punojnë kundër Kosovës . Për atë kohë Albin bëri opozitë të arsyeshme , të dobishme dhe të domosdoshme , jo pse pengoi realizimin e marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën por se e ngadalësoi implementimin e tyre. U arrestua dhe u rrah nga të gjithë por nuk u tregua aspak i mëshirshëm ndaj të gjithëve që i projektonte , jo si kundërshtarë politikë por armiq politik. Albin Kurti mbanë mend por nuk fal, nëse iu ka futur në listën e armiqëve përherë do të jeni në atë listë . Po e kundërshtuat edhe kur keni të drejtë , nuk do të keni të drejtë. Ata që më së shumti e kanë përkrahur kur e ka pasur ngusht , jo që nuk i ka vlerësuar por i ka sulmuar ! Tash e kemi një Albin tjetër që duket i reformuar dhe është shumë mirë nëse vërtet u bë i tillë . Koha dhe ngjarjet domosdoshmërisht ju ndryshojnë , nëse doni t’i mbijetoni kohës dhe të jeni në krye të ngjarjeve . Ishte biblike durimi që Albini e manifestoi dje para votimit të Qeverisë Kurti . Opozita ishte e pamëshirshme por e luftoi Albinin , me armët e vet Albinit. Albini u tregua i mençur dhe i mençur është . Pushteti përveç se ju bënë më të kujdesshëm , ju vesh edhe me mençuri. Deri më sot jam i sigurt se Albini si Albin është i pakorruptueshëm por jo edhe disa rreth tij , është trim dhe kombëtarisht është i paluhatshëm . Besoj se Albini , në asnjë rrethanë nuk do ta dëmtojë interesin kombëtar dhe shtetërorë. Lakmia për pushtet është e natyrshme . Millovan Gjillas , një ish-udhëheqës komunist jugosllav pati deklaruar se : “ pushteti është pasioni më i madh ...”. Topi nuk e luan . Albini do të bënte kthesa të mëdha po të mos ishin bisedimet me Serbinë. Ato , ose do ta bëjnë një Hasan Prishtinë ( i kërkoj falje Agim Bahtirit të cilin Albini e ka shpallur Hasan Prishtinë ) , ose do ta shtrijnë për toke ! Të mesme nuk ka !

2. Avdullah Hoti , zëvendskryeministër i parë : Është në politikë dhe në LDK-ë , që nga koha e Skenderbeut e këndej. Është një teknokrat tipik dhe , në çaste të caktuara e përdorë një fjalor kërcënues që nuk i shkonë me përmbajtjen e brishtë prej intelektuali dhe profesori që e ka . Nuk e di rolin që do ta ketë në Qeverinë Kurti.

3. Haki Abazi , zëvendskryeministër i dytë : Është fatosi më i ri i LVV , i ri fare , thuaja i porsalindur në LVV , foshnje 4 muajshe ( aq kohë ka që është vendosur – anëtarësuar në inkubatorin e LVV ). E kam pasur një shkrim për të por nuk do ta botojë pa u bërë , së paku 100 ditë të qeverisjes.

4. Glauk Konjufca , Minister për Punë të Jashtme dhe Diasporë : Pasi e luajti lojën me Albinin për kryetar të Kuvendit po bëhet trashigimtar i denjë i një ministri të jashtëzakonshëm , Behgjet Pacolli që , këtë ministri e bëri shtëpi publike ku prostitucioni politik ishte referencë për karrierë . Një trashigimi të ngjashme i ka lënë edhe ish ministri i Diasporës. Fizikisht ka përparësi mbi Daçiqin . Glauku do të jetë krah i Albinit për bisedime me Serbinë ku do ta kenë përgjegjësinë direkte kurse partneri qeverisësë LDK –ë , nga bregu do ta përcjellë ekzekutimin politikë që do ua bëjnë ndërkombëtarët , nëse dalin jashtë planeve të tyre .

5. Blerim Reka , Ministër i Integrimit Evropian : Ministri së koti , ministri ku bëni shtatë palë qejfe. Ministri që ua fyen inteligjencën për faktin se Europa na ka izoluar dhe na trajton si dhe na ka futur në karantenë si ta kishim korona virusin ndërsa ne e luajmë rolin e mizës së kalit duke iu futur në prapanicë. Për Blerim Rekën është sikur t’i caktoni një vend të punës në shtëpi , Brukselin edhe si diplomat i Maqedonisë së Veriut e ka pasur shtëpi të dytë !

6. Albulena Haxhiu , Ministre e Drejtësisë : Mund të ketë rezultate vetëm nëse i kontrollon emocionet dhe nëse prangat apo kllapat për burgosje ia dorëzon Policisë së Kosovës. Duhet ta ketë të qartë se vetingu nuk bëhet nëse e largoni një prokuror apo gjykatës në të cilin eventualisht keni marrë në thua dhe ta zëvendësoni me një analfabet që ju pëlqen apo ju dëgjon. Le ta merr shembull vetingun në Shqipëri ku detyrohen të largohen prokurorë dhe gjykatës shumë profesionistë por të korruptuar kurse , në vend të tyre emërohen prokurorë dhe gjykatës edhe më shumë profesionistë por të pakorruptuar. A e kemi të njëjtën gjendje në Kosovë ?

7. Besnik Bislimi , Ministër i Financave dhe Transfereve : Ka qenë dorë e djathë e Albinit në Bisedimet e Jaltës me Isa Mustafën . Thonë se është ekspert i fushës . Kam dëgjuar për Ministër të Financave por jo edhe të Transfereve . Kam menduar se transferet bëhen vetëm në futboll dhe sporte të tjera . A nënkupton se Bisnik Bislimi do ta transferojë Lionel Mesin nga Barcelona në Inter ? Ta shohim !

8. Rozeta Hajdari , Ministre e Ekonomisë , Punësimit , Tregtisë, Industrisë , Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike , Shumë detyrime për një person . Ministri shumë ambicioze edhe për një ministër të shokut Enver. Nuk e njoh fare zonjën në fjalë , kur e pashë mendova se është shoqëruese e Blerim Rekës .

9. Arben Vitia , Ministër i Shëndetësisë : E njoh si punëtor të madh , të pakorruptueshëm dhe qun për së mbari . Po vjen në kohë të keqe në këtë pozitë , në kohën e koronavirusit. Sidomos të atij politik.

10. Hykmete Bajrami , Ministre e Arsimit , Shkencës , Teknologjisë dhe Inovacionit : Zoti i ndihmoftë të bëjë pakëz dritë në tempullin e errësirës . Mbi kokë do i rrijë dështimi i Projektit të Brezovicës gjatë mandatit të saj. Është veterane dhe militante e LDK-së. Do ta udhëheqë Ministrinë më të ndjeshme dhe më të rëndësishme . Pas përfundimit të luftës së dytë botërore , hoxhallarët mësonin shkrim – lexim analfabetët . A do të arrijë edhe Hykmete Bajrami ta bëjë analfabetizmin të durueshëm dhe të pranueshëm.?

11. Vlora Dumoshi , Ministre e Kulturës , Rinisë dhe Sportit : E ka më së lehti ; jemi popull shumë i kulturuar , sportin ( shtyerjen me bërryla ) e kemi sport kombëtar kurse afërsisht 60 % janë të rinjë . Edhe Qeverinë e kemi të re fare !

12. Anton Çuni , Ministër i Mbrojtjes : E ka shumë lehtë. I ka 10.000 ushtarë aktivë dhe rezervë si dhe 100.000 veteranë të luftës . Populli i armatosur , atdheu i sigurt ! Mbështetur nga mbiemri del të jetë Çun. Mbështetur nga e kaluar del të jetë veteranë. Uroj të jetë më i ngadalshëm në ngehjen e këmbëzës së armës se sa fjalës së folur .

13. Lumir Abdixhiku , Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit : Ministri problematike për faktin se në Kosovë mungon Infrastruktura për Ambient. Si kuadër i RIINVEST , e gjen formulën hokus – pokus apo si Magjistari i Ozit . Në rrethanat aktuale as Hudini nuk do të gjente zgjidhje për Ambient kur ky është shndërruar në biznes.

14. Besian Mustafa , Ministër i Bujqësisë , Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural : Kam menduar se Besiani i takon gerilës urbane , po del të jetë ndryshe.

15. Agim Veliu , Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike : më thirri një mik dhe më tha se ju llapjanët e morët SUP-in ( Sekretariajat Unutrashnjih Poslova – Sekretarijati i Punëve të Brendshme në ish – Jugosllavinë ). Unë gjërat i shoh ndryshe ; nuk është aspak e rastit që njeriu më i fortë i LDK-së u bë Ministër i këtij resori. Isa Mustafa , Agi Veliu dhe Luta e shpëtuan LDK-në , edhe nga ndarja , edhe në bisedimet bilaterale Kurti – Mustafa . Po të mos ishin këta të tre , Vjosa Osmani nuk do të ulej në karriken e kryetares së Kuvendit . Kaq për tani , më vonë mund të elaborojë pse Agimi u bë Ministër i Brendshëm .

16. Emilija Rexhepi , Ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal : U bë ministre me këmbëngulësi . Gjysmën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës i var për beli dhe bënë hiking maleve të Sharrit , pa asnjë problem.

17. Dalibor Jeftiq , Ministër i Aleksandar Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit në Qeverinë e Kosovës , i maskuar si Ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës dhe

18. Ivan Mihajlloviq , Ministër për Zhvillim Rajonal të Serbisë , ministër i Vuçiqit dhe Daçiqit në Qeverinë e Kosovës

Çka tash : Besoj se dy muaj do të shkojnë për përshëndetje dhe urime , vizita të diplomatëve të huaj dhe të tjera. Matjet e para të performancës bëhen pas 100 ditë të punës dhe Qeveria duhet të përkrahet . Pastaj , shohim e bëjmë.

Opozita e pozitës : Opozita dje ishte e pamëshirshme ndaj Albin Kurtit , i përdori armët e Albinit dhe modelin e Albinit . Opozita është shumë e fuqishme , mund të ndihmojë shumë Kosovën nëse e luan një rol konstruktiv kurse mund të jetë shumë destruktive sepse ka potencial të madh destabilizues. Uroj që opozita të jetë konstruktive , të jetë bashkëpunuese. Realisht , jetëgjatësia e pozitës dhe puna e saj , më shumë do të varet nga opozita se nga 66 vota që i fituan si votëbesim. Çdo veprim që pozita do e ndërmerr ndaj opozitës duhet të peshohet mirë. Albin Kurti , si kryeministër i të gjithëve vazhdimisht duhet të dërgojë mesazhe bashkëpunimi opozitës dhe nëse opozita e refuzon bashkëpunimin , përgjegjësia i adresohet opozitës. Opozita nuk mund të frikësohet me kërcënime për arrestime . Opozita ka treguar kulturë demokratike pas zgjedhjeve duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve , standard i munguar deri më tani. Kosova është në udhëkryq ; a do ta bartin modelin e të bërit opozitë sikur në Shqipëri apo do të vazhdojnë me standardin e vendosur pas përfundimit të zgjedhjeve ?! Edhe unë jam për moton : “ hajnat në burg ..” , edhe të LVV –së, edhe të LDK-së , edhe AAK-së, edhe të PDK-së , edhe të NISM-ës si dhe hajnat e shoqërisë civile që i mbulojnë hajnitë e tyre duke sulmuar të tjerët , politikanët në radhë të parë ! Euforia kalon shpejt , problemet do të jenë të njëjta. Trysnia e faktorit ndërkombëtar për të bërë lëshime politike vetëm sa do të rritet . Për fillim hekja e taksës 100%.

Vjosa Osmani : Pa problem dhe me sukses do të udhëheq Kuvendin e Kosovës. Ka përvojë si deputete dhe e ka aktivitet të fushës profesionale. Shpresoj se edhe kryetarja e Kuvendit duhet të respektoj ligjin dhe ligjet. Nuk ka të drejtë ligjore ta hjek foton e presidentit aktual , Hashim Thaçi. Deri në zgjedhjen e presidentit të radhës ! Nuk është Vjosa Osmani kryetare e Kuvendit të LDK-së por kryetare e Kuvendit të Kosovës ! Falë luftës së të lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës , pjesë e së cilës ka qenë edhe Hashim Thaçi dhe këta që i quan kriminelë , Vjosa Osmani është sot kryetare e Kuvendit të Kosovës. Si e re dhe intelektuale , duhet të tregojë tolerancë maksimale dhe t’i respektojë vuajtjet dhe sakrificat që u bënë gjatë këtyre 100 vjetëve e sidomos , që ajo mbanë mend , para , gjatë dhe pas përfundimit të luftës çlirimtare ! Në të kundërtën do të rishkruhet Ferri i Dante Aligerit në Kosovë ku askush nuk do të fitojë dhe të gjithë do të jenë humbës. Këta që po bëjnë përpjekje të shkelin mbi sakrifica duhet ta kenë të qartë se në kohën kur një pjesë e kabinetit qeveritar ka kënduar : “ druzhe Tito mi ti se kunemo da sa tvoga puta ne skrenemom- shoku Tito ne të betohemi , se nga rruga jote nuk do të largohemi ..” shumë prej nesh kanë dhjerë në kanta të ndryshkura të metalit dhe kanë pëshurrur gjak , jo nga sëmundja por nga disa prej paraardhësve tuaj . Ne kemi treguar durim , kemi falur edhe çka nuk falet ndërkaq që e merrni si dorëzim dhe ligësi . Kush mendon ashtu , gabon shumë rëndë ! Mos na provoni sepse sakrifica që ekemi bërë është pakrahasimisht më e madhe se e disa nga paraardhësit tuaj. Kujtojeni Adem Demaçin , 30 vjet jete në llogoret e ish Jugosllavisë . Ai është frymëzim , është shpresë dhe kushtrim për liri ! Mos na provokoni se çdo i dënuar e politik shqiptar e ka një aktgjykim ku janë hetuesit , prokurorët dhe ata që na dënuan , ata që na torturuan , na vranë dhe na sakatosën. Shumë janë shqiptarë dhe do të ndjeheni keq pastaj . A doni t’i bëjmë këto të dhëna publike për ta lënë pastaj Albulena Haxhiun pa mundësi të bëjë vetingun. Vetingu i mirëfillt është në aktgjykimet e të burgosurve politikë , në varret e të ekzekutuarve , që nga Tok Bahçja , Drenica , Dukagjini , Anamorava , është në varret e ushtarëve të vrarë nga ish - Armata Jugosllave. Mos luani me durimin e askujt sepse , ndonëse në një kohë ishim në pozita të kundërta , u treguam të butë dhe kursyem familjet e kriminelëve sepse vlerësuam dhe vlerësojmë se fëmijët nuk kanë përgjegjësi për veprimet kriminale të paraardhësve të tyre ! E keni marrë pushtetin , punoni për shtetin !

4 shkurt 2020 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks