SHKRIMI
e hënë, 26 qershor 2017

BARDHYL MAHMUTI: ZHVLERËSIMI I SHERADIN BERISHËS NGA VETJA E VET

Pashtriku.org, 13 prill 2017: Publikimi i një pjese të bisedës private që kemi zhvilluar me Sheradin Berishën në vitin 2015 më habiti pa masë. Krahas publikimit në Portalin «Pashtriku» ai e ka shpërndarë edhe në faqen time të Facebook-ut sepse, siç thotë ai, i është dukur “interesante biseda me një Bardhyl Mahmutin”. Meqenëse bisedat private i ka bërë publike pa u konsultuar me mua, po i përgjigjem publikisht në vetën e tretë.

Sheradin Berisha duhet ta kishte ditur se publikimi i bisedave që njerëzit zhvillojnë privatisht, pa i konsultuar paraprakisht, është një veprim aq i ulët sa godet para se gjithash kredibilitetin e personit që vepron ashtu. Aq më tepër kur i njëjti person është themelues dhe udhëheqës i Protalit «Pashtriku».

Edhe pse nuk i heq asnjë fjalë atyre që kam shkruar e që i ka publikuar Sheradin Berisha, problemi qëndron në atë se sa mund t’i besojë dikush një personi të tillë! Këtë çështje ia lë të mendojë secilit person që komunikon me Sheradin Berishën. Unë do të përqendrohem në disa çështje që më duken me interes për t’u sqaruar për lexuesit.

Në mesazhet që ia kam dërguar Sheradin Berishës secili lexues mund të konstatojë se bëhet fjalë për komunikimin në mes dy njerëzve që njihen. Nuk mund ta kuptoj Sheradin Berishën se çka ka dashur të thotë kur precizon për lexuesit e vet se ka “zhvilluar një bisedë me një Bardhyl Mahmutin”. Çdo kush e di se precizimi “me një...” bëhet për personat e panjohur për publikun ose në rastet kur përpiqet të degradohet dikush...

Po sqaroj lexuesin se për mua biseda private me Sherdin Berishën nuk është “bisedë me një...” por komunikim me një person të cilin e kam respektuar për kontributin që kanë dhënë ai personalisht, vëllezërit e tij dhe tërë familja e tyre në luftën çlirimtare të Kosovës.

Çështjet që nxorën në sipërfaqe publikimi i bisedave private e që kanë të bëjnë me kredibilitetin e Sheradin Berishës janë çështje tejet të vogla në krahasim me këmbënguljen që të mbrohen idetë e caktuara politike.

Duke e parë Sheradin Berishën që publikonte qëndrimet e autorëve të cilët «Luftën kundër terrorizmit e shohin vetëm si një mënyrë për të përhapur hegjemoninë globale të Amerikës dhe për të krijuar një 'Rend të Ri Botëror'» iu drejtova miqësisht nëpërmes mesazheve në Facebook për t’i treguar se bëhet fjalë për qëndrime të influencuara nga këndvështrimi ideologjik i «anti-amerikanizmit».

Sheradin Berisha deklaron se unë gjoja ia paskam “përkujtuar se, Dr. Chossudovsky është një antiamerikan, dhe si i tillë duhet të ketë qenë kundër intervenimit të NATO's në Kosovë, në vitin 1999!”.

Është interesant se Sheradin Berisha publikon mesazhin kur i kam shkruar se nuk është përgjigjur në telefonatën time përmes viberit por nuk e përmend aspak bisedat telefonike që kemi zhvilluar lidhur me këtë temë.

Para se të futet në debate rreth teorive shkencore Sheradin Berisha duhet t’i kuptojë nocionet që shërbejnë si mjete teorike të disiplinave të caktuara. Sikur të kishte pasur njohuri minimale rreth nocioneve lidhur me temën për të cilën pretendon të debatojë ai do të ishte dashur të dallonte «anti-amerikanizmit», si këndvështrim ideologjik, nga të qenit “antiamerikan”. Unë nuk i kam thënë se Michel Chossudovsky është antiamerikan. Nuk mund ta di se kush është pro e kush anti amerikan. Kjo çështje është tejet subjektive. Ndërkaq, «anti-amerikanizmi» si këndvështrim ideologjik ka kriteret e veta që mundësojnë të klasifikohen qëndrimet e caktuara si të tilla.

Po marr si shembull Noam Chomskyn. Ky është një linguist amerikan i përmasave botërore por në qëndrimet e tija politike ai rreshtohet në këndvështrimin e «anti-amerikanizmit». Është njëri ndër intelektualët më të zëshëm amerikan kundër ndërhyrjes së NATO-s ndaj Serbisë.

Këndvështrimi i tij ideologjik nuk më lejon ta cilësoj si “antiamerikan” por ai me mburrje mban flamurin ideologjik të «anti-amerikanizmit». Njëjtë si “Akademiku dhe shkrimtari i njohur Dr. Michel Chossudovsky” idetë e të cilit i përqafon Sheradin Berisha.

Sa i përket qëndrimeve politike të Michel Chossudovsky, Sheradin Berisha e lë në formë hipoteze se gjoja i kam thënë se si “antiamerikan ai duhet të ketë qenë kundër intervenimit të NATO's në Kosovë, në vitin 1999!”. Nuk e di se a e ka harruar apo e shmang me qëllim, në bisedën telefonike që kemi pasur i kam treguar se Michel Chossudovsky ka pasur qëndrime tejet negative ndaj luftës sonë dhe asnjëherë nuk ka ngritur zërin për krimet që bënte Serbia në Kosovë.

Sheradin Berisha duhet ta ketë të qartë se me përmendjen e atributeve të Michel Chossudovsky “se qenka profesor kanadez i ekonomisë, se paska fituar njohje ndërkombëtare me publikimet e veta kritike ndaj zhvillimeve politike - diplomatike në zonat e luftës në botë, të cilat janë përkthyer në më shumë se 20 gjuhë të botës, se qenka djali i ekonomistit dhe ish'diplomatit të njohur në OKB, hebreut Evgeny Chossudovsky” nuk mund të më impresionojë mua. Argumentum ad verecundiam mund të vlejnë për një kategori njerëzish të cilëve u bëjnë përshtypje titujt...

Në zhveshjen që u kamë bërë politologëve, historianëve, ekonomistëve, filozofëve, juristëve, linguistëve, publicistëve e intelektualëve të fushave të ndryshme që kanë renome në fushat përkatëse, por të verbuar nga «antiamerikanizmi», nuk përmenda asnjëherë titullin tim shkencor që kam marrë në universitetin e Lozanës. E as faktin se jam djali i profesor Beqir Berishës, i cili ka shkruar 16 vepra shkencore në mbrojtje të kauzës sonë kombëtare e as atë se të dy kemi qenë të burgosur politik nga pushtuesit e trojeve tona.

Në konfrontimin tim me ata që ishin dhe janë kundër luftës çlirimtare të Kosovës, kundër ndërhyrjes së NATO-s për të ndërprerë gjenocidin në Kosovë dhe kundër pavarësisë së Kosovës, unë, siç thotë një shprehje popullore në Kosovë: «nuk pyes se nga i kanë dajallarët!»

Ajo që më ka interesuar dhe që kam arritur të hedh dritë ka të bëjë me faktin se lufta e UÇK-së ishte një luftë legjitime e popullit të Kosovës e jo “aksione terroriste të një strukture kriminale të organizuar nga amerikanët për ta shfrytëzuar si pretekst që të vendosin bazën e tyreve ushtarake në Evropë”.

Sa i përket “profesorit kanadez të ekonomisë, Michel Chossudovsky, djalit të ekonomistit dhe ish'diplomatit të njohur në OKB, hebreut Evgeny Chossudovsky” po sjell për lexuesit që nuk e njohin se për çfarë personi bëhet fjalë vetëm disa nga qëndrimet e tij politike.

Michel Chossudovsky në shkrimin e titulluar « NATO ka instaluar sundimin e terrorit në Kosovë » (NATO’s Reign of Terror in Kosovo, The Destruction of Yugoslavia

shih: http://iacenter.org/warcrime/chossu.htm)

Kosovën e trajton si vend të pushtuar nga amerikanët dhe NATO. Në tekstin që iu dorëzua më 31 korrik 1999 Komisionit të Pavarur të Hetimeve për hetimin e krimeve të luftës së SHBA/NATO kundër popullit të Jugosllavisë në New York, Michel Chossudovsky shkruan se: “Në Kosovën e pushtuar masakrat e drejtuara kundër serbëve, shqiptarëve, romëve dhe grupeve të tjera etnike janë kryer me udhëzime të komandës ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) përderisa forcat ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë (KFOR-i) kanë siguruar mbrojtje të komandantëve ushtarakë të UÇK-së, të cilët ishin përgjegjës për masakrat.”

Ky “ekonomist kanadez që fitoi njohje ndërkombëtare për publikimet e veta kritike” vazhdon me akuzat se ka “prova me bollëk që konfirmojnë se këto mizori janë pjesë e një politike të "spastrimit etnik" drejtuar kryesisht kundër popullatës serbe por edhe kundër romëve, malazezëve, goranëve dhe turqve.” Në kuadër të këtyre mizorive autori përmend se “brenda gjashtë javëve u dëbuan nga Kosova 164 mijë serbë dhe 150 mijë romë. Shtëpitë dhe bizneset serbe janë konfiskuar, plaçkitur ose djegur; serbët janë rrahur, përdhunuar, dhe vrarë. Në një nga incidentet më dramatike trupat e UÇK-së kanë plaçkitur një manastir, terrorizuar priftin dhe një grup të murgeshave me armë zjarri, dhe kanë përdhunuar të paktën njërën nga murgeshat...” Në tekstin e vet ai vazhdon të alarmojë botën për masakra kundër serbëve, romëve, malazezëve, goranëve, turqve dhe shqiptarëve që janë kundërshtarë të UÇK-së. Madje, për ta demantuar zëdhënësin e NATO-s Jamie Shea që akuzoi Serbinë për vrasjen e Fehmi Aganit, Michel Chossudovsky i referohet gazetës maqedonase "Makedonija Denes", sipas të cilës “Fehmi Agani ishte ekzekutuar me urdhër të kryeministrit të vetë-emëruar Hashim Thacit të UÇK-së”...

Më duket e neveritshme të vazhdoj me qëndrimet e këtij intelektuali të verbuar nga ideologjia e «antiamerikanizmit» i cili vjell vrer kundër nesh dhe tërheqjen e Serbisë prej Kosovës e konsideron “pushtim” nga amerikanët dhe se gjoja NATO ka instaluar sundimin e terrorit në Kosovë!

Nëse Sheradin Berishës i kam shkruar privatisht në FB këtë e kam bërë me qellim që t’i them se nuk e nderon aspak shpërndarja e ideve të paqëndrueshme në aspektin shkencor dhe politikisht antishqiptare. Unë nuk mund t’ia ndaloj askujt rreshtimin në korniza ideologjike të cilat i duken më të mira. Por, Sheradin Berisha duhet ta ketë të qartë se sa u përket qëndrimeve të Michel Chossudovsky dhe kompanisë së tyre ai nuk do të ketë mbështetjen as të familjes së vet e lëre më të tjerëve.

Nuk e kuptoj se çka shtyri që bisedat private t’i bëjë publike dy vite më vonë! Fundi i fundi as nuk më intereson t’i di arsyet. Ajo që mund të them për këtë rast ngërthehet në shprehjen popullore: «Çka ta bën vetja s’ta bën askush». Zhvlerësimin që ia bën Sheradin Berisha vetvetes nuk kishte mundur t’ia bëjë askush.

Në fund po i kthehem përmendjes nga Sheradin Berisha se për temat që vazhdonte të shtronte në rubrikën e mesazheve private në Facebook

“Bardhyl Mahmuti nuk përgjigjet”.

Sheradin Berisha e ka pasur librin tim në format PDF para se dikush ta kishte në duar si libër i botuar. Sikur t’i kishte hedhur një sy librit ai do të kishte kuptuar se nga kush u inicua dhe se kush e sajoi të ashtuquajturin “Raport i Dik Marty-t”. Në librin tim sqarohet gjithashtu edhe konteksti se si u miratua ky raport në Këshillin e Evropës dhe pse u gëzua Serbia që hetues i TASK forcës u caktua John Clint Williamsoni. Është e drejtë e pakontestueshme e Sheradin Berishës të mos e lexojë librin tim. Por, është qesharake të kërkojë nga unë që t’i jap përgjigje përmes mesazheve në Facebook për çështjet që i kam trajtuar gjerësisht në libër e që i ka botuar edhe në Portalin «Pashtriku».

***

_______________

Të nderuar lexues,

në vijim lexoni me kujdes shkrimin tim, ndaj të cilit ka reaguar Bardhyl Mahmuti, që të kuptoni mirëfilli në çfarë konteksti ka nisur bashkëbisedimi ynë lidhur me "antiamerikanin" kanadez, Michel Chossudovsky, dhe a është biseduar për këtë gjë qa ka shpërfaqur Bardhyli në reagimin e tij, apo bëhet fjalë për diç tjetër etj.etj.

Ndërkaq Bardhyl Mahmutin e paralajmëroj se do ta bëj një kundëreagim, ku do shpërfaq kontekstin e bisedës sonë e cila është zhvilluar në murin tonë privat të "Fb", lidhur me tema joprivate as familjare etj.,, por për tema me rëndësi politike, shkencore etj.etj.

Dhe mbi të gjitha do t'i tregoj arsyet e thënies: "një bisedë interesante me një Bardhyl Mahmutin", ndonëse njihemi shumë mirë mes veti!

Shëndet e gëzime të gjithëve!

Sheradini

***

SHERADIN BERISHA: BASHKËBISEDIM ME BARDHYL MAHMUTIN (TERRORIZMI - ISIS'i, 11 SHTATORI 2001, ANTIAMERIKANIZMI DHE GJYKATA SPECIALE) (23 - 29 mars 2015 & 22 - 23 Maj 2015)

http://pashtriku.org/?kat=49&shkrimi=6358


 



kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks