SHKRIMI
e premte, 23 qershor 2017

DR.MOIKOM ZEQO: FREDERIK RRESHPJA S'KA NDËRMEND TË VDESË SERIOZISHT

Tiranë, 20. 02. 2017: Kush e përcakton kalueshmërinë e kohës? Kalendari? U mbushën 10 vjet që kur mbylli sytë poeti Frederik Rreshpja. Në një rast të tillë përkujtimor, njeriu qe ka njohur në substancë Frederik Rreshpen, rikujton gjithçka.

Por kujtesa në përgjithësi është një tablo e brishtë, elemente të veçantë të saj përplasen, shkërmoqen dhe shpesh formojnë një pluhur inkandeshent, me një vagëllim të pafund.

10 vjet më parë isha miku me i ngushtë i Frederik Rreshpes ,që organizova varrimin e tij në Shkodër. Ai pati një varrim të thjeshtë, familjar, në funeral ishin shkrimtari Skënder Drini, disa intelektualë të Shkodrës dhe asnjë deputet, as Ministri i Kulturës i kohës, me një fjalë në mënyrë absolute asnjë pushtetar në Tiranë apo në qytetin e lindjes së Frederikut.

Në fjalën time thashë: “Kemi ardhur të varrosim trupin e Frederik Rreshpes, por jo shpirtin e tij. Shpirti i poetit është përtej prangave të heshtjes dhe të varrimit.”

Frederiku u varros në varret kolektive të familjes Rreshpja, të strukturuara në formën e një katakombi të vogël. Duke ulur arkivolin e tij, në njërën nga kthinat e këtij monumenti mortor familjar, mund të shiheshin akoma arkivolet e prindërve të Frederikut dhe të tri motrave të vdekura para tij. Keli, vëllai më i madh i Frederikut dhe vëllai tjetër Gjovalini organizuan drekën mortore ku ishin pak vetë. Përveç shkrimeve që bëra unë në shtypin qendror, nuk pati vlerësime nga kolegët e tjerë shkrimtarë, apo bashkëkohës, që e kishin njohur Frederikun.



Pavarësisht mungesës spektakolare të varrimit, Frederik Rreshpja po hynte në portat e amshimit si nj nga poetët më të mëdhenj lirike të Shqipërisë.

Miqësia ime me Frederikun fillon që në vitet ’60 të shek.XX. Veç të tjerave qe dhe një miqësi familjare. Frederiku ka fjetur shpesh në shtëpinë time të vogël në një dhomë e një guzhinë, prej 48 metrash katrorë në Durrës, por dhe unë kam fjetur shpesh në shtëpinë e tij, një shtëpi karakteristike shkodrane me oborr dhe që kishte pemën e një shege të mbirë nga poeti Hilë Mosi.

Në vitin 1971 Frederiku u shtrua në spitalin e Shkodrës, i sëmurë rëndë. Unë shkova në spital dhe bëra një bisedë me të.

Në bllokun tim të shënimeve ai më bëri me stilograf një portretin tim (Frederiku qe piktor veç të tjerave) dhe më kushtoi një poezi plot pikëllim.

Më vonë jeta e tij e trazuar, edhe si i burgosur politik, nuk e shkëputi atë nga mjeshtëria e poezisë. Në vitin 1991 Frederiku u bë kryeredaktori i gazetës “Ora” të Partisë Socialiste të Shkodrës. Ai qe gjithashtu kandidat për deputet nga ana e PS-së në zgjedhjet e marsit 1992.

Kjo nuk do të thotë se Frederiku qe një partiak. Në asnjë mënyrë.

Ai ka qenë një rebel i vëretët dhe i pacenueshëm.

Rrjedha e jetës qe kaq e çuditshme për Frederikun sa që ai në mënyrë të pabesueshme u mor me biznes, krijoi shtëpinë botuese “Europa” dhe punoi me një shtypshkronjë duke nxjerrë edhe gazeta, edhe revista, ksomblat e të cilave po të gjenden do të përbëjnë një burim informacioni për të, sepse në to ai kishte shkrime dhe esse të shkëlqyera.

Frederik Rreshpja qe i njohur si një poet me emrin e gjeneratës së re. Ai kishte shkruar libra në poezi, kish botuar romanin “Zëri i largët i kasolles”, libra me përralla dhe tregime, kish botuar shumë reportazhe, skica publicistike dhe tregime humoristikeqë dukeshin sikur ishin në kontrast me natyrën e tij të përvuajtur.

Në 1994, pavarësisht se ai kishte shtypshkronjën e tij ai më dha mua të daktilografuar librin e jetës “Erdhi ora të vdes përsëri”.

E lexova me një frymë dhe i tendosur. Ky ishte libri, ose më saktë kryelibri i tij i jetës. Pa dyshim një nga shëmbëlltyrat e veçanta të lirikës moderne shqiptare.

Frederiku m’u lut mua t’ia botoja këtë libër tek një tjetër shtëpi botuese, të quajtur “Albin” të Spiro Dedes.

Unë i thashë se fare mirë mund ta botonte në shtypshkronjën e tij.

Jo, më tha, më mirë bëhu ti botuesi i këtij libri po në një shtëpi tjetër botuese. Është më mirë kështu.

Dhe unë e botova këtë libër me një tirazh të kufizuar dhe mendoj se vepra në fjalë qe e denjë për t’u përshëndetur dhe për të mos u harruar kurrë.

Më pas kur Frederiku ishte ende gjallë ai vetë bëri një pëmbledhje të zgjedhur të poezive, që për mendimin tim mbetej e mangët për ta përfaqësuar siç duhej. Dhe ia thashë këtë gjë. Ke të drejtë, më tha. Mbas falimentit të shtypshkronjës dhe të disa borxheve të mëdha, Frederik Rreshpja përfundoi në një mjerim gati si një homeless.

Disa herë e kam çuar në spital, sepse kishte pësuar infarkt.

Disa herë lëngoi në reanimacionin e urgjencës kardiake. Nuk kishte para për të blerë ilaçet. Pothuaj në shumicën e rasteve këto ilaçe ia kam blerë unë, por kjo gjë në të vërtetë nuk duhet përmendur. Ishte problem i vërtetë strehimi i tij. Me ndërhyrjen time ai u strehua në një azil shtetëror. Por nuk qëndroi as një javë dhe e braktisi.

Më pas arrita që të rregulloj që Frederiku të flinte në një pension privat, në një shtëpi, i zoti i të cilës quhej dhe ai Frederik, dhe i lëshoi një dhomë ku bujti për një kohë relativisht më të gjatë. E kam çuar në shtëpinë e tij në Shkodër, por edhe aty nuk qëndronte.

Dukej sikur në trupin e poetit mbizotëronte një lloj demoni për lëvizje të pambaruara.

Në vitin e paravdekjes unë shkrova disa shkrime që janë botuar për situatën e tij, i shkrova letra edhe Kryeministrit, edhe ministrave të kulturës së kohës për ta ndihmuar Frederikun. Por heshtja indiferente qe e pashpirt.

Do ta mbaj mend përgjthmonë këtë njeri të habitshëm i cili pinte duhan pa pushim dhe që i kishte xhaketat dhe pantallonat të djegura nga xixat e cigareve.

Ai shkruante i shtrirë në krevat.

Nuk e kam parë të shkruante i ulur në një tryezë.

Përdorte stilograf, i shkruante poezitë, apo dhe artikujt (ka shkruar shumë artikuj) dhe pastaj i hidhte në një qoshe të dhomës.

Disa nga poezitë më të mira të tij tek libri “Erdhi ora të vdes përsëri”, unë i kam ngritur nga dyshemeja ku ishin dergjur, për të plotësuar kështu koleksionin e tij poetik.

Frederik Rreshpja nuk ka nevojë të përkujtohet ritualisht në 10 vjetorin e vdekjes së tij. Ai ka qenë një njeri që e ka pësuar nga politika dhe në thelb e ka urryer politikën.

Familja e tij kishte ndihmuar Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, vëllezërit dhe motrat e tij ishin komuniste.

Por kryefigura e tij qe nëna. Nëna e Frederikut qe një grua me një qëndrim dinjitoz, krenare dhe shumë autoritare.

Frederiku mund të zihej me të gjithë, nuk bindej, madje edhe mund të shante gjithçka, por në praninë e nënës ai qe një qenie gati engjëllore.

Tërë gurët e mozaikut të kujtimeve që kam për Frederikun mund të thyhen dhe të humbasin.

Por analiza e një estetike të epërme për poezinë e tij është diçka krejt tjetër.

Lirika moderne e Frederikut nuk ngjan me asnjë poet tjetër shqiptar. Ndonëse në jetë ai qe një njeri modest, i trishtuar tej mase, i persekutuar me të pa të drejtë, në poezi Rreshpja do të mbetet një nga krijuesit më serioz dhe më autoritar.

Poezia moderne nuk mund të kuptohet pa emrin e Frederik Rreshpes. Me këtë rast po bëj të njohur për lexuesin një esse timen për poetin Frederik Rreshpja të botuar 23 vjet më parë (shih librin tim “Paradokset e demokracisë”, shtëpia botuese “Europa” 1994, faqe 159-161).

Sfida elegante e poetit Frederik Rreshpja

Libri poetik “Erdhi ora të vdes përsëri” i Frederik Rreshpes është stema heraldike e pashlyeshme, që dimensionohet në heshtje, delikate dhe e sigurtë, në hapësirën panteonike të poezisë dhe të artit shqiptar.

Rreshpja është një poet i lindur dhe jo një poet i bërë.

Erdhi rasti për të folur dy fjalë për njeriun dhe poetin, për të cilin mas media është një mit i papërfillshëm dhe aspak miqësor (jo për fajin e tij), sepse krijimi i vërtetë nuk kufizohet kurrë “in medias res” dhe lavdia e rremë është përherë periferike, ose alibia e mediokritetit.

Në këtë kohë të sodomizuar nga politika Rreshpja bën një sfidë elegante, duke hedhur bumerangët e tij magjikë në horizontet e figurave të kujtesës, të anticipuar si metaforë universale, për të na shpalosur kaledoiskope imazhesh plot mjeshtëri dhe ngrohtësi njerëzore.

Ai nuk ka aspak ndërmend të vdesë seriozisht, por të ringjallet poetikisht dhe njëmijë vdekjet e tij të vulgaritetit të jetës së përditshme t’i konvertojë në një kohë mitike, në një dëshmi origjinale dhe të paimitueshme.

Ai ka mundur të realizojë këtë thjeshtësisht, ndonëse përmes një drame të brendshme të pafund. Kjo tregon kurajën e tij të madhe dhe një dinjitet të veçantë.

Që në fund të viteve ’60 Rreshpja spikat si një poet me një talent të çuditshëm, gjeniun, krejtësisht modern.

Përveç poezive ai shkruan përralla të denja për vetë penën e Oskar Uajlldit. Ka energji të mëdha, ndonëse nuk është asnjëherë ambicioz, po tepër i shkujdesur dhe moskokëçarës për veten. I lirë në mendimet, rebel i pandreqshëm dhe i pathyeshëm në çdo kohë, aventurën e artit e plazmoi me aventurën e jetës, pikërisht si shprehje të lirisë ekzistenciale e individuale.

Kundërshtar i diktaturës ai ka përjetuar njëzet vjetët e fundit mes dhimbjeve të papërshkuara, si i burgosur i vjetër politik, i harruar dhe i pabotuar, po përherë me një identitet të spikatur antikomformist, sfidat rembojan.

I lidnur në Shkodër, që mund të quhet një kryeqytet i Barletit dhe Bogdanit, i Fishtës dhe Mjedës etj. mbas vdekjes së Migjenit, Rreshpja qështë talenti më i shquar, që ka dalë nga kjo trevë – mitër e poezisë së shqetësuar të kombit. Përveçse poet Rreshpja është edhe një publicist i mprehtë – eseja e tij “Marrëzia e Itakës” është nga më të bukurat dhe interesantet, e botuara këto pesë vitet e fundit, si dhe prozator humorist i rrallë i traditës koniciane.

Librat e tij të ardhëshëm do të jenë – besoj – plot të papritura të këndshme.

Po sidomos libri “Erdhi ora të vdes përsëri” është një kod i krijimtarisë së tijm nj apel simbolesh dhe nënkuptimesh, i një arti të individualizuar qartë, pa bujë, por me një atraksion të pamohueshëm dot.

Ajo që të bën përshtyupje para së gjithash në poezinë e Frederikut është një finesë tepër e hollë, një delikatesë e brendshme, që të habit.

Të duket se trilli i metaforës deradiane hedh argjendin e vet të kaltër te pejsazhet e ashpra alpine, onirike, në aglodhet e shpellave, ku mbijetojnë perënditë ilire, te kasollja e vjeshtës me zogj mitesh, ku fluturojnë kometat dhe arlekinët, në horizonte me gruntin primitiv të shiut, tek rërat, ku Rreshpja mbledh qeramikat e thyera të dashurive të lashta, aty ku udha e vjetër rri si patkoi i fatit te porta e shekujve. Epika nuk mungon.

Koka e trimit në dhëmbët e erës

Shpata në duart e shiut

Duket se sohia e Milosaos futet tek emri i Medaurit ilir, për të gjetur dallëndyshen e humbur mbas shtatë bjeshkëve të Filip Shirokës, apo xhindin e vogël të përrallave dhe të lokucioneve popullore, nën një qiell ët trishtuar, që gjëmon nga kavaleria e shirave të Eposit Verior.

Për të fëminia është një përrallë e shumëfishtë – atdheu i imazheve.

Luanët e thyer të fëminisë

Pinë ujë te pusi i vjetër

Mbi zjarret e trëndafilave ngroh duart Saadiu

Me turbanin prej vese

Rreshpja pikturon si një Van Gog i fjalës shqipe, për të krijuar në fakt një kozmologji ngjyrash dhe ndijimesh, ku panteizmi është dhe impresionizëm, ku ka përherë shumë fanitej fosforeshente, fantazma të shenjta të kujtesës komëbtare, kalorës anonimë të imagjinatës, imazhe arketipë të pashpërbëshëm, ose metafora të antropomorfizuara.

Poeti është përherë një lloj Princi i Vogël ekzyperian, po i veshur me tirqe, binjak i Omerit, të vajtuar nga Ajkuna, për të kërkuar papushim “detet e rrezikshëm të pafundësisë përrallore” siç është shprehur dikur Kitsi i madh.



Po asnjëherë në këtë çlirim kufijsh dhe dimensionesh, në këtë transparencë të materies së gurtëzuar Rreshpja nuk e humb sensin e realitetit, sepse për të arti është një “kopsht i trilluar ku kërcejnë bretkosa të vërteta” (Mariana Mur).

Dhe ja, që qeniet mitike nuk i shpëtojnë sot ironisë paqësore si një dlirësim, si nj katharsis Homeri, stërgjyshi ynë antropoid është një lajtmotiv, po edhe një sinkopë. Sipas Rreshpes Homerin e bënë heronjtë me shumë se sa talenti.

Nga Eposi i Trojës deri te Hollivudi paradoksi të çon edhe te homerët e industrializuar. Ndaj Rreshpja thotë me një qetësi olimpike bashkëkohore, të ndryshme nga tradita:

E verbëta ime madhështore me syze Hong Kongu

Bëje një Iliadë për mua!

Ky konceptim të kujton Bertold Brehtin e mençur. Rreshpja tenton të bëjë të lexueshëm një “Index exporgatorium”.

Ai paralajmëron për profetët e rremë.

Zeusi, Atena dhe tërë zotat duhen thyer

Për të rindërtuar duart e Fidias.

Ishujt e ndritshëm i shfaqen poetit në retinë, nën qije absurdë. Ai është gjithmonë pagan i vjetër, që dëborërat i shndërron në mermerë statujash ilire. Kështu ai shënohet për ët tjerët si nj “homeo scripot” dhe thotë për poezitë e tij delikate plot fantazi frazën “Madam Bovary c’est moi”, aq më tepër se siç ka shprehur ai, “nën çdo mollë një Evë e ka pritur”. Kjo është dashuria në tërë kuptimin e saj të mistershëm e të pazëvendësueshëm.

Do të shtoja se emri biblik i Evës është një metaforizim i muzave të poetit, i orëve bjeshkatare, që në shekullin TV e të kibernetikës, prap nuk e kanë humbur fuqinë çudibërëse të fatit të artit.

Nëse nga pikëpamja okulare poezitë e Rreshpes të kujtojnë mozaikët paleokristiane të Antikitetit të Vonë plot pejsazhe baritorë dhe kafshe alegorikë, nga pikëpamja e sonoritetit ato janë plot harmoni.

Sipas teorisë të bihevioristëve çdo lexim në heshtje e përcjellin dhe lëvizjet e pejsazheve zanore.

Në këtë kuptim leximi i poezisë rreshpjane është një muzikë e rrezikshme, se të zotëron, po tërësisht e shëndetshme dhe frymëzuese.

Durrës 10 korrik 1994


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks