SHKRIMI
e martë, 28 mars 2017

EQEREM BEJ VLORA: HISTORIA E FLAMURIT QË U NGRIT NGA ISMAIL QEMALI MË 28 NËNTOR 1912 NË VLORË

 Pashtriku.org, 4. 12. 2016: Eqerem bej Vlora, në kujtimet e tij shkruan, për historinë e flamurit që u ngrit nga Ismail Qemali, më 28 Nëntor të vitit 1912 në Kuvendin e Vlorës. Ai thotë shprehimisht: “E zgjata ca historinë e ngritjes së flamurit, sepse vitet e fundit kanë qarkulluar variante krejt të pavërteta dhe unë dëshiroj që ngjarja e saktë të përshkruhet e të mbetet njëherë e përgjithmonë”.

Ҫfarë shkruan Eqerem Bej Vlora në kujtimet e tij.

(…)

KTHIMI NË VLORË

Me t’u kthyer nga Kuçi, unë shkova menjëherë në shtëpinë e tim kushëriri, Xhemilit, për të takuar Kryetarin e Qeverisë së Përkohshme, shtëpia ishte kopje e zvogëluar e haramllëkut nuk kishte katër, por tri kate. Përmes derës ndërmjetëse hyra në katin përdhes ku ishin shkallët e mëdha.

Oborri, sallat poshtë e lartë , shkallët ishin mbushur plot nga njerëz me fytyra, sjellje e veshje që nuk i kisha parë kurrë në Vlorë. Të gjithë bisedonin me zë të lartë dhe kur mërziteshin në një vend, lëviznin lirshëm dhe pa teklif sikur të ishin në shtëpinë e tyre. Në katin e sipërm ishte një sallon i madh i pajisur me mobilie të bukura të stilit bidermajer, dera e të cilit ishte krejt e hapur. Përpara saj njerëzit ngjisheshin e shtyheshin për të dëgjuar seç thuhej brenda. Unë ndalova për disa çaste për të përshëndetur një mori të njohurish dhe pastaj hyra në sallon.



Eqerem bej Vlora (1885 - 1964)


Ismail beu po rrinte në një divan me një pamje të ligështuar, sa mua m’u dhimbs. Kisha tre vjet pa e parë dhe tani m’u duk më i plakur dhe i drobitur. Ai vuante në këtë mjedis të ri dhe të huaj për të. Për vite me radhë Ismail beu kishte qenë nënpunës i lartë i administratës turke dhe vali, poste këto, kur largësia me të lartit dhe të ultit mbahej vetiu. Kështu, ai kishte rënë në një kaos kontrastesh shoqërore, të cilit nuk po ja gjente dot anën. Unë iu afrova i putha dorën me nderim dhe u ula pranë tij. Të paktën divanin, njerëzit që mbushnin hapësirën kishin pasur mirësinë t’ia linin.

Ai më bëri pyetje të zakonshme: si ia çoja, ku ishte im atë a kishte hequr keq në Kuç me këtë mot të keq e kështu me radhë. Pastaj unë u ngrita për të ikur.

Por, ai më mbajti dhe më pyeti me zë të ulët: “Dua të të bëj një vizitë. Është edhe te ty si këtu?” Unë iu përgjigja se po të donte të vinte tek unë, do të vija ta merrja vetë. “Jo, - tha ai. Xhemili më ka thënë se dera ndërmjetëse është ende. Unë vij vetë.”

Sidoqoftë edhe tek unë nuk ishte më mirë. Por falë manisë sime për protokoll, falë karakterit të paafruar dhe të mbyllur, largësia sidoqoftë ruhej.

Po përse të shkaktohej kjo rrëmujë e kjo gjullurdi në një shtëpi private, mund të pyesë ndokush. Nga koha atërore dhe stërgjyshore Ismail beu kishte mësuar se banesa e sanxhakbeut ishte edhe seli qeveritare. Ndaj edhe selamllëku i shtëpive të bejlerëve, quhej në shqip zapana.

Kështu edhe Ismail beut nuk i pëlqente të rrinte në bashki. Dhe njerëzit, që me punë a pa punë, duhej të takonin kryetarin e shtetit, vinin turma-turma në banesën e tij private.

Ditët që pasuan, unë takova zyrtarët e lartë të qeverisë së re, të emëruar më 4. 12. 1912, nga i përnderuari kryeministri Ismail beu dhe nënkryeministri fort i nderuari dom Nikollë Kaçorri. Anëtarët e qeverisë së re ishin miq dhe të njohur të mirë, e më duhej të shtoj, se në rrethanat e atëhershme vështirë të bëhej ndonjë zgjedhje më e mirë. Dhe nëse kjo nuk u përgjigjej aspak kërkesave të kohës, nuk ishte faji i saj.

Pozita e çdo qeverie përparimtare pas shkatërrimit të sundimit osman nuk mund të ishte e lehtë; vetëm një orë e fortë diktatoriale do të kishte mundur mbase t’ia dilte mbanë qeverisjes.

Po ku ishte ky diktator dhe fuqia për të qenë i tillë?

Në qeverinë e Ismail Qemal beut dhe të babaxhanit Don Nikollë Kaçorri nuk kishte vend për tiranë mesjetarë, ajo përbëhej krejtësisht nga njerëz të arsyeshëm.

Këshilli i Ministrave mblidhej në shtëpinë e Ismail beut, por se ku i kishin selitë ministrat e tij, unë nuk e mora vesh kurrë edhe pse, them se e njihja shumë mirë atë çerdhe mjerane , që quhej asokohe Vlorë. Më mirë nga të tjerët e kishte - këtë e kam parë vetë - ministri i Postëtelegrafës: ai ishte zot i një ministrie të tërë, i Zyrës Posttelegrafike të Vlorës. Asambleja kombëtare që shpalli pavarësinë e Shqipërisë, më 28. 11. 1912, u shpërnda më 7. 12. 1912, pasi zgjodhi më parë, në këmbë të saj, një Këshill Pleqsh, (senat) me 18 anëtarë.

Rruga e beut të Vlorës nga Kuçi në qytetin bregdetar

Gjatë kohës që qëndroja në Kuç isha zgjedhur (në mungesë) delegat, e tani u zgjodha senator i Vlorës.

Dy nga ministrat ishin miqtë e mi, Myfit bej Libohova dhe Abi bej Toptani. Por nuk kishte dy njerëz më të ndryshëm, madje më të përkundërt nga karakteri. Ndërkohë që Myfit beu i merrte me të përqeshur të gjitha këto: mangësitë e qeverisë së përkohshme, papjekurinë e popullit shqiptar, madje tërë këto fyerje që na kishin pllakosur, Abdi beu, përkundër, pikëllohej dhe dëshpërohej sa s’thuhej kur ishte i detyruar ta paguante me një apo dy javë vonesë marrjen e rrogave në shtetin e ri shqiptar.

Po ku e mësuan shqiptarët, pyesnim më shpesh me tallje, konceptin e rrogës mujore?

Problemi i financave, që unë do ta quaja me emrin e tij të vërtetë: vështirësitë për të siguruar paratë e nevojshme për të mbajtur aparatin shtetëror dhe këto mori të shpërngulurish më dukeshin të pazgjidhshme.

Sipas koncepteve turko-shqiptare, Vlora dhe Berati ishin krahina të pasura. Por të ardhurat nga doganat nuk vileshin më për shkak të bllokadës detare greke dhe me afërsisht 6000-7000 napolonat që qeveria e përkohshme mund të siguronte në muaj, Abdi beu duhej të bënte çudira, duke përmendur këtu se asnjë nga bejlerët nuk mori kurrë asnjë grosh si rrogë apo si dëmshpërblim. Myfit beu, ministri i Brendshëm, banoi disa javë tek unë, pastaj mori me qera një shtëpizë të këndshme prapa avllisë sonë, ku jetoi gjatë kohës së qëndrimit të tij në Vlorë. Stili në të cilin ai e drejtoi Ministrinë e Brendshme, të kujtonte paksa kohën e Dagobertit, Mbretit të mirë të Frankove: pakëz atëror, pakëz kalorsiak, por edhe pakëz despotik.

FLAMURI

Një javë pas kthimit tim në Vlorë, çova Murat bej Toptanin dhe Hydaj efendin tek Ismail Qemali, duke iu lutur të më kthente flamurin që i pata huajtur.

Më premtuan të ma kthenin atë menjëherë, sapo zonja Marigo Posjo (një atdhetare e madhe demokrate, por që i pëlqente reklama) ta kishte qepur e qëndisur flamurin e ri.

E pra, më 28 nëntor kryeobjekti i ditës, flamuri si simbol i pavarësisë, me atë pakujdesin tipike shqiptaro-lindore ishte harruar. Për më tepër shumica nuk e dinte sesi ishte ai. Kurrkush më përpara as e kishte parë, as e kishte mbajtur.

Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin të hutuar.



Flamuri i Eqerem Bej Vlorës, që ia kishte dhuruar Juan Pedro Aladro Kastrioti (1845-1914), më vitin 1909 në Paris. Këtë flamur - sipas Eqeremit - e kishte ngritur Ismail Qemali, më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Ky dokument është gjetur në arkivin e Stambollit.

Atëherë ngrihet miku im Hydai efendiu dhe thotë se “në dhomën e gjumit të Eqrem beut varet në mur një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur”. Dhe pyeti se a mund të merrej pa qenë aty i zoti?

Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri që dikur don Aleandro Kastrioti më kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit, me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë qëndronte në dritare.

Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin para shtëpisë dhe në kopësht, duke brohoritur “rroftë, rroftë“, edhe pse shumë prej tyre nuk e kuptonin edhe aq se ç’po bëhej.

Më vonë kur unë në ditët festive të shpalljes së pavarësisë si shtet i lirë dhe i pavarur, ngrita flamurin shqiptar në ballin e shtëpisë sonë, disa kosovarë të mirë më thanë: “Shumë mirë e bëtë ju të diturit që ngritët flamurin e babë Kralit (pra të perandorit Franc Jozef) se tani nuk ka më se ç’të na bëjë as serbi i poshtër, as malazezi morracak. Kur pyeta se ku e kam parë shqiponjën e zezë m’u përgjigjën krenarisht: “Tek ushtarët e babë Kralit, në Pazarin e Ri”.

Por natyrisht, pati edhe të tillë si një farë Haxhi Muhamet efendiu, një klerik i rëndësishëm e fanatik në Vlorë dhe ithtar i fortë i tim eti, i cili shprehej me zemërim se Ismail beu kishte zgjedhur një korb si simbol të Shqipërisë së lirë. (Ah ta kishte bërë Shqipërinë Syria beu, ankohej ai,- tani do të kishim në flamur syret e bukura të kuranit. Po ç’mund të presësh tjetër nga Ismail beu, që e ka kaluar të gjithë jetën në vendin e frëngjve?)!

Kur ia rrëfeva historinë Ismail beut, ai qeshi me të madhe, por edhe më kërcënoi me gisht se do t’i tregonte hoxhës që flamurin nuk e kishte gjetur ai, por unë!…

____________


SHERADIN BERISHA: FATI I FLAMURIT HISTORIK TË ISMAIL QEMALIT

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=5914


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks