SHKRIMI
e shtunë, 20 tetor 2018

BESIM R.CENGU: MOIKOM ZEQO - MISIONARI I NJË ARTI ELITAR

Tiranë, 23 nëntor 2017: Te Libri “Arkitekti i nëndheshëm i qiellit” botuar me rastin e 100 vjetorit të Migjenit, Moikom Zeqo shprehet se “Migjeni është krijues “pa paraardhës dhe “pa pasardhës”. Në opusin e sotëm krijues ai vetë është i tillë.

Me veprën e vet krijuese dhe intelektuale Moikom Zeqo ka kapërcyer që në fillesën e tij krijuese barrierat tradicionale dhe konceptet artistike skematike.

Te Moikomi janë ngjizur shkencëtari me artistin. Në kritikën e sotme shpesh herë përdoret termi “letërsi moikomiane” apo “art moikomian” (Alfred Uçi, Leka Ndoja, Frederik Rreshpja, Fatmir Minguli, Ali Aliu, Vasil Vasili, Vladimir Muça etj). Kjo do të thotë se ndoshta është “krijues-shkencëtar” siç e ka konsideruar Frederik Rreshpja, që ka identitetin brenda trupit krijues kombëtar sot dhe që ka krijuar opusin letrar të vetin, universin krijues që ka karakteristikat e veçanta, raportet e tij specifike me artin e kohës nga njëra anë dhe lexuesin nga ana tjetër.

Vetë fakti se produkti artistik “tjetërlloj” i Moikom Zeqos, dëshmon se jo vetëm se është një erudit i madh, por edhe një krijues i rrallë që nuk ndikohet prej askujt duke skalitur profilin e vet të dallueshëm. Ashtu sikurse ishte Migjeni, i pandikuar prej askujt.

Ai lexon shumë, përjeton shumë dhe krijon shumë.

Shpesh herë “ankohet” se “nuk ka kohë të mjaftueshme fizike”. Me një fjalë ka frikë se nuk i mjafton “koha fizike” për të që të shprehë atë që ai i ka vënë synim vetes.



Tiranë, 22 nëntor 2017: - Besim Cengu -


Shkurt Moikom Zeqo është një “shitës dhe konsumator i madh i kaosit të sotëm” (social dhe artistik). Prandaj është edhe një analizues dhe interpretues i pashoq i realitetit, edhe social, edhe artistik.

Zeqo beson në “ripërtëritjen krijuese” prandaj është krejt tjetër edhe konceptualisht edhe në aspektin e strukturës së krijimit. I qëndron larg letërsisë “laboratorike” të pas viteve 90.

Duke qenë një shkencëtar-artist, që qëndron midis artit dhe shkencës, produkti artistik i Zeqos mbështetet në përvojën e pasur jetësore, në analizat e thella që ai i bën këtij realiteti që e prekë me dorën e vet dhe e sheh me syrin e vet dhe, pastaj, produktin e analizon në mënyrën e vet.

Për këtë disa studiues e kanë konsideruar artist të ndërlikuar.

Në fakt pikërisht këtu qëndron rëndësia dhe pesha e artit moikomian: Moikom Zeqo nuk merr përsipër asnjëherë të diskutojë se a është apo jo i “vështirë” për lexuesit. E rendësishme është se ai grish lexuesit ta kuptojnë. Dhe për ta kuptuar vepra e Zeqos nuk mjafton të lexohet; ajo duhet të studiohet.

Këtu qëndron edhe thelbi i elitarizmit letrar dhe intelektual i Zeqos, por që në fakt është edhe thelbësore për artin tonë në përgjithësi.

Misioni i artit elitar është të ftojë njerëzit në lartësinë ku ai është.

Në aspektin tjetër, duke u udhëhequr nga ky parim xhoisian (për një art elitar), Zeqo me veprën e vet do të na thotë, ashtu sikurse pat thënë në shekullin e XIX Stendali për veprën e vet se ndoshta duhet do kohë që krijimtaria e tij të kuptohet.

Në fakt ne sot kemi nevojë për këtë elitarizëm kulturor nëse kërkohet domosdoja e arratisjes prej skematizmit të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar që e mundon ende sot artin tonë, nëse duam të mos ngelemi në periferi të artit të sotëm evropian e botëror.

Letërsi provinciale krijohet edhe sot, por nuk na shërben, apo nuk na mjafton për të trokitur tek “shpirtrat e rinj”. Kjo lloj letërsie dhe ky lloj arti lëviz brenda rrethit metafizik të artit. Prandaj ne na duhet një art që na bën të shikojmë “të renë” me guxim intelektual.

Na duhet një art që imponon interes që të na lexojnë e vlerësojnë ata që sot janë avangardë e krijimit.

Migjeni e bëri këtë në shekullin që iku. Ai që ndoshta i vetmi i asaj periudhe që dritën e kërkoi “përtej gardhit”, duke krijuar një art krejtësisht të ri jashtë traditës. Këtu shpjegohet fakti se Migjeni sot është aktual, i ri, e sintetik.

Një gjë të tillë me veprën e vet po e bën Moikom Zeqo përmes artit të tij që çelë hulli të reja. Hulli të reja në ide, konceptime, teknikalitete, interpretime, analiza e gjykime... Një art fjale konceptualisht ndryshe, ndërtim kompozicional që i ikë klasikes në përcaktimin e gjinisë së krijimit, janë risi që na thonë qartë se ky është krijimi i nesërm.

E gjithë krijimtaria moikomiane prej viteve 70 e deri sot, në poezi e prozë e dëshmon këtë.

Duke u ndalur kryesisht në veprat e viteve të fundit, Miscellanea-t, Centauri i ri, Kështu foli Monaliza, Grishja e Florimontit, Refuzimi i shkrimit, Libri i sinopseve, Papagajt e Nembrodit, Vetullat Hyjnore, Ofelia me mjekër ... janë vepra që dëshmojnë dinjitet krijues që zënë vendin e vet të merituar në panteonin e letërsisë shqiptare, por edhe atë rajonale e evropiane.

Është thënë se lexuesit e të ardhmes do të jenë miqtë e saj më të mirë. Kjo nuk është retorikë.

Zeqo është i ndërlikuar (Leka Ndoja), por jo i pakuptueshëm. Mjeshtër i madh i prozës bashkohore shqipe me plot kuptimin e fjalës (Sulejman Mato). Jam i bindur se do të thuhet shumë për të.

Pra Zeqo është pjella e vetë kohës tonë artistike, thirrje për të ndryshuar thelbësisht artin sepse siç edhe ai vetë thotë në një tregim të vëllimit “Abraxos, mbreti i botës” …Nuk është luftëtari që zgjedh betejën, por beteja që e zgjedh luftëtarin…




_______________

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

Më 22 nëntor 2017, në Muzeun Historik Kombëtar - nën kujdesin e Shtëpisë Botuese “ERIK”, të muzeut dhe në bashkëpunim me Akademinë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave u promovua “Korpusi i ri” i botimeve të eruditit shqiptar, Moikom Zeqo! Dhjetëra studiues e personalitete të letrave kanë vlerësuar krijimtarinë dhe veçoritë e stilit të Mojkom Zeqos në letërsi.

“Po jua them me ndërgjegje të pastër dhe të plotë se kur je përballë Mojkomit ndihesh inferior dhe unë e kam të vështirë të gjej njerëz intelektualë që para Mojkomit të ndihen superiorë dhe të sigurt. I kam lexuar me vëmendje të gjitha librat e Mojkonit dhe janë 12 vëllime poetike, sikur nga 500 faqe njëri, shiko çfarë vëllimesh të jashtëzakonshme që duhet të ulesh të punosh dhe të harmonizosh siç bën Mojkomi. Në një varg pa fund metaforash, sepse truri i tij është metaforik. Të lidhësh bashkë qiellin me qënien njerëzore, antologjinë me faktologjinë të themi, të lidhësh bashkë ndjenjën dhe arsyen”, kështu shprehet studiuesi Josif Papagjoni.

Dorian Koçi drejtori i Muzeut Historik Kombëtar ka vlerësuar të gjithë kontributin e Moikom Zeqos në letrat shqipe

“Universi kulturor dhe historik i këtij njeriu shkon përtej asaj që mund të quhet njohje e zakonshme e një intelektuali, së dyti ndihem i nderuar sepse Profesor Moikom Zeqo është një nga ish drejtuesit e Muzeut Kombëtar, pra këtu ai është në shtëpinë e tij që për tetë vite e ktheu në një vend ku mbizotëronte kultura”, tha Koçi.

Profesor Fatos Tarifa ka folur për udhëtimin e Moikom Zeqos në historian e kulturës shqiptare.

“Nëse përpiqemi të gjejmë një cilësor për profesionin ose për profilin intelektual të Moikomi, ai është para së gjithash një shkrimtar, prozator, eseist, poet, arkeolog, historian, bizantolog, orientalist, apo është të gjitha këto të mërra sëbashku, me fjalë të tjera një shkrimtar euridit dhe enciklopedist”, shprehet Profesor Tarifa.

Moikom Zeqo është një prodhimtar i madh në fushën e studimeve dhe të krijimtarisë letrare. Së fundi ai ka botuar edhe një vëllim voluminoz “Lagushi i panjohur”, që vetë ai e quan lirikun më të madh të të gjitha kohërave.

Për më tepër shikoni videon:


Report TV - Krijimtaria më e re e Moikom Zeqos 


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Selver Mackaj 2

Selver Mackaj 1

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks