SHKRIMI
e mërkurë, 18 shtator 2019

DR.ERMIRA YMERAJ: THYERJET E KUFIJVE TRADICIONALË NË FORMËSIMIN E PERSONAZHIT - HERO

Shkodër 30 Korrik 2019:


 


 


 


 


 


KONFERENCЁ SHKENCORE KOMBЁTARE

“KORPUSI LETRAR ELBASANAS NЁ SHEKULLIN E XX”

24 NЁNTOR 2017

Dr. Ermira Ymeraj

ymeraje@hotmail.com

Universiteti Filologjik “Luigj Gurakuqi”, Shkodër

Tema: Thyerjet e kufijve tradicionalë në formësimin e personazhit - hero


Argument: Heroina kongoliane, lëviz brenda tranzicionit dramatik të shoqërisë shqiptare, ajo është jo heroikja pas 90 - ës që tregon historinë e kësaj kohe . Në këtë kontekst, kategoria e personazhit femër është një karakter, një portretizim, më pak se një karakter historik, ajo shfaqet si funksion i ekzistencës. Në modernitetin e tij, mendojmë se Kongoli, ka thyer kufijtë tradicionalë të formësimit të personazhit - hero. Heroina e tij, ka cilësitë e veçoritë e saj në karakter, në natyrën e saj psikologjike e enigmatike me përmasa të pakufishme. Me këto heroina pasurohet përvoja njerëzore si qenie shoqërore, shpirtërore, ajo, zgjerohet e thellohet edhe si personazh letrar, duke zgjeruar lirinë e shprehjes, në veprimtaritë të saj të pakufishme humane e shoqërore dhe të shfaqjeve të pasura psikologjike e shpirtërore.

Fjalë kyçe: shthurje, tranzicion dramatik, heroinë, karakter, kategorizim.

“Shthurja” e variantit tradicional në ndërtimin e heroit letrar femër te Kongoli, ka të bëjë me përthyerjen e disa entiteteve brenda të njëjtit personazh, që sjell “copëzimin” e figurës së protagonistit. Kemi vënë re se personazhi nuk mbushet me tiparet e heroit letrar tradicional, me atribute identitare për t’u kthyer në një heroinë të qëndrueshme. Përkundrazi, autori i ndërton heroinat nëpërmjet atributeve asnjanëse e negative. Femrat kongoliane kategorizohen nëpërmjet: mungesës së guximit, forcës, trimërisë, janë mbartëse të veseve të tilla si: egoizmi, padija, fanatizmi, mbartëse të atributeve negative, si amoraliteti, lakmia, apo atributeve neutrale, si konfuzioni, vetë-urrejtja, etj. Heroina kongoliane është një personazh kompleks, i vështirë në dekodifikim, pasiv, i ftohtë emocionalisht, etj., ndaj edhe mund të konsiderohet si “hero” i dështuar ose i shëmtuar.



A është heroina kongoliane brenda kufijve tradicionalë të formësimit të personazhit – hero?

Në katër romanet e mara në shqyrtim “Bolero në vilën e pleqve”; “Ne të tre”; “Jeta në një kuti shkrepëse”; “Lëkura e qenit”, kemi vërejtur një personazh femëror që vihet në rolin e narratorit dhe protagonistes. Personazhi femëror a heroina vjen nga shtesa e njerëzve “të humbur” pasi janë femra që kanë kaluar përvoja traumatike, vuajnë me dhimbje një ekzistencë pa kuptim dhe pothuajse pa motive bindëse për ekzistencën e tyre, i përndjek mendimi i vetëvrasjes që shfaqet më i rëndë se vrasja. Janë femra të vetmuara në aspektin fizik dhe shpirtëror. Disa nuk kanë familje dhe janë të izoluara. Heroina ndjehet inferiore ndaj të tjerëve dhe si e tillë është e përjashtuar. Nuk ka ndonjë formim fetar apo kulturor, përveç kësaj vuan nga ndjenja se është e shëmtuar fizikisht, vuan nga fakti se ushqen një prirje seksuale të panatyrshme ndaj gjinisë femërore. Për shkak të këtyre problemeve ajo ka një shkallë të ulët vetëvlerësimi, si një qenie në shkallën zero të zhvillimit mendor. Ndryshe nga personazhet e tjera ajo e ka shumë të zhvilluar ndjenjën e solidaritetit dhe të përkujdesjes për të tjerët. Por edhe këto janë shenja të një reflektimi për absurditetin e ekzistencës dhe neverisë ndaj jetës. Ndjenjat e absurditetit të qenies së tyre femërore, shpesh burojnë nga përvoja traumatike që ka pësuar personazhi nga e kaluara: vdekja e Anës, mikes së saj nga një plumb qorr, përdhunimi nga një bandë meshkujsh si dhe vrasja e dy vëllezërve në ngjarjet e vitit 1997, pastaj jeta e mbyllur në vilë duke iu shërbyer dy pleqve të vetmuar dhe të sëmurë, duke parë shkatërrimin e përditshëm të jetës dhe të fizikut të tyre etj. Për Parashqevinë vërtet shumë prej meditimeve dhe reflektimeve të saj afrojnë me meditimin ekzistencialist mbi absurdin e ekzistencës, por shkrimtari në vijimësi ka preferuar që këto reflektime e meditime t’i motivojë edhe përmes rrethanës sociale-politike në vazhdën e një realiteti të përthyer shqiptar. Ky tip personazhi është viktimë e dukurive që përshkuan tranzicionin e vitit 1997, nuk është thjesht njeriu, qenia moderne me dilema dhe dyshime ekzistenciale, por qenia e dhunuar barbarisht, e tronditur në thellësi të identitetit të saj, aq sa jeta e mëtejshme është e neveritshme për të. Një pjesë e mirë e rrëfimit është një retrospektivë mbi përvojat traumatike të së kaluarës, përvojë e cila eklipson jetën e tashme të personazhit. Parashqevia, femra me prirje seksuale të panatyrshme, që pëlqen seksin me femrat dhe meshkujt. Në këtë aspekt Kongoli tenton të sjellë në vëmendje ‘personazhin e përjashtuar” dhe ‘të persekutuar” për shkak të këtyre prirjeve. Në shoqërinë shqiptare kjo kategori e njerëzve jo rrallë bëhet objekt i paragjykimeve dhe sulmeve, siç ndodh me Parashqevinë e cila për shkak të marrëdhënies që kishte me Anën, pas vdekjes së saj megjithëse nuk kishte asnjë faj ajo bëhet objekti i një përdhunimi kolektiv nga një bandë që prihet nga vëllai i Anës. Në rrëfimin e saj mbi jetën e çiftit të pleqve që banojnë në vilë kemi disa motive: pleqëria, sëmundja, vdekja, solidariteti dhe përkujdesja ndaj njerëzve të moshuar etj.. që e thellojnë mendimin mbi ekzistencën, kuptimin apo absurdin e saj. Në fatin e dy pleqve Parashqevia sheh absurditetin e ekzistencës njerëzore, përballë fotografisë së martesës së tyre ajo konstaton dhe vuan hap pas hapi shkatërrimin e fizikut njerëzor, humbjen e dinjitetit fizik të trupit dhe pastaj vdekjen e tyre.

Heroi është një krijim i artit narrativ dhe çdo traditë narrative identifikon heroin e vet në ngjyrat e veta nacionale. Endokosmosi i heroinës së Kongolit është afër konceptit të Alen Rob-Grije për personazhin: ai është njeri që mendon, që ndjen, që sheh, që ekziston në hapësirë dhe kohë, që kushtëzohet nga pasionet e veta. Po ashtu nuk është larg konceptit të heroit sipas Bahtinit: heroi, nuk duhet të jetë trim, as në kuptimin epik, as tragjik të kësaj fjale. Ai duhet të ketë cilësi pozitive e negative, të larta e të ultë, komike e serioze, duhet të paraqitet jo si i përfunduar e statik, por si personazh që shfaqet, ndryshon e edukohet nga jeta. Në narratologji,heroi është ai për të cilin flitet, nga i cili nisemi për të reflektuar dhe kuptuar botën që e rrethon, duke hyrë në endokosmosin e tij dhe duke e bërë atë, të arsyetojë mbi indokosmosin. Edhe pse romanin shqiptar të pas 90-ës, do të mund ta konsideronim si roman i çlirimit tematik, artistik dhe estetik, prapë do të mund të themi se në disa raste, ai u ndërlidh me idetë e socrealizmit, që kufizonte dukshëm tematikën, duke shfaqur kështu rrudhjet e veta artistike si dhe ndryshime në horizontin e receptivit dhe në kategorinë e personazhit.

Përballë larmisë së madhe të personazheve, të kësaj periudhe, mendojmë se vihet re, gjithnjë një vijë ngjitëse nga njëri drejtim, rrymë, formacion stilistik, fenomen letrar, rrëfimtar a periudhë letrare. Në këtë kënd, edhe personazhi letrar femër, zë një vend shumë të rëndësishëm. Kategoria e këtij personazhi, me funksion të heroinës problematike, më pak përshkruese, interpretuese, apo mbi-interpretues, shfaqet si shenjë e paradigmës së romanit të Kongolit, duke përcjellë një seri të tërë supozimesh, veçanërisht në aspektin e analizës psikologjike.

Heroina fiction e Kongolit, në çdo kohë, karakterizohet dhe identifikohet në laboratorin e tij krijues. Kështu, duke e konsideruar karakterin si një krijesë që vjen prej logjikës së krijimit të universit krijues të autorit, vërehet se ai, ndërton modele të ligjësuara nga vetë jeta e përditshmëria reale e pafundme dhe e mundimshme . Heroina – femër e Kongolit, është aksi i fiksionit, me anë të të cilit e matim shkallën e vërtetësisë dhe të autenticitetit. Karakterizimet e heroinës janë të qarta, bartësi i rrëfimit na tregon shenjat e dallimeve të gjendjes civile, gjinisë apo të shtresës sociale. Kongoli pikturon portrete femërore, bën analiza psikologjike që e portretizojnë si karakter, shpesh nënkuptohen me konotacione që i referohen vetvetes , apo përmes kombinimit narrativ të diskursit social dhe të marrëdhënieve shoqërore, të cilat në mënyrë të tërthortë plotësojnë njohuritë tona mbi personazhin.

Kongoli e përqendron vëmendjen në ndodhitë e botës që ai ka krijuar përreth heroinës . Ai i jep personazhit një identitet, të cilin dëshiron ta bëjë të besueshëm dhe të rëndësishëm. Përshkrimi psikologjik i brendshëm, zbulon të kaluarën e një karakteri, zbulon mendimet e tij, sintetikisht, për të organizuar një tablo të detajuar.

Kurse nga aspekti fizik, personazhet femra paraqiten me një trup e me tiparet e veta karakteristike të zgjedhura, piktoreske, por edhe në aspektin e detajeve të veçanta që mund të sugjerojnë tipare. Nga aspekti moral, Kongoli fokusohet në shprehjen e ndjenjave , është i interesuar të depërtojë në manifestimet e tyre, tek shfaqja e fytyrës, dukja e buzëqeshjes, vështrimi i syve apo në gjeste të rëndësishme. Kongoli futet në brendësisë e femrës, dramës e traumës së saj, përditshmërisë e shëmtisë. Ata përfaqësohen përmes dukurive psikike të tilla si: depresioni, frika, ankthi; karakterizohen nga paqëndrueshmëria emocionale ose shterpësia e brendshme. Heroinat e Kongolit pasqyrojnë qenie njerëzore që vuajnë nga paranojat si shenja të “humbjes” ato janë pasive.

Personalitetin e personazhit – hero, e vendos tek një individ i veçantë, duke e bërë atë një kopje të vetme a një specie sociale. Nga aspekti social, femra kongoliane, paraqet një mjedis, një veshje, një vend pune, një status gjuhësor, një ideologji, një etnitet etj. Kështu, ajo bëhet një tip me një tipologji të pasur, ajo lëviz nëpër dy kohë të ndryshme, pa përjashtuar kontekstin psikologjik, social dhe historik, brenda rrjedhës së zhvillimit të përgjithshëm të letërsisë.

Heroina kongoliane, lëviz brenda tranzicionit dramatik të shoqërisë shqiptare, ajo është heroikja e pas 90 - ës që tregon historinë e kësaj kohe .

Në këtë kontekst, kategoria e personazhit femër është një karakter, një portretizim, më pak se një karakter historik, ajo shfaqet si funksion i ekzistencës.

Në modernitetin e tij, mendojmë se Kongoli, ka thyer kufijtë tradicionalë të formësimit të personazhit - hero. Heroina e tij, ka cilësitë e veçoritë e saj në karakter, në natyrën e saj psikologjike e enigmatike me përmasa të pakufishme . Me këto heroina pasurohet përvoja njerëzore si qenie shoqërore, shpirtërore, ajo, zgjerohet e thellohet edhe si personazh letrar, duke zgjeruar lirinë e shprehjes, në veprimtaritë të saj të pakufishme humane e shoqërore dhe të shfaqjeve të pasura psikologjike e shpirtërore.

Ky personazh, duke u zgjeruar, duket se nuk i ruan lidhjet me karakterin tradicional të letërsisë, po në fakt nuk e ka humbur asnjëherë identitetin e saj, ajo formësohet e forcohet si identitet letrar e artistik. Ajo nuk është heroina historike, po është një personazh kulturor në përgjithësi, i përket shtresave të ndryshme, për nga intelektualiteti, është heroina e rëndomtë, që tregon historinë e një kohe, që vazhdon ende me emëruesin dëftor të tranzicionit shoqëror. Në kohën e britmave të brendshme, ajo merr guximin, të vetidentifikohet.

Kjo heroinë, synon të shqiptojë të vërtetën, në këndin e filozofisë së jetës, në këndin personal, si subjektivitet krijues, edhe atëherë kur ndodhet përballë një dhune të egër psikologjike dhe poshtërimi deri në neveritje të brendshme. Vetdhunimi e dhuna e ushtruar, lë padyshim kuptimin e interpretimit të letërsisë, si luftë ku përballet heroina tradicionale me heroinën moderne.

Heroina kongoliane është humbëse , e pashërueshme, ëndërrimtare, e dobët, me vese, e mbyllur, është e boshatisur nga vlerat e “personazhit me forcë individuale” . Ajo i ngjet heroit të Kamy-së, merr jetë, fiton qytetarinë e ekzistencës së gjithëpranishme perëndimore. Në kontekstin kulturor, tipi i heroinave me përmbajtje jo tradicionale, të refuzuar nga shoqëria, synojnë njohjen dhe mbrojtjen, në zona të qytetëruara ende refuzuese dhe mospranuese. Ato janë heroina pa mburojë, që zgjohen përherë me dhimbje, në korridoret e punës, në rrugë, në shtëpi, nuk flasin shumë, që kanë gjithmonë diçka për të harruar e që nuk ia dalin dot, ato janë nën ndikimin e filozofisë ekzistencialiste ku shfaqja e personazhit përballë realitetit zëvendësohet me shfaqjen përballë zhdukjes . Kjo do të thotë, se kjo “heroinë”, me peshën e vet kuptimore, emocionale e “intelektuale”, përfaqëson një qenie me një psikikë të brishtë, që tkurret, zvogëlohet e humbet, gjersa metamorfozohet në një qenie të ndyrë a të shëmtuar. Janë “heroina” skizofrene, që ushqehen nga burime të shumta, e para është frika, që merr jetë nga e shkuara, dhe imazhit dhe marramendjes, që sjell me vete një shoqëri, që e konsumon individin, qenien. Parashqevia është heroinë funksionale.

Marrëdhëniet e saj në dy plane: njerëzore e jonjerëzore, ndihmojnë në krijimin e një shumësie heroinash. Parashqevia në raport me Dirinën shfaq dimensionin e shëmtuar të neverisë fizike dhe të lakmisë seksuale. Në raport me Rajmondën të motrën, shfaq dimensionin e unit tragjik, me fat të paracaktuar. Parashqevia në raport me Adamin thellon dimensionin e perceptimit heroik. E vdekur shpirtërisht po e gjallë fizikisht, në shtëpinë e pleqve, ajo mbyllet në kutinë e dilemave ekzistencialiste që ushqehen sa nga kriza sociale, aq dhe nga kriza e komplekseve të subkoshiencës. Deformimet me origjinë psikologjike dhe shoqërore, e detyrojnë atë të shkojë drejt Adamit duke shuar impulset lesbike . Edhe në romanin Lëkura e qenit, Marga, Liza, Dolora, Lori Morava, rrotullojmë botën e personazhit, e ndërtojnë dhe e shembin atë. Heroina me mungesë stabiliteti emocional, me pamundësi për të dashuruar, me bjerrja morale dhe shpirtërore që lidhen ngushtësisht. Kongoli, eksploron identitetin e heroinës, përmes perceptimit ndjenjësor, deri në neveritjen e vetvetes. Çdo heroinë dëshmon për hapësirat e ngushta të jetës ku frymon individi i përndjekur nga e shkuara e tij, deri në shfaqjet skizofrenike të mjedisit shoqëror ndaj vesit të heroinës. Kjo heroinë halucinante e lidhur me botën e vogël të së përditshmes, të së zakonshmes, shfaq përvojën e vet nën një terror psikologjik e bosh që veç e tkurr dhe e mbyll në guaskën e saj, duke mbetur larg në kohë, e duke përjetuar Hadin e vet tokësor. E zënë në kurth, me liri të kufizuar, patetike, e shëmtuar, e rëndomtë, e ndrydhur, e urryer, e përdorur, me procese lëvizëse që nisin në ndërgjegje, uni i heroinës veçse përçapet mes dyzimit, fatalitetit, lidhjeve arbitrare të dëshirave dhe zgjedhjeve, duke u kthyer në një heroinë me deformim patologjik, që merr jetë në vetëdijen narrative të vetë personazhit.

Me heroinën e Kongolit, “tronditet” skema hierarkike e vlerësimit mbi personazhin që vjen si trashëgimi e të kaluarës letrare . Kjo “tronditje” shihet në dy aspekte dhe në dy estetikat krijuese, (moderniste dhe postmoderniste).

Heroina nuk thërret askënd , nuk ka afrimitet mashkullor , nuk di të jetë e dobishme , neverit veten , vë në dyshim ekzistencën e saj njerëzore , me shumë liri në shprehje

___________________________

Literatura:

1 Fatos Kongoli, “Bolero në vilën e pleqve”, Tiranë 2009, f. 79. “Qyteti ynë është i çmendur. Qyteti ynë hante njerëz.

2 Fatos Kongoli, “Ne të tre”, botimi i katërt, Tiranë 2006, f. 240. Ti mami, ndonjëherë më kujton Olimbinë e “Karnevaleve të Korçës”( ...) Ti je një Olimbi moderne (...). Fati i Inës kapërthehet nga absurdi i kohës. Ina dhe Drita janë dy femra të kundërta në gjithçka, i lidh veç gjaku. Drita, nëna me mikrobotën e saj familjare meskine, të egër, dhe Ina, komplekse, e sakrificës, që shpërthen para grackave të jetës të skicuar nga të tjerët. Shih: f. 258, “Ky artificialitet ku vetëm babi është i jashtëm, po më shkatërron. Të gjithë sikur janë sulur mbi mua, të gjithë sikur më bëjnë fajtore mua.

3 Fatos Kongoli, “Bolero në vilën e pleqve”, Tiranë 2009, f. 14. Tek ajo unë shihja vetveten. Ashtu si Hipopotami, e fusja veten në kategorinë e femrave të shëmtuara. Unë kam qenë gjithmonë një send i dekorit. Një qenie në nivelin zero të zhvillimit mendor. Kongoli e ndërton tekstin në copa të vogla narrative duke mbajtur afër teknikën shkak- pasojë. Ai e shpërndan fabulën dhe krijon një “rrjetë merimange” mbi rolin e heroinës, duke u bërë dhe zëdhënës i tyre. Kongoli krijon tekste brenda teksteve duke na njohur me fëmijërinë, me prindërit intelektualë dhe artistë. Fatos Kongoli, “Ne të tre”, botimi i katërt, Tiranë 2006, Nënën artiste të muzikës dhe dëshirën për t’iu futur në shpirt këtë ndjenjë e art fëmijëve. Ina, e shkelura e shtëpisë nën autoritetin e gruas të quajtur Drita, një nënë e zhurmshme që kërkon një studim psikologjik të karakterit dhe të personalitetit. Ajo e ndërron ‘rolin’ e nënës, ajo e ndërron edhe personalitetin para dy fëmijëve të saj. Tjetër është me Yllin, një mjek dallkauk dhe tjetër më Inën, e “papjekur” apo, si të tillë e sheh ajo.

4 Fatos Kongoli, “Ne të tre”, botimi i katërt, Tiranë 2006, f. 21, Vështrimi në pasqyrë është për mua një torturë. Flokët e mi janë të zinj, të trashë, të dendur (...). Ajo më përqeshi (...) Ky është kurthi që më gatit gjithmonë fytyra im: më lejon ta shoh, pastaj egërsohet.

5 Fatos, Kongoli, “Ne të tre”, botimi i katërt, Tiranë 2006, Ina personazh që përpiqet t’i shpëtojë qerthullit të kohës. Ajo, i ngjan çdo heroine, fatin e të cilave e përcakton, kodi, ideologjia, shteti ose intriga. Vajza e butë, e dashur, e edukuar, kultura e së cilës keqkuptohet nga e ëma dhe anëtarët tjerë të familjes. Ajo duket, tekanjoze, e papjekur, e paditur dhe e pavendosur. Asaj i shkelet e drejta për të jetuar, e drejta për të vendosur për jetën e vet.

6 Heroinat lëvizin në emër të një shqetësimi për të ardhmen, e zbulojnë vetë fuqinë gjeneruese, që jo vetëm sjell historinë, por dhe bëhet pjesë e një skeme gjeneruese që shtrihet larg prapa në të kaluarën , duke u konsideruar si një parim jete.

7 Fatos Kongoli, “Bolero në vilën e pleqve”, Tiranë 2009, f. 22, Gjinjtë e mi janë të vegjël, aq të vegjël sa më vjen zor t’i shoh. (...). Kur unë e futa veten në kategorinë e të shëmturave dhe zura të kuptoja disa gjëra, kishat nuk ekzistonin, as xhamitë (…) f. 205. E vetmja mënyrë shpëtimi nga stresi ishte të merresha me ndonjë punë, dhe puna më e përshtatshme në ato rrethana ishte të laja dyshemenë, cep në cep, banjon e shfrytëzuar me rendiment të lartë gjatë gjithë ditës, më tej shkallët, për t’u ngjitur në katin e sipërm.(....), f. .225.

8 Fatos Kongoli, “Bolero në vilën e pleqve”, Tiranë 2009, f. 95. Parapëlqeva Dirinën. Këtë vendim e morën sytë e mi, megjithëse ndihesha e qetë, e aftë ta frenoja dëshirën e tyre të egër për të shkuar te buzët e saj.

9 Po aty: f. 266. (... ) ky ka qenë çasti i vetëm kur dola nga gjendja e masës së ngrirë të argjilat. Shih dhe në f. 103, “Babi, shtoi, thotë se fytyra jote i ngjan një komiku amerikan të quajtur Baster Kiton.”

10 Po aty: f. 79. “Qyteti ynë është i çmendur. Qyteti ynë hante njerëz. E kam të pamundur të shoh qytetin tim përveçse si një vazo me ujë ku janë hedhur ca pika me bojë Kine dhe i japin gjithçkaje ngjyrën e zezë. Kjo është ngjyra e vdekjes. Qyteti im më kujton vdekjen (…), f. 77.

11 Fatos Kongoli, “Bolero në vilën e pleqve”, Tiranë 2009, Kjo ekzistencë e fshehur më ishte neveritur, nuk e duroja më. Këtë desha t’i pohoja Dirinës në çastin kur deti ma hoqi trurin dhe unë u tmerrova jo aq nga rebelimi i syve të mi për të vajtur të buzët e saj, sesa nga dëshira për t’i pohuar më në fund dikujt neverinë nga ekzistenca ime e fshehur, (…), f. 77.

12 Po aty, f. 15. Merrja përsipër edhe punë që s’më takonin, të cilat i kryeja pa u mërzitur. Ishte mënyra ime për të mbijetuar, për t’iu përshtatur një bote, ku një femër si unë mbetet jashtë loje. Në sytë e disa njerëzve duket nuk përfaqësoja thjesht një send të papërfillshëm, pavarësisht nëse kolegët më quanin me ndonjë nofkë të përshtatshme për një femër të shëmtuar, në shkallën zero të zhvillimit mendor, (…), f. 15.

13 Po aty, f. 231. Tek e fundit, mbetesha indiferente, ekzistenca e tij nuk i shtonte asgjë kotësisë së ekzistencës sime.

14 Qytetit nuk i bëhet vonë për fytyrën time të prishur, mendova. Jam një materie që stomaku i tij nuk e bluan. f. .234.

15 Fatos Kongoli, “Bolero në vilën e pleqve”, Tiranë 2009, Versioni që shoqëron zakonisht vetëvrasjen e femrave shqiptare është gjendja e rëndë psikike, depresive. f. 29. Tani në kohën dhe hapësirën reale, shtrëngohem të bëj një pohim: thëniet e mia deri tani kanë lënë të kuptohen dhe nënkuptohen disa gjëra, por jo kryesoren: isha fshehur gjithë jetën. f. 76.

16 Po aty, f. 27. Fytyra ime serioze u shfaq kalimthi në pasqyrën e ashensorit pas krahëve të çiftit. “Meriton të ngordhësh si qene”- më tha. I dhashë të drejtë, isha qene.

17 Po aty, f. 260. Shkova në dhomë: “ Je një qenie e poshtër ”, mu hakërrye nga pasqyra fytyra ime serioze. E di, ia ktheva, është e njëmijta herë që ma thua”. “Je e përbindshme” këmbënguli ajo. “Edhe këtë e di” ia ktheva dhe e lashë të ndërkryer.

18 Kongoli shprehet se: “Njeriu - nuk i shpëton dot së kaluarës. Realiteti i sotëm nuk mund të shpjegohet dot pa të kaluarën” . Unë kam qenë gjithmonë një send i dekorit. Një qenie në nivelin zero të zhvillimit mendor. f. 15.

19 Fatos Kongoli, “Bolero në vilën e pleqve”, Tiranë 2009, f. 17. E kam ditur gjithmonë , në këtë botë shanset e mia janë të pakta. E kam ditë qysh se kuptova dhe e futa veten në kategorinë e të shëmtuarave. Për këtë u kam mbajtur inat gjithë jetën prindërve. U mbaj inat edhe sot. Kjo ma ngarkon shpirtin rëndë. Po ndihesha kafshë pune. f..24. Është një sëmundje e vjetër e imja, me zanafillë kohën kur lexoja shumë dhe e futa veten në kategorinë e vajzave të shëmtuara. Atëherë s’kisha përvojë, përveç pakënaqësisë që isha e shëmtuar. Kjo kuptohet, nuk është përvojë. Dhe asgjë krahasuar me çastin kur pasi ke mbledhur një lloj përvoje, zhgënjyese, arrin të përjetosh kotësinë tënde. S’ka të bëjë me shëmtinë as me bukurinë. Është thjesht zhgënjim nga vetja. f..26. Mua më mundon kotësia e ekzistencës sime. Në periudha të ndryshme, kotësinë time unë e mbush me kotësinë e të tjerëve. f. 29. Shpirt introsigjent. f..35. S’kam për qëllim të mallëngjej njeri. Edhe nëse dikujt i vjen keq, gjasë të cilën nuk e besoj, keqardhja për tjetrin te ne është një fjalë që e gjen vetëm në fjalorin e gjuhës shqipe, nëse ndërkaq nuk e kanë fshirë prej andej si të pakuptimtë pra edhe nëse dikujt i vjen keq, lutem të qetësohet. Do të ishte një keqardhje e kotë. S’kam nevojë për keqardhje, kjo në vend që të më ngushëllojë, më ngre nervat. f. .78.

20 Po aty, f. 8. Ai nuk thërriste askënd atje, aq më pak një infermiere të rëndomtë si unë.

21 Po aty, f. 11. Unë nuk isha mësuar të trajtohesha me kaq afërsi mashkullore. Dirina m’i kishte lejuar të gjitha. Domethënë t’ia thithja buzët, t’ia kafshoja, ndërsa ajo rënkonte, unë bridhja nëpër trupin e saj, i ngacmoja me majën e gjuhës thimthat e gjinjve, e ajo më shtynte të shkoja poshtë, midis këmbëve të hapura dhe ndihesha e dërrmuar, e pazonja t’i shpëtoja terrorit të trupit të saj. f. 105.

22Po aty, f. 11. Nuk e di përse mund të jem e dobishme.

23 Po aty, f. 12. Po ç’nevojë mund të kishte ai njeri për një qenie si unë? “Teveqele”, mendova, si nuk e kupton? Je një qenie në shkallën zero të zhvillimit mendor. Ja përse të kanë zgjedhur. Ndryshe sikur ajo punë të ishte e lakmueshme, nuk do të vinte radha ty. f. 18. Vështrimi në pasqyrë për mua është një torturë. Shpesh marr vendim të mos shihem më nga frika se një ditë do të më hipë t’i thyej pasqyrat e shtëpisë, tri copë gjithsej, një në banjo, një në dhomën e dheut, e fundit, më e madhja, në korridor. Kjo është një mendjeshkrepje, së cilës nuk ia dal t’i përmbahem. Dua, s’dua detyrimisht i dorëzohem njërës prej pasqyrave. Me raste të triave radhazi, për të konstatuar të vërtetën e përhershme: Jam një femër e shëmtuar. E bindur në çiltërsinë e pasqyrave me gjithë yshtjen për t’i thyer, unë nuk e kryej një veprim të tillë. Nuk është faji im që fytyra ime del ashtu si del. f. .21.

24 Po aty, f. 14. E shkreta Hipopotam, më kishte ngjallur gjithmonë mëshirë. Jo vetëm sepse më dukej si një kafshë e lodhur. Tek ajo unë shihja vetveten. Ashtu si Hipopotami, e fusja veten në kategorinë e femrave të shëmtuara. f. 14. I kërkova ndihmë fytyrës sime serioze me t’i vënë pleqtë të flinin. “Më jep një këshillë iu luta, po luaj mendsh!” Ajo më vështroi me përbuzje. “Më ndihmo, e kërcënova, ndryshe do të thyej pasqyrën!” Për ta provokuar më tej, zura të zhvishesha. Asgjë nuk e nervozonte më shumë se striptiza ime mjerane. Ajo vetëm qeshi, gjithnjë përbuzëse. Me lotët në grykë i ktheva shpinën. f. 135. Do të jem vetëm, e braktisur, askush s’do të vijë të luajë me mua komedi të shpëlara dhe e gjithë bota do të lëshojë psherëtima lehtësimi sapo ta marrë vesh vdekjen time. f. 134.

25 Po aty, f. 34. Tek e shihja më lindi një pyetje e paturpshme: sa herë duhej ta kishin bërë ata deri ndaj të gdhirë. Me seriozitetin e një mjeshtri në lëmimin e dobësive femërore: para tij ndihesha lakuriq. f. 55. Po ti, zonjushë, mu drejtua, masturbohesh? f. 71. Masturbimi nuk është vetëm veprimi që në gjuhën shqipe, si e vure në dukje, shprehet me fjalët “t’i biesh me dorë”. f. 71. Njëherazi, të frenoja dëshirën e egër të syve të mi për të vajtur te buzët e saj. f. 75-76. Gjinjtë e mi të vegjël, aq të vegjël, aq të vegjël sa më vinte zor t’i shihja, kërkonin numrin më të vogël të mundshëm të sutienave. Edhe kështu, më duhej të përdorja nga ato të veshura me sfungjer, të cilat gjivoglave u krijojnë iluzionin e gufimit të nevojshëm për nxitjen e nepsit mashkullor, atyre me gjinj normal ose të mëdhenj, u shërbejnë si mbajtëse, për të mos lënë varjen e gjinjve, më shumë për t’ u krijuar formën agresive. f. 83.

______________

DR.ERMIRA YMERAJ: DRAMA SHQIPE DHE DRAMA EVROPIANE

http://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=8986



kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks