SHKRIMI
e shtunë, 24 gusht 2019

PETRIT RUKA: HANKO, MOS SHKO NËPËR VARRE (Baladë)

Tiranë, 19 shkurt 2019: Prej gati pesë shekujsh vazhdon keqkuptimi i madh se balada rrënqethëse: "Hanko mos shko nëpër varre, / Se të vdekurit i ngjalle, / Të gjallët i vdiqe fare", është një romancë dashurie. Është krejt e kundërta dhe do të mjaftonte veç vargu i parë i këngës origjinale (i harruar, a i humbur) për ta përmbysur kokë e këmbë keqkuptimin fatal për një nga kryeveprat e folklorit shqiptar.


"Ç'deshe ti në Kamenicë1)"

Zonjëz e rëndë e Zhulatit?2)

Kamenica është kapicë

plot me korba,... derdhur fshatit.

Ç'deshe në derë të babait,

Kamenicë tani nuk ka,

Këndon qyqja portë më portë

Sorra hidhet tra më tra.

Kamenicën e shoi turku

Kusht me vdekje; ndërro besë,

"Java shtatë e juve tetë

Ju pret shpata mes për mes."

Shkulni kryqet gjer tek varret

nga qafë e grave - fildish,

ndryshe do t'u gdhendim hënën

me këllëç - damkë në mish,

Shkulni stemat me zhgabonja

Nga portikët me mermer,

Shembni kishat dhe bujtinat

ku burojnë përrenj me verë.

Ti Kristian do jesh Mahmud,

Ti Dorinë do jesh Qefsere,

Fjala Zonjë do bëhet Hanko,

Vend i tyre është pas dere.

2.

Ç'kërkon ti në Kamenicë,

e martuara në Zhulat,

"Kërkoj babë e kërkoj nënë

i kam gjallë për fat.

Kërkoj gjyshen në varreza.

Varri qenka bosh!

Po luaj mendsh, ah, unë e zeza

lotët i heq osh..."

Kot kërkon, o Zonjë, o Hanko,

Kamenicë më nuk ka,

Kamenicën e piu deti

në një natë hata.

Një nga një në kishë, mbi kokë

Gratë derdhin hi,

"Hi u bëfsha fis e fare,

Po kam tradhti!"

Gurin e betimit, burrat

E kalojnë mbi krye,

shoku, shokut, vall’e çmendur,

Burra apo yje?

"Gur u bëfsha, gur i varrit

Po lëshova besë!

T'ju fsheh lotin, dërgon Zoti

Një qiell e ca vesë...

Asnjë lajm s'do dalë prej fshati,

urdhër kapedani,

Çupat e martuara larg,

në të gjallë i qani...

Shkulni çfarë merret me vete,

Ç'mbahet përmbi shpinë,

Nesër mbi anije, natën

Të zgjedhim lirinë.

Iku Kamenica, iku,

Me kuje në kokë,

"U3) të lashë e më s'të pashë"

Shembu ti moj tokë!

Është akoma duke rendur

Kalabri e tutje,

Kocka etërish krrak e krrak

U grinden mbi supe.

Portat me shqiponja shpinës,

Qajnë Arbërinë,

Ata ik, e ato rrugës

po u hanë mëlçinë...

3.

Hanko mos qaj nëpër varre,

Të lutet kunata,

Se të vdekurit i ngjalle,

Mos i nxirr nga nata!

Hanko mos shko nëpër varre,

Mos i laj me lotë,

Të gjallët i vdiqe fare,

Ikën nga kjo botë.

Hanko, t'u prish nëpër varre

qumështi i gjirit,

Çdo t'i japësh çilimiut,

pikës së floririt.

Hanko, mos qaj nëpër varre,

Syri t'u bë gjak,

T'u prish bukuri e gruas

që ndez gurin flakë.

Hanko, t'u thinjën balluket

që kullojnë ar,

Të vjen vjeshta, të merr supet

s'kemi më behar.

Hanko mos qaj më me ligje,

Ngjethe gurë e drurë,

Ngrinë sorkadhet, qajnë në shtigje,

Era u bë mur.

Myken valët sipër detit,

mjegullat u nxinë,

Si shami të zeza koke

Mbuluan Arbërinë...

4.

...

Hanko, mjaft qave në varre,

U bënë 500 vjet,

Këtë radhë lutjen e madhe

ta bën një poet...

Ta bën poezia shqipe,

shpirtin mos ia merr,

500 vjet rrotull si qyqe

ndrit e hyr në terr.

Dil nga radhë e parë e fjalës

të kalojë një tjetër,

Shtyhu pak mënjanë! Mëshirë!

Bukuri "e vjetër"

Dil nga vaji e merr pak frymë

Tek kjo kënga ime,

Nëpër varre bie veç brymë

Llohë e drithërime.

Hidhe supeve si mánto

Një baladë si kjo,

Në çdo fjalë ka tre bekime

Prehu pak mbi to!

Aman, ulërimë e bardhë,

Aman, moj Hanko - ooo!...

1). Kamenica: fshat - qytezë në malësinë e Delvinës, sot i zhdukur, me 606 shtëpi dhe 12 kisha përkundër detit, banorët e të cilit morën arratinë rreth viteve 1650, drejt Italisë, për të mos iu nënshtruar pushtuesit të egër osman. Ende gërmadhat madhështore me tre dhe katër kate në këmbë dëshmojnë tragjedinë e arratisë masive të Kamenicës martire.

2). Zhulati: fshat kufitar me qytezën e Kamenicës, gjendet ne krahinën e Kardhiqit - në rrethin e Gjirokastrës

3). U : është trajta e famshme e përemrit vetor "unë", që është e gjallë sot e kësaj dite në të folurën e malësive të Labërisë dhe tek vëllezërit tanë të Kalabrisë.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks