SHKRIMI
e mërkurë, 23 tetor 2019

ADIL FETAHU: ERICKSONI DHE SHKOLLAT E TIJ NË KAVAJË

Prishtinë, 27 maj 2019: Kush ishte Ericksoni


Charles Telford Erickson (1867 – 1966) ishte një misionar i kongregacionit (protestan) i cili shërbeu në disa vende, e më së shumti dhe me përkushtimin më të madh shërbeu në Shqipëri (prej vitit 1908 – 1927), por aktivitetin dhe angazhimin për çështjen shqiptare nuk e ndërpreu deri në vdekje. Ai erdhi me familje në Shqipëri, në vitin 1908, jetoi në kushte të vështira, me vuajtje, skamje, rreziqe e sakrifica si shumica e shqiptarëve të asaj kohe. Ai i njohu më së miri nevojat e shqiptarëve: për arsim, ekonomi, zhvillim, shëndetësi, afirmim ndërkombëtar dhe punoi me zell e përkushtim për ta ndryshuar gjendjen për të mirë. Edhepse kishte ardhur si misionar për çështje fetare, kur e pa se populli dhe vendi ka më shumë nevojë të ndihmohet në fusha tjera se sa në lëmin e fesë, në një konferencë të zhvilluar në Bordin e Misionit, në Boston, e kishte thënë me gojë e me shkrim se: “Gjëja e fundit për të cilën ka nevoja Shqipëria e vitit 1908 ishte – evangjelizmi”. Në këtë kontekst, edhe punoi për hapjen e shkollave për të arsimuar të rinjët (djemë e vajza), hapi ferma dhe institut bujqësor për të dhënë shembull se si përparohet bujqësia. Janë të njohura Shkolla Bujqësore Shqiptaro-Amerikane e Kavajës dhe Shkolla e Vajzave në Kavajë dhe në Tiranë, të cilat u happen (1925) falë angazhimit të Ericksonit dhe punuan deri në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Ericksoni ishte drejtori i parë i Shkollës Bujqësore Shqiptaro-Amerikane, i zgjedhur nga Trusti (Bordi i të Besuarëve) në Boston (më 26 qershor 1924). Shkolla Bujqësore arriti te kishte 300 ha tokë, kishte fermë model, lopë, dele e shpezë të racave të ndryshme, hardhi rrushi, kopshte perimesh. Kishte traktor e mjete tjera pune bashkëkohore, kundrejt parmendes që përdorej në bujqësinë shqiptare. Atë që mësonin në teori, nxënësit e zbatonin në praktikë, duke dhënë shembull se si punohet me masa agroteknike dhe çfarë rendimentesh nxirrën me to. Ndërkaq, në Shkollën e Vajzave mësohej për mjeshtri të ndryshme: punëdore, tekstil, ekonomi shtëpiake, arte shtëpiake, kopshtari, higjenë, shëndetësi, e lëndë tjera, në teori dhe praktikë, për të ngritur nivelin e aftësisë dhe kulturës së femrave në shtëpitë shqiptare, me moton që Ahmet Zogu ia kishe thënë Ericksonit, se ”Nuk ka komb që ngritet më lart se sa graria e vet”, kur i kishte propozuar që së pari të hapej Shkolla e Vajzave.

Ericksoni gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, u angazhua aktivisht në shumë fusha. Ishte anëtar nderi i Delegacionit Shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1921), bashkë me Mehmet Konicën dhe Mihal Turtullin. Ishte përfaqësues i posaçëm (komisioner) i Shqipërisë në ShBA, derisa midis dy shteteve nuk ishin krijuar marrëdhënie diplomatike (28 korrik 1922), pastaj ishte diplomat i ShBA-ve ne Shqipëri. Gjatë kohës sa mbahej Konferenca e Paqes në Paris, Ericksoni i kishte propozuar pesidentit Wilson që Amerika ta merr protektoratin mbi Shqipërinë, për ta mbrojtur nga apetitet e shteteve fqinje, deri sa të mëkëmbet, konsolidohet, zhvillohet e forcohet si një demokraci e mirëfilltë. Në vitin 1945 ishte përfaqësues i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, në Konferencën e Kombeve të Bashkuara, në San Frncisko. Angazhimin e tij për çështjen shqiptare nuk e pushoi kurrë, në forma, mënyra dhe me mjete të ndryshme, duke shkruar e dërguar letra e memorandume Departamentit të Shtetit, presidentëve, diplomatëve, shtypit, radios etj,



Me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri, në Shkollën e Vajzave të Kavajës u kishte mbajtur një fjalim, si tribuni më i përkushtuar i traditave dhe çështjes shqiptare. Fjalimin e tij e ka lënë në dorëshkrim, dhe për ta parë lexuesit se me çfarë patosi shprehej për historinë dhe traditën shqiptare, këtu po e botojmë në tërësi atë fjalim (nxjerrë nga libri biografik i Mal Berishës: “Jeta e jashtëzakonshme e amerikanit Charles Telford Erickson, kushtuar Shqipërisë”, libër ky që ia vlenë të lexohet nga të gjithë shqiptarët). Ja përmbajtja e plotë e fjalimit autentik të lënë në dorëshkrim, të titulluar “Shtëpia shqiptare”:

“Të dashura vajzat e mia të Shkollës së Kavajës,

Si gjashtë vjet më parë në këtë vjeshtë, kur u ktheva nga Amerika me kontigjentin e parë të punonjësve për shkollën e djemve, e takova Lartmadhërinë e tij Mbretin Zog I, i cili në atë kohë ishte President i Republikës së Shqipërisë. Pasi shkëmbyem komplimentet e zakonshme, ai më habiti me këtë pyetje:

- Cilën shkollë do të fillojmë të parën?

Kështu, pasi Mbreti më bëri këtë propozim, pas një tavoline prej druri pishe, rreth së cilës ishim ulur në verandën e shtëpisë së tij modeste në Durrës, tek e vështronim detin, unë ia shtriva dorën dhe i dhash BESËN se do ta bëja shkollën e vajzave të parën, edhepse kisha sjellë gjithçka për shkollën e djemve. Kjo është arsyeja përse shkolla ekziston edhe sot. Ju duhet të falënderoni Mbretin tuaj për këtë, sikundër edhe për shumë gjëra të tjera të mira që gëzoni sot në Shqipëri.

Çdo shkollë, me synim që të përmbushë qëllimin e vet duhet të ketë një ideal përcaktues që i prin, pa marrë parasysh a është ky mësim, detyrë e shtëpisë, pushimi juaj aktiv, jeta juaj shoqërore… Të tëra këto duhet të mbështeten prej një ideali të njëjtë që fisnikëron dhe i jep dinjitet çdo gjëje që bëni. Për këtë shkollë unë kam pasur gjithmonjë një ideal të vetëm, dhe ai është që ju të bëheni mbajtëset më të mira të shtëpive të kombit.

Shtëpia në Shqipëri përfaqëson bazën shpirtërore të kombit. Brenda saj kultivohen virtytet më fisnike të kombit. BESA, e cila e ka bërë shqiptarin një burrë që t’i besohet që nga ditët kur shërbente në Gardën Pretoriane të Perandorëve të Romës, deri në ditët e sotme, është një virtyt i edukuar brenda shtëpisë shqiptare. Virtytet e grarisë shqiptare, të cilat e kanë mbajtur të pastër dhe të panjollosur shatërvanin e jetës së kombit nëpër shumë shekuj, edhe pse kombi ishe varrosur prej racave dhe perandrive të hueja, është një virtyt i shtëpisë shqiptare. Ai është një prej virtyteve më fisnike që mund të gjenden në ndonjë pjesë të botës. Shpirti i mrekullueshëm i mikpritjes, i afruar me të njëjtën bujari si për të huajin që troket në derë, edhe për njeriun e afërt të gjakut, është një virtyt që haset rrallë në botën moderne që rend me shpejtësi dhe prandaj duhet ruajtur dhe kultivuar brez pas brezi. Nderimi dhe respekti i të rinjëve për të moshuarit, fëmijëve për prindërit dhe gjyshërit e gjyshet, vendi i nderit i të vjetrit në familje, janë lule të mrekullueshme në kopshtin e bukur të shtëpisë së shqiptarit, e cila nuk duhet të lejohet të vyshket kurrë ose të çrrënjoset prej zakoneve moderne, të cilat po i ndihmojnë kaq shumë prishjes së shtëpisë.

Kështu, të dashura vajza, po flas me ju sot siç flet babai me fëmijët e vet. Andaj ju kërkoj që të mbani parasysh përherë këto parime, shtëpinë shqiptare, e cila ka ardhur tek ju prej qindra brezash, njëri pas tjetrit. Kaq e rëndësishme është kjo për mua, sa që, nëse më del se me ato që mësoni në shkollë dobësohet kjo shkallë vlerash sadopak, do të më bënte të mendoja nëse kam bërë mirë apo keq që e hapa shkollën. Unë më mirë do ta mbyllja shkollën dhe të mos e hapja kurrë më. Unë dua që ju të mësoni këtu vetëm se si t’i bëni këto virtyte edhe më të mira në jetën e kombit. Unë dua që ju të mësoni se si ta bëni shtëpinë tuaj jo vetëm një vend mikpritjeje, por një shtëpi të rehatshme, të shëndetshme për ju dhe fëmijët tuaj të bukur, të pastër dhe të hijshëm. Unë dua që ju të mësoni se si t’i siguroni fëmijët që do të lindni të jetojnë dhe të shmangni numrin tmerrësisht të lartë të vdekjes foshnjore, që po e tronditin memëdheun nga zhdukja e fryteve të sapolindura, aq të bukura. Dua që ju të mësoni se si ta bëni jetën vetë një gjë të këndshme, të mbushur me gaz e hare, me këngë e gëzime, një bukuri brenda mendimeve dhe ndjenjave tuaja. Dua që mjedisin e jetës suaj ta bëni sa më të këndshëm. Unë shpresoj se shpejt do të vijë dita për Shqipërinë kur frika e hershme tmerruese, mizoritë dhe shtypja e përjetuar në shekuj do të fshihet nga faqja e dheut, nga vet kujtesa dhe nga emri i kombit dhe secili do të marrë përsipër deri në fund përgjegjësitë e tij e të saj dhe të punojë për ngritjen e standardit të jetës për këtë komb të nderuar.

Unë jam i lumtur që po bëhen rregullime për të filluar një klasë përgatitore, kështu që vajzat e klasës së pestë mund të vijnë dhe të mësojnë gjuhën angleze, në mënyrë që të mos humbim kohë kur të vijë koha për klasat e tjera.

Mua më është ndaluar prej drejtoreshës së shkollës, zonjushës Cam, të bëj lëvdata për atë dhe stafin e saj. Ajo mendon se e vetmja lëvdatë e vlefshme është ajo që shpreh në vetvete punën e bërë për rregullimin e jetës së vajzave. Kështu, duke (mos) iu bërë lëvdata mësuesve dhe drejtoreshës, po ju kursej që të shihni në fytyrat e këtyre vajzave të lumtura, të shëndosha, të bukura dhe t’i lëmë ato vetë ta tregojnë këtë histori të drejtimit të mençur të shkollës. Ju vajza do të vlerësoni pas disa vitesh, shumë më shumë sesa tani, se çfarë nderi dhe privilegji keni patur t’ ishit nën kujdesin e zonjushës Cam, zonjushës Miss Evans, Miss Smith dhe të tëra ato me të cilat keni mësuar së bashku në tërë këto vite.

Edhe një fjalë dhe do ta mbyll. Ekziston përshtypja nga jasht se Amerika banohet pothuajse e tëra prej milionerëve. Në të vërtetë ka më shumë njerëz në Kavajë sesa milionerë në Amerikën e 123 milionë njerëzve. Fondet që e kanë mbështetur këtë shkollë nuk kanë ardhur nga njerëzit e pasur, as prej milionerëve, por prej njerëzve të thjeshtë, të cilët, në pjesën më të madhe, si dhe njerëzit tuaj, e fitojnë bukën e gojës me shumë sakrifica. Edhe ajo çfarë japin, e japin me sakrifica të mëdha. Unë mund t’ju tregoj shumë raste heroike të sakrificave të tilla. Për shembull, atë të një gruaje që po vdiste nga turbekulozi në një spital. Ajo pasi pa se nuk i duheshin paratë për vete, m’i dërgoi mua kursimet e saj të pakta..Poashtu, një zonjë e vjetër, e cila kishte kursyer tre vjet për të blerë një kapelë, kur dëgjoi për nevojat tona, m’i dërgoi mua në vend se ta blente atë. Asaj iu duk më e vlefshme kjo ndihmë sesa kapela; apo të vajzave të një shkolle, të cilat vendosën të mbledhin para për një konvikt veror këtu tek ju, i cili me shpresë do të ndërtohet vitin që vjen. Ato, në vend se të hanin pulë dhe akullore të dielave si përpara, pranuan t’ ziejnë lakra dhe paratë e kursyera i dhanë për fondin e konviktit.

Kështu, mbani mend të dashura vajza se ju jeni të lidhura së bashku në këtë jetë jo vetëm nëpërmjet familjes, fqinjëve, mësuesve dhe shoqeve të klasës në shkollë, por edhe me një shoqëri të mrekullueshme e të shkëlqyer njerëzish në Amerikë, të cilët janë disa mijëra, që mendojnë për ju, luten për ju, ju duan ju dhe sakrifikojnë për ju gjërat e domsodoshme të jetës, vetëm e vetëm që ju të keni mundësi për t’u rritur drejtë një grarie të bukur dhe të vlefshme, të bëheni drejtuese të gjinisë suaj të kombit dhe,mbi të githa, të ndërtoni shtëpi të bukura.

Ericksoni i juaj”


* * *

Ericksoni bashkë me gruan dhe katër fëmijët e tyre kishin ardhur në Korçë në vitin 1908, në kohën kur nga Korça kishin ikur për në Amerikë mijëra korçarë. Sa punoi e jetoi në Shqipëri, Ericksoni i njohu për së afërmi dhe i përjetoi të githa vuajtjet, skamjen, rreziqet, mentalitetin, virtytet, veset dhe u bë njeriu më i dashur dhe përkrahësi më I madh i shqiptarëve. U angazhua dhe kontribuoi në fushën e arsimit, kulturës, shkencës, bujqësisë, historisë, politikës, diplomacisë. Ai edhe pasi u kthye në Amerikë, nuk pushoi së vepruari për çështjen shqiptare deri në vdekje.

Për famën që kishte arritur, në vitin1928, Ericksoni kishte hyrë në librin e njerëzve më të shquar të botës. Ai njeri meriton të kujtohet gjithmonë për sakrificat që ka bërë dhe kontributin që ka dhënë për çështjen shqiptare.

Për nderë të tij, Shkolla Profesionale Bujqësore në Golem, mbanë emrin: Charles Telford Erickson, në të cilën nxënësit janë te ndarë në tri drejtime profesionale: agrobiznes, veteran dhe ekonomi. Më 31 mars 2019, u inaugurua objekti i ri i asaj shkolle, e cila ka një histori prej vitit 1925 dhe është mire që mbanë emrin e themeluesit dhe drejtorit të parë.



kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks