SHKRIMI
e diel, 18 nëntor 2018

XHEVAT BISLIMI: LUFTA KUNDËR LUFTËS ÇLIRIMTARE

Viti, 1 nëntor 2018: Pakëz histori

Shkaku i parë dhe i fundit i të gjitha përpjekjeve, kryengritjeve dhe luftrave që bënë shqiptarët në Iliri (Ballkan) ishte zaptimi dhe copëtimi i tokave të tyre nga fqinjët shovinistë dhe Fuqitë e Mëdha. Falë këtyre përpjekjeve, luftrave dhe flijimeve të panumërta u krijua shteti shqiptar. Mirëpo, më shumë se dy të tretatë e tokave të këtij shteti, që ishte shpallur në katër vilajetet e Shqipërisë së asaj kohe, ishin pushtuar nga Serbia, Greqia dhe Mali i Zi (në atë kohë nuk kishte shtet të Maqedonisë). Një pjesë e mirë e tokave të Shqipërisë u ishte dhënë shteteve fqinje nga Perandoria Osmane, e cila prej shekujsh mbante të pushtuar Shqipërinë. Humbjet në luftë me Rusinë dhe satelitët e saj në Iliri, Perandoria Osmane i “paguante” me toka shqiptare. Tregtisë me tokat e tij populli shqiptar iu kundërvu me organizimin e Besëlidhjes së Prizrenit, të cilës i parapriu mendja, pena dhe veprimtaria e Jeronim De Radës, Zef Jubanit, Naum Veqilharxhit, Elena Gjikës, vëllezërve Frashëri, Jani Vretos, Hoxhë Tahsinit e sa e sa mendjeve të ndritura të kombit. Në proklamatën e Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombsisë shqiptare me seli në Stamboll (Konstantinopol) thuhej: “Ne dëshirojmë nxehtësisht të rrojmë në paqe me të gjithë fqinjët tanë: Malin e Zi, Greqinë, Serbinë e Bullgarinë. Ne nuk kërkojmë, nuk dëshirojmë asgjë prej tyre, por jemi krejtësisht të vendosur të mbrojmë me këmbëngulje çdo gjë që është jona. T’u lihet pra shqiptarëve toka shqiptare”. (Peter Bartl, “Shqipëria nga mesjeta deri sot”, Drita, Prizren 1999, f. 91) Pushkët e kryengritjes së atyre viteve e nxorën nga “harresa” shekullore çështjen shqiptare dhe Shqipërinë e Gjergj Kastriotit. Programi politik dhe kombëtar i Lidhjes u vu në themele të çdo përpjekjeje dhe lufte të popullit shqiptar për liri e pavarësi kombëtare. Fryt i Besëlidhjes Shqiptare të Prizrenit, kryengritjeve të organizuara prej saj dhe i kryengritjeve të viteve 1910-1912 ishte krijimi i shtetit shqiptar në një të tretën e Shqipërisë. Kjo ishte fitore e madhe për kombin shqiptar dhe shpresë e garanci se një ditë do të çlirohen dhe bashkohen edhe krahinat tjera, dy të tretatë e Shqipërisë së pushtuar nga fqinjët, që krijuan shtetet e tyre (me ndihmën e Fuqive të Mëdha) në toka të Shqipërisë.


Te ky pushtim i dy të tretave të Shqipërisë nga fqinjët tanë shovinistë duhet kërkuar edhe shkakun e parë dhe të fundit të të gjitha përpjekjeve dhe luftrave çlirimtare që kanë bërë shqiptarët e këtyre krahinave të pushtuara me dhunë, terror, spastrim etnik e gjenocid. “Në vitet 1922 – 1923, qeveria greke shpërnguli me forcë shqiptarët e Çamërisë. Në shkëmbim me grekët e Azisë së Vogël, duke i konsideruar shqiptarët si turq. Zhvendosjet masive të shqiptarëve nga trojet etnike dhe popullimi i tyre me popullsi greke, nuk dallon aspak nga gjenocidet serbe në veri të Shqipërisë, në Kosovë dhe në Malsinë e Madhe”. (Sylejman Abazi, “Çamëria”, Tiranë 2007, f.123) Ky ishte shkaku dhe kjo ishte arsyeja madhore e kryengritjeve në Kosovë, në Çamëri e kudo në hapsirën kombetare shqiptare pas vitit 1912.

Lëvizja Kombëtare pas Shpalljes së Pavarësisë

Mbaroi Lufta e Parë Botërore, mbaroi edhe e Dyta, por fati i dy të tretave të Shqipërisë së pushtuar mbeti i njëjtë! Kombi shqiptar nuk e kishte fuqinë e mjaftueshme për t’u çliruar me armët e tij. Edhe raporti i forcave në botë dhe qëndrimi i Fuqive të Mëdha nuk ishin në anën e shqiptarëve. Bota nuk ishte e gatshme t’i rishikonte kufijtë e “vizatuar” në trupin e Shqipërisë me bajoneta që kullonin gjak shqiptarësh! Pas Luftës së Dytë Botërore grekët (forcat e armatosura, kisha greke dhe organizata tjera neofashiste) u hodhën me tërbim e urrejtje të paparë mbi shqiptarët e paarmatosur në Çamëri, duke vrarë, masakruar e djegur këdo që gjenin në shtëpi, në rrugë e kudo tjetër! Greqia neofashiste kishte qëllim shfarosjen e shqiptarëve-arvanitasëve (arbërve). Shpëtuan vetëm ata që mundën të iknin e të strehoheshin në shtetin shqiptar.

Politikë e njëjtë u ndoq edhe nga Jugoserbia e Titos ndaj shqiptarëve. Titoja u bë flamurtar i jetësimit të elaborateve serbe për shpërnguljen dhe shfarosjen e shqiptarëve. “Thelbi i nacionalizmit serb është miti, frymëzimi veprues e për pasojë edhe aksioni për afirmimin e ireales, duke shkaktuar tragjedi të panumërta në rajon dhe duke shkatërruar vlera të shumta të civilizimit evropian”. (Enver Bytyqi, “Shqiptarët, serbët dhe grekët”, Koha, Tiranë 2005, f. 15 – 16) Vendbanime dhe krahina të tëra u shkretëruan nga forcat jugoserbe të komanduara dhe udhëhequra nga Titoja. Ndjekja, vrasja, terrori, zjarri dhe masakra ishin armët e forcave jugoserbe për shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga vatrat e tyre shekullore. Për këto qëllime fashiste Jugoserbisë së Titos i erdhi në ndihmë edhe Turqia, e cila rifuqizoi marrëveshjen për shpërnguljen e shqiptarëve!



Por, edhe në këto rrethana dhe kushte të rënda persekutimi, terrori represiv e dëbimi masiv shqiptarët nuk pushuan së përpjekuri për liritë dhe të drejtatë e tyre politike e kombëtare deri në shkëputje të plotë nga shtetet pushtuese dhe bashkimin me shtetin e tyre, Republikën e Shqipërisë. Lëvizja Kombëtare dhe veprimtarët e luftëtarët e saj ndiqeshin këmba-këmbës, arrestoheshin, dënoheshin me shumë vite burg, mbyteshin në torturë apo vriteshin me atentate dhe forma tjera brenda dhe jashtë shtetit jugoserb. Mirëpo, Lëvizja Kombëtare Shqiptare në trojet e pushtuara nga Jugoserbia ishte si feniksi: ajo ringjallejë nga hiri i saj, sepse në krah të saj tash ishte shteti shqiptar i Enver Hoxhës. Tirana zyrtare me të gjitha mjetet, forcat dhe mënyratë e saj ishte vënë në krah të Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Qindra veprimtarë atdhetarë e dhjetra organizata atdhetare vepronin natën e ditën, fshehur e hapur kundër pushtuesve jugoserbë. Porositë nga Tirana dhe personalisht nga Enver Hoxha për Lëvizjen atdhetare ishin të qarta: “Për shqiptarët e pushtuar nuk ka ideologji e parti. Pëballë keni pushtuesin, prandaj bashkohuni kundër tij” (parafrazim). “Popullsia shqiptare në Kosovë e në Rrafshin e Dukagjinit, në Maqedoni dhe në Malin e Zi nuk do ta harrojë kurrë vallen makabre të përgjakshme që për më se njëzet vjet ka luajtur në kurrizin e saj klika e Titos. Titoja dhe banda e tij janë përgjegjës për masakrën e Drenicës, për vrasjen e mijëra të rinjve shqiptarë në rrugën Prizren-Ulqin, për mbytjen e mijëra shqiptarëve në kampet e përqëndrimit të Shkupit, të Tetovës, të Prishtinës, të Mitrovicës etj., për shpërnguljen me dhunë të dhjetra mijë shqiptarëve në zonat e thella të Jugosllavisë, për dëbimin nga toka amëtare për në Turqi të qindra mijë shqiptarëve, për politikën e terrorit fizik e shpirtëror, të asgjësimit masiv e të gjenocidit kundër popullsisë shqiptare”, shkruante Enver Hoxha në gazetën “Zëri i popullit, nr. 275, 16 nëntor 1967. Këtë frymë enveriane liridashëse në krahinat e pushtuara nga Jugoserbia e solli njeriu që u bë simbol i qëndresës shqiptare, Adem Demaçi, i cili në këtë frymë kombëtare dhe revolucionare kishte themeluar edhe organizatën që kishte qëllim themelor çlirimin dhe bashkimin me Republikën e Shqipërisë. E këtij karakteri dhe e kësaj fryme ishte edhe organizata e Metush Krasniqit me shokë. Në këtë frymë dhe për këtë qëllim të lartë kombëtar u themeluan edhe organizata tjera pas arrestimit dhe dënimit me burg të Adem Demaçit. Jugoserbia po e kuptonte se Lëvizja Kombëtare nuk mund të mposhtejë... “Ky popull, i cili u qëndroi me heroizëm të mrekullueshëm valëve të tërbuara të pushtuesve otomanë e sllavë gjatë shekujve dhe ka ruajtur me guxim e vendosmëri heroike gjuhën, traditat, zakonet, kulturën e vet, personalitetin dhe vitalitetin e tij, të gjitha karakteristikat e veçoritë e tij kombëtare, përballë të gjitha orvatjeve shkombëtarizuese e asgjësuese, një popull i tillë nuk mund të nënshtrohet e të shfaroset kurrë. Ai është i përjetshëm dhe do të fitojë”, shkruante Enver Hoxha në artikullin me titull: “Kush përgjigjet për krimet e gjenocidit në Kosovë”, i botuar në gazetën “Zëri i Popullit”, nr. 209, 31 gusht 1966

Përpjekjet dhe Lufta e LPK-së për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të saj

Pas shumë përpjekjesh, më 17 Janar 1982, ishte arritur bashkimi i organizatave të ndryshme atdhetare që vepronin në atë kohë për qëllime të njëjta çlirimtare. Pikërisht atë natë u ekzekutuan me atentat tre nga katër themeluesit e organizatës së bashkuar: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Organizata u quajtë LRSSHJ (Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi). Emri i saj i fundit ishte Lëvizja Popullore e Kosovës. Kjo organizatë, që bashkonte atdhetarët shqiptarë pa dallim ideje, feje e krahine, mori përsipër Luftën e Armatosur për Çlirimin e Kosovës dhe të viseve të saj të pushtuara nga Jugoserbia. Pas përpjekjeve, përgatitjeve dhe “provave” shumëvjeçare me grupe dhe njësi të vogla të armatosura, Lëvizja Popullore e Kosovës mori vendimin dhe përgjegjësinë historike për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (17 Nëntor 1994) nga njësitë e armatosura të LPK-së. “Ka një datë të themelimit dhe nuk ka dëgjuar kurrë askush më herët për një organizim të tillë para asaj date: kjo datë është 17 nëntori 1994”, deklaron edhe Xhavit Haliti nëTV Klan Kosova, 22 dhjetor 2015 (Shih edhe dokumentet e LPK-së!). Për financimin e luftës së armatosur çlirimtare u themelua Fondi “Vendlindja thërret”, i cili krahas mbledhjes së fondeve bëri punë dhe veprimtari të jashtëzakonshme politike edhe për ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e mërgatës për Luftën Çlirimtare të UÇK-së. Këshillat e këtij Fondi, bashkë me këshillat dhe organet e LPK-së, kanë organizuar rreth 5 000 tubime të mëdha e të vogla me mërgimtarët tanë anekënd botës gjatë atyre viteve. Përveç mbështetjes politike, morale e financiare mërgata i mbushte radhët e Ushtrisë Çlirimtare edhe me luftëtarë e komandantë të përgatitur për luftë të pakompromis kundër pushtuesit.

Përgatitjet, veprimet dhe organizimi i Luftës së Armatosur Çlirimtare kërkonin mendje, durim, punë dhe angazhim stoik. Vetëm një organizatë e strukturuar, e organizuar, e kalitur, me përvojë dhe anëtarë, veprimtarë e drejtuesë të rryer në flakët e përpjekjeve e të luftës kundërpushtuese, e qartë politikisht dhe kombëtarisht dhe e shtrirë në gjithë hapsirën shqiptare e në gjithë botën ku kishte shqiptarë, siç ishte LPK-ja, kishte zotësinë dhe kapacitetet për të organizuar, drejtuar dhe përfaqësuar një luftë të armatosur çlirimtare, e cila fitoi përkrahjen e mbarë kombit dhe të botës së përparuar demokratike. Organizimin e Luftës Çlirimtare e bënin të vështirë edhe disa forca e qarqe shqiptare që, të papenguara, përhapnin dhe mbillnin iluzione se Kosova do të çlirohejë me dialog dhe me lutje! Përhapnin dhe mbillnin përçarje e disfatizëm duke propaganduar pamundësinë e luftës kundër Serbisë, e cila, sipas tyre, “do të na shfaroste për 24 orë”! Lufta e armatosur bëhejë e vështirë edhe për shkak të gjendjes së krijuar në shtetin tonë amë, në Republikën e Shqipërisë, të cilën e kishin shpënë buzë falimentimit! Por, edhe në këto kushte të rënda Lëvizja Popullore ia doli ta organizojë Luftën e Armatosur dhe të fitojë mbështetjen e mbarë kombit dhe të botës. Ndërhyrja e qendrave të fuqishme të vendosjes dhe e NATO-s e kufizuan luftën tonë vetëm në kufijtë e sotëm të Kosovës. Pas mbarimit të luftës në Kosovë Lëvizja Popullore e Kosovës themeloi edhe UÇPMB-në dhe UÇK-në për çlirimin e viseve të pushtuara të Kosovës. E bëra këtë hyrje të gjatë për të ardhur te lufta e organizuar kundër Luftës Çlirimtare dhe çështja e superpërfolur e veteranëve dhe e luftëtarëve të lirisë pas mbarimit të Luftës Çlirimtare...

Fushata e organizuar dhe financuar mirë kundër Luftës Çlirimtare pas mbarimit të Luftës

Me të mbaruar Lufta Çlirimtare, ashtu si mbaroi me ndërhyrjen e NATO-s, në Kosovën shqiptare u vendosën trupat e KFOR-it, Administrata e OKB-së,-UNMIK-u dhe organizata tjera të përbëra nga miq, armiq e kundërshtarë të lirisë dhe pavarësisë-shkëputjes së Kosovës nga Jugoserbia! E drejta është që trupat e NATO-s dhe UNMIK-u do të duhejë të ishin vendosur në Serbi, sepse ajo ishte shkaktarja e të gjitha konflikteve dhe luftrave të përgjakshme në Iliri (Ballkan). Raporti i forcave midis fuqive të mëdha ishte i pafavorshëm për këtë zgjidhje që do të garantonte paqe, siguri dhe qëndrueshmëri afatgjate në rajonin e trazuar. Ardhja dhe instalimi, sidomos i KFOR-it dhe Administratës së OKB-së (UNMIK) në Kosovë e jo në Serbi i dha mundësi Serbisë që ta marrë veten dhe të riorganizohet për ta sabotuar dhe luftuar lirinë e fituar me lumenj gjaku të Kosovës. Mënyra më e mirë ishte përmes pakicës serbe, kishës ortodokse dhe trashëgimisë së pretenduar kulturore “serbe” në Kosovë! Në këto çështje ajo pati përkrahjen e UNMIK-ut, OSBE-së dhe qendrave të ndryshme të vendosjes në botë, sidomos të aleates së saj Rusisë, por edhe të Kinës e të disa vendeve që hiqeshin si mike të Kosovës, por që prapa krahve i bënin gropën. Pas tri katër vitesh, sidomos nga viti 2004, Serbia kaloi në oafanzivë politike, propagandistike, ekonomike, agjenturore e diplomatike kundër Kosovës dhe lirisë së saj.

Fushatë e organizuar propagandistike, politike dhe represive u bë sidomos kundër luftëtarëve dhe komandantëve të UÇK-së. Kjo fushatë shumë shpejt mori përmasat e gjuetisë së shtrigave. Serbia hartonte e dorëzonte dosje dhe bënte me gisht ndaj luftëtarëve dhe komandantëve të UÇK-së, ndërsa UNMIK-u (më vonë EULEX-i) dhe gjykatatë e tij i arrestonin, i keqtrajtonin dhe dënonin me “fakte” dhe “prova” tërësisht politike, të sajuara në kuzhinat shoviniste serbe! Serbia ngadal, por sigurt po kthehej nga agresore dhe vrastare në “viktimë”! Mbështetje dhe jatak i butë i kësaj fushate kundër Luftës Çlirimtare u bënë edhe disa qarqe politike e disa medie të njohura për të kaluarën e tyre titiste e kolaboracioniste. Në të mirë të kësaj fushate ishte edhe qëndrimi që mbajtën disa emra (figura!) që kishin përvetësuar kapitalin dhe lavdinë e Luftës Çlirimtare të LPK-UÇK-së! Grykësia e tyre për pasuri e pushtet pa shtet dhe bashkëpunimi i tyre me “ndërkombëtarët” ua mbylli gojën dhe ua mori zemrën e “fuqinë” e kundërshtimit! Me një fjalë për ofanzivën serbe kundër Kosovës para e pas pavarësisë ishin krijuar rrethana lehtësuese!...

Institucionet e Kosovës para e pas pavarësisë dhe Lufta Çlirimtare

Menjëherë pas çlirimit të Kosovës (me kufijtë e sotëm!) nga forcat pushtuese serbe u krijuan edhe partitë e reja politike që thirreshin në vlera të Luftës Çlirimtare të UÇK-së. Madje, këto e mbanin veten si parti të dalura nga Lufta Çlirimtare! Njëra prej tyre ishte Partia Demokratike e Kosovës, e cila udhëhiqej nga Hashim Thaçi. Kjo parti ishte pjesë e të gjitha qeverive të pas luftës, ndërsa kryetari i saj, Hashim Thaçi, që kishte përvetësuar gjithë meritatë dhe gjithë lavdinë e Luftës së LPK-UÇK-së, ishte dy herë kryeministër, pastaj ministër e tash edhe kryetar i Republikës së Kosovës. Nga kjo parti ka qenë kryeministër edhe Bajram Rexhepi, pastaj Jakup Krasniqi ishte ministër, kryetar i Kuvendit të Republikës etj.. Edhe AAK-ja e Ramush Haradinajt ishte pothuajse pjesë e secilës qeveri! I solla këto të dhëna për të provuar se këto parti, që mbaheshin si “të dalura nga lufta” nuk i përmbushën pritjet e veteranëve, invalidëve, familjeve të dëshmorëve dhe popullit atdhetar shqiptar. Të dhënë pas pasurisë, lavdisë dhe pushtetit harruan nga ishin nisur, ku kishin arritur dhe ku duhet të shkonin! U bënë peng të përfitimeve dhe pasurive jolegale! Lavdinë e LPK-UÇK-së dhe të kombit shqiptar e bënë dhe e shpallën si lavdi të tyre personale!? Shkuan deri aty sa edhe themelimin e Ushtrisë Çlirimtare e personalizuan, e privatizuan dhe e shpallën meritë dhe sukses të tyre individual!? Nuk kishte gjë më irituese dhe më të ulët në kuptimin moral se deklarimet e dhëna në Kuvendin e Republikës ose në medie në stilin: “Unë e kam themeluar UÇK-në”!? “Unë e kam bër luftën”!? Me këtë dukej sheshazi se morali, ndërgjegjia dhe modestia ka rënë në fund të këmbëve të tyre... Edhe fushata e zgjedhjeve, edhe akademitë, rivarrimet, shënimet e përvjetorëve të betejave të UÇK-së etj. shfrytëzoheshin maksimalisht dhe poshtërsisht për përfitime e për fuqi politike! Por, nuk e nxirrnin ligjin për mbrojtjen e vlerave të Luftës Çlirimtare të UÇK-së dhe nuk e nxirrnin ligjin për veteranët, invalidët, dëshmorët e të zhdukurit e luftës! I njëjti avaz edhe pas Shpalljes së pavarësisë së Kosovës! Nuk e sollën Kmandantin Legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin, në Prishtinë!!! Mezi, pas shumë vitesh, u bë një ligj i dobët dhe me plotë pasaktësi për veteranët, invalidët, dëshmorët...

Ligji që përjashtoi dhe mohoi themeluesen e UÇK-së,-LPK-në

Ligji u bë me plotë dobësi e pasaktësi! Mbase jo rastësisht! Gabimi i parë i madh dhe i pafalshëm për propozuesin e ligjit, që ishte Hashim Thaçi (qeveria e tij!), dhe miratuesit e tij (deputetët, Kuvendi) është përjashtimi dhe mohimi i LPK-së nga ky ligj! Të përjashtosh dhe të mohosh me ligj ideatoren, organizatoren, themeluesen dhe drejtuesen e Luftës së armatosur çlirimtare,-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,- Lëvizjen Popullore të Kosovës përbën krim ndaj të vërtetës historike dhe ndaj gjithë atyre djemëve e vajzave, grave e burrave që morën përsipër dhe e mbajtën në supet e tyre përgjegjësinë dhe barrën e rëndë të Luftës së armatosur çlirimtare! Në atë ligj do të duhej të shkruhejë shprehimisht se “Lëvizja Popullore e Kosovës ishte themeluese dhe drejtuese e Luftës së armatosur të UÇK-së dhe të kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës”. Ky formulim i drejtë dhe i saktë do të “prodhonte” kategorinë e veteranëve “themeluesë të UÇK-së” ose “veteranë të LPK-së”. Nga ky gabim-krim doli gabimi tjetër: “veteranë të Fondit “Vendlindja thërret”! Ndërsa dihet botësrisht dhe e verifikueshme lehtësisht se edhe Fondin e ka themeluar Lëvizja Popullore e Kosovës.

Me këtë ligj është falsifikuar edhe viti i themelimit-emërtimit të forcave-njësive të armatosura të LPK-së në Ushtri Çlirimtare të Kosovës! Sipas ligjit hashimçe, sot kemi veteranë të UÇK-së të vitit 1991! Ndërsa njësitë dhe grupet e armatosura çlirimtare të LPK-së me emrin UÇK janë emërtuar më 17 Nëntor 1994. Kjo datë edhe është data e themelimit të UÇK-së. Të vërtetë tjetër as nuk ka dhe as nuk mund të ketë. Luftëtarët e para kësaj date mund të ishin dhe duhet të ishin veteranë të LPK-së (krahu i armatosur) ose më saktë “veteranë themeluesë të UÇK-së.

Këto përpjekje për të falsifikuar të vërtetën historike dhe shkencore janë vazhdimësi e angazhimeve dhe përpjekjeve të bashkërenduara dhe sistematike për degradimin e Luftës Çlirimtare. Në funksion të këtij angazhimi sistematik për degradimin e Luftës ishte edhe krijimi i Komisionit për verifikimin e kërkesave dhe aplikacioneve për veteranë, invalidë, dëshmorë... Kryetar i Komisionit u “emrua” nga Hashim Thaçi, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Agim Çeku! Formularin e parë për veteranë e plotësoi (kush tjetër?!) “themeluesi” i UÇK-së, Hashim Thaçi! Me këtë rast ai bëri thirrje publike që “të aplikojë për veteranë edhe ai që ka dhënë një gotë ujë për Luftën”! Kjo ishte si të hapje konkurs publik ku mund të konkurronte secili qytetar! Përveç kësaj, Hashim Thaçi në shumë tubime zgjedhore e në shumë fjalime tjera kishte thënë se “e gjithë Kosova ka qenë UÇK”! Me një fjalë ishte Hashimi ai që i kishte hapur dyer e dritare për secilin që dëshironte të bëhejë veteran! Shumë u bënë edhe invalidë pas lufte! Pati që u bënë edhe dëshmorë pas lufte! Komisioni, sidomos kryetari i tij, edhe sipas porosive politike që kishte marrë nga vet Hashimi, i miratonte dhe nënshkruante pa ndonjë verifikim kërkesat e njerëzve për veteranë, invalidë e dëshmorë! Aplikimi dhe angazhimi për ta fituar statusin e veteranit e invalidit nga një përqindje e mirë e njerëzve u bë edhe për shkaqe të gjendjes së tyre të rëndë ekonomike e sociale. Ishte kjo qeverisje që i kishte sjell në këtë gjendje dëshpruese qytetarët tanë.

Më e pafalshme për këtë komision të Hashimit është dhënia e statusit të veteranit ose invalidit edhe atyre që ishin të angazhuar me fjalë e me shkrime (propagandë), me sjellje e me veprime kundër Luftës Çlirimtare, sepse ishin në anën tjetër, ishin bashkëpunëtorë të Serbisë! Ishte pikërsiht Hashim Thaçi (kryeprotagonisti) dhe grupi i tij që për përfitime politike dhe elektorale ishte marrë vesh me kreun e LDK-së që të bëheshin veteranë me një të rënë të lapsit edhe mijëra “luftëtarë” (struktura) të LDK-së që kishin organizuar “ministrinë e mbrojtjes” në fillim të viteve të nëntëdhjeta (për qëllime paqësore!)! Veteranë, me kutin e Hashim Thaçit, u bënë edhe shumë të tjerë që gjatë viteve të Luftës ishin përpjekur pa sukses të organizonin disa struktura e formacione kundër Luftës Çlirimtare! Një pjesë e këtyre strukturave dhe e këtij formacioni ishte ruajtur me fanatizëm për ta “pushtuar” Kosovën pas çlirimit! Edhe këta dainj janë bërë veteranë! Askush nuk i përgojonë këta! Sepse mediet e kontrolluara dhe të financuara nga të huajt dhe bashkëpunëtorët e tyre mafiozë, sahalëpirës e të korruptuar janë të zëna me përgojimin dhe fushatën e egër kundër Luftës Çlirimtare, lirisë së Kosovës! Shigjetatë e helmit i janë drejtuar Luftës Çlirimtare dhe asaj që e organizoi dhe drejtoi atë,-LPK-së!

Të gjithë bashkë kundër Luftës Çlirimtare

Lufta Çlirimtare e LPK-UÇK-së dhe e kombit shqiptar u përfundua me dëbimin e tërësishëm të forcave ushtarake e policore dhe administratës, së tij pushtuese. Dëbimi i Serbisë nga Kosova u ndihmua dhe shpejtua nga bombardimet e NATO-s. Fitorja ishte e plotë. Mirëpo, vendosja e KFOR-it, UNMIK-ut, OSBE-së dhe e shumë organizatave (jo)qeveritare e shërbimeve sekrete krijoi “klimën” e duhur për riorganizimin e gjithë rrjetit të spiunazhit dhe të bashkëpunëtorëve të pushtuesit në Kosovën shqiptare! Serbia pak nga pak po “rehabilitohejë”! Krimet, terrori, masakrat dhe gjenocidi (edhe spastrimi etnik “kualifikohet” si gjenocid) serb po “harroheshin” nga prania ndërkombëtare dhe nga mediet e nga partitë shqiptare që e kishin “bishtin e zënë” nga e kaluara e tyre kolaboracioniste ose nga e tashmja e korruptuar me pasuri e përfitime jolegale e kriminale! Kështu muaj pas muaji e vit pas viti po kompletohejë “orkestra” antishqiptare! Klasa politike (e reja dhe e vjetra) dhe mediet e kontrolluara prej tyre e prej të huajve ishin bërë robër të konceptit antishqiptar të një Kosove të “hapur ndaj Shqipërisë dhe ndaj Serbisë”! Populli shqiptar i Kosovës dhe vullneti i tyre për pavarësi dhe shkëputje të plotë nga Serbia ishte harruar! Temë e përditshme ishte pakica serbe dhe trashëgimia fetare e kulturore “serbe” në Kosovë! Zgjidhja kërkohejë te krijimi i një entiteti territorial e politik serb në Kosovën shqiptare! Por, kjo nuk mund të thuhej hapur në vitet e para të pas luftës... Nisi me krijimin e enklavave serbe, pastaj vazhdoi me krijimin e komunave “serbe”, në emër të “decentralizimit”, dhe me “zonat e mbrojtura”! Në fund të këtij procesi tërësisht antishqiptar erdhi marrëveshja e Brukselit për krijimin e Bashkësisë së komunave serbe (entitetit territorial e politik serb) dhe bisedimet (që po vazhdojnë!) për interesat e Serbisë në Kosovë në stilin “edhe ajo duhet të fitojë diçka”!

Për ta mirëmbajtur dhe siguruar këtë proces kërcënues për lirinë e Kosovës shqiptare bëhejë propagandë, agjitacion, fushatë arrestimesh, dosjesh, hetimesh e dënimesh ndaj luftëtarëve të lirisë dhe ndaj vetë Luftës Çlirimtare! Kjo për arsye se bota nuk ishte e gatshme të pranonte fajet dhe krimet që kishte bërë ndaj kombit shqiptar dhe Shqipërisë, duke e copëtuar atë në pesë shtete! Krijimi i shtetit të dytë shqiptar, Kosovës, do t’i prishte ekuilibrat e vendosur në Iliri-Ballkan nga Fuqitë e Mëdha! Prandaj, një Kosovë më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi-shtet (“e hapur ndaj Shqipërisë dhe ndaj Serbisë”!) ishte “zgjidhja” e pranueshme! Në funksion të këtij projekti u vunë maca e kuca, zagarë e zuzarë! Për këtë qëllim u “organizua” në heshtje edhe zbrazja e Kosovës, shpërngulja masive e shqiptarëve, ndërsa vaji bëhejë për shpërnguljen e serbëve! Në këtë kuptim mund të konludojmë se ata tashmë nuk e kishin me Luftën Çlirimtare, por me frytin e saj: lirinë e Kosovës dhe shkëputjen e saj nga Serbia, të cilën nuk mund ta përfytyronin, ta duronin dhe ta toleronin të plotë!...

Çështja e veteranëve

Për degradimin e Luftës Çlirimtare dhe për ta shtyrë projektin e tyre anti Kosovë u sajua edhe “çështja” e veteranëve! Komisioni i Qeverisë nxori rreth 60 000 veteranë të UÇK-së. Ishin pak si shumë. Kishte edhe të pamerituar! Kishte në ato lista edhe të tillë që kishin qenë të angazhuar kundër Luftës Çlirimtare! Po kush ishte përgjegjësi? Ishte Komisioni që bëri verifikimin dhe Kryetari i Komisionit. Kush e themeloi Komisionin? E themeloi Qeveria e Republikës së Kosovës. E pra, ky Komision i përgjigjejë Qeverisë, prandaj ajo ka përgjegjësitë e saj. Tek e fundit, Qeveria mund ta shkarkonte atë Komision dhe të emronte një Komision tjetër për (ri)verifikim, siç bëri me Komisionin për demarkacionin me Malin e Zi! Mirëpo, Qeveria, (para)politika dhe dreqi e i biri nuk donin verifikim, nuk donin drejtësi, nuk donin vlerësimin e Luftës Çlirimtare, por angazhoheshin dhe kishin për qëllim zhvlerësimin e Luftës dhe të luftëtarit të lirisë në sytë e popullit dhe të botës! Po të donin do të bëhej lista e saktë e veteranëve. Dihet saktë kush ku ka qenë gjatë luftës e para saj, kush çka ka qenë dhe kush çka ka përfaqësuar para dhe pas luftës... Për këtë duheshin (anti)mediet, prokurorët politikë, parapolitika, organizatatë (jo)qeveritare, shërbimet e nëntokës dhe gjithë llumi antishqiptar! Sipas kësaj fushate, që vazhdon edhe sot, kjo “armatë” e veteranëve po e shkatërron shtetin, po e bankroton me ato ndihma sociale që po përfiton! Kroacia ka 505 000 veteranë dhe nuk e ka bër “çështje” shtetërore punën e veteranëve. Edhe atje thuhej se pas mbarimit të Luftës, sipas Tuxhmanit, kishte 360 000 luftëtarë. Bile edhe kjo shifër nga njohësit e asaj lufte kundërshtohet, sepse thonë që nuk ishin më shumë se 150 000 luftëtarë. Republika Serbe i paska 60 000 veteranë! Çfarë lufte bënë serbët e Bosnjës dihet!...

Po kthehemi në vendin tonë, në Republikën e Kosovës. Sipas të dhënave të përafërta Jugoserbia në Kosovë kishte rreth 60 000 bashkëpunëtorë të niveleve, profileve dhe shtresave të ndryshme! Të gjithë këta janë shëndosh e mirë! Asnjërit prej tyre nuk i ka munguar as qimja e flokut. Nuk janë nxjerr ligje dhe as nuk pati drejtësi tranzicionale për “verifikimin” e tyre! Amerika i kishte shkuar në “skaner” 200 000 japonezë pas Luftës së Dytë Botërore. Deri edhe mësuesit që kishin indoktrinuar fëmijët e rininë japoneze i kishte larguar nga puna. Kryeministrin dhe gjashtë zyrtarë të lartë japonezë i kishte varur në litar për përgjegjësit e tyre politike e shtetërore gjatë luftës. Mijëra të tjerë ishin dënuar... Ndërsa te ne, jo vetëm nuk u dënua kush, por të gjithë këta dhe fëmijët e tyre kanë zënë e rizënë pozita në drejtësi, në administratë, në polici, në FSK, në politikë, në ekonomi, në arsim, në shëndetësi, në medie... Asnjëri prej tyre nuk është pa punë! Të gjithë këta marrin rroga të majme dhe gëzojnë privilegje në Republikën që nuk e deshën, madje e luftonin dhe e luftojnë edhe nga pozitatë që mbajnë sot! Pastaj, administrata e Kosovës numron rreth 80 000 veta! Po të matet me të gjitha standardet dhe kriteret del që mbi 30 000 janë tepricë dhe marrin rroga kot! Në këtë shtet edhe mijëra serbë marrin rroga të majme për të propaganduar dhe vepruar kundër Republikës së Kosovës dhe pavarësisë së saj! Një pjesë e mirë e tyre kanë qenë edhe pjesë e represionit, e terrorit dhe gjenocidit mbi shqiptarët! Nuk po flasim këtu për klasën politike dhe shtetërore që, bashkë me praninë ndërkombëtare, shkatërruan ekonominë, industrinë (sado e varfër që ishte) dhe pasuritë e Kosovës! Në fund të fundit shteti ka detyrim që qytetarit të tij t’ia sigurojë një minimum jetese... Kur shteti nuk i përmbushë detyrimet e tij, atëherë qytetari është i shtrënguar nga varfëria të shfrytëzojë të gjitha “shtigjet” për të siguruar një kafshatë buke. Një pjesë këtë kafshatë buke kanë menduar ta sigurojnë duke u bërë “veteranë”! Kuptohet me miratimin e Komisionit qeveritar! Një përqindje e madhe e qytetarëve tanë “shpëtimin” nga gjendja e rëndë dhe e pashpresë, ku e ka katandisur qeverisja e korruptuar, e paaftë dhe kriminale, po e kërkojnë duke ikur nga vendi! Më shumë shqiptarë kanë ikur nga Kosova pas Luftës se para saj! Pse po ikin? Për të përfituar të paktën një ndihmë sociale, një minimum jetese në vendet e zhvilluara, por edhe me shpresën që një ditë do të fitojnë të drejtatë e tyre në ato vende edhe për punë etj. Qytetarët e Kosovës po ikin për të siguruar mbijetesën dhe me shpresë e besim më shumë te vendet e huaja se në vendin e tyre! Pra, bota paska “detyrim” me u dhënë një copë bukë dhe një strehë e shërbime tjera qytetarëve tanë, ndërsa Republika e Kosovës (vendi i tyre) nuk paska asnjë detyrim ndaj tyre! Ky nuk është vetëm turp, se këta turpin e hanë me mish e me verë, por ky është krim që po bëhet ndaj këtij populli...


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Selver Mackaj 2

Selver Mackaj 1

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks