SHKRIMI
e martë, 27 qershor 2017

SHABAN ҪUPI: GAFURR LOKU - SIMBOL QËNDRESE E LIRIE (1949-1999)

Pashtriku.org, 24. 03. 2016: 28 Nëntori i vitit 1912 shënon ditën kur në Vlorën heroike, Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë për shqiptarët kudo që shtriheshin në trojet etnike. Përkundër kësaj shpallje dhe këtij akti të madh kombëtarë, meqë shqiptarët ishin të pakrahë dhe të pambështetur nga të tjerët, Konferenca e Ambasadorëve në Londër e vitit 1913 vendosi në dëm të shpalljes së kësaj Pavarësie dhe në vend që të njihej e drejta historike e popullit shqiptarë për vetëvendosje, më shumë se gjysma e trojeve etnike mbeti jasht kufijve të Shqipërisë së sotme bregdetare.

Trojet shqiptare të mbetura jashtë kufijve, për 100 vjet me radhë u përballën me një shtypje të egër sllave me të gjitha përmasat e një etnocidi. Krahas kësaj, populli shqiptarë që mbet me të padrejtë jashtë trungut të tij, përveç kësaj shtypjeje u përball edhe me politikën regjionalizuese duke i ndarë shqiptarët në banovina e krahina të ndryshme me të vetmin qëllim që t`i sundojnë e asimilojnë më lehtë. Përballë këtyre projekteve kobzeza për shqiptarë, gjiri i popullit lindi atdhetarë që sfiduan planet pansllaviste të zhbërjes së shqiptarëve e në mesin e këtyre atdhetarëve fisnik ishin edhe Rafi Halili e Gafurr Loku, i pari i lindur në Gajre të Tetovës, ndërsa i dyti në Kotlinë të Kaçanikut legjendar.

Gjimnazi i qytetit të Tetovës ishte vendtakimi i parë ku Rafi Halili takohet me të pathyeshmin e Grykës së Kaçanikut, Gafurr Lokun me të cilin edhe fillon veprimtarinë atdhetare kundër lubisë jugosllave, e cila në synim të parë dhe të fundit kishte zhdukjen e popullit shqiptarë nga faqja e dheut.



- Veprimtari i palodhur, Gafur Loku -


Pas analizës të gjithanëshme që i bënë situatës së përgjithshme në viset e pushtuar dhe pasi përfunduan me vendimin se kudo ku jetojnë shqiptarët duhet të jetë edhe shteti shqiptar, Rafi Halili bashkë Gafurr Lokun tanimë dëshmor më 4 maj 1968, ngritën flamurin kombëtar shqiptarë në Fabrikën e Tekstilit në Tetovë, duke shënuar kështu veprimin e parë konkret për çlirimin e atdheut, veprim i cili tmerroi strukturat pushtetmbajtëse jugosllave, sepse krahas flamurit të vendosur në hyrje të fabrikës, ata shkruan edhe parullën:

"Është ngjallur Gjergj Kastrioti - Skënderbeu i cili do të bashkojë Shqipërinë" dhe kjo për pushtuesin ishte e tmerrshme, e patolerueshme.

Pas këtij akti madhor, UDB-ja aktivizohet me gjithë potencialin e saj antishqiptar dhe arrinë t`i zbulojnë autorët e kësaj vepre të madhe. Rafi Halili dënohet si i mitur me një muaj burg, ndërsa Gafurr Loku me dënim administrativ dhe njëkohësisht UDB-a hapi dosjen e përndjekjes ndaj këtyre atdhetarëve, të cilët do t`i ndjek këmba-këmbës gjatë tërë jetës së tyre.

Krahas ngritjes së flamurit, Rafi Halili e Gafurr Loku për të ngritur vetëdijen kombëtare, në masat shkollore filluan organizimin për bojkotimin e orëve mësimore dhe kërkojnë që mësimet të zhvillohen në gjuhën shqipe e jo në ate maqedonase, ndërsa profesorët pa asnjë kusht të jenë shqiptar. Kërkohej edhe mbishkrimi i emërtimit të shkollës dhe administrata të jetë në gjuhën shqipe, të ketë drejtues të tjerë shqiptarë si sekretarë, pedagogë, etj.

Por, kur më 23 dhjetor 1968, shpërthejnë demonstratat për flamur në Tetovë, të cilave u printe atdhetari Mehmet Gega. Rafi Halili dhe Gafurr Loku edhe pse të mitur ishin ndër protagonistët më të zëshëm në këtë demonstratë dhe për pjesëmarrje në këto demonstrata. Rafi Halili përjashtohet nga gjimnazi dhe për një vit shkollor qëndron në Dardanë (ish Kamenicë) të Kosovës, ndërsa demonstratat u shtypën me dhunë dhe dënimet ndaj pjesëmarrësve në këto demonstrata ishin të mëdha .

Pas këtyre aktiviteteve dhe pas përballjeve, që ideologët e çlirimit kishin me UDB-në, ata e vranë frikën në trupin e tyre dhe me përkushtim të jashtëzakonshëm vazhduan udhën e lirisë nëpër betejat e tjera kombëtare.



- Nga e majta: Rafi Halili dhe Rushit Nesimi, në mes - Gafur Loku -


Për të ngritur nivelin e veprimit, në vitin 1969 Rafi Halili e Gafurr Loku formuan Grupin ilegal ,,Bashkimi’’, ndërsa me rritjen e celulave dhe me shtimin e numrit të anëtarëve bënë riorganizimin e grupit dhe formojnë Organizatën Politike Kombëtare "Kushtrimi i lirisë", kryetar i së cilës ishte Rafi Halili, ndërsa Kryetar i Këshillit Kombëtar të Organizatës zgjedhet Gafurr Loku.

Platforma politike e Organizatës ilegale politike ,Kushtrimi i lirisë’ ishte formimi i shtetit kombëtar shqiptar, përkatësisht të Shqipërisë etnike.

Veprimtaria atdhetare e dëshmorit Gafurr Loku ka një shtrirje të gjërë, sepse ai veproi në të gjitha trevat shqiptare, veproi kudo që ishte nevoja. Aq sa veproi në viset shqiptare në Maqedoni, po aq luftoi në Kosovën e robëruar, andaj veprimtaria e tij atdhetare mund të plotësohet vetëm me një monografi të vetme dhe me një trajtim të thellë shkencor.

Duke pasur parasysh natyrën e monografisë së dëshmorëve të Komunës së Hanit të Elezit, veprimtarinë atdhetare të dëshmorit Gafurr Loku po e kalojmë nëpër datat më të rëndësishme të jetës së tij.

• Gafurr Loku u lind më 11 gusht 1949 në fshatin Kotlinë të Kaçanikut nga i ati Xhaferi dhe nëna Rabishja, të cilët në jetën e tyre martesore kishin tetë fëmijë, shtatë djem e një vajzë. Gafurr Loku ishte fëmiu i katërt i familjes Loku.

• Një pjesë të shkollimit fillor e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa pjesën tjetër në Han të Elezit

• Për një kohë, familja e tij shpërngulen nga fshati i lindjes Kotlinë dhe vendosen në Lagjen e Demzenëve në Paldenicë.

• Viteve të 60-ta shpërngulet në Tetovë, ku edhe regjistrohet në gjimnazin ,Kiril Pejqinoviq’ të Tetovës.

• Më 4 maj 1968, si nxënës i vitit të II-të, bashkë me shokun e tij Rafi Halilin e ngritën flamurin kombëtar shqiptar në fabrikën e Tekstilit në Tetovë.

• Për këtë vepër zbulohet nga organet e ndjekjes dhe meqë ishte i mitur dënohet me dënim administrativ.

• Merr pjesë fuqishëm në demonstratën e 23 dhjetorit 1968 në Tetovë dhe ishte njëri nga organizatorët e saj.

• Pjesëmarrja e tij në demonstrata evidentohet edhe në dokumentet sekrete të UDB-së, përkatësisht në dosjen e tij politike në një vëllim prej 250 faqeve të formatit A4.

• Si nxënës i vitit të III të gjimnazit është njëri nga shkruesit e parollës ,Në zemrën time dhe tënden qëndron Shqipëria’.

• Në vitin 1970 regjistrohet në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës

• Gjatë vitit 1969, 1970, 1971 formon celula atdhetare për çlirimin e trojeve shqiptare si në Gjepçisht, Poroj, Zhelinë, Shipkovicë, Gajre, etj.

• Gjatë këtyre viteve Gafurr Loku dhe bashkëveprimtarët e tij, arrijnë të ngritin flamujtë kombëtarë shqiptarë në të gjitha qytetet shqiptare në Maqedoni.

• Më 28 nëntor 1970 miratohet Statuti i Organizatës Politike Kombëtare ,,Kushtrimi i lirisë’’ dhe Gafurr Loku në kuadër të kësaj Organizatës ilegale zgjedhet, Kryetar i Këshillit kombëtarë të organizatës.

• Teksti i betimit pranë kësaj organizate ishte:

Unë, Shqiptar Shqipëria, biri i tokës Shqipëri që më pagëzoj shqiptar: Betohem para flamurit dhe kombit tim se: do të veproj për lirinë dhe bashkimin e atdheut në një shtet, duke ia falur edhe jetën. Në mos kryerjen e detyrës apo të dështimit tim, në emër të popullit, pajtohem të dënohem me vdekje. Rroftë populli shqiptarë - Rroftë Shqipëria !



• Krahas statutit, Organizata përpiloi edhe programin, preambulën dhe Kodin moral të organizatës

• Krahas Programit politik të OPK ,Kushtrimi i lirisë’ Organizata ku vepronte Gafurr Loku shpërndante edhe hartën e atdheut në të cilën shkruhej: "Vëllezër shqiptarë, dikur atdheu ynë ishte deri në brigjet e lumit Po dhe, e shoqëronin malet Alpe, kurse në jug e shoqëronte deti Mesdhe, kah perëndimi e shoqëronin detet: Adriatiku dhe Joni e në lindje shkëlqente deri në Budinë. Atdheu me këtë pamje i mbeti historisë, andaj të jemi syçelë që kjo Shqipëri e mbetur të na mbetet trashëgim për fëmijët tanë, se pastaj brezat që vinë pas do të na akuzojnë për tradhti".

• Gafurr Loku merr pjesë në marrjen e pushkëve nga kabineti paraushtarak i gjimnazit ,Kiril Pejqinoviq’, armë të cilat u dedikoheshin Organizatës për rezistencë të armatosur.

• Me 1 maj 1972 Gafurr Loku me shokë, vendosin flamurin kombëtarë shqiptarë në sheshin e qytetit të Tetovës.

• Me 4 korrik 1972 vendosë flamujtë kombëtarë në Tetovë, Kërçovë e Gostivar.

• Me 26 korrik 1972 është shpërndarës i pamfleteve në afërsi të Univeristetit të Tetovës dhe Bibliotekës së qytetit.

• Me 21 shtator 1972 nga UDB-a sllave arrestohet në Prishtinë.

• Hetimet ndaj Gafurr Lokut zhvillohen në burgun famëkeq të Shutkës së Shkupit.

• Me 21 janar 1973 del para gjyqit të Shkupit dhe dënohet me 5 vite burg të rëndë.

• Pas përfundimit të hetimeve transferohet në burgun famëkeq të Idrizovës.

• Në këtë burg takohet me dëshmorin Rexhep Mala.

• Në burgun e Idrizovës qëndron me: Rafi Halilin, Rushit Nesimin, Elmaz Ajetin, Ajet Ajetin dhe me të burgosurit politik nga Kosova: Ajet Runikun, Xhafer Shatrin, Hasan Dërmakun, Njazi Korçën, Shpëtim Pollozhanin,etj.

• Është njëri nga pjesëmarrësit e grevës për lirimin e Rexhep Malës nga qelitë e Idrizovës.

• Gjatë vuajtjes së burgut nga puna e rëndë që bënte i dëmtohen mushkritë nga thartinat.

• Në vitin 1976 familja e tij shpërngulen nga Tetova dhe vendosen në fshatin Seqishtë të Hanit të Elezit

• Nga burgu i parë lirohet me 21 shtator 1977, duke mos gëzuar asnjë ditë amnestie.

• Pas daljes nga burgu gjatë majit të vitit 1978, qëndron i shtrirë në spitalin e Prishtinës si pasojë e dëmtimit të mushkrive në burg.

• Në vitin 1978 martohet më Hasibe Rakën nga Kaçaniku, martesa e tij bëhet në Lagjen e Re të fshatit Seqishtë.

• Në vitin 1979 i lind djali i tij Dritoni, të cilin serbët ia vrasin pas njëzet viteve.

• Përsëri vazhdon studimet pranë Fakultetit Ekonomik në Prishtinë, të cilin ia kishin ndërprerë dhunëshëm në vitin 1972.

• Në vitin 1979 përsëri shpërngulet në Tetovë.

• Në prill të vitit 1980 dërgohet në kryerjen e shërbimit ushtarak në Sarajevë ku qëndron vetëm 3 muaj.

• Pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 ishte njëri prej propoganduesve më të fuqishëm të kërkesës politike: Kosova-Republikë.

• Është në njohuri të aksionit të shpërndarjes së pamfleteve në Tetovë e rrethinë të datave: 27 qershor 1981, 8 korrik 1981, 16 shtator 1981, 17 shtator 1981, 21 dhjetor 1981 të cilat i shpërndante organizata ilegale ,,Kushtrimi i Lirisë’’ në krye me atdhetarin Rafi Halilin.

• Me 9 mars 1982 i bastiset shtëpia e tij në Tetovë.

• Më 13 mars 1982, UDB-ja e arreston në Kaçanik.

• Hetimet ndaj Gafurrit zhvillohen përsëri në burgun e Shutkës.

• Në hetimet ndaj tij merr pjesë ekipi specializues i UDB-së.

• Gjatë hetimeve të pandërprera e sidomos ato të datave 28, 29 dhe 30 prillit 1982, Gafurr Loku do të pësoj një gjendje të rëndë shëndetësore dhe psiqike, ai do t`i sulmon me lapsin kimik edhe fizikisht udbashët duke dashur t`i verboj ata, tenton të thyj derën dhe të kërcej nga dritarja që t`i përfundoj torturat e mëtejme mizore. Në raportin e udbashëve rreth kësaj situate thuhet se kjo gjendje ka mundur të vijë si rezultat i lodhjes së tepërt, pagjumësisë së vazhdueshme, barërave që ia dhamë si dhe përballja me një gjendje të pashtegdalëshme.

• Përkundër krejt këtij tmerri udbesk sllav, Gafurr Loku me 16 gusht 1982 del para Gjykatës së Qarkut në Shkup dhe dënohet me 3 vite e 6 muaj burg në bazë të nenit 133, të cilin dënim e vuan përsëri në burgun e Idrizovës pa gëzuar asnjë ditë amnestie

• Pas dënimit të dytë të Gafurrit, përsëri familja e tij nga Tetova shpërngulen në Kosovë, konkretisht në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit.

• Nga burgu i dytë lirohet me datën 14 shtator 1985 dhe të njejtën ditë i vdes babai i tij Xhaferi, pasi kishte arritur të përqafojë djalin e tij të sapo liruar nga burgu .

• Përsëri vazhdon studimet në Prishtinë dhe arrinë t`i përfundoj tri vite të Fakultetit Ekonomik.

• Në fabrikën e Çimentos, këtu në Han të Elezit, kërkon punë fizike, por dyert për Gafurrin ishin të mbyllura.



Gjykimi i Metush Krasniqit me shokë (qershor 1986) në Prishtinë. Prokuror ishte Ismet Kabashi, i cili deri në vitin 2014, ka qenë kryeprokuror i Republikës së Kosovës!!!


• Në vitin 1988 doli në Zvicërr, por qëndron vetëm 1 muaj, përsëri kthehet në Kosovë.

• Gjatë këtij viti kishte përpjekje për ta arrestuar për herë të tretë.

• Viteve të 90-ta, kur u themelua Këshilli i Finacimit në Han të Elezit (1992), Gafurr Loku ishte sekretar i këtij këshilli.

• Që të mbijetoj shkolla shqipe, Gafurr Loku ishte edhe inkasant i këtij Këshilli

• Mori pjesë në të gjitha demonstratat dhe protestat që u zhvilluan në Han të Elezit.

• Merr pjesë në pajtimin e zënkave dhe gjaqeve në Han të Elezit dhe më gjërë.

• Me themelimin e Shoqatës Humanitare ,,Nëna Terezë’’ (1994) në Han të Elezit ishte kryetar i saj.

• Ishte edhe anëtar i kryesisë edhe në Nënkëshillin për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (1997) në Han të Elezit.

• Me formimin e Shtabit Lokal të UÇK-së me 19 qershor 1998 në Puset e Nikës, ishte në lidhje direkte me Shtabin dhe nga ai ngarkohet me detyra konkrete për masovizimin e UÇK-së me ushtarë të rinjë, në furnizimin e njësitit me armatim, mjete material dhe ndihma të tjera për nevojat ushtarake.

• Gafurr Loku bashkë me djalin e tij Dritonin vriten me 21 shkurt 1999 në Paldenicë të Hanit të Elezit. Vritet nga njësitë elite të ,,Dorës së Zezë’’ serbe.

• Varrimi i tij bëhet me 24 shkurt 1999 në fshatin Paldenicë.

• Gjatë luftës, Brigada 164 e UÇK-së mori emrin e tij.

• Zhvarrimi i tij bëhet me 21 shkurt 2001 dhe rivarroset në varrezat e dëshmorëve në Puset e Nikës.

• Kazerma e TMK-së në Han të Elezit kishte emrin e tij.

• Pas lufte, veprimtaria atdhetare e dëshmorit Gafurr Loku është nderuar me Mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, SHP i UÇK-së, Zona e VI e TMK-së, Kuvendi komunal dhe nga Batalioni 36 i TMK-së. Për dëshmorin janë thurur këngë, janë shtypur libra dhe është realizuar një Dokumentar, ndërsa nga popullata e kësaj ane i është ndërtuar një shtëpi.



Pamje nga varrimi i Gafur Lokut në fshatin Paldenicë 24/02/ 1999


=================================================





 


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks