SHKRIMI
e mërkurë, 19 dhjetor 2018

BESIM CENGU: DUKE U MARRË ERË LULEVE TË LUMËS

Tiranë, 15 nëntor 2018:

Sekreti i magjisë krijuese

Kompozitori i shquar Aleksandër Lalo që vërtet qe një muzikant i madh, e pat ndjerë magjinë e këngës së krahinës së Lumës. Ai sa herë na takonte Maliq Cenës dhe mua, ndalej dhe plot frymëzim futej brenda shpirtit artistik të Lumës dhe na interpretonte këngën e bukur:


“A e mban mend moj e vogël, o

kur të gjeta moj vetun o

Nuk me gjete vetun o

po me gjete me nanën o...”


Shkrihej i tëri në këtë art dhe bashkë me mjeshtrin e madh të paharruar këndonim edhe ne. Uleshim të pinim kafe me të dhe këndonim ...këngën “A e mban mend moj e vogël o”, por edhe “Ah, more djalë jezit, more djalë”, “Ani na u shemb tufa, moj Hatixhe”, Krisi pushka bregut të Drinit” etj.

Në sytë e dy artistëve lexoja jetën, nostalgjinë dhe lumturinë, por edhe vlerën e jashtëzakonshme të këtyre krijimeve brilante.

Kënga e Lumës si hapësirë dhe harmoni

Ç’farë ritmi e harmonie të jashtëzakonshme kanë këngët e krahinës së Lumës! Krejt e veçantë prej trevave të tjera. Kënga e Lumës ka hapësira të pamatë dhe si e tillë është shumë e vështirë për tu ekzekutuar. Një lloj si opera. Fjala e zgjedhur, lëmimi, ngjyra...shtrirja vokale në 7/8 i jep hapësirë dhe thellësi.

Të interpretosh “Këngën e çobanit” apo “I hipa vaporrit” është tepër e vështirë. Sa mund i madh i duhet interpretuesit! Vetëm një vokal si i Rexhep Kovaçit ku për një shekull tek ai janë mbledhë energjitë krijuese të asaj krahine mund t’ia dalin në krye. Këngëtarë të përmasave të tillë kanë lindur e janë kultivuar vokalisht për t’i interpretuar këto këngë të lëmuara deri në përsosmëri.

Lëmimi i vargut si status përjetësie

Askush nuk mund ta lëmojë vargun me lëndë artistike dhe ta arrijë idenë që do si artistët lumjanë që lindin dhe rriten në këtë mjedis artistik. “...More vëllai i motrës o/ topsheqeri i amël o...”, - thotë kënga e Lumës.

E si mund të përcaktohet më mirë dashuria e motrës për vëllain dhëndër duke i thënë atij “topsheqer”?

Kemi patur vetë fatin, që fëmijërinë ta kemi kaluar mes erës së këndshme të këngës interpretuar nga zëri i motrës, të këtyre luleve të bukura, që mbetën saherë gonxhe.

Këto krijime kanë magjinë për të mos u shterrë kurrë nga aroma e freskia. Këngë të tilla kanë fituar statusin e përjetësisë duke kapërcyer përtej epokave.

Art i krijuar në gjendje amoku

Mrekulli e vërtetë është kënga e vajzës për djalin. Kush nuk e ka dëgjuar të famshmen këngë "Qe di a tre ditë si t'prëjta n'udhë", e nuk është magjepsur nga ajo.

Rrallë mund të gjendet tjetër krijim kaq emocional deri në përmasat sipërore se sa kjo këngë. E krijuar në një stad të lartë gjendjeje zemërdridhëse jo thjesht të individit krijues, por të një populli të tërë që jeton në këtë situatë psikologjike.

Djali e pret vajzën në udhë, por lulja nuk vjen kurrë, se ka shkak, shkak të madh që vë në lojë jetën. Nuk e lënë që të shkojë atje në atë takim të bekuar. Nuk e lenë, se nuk lejon morali shoqëror, zakoni, mentaliteti, nderi i familjes së vajzës.

Raste të kësaj natyre i vret opinioni shoqëror e rrethimi fanatik. Prishja e konstitucionit shpirtëror tradicional ndërtuar për shekuj me rradhë, është puthuajse i pamundur. Duke jetuar pareshtur ne këtë terren social kemi të bëjmë me një dukuri krejt origjinale; në privimin e të rinjëve kundrejt asaj që është njerëzore dhe e natyrshme, në pengimin e lirisë natyrore për të dashuruar.

Nuk lejohet të dashurojë dhe nuk merret parasysh se kjo ndrydhje shkakton anomali të pariparueshme psikanalitike. Kjo ndrydhje shkakton anomali subkoshiente deri në situatën e të jetuarit të jetës në kushte anormaliteti. Në këtë gjendje sigurisht gjen reflektim edhe shpirti artistik dhe është afërmendsh se krijimi artistik del si produkt i kësaj gjendje: e brishtë, e ndjerë, e kristaltë, delikate, diku midis baladës dhe këngës së vajit.

Produkt artisik që buron nga “shpirti i plagosur”

Troket fort zemra e djalit në rrugë në pritje, mundohet t’i dalë nga krahërori si zog kafazi edhe zemra e vajzës, nga pamundësia e takimit për shkak të rrethanave.

E vajza nuk ka se ç’bën; justifikon takimin se e ka nënën "të lig tuj dekë". Është logjike. Ajo nuk do t'i japë fund dashurisë me djalin, se shikon dritë në shpirtin e vet. Dëshiron dhe kërkon me këmbëngulje vazhdimin e dashurisë së heshtur se beson, beson ne dashurinë, beson në jetën. Por nga ana tjetër, rrethanat janë të vështira.



Marrëzia mjedisit social e familjar shkon deri në barbari, deri në marrjen e jetës së vajzës për hir të dashurisë së saj të çiltër e të pastër si uji i krojeve ku vajza mbush çdo ditë enët.

Ndoshta djali diku e pret, por ec e ktheje kokën vajza për të parë të dashurin e vet, ec e jepi një shenjë, nga ato të njohurat shenja që i jep e dashura të dashurit.

Se retë e zeza qëndrojnë pa praj mbi kokën e tyre, duke pritur që të hedhin mbi ta rrufenë e pamerituar. Ky ka qenë mjedisi social kur është krijuar kjo këngë.

Prandaj kënga e Lumës është e pavdekshme, se arti i madh zakonisht ngrihet në kushte privimi e ndalese. Ajo është krijuar dhe interpretuar nga individë që janë esencialisht pjellë e këtij mjedisi ku janë ngjizur të gjitha ndjenjat humane dhe artistike në kushte specifike.

Mirëpo kur dashuria lind në këto kushte, është shumë më tepër emocionale e shpërthyese. Më mirë se kudo këto emocione shpërthejnë në këngë. Vrulli i saj merr udhën e është e vështirë të ndalet. Kjo ndodh për dy arsye.

Së pari, për shkak të përpjekjeve të pareshtura për ndalimin e dashurisë nga opinioni shoqëror e familjar.

Së dyti, nga zhvillimi i një drame dashurie të heshtur nën këtë “terror”.

Të dashuruarit kanë për t’i thënë shumë njëri-tjetrit, por s’mund t’ia thonë. Jetojnë në përqafim, por s’e përjetojnë. Kanë nevojë të kuvendojnë me sy, por s’janë pranë...

Ky peng nuk ështe gjë tjetër veçse kusht për grumbullim energjish që një ditë do s’do do të shpërthejnë. Dhe më bukur se në këngë kjo gulfatje shpirtërore s’mund të ekspozohet askund tjetër.

Britmë e dimensioneve apokaliptike vërtet

E vajza shpërthen më në fund, ndërsa “klithma” apo britma e saj ngjason me një tragjedi:

Medet, djalo, medet si u martove

nja di molla, more djalo, si s'm’i qove

Kur t'më marrë malli për ty

t’i marr mollat t’i ruj në gji

Kur t'më marrë malli fort

t’i marr mollat t’i laj me lot.


Medet... çfarë britme! Apokaliptike vërtet: Medet...

Kështu njeriu shtërngohet të shfryjë emocionet e veta vetëm ku ndodhet në pozitë të mjerë, i plagosur rëndë në shpirt dhe i zënë ngusht si në derën e Ferrit. Vajza e dashuruar është detyruar të vajtojë në këtë mënyrë kaq dramatike.

Kjo dreq jete nuk është së përsëritet edhe një herë nga fillimi. Jeta është vetëm një shans. Prandaj koha e saj është e shtrenjtë dhe e çmuar. Nuk ka dhuratë më të çmuar se koha, që perëndia na dhuron për ta jetuar. Prandaj ajo duhet të gëzohet e të mos pengohet. Si më e çmuara nuk mund të cënohet nga askush. Por...

...Vajzës mjrerisht i janë vrarë ëndërrat. Pikërisht ato që përbëjnë esencën e jetës e domethënien e saj. Duke iu këputë shpresat, duke i ndalë vrullin dashuror, më në fund, djali, shpresëthyer, shpirtplagosur e i dëshpëruar është larguar përfundimisht nga bota e saj vajzërore në kërkim të një dashurie tjetër.

Prit e prit, i shkreti, po gjeraqina e saj nuk është lejuar të dalë nga kuvlia ku është mbërthyer. Sa e sa herë djalit i ka mbetur koka në dritaren e vogël ku dy sy të përlotur e shoqëronin dhimbshëm.

Drama e “shpirtrave të rinj” tek arti i Lumës

Në Lumë nuk mund të gjendet fjalë artistike më e gjetur ngarkese emocionale se sa “medet”. Brenda saj ekziston gjithë drama e shpirtit të ri, shpirtit të rrënuar, gjithë tragjedia sociale tradicionale e kësaj krahine.

"Medet djalë s'i u martove"!

Varg i dalë nga fundi i shpirtit të vajzës “të sëmurë” nga dashuria. Nuk ka faj se është në stinën e vet, në stinën e dashurisë, gjelbërimit të jetës. Brenda këtij vargu ka gjithçka, ka thelbin e kuptimit te jetën, komlpeksin e saj, ka emocionin njerëzor, ka përmasat humane të jetës njerëzore.

Një varg i tillë nuk mund të dalë nga një shpirt i zakonshëm, por vetëm nga një shpirt që njeh dhe kupton mjaft mirë jetën ne kushte specifike, ia di si rrallëkush rëndësinë e saj.

Megjithatë edhe pse vajza shikon se iku përgjithmonë djali për shkak të rrethanave, ende kërkon të jetojë me kujtimin e tij, me shpresën e rikthimit.

Simboli apo shenji janë mollat, simbolika poetike pothuaj në të gjithë krijimtarinë lumjane. Mollët si dhuratë e djalit që ruhen me gjelozi si gjëja më e shtrenjtë në gji. E ku tjetër? Ku ka vend më të sigurtë e të ngrohtë se gjiri i bardhë e i pastër si kristali i vajzës?

Vajza shkon më tej, duke e përdorur shenjës si ç'mallje. Atë kur ta marrë malli e ta pushtojë kujtimi për djalin, ka se ç'bën, kuvendon me mollat, i sheh me sy ato, i lan me lotë dhe më pas qetësohet disi, kalon si nëpër ëndërr disa qaste që janë shumë të shtrenjta për jetën e saj.

Art i bukur deri në trishtim

Duke qenë kështu, në shumë raste materiali artistik është i paparashikueshëm e shpërthyes, befasues deri në dramacitet, si në përdorimin e fjalës "medet", "ai", "haj", "iho" etj.

Sa më shumë që të ndalet, aq më shumë disponohet tentativa e shpërthimit.

Ndoshta është ndër të vetmet krahina, ku për hir të dashurisë, i është cënuar jeta shumë lehtë edhe vajzës, edhe djalit. Veçanarisht vajzës. “Sopata” e babës, vëllait apo dikujt tjetër ka rënë pa mëshirë mbi kokën e saj sapo dashuria e saj për djalin ka këputur zingjirët e sekretit e është bërë publike.

Pikërisht këtu qëndron edhë e fshehta e burimit të këngëve brilante që gjenden në këtë trevë.

...Dhe jehona hyjnore e këngës “A e mban mend moj e vogël o” lëvrin përjetë në koshiencën tonë artistike si një magji përjetësie.


Yjet e Folklorit Rapsodet E Lumes kuksit Dida voka Halili 2017


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Selver Mackaj 2

Selver Mackaj 1

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks