SHKRIMI
e premte, 23 qershor 2017

DR.MOIKOM ZEQO: MIGJENI I PERSEKUTUAR! PUSHTETI SI ANTIKULTURË PËR 26 VJET!

Tiranë, 3 mars 2017: Pyetja që shtroj sot mbas 26 vjetësh është: pse nuk nderohet, ashtu siç e meriton Migjeni i madh? Pse ministrat e Kulturës, qoftë të djathtë dhe qoftë të majtë nuk kanë pikën më të vogël të ndjeshmërisë dhe të nderimit konceptual të këtij gjeniu të letrave shqipe? Harxhohen miliona euro për zbukurime të qendrave, të rrugëve pedonale, të lloj-lloj aksesorëve të stilit barok dhe banal. Por nuk ka asnjë projekt për ngritur një skulpturë dhe memorial të madh, në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë që t’i kushtohet Migjenit të pavdekshëm.

***

Në ciklin e shkrimeve të mia, që lidhen në raportin e politikës me kulturën, përherë kam ngritur në reliev, plot shqetësim, faktin që politika shqiptare, gjatë këtyre 26 vjetëve të fundit ka mbajtur një negativitet të plotë ndaj kulturës.

Sidomos ndaj korifenjve të kulturës. Ndonjë element spektakël nderimi që është bërë për emra të shquar të kulturës, në momente të caktuara, kanë patur konotacion, ose një shfrytëzim dhe prapavijë politike për arsye të politikanëve në pushtet.

Kurse në substancë ndaj njerëzve të mëdhenj të kulturës është mbajtur një heshtje e plotë, një indiferencë e frikshme.

Një figurë e jashtëzakonshme dhe e patjetërsueshme e letërsisë shqipe është Migjeni. Në librin tim “Migjeni, arkitekti i nëndheshëm i qiellit” argumentoj se Migjeni është shkrimtari më i madh konceptual i krejt letërsisë shqipe. Një shkrimtar si Migjeni është i tillë, ne nuk kuptojmë vetëm faktin që ai ka qenë, por se edhe është dhe pa dyshim dhe do të jetë.

I ripashë dy shkrime të miat, që kam bërë për Migjenin, në vitin 1995, kur shteti shqiptar i asaj kohe, pa asnjë kuptim, në mënyrën më antikulturë, vendosi dhe prishi Shtëpinë Muze të Migjenit në Shkodër. Kjo Shtëpi Muze ishte një monument kulturor i klasit të parë. Dikur ka qenë pronë e familjes së Spase Trimçevit, mik shumë i ngushtë i Migjenit. Pastaj u kthye në Shtëpinë Muze ku vendosen sendet personale të poetit të madh, si dhe biblioteka e tij e librave dhe koleksioni i dorëshkrimeve, duke përfshirë dhe atë të fotografive.

Pa asnjë arsyetim, juridik por qoftë dhe pronësor, u mor vendimi për prishjen dhe çmontimin e Shtëpisë Muze të Migjenit, më tepër për arsye okulte, dhe vetëkuptohet, kundër figurës komëbëtare të ndritur të Migjenit.

Në 1995 unë isha deputet i PS-së në Kuvendin e Shqipërisë. Në atë kohë ministri i Kulturës qe shkrimtari Teodor Laço, me të cilin unë kisha dhe nje njohje të hershme.

Më 8 mars 1995 në gazetën “Koha jonë” botova një Letër të Hapur, drejtuar ministrit Teodor Laço duke pasur një shpresë të vagullt, që duke sensibilizuar opinionin publik, do të mund ta ndalja shkatërrimin e Shtëpisë Muze të Migjenit.

Për fat të keq nuk ndodhi asgjë pozitive. Për fat të keq Shtëpia Muze u zhbë, për turpin e shtetit të Shqipërisë dhe të gjithë njerëzve të kulturës.

Gjithashtu, unë nuk u mjaftova me kaq, por botova dhe një esse të quajtur “Migjeni pa shtëpi”, të botuar në ZP, në 7 prill 1995.

Kjo esse kishte formën e një letre me të cilën i drejtohesha një të panjohuri N. Nuk mjaftoi vetëm prishja e Shtëpisë Muze të Migjenit, por në të njëjtën kohë u thyen me çekiç pllakat prej mermeri të varreve të Vaso Pashës, Luigj Gurakuqit si dhe Migjenit.

Pllakën e varrit ku shënohej “Gjergj Millosh Nikolla - Migjeni” të copëtuar unë e mblodha me fragmente të vogla, e ruaj akoma në shtëpinë time të ngjitur në një kornizë si një dëshmi groteske të një urrejtje të paskrupullt dhe të një barbarizmi antikulturor.

Pyetja që shtroj sot mbas 26 vjetësh është: pse nuk nderohet, ashtu siç e meriton Migjeni i madh?

Pse ministrat e Kulturës, qoftë të djathtë dhe qoftë të majtë nuk kanë pikën më të vogël të ndjeshmërisë dhe të nderimit konceptual të këtij gjeniu të letrave shqipe?

Harxhohen miliona euro për zbukurime të qendrave, të rrugëve pedonale, të lloj-lloj aksesorëve të stilit barok dhe banal. Por nuk ka asnjë projekt për ngritur një skulpturë dhe memorial të madh, në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë që t’i kushtohet Migjenit të pavdekshëm.

Migjeni është shkrimtari më i cituar, referenca më ekzistenciale dhe më inkandeshente për të gjithë shqiptarët sot.

Asnjë shkrimtar i gjuhës shqipe nuk e zotëron këtë referencë, që kapërcen kohërat dhe trondit imagjinatën, për shkak të metaforës tragjike të realitetit shqiptar. Migjeni vazhdon të jetë “i persekutuar” nga injorantët e pashpirt.

Të gjithë këta deputetë të pasur që ka Shqipëria, këta kryetarë të partive shqiptare që “përgjërohen” për Shqipërinë nuk e kanë përmendur asnjëherë Migjenin.

Sepse Migjeni në të vërtetë nuk u përket atyre. Sepse Migjeni në thelb është kundër atyre.

Por populli është me Migjenin.

Se Migjeni është vetë populli.

Është ndërgjegja estetike, shpërthyese, është shpresa, revolta dhe durimi shekullor i këtij populli për një jetë më të denjë dhe më njerëzore.

Duke ringjallur motivin apo subjektin e Migjenit për opinionin publik, unë nuk bëj gjë tjetër përveçse vërtetoj një të vërtetë të epërme, të pamposhtur, të plotfuqishme se Migjeni si kryemjeshtër i letrave shqipe, ndriçon hapësirat e vetëdijes sonë në amshim.

Ai është motivi i emancipimit të shumëanshëm dhe shpirtëror i të gjithë shqiptarëve, si dhe i gjeneratave që do të vijnë.

Ai i përket më tepër të ardhmes sesa të sotmes së paradoksit.



***

MIGJENI I PERSEKUTUAR

Turpi i Shqipërisë dhe Kulturës sonë

LETËR E HAPUR

DREJTUAR MINISTRIT TEODOR LAÇO

Zoti ministër,

Ju qëlloi ju - për arsye, për arsye që nuk dua t’i shtjelloj – detyra qytetare për të përballuar një turp të neveritshëm, një blasfemi të egër, arkaike, të pabesueshme.

Shtëpia Muze e Migjenit në Shkodër u shpërbë, me një mendjelehtësi kriminale, me një përbuzje tipike antishqiptare.

Tani Migjeni i madh nuk ka një muze, që ishte një krenari kombëtare, një vend i shenjtë pelegrinazhi për të tërë shqiptarët, po edhe një objekt i spikatur për qytetërimin e kulturës ballkanike dhe evropiane.

Ky është një persekutim sui generis i Migjenit, një triumf i zi i antikulturës, një marrëzi shtetërore, një turpulëritës, një mallkim shkatërrues.

Kjo gjë nuk duhet të ndodhte!

Kjo gjë mund të shmangej pa asnjë mëdyshje!

Në bazë të ligjit aktual objekte të veçanta, pavarësisht nga pronësia private, kur përfaqësojnë muze të tillë si ai i Migjenit janë në kompetencë dhe në mbrojte të pamohueshme të shtetit, të Ministrisë, që ju drejtoni, më kryesorja, ato kanë të bëjnë me diçka më supreme dhe të madhe në ndërgjegjen kombëtare, me nderin e secilit shqiptar, me krenarinë dhe dinjitetin.

Ju kujtoj, se edhe Shtëpia Muze e Frashërillinjve nuk është pronësia origjinale e tyre dhe me të njëjtën antilogjikë duhet të shpërbëhet për të plotësuar ritin ikuizionist të poshtërisisë! Edhe Muzeu i Migjenit edhe i Frashërllinjve varen ligjërisht nga Ministria, po më tepër varen nga lidhjet e plotfuqishme të vetëdijes sonë kombëtare në amshim dhe jo vetëm në një segment kohor të kufizuar të përkohshëm, të paradoksuar.

Persekutimi i Migjnenit mund të bëhet edhe persekutimi i Frashërllinjve.

Ju kujtoj se edhe qytetarët e thjeshtë, që jetëpjnë në shtëpitë që ju kanë dalë pronarët e dikurshëm e gëzojnë të drejtën për të qëndruar në to, të paktën deri deri në fund të vitit 1996.

E pra, Migjeni kishte mëshumë arsye dhe argument ët mbijetonte, aq më tepër që mbijetesa muzeore, është vetëm një refleks, vetëm një metaforë e mbijetesës së tij artistike dhe shpirtërore.

Po krimi më në fund – ndonëse i paralajmëruar ndërmjet një debati në shtyp – u krye!

Amen! Ajme!

O çmenduri shtetërore!

Përpara se të jeni ministër, ose politikan, ju zoti Teodor jeni shkrimtar!

Ja, prova juaj e shkrimtarit për gjeniun e letrave shqipe, një provë, që ju turpëron personalisht, përfundimisht.

Tërë të pastrehët e Shqipërisë, midis tyre dhe unë, që jetoj mjerisht në 22 metra katrorë me tërë familjen, janë gati të mos mendojnë për veten e tyre, por për Migjenin “strehimi” muzeor është diçka e veçantë. Askush nuk do që Migjeni të përdhunohet kësisoj.

E di, që kjo është një sfidë e pabesueshme për Shkodrën, “Dashnoren e shekujve”, siç e ka quajtur i sfilituri dhe rebeli Migjen.

Po një Ministri e Kulturës, që nuk mbron Migjenin është një butafori idiote, nje aksident konceptual, një ofiq i rëndë i antikutlurës antishqiptare.

Në këtë Letër të Hapur unë nuk nisem nga njohja jonë, e cila ka qenë normale dhe shoqërore dhe të lutem mos krijo asnjë keqkuptim, ose paragjykim. Jo, njëmijë herë jo! Le të jem unë i gabuar, po Migjenit le t’i kthehet dinjiteti i shkelur. Ka kohë për të vepruar!

Zoti Ministër,

Ka gati dy vjet, që e kam ngritur publikisht “çështjen Migjeni” e kam shkruar në shtyp për të protestuar.

Më kot! Si deputet, anëtar i Komisionit Parlamentar të mjeteve të informimit dhe të kulturës, po para së gjithash si shkrimtar dhe si njeri shqiptar, ju drejtohem juve si titullari, që mund të bëni diçka, në rast të kundërt është më e ndershmet jepni dorëheqjen, sepse të gjithë do ta kujtojnë këtë burrëri me mbrojtjen e një lavdie të tillë të kombit, siç është Migjeni i pavdekshëm.

Heshtja, pasiviteti, strucëzimi është pjesëmarrje, aprovimi i turpit.

Nga ana tjetër nuk e kuptoj se si nuk proteston për këtë autodafe mesjetare Akademia e shkencave, Lidhja e Shkrimtarëve etj etj.

Kanë frikë? Nëse s’kanë frikë nga Migjeni, atëherë kanë frikë nga shteti, në këtë rast anti Migjen.

________________


POST SCRIPTUM

Migjeni është edhe “Mësues i Popullit”. Më 7 mars, festë tipike për mësuesit unë e ngrita çështjen e Migjenit në mbledhjen e Komisionit parlamentar të mjeteve të informimit e të kulturës dhe dua të them që anëtarët deputetë qenë dakord me shqetësimin tim. Le të shpresojmë për...

“Koha jonë”, Tiranë 8 mars 1995

***

MIGJENI PA SHTËPI


I dashur N.

Më shkruaje nga Shkodra mbi një trill lokal pushtetarësh anonimë dhe akt ligjor absolutisht formal dhe të pafajshëm për Shtëpinë Muze të Migjenit.

Është marrë vendimi që Shtëpia Muze të zhbëhet përfundimisht, sepse i kanë dalë pronarët e dikurshëm.

Ka një farë hamletizmi të këndshëm dhe ekzotik: të zbatohet vendimi apo jo, shteti “i sipërm” hesht i nemitur çka është alibi e një autoriteti të padiskutueshëm, kurse shteti “shkodran” ka firmosur ad hoc për profanizimin e pakompromis të fantazmës heretike dhe të dyshimtë të Migjenit, të dëbimit të saj sëbashku me reliket, librat, dorëshkrimet, fotografitë, gravurat etj.

Migjeni pa shtëpi – një subjekt posterior i papritur, gjithsesi një sensacion i konceptuar nga një mediokritet madhështor, fatal, onirik, ose një aksident i mrekullueshëm.

Borgesi ka thënë në një intervistë, tashmë të harruar, se të “shkruarit është një lloj vetëverasje”. Migjeni më i përkorë dhe më fatkeq, i kushtoi vëmendje vetëvrasjes së një trumcaku, mes një pejsazhi, kku në vend të pemëve ngriheshin brirët e një shtaze prehistorike dhe në vend të barit kishin mbirë qimet e derrit (të kujt derri? Të Derrit të Kënaqur – Trupëzim i Sokratit të Vuajtur?)

Duke përmendur fare pa kujdes dhe shpërfillshëm vargun tmerrues “Qeshu palaço, ndërsa zemra të pëllcet”.

Migjeni si pa e kuptuar, në gjendje kome projektoi mbas vdekjes nga bacilet e turbekulozit dhe vetëvrasjen ligjore demokratike, pra, dy vdekje krejtësisht të vërteta, ndërsa pavdekësia e tij kaq e pakëndshme dhe e padobishme mbi bacilet dhe ligjet është dëshmi e papërfillshme e pafuqisë së marrëzisë, që njerëzit e dalldisur e quajnë art, kurse pragmatistët e padjallëzuar e kanë nënçmuar në shkeuj thjesht si një keqkuptim, shpërdorim kriminal i kohës biologjike, instiktive.

Migjeni me një paturpësi plebeu ka shkruar se “njeriun palaço e krijoi absurditeti për me argëtue yjtë e natës, dritën e ditës dhe krijesat e dorës tjetër. Të gjithë këta presin prej njeriut të qeshunit e tij dhe qashtu dhe ia fillue një të qeshuni universal, që ka për të tundë Kozmosin me planetat dhe sferat në të... – ndërsa njeriut zemra do t’i pëlcasë, se jeta i mvaret nga ai i qeshun, mvaret nga absurdi i cili e krijoi”.

Të gjitha këto përsiatje tregojnë pikëllueshëm dhe egërsisht se shkrimtari ja ka profetizuar në mënyrë mazohiste vetes... vetëvrasjen, sipas thënies ogurzezë dhe shpotitëse të Borhesit ngatërrestar me një gjenialitet të kotë.

Mendimi skandaloz i Pitagorës për metapsikozën, të kalimit të shpirtit në një pafundësi trupash, që Naim Frashëri e huazoi me mendjelehtësi për doktrinën e tij pretencioze e universale të panteizmit bektashian, në rastin e Migjenit gjen deri diku një shpjegim: derri i artë, kaq i urryer nga Moisiu biblik.

Sekreti filozofik i dështuar dhe paradoksal, King Kongu hollivudian majmun të cilin mendja dogmatike e Darvinit nuk mund ta përfytyronte dot. Lukja, prostituta e bjeshkëve, para së cilës Ana Kareninat, zonjat Bovari janë thjesht krijesa të sajuara, punëtori i papunë që s’pati fat t’i njihte sindikatat e pavarura, Luli i vocër, që nuk mësoi të shiste cigare, banane, drogë dhe naftë, murgesha e virgjër, që nuk u bë dot Tereza e Kalkutës, kali i rrëzuar dhe i rrahur sipas të drejtës hyjnore të pronarit me kamxhik, një farë Mbinjeriu i Niçes që përfundoi i çmendur në një ekstazë zarathustriane të merituar , muzat e meditimeve të neveritshme studentore dhe pa dyshim trumcaku melankolik, harbur dhe rebel etj, janë forma dhe sozia, të vetë Migjenit në të gjitha kuptimet fizike dhe shpirtërore.

Kështu Migjeni solli në kulturën optimistike shqiptare një pështjellim kozmik pikëllimi dhe revolte të rrezikshme, të cilësuar nga pozitivizmi juridik si subversive dhe degradim i qëllimshëm i konceptit komod të opozitës, sepse justifikon një masoneri të mallkuar në shkeuj.

A mundet, përveç handikapatëve paqësorë dhe afirmativë, ndokush tjetër në faqe të dheut të mendojë qoftë edhe në një të miliontën pjesë të sekondës se Migjeni e meriton seriozisht një Shtëpi Muze?

Studiuesi i famshëm nga Lintejshtejni, baroni Frankeshtjan Von Roza botoi në 1983 librin studiues “L’apokalipse du memoire” (“Apokalipsi i kujtesës”) , që u përkthye fillimisht në esperanto, pastaj, në gjuhët e tjera evropiane dhe të Azisë së Vogël, deri dhe në gjuhën e kumbueshme dhe abstrakte të zuluve.

Ky libër, frut i një pune vetëmohuese dhe asketike prej njëzet vjetësh, shtjellon tezën rrënqethëse, po absolutisht të saktë, se okultizmi i shkrimtarëve, artistëve, filozofëve tej., ngritja e muzeve dhe statujave për ta, është një gabim i paimagjinueshëm, primitiv, barbar, irracional, që i ka sjellë njerëzimit dëme të pallogaritshme.

Ky kultivim është nje përdhosje e kujtesës dhe historisë.

Ky libër u prit edhe me admirim edhe me përbuzje.

Fridrih Dyrrenmat skicoi projektin e një komedie , duke u mbështetur në materialin pasionant të librit, po më pas hoqi dorë për arsye krejtësisht të panjohura. Mëkat, blasfemi e pafalshme!

Opinioni publik ndërkobëtar është i njohur me protestën që bëro baroni Frankejshtajn në vitet ’60 për ngritjen e një muzeu për Heminguejin në Kubë (“marrëzi kastriste”, e quajti ai), si dhe për muzeun kushtuar Franc Kafkës në Vjenë në vitet ’70, ku baroni energjik zbuloi, veç të tjerave, dhe një përvetësim të hollash nga fondi i krijuar për këtë qëllim, që ai i dha kuptimin e një simboli kuptimplotë ndërgjegjësimi, çmitizues.

Nuk e di a është futur në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës ndonjë ksombël e këtij libri, që një reçezenr poliglot e quajti “filozofi preventive e botës”?

Pa Shtëpinë Muze Migjeni është deri diku më pak i diskutueshëm. E drejta e pronësisë nuk përfillet nga ateistët, - kjo dihet. Edhe Shtëpia Muze e Vëllezërve Frashëri nuk është ligjërisht e tyre: E pra, frashërllinjtë e kanë besuar Zotin! Më kot: do të dëbohen! Prona është vetëm mbi Zotin. Mbi kodin teologjik.

Kjo është aryeja, që pinjollët e hindjanëve lëkurëkuq, që kanë qenë para ca shekujsh pronarë legjitimë të tokës së Manhatanit kanë bërë një padi gjyqësore për ta përfituar më në fund pronën e tyre, që i ka kushtuar një telash të rëndë gjykatës federale amerikane.

Po kështu ish pronarët e pazarit të vjetër të Tiranës kanë formuluar pretendimet e tyre për sheshin qendror të kryeqytetit, për tërë territorin, ku është ngritur pallati i madh i kulturës etj. Një stërnip arbëresh, i Karl Topisë, që jeton në Buenos Aires kërkon të respektohen të drejtat e tij proncërore të trashëguara mbi krejt qytetin e Krujës, që dihet, babai i Gjergj Kastriotit e përvetësoi forcërisht etj. etj.

I dashur N.

Dikur vetë Migjeni ka shkruar një letër publike për mikun e tij T.

Në mënyrë eksklamative Migjeni shpall se si murgjerit e krishterë, që në shkretëtira dhe shpella vetmitare futeshin thellë në egon e vet, ashtu ai zhytej ne veten prej shkrimtari dyshues dhe të paqetë.

Migjeni thotë për Shkodrën: “sa dëshira të flakta ushqej për këtë qytet! Dëshirat e mia janë shumë-shumë më të mëdha e të sinqerta se dëshirat që pat perëndia kur krijoi botën. Shkodran, dashnorja e shekujve!”

Është thënë se Migjeni ishte talent uraganik, që nderonte Shkodrën, Shqipërinë, Ballkanin dhe Europën! Shtëpia e tij është Kombi dhe Arti. Migjeni pa shtëpi është sipas këtij silogjizmi madhështor Migjeni pa komb dhe pa art.

Amen!


Të fala Moikom Zeqo, Durrës, 7 prill 1994 , ZP.



kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks