SHKRIMI
e shtunë, 18 nëntor 2017

SKËNDER BASHA: JETËSHKRIMI IM! SI ECËM NË RRUGËN PËR LIRI!(1)

Therandë, 20 qershor 2017: (Hapi drejt ilegales) - Që në fëmijëri, do t’i lexojë disa numra të revistës “Shqipëria e Re”, revistë e ilustruar që botohej në Tiranë, e të cilën e sillte Beqir (Vesel) Llugaxhiu nga Gjermania, të cilën e merrja nga Taip (Beqir) Llugaxhiu. Këta numra të revistës, ia jepja për lexim Shpresë (Rrahman) Baraliut dhe Mustafë (Mulë) Bashës. Ndërkohë, nga Shpresa do ta marr romanin “Gjarpinjtë e gjakut” të Adem Demaçit, të cilin do ta përshkruaj në tërësi dhe do t’ua jep me kthim Mustafës dhe Taipit. Përmbajtjen e përshkruar të romanit “Gjarpinjtë e gjakut”, ia jap edhe Rifat (Rrahman) Rrahmanajt dhe Fadil Vatës, nga fshati Sallagrazhdë. Nga këta do të marr literaturë të shumtë, kryesisht vepra të Enver Hoxhës si dhe “Lahuta e Malcisë”. Në Odë do të dëgjojë tërë bisedat që zhvillonte gjyshi dhe babai im, me: Destan Bajraktarin, Haxhi Zybën e Xhavit Bashën, të cilët ishin mysafirë të shpeshtë, ndërsa do të kem në dorë gazetën “Liria”, “Bashkimi”, “Lajmëtari i Lirisë” e literaturë të shumtë që e sillnin mysafirët. Veçmas do të ndikoi amaneti i gjyshit tim, Veselit, i cili duket se kishte nuhatë rrjedhën e gjërave dhe kah po shkonim, që të mos iu përtoja në jetë: ushtrisë, burgut dhe luftës, të cilin amanet do të ma lë në ndarje me të, në spitalin e Prishtinës, kur po shkoja në shërbim ushtarak. Të gjitha këto do të ndikojnë në formësimin tim si njeri, por dhe në pjekurin dhe burrërimin tim të hershëm, ndërsa që më kishin lënë krejtësisht pa rini dhe jetë rinore. Gjatë gjithë këtyre viteve, deri në përfundimin me sukses të luftës së UÇK- së, do të jem i përndjekur ose i përvuajtur i regjimit.



- Skënder Basha - 


Peripecitë e para

Në shërbimin ushtarak, në armatën jugosllave, shkova menjëherë pasi të kem mbaruar shkollën e mesme, në tetor të vitit 1980. Atje do të persekutohem dhe do të kem shumë peripeci ngase në Kosovë dhe në vende tjera të ish Jogusllavisë më ishin burgosur shokët e shoqet e shkollës së mesme: Fadil Vata, Halil Krasniqi, Ibrahim Shala, Shemsie Elshani, Murat Bytyçi e ndonjë tjetër, që të gjithë këta nxënës të profesorëve të nderuar e shumë të respektuar Shefki Muqa e Begjet Berisha, për të cilët pyetesha në vazhdimësi nga shërbimi informativ ushtarak jugosllav KOS-i. Më ishin problematike edhe letrat e shumta që merrja në vazhdimësi, gati çdo ditë, nga baca, Malë (Bafti) Basha, e veçmas ato që më dërgonte daja, Besim (Adem) Ndreca, që të dy këta në vuajtje dënimi në burgun famëkeq të Lepogllavës, në Kroaci; Aq më tepër që Besimi kishte therë me bajonetë një oficer të tij, serb, derisa ishte në shërbim ushtarak në armatën Jugosllave. Më pyesnin për: Gjyshin tim, Veselin, Destan Bajraktarin, Haxhi Zybën, Xhafer Bashën e për shumë veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare shqiptare, të dënuar e të përndjekur politik, ndërsa që më pyesnin për shokët e mi ushtarë, shqiptarë, me të cilët po shërbeja. E gjithë kjo pasi të kenë ndodhur ngjarjet e mars- prillit ’81 në Kosovë e të cilat na kishin zënë atje, në shërbim ushtarak. Do ta kem të vështirë gjatë gjithë kohës, ndërsa do të jem fatlum që nuk më kishin ngritur akuzë, krejt të pakuptimtë, për ndonjë sjellje tonë atje. Fadil Vatën s’do të kem fat ta shoh kurrë më, ngase ishim në burg, ose ai ishte në ekzil, në Zvicër.

Fillimet e veprimit në organizime ilegale

Në tetor të vitit 1981 kthehem nga armata dhe i filloj studimet në Fakultetin e Shkencave Natyrore-dega e Biologjisë, në Universitetin e Prishtinës. Këtu njihem me Shemsi Veselin e përmes tij do të lidhem me organizatën ilegale “Fronti Nacional Çlirimtarë”- “FNÇ”. Do të marr pjesë në demonstratat e vitit 1982-83 në Prishtinë, dhe do të kujdesem për mbarëvajtjen e demonstratave në detyra të caktuara, ndërsa nga Prishtina do të sjellë trakte, të cilat bënin thirrje që të organizoheshin demonstrata edhe në Suharekë, në përvjetorin e demonstratave të 81-shit. Këto trakte i shpërndaja në vende publike, ndërsa isha i ndihmuar nga: Skender (Tahir) Bytyqi, Xhavit (Hamit) Sadikaj, Sylejman Gega, Vesel (Jupë) Qerkinaj, Gani (Elez) Buzhala, Sali (Jakup) Basha, Mustafë (Mulë) Basha, Nijazi (Azem) Basha, Gjelal (Jetulla) Basha, nga vëllai im Enver (Ibrahim) Basha, Isuf (Mulë) Basha, Elmi (Qerim) Loshi, Ruzhdi (Kadri) Kolgeci, Bislim (Rrustem) Muqa, Azem (Miftar) Kolgeci, Ruzhdi (Bajram) Basha, Avdyl (Qazim) Kolgeci, Hagji (Hysen) Kolgeci, Regjë (Hajrulla) Kolgeci, Agim (Musli) Kolgeci, Zenel (Hajrush) Kolgeci e nga të tjerë, shumica nxënës të shkollës së mesme. Ngjashëm do të veproj edhe në vitin 1983. Tani këta djem, ishin bërë anëtarë të FNÇ-së, ndërsa po shkruanim parulla dhe po shpërndanim shtypin ilegal.

Bashkëpunimin që kisha nisur me Malë Morinën e Lybeniqit të Pejës, UDB-ja do ta ndërpres dhunshëm, duke e kidnapuar dhe varë Malën në një arrë të një serbi në Lybeniq me pretekstin se Mala kishte provuar të kalonte në Perëndim familjarë të Vëllezërve Gërvalla.

Ne vjeshte te vitit 1983 së bashku me Ibush Vishin, Enver Topallin, Shemsi Veselin dhe Nuhi Berishën do të arrijmë të bashkojmë: “Frontin Nacional Çlirimtar” (FNÇ), të cilin po e kryesonte Sejdi Veseli, “Partinë e Luftës së Kosovës” (PLK), kryetar i së cilës ishte Kadri Osmani dhe “Lëvizjen për Republikën Shqiptare në Jugosllavi” (LRSHJ), të cilën në Kosovë e përfaqësonte Rexhep Mala; Duke i shkrirë në LRSHJ.

Ishte periudhë e ndritshme e qëndrimit dhe veprimit politik të masave shqiptare kudo në viset shqiptare nën Ish Jugosllavi e këtu në Kosovë në veqanti. Veçmas ishte politizuar rinia përparimtare studentore, por edhe nxënës të shkollave të mesme, ndërsa që spo mungonte përkrahja e hapur e klsës punëtore dhe e fshatarësisë, andaj pos që ishte e nevojshme ishte edhe kënaqësi të veprohej me njeriun e këtushëm. Do të thosha që ishte periudhë e një rilindje të fuqishme kombëtare kur secili nesh po bënte përpjekje për ditë më të mira për ne, ndërsa që s’do shpjegim se kjo ishte arritë falë punës dhe angazhimit të veprimtarëve të shumtë që po bënin sakrificën duke vepruar pandalshëm me devotshmëri që prej kohësh. Ndikim thelbësorë kishin ngjarjet e vitit 1981- ’82 dhe masat represive që kishte marrë e po merrte edhe më tej pushteti kundër pjesëmarrësve në këto ngjarje e në zhvillimet politike pas tyre. Për fat të keq si gjithëherë edhe tani pushteti represiv serb po gjente bashkëpunëtor, madje të tillë po rekrutonte përditë e më shumë, nën trysninë e të cilëve do të jemi gjithnjë e më të rrezikuar.


 


Dubrovnik, 27 Maj 1980: Fadil Vata më shokët dhe shoqet e klasës "Katër -11", gjatë ekskurzionit shkollor në Kroaci. Nga e majta (në këmbë - i pesti) Fadil Vata, ndërsa ulur në mesin e vajzave, Shemsie Elshani.

Burgosja e Parë

Në shkurt të vitit 1984 do të shembet shumëçka. Do të burgoset Kadri Osmani e Sejdi Veseli me të gjithë vëllezërit e tij. Në një luftë heroike me forcat serbe do të vriten Rexhep Mala e Nuhi Berisha, dy nga bijtë më të mirë që kishte lindur nëna shqiptare e që kishte rritur dheu arbërorë. Do të burgoset numër i madh veprimtarësh anekënd Kosovës. Të gjithë do të kalojmë nëpër torturat nga më mizoret. Disa nga ne do të thyhen e gjymtohen këmbë e krahësh, do të dënohemi me shumë vite burgim të rëndë e do të kalojmë rininë nëpër të gjitha burgjet e ish-Jugosllavisë. Do të persekutohemi, të rrihemi e torturohemi, por asnjë s’do të thyhet e gjunjëzohet, e as do të lejoj ta humb kohën kot. Përkundrazi, do të ndrisim mendjet së lexuari, do të piqemi e aftësohemi për sfida edhe më të mëdha. Unë dhe Skënder Bytyçi, do të dënohemi, me proces të ndarë, si anëtarë të FNÇ-së. Do të mbajmë qëndrim të fortë, burrëror, edhe gjatë hetimeve edhe gjatë vuajtjes së dënimit; do të arrijmë të mos denoncojnë e të mos dekonspirojmë asnjë prej shokëve tanë. E kisha të rëndë që hetimet po mi kryenin hetues shqiptarë që të thuash për inatin tim të gjithë kishin ardhur nga mësuesia dhe arsimi, kurse le që po tregoheshin të dhunshëm e të pashpirte, por ishin edhe krejt të pa cipë. Gjykimi do të na bëhet në Prizren dhe do të mbahemi aty për disa kohë, ndërsa më vonë, mua, do të më qojnë në Smrekonicë të Vushtrrisë. Populli flet me admirim për qëndrimin tonë prej revolucionarësh të vërtetë në gjykatë dhe për mbrojtjen me këmbëngulësi të qëndrimeve politike për Republikën e Kosovës, për lirinë dhe barazinë e shqiptarëve në Jugosllavi.

Gjatë vuajtjes së dënimit do ta kem fatin të qëndrojë me shumë nga shokët që i njihja dhe më shumë të tjerë që s’i njihja më parë. Do të bashkëjetojë dhe të mishërohem me ta. Do të brumosem e çelikosem edhe më shumë, do të vuaj bashkë me shumë burra të dheut. Me shumë të tjerë do të komunikoj fshehurazi për një kohë të gjatë. Do të shqyrtojmë ide çlirimtare e forma veprimi nga më të ndryshmet. Në ndarje do t’i premtojmë e do ti betohemi njëri-tjetrit se nuk do të pushojmë së vepruari për liri, ndërsa që shumica dërmuese prej nesh s’kishim pushuar së vepruari deri në përfundimin e Luftës së UÇK-së.

Lirimi nga burgu, angazhimi i serishëm në ilegale

Në maj të vitit 1985 do të lirohem, pasi ta kem vuajtur në tërësi dënimin. Nëntë ditë pasi të lirohem, sërish do të aktivizohem në Lëvizjen Ilegale, tani në “Organizata e Marksist Leninistëve të Kosovës (OMLK) nga Haki Gashi dhe Gafurr Elshani. Shumë shpejt do të krijojmë “Komitetin e Rrethit të Suharekës të OMLK-së“. Gafurri do të jetë Sekretar për Çështje Politike, Hakiu, Sekretar Organizativ, kurse unë, Sekretar për Agjitacion dhe Propagandë si dhe Arkëtar i Komitetit të Rrethit. Do të shtrihemi shpejt dhe guximshëm në terren, menjëherë pasi të kemi dhënë betimin. Do të grumbullojmë mjete financiare dhe do të përpiqemi të armatosemi, së paku për t’u vetëmbrojtur, kur rrezikohemi dhe deri sa jemi në veprim. Do të krijojmë e shpërndajmë organin e organizatës sonë “Pararoja” e materiale të tjera propaganduese; do të fuqizohemi me anëtarë të rinj dhe do të gjejmë shokët kudo që janë; do të punojmë me njerëz të rinj. Unë, do të veproj me pseudonimin ”Izeti”, do të kontaktoj të gjithë shokët e më hershëm të veprimit dhe të gjithë do të më bashkohen. Gafurri dhe Hakiu do të punojnë në çështjet politike dhe organizim. Do të përpiqemi të kontaktojmë grupet dhe organizatat që vepronin në terren; do të arrijmë të bashkohemi me grupin në të cilin vepronte Sadik Halitjaha. Bëhej punë e madhe, e palodhshme dhe me shumë përkushtim, këtu e kudo, e si rezultat po rriteshin radhët tona e po bëheshim shumë e më shumë.

Martesa “nëpër flakë pushkësh”

Isha i fejuar, që para se të burgosesha herën e parë, me Raba (Azem) Loshin, kurse do të martohem vetëm pak javë para se të burgosem sërish. Prindërit dhe familjarët më kishin organizuar dasmë me shumë të ftuar, me zurla, tupanë e më këngëtarë, ndërsa që mua s’po më kishin kuptim gjërat. Në ditën e dasmës e të martesës sime, unë do të jem në takim me shokët e ilegales, Gafurrin e Hakiun, në livadhet mbi fshatin Reqan dhe normalisht që shokët si kisha ftuar në dasmë, kurse e kishin mësuar këtë kur po i lusja të mos vonoheshim në takim meqë unë po martohesha prandaj s’mund të vonohesha shumë ngase nusja merrej aty, në fshatin Vraniq, e krushqit do të ktheheshin shumë shpejtë.

Burgosja e dytë, lirimi nga burgu

Në fund të nëntorit të vitit 1985 serish shembet diçka. Prapë burgosje të shumta anekënd Kosovës. Mua, do të më përsëritet historia, vetëm pas më pak se gjashtë muaj qëndrimi jashtë grilave, siç do të thoshin atëherë, në burgun e madh të shqiptarëve. Tani isha edhe më i fortë se më parë. Bashkë me Hakiun do të kursejmë të gjithë shokët tanë. Arrijmë ta mbrojmë, deri në lirim nga burgu ,edhe Sadik Halitjahën, i cili do të lirohet në fund të procesit gjyqësor. Gafurri ishte në ilegalitet e më pas do të arratisej jashtë vendit, në Zvicër. Sërish gjithë peripecitë që sillnin burgjet; serish bashkë-vuajtja me burrat e dheut, krenari e kombit atëherë dhe sot, për jetë e mot. Shumë prej tyre tani janë bërë të pavdekshëm-yje që shndrisin e shumë prej tyre edhe më tej përpiqen të drejtojnë rrjedhat deri në çlirim definitiv dhe bashkim kombëtar. Të shumtë janë edhe ata që sot përbëjnë kreun e shtetit e të politikës se vendit. Edhe kësaj radhe do të burgosem e do të gjykohem në Prizren. Do të dënohem me katër vjet burg, kurse Haki Gashit do t’i shqiptohet dënim me shtatë vite burg të rëndë. Dënimin do ta vuaj në burgun e Prizrenit, atë të Pejës, Sarajevës, dhe në Foçë të Bosnjë-Hercegovinës, ku pos shokëve të shumtë shqiptarë do ta kem fatin të vuaj bashkë dhe të njihem për së afërmi edhe me ish- disidentin jugosllav, Marko Peroviq, dhe me të burgosurin politik boshnjak, Alia Izetbegoviq, i cili më pas do të jetë kryetar i Bosnjë e Hercegovinës dhe themelues e kryekomandant i ushtrisë boshnjake, në luftën për çlirimin e Bosnjë-Hercegovinës. Nga këta do të mësoj gjëra të shumta me rëndësi për veprimin dhe për luftën për çlirim kombëtar. Edhe këtë dënim do ta vuaj të tërin. Lirohem në nëntor të vitit 1989, në kohën e vlimeve e ndryshimeve politike në Kosovë e Jugosllavi.

Sa herë po ndahesha nga shokët e po i leja ata në burg, po më copëtohej zemra dhe po vdisja nga pak, dhe sa më shumë që po largohesha nga objektet e burgjeve më bëhej se aq më thellë po fundoseshin e po bëheshin greminë këto burgje dhe s’po më hiqeshin nga mendja ata njerëz të mbushur lavdi e unë po sforcoja betimin se do të përpiqesha për lirinë.

Anëtarësimi në LDK, angazhimet

Ishte në proces ndryshimi në planin e organizimit politik, kur Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë (LKJ), po binte nga skena edhe në Kosovë dhe kur po krijohej Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Do të më vizitojë numër, vërtetë, tepër i madh njerëzish me rastin e lirimit nga burgu, ndërsa gati secili prej tyre do të këshillohet me mua si të veprohej në këto rrethana. Do t’i këshillojë që të shkojnë të gjithë në LDK. Kështu do të ndihmonin largimin nga skena të Lidhjes së Komunisteve të Jugosllavisë (LKJ–së). Ndërsa kur më pyesnin se, a do të jem edhe unë në LDK? Ua ktheja me shaka se: Unë, më parë, duhet t’i pyesja shokët.

Pos në masivizim, LDK-në do ta ndihmoj edhe për të krijuar strukturat e saj, në Suharekë e në Nëndegë-në Vraniq, kurse do të anëtarësohem në këtë parti pas një këshillimi me Adem Demaçin, në një takim në odën e Maliq (Sylejman) Zyba në Bukosh, nga i cili, pos që njerëzit porositeshin të anëtarësoheshin në LDK, t’i japin asaj edhe shpirt e ta bënin të fortë dhe efektive. Me të dëgjuar për këtë, aktivistë të LDK-së, në fshatin Vraniq, më angazhojnë në Kryesi të Nëndegës, e me pas do të jem Kryetar i LDK-së, deri në zgjedhjet e fundit të kësaj partie, ato të dhjetorit të vitit 1997, të cilat do t’i organizojë por vet nuk do të pranojë të zgjedhë dhe as të jem i zgjedhur.

Duke qenë kryetar i nëndegës, në të vërtetë isha kryetar fshati dhe kështu do jap kontribut të veçantë. Njerëzit më mbajnë mend si kryetar që e kisha ngrit edhe më lartë rendin, rregullin dhe disiplinën në fshat e si udhëheqësin e tyre që po respektonte dhe po ftonte me sukses të tjerët të respektojnë gjithë rregullat dhe normat e krijuara shumë vite, dekada e shekuj më parë nga pararendësit e mi këtu: Në mbrojtjen dhe ruajtjen e pyllit e të fushës si dhe në shfrytëzimin e drejtë e racional të ujit për pije dha atij të ujitjes, por edhe në respektimin e një varg normash të tjera që tashmë shin ligje të pashkruara për njeriun e fshatit Vraniq. Do të më mbajnë mend edhe për kohë të gjatë, për “Qukën” që ua kam ringjallë së mbjelluni me drunj pishe, dhe për “Parkun e fshatit” që me këtë rast ua kam dhuruar e lënë trashëgim gjeneratave.

Veçanërisht do t’i përkrah njerëzit në halle e vështirësi, por edhe problemet që kanë do t’ua zgjidhë me urgjencë e me shumë urti. Bënim punë ekipore dhe krejt të pa lodhshme, ndërsa që përkushtimi në angazhim do të jetë i tillë që ngatërresën më të madhe mes njerëzve në fshat do ta zgjidhim brenda tridhjetë e katër orëve, kurse gjatë gjithë kësaj kohe s’kishim pushuar e ngrënë bukë. Për të realizuar të gjitha këto, me sukses, do të bashkëpunojë ngushtë me kryesinë e fshatit ku krahë kisha: Selim (Brahim) Kolgecin, Xhavit (Jetulla) Bashën, Shefki (Hamëz) Kolgecin, Sylë (Jakup) Bashën, Agim (Sherif) Rraqin, Shefket (Kadri) Kolgecin, Tahir (Vesel) Kolgecin, Musli (Hasan) Muqën, Isuf (Mulë) Bashën, Bajram (Musli) Kolgecin, Xhemajl (Gjeladin) Kolgecin dhe Bislim Rr. Muqën; me imamin e fshatit Halim (Hamit) Shehu dhe Këshillin e xhamisë; me rojën e pyllit dhe të fushës Muharrem (Qazim) Kolgecin, si dhe me kurbetçinjtë e fshatit, me të cilët kisha krijuar rregull në mbajtjen e takimeve vjetore, me ta.

Sa herë që strukturat e LDK-së në fshat kishin organizuar zgjedhje të partisë, por edhe kur u mbajt referendumi për pavarësi të Kosovës, më 26 shtator 1991, mua, do të më liheshin çështjet e sigurisë, ndërsa këtë do ta realizojmë me njerëz nën armë, me sistem komplet radio-lidhjesh, dhe do të bllokojmë rrugët që çonin te vendvotimi me automjete, traktorë etj.

Ne sektorin e mbrojtjes që kishte krijuar LDK–ja, do të punoj me Ibrahim Shalën, Sylë J. Bashën e Ukë Bytyçin. Këtu do të krijohen regjistra të shumtë me emra të te rinjve që përzgjidheshin për polic dhe kuadro ushtarake për të ardhmen e vendit, të cilët mendohej të dërgoheshin në akademi përkatëse në Shqipëri për aftësim.

Në sektorin e financimit të mekanizmave që po krijoheshin, përkatësisht në grumbullimin e mjeteve në kuadër të Këshillit për Financim, do të punoj vullnetshëm e pa kompensim, me Bislim Muqën dhe Haxhi Kolgecin. Isha pjesëmarrës dhe një nga organizatorët që drejtojnë dhe kujdesen për mbarëvajtjen e të gjitha demonstratave të përgjakshme të viteve 1990–91, në Suharekë e në rrethinë, ku kërkohej demokratizimi i shoqërisë, por edhe të atyre të viti 1997- ‘98 ku i brohoritej UÇK- së e ku i jepej haptazi e në sy të pushtetit serb përkrahja e parë morale luftëtarëve të saj trima.

Angazhimi i sërishëm në ilegale

Në vitin 1991, me porosi të Xhavit Hazirit nga Obiliqi, te unë, do të vijnë: Hysen Gega, Halil Krasniqi dhe Ilaz Kadolli, të cilët më angazhojnë në radhët e “Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës” (LPRK), e cila në gusht të vitit 1993 do të shndërrohet në “Lëvizja Popullore e Kosovës” (LPK). Këtu do të jem deri në përfundimin e luftës së UÇK-së.

Në vjeshtë të vitit 1992, në shtëpinë time, vije Raif Qela nga Mitrovica, me idenë që të shkëputeshim njëanshëm nga LPRK-ja, me arsyetimin se ajo ishte bërë pasive dhe nuk po zhvillohej aktivitet i duhur revolucionar dhe se me veprimet e saj, LPRK-ja, kishte filluar t’i ngjante LDK-së. Ideja e Raif Qelës ishte krijimi i “Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës” (LKÇK). Për ta biseduar në detaje këtë çështje, bashkë me Avdi Kadollin, kishim shkuar në shtëpinë e Fadil Vatës në Sallagrazhdë. Kishim biseduar shterueshëm deri në mëngjes dhe nuk kishim mundur të pajtoheshim, ngase, unë, isha për idenë e angazhimit për ta bërë me efikase LPRK-në, dhe jo që ajo të ndahej. Perceptimi im për realizimin e bashkimit kombëtarë ishte se ai realizohet duke bashkuar fillimisht individët.

Në LPRK-LPK, kontribut të çmueshëm, në aktivitet me Xhavit Hazirin, dhe Remzi Ademajn, do të jap: Në përpunimin e tezave për krijimin e një fronti të përbashkët politik në Kosovë dhe për përfaqësimin politik të gueriles që ishte krijuar. Në lidhje me këtë Xhavitit i pata punuar një material njëzetetetë faqesh në dorëshkrim. Përcjellim me kujdes dhe lexojmë gjithë shkrimet e shtypit ilegal të kohës: “Zëri i Kosovës”, organ i LPK-së, “Çlirimi”, organ i LKÇK- së dhe “Kushtrimi i Lirisë”, organ i “Partia Revolucionare Shqiptare” (PRSH); Ndërsa në nismë të përpjekjeve për unifikim meqë rast, unë, do të duhej të kontaktoja me LKÇK-në, kurse Remzi Ademaj me PRSH-në do të krijohen rrethana ndjekje dhe persekutimi për aktivistët. Ndërkohë burgosen numër i konsideruar shokësh dhe aktiviteti pëson rënie.

Angazhimet tjera

Në lëvizjen kombëtare për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave do të angazhohem nga Opojari nga fshati Kuk, Bedri Halimi dhe nga Qazim Kabashi në vitin 1990. Këtu, veçmas, jam tepër aktiv me grupin e njerëzve të mijë dhe do të bëjmë punë të efektshme, deri në pranverën e vitit 1992, kur e përmbyllëm këtë aktivitet me një tubim madhështorë të pajtimit në “Zabeli i Pajtimit”, në Savrovë, me ç’rast do të arrijmë të pajtojmë disa dhjetëra hasmëri.

Isha njeri nga nismëtarët e themelimit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Dega në Suharekë, ku do të jem anëtar Kryesie dhe do ta themelojë Nëndegën e KMDLNJ- së në Vraniq, të cilën do ta kryesojë. Në Degë do të bashkëpunojë ngushtë me Besim Baraliun, kurse në nëndegë me Bislim Muqën, Azem Kolgecin, Hagji Kolgecin, Avdyl Kolgecin, Enver Bashën e Faton Kolgecin.

Bashkë me Besim Baraliun, Haxhi Zybën e Brahim (Ramë) Bllacën do të iniciojmë dhe do ta formojmë Shoqatën e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politik. Kuvendin themelues të kësaj shoqate do ta mbajmë në objektin e shkollës fillore në Grikoc, kurse kryetar shoqate do të zgjidhet Nexhmije Demiri- Morina. Nëndegën e kësaj shoqate do ta krijojë edhe në fshatin Vraniq dhe do të jem kryetar i saj.

Do të marr pjesë në kuvendin themelues dhe do të jem anëtar i Kuvendit të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe të Kosovës, Dega në Suharekë, ku kryetar do të zgjidhet Kosovë Bajraktari. Kuvendi themelues do të mbahet në shkollën fillore “Shkëndija” në Suharekë.

Themeloj Nëndegën e shoqatës humanitare bamirëse (SHHB) “Nëna Terezë” në Vraniq, sipas kërkesës së Haxhi Bajraktarit dhe profesor Vesel Hysës. Këtu do të punojë me Jakup A. Llugagjiun dhe me Sali A. Llugagjiun. Veçmas do të zhvillojë aktivitete bamirësie mes njerëzve të fshatit dhe asnjëherë s’do të lejojë që njerëzit të ndjejnë barrën e skamjes. Kishim krijuar atmosferë dhe gjendje në të cilën njerëzit vet po e ndihmonin njëri tjetrin, ndërsa që ne po ndërmjetësonim me informata mbi gjendjen materiale të individit dhe me porosinë kurë, kujt dhe me çka ti ndihmohej. Mund të thuhet se përfundimisht i heqë arnat nga veshjet e varfanjakëve këtu.

Me gjithë varfërinë e thellë, gati të skajshme, që kishim në ato rrethana dhune e terrori të pushtetit të dhunshëm serb kur gati të gjithë punëtorët ishin dëbuar nga vendet e tyre të punës, falë vullnetit të popullit kishim arritur që, në një rast, popullit Boshnjak dhe luftëtarëve të tij ti dërgonim sasi të konsiderueshme gjërash ushqimore dhe veshmbathje.

Në vitin 1996, së bashku me Bislim Muqën, Haxhi Kolgecin, Nexhmije R. Loshin, Shkurte Sh. Kolgecin, Nakije B. Llugagjiun, Naile M. Llugagjiun, Ervehe F. Muqën, Alida H. Muqën, Violetë N. Kolgecin dhe Naile Rr. Muqën, do të krijojmë grupin letrar “Lasgush Poradeci”, i cili do të organizoj aktivitet të gjallë letrar dhe krijues, duke mbajtur tri orë letrare, me të cilat do të ndikohet ndjeshëm në ngjalljen shpirtërore të njerëzve në fshat, ngase pjesëmarrja e tyre ishte tepër e madhe dhe mund të krahasohej me evenimente të mëdha kulturore që për kohën ishin të pakta.



Tërë këtë aktivitet dhe gjithë gatishmërinë për sakrificën që do ta bëjmë më pas, e kishim mbështetur fort në sigurinë që kishim në fitore. Ishim në mision të shenjtë, bëhej me lirin e popullit e të atëdheut, dhe këtu s’duhej mëdyshje e as s’duhej pritur më. Gjatë veprimit tonë, në rrugëtimin e gjatë, do të japim shokë të shumtë; Shumë prej tyre u martirizuan e shumë të tjerë ranë me pushkë në dorë. Në fund vije liria e paguar shtrenjtë; Liria për të cilën dham gjakun dhe jetët e më të mirëve tanë.

VIJON...


_____________________


SKËNDER BASHA: JETËSHKRIMI IM! SI ECËM NË RRUGËN PËR LIRI!(1)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=6632

***

SKËNDER BASHA: JETËSHKRIMI IM! SI ECËM NË RRUGËN PËR LIRI!(2 - e fundit)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=6633


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks