SHKRIMI
e hënë, 21 gusht 2017

FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (III)

Cyrih, 13. 12. 2016: Manifestimet serbomëdha me rastin e 600 vjetorit të betejës së Kosovës janë turp i Jugosllavisë) - Popujt e Ballkanit në fund të këtij muaji do të shënojnë 600 vjetorin e Betejës së Kosovës. Do të përkujtojnë këtë ngjarje historike e cila shënon një kthesë të madhe në fatin e tyre të mëtutjeshëm.

...Disa dhjetëra mijëra luftëtarë sa kishte kjo aleancë, më 28 qershor të vitit 1389 në Fushën e Kosovës u ndeshën me detin e hordhive osmane.

Megjithë qëndresën heroike të luftëtarëve ballkanas, epërsia numerike e hordhive osmane e bëri të vetën: ballkanasit u mundën....

... Bashkë me luftëtarë tjerë të aleancës ballkanike në betejën e Kosovës luftuan disa mijëra shqiptarë. Atyre u prinin princat e Arbërisë së atëhershme si: Gjon Kastrioti i Krujës, Lekë Dukagjini i Parë, Theodor Muzaka i Beratit, Gjergj Balsha i Dytë i Shkodrës, pastaj Millosh Nikollë Kopiliqi e trima tjerë... Shqiptarët treguan trimëri të madhe në këtë betejë. Millosh Kopiliqi (sipas disave Millosh Kopili) shqiptari trim nga Kopiliqi i Drenicës së sotme, pasi rrëzoi përtokë disa turq, u fut thellë në prapavinë e tyre dhe vrau Sulltan Muratin e urryer...



Afrim Zhitia (1965 - 1989)


...Historia e popullit tonë gjatë sundimit osman në Ballkan është histori e luftërave për liri... Ne jemi krenar për të kaluarën tonë të lavdishme. Jemi krenar sepse ia arritëm që për gati 500 vjet me radhë sa zgjati sundimi osman në Ballkan, ta mbajmë gjallë flakën e luftës për liri; ta ruajmë vazhdimësinë kulturore e etnike në përgjithësi. E kaluara jonë është garanci e fitores mbi hegjemonistët serbomdhenjë të cilët me një megalomani të padëgjuar synojnë të bëhen perandori në Ballkan.

... Të gjithë e dinë se kush fitoj në betejën e Kosovës... Populli shqiptarë pa iu trembur syri nga kërcënimet, terrori e dhuna që po ushtrojnë serbomdhenjtë, do të vazhdojë luftën deri në fitoren definitive.

RRËFIMI IM I TRETË

Situata në Kosovë ishte mjaft e zjarrtë! LPRK'ja kishte marrë vendimin, që, asnjë militantë të mos ishte pa armë, e sidomos ata që ishin, në ilegalitet të thellë...

Një mbrëmje në shtëpinë tonë kishte ardhë Bardhyl Mahmuti dhe kishte sjellë një "Uzi" për Afrimin, prodhim Izraelit.

Në fakt, Bardhyli ishte mjaft aktiv, dhe, ai po ashtu vinte, herë pas here, tek baza ilegale edhe atë kryesisht natën.

Në natën që ai e solli "UZIN" pasi u largua, pas mesnate - tek po rrinim dhe po bisedonim me Afrimin, në pushim gjatë faqosjes së 'Rrugës së Lirisë' e që nuk ishte pushim, ngaqë ishim në përgatitje të numrit 4/5 të "Rrugës së Lirisë", në bisedë e sipër Afrimi më thotë":

• "Hej shoq (e mbante në duar "uzin" dhe e rrotullonte), sa kisha pas qejf, para se të nisëm, për Zvicër, që ta provoj, njëherë se si punon."

• Kisha pas dëshirë që mos t'vijë puna, e ta përdorësh ngaqë akoma jemi larg kryengritjes së armatosur...

• Ti e di se si punon? - më pyeti.

• Jo, i thash - po ta shikojmë një herë se si punon.

Ai e mori dhe pasi e shikoj, më tha se, këtu ku qenka mekanizmi, që e frenon gjilpërën të mos godas - qenkan dy shkronja, F dhe S.

Dhe unë si "njohës i mirë i Anglishtes" i them:

- Vë re mekanizmin te shkronja S sepse ajo do të thotë STOP dhe lirisht, ngreja këmbëzen sepse nuk kërcet, ndersa mos e lë te F sepse ajo do t'thotë, se arma është e gatshme për zjarr ngaqë F-ja do t'thotë FIRE!

- "E mirë e ke, - tha ai dhe e vuri mekanizmin veprues te S-ja. Ashtu siç e kishte armën të drejtuar, ku rrija ulur dhe ku i thoja "tërhiqe këmbëzen lirisht" se nuk kërcet, ai në moment të fundit, e kthen armën poshtë duke thënë:

- "More mos po kërcas e ma mirë kështu!"

- "Tërhiqe lirisht se s'kërcet nëse e ke te S-ja.

Ai e kthen armën ku rrinte ulur, te një Sofa treshe, mes këmbëve të tija dhe e tërheq këmbëzën!

Në sekond dëgjohet një krismë e fortë.

Arma shkrep!

Kërcet!

Që të dy ishim bë dyll në fytyrë.

Pritem që babai e nëna të zgjoheshin, menjëherë, në panik por asnjë s'lëvizi. Meqë dhoma e jonë ishte larg dhomës së tyre, pas disa minutave, kuptuam që, krisma nuk ishte dëgjuar, jashtë dhomës, ngaqë ajo, (dhoma), e kishte akumuluar zërin e armës mbrenda vetes së saj.

Në Divan ishte bë një goxha birë e madhe. Poshtë divanit gjetëm tre plumba të ndalur, në dysheme. Pra, me një krismë kishin dal nga tyta tre plumba...

Si kishte ndodhë kjo gjë?

Në fakt, unë i kisha treguar krejt gabimisht,,, S-ja në UZI se kishte pas domethenjen e STOPIT por S-ja e kishte pas domethënjen e STARTIT.

Pra S-ja e bënte armën të gatshme për të vepruar.

Të nesërmen, u treguam familjarëve dhe ata na thanë, që asgjë s'kishin dëgjuar. Shokët, kur e morën vesh na qortuan rëndë. Më i ashpëri ka qenë Fadil Vata.

"Keni mund të vriteni edhe pastaj ishte interpretuar kush e di se si?!"

-"Ky shoqi (bëri me dorë në drejtim timin Afrimi) pe njofke anglishten mirë, qite në S tha se ështė STOP, e S-ja kishte qenë START!"

Qeshëm!

"Edhe po u qeshet?! - na tha Fadili.

Tre javë më vonë Afrimi e përdori UZIN aty ku duhej dhe ndaj atyre që duhej.

RRËFIMI I TETË I NËNËS!

Një mbrëmje Afrimi hyri në dhomën tonë të zjarrit dhe më tha:

"Nënë, eja deri te dhoma se kam diçka me të tregue!"

Shkova dhe pasi më tha të ulem, nga xhepi i këmishës së tij me kutia, e nxori një fotografi dhe më tha:

"Këtë fotografi po ta dha veç ty edhe ta mash si kujtim prej meje, se ndoshta shumë shpejt kam me dal ne Zvicer... e që ti mos mu mërzit!"

E mora edhe i thash se "Besen e ke këtë fotografi kurrë s'kam me e humbë edhe kam me e ruajt si sytë e ballit.

Kur na e vranë Afrimin, disa ditë ma vonë, ia dhash burrit me shkue edhe me e rrit e me e shti n'ram.

Atë foto të madhe, Fatmiri pas lufte, ia ka dhanë babes së Afrimit

A, origjinalin e fotografisë qashtu qysh ma ka dhanë Afrimi s'ja kam dhanë askujt.

RRUGA E LIRISË – RRËFIMI NËNTË

LËVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS

Lëshon këtë - TRAKT

Popull shqiptar,


Në vazhdën e aksioneve antipopullore, armiku serbomadh po përgatitë këto ditë gjykimin e një numri të madh politikanësh, ekonomistësh e kuadrosh tjerë shqiptarë.

Gjykime kundër popullit pushtuesi ka organizuar e organizon çdo ditë. Ai çdo ditë po dënon bijtë e bijat tona më të mira. Dhe po e pamë nga kjo anë, gjykimi i kuadrove shqiptarë do të ishte një kriminalitet i rëndomtë i organeve të pushtuesit. Mirëpo nuk është kështu.

Përmes dënimit të kuadrove shqiptarë, të cilët zinin vendet udhëheqëse në politikë, ekonomi etj... pushtuesi po përpiqet të arrij edhe diçka tjetër, shumë më të errët e më antishqiptare se sa që është vet dënimi i tyre. Këtë e vërteton edhe fakti se në mesin e të akuzuarve ka një pakicë individësh të cilët kur ishin në funksione i bënin një mijë e një shërbim pushtuesit.

Duke dënuar politikanët, ekonomistët e kuadrot e tjerë shqiptarë, pushtuesi synon të arrijë këto objektiva:

• Të dënojë edhe me gjyq ngjarjet e nëntorit, grevat e shkurtit, demonstratat e marsit e të majit, të cilat janë faqe e lavdishme që populli ynë shkroi në luftën e tij për liri e të drejta kombëtare;

• Të dënojë autonominë dhe t'i jap vulën gjyqësore shkeljës së të gjitha të drejtave (sado të cunguara që ishin) që Kosova gëzonte para ndryshimeve të përgjakshme të Kushtetutës së vitit 1974;

• Të dënojë edhe atë pavarësi minimale që ekonomia kosovare, e udhëhequr nga ekonomistët që tani do të dënohen, pat filluar të krijonte, kundrejt ekonomisë monopoliste të Serbisë.

Të ballafaquar me një rezistencë të vendosur të popullit dhe pararojës së tij, pushtuesi dhe tradhtarët janë tërbuar fare. Ata tmerrohen nga demonstratat, sabotimet, diversionet, grevat e manifestimet tjera antikolonialiste të popullit tonë. Pransaj me të gjitha mjetet e edhe përmes gjykimit të kuadrove, përpiqen t'i ndalojnë ato «njëherë e mirë». Por kurrë nuk do t'ia arrinë kësaj!

Duke i hetuar këto synime tjera të errëta të pushtuesit dhe duke marrë parasysh se gjykimin do ta përcjellin një numër i madh i gazetarëve e delegacioneve të ndryshme nga Europa dhe bota, të cilët duhet të dëgjojnë fjalën tonë - fjalën e popullit- Lëvizja Popullore e Republikës së Kosovës i bënë

THIRRJE

Klasës punëtore, fshatarësisë, rinisë studentëve e nxënësve, intelegjencies, grave trimëresha - gjithë popullit të Kosovës me vise, që me anë grevash, demonstratash e bojkotimesh, ta demaskojë botërisht karakterin thellësishtë antishqiptar të këtij procesi të montuar gjyqësor, si dhe të protestojë kundër regjimit policor që po zbatojnë serbomdhenjtë në Kosovë !

Parullat « Poshtë gjyqet antipopullore! Poshtë kushtetuta e tankeve! Lironi shokët nga burgjet! Lirone Ademin! Populli shqiptar – një flamur kombëtar ! etj., të ngjashme janë grusht i rëndë për pushtuesit dhe tradhtarët.

Ato janë shprehje më e mirë e vullnetit – janë fjala e popullit tonë!

Rroftë populli trim shqiptar !

Lufta jonë është e drejtë dhe do të triumfojë

Rroftë LPRK!

KOSOVA REPUBLIKË !

LËVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS

(KY TRAKT në Kosovë filloi të shpërndahet më 27 tetor 1989)



RRËFIMI IM I NËNTË

Koha për shpërndarjen e traktit kishte ardhur... Bartja ishte bë nëpër rrethe, në mënyra të ndryshme por, ajo më kryesorja: Trakti, zarfet, fletushkat, librat ishin ndarë sukseshëm nëpër rrethe, pa u zbuluar as edhe një i vetëm... Për herë të parë, trakti shoqërohej me materiale propagandistike: dikund trakt dhe "Pararoja" bashkë; në një tjetër "Pushka Amanet" dhe Trakti, e herë herë të shoqëruar, me librin e Kadri Osmanit e të Xhafer Shatrit, të botuara jashtë vendit.

Rreziku ishte i madh por edhe jehona ishte e madhe.

U vendos që në tërë Kosovën, të fillonte aksioni në ora 19:30 dhe të zgjaste gjerë në ora 20:30... Pikërishtë në ora 20:30 minuta, aksioni duhej të ndërpritej, edhe me kusht që; të mos jenë shpërndarë të gjitha materialet.

Pra, ishte vendim që, me t'kallxuar ora 20:30 minuta, aty të mbaron aksioni dhe ilegalët të kthehen në bazë... Në Prishtinë ishim marrë vesh që të ndajmë qytetin:

- Treshja ime merrë përsiper shpërndarjen në tërë Vranjevcin, që nga hekurudha e lartë, e deri te varrezat e qytetit;

- Treshja me Afrim Zhitinë pjesen tjeter të Dragodanit dhe mahallën e Tophanes,

- Rmadan Avdiu, Bardhyl Mahmuti dhe Halil Selimi pjesën tjetër të qytetit;

- Fahri Fazliu pjesën e Bregut të Diellit dhe Obiliqin sikurse

- Avni Klinaku për Obiliqin me tërë fshatrat përethë...

Përgjegjësit e grupeve, pastaj, do të dilnin aty nga ora 20:45, në shetitoren e qytetit, secili, për t'bërë gjiro...

Arsyeja: Nëse të gjithë do vinin në shëtitore, ne do ta dinim që aksioni ishte kryer me sukses dhe se nuk ka t'burgosur.

Ne vetëm do t'bënim gjiro dhe s'do flisnim fare me njëri tjetrin por,do t'komunikonim,me sy si aprovim se çdo gjë ishte në rregull.

Zemrat, sa s'na dilnin nga vendi nga gëzimi që; kishim kryer një aksion me përmasa aqë të mëdha dhe që asnjëri nga ilegalët, atë natë nuk ishte burgosur.

Jo vetëm në Prishtinë por në tërë Kosoven,aksioni ishte kryer me sukses!

RRËFIMI I NËNTË I NËNËS

Afrimi edhe të tjerë Dani, Bardhyli,,, valla boll punojshin. Kur su nalshin, natën ditën shkojshin vijshin.

Kur mbetsha vetëm me Afrimin, ai më tregonte për familjen e vete,,,, Gjyshen e përmendke shumë. Kur u martua vllau i madh, më tha Afrimi, kur erdha në shtëpi nga burgu, e pash nusen e vllait, e cila punonte edhe kurr su ndalke.

«Ti nëna e Fatmirit, kur erdha një natë, i hoqa qorapet dhe ajo i muar dhe kur e pyeta pse më tha, po po ti laj Afrim.

Jo valla i thash s'mi lave as njet se ki, se i laj vet, se ti boll po punojshe edhe pom doket qi nqet shpi askush pos teje s'po punojka.. Ku... e kemi pas nje gjyshe, qe kurr su nal tuj punu e tash e paskemi marr edhe nja tjeter".

Afrimi shumë kishte respekt per nusen e vllait.

Një ditë um tha: "veç vllaun qe është në Zvicër mos ta gjej gjë, se babushi tranohet".

Um tregonte se si ai familjes, i kishte ndihmuar shumë...

"Le bre Afrim i thash, se valla une kam me ta gjet një nuse qe kush s'ka me ta shkue!"

"Hahahaha",ia dha gazit.

"Po një herë ta fitojm lirin se nuset në roberi çka na duhen?"

"Le, le, se me menue keshtu kush s'ish martue e as unë me Maliqin po shko ti ne Zvicer se unë ta gjaj nusen!"

RRUGA E LIRISË- RRËFIMI DHJETË

Populli ynë u hodh sërish në demonstrata gjithëpopullore për Republikën e Kosovës.

Është hera e tretë që populli ynë i pamposhtur, vetëm mbrenda 8 muajve të këtij viti, po hidhet në demonstrata e greva të përgjithshme; është e treta herë që populli ynë heroik, klasa e jonë revolucionare, fshatarsia e jonë patriotike, rinia e jonë e kuqe, vetëm mbrenda 8 muajve të këtij viti, që Kosova jonë martire lahet me gjakun e bijve dhe bijave më të shtrenjtë, që bien heroikisht në fushën e nderit për liri, demokraci e Republikën e Kosovës. Që nga 30 tetori deri më 6 nëntor (1989), pothuajse në të gjitha qytetet e fshatrat e Kosovës u zhvilluan demonstrata gjithëpopullore.

__________

(Sqarim i autorit: Në Prishtinë demonstratat kishin vazhduar gjatë tërë muajit nëntor dhe dhjetor pa ndërprerë por me intensitet më të madh dhe me pjesmarrje masive ishte gjerë më 6 nëntor nga 30 tetori)



Demonstratat paqësore i bënë të përgjakshme njësitë speciale të policisë, në të cilat u vranë e u plagosën dhjetëra demonstrues. Deri tash dihet se ranë heroikisht: AFRIM ZHITIA, FAHRI FAZLIU DHE BEDRI SOKOLI.

Zhvillohet terror i egër në shkallë të gjerë mbi popullsinë nga ana e njësive speciale: përjashtime nga puna e shkolla, tortura, arrestime, gjykime dhe dënime.

Vazhdon rezistenca gjithëpopullore: grevat, bojkotimet në shkolla e prodhim, aksionet kundër pushtuesve dhe tradhtarëve...

Kërkesat e minatorëve tash u modifikuan dhe u shtruan nga ilegalja ashtu siç duhej të shtroheshin e ato ishin:

Të hiqet kushtetuta e tankeve e të shpallet Republika e Kosovës;

Të ndërpritet fushata antishqiptare;

Populli shqiptar në Jugosllavi të jetë i barabartë me popujt e tjerë në Federatë;

Të hidhen poshtë vlerësimet dhe kualifikimet që u bënë në Plenumin e 20'të të KQ të LKJ për Kosovën, klasën punëtore dhe gjithë popullin tonë në Jugosllavi;

Të mos suprimohet Universiteti i Prishtinës, të mos reduktohet numri i studentëve dhe i profesorëve shqiptarë, të anulohet ligji arbitrar për pensionimin e parakohshëm të arsimtarëve dhe profesorëve;

Të mos suprimohen shkollat dhe institucionet kulturore në Kosovë dhe të mos ndërrohen emrat e tyre;

Klasa punëtore e Kosovës dhe populli shqiptar të mos quhet e etiketohet nga Beogradi dhe propaganda e tij si kundërrevolucionar, nacionalist, irredentist, fashist etj...

Të hiqen nga funksionet në mënyrë të parevokueshme: Sllobodan Millosheviqi,Ali Shukria, Rrahman Morina, Hysamedin Azemi, Tefik Llugiqi, Syrjah Popovci dhe Skender Karahoda etj etj...

RRËFIMI IM I DHJETË

Pas shpërndarjes së Traktit në mbrëmje, UDB-a gjithmonë pas lajmrimit, me siguri të ndonjë «qytetari» që i hidhej trakti në shtëpi, bënte në të njëjtën mbrëmje, arrestime «qorre» të kalimtarëve të rastit, me shpresën që ndonjëri nga të arrestuarit, mund të ishte nga ata, që kishin kryer aksionin. Të nesërmen dola në qytet, për t'parë jehonën, që kishte bërë trakti... Dola tek Universiteti dhe atje takova ilegalin Ahmet Osmanin, i cili po ashtu një natë më herët kishte marrë pjesë në shpërndarjen e traktit. Ai më tregoi që, mbrëmë tek po kthehej në shtëpi, ishin arrestuar, kuturu shumë qytetarë dhe në stacionin e policisë, i kishin pyetur se mos dinin ndonjë gjë, për shpërndarjen e materialeve me përmbajtje armiqësore... Meqë arrestimet ishin «qorre», qytetarët rastësisht të arrestuar, po atë mbrëmje, i kishin liruar...



Fatmir Brajshori (i vogël) me të atin, Maliqin.


Kur u ktheva në shtëpi, i tregova Afrimit për ngjarjen e mbrëmshme, e ku ishin burgos qytetarë të rastësishëm, dhe në mesin e tyre kishte qenë edhe Ahmeti, e të cilin Afrimi e njihte ngaqë kishte qëndruar, tek ai në shtëpi për një javë, si ilegal s'bashku me Fadil Vatën.

Afrimi aty për aty vlerësoj që, hë për hë, do të ishte mirë që tërë materialet propagandistike, makinën e shkrimit, shtypshkronjën ta largojmë nga shtëpia ngaqë situata mundet me qenë e ngarkuar. Nëse, u kanë marrë shënimet personale të arrestuarve të rastësishëm, tha Afrimi, atëherë mundet me ndodhë që për një kohë, ata do t'jenë nën vëzhgimin e policisë... Sido që të jetë, unë do të largohem nga këtu, për një kohë deri sa të kapërcejë kjo furtunë... bazën nuk duhet ta kompromitojmë.. Detyrën për largimin e të gjitha gjurmëve, se këtu ka pas bazë apo se edhe nga këtu është bërë përgatitja e numrave të Rrugës së Lirisë, u mbetet si detyrë ty dhe shokut Bejtë(Ramadan Avdiut)...

Në mbrëmje erdhë «Bejta» dhe e mori Afrimin. U larguan. Para se të largohet, ai hyri në dhomën ku ishin familjarët dhe me të gjithë, u përshëndet duke i përqafuar... Përqafimi ngjante sikur të ishte përqafim i fundit. Me secilin përqafej dhe i shtrëngonte me sa munde rreth vetës sikur të parandjente se do të ishte përqafimi i fundit. Të gjithë filluan të qanin, kur kuptuan që Afrimi po largohej për një bazë tjetër... Më së shumti qanin nëna dhe vëllai i vogël Jetoni,i cili aso kohe ishte vetëm tetë vjeç...

Të nesërmen, pasdite erdhë Bejta dhe e mori makinën e shkrimit e cila, meqë ishte e veçantë(ishte elektronike) duhej për të shtypur numrat e radhës së gazetës ilegale «Rruga e Lirisë»...

Atë mbrëmje fare se kisha idenë se ky ishte takimi ynë i fundi dhe ndarja e përjetshme me Afrimin....

RRËFIMI I DHJETË I NËNËS

Një mbrëmje Fatmiri hyri në dhomë dhe na dha lajmin, se Afrimi do të largohet për një kohë nga shtëpia. ... Mu duk, si mem ra tavani, i shtëpis mbi krye. Isha msue me të, me ndejt edhe me ba bisedë, tërë ditën. Kur, askush nuk ishte në shtëpi, unë dilja në oborr edhe boja kisha po punoj diçka ama ma shumë rrisha, qe me kqyr, mos po ka najsen, e me e lajmrue Afrimin... Ai e dinte dhe me thoshte, " kur po je ti n'oborr po nihna ma sigurt"...



Elheme Brajshori, Nëna e Fatmir Brajshorit.


Kur dola me i than rruga e mbarë, s'mujta me ja thanë as një fjalë se s'mujsha me e ndalë vajin...

"po hajt se tybe kerkush ketu tek na smunet me hy po pse po largohesh?" i thash tuj kajt.

"Apet vij e ti hiq mos u ba merak" um tha edhe me kapi fort për qafe ndersa ne vesh me foli: "fotografin që ta kam dhanë, e ke veq ti edhe kerkujt, mos ja jep"...

Kur um doli Afrimi prej shtepis time më është dukur që bashkë me të doli edhe një pjesë e shpirtit tim!

(Në shkrim Rrëfimi i Nënës është ruajt dhe shkruar me të folmen origjinale të saj dhe jo të deshifruar në gjuhë letrare)

(VIJON…)

________________


FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (I)

http://pashtriku.org/index.php?kat=46&shkrimi=5815

***

FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (II)

http://pashtriku.org/index.php?kat=46&shkrimi=5816

***

FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (III)

http://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=5995

***

FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (IV)

http://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=6022

***

FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (V e fundit)

http://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=6024


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks