SHKRIMI
e mërkurë, 03 mars 2021

MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT - DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (V)

Pashtriku, 20 shkurft 2021: “Epidemia” e organizimit ilegal

Ai që nuk punon për çështjen kombëtare, ka punuar për armikun. B. Breht

Organizata ilegale, “Grupi Revolucionar i Kosovës”, po vepronte kundër regjimit pushtues që nga fillimi i viteve shtatëdhjetë. Naseri që fëmijë, vetëm 12 vjeç, i shërbente asaj si një korrier, duke bartur dhe ruajtur materiale klandestine. Ai nuk dinte për organizatën, por e kuptonte se po veprohej fshehur. E kishte shikuar filmin “Debatik” dhe vetja i ngjante me personazhet e tij.


Veprimtarë të shumtë të organizatës arrestoheshin dhe dënoheshin, por ajo vazhdonte jetën dhe veprimtarinë në konspiracion të thellë dhe me disiplinë të rreptë.

Ndryshe nga përvoja e deriatëhershme, organizata kishte edhe shtypin e saj klandestin, i cili ndikoi fuqishëm në përhapjen e ideve çlirimtare, në zgjimin e madh shqiptar dhe për përgatitjen e Kryengritjes së vitit 1981. Në gjysmën e dytë të viteve shtatëdhjetë lindën edhe disa organizata të tjera, duke fuqizuar Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Jugosllavi.



Naser Hajrizi në shkollë fillore me shokët e klasës


Nga fundi i viteve shtatëdhjetë, me anëtarët e familjes së tij të organizuar në këtë organizatë, Naseri po e bënte stazhin e kandidatit, për t’u anëtarësuar edhe ai në fillim të Kryengritjes së vitit 1981.

Naseri, para se të mësonte për organizatën ku do të aderonte, kishte filluar veprimtarinë atdhetare në grupe të vogla të të rinjve. Si entuziast ai studionte literaturë për teorinë e revolucioneve nacionalçlirimtare dhe për mënyrat e teknikat e organizimit ilegal.

Rininë e Kosovës në fund të viteve shtatëdhjetë, si epidemi e kishte rrëmbyer dëshira për organizim ilegal kundër regjimit pushtues. Veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare ndërhynin në grupe të vogla të të rinjve, jo mirë të organizuar, për të zgjedhur elementët më të përparuar për t'i organizuar mirëfilli në organizatat e konsoliduara.

*

Naseri i ndiqte mësimet e vitit të fundit në Shkollën e Mesme Elektroteknike “Miladin Popoviq” të Prishtinës. I çliruar nga kompleksi i adoleshentit, vepronte pa ngurrim me mosha të ndryshme, duke shpërndarë literaturë, madje edhe te profesorët, të cilët i konsideronte si bashkëveprimtarë në idealin për të cilin ishte përkushtuar. Me guximin që kishte, me vullnetin e madh e punën e pandërprerë që bënte, me ngritjen intelektuale, teorike, artistike etj., Naseri po e formonte personalitetin e tij prej çlirimtari dhe veprimtari të ardhshëm profesionist. Ai ishte njohur dhe u shoqërua me të rinj të tjerë, me të cilët vepronte në mënyrë të organizuar, por pa ndonjë kujdes të rreptë dhe konspiracion të thellë. Nga shokët, më të afërm në veprimtari e kishte Asllan Pirevën.

Asllani ishte në një paralele tjetër të shkollës, por në të njëjtën gjeneratë me Naserin. Ata i gjeje bashkë dhe të lidhur fort me njëri-tjetrin. Asllani ishte një i ri mollash, i pjekur, i vendosur dhe me temperament. Flokët kaçurrela i rrinin bukur mbi sytë e tij të zi dhe me shikim shqiponje. Babai i tij, Shahini ishte shpërngulur nga vendlindja, për t’u vendosur në Prishtinë. Punonte në një zdrukthëtari të hapur në shtëpinë e tij dhe kështu mbante familjen. E shoqja i kishte vdekur herët, duke e lënë Asllanin e vogël nën kujdesin e tij.

Në shkollën ku mësonin të dy shokët, për shpirtin kryengritës shquheshin edhe të tjerë, si kolegu i bankës i Naserit, S.L., pastaj F. G., I. Zh., N. M., Rr. R., L. M. etj.

Naseri bashkëvepronte edhe me shokë të tjerë jashtë shkolle, si I. H., H. Sh., H. R., A. R. etj. Mbanin takime të rregullta, kryenin ndonjë aksion, shkëmbenin dhe shpërndanin literaturë të ndaluar, libra, revista, gazeta dhe shtypin klandestin të Lëvizjes.

Beqiri nuk dinte në fillim për veprimtarinë e fshehtë të Naserit. Disa nga shokët e tij i njihte, sepse i kishin ardhur edhe në shtëpi, duke i lënë përshtypje të mira. Kishte vërejtur edhe ndonjë libër të ndaluar dhe e befasonte ndryshimi i shpejtë i Naserit që po bëhej çdo ditë më serioz, më i pjekur, më i kujdesshëm në familje dhe më i dashur me prindërit, motrat dhe vëllezërit më të vegjël. Ai e vërente Naserin me libër në dorë, në dhomë, në ballkon, në oborr dhe ndjehej i lumtur për të birin e pasionuar pas dijes. Një ditë shkoi në shkollën e tij sa të interesohej për rezultatet në mësim. E takoi kujdestarin e klasës.

Me Naserin jam shumë i kënaqur, i tha ai, mëson shumë, është djalë me kulturë, i pjekur, i ndejshëm, respektues dhe ndermirë me kolegët e mësimdhënësit. Duket se edhe ju keni punuar shumë me të, ka karakter të fortë dhe personalitet të formuar. Naseri ka edhe dy shokë, si vetë, kur e sheh njërin prej tyre në korridor, prit se edhe dy të tjerët do të jenë shpejt aty.



Naser Hajrizi në shkollë të mesme me shokët e klasës


Faleminderit shumë profesor, tha Beqiri. U përshëndet me profesorin dhe mori shkallët tatëpjetë që e nxirrnin jashtë shkolle. Beqiri po bindej gjithnjë e më shumë për përcaktimin jetësor të të birit.

Një ditë tek po pinin çaj me Fatimen, Beqiri pa një fletore shënimesh të Naserit në tavolinë. E hapi nga kureshtja dhe lexoi një listë fjalësh, me një shpjegim të shkurtër poshtë secilës: Abstraksion, analizë, sintezë, relativ, induksion, deduksion, gjykim, formë, përmbajtje, strukturë, lëndë, materie, substancë, qenie, objektiv, subjektivizëm, botë, realitet objektiv, kohë, hapësirë, lëvizje, njohje, vetëdije, ndërgjegje, ndërgjegjja shoqërore, moral, art, shkencë, filozofi, ideologji, fe, politikë, superstrukturë, revolucion nacionalçlirimtar, bazë, kulturë, edukatë, karakter, vullnet, personalitet, temperament, dinjitet, ndjenjë, emocion, motiv, koncept, konspiracion, nocion, term, botëkuptim, teori, doktrinë, ide, praktikë, ligjësori, shkakësi, pasojë, raport, marrëdhënie, metodë, parim, kategori, vlerë, mbivlerë, masë, determinizëm, domosdoshmëri, rastësi, liri, perceptim, ndijim, e vërteta absolute, dukuri, përvojë, përfytyrim, kontradiktë, dialektikë, metafizikë, sasi, cilësi, klasë, komb, materializëm, materializëm dialektik dhe historik, idealizëm objektiv dhe subjektiv, racionalizëm empirizëm, empiriokriticizëm, marksizëm, anarkizëm, pozitivizëm, pragmatizëm, voluntarizëm, ekzistencializëm, utilitarizëm, formalizëm, prakticizëm, kibernetikë, realizëm, abstraksionizëm, ekspansionizëm, romantizëm, shovinizëm, megaloide...

Nuk paskan mbarim, po vallë këto i mësojnë në shkollën e tij?

Lëri fletoret e djalit, tha Fatimja, se po ia përzien.

Si e gjeta, po e lë, tha Beqiri, qetësisht.

*

Naseri gjente kohë të punonte kopshtin e vogël në oborr, por punonte edhe gjetkë për të hequr shpenzimet e shkollimit. Shokët me të cilët punonte bashkë thoshin që ai i mbante punët më të vështira për vete, duke i kursyer të tjerët.

Një ditë e pa të atin tek po përkujdesej për një dhi të bardhë në oborr.

Do ta ketë blerë, mendoi me vete.

E ke blerë ?

Po, e bleva. Është cangadhe, por një ditë do të na sjellë ndonjë bardhish të bukur, u përgjigj Beqiri me buzëqeshje. Dhia është lopa e fukarasë.

U dëgjua një mekërimë.

Naseri ndjeu dhembje për babain që po rropatej për camërdhokët e tij... Gjithë familja gjëllinte me një rrogë punëtori.

- VIJOIN -

_________________

MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT - DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (IV)

http://www.pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=10910


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks