SHKRIMI
e diel, 19 nëntor 2017

MR.SC.FETNETE RAMOSAJ: LUFTA E UҪK'së DHE EPOPEJA E LAVDISHME E 27, 28 dhe 29 JANARIT 1999 NË BISHTAZHIN, GODEN DHE NË ROGOVË TË HASIT

Deçan, 29. 01. 2016: Përderisa gjatë dekadës së fundit të shekullit XX, Serbia për të satën herë ishte harlisur për të jetësuar ëndrrën e saj shoviniste për Serbinë e Madhe, duke kryer gjenocid e spastrim të pashembullt etnik ndaj popujve joserbë, në rastin e Kosovës, në krahasim me subjektet tjera federative të ish-Jugosllavisë, organizimi i rezistencës së armatosur ishte shumë më i vështirë.

Duke mos e pranuar robërinë e re serbe dhe fatalitetin e shfarosjes, u formuan njësitet guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilat morën guximin të organizohen prej zeros dhe të rrëmbejnë armët në përpjekje mbinjerëzore për mbrojtjen e vendit dhe të popullit të vet nga invadimet shfarosëse serbe.

Dhe, të mendosh se e tërë kjo rezistencë është bërë me armët e municionin e bartur me krahë, kryesisht nga Shqipëria, vërtet UÇK-në e bën të madhërishme, aq më tepër kur kemi parasysh se me këto armë UÇK arriti t’i përmbysë të gjitha parashikimet pacifiste e fataliste, arriti ta fitojë luftën kundër një armiku shumëfish më të madh, të pajisur pakrahasueshmërisht me armatimin më modern, kur dihet botërisht se Serbia kishte në dispozicion dhe e përdori gjithë infrastrukturën dhe arsenalin luftarak të ish-Jugosllavisë, që e përbënte forcën e tretë ushtarake në Europë.

Përveç kësaj, Ushtria Çlirimtare e Kosovës diti të bashkojë në luftën e saj për liri e çlirim edhe Aleancën më të fuqishme të botës - Aleancën Veri-Atlantike të NATO-s, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, diti të pozicionohet drejt ndërkombëtarisht përkrah fituesve e jo përkrah humbësve, gjë që ndodhi për herë të parë në historinë tonë kombëtare.

Padyshim se në të gjitha fazat e zhvillimit të UÇK-së, si gjatë periudhës së luftës guerile, si gjatë zhvillimit të luftës frontale në Kosovë, është arritur që me sukses të ngriten sektorët e caktuar dhe infrastruktura e UÇK-së në nivel kombëtar, pa dallime krahine e feje. Në këtë mes, sektori i logjistikës dhe i furnizimit me armatim ishte tejet i rëndësishëm, për të mos thënë jetik për zhvillimin e suksesshëm të luftës. Pikërisht në këtë drejtim ishin të angazhuar luftëtarët më të zotët të UÇK-së, deri në anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, komandantë zonash e brigadash, ishin të angazhuar ata që njëkohësisht ishin tepër aktivë edhe në aksione luftarake e në beteja të përgjakshme. Pikërisht në përpjekje për të siguruar armatimin që ishte aq i nevojshëm, Ushtria Çlirimtare e Kosovës pati humbjet më të mëdha në njerëz. Veçanërisht në kufijtë e dhunshëm ndërshqiptarë qindra djem e vajza ranë dëshmorë lirie.

Faktet dëshmojnë se shumica e përgjegjësve të linjave të furnizimit me armatim dhe teknikë lufte, që ishte ndër detyrat më të vështira e më të rrezikshme të luftës, ishin luftëtarë e komandantë të sprovuar në beteja e në aksione të shumta guerile kundër forcave pushtuese serbe. Shumë prej tyre ranë në krye të detyrës në operacione të tilla në vijën kufitare në luftime të rrepta me ushtrinë serbo-jugosllave, duke filluar që nga Luan Haradinaj, Ilir Konushevci, Gazmend Imeraj, Bahri Fazliu, luftëtarët e Sllupit e të Hereçit, Mujë Krasniqi – Komandant Kapuçi me shokë, Agim Zeneli e Agron Rama, vëllezërit Lleshi me shokë e deri te Jashar Jashari – Komandant Duraku, Naim Avdiu e Kadri Berisha me shokë, të cilët ranë dëshmorë më 29 mars 1999, në Shishman të Bokës, ku që të 14 dëshmorët e rënë së bashku janë të varrosur në një arkivol të përbashkët. Pastaj, me shumë sukses krahas luftës frontale udhëhoqën edhe operacione të furnizimit me armë dhe të thyerjes së kufirit personalisht komandanti legjendar i UÇK-së Adem Jashari, Hamzë Jashari, Zahir Pajaziti, Adrian Krasniqi, Shkëlzen Haradinaj, Fadil Nimani – Komandant “Tigri” i tri ushtrive çlirimtare, Bekim Berisha e Bedri Shala, Fehmi Lladrovci e Iljaz Kodra, Sali Çeku e Agim Ramadani, Abdullah Tahiri e shumë të tjerë, që të gjithë dëshmorë e heronj të kombit.

Siç dihet Zona Operative e Dukagjinit (ZOD) e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbënte aortën kryesore të furnizimit me armatim dhe teknikë lufte për mbarë Kosovën, qoftë nga Shqipëria, por më vonë edhe nga drejtimi i Malit të Zi. Prandaj, për shkak të rëndësisë gjeostrategjike, pikërisht në këtë zonë pushtuesit e përqendruan numrin më të madh të forcave ushtarako-policore e paramilitare, por pandërprerë i ndërmorën edhe ofensivat më të rrepta e më masive, ku u zhvilluan luftime të përgjakshme ndërmjet forcave okupuese serbe dhe njësiteve të UÇK-së të Zonës Operative të Dukagjinit, nën drejtimin e komandantit të Zonës, Ramush Haradinaj.

Në mbrëmjen e 27 janarit të vitit 1999, nëntëdhjetë e gjashtë pjesëtarë të UÇK-së (të Zonës Operative të Dukagjinit dhe një njësit i Zonës Operative të Pashtrikut) u nisën nga baza e UÇK-së në Zhebel të Gjakovës në drejtim të Shqipërisë, me detyra të furnizimit me armatim dhe teknikë lufte. Kësaj radhe pritej të futej në Kosovë armatim i sofistikuar, i papërdorur deri atëherë në frontet e luftës. Mirëpo, gjatë rrugëtimit, me të arritur afër fshatit Bishtazhin, tek Ura e Terzive mbi lumin Erenik, që e lidhë Gjakovën me Prizrenin, rreth orës 23.00, ata ranë në pritën e forcave policore serbe dhe të të ashtuquajturës “polici lokale” e Serbisë, që drejtohej nga kolaboracionisti Muharrem Ibraj nga Osek Hyla. Aty, për afër një orë zhvillohen luftime të rrepta. Gjatë kësaj përleshje të pabarabartë bien dëshmorë Hamdi Ibish Berisha dhe Kasim Rexhep Shala, të dy nga Ruhoti i Pejës, luftëtarë të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” dhe plagosen rëndë luftëtarët Nexhat Istref Berisha 1/ dhe Gani Sylë Shala,2/ të dy nga Ruhoti i Pejës. Humbje në njerëz kishte edhe në radhët e armikut.

Kështu që një pjesë e këtij grupi u detyruan të kthehen prapa për në Shqiponjë të Dushkajës, ku ishte Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, ndërkaq 25 luftëtarë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe luftëtarët e dalluar në shumë fronte e beteja si Agim Zeneli – Çergashi, Komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”, Agron Rama, komandant i Brigadës 134 “Bedri Shala” (i cili ishte i plagosur dhe po dërgohej për shërim në Shqipëri dhe për riorganizimin e radhëve të Brigadës), Sejdi Rama - Cia, Sahit Krasniqi, Daut Kelmendi, Memë e Pren Lleshi, Agush Gjoci e të tjerë kishin vendosur që me çdo kusht të vazhdonin rrugën drejt Shqipërisë. Më 28 janar, në orët e hershme të mëngjesit ky grup i luftëtarëve ranë sërish në pritën e forcave ushtarake serbe tek përroi i parë mbi Goden në afërsi të kufirit shqiptaro-shqiptar. Aty bien dëshmorë luftëtarët e lirisë vëllezërit Memë e Prend Zef Lleshi3/ nga Vraniqi i Gjakovës, të cilët ishin udhëheqës të rrugës – në njësitin pararojë dhe u plagosën rëndë luftëtarët Agron Rama, Sejdi Rama, Sahit Krasniqi, Luan Smajli e Nexhat Berisha i Volljakës.

Në anën tjetër, po më 28 janar, bie dëshmor edhe luftëtari Gaspër Ndue Karaqi nga fshati Ujëz i Gjakovës, luftëtar i Brigadës 126 “Hasi” të Zonës Operative të Pashtrikut, derisa po kthehej nga rruga pasi e kishte ndihmuar grupin e pjesëtarëve të UÇK-së, që pas rënies në pritë në Bishtazhin të kthehen me sukses drejt Shqiponjës së Dushkajës. Gaspri i kishte përcjellë deri në fshatin Meqe, ndërkaq gjatë kthimit bie në pritën e forcave serbe që ia kishin zënë pritën në Kodrën e Gradishit.



Në rrethana të tilla, luftëtarët që u ndeshën në pritën e ushtrisë jugosllave në afërsi të kufirit, detyrohen të kthehen prapa për në fshatin Goden. Prej andej arrijnë në Rogovë të Hasit ku vendosen në një shtëpi të këtij fshati. Banorëve të fshatit ua kërkojnë një kamion për t’i bartur të plagosurit deri në Krushë të Madhe, e për të vazhduar më pas në zonat e kontrolluara nga UÇK-ja, për shkak se i kishin pesë të plagosur rëndë. Mirëpo, ata u thonë se një gjë e tillë ishte me rrezik. Pas pak, disa rogovas u thonë se do t’i përcjellin me kombi meqë udhëtonin çdo ditë dhe e njihnin gjendjen në terren. Mirëpo, me t’u nisur, sapo i afrohen Urës së Rogovës e vërejnë pritën e forcave serbe. Pjesëtarëve të UÇK-së shoferi i veturës që doli për të vrojtuar terrenin u sugjeron që të hyjnë në oborrin e shtëpisë së tij (nr. 232), të mos dalin nga kombi sepse brenda dy-tre minutave do të niseshin. Por brenda pesë minutave në oborrin e shtëpisë kishin arritur forca të mëdha të këmbësorisë serbe, të cilët menjëherë fillojnë të qëllojnë me armë në drejtim të kombit ku gjendeshin tetëmbëdhjetë pjesëtarë të UÇK-së dhe shoferi i makinës. Në rrethana të tilla, me plumb të parë Agim Zeneli – Çergashi e vret një polic serb nga Vraniqi i Gjakovës.

Aty bien heroikisht Agim Bardh Zeneli – Çergashi4/nga fshati Shqiponjë i Dushkajës, komandant i Batalionit të Parë i Brigadës 132 „Myrtë Zeneli"; pastaj Sejdi Avdyl Rama nga Smolica e Gjakovës, ndihmëskomandant për Zbulim dhe Kundërzbulim i Brigadës 134 “Bedri Shala”; Agush Asllan Gjocaj nga Rashiqi i Pejës, epror i Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së me seli në Divjakë; Daut Idriz Kelmendi - Zagragja nga Drenja e Istogut, epror në Njësitin Diversant të Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”; Luan Avdi Smajli nga Shqiponja e Gjakovës, luftëtar i Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”; Valon Muharrem Gashi nga Buçani i Pejës, luftëtar i Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”; Bahtjar Avdyl Morina nga Lubizhda e Malishevës, luftëtar i Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”; Haxhi Hajdar Kleçka nga Kleçka e Lypjanit, luftëtar i Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova” të Zonës Operative të Pashtrikut; Gëzim Qazim Ademaj nga Ratishi i Poshtëm i Deçanit, epror i Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”; Emrush Çaush Çetaj nga Trubuhovci i Istogut, epror i Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”; Naim Halil Dreshaj nga Prigoda e Istogut, luftëtar i Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”; Sahit Abdurrahman Krasniqi nga Ratkoci i Rahovecit, epror në Njësitin e Furnizimit të Zonës Operative të Dukagjinit; Ilir Rexhep Merturi nga Gjyrgjeviku i Madh i Klinës, komandant i Togut për Intervenim të Shpejtë; Naim Xhafer Gashi nga Sferka e Klinës, luftëtar i Brigadës 132 “Myrtë Zeneli” dhe Vesel Sejdi Avdyli nga Drenoci i Klinës, luftëtar i Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”. Prej të gjithë atyre që ishin në kombi arrijnë të shpëtojnë vetëm ushtarët: Asllan Lezi e Mevledin Morina, të cilët nëpër plumba arrijnë të dalin nga makina, të kalojnë murin rrethues dhe të largohen me ndihmën e banorëve të fshatit. Ndërkaq, kishin shpëtuar edhe Dervish Tahiri, Ramë Ukaj dhe Nexhat Berisha nga fshati Volljakë i Klinës, i plagosur rëndë, të cilët nuk gjendeshin në makinën që iu ekspozua sulmit të forcave serbe, por në një shtëpi aty afër ku gjendej edhe Agron Rama, i plagosur rëndë.

Pikërisht atëherë kur gjashtëmbëdhjetë jetë u shuan njëherësh në Rogovë të Hasit, në buzëmbrëmje të 29 janarit, pak më tej, në shtëpinë fqinje, nga plagët e rënda kishte ndërruar jetë Agron Osman Rama, nga Smolica e Gjakovës, komandant i Brigadës 134 “Bedri Shala”. Rogovasit e fshehën trupin e tij. Nuk ua lanë ta marrin serbët. Po këtë ditë, në Rogovë të Hasit, forcat serbe i ekzekutuan nëntë banorë të fshatit, me arsyetimin se i kanë strehuar dhe ndihmuar pjesëtarët e UÇK-së: Rrustem S. Morina me tre djemtë: Selmanin, Muhametin e Nusretin; Ibrahim S. Kryeziu, Xhevdet B. Berisha, Zyber D. Shala, Adem Xh. Shala dhe Rifat H. Shala.

Organizimi i kësaj prite të trefishtë kundër pjesëtarëve të UÇK-së nuk ishte i rastësishëm. Forcat serbe për më se një muaj radhazi (17 dhjetor 1998 – 18 janar 1999) ishin thyer keq në vijat e frontit në Zonën Operative të Dukagjinit, me theks të veçantë në rajonin e përgjegjësisë së Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” të UÇK-së, në Gllogjan, Ratishë e Dashinoc, dhe përkundër ndërmarrjes së ofensivës së pandërprerë njëmujore nuk mundën të depërtojnë në zonat e kontrolluara nga UÇK-ja dhe u detyruan të kthehen prapa me humbje tejet të mëdha në njerëz dhe në mjete luftarake.

Rënia e njëzet e një dëshmorëve dhe nëntë martirëve të kombit më 27, 28 e 29 janar të vitit 1999, është tregues i qartë se sa e vështirë dhe e mundimshme ishte rruga e lirisë, e sa i shtrenjtë ishte çmimi i saj. Gjatë këtyre tri ditëve, në tri prita të njëpasnjëshme, në përballje për jetë a vdekje, në Bishtazhin, Godenit, Gradish e në Rogovës së Hasit, tridhjetë jetë u këputën në mes… Shumica prej tyre ishin luftëtarë e komandantë të sprovuar, që tashmë kishin korrur lavdinë e fitoreve të shumë betejave të përgjakshme në frontet e luftës. Disa të tjerë ishin të rinj shtalb pa e përfunduar shkollën e mesme, disa i kishin ndërprerë studimet universitare për t’i rrokur armët e lirisë, disa po i thurnin ëndrrat e jetës edhe nëpërmjet vargjeve poetike, disa ishin mësues, që i lanë nxënësit në shkolla dhe iu bashkuan liribërësve. Të tjerët lanë rehatinë personale dhe luksin e perëndimit për t’iu përgjigjur kushtrimit të luftës për liri. Ishin njerëz të mirë, familjarë të përgjegjshëm që mbi gjithçka e vunë interesin e lirisë së atdheut.

Ata vinin nga vise të ndryshme të Dukagjinit e të Kosovës, dhe u bashkuan në një rënie të përbashkët, në krye të detyrës më të vështirë - për furnizim me armë dhe njëkohësisht për transferimin e bashkëluftëtarëve të plagosur për në Shqipëri, për të mbetur të pavdekshëm në jetë të jetëve.

Bashkëluftëtarët që e mbijetuan këtë përballje të tmerrshme të zhvilluar tri ditë radhazi nuk e harruan kurrë. Besoni se pas kësaj që kanë parë, nuk i kanë lakmuar jetës, më shumë u kanë lakmuar të rënëve. Nuk e harruam as ne të tjerët nga pamjet e tmerrit në Rogovë të Hasit që e morën botën.

Por ata nuk u ligështuan, por u hakmorën shumëfish për bashkëluftëtarët e rënë. Këto rënie tepër të lavdishme dhe sublime, bashkëluftëtarëve të dëshmorëve u dhanë forcë që ta çojnë luftën deri në fund. Këtu do të përmendnim vetëm një rast. Avni Elezaj nga Alba e Vogël e Pejës, e mbijetoi pritën në Bishtazhin. Ishte betuar në gjakun e shokëve të rënë se do të hakmerrej për ta. Dhe, pikërisht në prillin e vitit 1999, Avniu me vetëm 17 vjet moshë, pip në këmbë me mortajë krahu i doli përpara në rrugë eskortës serbe dhe e likuidoi kryekriminelin serb, njërin ndër kriminelët më gjakpirës ndaj popullit shqiptar - oficerin e lartë të Njësive Speciale të Serbisë, Vidomir Shalipurin me gjithë bashkëpunëtorët e tij.

Sot, falë luftës së djemve e vajzave të UÇK-së, nëpër Rrugën e Kombit mund të shkojmë në Tiranë edhe për dy orë, por 14 vjet më parë, kjo rrugë e mundimshme ka zgjatur me ditë e me javë, madje herë-herë ishte e pakalueshme dhe vdekjeprurëse.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës në kohë tepër të vështira e ka kryer me nder misionin e vet historik, ndaj sot institucionet qeverisëse e legjislative të vendit, institucionet shkencore dhe gjithë shoqëria duhet ta bëjnë detyrën e vet. Sot është shumë më lehtë për të realizuar qëllimet, për të cilat u flijuan mijëra dëshmorë e martirë ndër breza, vetëm se duhet shumë përkushtim, përgjegjësi, punë sistematike e harmonizim veprimesh.

------------------

Fusnotat:

1. Nexhat Istref Berisha, kësaj radhë për të gjashtën herë po shkonte në Shqipëri për armatim, Në këtë rrugëtim ishte përgjegjës për nëntëmbëdhjetë pjesëtarët e UÇK-së nga Lugu i Drinit, pjesëtarë të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, që po shkonin për armatim.

2. Gani Sylë Shala nga Ruhoti i Pejës (i prezantuar në emër të të vëllait Shemsiut), i plagosur rëndë ra në duart e forcave serbe, ku inspektorët e sigurimit serb e plagosën sërish në sy të vëzhguesve të OSBE-së. Atij në Burgun Qendror (CZ) në Beograd veç përpjekjeve për t’ia marrë me dhunë veshkën, gjatë keqtrajtimeve të tmerrshme, në gjoks e në shpinë ia vizatuan në lëkurë kryqin sllav dhe e pagëzuan dhunshëm me emrin “Llazar”.

3. Trupat e vëllezërve Lleshi u gjetën gati pas një viti të rënies (më 12 dhjetor 1999), të cilët, në shkurt të vitit 1999, i kishin varrosur forcat serbe si persona të paidentifikuar në varrezat e qytetit të Gjakovës.

4. Pas rënies, Brigada 135 e Zonës Operative të Dukagjinit e UÇK-së e mori emrin e dëshmorit Agim Zeneli.


_____________________

Bibliografia e shfrytëzuar:

- Arkivi i Zonës Operative të Dukagjinit i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - Fondi: Prita e Bishtazhinit, Godenit e Rogovës së Hasit - Deklarata të luftëtarëve Nexhat Istref Berisha, Ramë Ukaj, Dervish Tahiri, Gani Shala, Mevledin Morina, Asllan Lezi, të cilët e mbijetuan pritën.

-Fetnete Ramosaj, Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve, Prishtinë 2005.

- Manushe Ramosaj, Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit (Punim Masteri), Prishtinë, 2003, f. 78-79.

- Feniksët e Lirisë, Nr. 1-15, botoi SHFD, Prishtinë.


.................................................................................


Lufta e Kosovës- Rogovë e Hasit 29 Janar 1999


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks