SHKRIMI
e mërkurë, 19 dhjetor 2018

DR.MOIKOM ZEQO: DHIMITËR SHPATA, SKULPTOR SHQIPTAR I SHEKULLIT TË 14'të

Tiranë, 17 janar 2018: Në koleksionin e emrave të artistëve mesjetarë shqiptar zë vend edhe skulptori e gurgdhendësi i Shqipërisë së Mesme Dhimitër Shpata.

Prej tij kemi një kompleks dëshmish të mbetura në gur, në arkitekturën e një monumenti kulti të shekullit 14-të në Elbasan?

Është fjala për Kishën e manastirit të Gjon Vladimirit ku Karl Topia 1459-1381 la tri mbishkrime në latinisht, greqisht dhe sllavisht.

Sipas këtyre mbishkrimeve del se “ky tempull u rrëzua nga tërmeti krejt, gjer në themel, në kohën e sundimit dhe në ditët e zotërimit mbi të gjithë vendin e Arbërisë (Alvanu) të gjithëlartit Karl Topisë së Parë… Ky e ndërtoi këtë tempull… dhe e ngriti që nga themelet… dhe është ndërtuar tempulli 4 herë më i madh se ç’ka qenë tempulli i vjetër”.

Viti i ndërtimit është 1381.

***

Përveç tri mbishkrimeve ekziston edhe një mbishkrim i katërt në latinisht, ose më saktë, një autograf që hedh dritë mbi autorin e gdhendjes së mbishkrimeve dhe stemës.

Merita e zbulimit të këtij fakti i takon studiuesit Dhimitër S. Shuteriqi.

Kështu në anën e djathtë të mbishkrimit në sllavisht është gdhendur ai në latinisht: “Dhimitri pata Paracer Ksiti (ose Kisti)”.

Sipas Dh. S. Shuteriqit, fjala “Ksiti” është greqisht dhe do të thotë gdhendës, skalitës, “Kuptohet, pra që gurin e skaliti një Dhimitër Shpata”.

Kurse fjala “Paracer” deri më sot ka mbetur e pazbërthyer.

Nga ana e majtë e gurit është skalitur figura e një luani dhe e një shqiponje, që mbajnë nga një libër dhe sipas tyre lexojmë: Lu cas Io Hs”, dmth “Lucas Iohanës”, d.m.th. emrat e dy shkrimtarëve ungjillorë, në trajtat e tyre të shkruara e më figurat totemistike të luanit dhe të shqiponjës, dmth Luka dhe Gjoni (Joani)



***

Emri i Shpatajve është i njohur në historinë mesjetare shqiptare.

Sipas Shuflait, fisi i Shpatajve i ka dhënë emrin krahinës së Shpatit, për analogji dhe fisi i Kordhelejsëve (d.m.th. atyre që mbanin kordha) i ka dhënë emrin krahinës së Kurveleshit.

Në shek 14-të emri i Shpatajve përmendet jo vetëm në Shqipërinë Qendrore por edhe në jug në rrethinat e Gjirokastrës dhe në Janinë.

Nga fisi i Shpatajve u dallua sidomos Gjin Bue Shpata (1374-1400) një figurë e fuqishme luftëtari e strategu trim, siç dihet Gjin Bue Shpata i shkatërroi përpara Nartës ushtritë e bashkuara të serbëve, grekëve dhe napolitanëve dhe u siguroi despotatin e tij mbi të cilin mbretëroi deri sa vdiq në vitin 1400.

Një Dhimitër Shpata do të përmendet në Vlorë në vitin 1414, kurse në shekullin e 14-të do shquhet në Europë stratioti i madh shqiptar Mërkur Bue Shpata.

Atij Jani Koroneu i kushtoi një poemë epike me titull “De rebus Mercurit Bua”, dorëshkrimi i së cilës ruhet në Torino.

Padyshim, që skulptori Dhimitër Shpata është një figurë intelektuale me rëndësi për artin tonë mesjetar dhe për vetë historinë e fisit të tij.

Fakti që ai nënshkruan në latinisht pikërisht mbi gurin ku është bërë mbishkrimi në sllavisht, le të kuptosh qartë se ai është autori i gdhendjes së tre mbishkrimeve dhe i figurave në reliev dhe se zotëron kulturë të konsiderueshme për kohën.

Ai ka mundësi të ketë qenë ndoshta edhe udhëheqësi dhe arkitekti i rindërtimit të tempullit në fjalë, i cili u zmadhua 4 herë.


 



Siç dihet në mesjetë, shpesh skulptorët qenë edhe arkitektë. Dhimiter Shpat qe edhe artisti qe gdhendi stemen heraldike te Karl Topias, si dhe sarkofagun e varrit te tij, njekohesisht edhe pilastrat e deres monumentale te hyrjes se manatirit te Gjon Vladimirit-

Dhimitër Shpata i vitit 1381 kishte edhe një koleg të tij, afërsisht bashkëkohës, piktorin qendismëtar të epitafit të quajtur si e Gllavanicës, Gjergj Arianitin e vitit 1373 d.m.th. 8 vjet më parë se Dhimitri.

Kurse në 1389 përmendet piktori nga Durrësi magistri Gjon në Roguzë ku pikturon afreska.

Janë kështu disa artistë shqiptarë që zotërojnë kulturë e aftësi të spikatura artistike.

***

Kisha e manastirit të Gjon Vladimirit përmendet në historinë e disa shekujve.

Fakti që Karl Topia si princ katolik ndërton një tempull ortodoks shpjegohet jo vetëm me tolerancën fetare që ekzistonte në Shqipëri, por edhe me politikën e princit mesjetar për bashkimin e pjesëve të ndryshme të krahinave shqiptare për të fuqizuar dhe zmadhuar principatën e tij. Siç dihet lipsanat (eshtrat) e Gjon Vladimirit ruheshin si relike kulti në Durrës dhe më vonë u transportuan në Elbasan.

Një ikonë me shumë skena në miniaturë për Gjon Vladimirin bën në shekullin e 17-të piktori Kostandin Shpataraku.

Në këtë shekull elbasanasit botojnë edhe një libër në Venedik për këtë figurë me të dhëna historike për viset përqark Elbasanit.

***

Pra në zonën e Elbasanit ka ekzistuar një qerthull i rëndësishëm kulturor dhe me këtë qerthull lidhen dhe emrat e Dhimitër Shpatës si dhe dy shekuj më vonë të vetë Onufrit, i cili do të lerë kryeveprat e tij pikërisht në Shpat. Disa skulptura e fragmente skulpturash në muret e kalasë së Elbasanit të periudhës bizantine e neobizantine si dhe punimet në reliev të Dhimitër Shpatës, të inkuadruara të gjitha këto në traditën shekullore të popullit tonë për punimin e skalitjen e gurit, flasin për një zhvillim të arteve figurative në mesjetë në vendin tonë, zhvillim në të cilin shekulli i 14-të zë vend të veçantë.



kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Selver Mackaj 2

Selver Mackaj 1

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks