SHKRIMI
e mërkurë, 21 shkurt 2018

ABDYL ALUSHI*): MOIKOM ZEQO, POEZIA NDRYSHE (ESSE PËR KORPUSIN POETIK TË MISCELLANEAVE TË MOIKOM ZEQOS)

Pashtriku.org, 2 tetor 2017: Besoj tek pavlefshmëria e sahatëve, se poezia e Moikom Zeqos nuk është kohë e matur. E nisur nga ardhmëria duket akoma e palindur.Nga tw tjerwt krejt ndryshe... si e këtillw është edhe mungesë zie.

E çuditëshme, poezia e M. Zeqos i ka ngrënë të gjitha fjalët dhe uria përparon.Mjergulla dhe drita rriten të pashpjeguara në këtë Shimban Poetik.

Krijime si ekspozita të së padukëshmes. Është padurim i miljeve në nxitim. Kjo poezi ‘’është baras me të pavërtetën,ose Nirvanat e Budws ’’.

Poetët , thotë Moikomi, janë Mjeshtrit e Unitetit Universal të Kaosit.

Dhe poezia çliron duke robëruar. Librat e rrallë poetikë më tjetërsojnë.

Këtë përjetova, duke lëçitur “Miscellanea -t” të demiurgut Moikom Zeqo. I tejngopur... Tani më ndjehem si e sëmura Pierre Janet. Thua, këndej e tutje s’kam për të lexuar asnjë libër. Librat që lexohen shumë në të sotmen, bëhen pis.

Ata elitarë presin “ndotjet” e ardhshme.

Kanë fatin e ngathët të “long-sellerëve”... “Le të m’i lexojnë dorëshkrimet sytë e pelikanëve...”

Vlerësimet janë engjëj të këqij, kur vendosen në kohë të caktuar. Hierarkive të llogaritura e nesërmja u nxjerr gjuhën.

Pemë të munguara, a mund të radhiten?

Ç’thonë antologët? Mos gabojnë në shtesat e elementëve? Lejani tabelën e Mendelejevit, Mendelejevit.

“Të shkruarit”

është shpesh

një banket mbretëror,

që kthehet

në një komplot republikanësh”.

Kur jemi të bashkuar, asnjë nuk ecën. Po të jemi të gjithë në një mendje, jemi të ndryshëm.

Eh, kjo koha jonë, lesh arapi në tullën e qerosit..! Vdesin superlativat nga torturat e përdorimit.

Numërohen edhe radikalizmat “virtytet” e tejkaluara të jezuitëve. “Janë të virgjër me të sotmen dhe shkërdhejnë të shkuarën”. Ose do të vijoja përmbys:” janë të virgjër me të shkuarën, kurvërojnë me të sotmen.”

Edhe të drejtë ka Fernando Pessoa kur thotë se” pas tiranëve më shumë urrej martirët.” “E tashmja përtyp të ardhmen, bajga e së kaluarës plehëron imagjinatën”. Kompanitë e bretkosave lëpijnë kuakjet e të tjerëve, që nuk do të jenë më. Emërtesa delirante të qorrollisura nga lakimet e epërme.

“Numizmati i thinjur kërruset mbi lupë.

Këto monedha, prej floriri janë apo prej kohe?”

Vështrime që kacaviren në suaza hapësirash. Sa shumë harbutëri origjinale. Toponime të çvoshkura. S’jemi gjë tjetër, veçse informacione konfuze. Shuma e vlerësuar nga të pavlerët dhe anasjelltas.

Artin fisnik e qëmtojmë si në kashtë thërrmijat e arit. Është kjo mbetje e denjë që përballohet me të përbotshmen minoritare... po sa shumë “të lavdishëm” nëpërkëmbin!

E në qoftë se... Dafina do të pësojë fatin e maskuar të dinosaurve.

“Vdekja veç falas

na ofron

kostume pluhuri”.

Në kohën e tyre... Kush ka një kokërr guri në kurriz, sikur ndihet një Sizif në miniaturë, të ishin milingona, do të ishin të besueshëm. Nuk jam unë, ata që duhet të flasin. por e nxita kurajën për të thënë se poezia e Moikom Zeqos, duke qenë tejet vlerë, e pamundur të vlerësohet.

Poezi si një pyetje që nuk mund të shtrohet..

“Kështu ata që s’janë,

shohin që larg spektaklin

e roleve të vetvetes në të tjerë...”.

Ja, Dymbwdhjetw “Miskellanea -t” e Moikomit,pra Zodiaku!

Fjalët tradhtojnë mendimet dhe ndodh si një akt pabesie, poezia e shkruar... Tjetra nuk ekziston akoma. Është heshtja jashtë poetit. E shtrirë, mjegullnajë e rrëmujës së përpiktë... Vertikale ,shtjellë spiritualiste.

Si asgjë,absolutja e thyer. “Poezi si dalje origjinale e utopisë nga bota, jo në një utopi tjetër, por brenda në thellësi, në papraninë e kulluar. E bukura nuk zhduket, por ngjet zhvendosja e saj, spostimi, përzierja...” (Zh. Derrida).

Moikom Zeqo është hapje e hershme e unit poetik.

“Dhe kur vdes

te një kohë,

s’vdes dot tek kohërat e tjera”.

Që në zanafillë krijuesi dashuronte kukafshehjen e kuptimeve, mbase për të dëgjuar nesër hapjen e portave.

“E nëse s’më kuptoni,

heshtni!”

Respektoj njerëzit tek poeti dhe të tjerët në shumësi pamjesh. Tek autori në fjalë janë: vetja jonë, vetët tona e ato që nuk lindën e do të jenë. Thua, brenda një poeti përfshirë gjithë universi?! Deviza e M. Zeqos: O të gjithën, o asgjenë. Edhe të pagjeturat...

Është pritja e përfytyrueshme në lirinë pa brigje të mistereve.

Paraqitja e poetit Zeqo është si e detit, e pashpjegueshme

.Lartësi thellësie e pashterueshme në qiej të përmbysura. E prekshme në gjerësi, gjatësi infinite. Kufijtë e dukshëm edhe kur shfaqen janë të ravijëzuara me shkumës shkume. Prustiane , ngërthen çastet e pakapshme të së shkuarës. Nxiton të shkruhet për të ardhmen e paqëllimshme.

Nuk shënon majat, është e mbërritshme. Ajo që ngjitet përkulet. Këtu kufizohet ndarja. Mungesë dhe këtu. Gjithçka krejt ndryshe në Shimbanin Poetik të M. Zeqos. Uji djeg, drita përmbyt, zjarri lulëzon. Është mbytja e adhuruar në thellësi, që nuk ulërin ndihmën.

Fantazia që çliron nga robëria e logjikës. ”Hordhi”erudicionesh që pushtojnë atlase poetike. Energji të pamatura krijuese. Përkthime vegullimesh. Telepati metaforash. Gnostike.

Ikën në të gjitha drejtimet për të shkuar... Ku?!... Hipnotike. Tek e gjitha vajti-erdhi. Haluçinacione leksikore.

Poezi tronditëse sa tërmete që nuk të vrasin. Është Titaniku i kujtesës, që u shmanget realiteteve ajzberge. I pakrahasueshëm me të tjerë. Mund të jetë i shoqërueshëm, por me distance me poetwt e tjerw. Janë pëlqimet e mia të varura tek dyshimet e zodiakëve etnike.

“Tani atë që e sheh syri im i majtë, nuk e sheh syri im i djathtë”

“Hëna u fsheh, humbi si Imami i 12 i shiitëve...”.

Tejet mjeshtër i teknikave poetike, Moikomi shkon më tej.

Se “në fushën e poezisë nuk ka mundësi për me kombësi.” “Miskellanea -t” . Postmoderne dhe as imituese e shkollave të ezauruara poetike.

Metagjuhë e konstruksioneve.

Fjala në jetën e saj mondane.

“Ja ,Mallarme, që e shpalli muzikën e Vagnerit “ Le crime menacante de l’absolut “– krim kërcënues të absolutes...

Ja, dora ime e balsamosur, që është degë e ngjitur tek Rrapi i Libohovës...

Ja, Kashta e Kumtrit, që tani është interneti i Zotit...

Ja, rruga, - kush niset?

Kush flijohet? Kush emrin e braktis?

Kush fantazmën e vet e quan libër?...

Ja, veshi im i majtë tek gjoksi i Mona Lizës, si një konceptim surealist a si një stetoskopi i një doktori..

Ja ,Ajkuna me sisët e mëdha të hedhura pas shpine,

Ja, Edmond Jabe që shkroi “kopetë e vrimave kullosin muret”...

Poeti Zeqo është kardinali i parë i një liturgjie të re, ose kardinali i fundit i një liturgjie të harruar. Ka diçka të habitshme, Hajdegeriane, në poezinë e tij: mendimet nuk të lejojnë t’i prekësh, pa qenë të mbështjella me korracën e tyre verbale.

Kjo nuk është një mbrojtje filozofike, është një mbrojtje poetike...

Cilësia sipërore e poezisë, që të jetë ashtu siç nuk është dhe të mos mund të jetë ndryshe. E pa provokueshme në shqyrtime... Sinqeritete të errëta, të kamufluara... Ka të drejtë Joan Coste kur thotë se “deshifrimi i poezisë është dhe drama e saj.”

Edmund Husserl:” Sot shkenca, filozofia, arti në një farë mënyre e hapin mundësinë e një jo bote, të një jo kuptimi.” Ajo që na mungonte, na përdorte.

Moikom Zeqo : është e mrekullueshme të gjendesh nën kërcënimin e një moskuptimi. Po vargjet e tij si fëmijë të racionalizmit qetësojnë metafizikën e tyre. Demiurgu shkon në drejtim tjetër.

Është letërsia mediokre, që ekspozohet në supermarkete. Por le të shpresojmë duke ëndërruar.

“Gjumi një supermarket,

ku njerëzit shkojnë ,

blejnë ëndrra”.

Vazhdimisht poetët e talentuar si Moikom Zeqo, rizbulojnë vetveten për efekte përplasjeje. “Miscellanea -t”. “Uni më i ri, i përzgjedhur, i projektuar jashtë vetes, i përzierë me të tjerat që vijnë..”. Paraqitja mashtruese e kohës, gënjeshtër madhore Borgesiane. Poezia është pranë hyjnores. Po gjuha e Zotit akoma nuk flitet. Janë fjalët biblike, mosekzistenca të krijuara nga mosvetja. Nënvetet janë dhurata të trascedencës.

Po në sajesat origjinale të krijuesit Moikom Zeqo, qenia dhe koha të stisura njëra mbi tjetrën, duke iu hapur njëra tjetrës. Duke shkruar vazhdimisht, poeti merr përsipër asgjësimin e tij si qenie për vdekjen, do jetë i shpëtuari i saj.

Kështu, i shkëputur nga pleksjet e mungëta të përfitimeve, nuk zotëron të përditshmet me vanitetet e saj të zbehta... Është meritë në kohë të drejtuar të jesh emetimi i saj. Përse ka diçka dhe kur duket se nuk ka asgjë!?....

Është kjo çudia supreme në krijimet e Moikomit.

Po sa larg miniorëve provincialë emigrojnë poetët e vërtetë? Di vetëm se poezia dinjitoze është mbetje e begatë në mospëlqimet e bashkëkohësisë... Hipertensionet e letërsisë sikur “i analizojnë” Vipat e saj. Janë dhe moralet që kufizojnë liritë e pamata shqisore.

Kuptimet ndriçohen nga muzgjet...

Është terri gjelbër i xhunglës moikomiane, me llambat floreshente tek rrënjët.

__________________

*) ABDYL ALUSHI, shkrimtar, eseist, autor i disa librave me krijimtari letrare dhe studime, sot jeton dhe punon në Greqi.



kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

DOKUMENTAR

DR.MATHIEU AREF: 'PELLAZGËT DHE GREQIA E LASHTË'

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks