SHKRIMI
e enjte, 18 korrik 2019

MIRA MEKSI: LETËR PËR LETËRSINË E MOIKOMIT

Tiranë, 16 maj 2019:

I dashur Moikom,

Kur lexoja librin tënd “Deti Kanibal” përnjëherë dhe pas tij “Plagosja e Kujtesës” të shkrova, - që vargjet e tyre po i shijoja shumë, - nga pak çdo ditë, me gllënjka-vargje, njëlloj, - siç shijohet një verë e çmuar.

Ashtu siç i lexoj përherë vargjet e tua, dehem lehtë me to,- ndonëse bëj kujdes të mos lexoj njëherit më tepër,- se 20 - 30 syresh ( marrëzi bën njeriu shumë i dehur) - dhe ngjitem në të tjera lartësi të Ekzitencës,- në të tjera dimensione sipërane,- që Kozmosi yt Poetik krijon.


Por nuk po të shkruaj për to.

Nuk po të shkruaj për romanin e Julia Krisevës “Meurtre à Byzance » ,-që më sygjerove pikerisht ti dhe vetem ti- ta lexoj,- pasi të ishte kujtuar,- kur lexove novelën time « Pa zemër në kraharor » dhe më shkrove:

“ U zhyta në leximin marramendës ,i zotëruar nga idea e udhëtimit a e fluturimit në një shumësi labirintesh.

Mira e dashur, nuk është tregim,por shpalosje,- më shumë një bërthamë romani ,-një Fantazmagori Spanjolle dhe e Botës Prekolumbiane,- një prerje rrathësh e realiteteve dhe mitologjive.

Teksti yt letrar është gjithashtu një Ekzotikë dhe Shqetësim Universal! “

Dhe ditë më pas ,- kur po kuroheshe per Leucemine në Greqi,- më dërgove tekstin:

“MJEKË,MJEKË ... PA ZEMËR NË KRAHËROR!

Teksti yt!

Të jesh "një trëndafil pa kopësht".

Të pish mijra dolli pilque-pijen e bardhë te actekëve!

Në vend të vrisnin Frida Kahlo-n vranë Trockin! Ah,kafka e madhe prej sheqeri e Fuentes!!

Ah,guri mistik i jadës!

Ah, QUETZALCOATL-I, Gjarpëri me Pendë !

Të jesh rishtarja e Erosit te actekëve-duke mos qenë!

Teatër kukullash druri që bëhen fëmijë prej mishi dhe gjaku të Colodit të jashtëzakonshëm-sepse Burotinoja është vëllai i vërtetë i Lizës në Botën e Cudirave.

Gjatë qëndrimit në Greqi një ditë shkova në Eleusina,tek tempujt e riteve të Demetrës,të Persefonit, të Kores dhe të Teleforit, të Mistereve Eulisiane.

Aty ishte një shpellë,e mbiquajtur si e Plutonit,ku dikur kishte gjarpërinj të shenjtë si hyjni të nëntokës, ktonike-vëllezër virtualë te Gjarpërit me Pendë të actekëve.

Aty përjetova disa çaste plot dhimbje,mbase tëre amëshimin-sepse kjo shpellë konsiderohej si Porta e Hadit.”

Nuk po të shkruaj për Borges-in, mjeshtrin tonë, plakun dinak, që te “Shifra” thotë se ai po i lexon fjalët e mia, po i shpik ato.

Apo te rikujtoj dhe komentet tona për vërtetësinë e këtyre fjalëve, ngase jetojmë në një të vetme botë;- as për “ Pierre Menard-in” e tij dhe përgjigjen time letrare ndaj hamendësimit të Borges-it për një Pierre Menard të Dytë,- kur thura tregimin “ Pierre Menard-i i Dytë”- me mendje te ti Moikom .

Sepse je ndër të paktët,ose i vetmi, që mund ta shijoje tregimin tim, pasi, mbi të gjitha, njihje “ në majë të gishtave” atë,- që pat shkruar Borges-i, dhe se ai tregim- të pëlqente përmbi gjithë të tjerët- e shkruar prej tij.

Sepse do ta shijoje si askush- sidomos palimsestin e Cervantes-it që imagjinova, ti që e ke palimsestin Specialitetin tënd.

Dhe më shkrove:

”E dashur MM.


Mos më thuaj se gërma e dyfishtë MM nuk lidhet me Menard-in e Borges-it.

Për të zhvarrosur dhe ringjallur ato Troja!

Sapo e lexova tregimin tënd në “Milosao”.

Habitërisht më tingëlloi si Pierre Menard-i i Tretë.

Po Pierre Menard-i i Katërt?

Po i njëmijti?

Po Pierre Menard-i Zero?”

Nuk po të shkruaj për kartolinën ,-që Xhevo Spahiu të solli ty nga Parisi- dhe që mbante në frëngjisht dy vargjet e tua,- foton e së cilës ma dërgove: ishte një mol i bardhë ne qytetin Sette ,- te lindjes se Paul Valeryse,- përmbi të Kaltrën e detit,- me një Far në horizont.

Dhe vargjet e tua,- gdhendur me kripë të bardhë[- përmbi hapësirën e kaltër.

Të shkrova: “vargjet e tua mbajnë në krahë pluhur dritëhëne.”

As për librin tënd “ Eshtra Zodiaku”,- nuk po të shkruaj, ku ndodhet një poezi që ma ke kushtuar mua,- vargjet e të cilit kanë absolutisht atributin- të të nxjerrin nga çdo lloj gjendje e keqe ,-ku mund të ndodhesh- dhe të bëjnë të ndihesh mirë,- në një botë me ngjyra, -përtej këtij realitetit të pashije të çdo dite...

Nuk po të shkruaj për Ernesto Sabaton,- shkrimtarin e madh të botës,- shkrimtarin tonë më të madh të të gjitha kohërave,- shkrimtarin që,- ashtu si ne ka stërgjysh- Skënderbeun.

Më kujtohen shpesh bisedat e vyera simultaniste me të- Sabaton ,- kur erdhi atë fundprill të viti i 1996 në Tiranë- për të marrë çmimin letrar- që i kishim përgatitur ne të gjithë,- me Fondacionin Velija në krye.

I kemi përmendur shpesh ne të dy fjalët e tij, amanetin e së ëmës arbëreshe, dëshirën përvëlonjëse të Princit të Letrave Argjenitinase,- për të mos ikur nga kjo botë pa parë malet e Shqipërisë...

Dhe përkrenarja e Skënderbeut në shkrimëtoren e Sabatos ne Santos Lugares, dhe Lulja Supernatyraliste ,-që pikturoi përmbi një pecetë letre- dhe na i la si kujtim një muzg,- në Dhomën e Verërave të Restorantit Piazza-s...

Nuk po të shkruaj as për Lukianin nga Samosata,- Rehtorin e shekullit të II, -i cili shfaqet në tregimin tim “Pasqyrat” për pasqyrën,- që mundi të këqyrte në Hënë.

Më shkrove se Lukiani konsiderohej si “Volteri i Antikitetit”,- se e kishe përmendur shpesh në krijimet e tua dhe, pasi komentuam gjatë librin e tij,- që porsa kisha lexuar “ Histori të vërteta”, më dërgove tregimin tënd të gjatë dhe të mrekullueshëm mbi Aleksandrin e Rremë,- të frymëzuar prej një subjekti të Lukianit nga Samosata.

Ishte koha kur kisha lexuar dy tregimet e tua,- po aq të pazakonta e magjike : “ Enigma e Napolit” dhe “ Andrea Manesi”.

Nuk dua të ndalem as te labirintet,- të gjitha labirintet,- që kemi zënë ngoje gjatë komenteve tona pa fund.

Veçanërisht labirinti i Drakulës në tregimin tim te “Flutura mes gjinjve”,- për të cilin më shkrove:

“E dashur Mira,

Brenda Mirës është labirinti i dyfishtë, i paraardhësve dhe pasardhësve të tu- mijëra nga e Kaluara dhe miljona nga e Ardhmja.

Tregimi yt për labirintin më kujtoi metaforën e futjes në një Perpeetum Mobile te një Thriller-i.

Kam kaluar shumë netë në Budapest .

Dhe kam shkruar:

“ …I mësova tërë Drakulat të jenë vegjetariane…”

Së fundi, nuk po të shkruaj as për Teutën e Ilirisë,- bisedat tona ndër vite për të,- dhe as për Misterin, vagullinë, mjergullën e dendur që mbulon vdekjen e saj,- ku hodha spirancën e lëndës,- që ngjizi kozmosin e nderlikuar, nebular, inkandeshent e “ Mallkimi i Priftëreshave të Ilirisë”; -pikërisht në një vargun tënd intim,- enigmatik,- që hamendsonte vetvrasjen e saj,- kthimin e Saj në re…

Shpirti hyjnor Teutës, -i çliruar nga Njerëzorja,- Prijësi Shpirt i Ilirisë- dhe i Kohërave të Pafundme.

Po të shkruaj në të vërtet për PSALMET.

Jo ato të Davidit, Psalmet e Tua,- liturgjinë tënde poetike,këngët e Biblës së Shpirtit tënd.

Janë të magjishme.

Janë të jashtëzakonshme.

I lexoj dhe i rilexoj duke mbajtur frymën,- duke i dëgjuar herë në hebraishten parake të ëndrrës,- herë me muzikën e një instrumenti të lashtë me korda,- që Kohërat Moderne ia kanë fshirë emrin.

Më mbrojnë, më lartësojnë, më rrëfejnë udhën sipërane...

PSALMI YT 153.:

“ O, Fjalë e vërtitshme mes hapësirave,

që je Trandafil i Erërave!


Pse mermeri i skalit heronjtë e vrarë mes baltës?


Ah, përfytyrimet janë kafshët,

që poeti i pjell në kopështin zoologjik të metaforave!

Gjaku ikën si zvarranik i lashtë,

i kuq në shkretëtirën blu!

Dhe dëbora na mbështjell

si qëndisje baroke dantellash

bërë nga gishtat e magjishëm të ajrit!

O, gramatika memece e pasqyrave!

Pse fytyrën e Arkilokut e kam maskë

dhe kam gjithashtu mbi supe

një pelerinë anemonash dhe kristalesh?

O, drita të pagjumësisë hyjnore!

Këta semaforë janë piktura dadaiste,

ose janë epikriza e sëmundjeve të mia

për mjekët e kozmosit!


Dhe qivuri prej Hëne e ka mbyllur brenda qytetin.

Me lopata gjethesh

e hedh dheun e dritës mbi varrin e imazhit tim!

Mes sendeve të pavdekshme

pse isha (jam) kaq i vdekshëm?


I dashur Moikom,

ky është një Sistem i Ri planetar i Shkrimësisë, me figura letrare të pangjashme me asnjë figurë letrare të njohur më parë.

I quajnë si krahasime, metafora, metonimi..


Por në të vërtetë janë diçka tjetër, Diçka e Tjetërllojtë, e fuqishme si gjaku, e prushtë si ndjenja.

Sistemi yt!

Janë figura gjeniale,- pse janë të pamundura,- nuk ekzistojnë as në realitetin e Jashtëëndrrës,- as në Imagjinatën njerëzore,- por kur i dëgjon në gjuhën e shenjtë aramaike,- apo shqipe,- Imagjinata vetë,- prej Magjepsjes,- pjell një Imagjinatë të përshtashme- për t’i asimiluar dhe shijuar.

Dhe atëherë ndjesitë njerëzore,- i kapërcejnë kufijtë që njohim,- dhe krijojnë ekstaza ndjesish,- të ngjashme me ato të perëndive...



kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks