SHKRIMI
e enjte, 21 shtator 2017

TAJAR DOMI: PËRURIME TË VEPRAVE LETRARE DHE HISTORIKE-ENCIKLOPEDIKE, NË FILADELFIA

Filadelfia-Amerikë, 13. 02. 2017: Bashkësia shqiptare, në qytetin e Filadelfias-Amerikë, nga dita në ditë e nga viti në vit, po shtohet e pasurohet, përveçse në numër, edhe me intelektualë të shumtë të fushave të ndryshme, duke i dhënë asaj më tepër emër, forcë e lidhje të pandërprera me vendlindjen tonë të dashur. Këtë gjë, Shoqata Atdhetare - Kulturore "Bijtë e Shqipes", mundohet ta pasqyrojë e ta bëjë të njohur sa më shumë, jo vetëm në qytetin,ku ne jetojmë, por gjërësisht, në të gjithë diasporën. Kështu, në tetor të vitit të kaluar, në Qendrën Social - Kulturore të Bashksisë sonë, u organizua njohja me veprat letrare të autorit Hatem Dervishaj dhe ato shkencore, të inxhinierit të naftës, Ahmet Çollaku, për të cilat është shkruar më parë.

Në vazhdim të këtyre veprimtarive të bukura dhe mbresëlënëse, më 28 janar 2017, po në këtë qendër, një takim i tillë u organizua për dy anëtarë të tjerë të kësaj Bashksie, të cilët janë intelektualë dhe veprimtarë të palodhur, dashamirës të bashkimit e kritik të përçarjes dhe evidentues të vlerave të bashkatdhetarëve e familjeve të tyre, përçues të mësimit të gjuhës e historisë sonë kombëtare, te brezi i ri, këtu në emigrim. Ing. Vlashi Fili dhe ushtaraku Hysë Hasa, megjithëse nuk kanë studiuar dhe nuk vijnë nga fusha letrare, kanë një numër të madh botimesh, në këta vitet e fundit. Kështu, botimet e tyre të vitit të kaluar, i paraqitëm para kolegëve e miqëve, duke u sjellë pjesëmarrësve të shumtë, që vinin jo vetëm nga Filadelfia, por edhe nga Nju Xhersi e Nju Jorku, mjaft kënaqësi dhe emocione. Shumë prej tyre diskutuan dhe vlerësuan punën e madhe të këtyre dy autorëve. Sepse, me veprat e tyre të shkruara për linja të ndryshme, kanë evidentuar e sjellë te lexuesi jo vetëm jetën e tyre, por edhe tonën, një pjesë nga historia e Kombit dhe e figurave të tij, deri në ditët e sotme. Shumë nga mesazhet e atyre dashamirësve të tyre, që nuk patën mundësi të jenë aty atë ditë, gjithashtu, ishin plotësim i shprehjes së vlerave, për këto botime.



Më poshtë, shkurtimisht, po tregojmë për secilin nga këta të dy autorë.

***

Autori VLASHI FILI, i lindur në vitin 1941, në qytetin e Kuçovës, studioi dhe u diplomua në Universitetin e Tiranës, në vitin 1964, inxhinier për shpimin e puseve të naftës e gazit. Më tej, ai punoi në këtë sektor për 16 vite radhazi, herë drejtëpërdrejtë në turnet e punës së shpimit dhe herë specialist e studiues në Institutin e Naftës. Gjatë asaj kohe, publikoi projekte, artikuj shkencorë e përmbledhje studimesh, duke dhënë kështu ndihmesën e tij të çmuar, në këtë sektor. Por fati nuk e ndoqi gjatë, pasi në vitin 1980 ai arrestohet e dënohet, padrejtësisht, me 15 vite burg, me akuzën absurd, si "fajtor" për shpërthimin e pusit Ca-37 të naftës. Por ai vuajti vetëm 6 vite burg: në Bulqizë, Qafë Bari, Batër (Martanesh) dhe Spaç (Mirditë), pasi, në vitin 1986, përfitoi nga amnistia. Kështu, ishte ajo kohë, ai sistem. Të gjithë kishin frikë, ruanin veten. Prof. dr. Gjergji Foto, në urimin që i dërgon Vlashit për botimin e librit "Magnet", duke u kthyer në kohën e dënimit të tij, ndër të tjera, si pjestar i grupit të ekspertizës që u detyrua nga hetuesia ta përpilojë për ta dënuar Vlashin, e shprehë pendesën për këtë, duke vlerësuar, në të njëjtën kohë, punën dhe ndihmesën e tij. Pas vitit 1986, Vlashi kthehet përsëri për të punuar në sektorin e naftës. Ndërsa, prej 17 vitesh, së bashku me djalin e tij, Artanin, emigrojnë familjarisht në SHBA. Pra, jeta e tij nuk është thjeshtë një numër, në këtë rast "75", por jeta e një njeriu,, e mbushur me ëndrra, sakrifica, dhimbje e gëzime, humbje e fitore, tradhëti e besnikëri, bashkë. Shifra "75" nuk është vetëm një numër, por një rrugë e mbushur me jetë. "Vlashi ka dhënë gjithmonë, pa marrë asgjë. Eshtë po aq i varfër, sa kur lindi, më 10 shtator 1941. Është po aq i pasur, sa ç'ishte, kur lindi, i rrethuar nga dashuria e madhe e dy prindërve të mrekullueshëm. Më i pasur, si gjysh, me plot nipa e mbesa dhe i plotësuar nga dashuria e shokëve e bashkatdhetarëve, të cilët e duan dhe e respektojnë, sinqerisht" - kështu shprehet publicisti Llazar Vero, i cili do të njohë pjesëmarresit, më gjërësisht, me librin më të ri të këtij autori, titulluar "Magnet".

Një periudhë mjaft intensive pune e krijimtarie e këtij autori, ishte ajo pas ardhjes së tij në Amerikë, e shoqëruar edhe me disa tituj nderi e vlerësime mirënjohjeje, nga organizma e shoqata të ndryshme, në diasporë, por edhe në Atdhe. Kështu, Bashkia e qytetit të Kuçovës, në vitin 2000, i dha titullin "Njeriu i Vitit" dhe, pas tij, "Nderi i Komunitetit" e "10 vjet në shërbim të Komunitetit", në Filadelfia (dhnë në vitet 2006 e 2012, nga Shoqata "Bijtë e Shqipes" ). Është fitues i pesë çmimeve, në konkurset letrare të revistes "Kuvendi", në qytetin e Detroidit, në Miçigan ( në vitet: 2007, 2009, 2013 e 2016), si dhe në Nju Jork (2016) e disa të tjera.

Miku ynë i përbshkët, Vlashi Fili ka dhënë ndihmesën e tij të madhe, në detyrën sekretar i Shoqatës "Bijtë e Shqipes", që nga krijimi i saj. Ndërsa, kohët e fundit, u vlerësua duke u zgjedhur edhe zëvendëskryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, me qendër në Nju Jork.

E pasur është edhe krijimtaria e tij. Deri tani, ka botuar 15 libra të gjinive të ndryshme, si: poezi, tregime, novela e romane. Ndër ta, po përmendim: "Njerëz të Mirë" (tregime dhe novela), "Guva e Pyllit" (roman), "Dallgët" (roman), "Magjia e fjalës" (tregime}, "Zemër Nëne" (roman), "Pëllumbat e Burgut" (Rrëfenja)..., për të arritur te botimi i ri, letraro- autobiografik, i titulluar "Magnet". Në përgjithësi, librat që kanë autor Vlashi Filin, nuk janë krijimtari thjeshtë letrare, shpërthyese të ideve e fantazive të tij. Por ato kanë një subjekt real, mbështeten në ngjarje e histori reale, që autori ka kaluar ose njohur gjatë jetës së tij. Ato i jepen lexuesit me një gjuhë të thjeshtë, të ëmbël e të kuptueshme, duke e njohur atë, me ato gjëra negative dhe positive, që e kanë shoqëruar jetën, jo vetëm të autorit, por edhe të tjerëve, në periudhën e diktaturës. Libri "Magnet", është jetëshkrimi i tij, por edhe I yni, i brezit që u rrit e punoi, deri në vitet '90-të të shekullit të kaluar , para ardhjes së demokracisë në Shqipëri.

Duke e vlerësuar këtë libër, një nga bashkatdhetarët tanë, që mori pjesë në këtë takim përurues, Sotir Goxhaj, u shpreh para pjesëmarrësve : "Doni të dini për jetën, punën tonë dhe padrejtesitë e shtetit të asaj kohe, lexoni Vlashin, në librin "Magnet", të tij". Ndërsa një koleg i autorit, ish-gazetar i atyre viteve, tha : "Duke lexuar librin "Magnet ", hyjmë në një jetë të thjeshtë, por plot me dritë, me atë dritë edhe atje, ku errësira mundohej ta mbushte dashurinë e gëzimin. Aty nuk ka asgjë për t'u mburrur: "shikoni ç'kam bërë unë, shikoni ç'kam hequr unë!" Aty nuk ka asgjë për të përfituar nga autori ose për t'u hakmarrë ". Dhe, me të vërtetë, kushdo që e lexon këtë libër, arrin ta kuptojë lehtësisht atë. Në faqet e tij gjen të konkretizuar shprehjen e urtë të popullit : "I forti fal, i dobëti hakmerret". Autori vjen me mesazhin e dëshirës për ta jetuar jetën, me dashurinë për të, me gëzimet e të hidhurat e saj; me mesazhin e mirëkuptimit për shokët, miqtë e kolegët e punës, që ndoshta nuk e ndihmuan në të drejtën e tij; por këtë ata e bënë nga frika, që mbillte pushteti i atëhershëm, te çdo njeri. Për Vlashin, ka kuptim vazhdimi i marrëdhënieve e miqësisë me këta njerëz, duke mbartur brenda vetes një cilësi njerëzore, që gjithëkush duhet ta ketë, por pak kush e shfaq, faljen.

Artur Vrekaj, në diskutimin e tij, "Një vështrim për librin Magnet", ndër të tjera, u shpreh se, ky libër, e kalon cakun autobiografik. Në faqet e tij, tha ai, ëndrrat mpleksen me shpresën e madhe të rendjes së autorit, përmes jetës së një familjeje, njerëzve të ditur, librave, auditorëve, terrenit... duke nxjerrë në pah egërsinë e regjimit komunist, në dhunimin e të drejtave të njeriut e të shoqërisë, në tërësi. "Magnet" është edhe një memorial për martirët intelektualë të naftës, si : Riza Alizoti, Koco Plaku, Milto Gjikopuli etj., për të cilët flitet, gjithashtu, në këtë libër.

Botimi në fjalë është drama e jetës së autorit, për të cilën ai bën thirrje për pafajësi të merituar, sot. Por sa shembuj të tillë ka në Shqipëri? Ky libër është, në fakt, një thirrje, që shteti shqiptar të reflektojë, që shqiptarët të besojnë se po jetojnë në një botë të lirë, ku e drejta njerëzore, për të jetuar i lirë, nuk nëpërkëmbet më.

Diskutuan në këtë takim përurues edhe Sadik Elshani, Hamdi Gjana, Dritan Matraku e të tjerë. Ndërsa dërguan mesazhe përgëzimi: ing. Viktor Suku, me punë e banim në Kanada; naftëtari Daut Velaj; ish-eprori i tij, inxh. Ramadan Perhati, tani pensionist në Shkorër; inxh. i shpimit Novruz Limaj, me banim në Tiranë dhe disa të tjerë. Botuesi i librit, Spiro Dede, nga Tirana, ndër të tjera, shkruan: "...një libër, që e lexojnë me ëndje të gjithë....kudo një ndershmëri, sinqeritet e pafajësi, në të rrefyer...".

***

Autori HYSË HASA , lindi në Vilë të Kuksit, me 11 gusht 1948. Diplomohet oficer artilerie, në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, në Tiranë. Ndërsa më vonë përfundon studimet e Akademisë Ushtarake. Punon në sektorin e Ushtrisë, për rreth 35 vite , në detyra të ndryshme dhe del në lirim, në vitin 2000. Nga viti 2006, banon në qytetin e Filadelfias të SHBA-së. Këtu është veprimtar I palodhur dhe kordinues i takimeve të shumta shoqërore të bashkatdhetarëve tanë, evidentues i vlerave të gjithëkujt dhe dashamirës i arritjeve të tyre, protagonist i bashkimit, mbështetës i shkollës shqipe dhe i punës së madhe, që bëhet nga shoqata "Bijtë e Shqipes", për trashëgiminë e saj dhe të kulturës sonë kombëtare.

Filloi të shkruaje pas ardhjes në Amerikë dhe, ndoshta, nostalgjia për vendlindjen, duke qenë tashmë shumë larg saj, i dha atij force. Në vitin 2008, doli para lexuesve me librin e tij të pare, "Vila, pjesë e Krenarisë Lumjane", ku evidenton gjerësisht historikun e kësaj zone, në gjithanshmërinë e saj. Pas saj, vazhdon të zbulojë më gjërë dhe me një punë të palodhur , që vetëm ky njeri mund ta bëjë dhe arrin të botojë librin voluminoz, "Midis emigrantëve shqiptarë, në Amerikë ". Në të, lexuesi njihet me jetën dhe arritjen e më shumë se 550 bashkatdhetarëve e familjeve të tyre, kryesisht nga Kukësi ,por edhe nga zona të tjera të Shqipërisë, si: Tirana, Durrësi, Fieri, Lusnja, Mallakastra, Vlora, Korça, Kosova , Çamëria etj. Në vazhdim, nxjerr për lexuesit edhe 6 libra të tjerë, ndërmjet të cilëve: "Midis shokëve, në shërbim të Atdheut", "Dritare kohe, në mençurinë kuksiane", "Kontribute Atdhetarie" etj. Ndërsa, në vitin e fundit, botoi tre libra të tjerë, kryesisht historikë dhe enciklopedikë, të historisë së vjetër e të re të Kukësit e më gjerë dhe për vlerat intelektuale të të gjitha fushave, të asaj zone.

Në fjalën e hapjes të këtij përurimi, kryetari i Shoqatës "Bijtë e Shqipes", Tajar Domi citoi : "Librat e autorit Hysë Hasa , në të cilët përshkruhen: histori, ngjarje, luftëra, tradita, kulturë e zakone të zonës së Lumës e Kuksit, në përgjthësi, do të përbëjnë një vlerë të madhe të shtuar, në arkivin historik të kësaj zone dhe në atë kombëtar. Ndërsa botimet e llojit enciklopedik, në të cilët janë përshkruar jeta e njerëzve intelektualë të Kuësit, të të gjitha fushave, si dhe të emigrantëve të kësaj zone, që jetojnë në Amerikë, kam bindjen se do të mbeten të vetmet e këtij lloji edhe për shumë e shumë kohë, për arësye të vështirësive të shumta, që shoqërojnë, për të botuar një vepër të tillë".

Ushtaraku në pension, Lutfi Brami, në materialin kryesor që lexoi para pjesëmarrësve , vuri në dukje punën e madhe, që është bërë nga autori, për grumbullimin e informacionit dhe sistemimin e tij. Libri voluminoz, prej 713 faqesh, me titull "Vlera intelektuale kuksiane-1" është një përmbledhje biografike, ku paraqiten portrete vetjake, deri diku edhe familjare e fisnore. Në të, ai ka gdhendur, faqe pas faqeje, 350 intelektualë të fushave të ndryshme e të niveleve të ndryshme, që nga ata të thjeshtët e deri te doktorët e profesorët shkencorë, që janë të shumtë. Ai përfshin në këtë libër figura nga krahina e Kuksit, Hasit, Kalasë së Dodës, Gorës, Shëmrisë e Fanit të Mirëditës, të cilat kanë qenë ose janë pjesë përbërëse e Kukësit. Gjatë leximit, të tërheq vëmendjen vullneti e këmbëngulja e autorit Hysë Hasa. Duke qëmtuar e mbledhur nga burime të ndryshme, fakte konkrete, pjesë jete, veprimtari e karaktere të ndryshme të personazheve në veprat e tij, ka prekur realitetin, duke përshkruar me vërtetësi e duke i dhënë gjithësecilit një vlerësim të thjeshtë, por që, sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë marrin vlerë ato. Në këtë mënyrë, duke pasqyruar larminë e jetës në gjithanshmërinë e saj: politike, ekonomike, arsimore-shkencore, shëndetësore e ushtarake, pjesë e së cilës ka qenë edhe autori, ai merr një meritë të veçantë, sepse u ka dhënë një material të gatshëm e të bollshëm, studiuesve të sotëm e të nesërm, të kësaj zone.

"Mesuesi i Popullit", njëkohësisht anëtar i Akademisë së Shkencave, Shefqet Hoxha , ndër të tjera, do të vlerësonte: "Të shkruash për njerëz konkretë, që i takon për ditë, për vlera intelektuale pozitive të bashkëfshatarëve, bashkëkrahinarëve e bashkatdhetarëve, është shërbimi më i madh njerëzor, që i bën shoqërisë. Veprat tuaja kanë histori, letërsi, biografi e, mbi të gjitha, kanë dashamirësi, që jo të gjithë e kemi ". Ndërsa, prof. dr. Gezim Onuzi, me banim në Nju Xhersi, duke vlerësuar punën dhe produktin përfundimtar, që autori sjell në këtë libër, e krahason atë me bletën punëtore. Ashtu siç ajo shetit nga lulja në lule, nga njëri vend në tjetrin, ashtu vallëzon edhe pena e Hysë Hasës, gdhend nga njeri portret në tjetrin, nga një vend pune në tjetrin, pa rregulla të ngurta, me një thjeshtësi të admirueshme.

Shkrimtari Hatem Dervishaj, nga Fieri, duke marrë fjalën në këtë takim, bëri një përmbledhje mjaft profesionale të librave të autorit Hysë Hasa. Brenda dhjetë viteve, ai shkroi 11 të tillë, me 8500 faqe, përfshirë edhe tre librat më të fundit, ku figurat e dijes, patriotizmit e mençurisë kuksiane, deri diku të lëna në harresë për arësye të ndryshme, u morën në mbrojtje prej këtij autori, u fshinë nga pluhuri i harresës dhe u vendosën atje, ku ata e meritonin, në panteonin e dijes, patriotizmit dhe nderit krahinor e kombëtar.

Kjo vepër, nga vetë titulli, u kushtohet atyre, që dhanë jetën për Atdheun e lirë, - vazhdoi në referimin e tij, z.Brami. Shkrirja harmonike e elementëve historikë, publicistikë e arkivorë, e gërshetuar me të dhënat gojore, folklorin dhe me stilin vetjak të autorit, vihen në dobi të paraqitjes së realitetit të kohës. Me një paanshmëri në gjykim, këtu lartësohen figura, që luftuan në pozicione dhe krahë të ndryshëm, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Autori vendos në libër ngjarje, episode e luftëra, duke e lenë në dorë të lexuesit të gjykojë dhe të vlerësojë, përfundimisht, për to. Ai ka skalitur figura, jo si listë emrash, por u ka dhënë jetë atyre, duke i parë problemet me qartësinë e gjykimin e tij, pa droje. Ndoshta, lexuesi ka vend për të debatuar, por nga njerëzit, faktet e ngjarjet, duhen gjurmuar për t'i nxjerrë në siperfaqe. Këtë ka bërë autori, e ka nxjerrë historinë në sipërfaqe, duke luftuar që të jetë pa anësi politike, ndërsa lexuesi duhet ta lexojë atë, ta njohë dhe të gjykojë. Në këtë libër gjejmë të përshkruar portrete të drejtuesve të njohur ushtarakë, si: Ndreko Rino, Abedin Shehu, Rrahman Parllaku, Muharrem Bajraktari e shumë të tjerëve.

Librat më të rinj të Hysë Hasës, kanë thithur një numër të madh lexuesish, të cilët kanë shprehur vlerësime pozitive për ta, në mesazhet qe i dërgojnë autorit. Intelektuali dhe shkrimtari Izet Duraku, duke folur për punën e madhe, që autori Hysë Hasa ka bërë, u shpreh se, me këtë libër, ai "... shkon në rrugën e rrëzimit të tabuve dhe të ndriçimit të të vërtetave të ndaluara". Ndërsa "Mësusesi i merituar" Isa Halilaj, do t'i cilësonte librat e autorit:"...vepra, që të zgjojnë kujtesën e të rrisin krenarinë kombëtare". Prandaj, thotë ai, me të drejtë e kanë quajtur Hysë Hasen "Gjenerali i letrave". Prof. as. dr. Muhamet Belaj shkruan : "Të gjithë ne, kush më shumë e kush më pak, duam të japim gjithçka të mirë nga vendlindja, nga mjedisi ku jetojmë. Por, në rastin konkret, pena dhe mendja e Hysë Hasës, kanë gdhendur thekshëm në veprat e tij, jo vetëm personazhet e këtyre veprave, por në një farë mënyre edhe historinë e Kukësit, në etapa të ndryshme historike".

Vlerësime për punën e autorit kanë dhënë edhe shumë të tjerë, në mes tyre: "Hero i Popullit" dhe "Nderi i Kombit" Gjeneral-Lejtnant Rrahman Parllaku; mësuesi i parë i tij, Nezir Jata; prof.Murat Gecaj, publicist e studiues; prof. dr. Esat Bilali, intelektuali Neritan Kolgjini, dr.Naim Tota, kolonel Mark Marku e shumë të tjerë. Ata jo vetëm ngrejnë lart punën e madhe voluminoze, të bërë në këta libra, por gjejnë rastin të falendërojnë autorin Hysë Hasa, për ndihmesën e rëndësishme, që po jep në evidentimin e historisë dhe të inteligjencës, kuksiane, duke i vendosur dukshëm, atje ku duhet, për brezat e ardhshëm.

...Në këtë mënyrë, veprimtaria përuruese e botimeve më të fundit të autorëve Vlashi Fili e Hysë Hasa, zhvilluar në Qendrën Social-Kulturore të Bashkësisë Shqiptare, në Filadelfia të Amerikës, u shëndrrua jo vetëm në një veprimtari, ku pjesëmarrësit e të tjerët, nga larg, shprehën vlerësimet për këto vepra. Por, në të njëjtën kohë, ata i vlerësuan këta dy autorë,veprimtarë të dalluar, ku jtojnëë, që përçojnë kudo: dashurinë për Atdheun, për gjuhën, kulturën e historinë tonë kombëtare, duke dhënë ndihmesën e tyre të drejtëpërdrejtë, në këto fusha.

Por, a duhen vlerësuar këta dy autorë, për këtë ndihmesëë që japin çdo ditë dhe që shumë pak u ekspozua në këtë shkrim? Sigurisht që duhet. Dhe, të parët që duhet ta bëjnë këtë, mendojmë, janë bashkitë e qyteteve Kuçovë e Kukës, të cilët, në përputhje me legjislacionin e organizimit të tyre, do t'i bënin nder vetes, duke iu dhënë bijve të tyre, një titull te merituar nderi.

Këshilli drejtues i Shoqates Atdhetare-Kulturore "Bijtë e Shqipes", në Filadelfia, do të bëhet nismëtari i kërkesës, për dhënien e këtij vlerësimi.

Tajar Domi - kryetar i Shoqatës "Bijtë e Shqipes". Filadelfia-Amerikë, 31 janar 2017



kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks