SHKRIMI
e mërkurë, 16 gusht 2017

FAHRI DAHRI: TEK 'PËRMENDORJA E PAVDEKSISË'

Konispol-Sarandë, 18 korrik 2017


Prolog

18 Gusht i vitit 1944


Ishte mes gushti i vitit 1944, kur vargu i njerëzve të dëbuar nga vendlindja po ecte në atë shpatmali, më saktë bishtmali që ndan kufirin e trojeve shqiptare me trojet shqiptare. Bëhet fjalë për faqen e malit të Sajadhës, e cila ishte e populluar me njerëz të moshave të ndryshme, me kafshë samarjare, bagëti dhe tek tuk me dengje ngarkuar. Ishin shumë njerëz në atë pllajë, të gjithë të cfilitur, të pafuqishëm, të pangrënë dhe po thuaj shumica edhe të xhveshur, të cilët prisnin me ankth, me dhimbje, me shpresa të pakta, që të merrej leja e kalimit kufitar nga vendi autokton për të shkelur në vendin “Mëmë”, për ti shpëtuar vrasësve të etur për pirje gjaku foshnjash, fëmijësh, pleq e plakash të pafajshëm.

Kaluam kufirin me dhimbje të brendshme dhe lodhje fizike. U ndamë për së gjalli me tokën që na kish rritur, me trashëgiminë mijëvjeçare, të lodhur nga ecja, të drobitur fizikisht e moralisht, të vuajtur nga ligështia e masakrave që na goditi, që na vrau dhe na preu “junani” me pabesi, me dredhi, me ushtri, armatime por dhe me hanxharë e sopata.

Ashtu të raskapitur, turmat kaluan “Qafë Botën” dhe u përhapën në anën tjetër të kodrës duke u strehuar nën hijen e ullishtave të Konispolit, në Kllogjer dhe më poshtë, në fushën e “Vasilikoit”, Mursi, Xarrë, e më tej. Lëngime të sëmurësh, ankime nga dhimbjet e torturave që kishin pësuar, fëmijë të pangrënë, foshnja të pamendur, të gjithë, të mëdhenj e të vegjël ishin tepër nevojtarë për t’ju shërbyer, por kush do i shërbente?. Kjo ishte gjendja e njerëzve të pa fat, që jeta e tyre u bë skëterrë në atë gusht të vitit 1944, në atë vend të quajtur Kllogjer.



Ah Kllogjer, Kllogjer, sa i dashur u tregove, sa dhimbshuri ndjejmë kur emrin tënd e kujtojmë vazhdimisht gjatë gjithë këtyre 73 viteve. Atje, nën dhéun tënd, janë varrosur mbi 2.775 njerëz, familjarët tanë (foshnja, fëmijë, pleq, plaka, burra dhe gra), të cilëve u perëndoi jeta nga uria, sëmundjet, torturat, marazi që mbollën andartët e shtetit dhe të kishës ortodokse greke.

“Përmendorja” e jetëve të shuara nga uria,

sëmundjet, torturat dhe marazi

Qershor 2017: Para meje shoh pamje nga kanali televiziv “Çamëria” tv. Është vargu i njerëzve, pasardhësve të atyre që vdiqën dhe u varrosën tek ti o Kllogjer (Varrmasiv), që vijnë të takohen me prindërit, motrat, vllezërit; janë gonërit, gonet, stërnipa e stërmbesa, që çdo vit vijnë me trendafila, manxuranë, me flamurin Kuq e Zi për tu takuar me ju dhe t’ju tregojnë se jeni pjesë e pandarë e jetës tonë, jeni pranë nesh me zemër, me ndjenja dhe me bindje se drejtësinë për padrejtësinë e bërë ndaj jush, do ta sigurojmë sado e vështirë dhe e largët që mundet të duket.

Vargu i gjatë nuk ka të sosur, duket plot hijeshi, me rroba shumëngjyrëshe, të kaltërta dhe të bardha veshur, të ardhur nga gjithë Shqipëria dhe diaspora, po ecin drejt teje o Kllogjer, pranë kësaj “Përmendoreje” madhështore të ndërrtuar në nderim të vuajtjeve tuaja, me dëshirën që t’ju lehtësojmë sado pak dhimbjet e vdekjes së pazakontë, që shpirtërat tuaj të shikojnë se rrjedha e “fisit” vazhdon, nuk është shuar, përkundrazi është shumuar; nga ajo pjesë e shumuar janë vizitorët që ju bëjnë zijaret (vizitë) dhe urojnë të preheni në qetësi, duke mbajtur në mendje dhe në zemër “amanetin tuaj” .

Në këto varggjatë njerëzish, nuk marrin pjesë prindërit e atyre foshnjave dhe fëmijëve që vdiqën në prehërin dhe sytë e tyre të përlotur, sepse kanë kaluar shumë vite, ata me moshkallin (ankthin) në kraharor tërë jetën, kanë ndërruar jetë dhe besojmë se me shpirtërat tuaj janë “bashkuar”. Po. Atje lart në qiellin e “Gjithësisë”. Por në këtë varg janë disa nga vllezërit, motrat, bijtë dhe bijat tuaja, ndërsa shumica dërrmuese janë të paslindurit e atij viti, që ju mbetët nën këtë dhé. Janë ata që nuk ju kanë parë, as ju kanë njohur, janë rrjedha e gjakut tuaj, janë pasardhësit e “fisit” të pavdekshëm thesprot-çam, që janë njohur me historinë tuaj, vuajtjet, torturat dhe vdekjet tuaja, që ju bënë të pavdekshëm, janë vazhdimësia që kanë ditur të ruajnë me vetmohim ndjeshmërinë ndaj të parëve dhe të ruajnë të pa prekur gjenezën pellazgo-iliro-epirote.

Ju jeni tretur nën këtë dhé, por mbi këtë dhé janë shkruar emrat tuaj. Ju mbeteni lapidarë të përhershëm, që mbarë shoqëria civile, të kujtojë dhe të ndalojë kasaphanat kundër njerëzve me etni, besim fetar, ngjyrë dhe raca të ndryshme. Ky varggjatë njerëzish, tashmë është kthyer në traditë dhe me bindje se e nesërmja do të sjellë kthimin e kësaj tradite në homazhe për pelegrinazh tek vendi i të persekutuarve nga padrejtësia që ka ndjellë egërsia ortodokse greke. Do të kthehet në vend të “shenjtë”, sepse shuarja juaj e pafajshme ju “shënjtëron”.

●●●

Ky është qershori i njëmbëdhjetë që çamët e shpërngulur nga vendi i tyre në Çamëri dhe vazhduesit e tyre mblidhen në “Qafë Botë”, të cilët protestën e shndërrojnë në një masë njerëzish paqësor, që i drejtohet institucioneve ndërkombëtare për drejtësi dhe reflektim ndaj padrejtësisë së kryer më 1913 dhe në qendrimin indiferent ndaj gjenocidit grek. Vargnjerëzit vijnë me qirinj, duart plot me tufa garrufale (karafila), trëndafila dhe degë nga druri i tyre i shenjtë- ulliri. Ata kanë udhëtuar nga e gjithë Shqipëria për të bërë homazhe dhe lutje që shpirtërat e të afëmve të prehen në qetësi, po kështu i bashkuar komuniteti çam, tregon edhe solidaritet të vendosur për dhënie drejtësi, riatdhesim, njohje të pronave, trojeve, pasurive, njohje të gjenocidit, të identitetit të tyre dhe rajonit.

Është bërë traditë udhëtimi drejt kësaj “Përmendoreje”, ku pjesmarrja në çdo qershor i kalon të pesëmijë vetat. Në përbërjen e tij ka ende pleq e plaka që ishin pré e gjenocidit grek, fëmijë në atë kohë dhe sot janë mbi të shtatëdhjetat. Secili prej tyre ka kujtimet, brengat, mallëngjimet, të cilat i shprehin me zë të dridhur, herë herë flasin me nobete (ndërprerje), ngashërimat i mundojnë. Le të njihemi me disa prej mendimeve të tyre, të thëna ndër këto 10 vitet e fundit:

25/06/2006. “Kujtojmë bashkësinë ndërkombtare se çështja çame mbetet një plagë e hapur dhe zgjidhja e saj do t'i shërbejë forcimit të demokracisë në rajon, marrëdhënieve të miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë". Kështu është deklaruar në tubimin e qershorit 2006 nga kryetari i PDI-së z. Tahir Muhedini.

25.06.2007. Lulzim Osmani 57 vjeçar, me sytë e njomur nga lotët, tregon me dorë përtej Qafë Botës: "Jam ka Lopësi. A e dini se Lopësi im ishtë vetëm 15 minuta larg që këtej?". Meraku i tij është se distanca vërtet është shumë e shkurtër, por për ‘të është e pamundur të shkojë, sepse pengohet nga padrejtësia njerëzore dhe agresivitetet e politikës. I mbërthyer nga ngashërimat ai shprehet: "Gjyshin ma kanë torturuar grekët". Ndërsa Remzi Hyseni, kur e pyesin se nga ç’vend i Çamërisë është. Ai në dialektin çam thotë: “ja këtej afër, ka Karbunara e Çamërisë”. Remziu tregon se 75 veta janë therur në sytë e tij, kur ai atëhere ishte një fëmijë vetëm 14-vjeç."Them se nuk do të bill sitë pa e parë dhe një herë vendlindjen".

26 qershor 2010. Në “Qafë Botë” Haxhi Hoxha 75 vjeç, me origjinë nga Çamëria, i lindur në Skopjonë (Gumenicë), ka udhëtuar nga Shkozeti i Durrësit për të përkujtuar 66 vjetorin e gjenocidit grek. Ai shprehet:“Sivjet, tre vellëzërit e mi më dërguan mua përfaqësues dhe ndihem krenar që ndodhem këtu për të plotësuar amanetin e tim eti, që tashmë nuk jeton, por fatkeqësisht ai dhe unë i përjetuam ato ditë tmerri. Babai i mbylli sytë me shikim nga vendlindja”. Më tej Haxhiu vazhdon: “Isha 9 vjeç dhe gjatë udhëtimit tre ditor për në Konispol kam parë shumë trupa të masakruara që hidheshin në kanal, si dhe njerëz që largoheshin për t’i shpëtuar masakrës”.

30 qershor 2012. Mijëra persona ndodhen në Kllogjer në përkujtim të gjenocidit grek ndaj çamëve, ku simbol është “Përmendorja e Pavdekësisë”. Gurin e parë për ndërrtimin e varrezave, e vendosi z. Shpëtim Idrizi, kryetari i PDIU-së, i cili ndër të tjera tha: “Ky është guri i themelit të çështjes çame. Këto varreza janë detyrim moral për paraardhësit dhe pikë kthese për “Çështjen Çame”, e cila do të futet në kanalet diplomatike dhe kthimi pranë vatrave tona nuk do të jetë i largët”.

Një nënë çame (atëhere ishte një vajzë e vogël) dëgjohej që fliste duke qarë dhe puthur gurët: “Nanë të ardhç në Qafë Botë: Nuk të takova dot; Kam për ty lule dhe lot!”. Një nuse, në kthim nga Kllogjeri, i këndonte foshnjës, një ninullë të vjetër çame: “Më rafsh qingj e m’u bëfsh dash; me mustaqetë një pash; Mu bëfsh trim si Pirro-burri; dhe si Markua ka Suli!”. Duke shkruar këto kujtime, më erdhën ndër mend mbresat e mikut tim, Resmi Osmani. Edhe ai ishte njëri nga fëmijët e asaj kohe, i cili i ka sjellë kujtimet e tij tek novela: ”Udha e dhimbjes”, nga e cila shkëpus pjesën: “Kaluan ditët, po kalonin muajt, Kllogjeri u bë tokë e vuajtjeve....Të korrat e jetëve ishin të frikshme. Vdekja s’njihte radhë apo moshë: fëmijë, djem e vajza, burra e gra, të moshuar e të moshuara. Përditë xhenaze. Kodra e Kllogjerit po mbillej me varre, po mbruhej me dhimbje, po lagej me lot të dëshpëruarish...... Të gjallët s’kishin takat të hapnin varret për të vdekurit. .....Medet për çamët dhe Çamërinë!”

●●●

Ndër këta njerëz vrehen fytyra të rrudhura, më tepër rrjedhojë brengash, mallëngjimi dhe dhimshurie për njerëzit që rrijnë të heshtur mbas këtyre emrave, për tokën e tyre që shtrihet mbrapa kësaj kodre, se sa nga vitet mbi supe. Bashkë me ’ta në Kllogjer, vijnë vajzat, djemtë e tyre, nipër e mbesa për të kryer ritualin e vazhdimësisë.

Të lindurit mbas 1944, shoqërojnë të moshuarit (prindërit, vllezërit dhe motrat e njerëzve nën këtë dhé), edhe për t’ju dhënë kurajo, për t’ua lehtësuar dhimbjet therëse shumëvjeçare, gjithëjetësore, për ti mbajtur prej krahësh në vendosjen e luleve, në ligjëratat e zëshme, e të pazëshme që kanë brenda qenies së tyre. Shumë prej tyre, edhe unë, marrim frymë thellë, sjellim ndërmend atë udhëtim vuajtjeje, të ecurit nëpër këto vende duke kthyer kokën pas. Para syve tanë, 73 vite më parë, këtu në këtë truall janë shuar jetët e dy apo edhe dhjetë pjesëtarë të pjesës më të madhe të familjeve çame që deri para 11 vjetësh ishin pa varre, por koha e kërkoi që të korigjohej indiferentizmi shtetëror i kësaj ane kufiri dhe u ndërrtua madhështore kjo “Përmendore”. Por mat’anë këtij kufiri politik, në rajonin e Çamërisë, që janë vrarë, therur, torturuar dhe djegur në furra nga ortodoksia dhe shteti racist grek, prej 27 qershorit të vitit 1944 e deri në Mars të vitit 1945, mbi 5.577 fëmijë, të rinj, burra, gra, pleq e plaka; nuk ka varre, dhe askush nuk lejohet të shkojë për homazhe qoftë dhe në varrezat e para 1944-trës.



Është fundmuaji i qershorit 2017. Këtë vit, unë veçmas mora udhëtimin e gjatë për në Konispol. (Ndodhi që në dy ngjarje të rëndësishme: zgjedhjet parlamentare dhe përkujtimi i 73 viteve, kjo e fundit padrejtësisht nuk u organizua). Mbas rreth 5 orë udhëtimi dhe pushime, po i afrohesha “Përmendores” së njerëzve që ishin shuar nga uria, sëmundjet, torturat dhe marazi. Jam akoma duke ecur drejt “Përmendores”, dua dhe pak që të arrij tek vendi i “Varrit masiv” që gjindet në Kllogjer të Konispolit, pak kilometra më larg kufirit “Qafë Botë”. Atje ku mat’anë janë varret shekullore të të parëve tanë, trashëgimia mijëra vjeçare, atje ku ka 73 vjet që vazhdohet të hapen “varret” për varrosjen e toponimisë, kulurës, traditës, kundër gjithçkaje çame. Thurren e ndërthuret pabesira, manipulime dhe shpifje nga më të çuditshmet, më të shëmtuarat, deri në mohim të identitetit, vazhdohet me manipulimet, fshehje dhe fshirje faktesh, ndërrim emra vendesh, malesh, të fushave, prrenjëve, të lumenjëve dhe të vetë rajonit të Çamërisë, ku gjithçkaje i vihet nga mbrapa “fjala e zezë” - “greece” si: Epiri “greece”, Dodona “greece”; Thesprotia “greece”; banorët çamë, fise të lashta “greece”, por që tradhëtuan kombin grek, sepse nuk pranuan besimin ortodoks që të quheshin grekë, dhe si rrjedhojë rajoni i Çamërisë të përjetësohej tokë “greece”, etj.

Vazhdoj të “eci” drejt “Përmendores”, por krahas të ecurit edhe mendja fluturon, dua ta bëj zap (ta komandoj) por jo, ajo bën fluturimin e saj, as që më pyet mua, megjithse jam unë ai që po e bëj këtë “udhëtim”. Kam kaluar shumë herë në këto anë, edhe kur kërkohej leje kalimi, që lëshoheshin nga zyrat e degëve të punëve të brendshme, sigurisht për rastet që shkonim me shërbime zyrtare (pavarësisht se ishe brenda kufirit shqiptar), por nuk e kisha mundësinë për të kaluar pranë kësaj toke ku preheshin familjarët tanë.

Mos u habisni, ashtu ishin situatat në ato vite!.

Arrita, u afrova tek “Përmendorja”, e përqafova, e putha, e përkëdhela. Unë isha atje, në të vërtetë për një çast nuk po kuptoja nëse isha atje, sepse më dukej sikur nuk isha as në tokë e as në qiell, diçka e pa kuptueshme më pushtoi tërë qenien time. Një si rrymë elektrike më pushtoi gjithë trupin, duart më dridheshin, pak si marrje mendsh dhe pas këtyre një paraponi, ngashërimë e pakontrolluar, lot, dhimbje, moshkall brenda kraharorit. Pak nga pak, po lirohesha nga këto ndjenja sentimentale, të cilat më kishin mbërthyer. Pa e kuptuar isha ulur në një bordurë nga ku ndjeheshin aromat e shumëllojshmërisë së luleve, trandafilave, manxuranëve, vasilikoit (borzilokëve), të përziera edhe me aromën e shkurreve, të barit, të bimëve natyrale si të psakës (sherbelës), boshkës, rigonit, badhërrave e barishteve të tjera.

Eh, thashë, kjo pleqëria vërtet të pais me përvoja të shumta, përmban në vetvete kujtime nga më të ndryshmet, ajo si një “bibliotekë” ruan në raftet e saj gjithë ndodhitë e jetuara, ruan thëniet e treguara nga më të mëdhenjtë për çka ka ndodhur para nesh, por krahas “mënçurisë” së flokëve të thinjura, siç thuhet, tek pleqëria shtohen edhe doza dobësije, dhimshurije, mallëngjimi, pakësohen dozat ndaj durimit, rritet pafuqishmëria, humbet dëgjimi dhe shikimi bëhet i mjergullt si me perde, kështu pa prit e pakujtuar ndodhesh në një situatë, ku vendosej me “shpatulla pas muri”. “Dorëzohesh” pa kushte përpara “humbjes së burrërisë” dhe bëhej si fëmijë duke qarë, pushtohesh tërësisht nga kujtimet e dhimshme të jetuara gjatë jetës, në vend që të ruhet guximi e kurajoja për ti përdorur të gjitha përvojat për të mirën e së ardhmes.

Vitet piramidale të moshës së tretë, mundësojnë kujtime dhe ngjarje të shumta, ashtu siç ndodh kur ngjitesh në ndonjë majë mali dhe hap pas hapi të hapet horizonti, të zgjaten pamjet, shikon shumë e më shumë se sa kur je poshtë në një lëndinë apo fushë sado të hijshme, të këndshme të jenë edhe nëse nuk kanë pengesa kodrash apo malesh.

U qetësova disi, u ngrita, u afrova “Përmendores” dhe fillova të lexoj emrat e shkruar në ’të. Emrat lëviznin para syve të mi, ashtu si shkrimet në sfondin e fundit të televizorit. Lexoja dhe për çdo emër më parafytyrohej hija e personit, ndjeja rrënqethje në trup, deri edhe tek fijet e flokëve të kokës. Më shfaqeshin para syve ata fëmijë, të rinj, gra e pleq, të cilët jepnin shpirt se nuk kishin çfarë të hanin, shuheshin nga plagët e toturave të shumllojshme, vdisnin nga mungesa e shërbimeve mjekësore, të tjerë vdisnin nga marazi, u merrej fryma donin të flisnin por u ishte mekur goja dhe ashu mes vuajtjeve, largoheshin nga kjo jetë, për tu strehuar nën këtë dhé të Kllogjerit, Vasilikoit, Xarrës, Mursisë, në këto hapësira vërtet shqiptare, por jo atje ku koka u kishte rënë së pari.

Unë ndodhem këtu, tek ata që sot janë lartësuar në pavdeksi, kam ardhur për homazh, sepse ndjej brenda vetes time detyrimin e njërit prej atyre afro 20 mijë banorëve që, të tmerruar, të pambrojtur nga askush, po iknin drejt veriut për ti shpëtuar gjenocidit famëkeq të shtetit dhe kishës greke. Si sot, plot 73 vite më parë (unë atëhere isha një fëmijë 6 vjeçar, ecja nëpër këtë tokë, herë mbi kalë, herë me këmbë zbathur dhe herë më mernin goçi (kaliqafë) nuja, nana, babai. I kam para syve vdekjet e atyre njerëzve, emrat e të cilëve janë shkruar në këtë “Përmendore”.

Vazhdoj të lexoj me kërshëri e shpejtësi, sepse po kërkoj emrat e atyre që ishin të trungut familjar, të xhaxhait, kushuririt dhe të foshnjës Habibe, motrës time 11 muajshe, e cila vdiq nga uria (nënës i kishte shterruar qumështi nga uria dhe lodhjet e rrugëtimit rraskapitës). I gjeta të gjithë, e gjeta edhe emrin e motrës, Habibesë. Po, janë shënuar të gjithë, këtu ndodhen emrat e shkruar të mbi 2.775 vetave që jeta e tyre u ndërpre, disave sa u kishte filluar, disave në mes, të tjerëve mbi të gjashtëdhjetave. Lexoj disa emra: Shaban Veizi 55 vjeç nga Mazrreku, Lut Dani 2 vjeç nga Luarati, Nimet Ruçi 72 vjeç nga Kurteci, Hatixhe Dauti 3 vjeçe nga Vola, Haxhire Bubeqi 11 vjeçe nga Gumenica, Huso Braho 67 vjeç nga Koska, Nail Hasani 3 vjeç nga Mazrreku, Haxho Dani 25 vjeçe nga Mazrreku, Sako Selimi, Dilé Hyseni, Abaz Omeri, mbas tij lexoj emrin e motrës time foshnjë Habibe Dahri. I përkëdhela me dhimshuri ato gërma që ma sillnin të trupëzuar motrën time foshnjë. Motër, kam ardhur në Qafë Botë. Solla lot dhe lule! Vazhdimisht, por edhe sot këtu tek ti, kujtoj tetë pjestarët e tjerë të familjes, që bashkë me ‘ta kam ndarë shumë dhimbje gjatë viteve të jetës time.

Habibeja ishte e vogël, ajo atëhere vetëm bëlbëzonte, qeshte me atë qeshjen hyjnore që kanë gjithë foshnjat. Ne, pak më të mëdhenj, donim të loznim, të qeshnim, por ajo vetëm na shikonte duke lëvizur sytë sa majtas djathtas, nga ndonjëhere dhe buzqeshte. Kjo ishte ajo Habibeja kur ishim në shtëpinë tonë, në vendin tonë, deri më 22 korrik të atij vitit të pa haruar 1944. Por mbas një muaji, nuk e dinim se çfarë na priste, as e mendonim, por ja që shumë shpejt e keqja, gjëma, pllakosi gjithë banorët e atij rajoni. Kuçedra vrastare, e veshur me petkun e ortodoksisë greke, veproi ndaj nesh me të njëmijë të zezat.

Epilog

Kllogjer, Vasiliko, Mursi, Xarrë. Ishte 18 gusht 1944, motra foshnjë, mbasi hapi dy tre herë sytë e vegjël, na dha lamtumirën, ajo u shua, trupi i saj i tretur, u ftoh, gjaku i u mpi, asnjë lëvizje. Ajo iku pa e shijuar këtë jetë, megjithë të mirat e të këqiat që na shoqërojnë. Habibeja u mbulua në këtë dhé, në kët’anë të Qaf Botës, këtu prehet prej 73 vitesh sëbashkë me të gjithë emrat e gdhendur në “Përmendoren e Pavdekësisë”. Ajo, foshnja e vogël pa asnjë mëkat, është kujtuar gjithmonë nga të gjithë ne, ajo mbeti një peng i madh tek zemrat tona, por shumë dhimbje therëse i shkaktoi nënës. Ajo u bë pré e egërsisë nejrëzore. Pse? Sepse prindërit e saj nuk ishin të besimit dhe etnisë greke, si rrjedhojë ata për Greqinë ishin të padëshiruar për të vazhduar jetën në vendlindjen autoktone, për atë besim dhe etni, u vranë, u çpronësuan, u dëbuan me argumentin e shpifur se kjo popullsi (të vegjël e të mëdhenj), paskan qenë bashkëpunëtore me okupatorin!. Edhe kjo, motra ime 11 muajshe, vdiq nga uria sepse, sipas kishës dhe shtetit Grek, ishte bashkëpunëtore me okupatorin!!.

Gjatë atij udhëtimi vdekjeprurës, kjo foshnjë dhe mijëra të tjerë u shuan për të mbetur kujtim i atyre ngjarjeve makabre çnjerëzore. Kur u dëbuam dhunshëm nga vendlindja, familja ime përbëhej nga 9 frymë derisa kaluam në kufirin e Shqipërisë, me shuarjen e motrës së vogël, udhëtimi vazhdoi me 8 frymë, më pas, pas katër vitesh, erdhi në jetë edhe një vëlla, kështu u bëmë përsëri 9 veta. Sot, që ndodhem këtu, pranë kësaj “Përmendoreje”, nga ajo familje kam mbetur vetëm unë, që po eci në të tetëdhjetat e viteve të jetës, i mbushur me ngjarje të shumta dhe të shumllojta, me plot dhimbje e mallëngjim por dhe me shumë dashuri, respekte, nderime nga ata që më kanë gjetur kur kanë erdhur në këtë jetë. Jeta vazhdon, njerëzit kudo në botë shfaqen, rriten, veprojnë, krijojnë dhe në një moment largohen nga skena e njeriut ”jetësor”. Një ritual i vazhdueshëm, i pandalshëm i gëzueshëm, i hidhërueshëm, trishtues, mallëngjyes, sentimental.

Kjo është dhe mbetet “Përmendorja e pavdeksisë” së të pafajshmëve dhe “Turpi i përjetshëm i ortodoksisë dhe racizmit etnik grek”. Dëshiroj të mos jetë e largët edhe dita kur do të ngrihen “Përmendore” të tilla në përkujtim të ngjarjeve gjenocidiste të kryera në rajonin e Çamërisë, në rrethet Filat, Gumenicë, Margëlliç, Pargë, Paramëthi. Një “Përmendore” e veçantë të vendoset tek “Prroi i Selanit”, fillimi i gjenocidit shtetëor Grek ndaj komunitetit çam mysliman. Atje, në Mars të vitit 1913 shteti Grek, me dredhi dhe pabesisht grumbulloi krerët e banorëve të rajonit, gjoja për t’u komunikuar emërimet për myftarë, por pasi i çveshën dhe ua morën sendet me vlerë, i therën, i coptuan me sopata trupat e 72 burrave çamë, përfaqësuesit e mënçurisë dhe urtësisë së rajonit të Çamërisë.

Çdo çam, sa të jenë ekzistente gjallesat, në mendjen dhe zemrën e tyre të ruajnë të përfytyruar “Përmendoren e vuajtjeve” të banorëve çamë, të diktuara nga egërsia e kishës ortodokse dhe e shtetit Grek 1913-1945.

Fahri Dahri, Konispol-Sarandë, 27 Qershor 2017



kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks