SHKRIMI
e hënë, 16 korrik 2018

DILAVER GOXHAJ: PSE KËRKESA IME PËR LLOGARIDHËNIE NGA FONDI "VENDLINDJA THËRRET" I SHQETËSON MILITANTËT E PARTISË?! (2)

Tiranë, 6 maj 2018: Të nderuar delegatë të Kuvendit të Dytë Zgjedhor të Veteranëve të Luftës për Çlirimin e Kosovës 1997-1999

Së pari, Lutem, pranoni përshëndetjet e mia për këtë kuvend në emër të Shoqatës “Vullnetarët e Lirisë”, ish pjesmarrës në luftën për çlirimin e Kosovës nga të gjitha trevat shqiptare jashtë Kosove dhe ata të huaj, duke i uruar këtij Kuvendi Suksese!


Më lejoni të falënderoj kryesinë aktuale të shoqatës së Veteranëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës që për herë të parë na mundësuan edhe neve, vullnetarëve nga Republika e Shqipërisë të jemi përkrah juve jo vetëm gjatë luftës, por edhe tani 5 vjet pas heshtjes së saj, pasi drejtuesit e mëparshëm, ndoshta të ndikuar apo të urdhëruar nga faktorë të ndryshëm politikë, nuk u kujtuan as edhe një ditë, qoftë edhe për të ndërruar një cigare apo për të pirë edhe një kafe me ne. Me këtë rast përshëndes drejtuesit aktualë për këtë hap të zgjuar e emancipues që më së fundi shoqatën e Veteranëve të Luftës sonë ta shkëpusin nga tutelat partiake dhe ta bëjnë atë të pavarur nga partitë, ashtu si i takon dhe si ishim edhe dje në luftë. Shoqata e Veteranëve, kur ajo është me të vërtetë e pavarur, atëherë ajo i mbron më mirë interesat e atyre që kanë pranuar të militojnë në këtë organizim, pasi nuk do të konsumohen për interesa të ngushta partiake. Njëkohësishtë, kur rrëmbyem armët dhe dolëm në luftë, ne vumë mbi gjithçka ideologjinë kombëtare mbi çdo ideologji apo program politik e partiak. Ne ishim thjesht luftëtarë, ushtarë të thjeshtë të popullit, duke i bashkuar armët me njëri-tjetrin, pa menduar për bindjet politike të njërit apo tjetrit. Si të tillë duhet të jemi edhe sot, pavarësishtë se në cilën parti politike militon njëri apo tjetri ish bashkluftëtar. Vetëm kështu mund t’i mbrojmë më së miri ngjyrat e vërteta të asaj lufte, të atij ideali e të atij gjaku të derdhur, duke ua trasmetuar edhe pasardhësve tanë, pasi ne, të bashkuar në këtë shoqatë, bëjmë atë që nuk mund ta bëjë as edhe një parti politike, qoftë ajo e madhe ose e vogël, sepse partitë, në plan të parë venë interesat e atij grupi shoqëror që ato parti përfaqësojnë, ndërsa shoqatat tona ndryshojnë në këtë pikë, sepse në plan të parë vendosim interesat atdhetare dhe ato të të gjithë popullit se, edhe ish luftëtarët ishin nga të gjitha shtresat dhe grupimet shoqërore të popullit.



Dilaver Goxhaj (Shpëtim Golemi)


Nga Republika e Shqipërisë, deri tash kemi evidentuar se rrëmbyen armët dhe u reshtuan përkrah vëllezërve të tyre në Kosovë, në radhët e formacioneve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gati 150 vullnetarë, prej radhëve të të cilëve dhanë jetën e tyre 37 dëshmorë. Lavdi kujtimit të tyre!


Ata 150 vullnetarë ishin nga 18 rrethe:


- Nga Tropoja 36 vullnetarë, prej tyre 10 dëshmorë;


- nga Kruma 45 vullnetarë, prej tyre 18 dëshmorë;


- nga Kukësi 28 vullnetarë, prej tyre 3 dëshmorë;


- nga Tirana 11 vullnetarë, prej tyre një dëshmorë;


- nga Berati 3 vullnetarë, prej tyre 2 dëshmorë;


- nga Librazhdi 4 vullnetarë, prej tyre një dëshmor;


- nga Kavaja një vullnetar, ai është dëshmor;


- nga Shkodra 2 vullnetarë, prej tyre një dëshmor;


- nga Çamëria një vullnetar;


- nga Gjirokastra 3 vullnetarë;


- nga Vlora një vullnetar;


- nga Lushnja 4 vullnetarë;


- nga Durrësi 4 vullnetarë;


- nga Tepelena 2 vullnetarë;


- nga Pogradeci një vullnetar;


- nga Fieri dy vullnetarë;


- nga Peshkopia një vullnetar;


- nga Prenjasi një vullnetar;


- nga Elbasani një vullnetar.

Nga të gjithë këta vullnetarë, 17 kishin qënë oficerë të ushtrisë së shtetit amë dhe që në Luftën për Çlirimin e Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare kryen detyra të ndryshme komanduese dhe, 4 prej radhëve të tyre kanë rënë dëshmorë. Nga Kosova Lindore ishin gati 50 vullnetarë dhe po aq edhe nga shqiptarët në Maqedoni si dhe rreth 40 vullnetarë nga shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi. Përsa i përket emigracionit dhe diasporës shqiptare, mund të themi me krenari se ajo u ngrit si një trup i vetëm, duke iu përgjigjur thirrjes së 2 Prillit 1999 të Shtabit të Përgjithëshëm të UÇK-së dhe Qeverisë së Përkohëshme dhe brënda dy javësh mbritën në Durrës gati 12 mijë vullnetarë. Një mobilizim kaq të madh e kaq të shpejtë nuk munden ta bëjnë dhe shtete shumë të organizuar e jo më të vinë kaq shumë brenda një jave nga të katër anët e ruzullit tokësor, sikundër erdhën djemtë dhe burrat shqiptarë. Me këtë veprim i treguam botës mbarë se ja kush është karakteri i vërtetë i shqiptarit, të cilin kur e thërret Atdheu ngrihet edhe nga varri. Të gjithë këta vullnetarë i dhanë Luftës Çlirimtare të Kosovës karakterin e një lufte mbarë kombëtare dhe UÇK-së i dhanë karakterin e një ushtrie mbarë kombëtare. Rroftë kombi shqiptar!


Mirëpo Lufta për Çlirimin e Kosovës pati edhe një karakteristikë tjetër. Në atë luftë morën pjesë edhe vullnetarë nga shumë shtete Perëndimore: nga Gjermania, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Franca, nga Norvegjia, nga Finlanda, nga Italia, nga Algjeria dhe Turqia. Nga radhët e tyre kemi rreth 10 dëshmorë. Kjo përbërje i dha luftës sonë tiparet e një lufte internacionaliste dhe, si e tillë, jo vetëm që nuk mundet ta mohojë kush nga forcat politike shqiptare të Prishtinës dhe të Tiranës, që deri tash kanë folur me gjysëm zëri, por me atë luftë dhe atë ushtri mbarë kombëtare dhe internacionaliste do të krenohet edhe historia e luftrave botërore. Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila na ka dhënë, ne pjesmarrësve në radhët e saj, të drejtën të jemi krenarë dhe bijve e nipërve tanë nesër të mburren me aktin e prindërve dhe gjyshërve të tyre, si dhe të dinë se ku t’i kërkojnë miqtë e vërtetë.


Të nderuar delegatë!


Edhe unë jam njohur me materialet që drejtuesit aktualë të shoqatës tuaj të veteranëve i kanë prezantuar këtij Kuvendi dhe jam plotësisht dakort me raportin e paraqitur. Që të mos u konsumoj shumë kohë, vërejtjet dhe sygjerimet e mia për Statusin e Shoqatës ja kam paraqitur Kryesisë aktuale me shkrim para disa ditësh, por përmbledhtas po jap edhe disa mendime që mund t’i marrë parasysh Kuvendi gjatë marrjes së vendimeve:


1.Propozoj që emërtimi i shoqatës të jetë: Shoqata e Veteranëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës, 1997–1999. Kam patur dhe kam vrejtje për emërtimin e gabuar të deri tashëm, që e quante Lufta Çlirimtare e UÇK-së, që lë të kuptosh sikur kjo UÇK erdhi nga qielli dhe jo nga gjiri i popullit shqiptar të Kosovës.


2.Propozoj që shoqata të quhet shoqatë atdhetare politike, pasi ajo do të propagandoi dashuri për kombin e saj, pasi ai ishte misioni i luftës që bëmë dhe betimi ynë dhe, së dyti, të gjitha ndërhyriet e saj në interes të kategorisë të atyre që luftuan, ndihmuan dhe mbështetën atë luftë çlirimtare janë e do të jenë politike.


3.Propozoj që shoqata “Miqtë e TMK-së” të ndërroi emër dhe të quhet “Miqtë e UÇK-së” dhe të gjitha kontributet që ajo do të grumbulloi të kontrollohen e të destinohen për interesat e ish luftëtarëve, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të asaj lufte; por edhe për një arsye tjetër: se TMK-ja jo vetëm që nuk është 100% prej ish luftëtarëve, por ajo nuk përbën as edhe 4% të gjithë UÇK-së.


4.Propozoj që të merret një vendim për t’i raportuar këtij Kuvendi në të ardhmen nga ish Fondi “Vëndlindia Thërret” për të eleminuar çdo prapamendim për qëllimin e vërtetë të luftës sonë.


5.Propozoj që të mbështetet nga kjo shoqatë edhe në të ardhmen redaksia për monografitë e dëshmorëve të Luftës sonë Çlirimtare, e cila boton serinë: “Feniksat e Lirisë”.


6.Të bisedohet me shoqatën e Familieve të Dëshmorëve dhe atë të Invalidëve të luftës për njësimin e tyre me shoqatën e veteranëve të Luftës.


I uroj këtij Kuvendi suksese në punimet e tij dhe të zgjedhë në forumet e tij drejtuese njerëzit më idealistë e më të devotshëm për këtë mission.


Shpëtim GOLEMI


Prishtinë, 27 Qershor 2004



***


Kur mbarova së lexuari diskutimin e mësipërm, i mbylla letrat dhe u thashë: “I thashë këto mendime këtu, pasi unë e konsideroj këtë kuvend si Kuvendin e Burrave të Vërtetë të Kosovës, pasi burrat e vërtetë provohen kur populli është në… , dhe vendi ku u provuan burrat ishte lufta në Kosovë, në radhët e formacioneve të UÇK-së. Duke qënë se ju jini përfaqësuesit e tyre, ndaj dhe këto propozime i bëj para jush, me qëllim që nesër të mos thotë kush se nuk na i ka thënë Shpëtim Golemi, sikundër thanë atëherë se, Shpëtim Golemi nuk qëndroi në TMK sepse donte të bëhej Shef i Shtabit të TMK-së, kur dihet që mua më detyruan të largohesha, pasi më afruan detyrën për të pastruar klasat e Akademisë dhe shikoni vendimin e Agim Çekut”, duke ua nxjerrë atë vendim para e duke e mbajtur lartë. “Po ashtu vepruan edhe me Tahir Sinanin, ish Komandantin e Zonës Operative më të madhe të UÇK-së dhe në fund të luftës është i vetmi komandant zone që u ul në deturë, nga komandant zone, në komandant batalioni, edhe pse ka qënë komandanti më i suksesshëm, por kjo u bë vetëm e vetëm pse ishte nga Shqipëria… Unë bëra vetëm një gabim taktik, pse ua dhashë këto mendime, që lexova pak më parë, zotërinjve të kryesisë dhe t’i kisha lënë për këtu. Po të mos ua kisha thënë mendimet atyre, qoftë edhe me gojë, ata nuk do të kishin marrë këto masa mbytëse të kuvendit, sikundër po e shihni, dhe prisni se çdo të shihni….”


Nuk më lanë më të vazhdoja. Kisha ndërmend të flisja se si ia punuan Adem Shehut dhe Bardhyl Tahirit, duke i detyruar që ata të largoheshin vetë për në Shqipëri. Filluan britmat dhe ulërimat e antarëve dhe simpatizantëve të PDK-së. Ajo ishte detyra e dhënë për ata. “Ulu, më thanë edhe Klinaku dhe Krasniqi e presidiumit, pasi dole nga rendi i ditës”.


U ula i qetë, pasi u qartësova për skenarin. Menjëherë u ngrit nga presidiumi i mbledhies një djalë, jurist, delegat i Deçanit, më duket se quhej Shkumbin Demaliaj, dhe e flaku tej mandatin e delegatit, duke u thënë: “Më vjen turp që të jem në krye të këtij kuvendi, kur nuk kini as respekt dhe as guximin të dëgjoni maskarallëqet e bëra nga ata “udhëheqësit e dëshmuar” të UÇK-së. Turp të kini, tjetri ka ardhur nga Gjirokastra me gjithë djalë dhe luftoi me ne për çlirimin tonë dhe ne nuk kemi durim dhe respekt as ta dëgjojmë e jo më shumë. Turp, por ju nuk kini turp. A dëgjuat se çfarë tha, kanë qënë 150 vullnetarë dhe prej tyre 37 dëshmorë dhe ne nuk duam të na i thotë, pasi nuk na vjen mirë, ngaqë ata ishin dhe janë më atdhetarë se ne, më idealistë e jo hajna”. Foli edhe më gjatë, por unë kaq munda të mbaja shënime. Dhe u largua. Kështu bënë disa, pesë-gjashtë apo më shumë.


Kur u vendos qetësija pas kësaj të papriture, doli në tribunë Gani Koci për të justifikuar ato britma. Pas tij foli një femër, një pipiruçkë. Edhe ajo nga Drenica. Nuk kish mjerim më të madh të atyre shërbëtorëve të PDK-së, që nuk dëshirojnë të hapen vjedhjet e bëra ndaj fondeve të grumbulluara për luftë. Ishin po ata persona, me ne krye Shukri Bujën që kërkuan pak më parë të shtyhej Kuvendi.


Edhe kur u hodh propozimi për 22 antarë të Komitetit Drejtues të Shoqatës, nuk figuronte as emri im dhe as i Adem Shehut, sikundër më kishin thënë dy ditë më parë. Mirëpo pati reagim për atë listë të paraqitur nga e “famshmja” ish kryesi, pasi kish lokalizëm të theksuar. U ngrita përsëri dhe u thashë: “Besoj se nuk do të ma ndërprisni përsëri fjalën, pasi do t’u tregoj të vërtetën. Unë nuk vij nga Tirana, vij nga Beogradi”, dhe vazhdova të shpjegoja që propozimet të bëheshin direkt nga salla dhe sa të duan ata dhe të votohet vetëm për 23 veta. Më mbështeti me zë e gjithë salla, përjashtuar antarët e PDK dhe disa të AAK. Ashtu u bë. Prita deri sa lista e të propozuarve u mbyll. Ishin 53 kandidatë. U ngrita dhe u thashë: “Turp të kini! Ku e harruat Adem Shehun nga Tirana, ish komandantin e Brigadës më të lavdishme të UÇK-së, që ka luftuar në Gollak, apo aq ia kishit nevojën. Turp!”, dhe ika. E vunë në listë. Më kishin vënë edhe mua. Kur u hap kutia e votimit rezultoi: Kishin marrë pjesë në votime 131 delegatë, votat ishin 100% të vlefshme.


Rezultatet ishin si më poshtë:


1.Sherif Krasniqi 95 vota,


2. Dilaver Goxhaj 91,


3.Shukri Buja 91,


4.Elhene Hetemi 83,


5.Avdyl Mushkola 81,


6.Fadil Fazlliu 79,


7.Gani Koçi 72,


8.Adem Shehu 70,


9. Fatime Mehmeti 68,


10.Haxhi Shala 68,


11.Shqipe Mehmeti 63,


12.Faton Klinaku 62,


13.Hydajete Hoxha 60,


14.Nuredin Ibishi 58,


15. S’e shënova dot emrin 55 vota,


16.Xhabir Zharku 55,


17.Vllazrim Kryeziu 53,


18.Shyrete Gosalci 53,


19.Xhavit Dautaj 49,


20. Daut Iliazi 49,


21.Sami Dobra 48,


22.Ejup Kabashi 47,


23.Naser Berisha 47 vota.


***


01 korrik 2004


Sot, rreth orës 18-19.00, isha ulur e po pija kafe me doktor Ramadanin, te vendi i quajtur Santeja, në një tavolinë e vendosur në trotuare, jashtë kafenesë. Kaloi ndoshta edhe rastësishtë dhe na foli Gani Thaçi, vëllai i Hashim Thaçit, ai që i gjeti dhe i konfiskoi KFOR-i 600 mijë Marka në shtëpi, gjatë një kontrolli në fund të vitit 1999. E ftuam të ulej me ne. Pa u ulur mirë në tavolinën tonë, më thotë: “Ku je, Shpëtim Golemi, që po u bën vrejtje të gjithëve”. U befasova jo vetëm nga fjalët e tij por edhe nga mënyra se si m’i tha. “Me sa shoh, nuk të paska ardhë mirë, po a më thuaj cila nga ato vërejtjet e mia të është dukur e padrejtë, që ta di dhe unë ku kam gabuar?”. “Jo, jo nuk e kam atje fjalën”, tha dhe ndryshoi bisedë, duke më pyetur për shëndetin.


E kuptova se janë shqetësuar pa masë për debatet dhe mendimet e hedhura nga unë në Kuvendin II të Veteranëve para 3-4 ditësh, me sa duket duhet t’u ketë djegur shumë çështja që ngrita për Fondin “Vendlindia Thërret”, përderisa është diskutuar edhe në familjen Thaçi. Gjithashtu ai është një sinjal që tregon, se në mbledhien e Komitetit Drejtues, që është parashikuar për në 03 Korrik, për zgjedhjen e Kryesisë së shoqatës, do të kem të bëj me një organizim të përsosur antidrejtësi.


***


03 korrik 2004


Dhe ashtu ndodhi. Sot, në 03 Korrik 2004, ora 10.30, morra në telefon Faton Klinakun dhe e pyeta se ku do të mbahej mbledhja e Komitetit Drejtues të veteranëve. “Ju nuk jini në listën e të zgjedhurve”, m’u përgjigj ai. E mbylla telefonin. “Mjeranët, thashë me vete, i dekonspiroi injoranca e tyre dhe papjekuria e Fatonit”.


Pa kaluar as edhe një minutë më morri në telefon vetë Fatoni dhe më thotë se duhet të shkoja në Kryesinë e Shoqatës, pasi atje mbahej mbledhja.


Në ora 11.00 isha në sallën e restorantit të asaj godine. Ishin 32 pjestarë. Më vonë erdhën edhe 8 të tjerë. U fillua nga mbledhja. Ngrihet Sherif Krasniqi, kushëriri i afërt i Jakup Krasniqit, dhe propozon që të zgjidhet një presidium i mbledhies dhe propozon të parin Gani Kocin. Ndërhyra dhe thashë se nuk i takon Ganiut, pasi është deputet partie. “Nuk i di mirë regullat”, m’u përgjigj Ganiu. “Ti ndoshta je ushtarak i mirë, por çështjet organizative nuk i di”. “Ndoshta më mirë se ti”, i thashë unë.


U ngrit Ganiu dhe propozoi Sherifin.


U kuptua, PDK-ja kish dhënë urdhër të përdorej strategjia e saj: PATURPËSIA.


Filloi ta drejtoi mbledhien Ganiu, i cili propozoi që të nisnim me zgjedhjen e kryetarit dhe të kryesisë.


Morra leje dhe thashë: “Nuk e kemi në rregull, sikundër thotë juristi Gani. Nuk mund të fillojmë me zgjedhjen e kryesisë dhe kryetarit pa miratuar përfundimisht Statusin e Shoqatës, të cilin nuk e kemi aktualisht sikundër u sanksionua në Kuvend, dhe që duhet të jetë ligji themelor për OVL, në të cilin përcaktohen kushtet dhe kriteret për të zgjedhur e për t’u zgjedhur. Ja p.sh. kjo mbledhje mund të më zgjedhi mua kryetar, por unë jam kryetar i një shoqate, kështu që në rast se ndodh që unë të zgjidhem dhe, më vonë në status do të thuhet që personat me këtë cilësi nuk mund të zgjidhen, duhet që të mblidhemi e të zgjedhim përsëri kryetarin. Kështu mund të jetë edhe për çështje të tjera. Derisa kuvendi mori vendim dhe na dha autoritetin e tij neve, për ta plotësuar e korigjuar Statusin, duhet të fillojmë nga Statusi. Statusi duhej të qe përfunduar nga Kuvendi, por ai na i delegoi neve; atëherë kështu që duhet së pari, ai të përfundohet. Pasi ta miratojmë atë, atëhere duhet të kalojmë në zgjedhiet e ndryshme. Kjo është radha e punëve”.


Fillimisht pati një heshtje. E prishi heshtjen i autorizuari fuqiplotë dhe deputet i PDK-së, juristi Gani Koci, duke thënë: “Kuvendi na dha atë të drejtë vetëm për emrin e shoqatës”. E kundërshtuan të tjerët, madje ishin shumë dhe unë kujtova se nuk do të kish shumicën. Por me sa u duk më vonë, shumica e tyre ishin thjeshtë ushtarë të bindur të partisë së Ganiut. Të vjen keq që ata idealistë të dikurshëm të shfrytëzohen djallëzishtë nga të tjerët për të mbuluar hajnitë e tyre! “Atëhere, tha Ganiu, nuk ka shumë rëndësi, pasi ne do ta miratojmë edhe Statusin”. Ç’të bën partia, jo vetëm që të heq lirinë por të xhveshka edhe nga turpi, thashë me vehte.


Që liderët e Ganiut janë intrigantë e djallëzorë, e tregoi ky fakt si dhe një fakt tjetër disa minuta më vonë. Kur po shpërndaheshin fletët e votimit për të zgjedhur kryetarin e shoqatës, mua nuk m’u lexua emri. U thashë se unë nuk e kam emrin në listën e të zgjedhurve antarë të Komitetit Drejtues të Shoqatës. Hop, kërceu si gjel Gani Koci dhe tha: “Ti Dilaver ke dhënë dorëheqien”. Një “Jo” e zgjatur shpërtheu si në korr me përjashtim të disa militantëve të PDK-së. “Nuk u pranua dorëheqia e tij”, thanë shumë veta me një gojë. “Me sa shoh unë, -thashë me zë të lartë por qetë-, këtu ose kemi paaftësi të sekretarisë ose ata dhe Ganiu janë të pandershëm. Kemi diçka që nuk shkon dhe që është shumë e keqe”, dhe hodha sytë te mbajtësi i protokollit, që u rizgjodh edhe sot, të cilit as që i bënte tërt syri dhe nuk mbante as një shënim! Thuaj, po deshe, që nuk janë trima! Mirëpo këta “trima” nuk dinin dhe kurrë nuk kanë për ta marrë vesh se moszgjedhja e ime (Shpëtim Golemit) dhe e Adem Shehut bëhej nga frika se po të zgjidheshim ne në atë Kryesi të Shoqatës, do të delnin në shesh vjedhjet e financave të grumbulluara përmes Fondit “Vendlindia Thërret”, por edhe ato që grumbullohen për këtë shoqatë veteranësh. Këtu dhe vetëm këtu qëndron qëllimi i tërë asaj paturpësie që u manifestua në 3 korrik 2004 në zgjedhjet për kryesi të shoqatës së veteranëve.


U hodh në votë propozimi im, që fillimisht të merreshim me Statusin, dhe rezultoi që 33 ishin kundra atij propozimi! Kështu që u kalua në propozimet për kryetar. U propozuan Sherif Krasniqi dhe Fatmir Mehmeti. Ngrihet njëri dhe më propozon mua. Pa mbaruar fjalën, e ndërpret Ganiu, duke thënë se, nuk ishte dakort, pa bërë kujdesin të shpjegonte se pse nuk ishte dakort. I shkreti Gani, kish marrë urdhër nga Hashimi e klani i tij, që mundësishtë të mos linte të përmëndej fare emri im dhe e zbatonte atë urdhër pa pikë droje fare. Qesha dhe ndërhyra e thashë se unë jam kryetar i një shoqate dhe nuk duhet të propozohem. Ngrihet përsëri Gani Koci dhe propozon që të propozohej, për t’u futur si i tretë në listë, Nuredin Ibishi, duke thënë se ai e kish propozuar edhe për në Komitetin Drejtues të vetëranëve. Nuredini u tërhoq. U vetpropozua Faton Klinaku, me qëllim se mos vihej dikush tjetër dhe u prishte ballancën. Bëhet votimi i fshehtë dhe ndahen: 33 vota i fitoi Sherif Krasniqi. Për mua tashti u bë e qartë se, nga 41 antarë të Komitetit Drejtues që ishin prezent, vetëm 8 nuk ishin antarë të PDK-së.


Gjatë kohës që bëhej numurimi i votave për kryetar, unë fillova të shënoj emrat e vajzave luftëtare nga Drenica, të cilat m’i jepte Elhame Hetemi. Ganiu e pa që ajo më diktonte diçka dhe erdhi me vrap dhe e pyeti: “Çfarë po i tregon Shpëtimit?!” Kur ajo e sqaroi iku i qetë. “I shkreti, shpëtoi nga infarkti”, i thashë Elhames. Me sa duket, ai kujtoi se mos më tregonte skenarin që u kish dhënë partia.


Pastaj u kalua në zgjedhjen e 10 antarëve të tjerë të kryesisë. U vendos të propozoheshin 15. I them Afrim Kuletës, që e kisha në krahun e majtë, të ngrihej e të propozonte Adem Shehun, por bënte sikur ngrinte dorën, dhe ngrinte veç lapsin. Kur mbriti shifra 14 e të propozuarve, ngrita dorën dhe ma dhanë fjalën. “Propozoj që në kryesi të zgjidhet edhe një përfaqësues nga tërë vullnetarët e Luftës për Çlirimin e Kosovës të ardhur nga trevat jashtë Kosove, dhe ky të jetë Adem Shehu, ish komandanti i Br.153 të UÇK-së”. Menjëherë ngrihet në këmbë Haxhi Shala, komandanti i Qendrës Doktrinave dhe Akademisë Ushtarake të TMK-së, me gradën fiktive gjeneral (sikundër i ka tërë TMK-ja, edhe pse nuk di as alfabetin e gjuhës shqipe). Ja sa mirë i njeh ligjet dhe regullat juristi i PDK-së, Gani Koci, që deputetët dhe oficerat aktivë të TMK-së i zgjedh në Komitetin Drejtues të veteranëve. Gjatë luftës, ky Haxhi Shala ka patur pseudonimin “Topi” dhe unë shpesh, kur e dëgjoja që fliste thoshja me vete se i përshtatej shumë mirë ai pseudonim. Këta lloj të “zgjuar” dihet që i përdor si top futbolli çdo i djallëzuar dhe i lig.


Ja çfarë tha “gjenerali” tërë pompozitet: “Unë i dua shumë këta nga Shqipëria, por nuk dua që Adem Shehu të jetë antar i kryesisë, nga që është larg dhe nuk mund të vijë shpesh”. Sa argument i zgjuar! “Më fal, zoti gjeneral për propozimin, e ndërpreva unë. Dje në luftë Ademi e kish fort të lehtë me ardhë kur të donte e si të dontë në Kosovë, ndërsa tash në paqe, ke të drejtë, është shumë vështirë me ardhë. S’më shkoi mendja”.


Hajde PDK, hajde, sa të bukur e ke strategjinë! Thuaj po deshe që nuk e meriton të jetë lider i Kosovës Hashim Thaçi; të jetë gjeneral Haxhi Shala dhe kryetar i veteranëve, kushëriri i Sekretarit të Përgjithshëm të PDK-së, Sherif Krasniqi!


U hodh në votë dhe 33 votat e antarëve të PDK-së, ata edhe antarë të Komitetit Drejtues të Veteranëve, ishin kundër vendosjes në listë të Adem Shehut për të qënë kandidat për antar Kryesie.


Gjatë procesit të numrimit të votave mbledhja vazhdoi për zgjedhien e komisionit për korigjimin e Statusit. U propozua që në atë komision të ishte edhe Dilaver Goxhaj, si “njeri me përvojë të gjatë pune, ushtarake, intelektuale, përvojë lufte e institucionale”, tha juristi Gani. U ngit në këmbë, pa marrë fare leje Elheme Hetemi dhe tha tërë seriozitet: “Jo Dilaveri, pasi edhe ky është larg, vështirë me ardhë në Kosovë”. Unë kujtova se e kish me ironi, por jo! Por Sherifi me Ganiun as që denjuan ta hedhnin në votë, e quajtën të mirëfilltë fjalën e Elhemes, dhe vazhduan me kandidaturat e tjera.


Ngrihet Sadik Makolli dhe thotë: “More, po ta hedhim në votë Dilaverin”. “E sqaruam, tha Sherif Krasniqi, nuk vihet në listë”.


Ç’është kjo urrejtje për ata që erdhen e luftuan me ne nga Shqipëria?!”, bërtet me zë të lartë Sadiku. Por Sherif Krasniqi dhe Gani Koci as që donin të dëgjonin nga ai vesh. Kishin marrë porosi nga partia dhe duhej ta çonin deri në fund.


Fatmir Mehmetin, që ishte edhe ai në drejtim të mbledhjes, nuk e lanë të fliste as edhe një fjalë gjatë gjithë kohës. Unë dëgjoja, shikoja dhe mbaja shënime.


Kur ulet Elhemia, të cilën e kisha në krahun e djathtë, i tregoj Letër Njoftimin tim të Kosovës dhe i thashë: “Të kanë instruktuar gabim, pasi unë kam 5 vjet që jetoj e banoj në Kosovë dhe jam qytetar i saj”. Prita të turpërohej sadopak, por, me kë e ke! Ku e njohin ata atë fshat?


Ngrihet përsëri Gani Koci dhe propozon që, komisioni i hartimit të Statusit të jetë edhe komision statutor dhe në të të jetë Nuredin Ibishi, si ushtarak me përvojë. U tha, u bë. U zgjodh. Kur ai po fliste për herë të tretë për Nuredin Ibishin, nuk di pse fillova të dyshoja se, “pse kjo përkujdesje kaq servile e Gani Kocit për këtë ish komandant të forcave speciale të policisë së Kosovës në Prishtinë, gjatë gjithë viteve tetëdhjetë, forcë e cila kish varësi të dyfishtë: edhe nga Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendëshme, edhe nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror i Federatës, shërbim, i cili bënte hetimin e të burgosurve politikë shqiptarë. Një servilizëm i tillë ndaj atij ish komandanti që ka drejtuar rrethimin dhe vrasjen e Rexhep Malës e Nuhi Berishës në vitin 1983 te Kodra e Trimave dhe të Fahri Fazlliut e Afrim Zhitisë te Kodra e Diellit në vitin 1989, të bën të dyshosh. Mos vallë Nuredini di diçka të fshehtë për Ganiun?”, por me të shpejtë e largova këtë dyshim. Hodha sytë te Fatmir Mehmeti dhe shkëmbyem shikimet për t’i kujtuar se çfarë më kishin thënë më 24 Qershor, në zyrën e tyre ai, Sherifi dhe të tjerët, nëse dikush do të na propozonte Nuredin Ibishin që të zgjidhej në Komitetin Drejtues dhe tashti Sherif Krasniqi na e hidhte tërë kënaqësi në votë. Ç’dyfytyrësi!


U ngrita i detyruar të bëja një sqarim dhe thashë:


“Mos i ngatëroni gjërat. Kemi dy komisione, që janë kryekëput të ndryshëm dhe që i ngatëron me apo pa qëllim juristi Gani. Komisioni statutuor është për 4 vjet, ndërsa komisioni i përpilimit të Statusit është për aq kohë sa të pregatisi Projekt Statusin dhe shkrihet me miratimin e tij nga ky Komitet, pasi për aq e ka mandatin. Ky komision mund të përbëhet edhe thjeshtë me specialistë, pa qënë nevoja të jenë antarë të këtij komiteti. Se po të qe ashtu, nuk duhej që edhe Fehmi Baftiu të jetë antar i atij komisioni, pasi nuk është antar i këtij komiteti dhe nuk i jep askujt llogari nesër”. Me kë e ke! Ngrihet Gani Koci dhe e kundërshton. Më mbështeti mua edhe një tjetër. Heshtie. “Do t’i kërkojmë ne llogari Fehmi Baftiut”, tha Gani Koci dhe e mbylli atë kapitull. U miratua. Thuaj po deshe që nuk i njeh mirë çështjet organizative dhe nuk është jurist dhe deputet i ndershëm Gani Koci, i cili merr dy rroga në shtet: njërën si deputet i PDK-së dhe tjetrën si jurist në KEK. Eja e mos u beso të tillë njerëzve fatet e Kosovës!



Më në fund u hap diskutimi për miratimin e ndryshimit të emrit të shoqatës. Pasi folën disa, ngrita dorën dhe kërkova fjalën: “Në kuvendin zgjedhor unë bëra një propozim, ku thashë: Propozoj që emërtimi i shoqatës të jetë: “Shoqata e Veteranëve të Luftës për Çlirimin e Kosovës, 1997 – 1999”. Kam patur dhe kam vrejtje për emërtimin e gabuar të deri tashëm, që e quante Lufta Çlirimtare e UÇK-së, që lë të kuptosh sikur kjo UÇK erdhi nga qielli dhe jo nga gjiri i popullit shqiptar të Kosovës. Po qe se mbetemi në atë emërtim që kemi, automatikisht e mohojmë ndihmën e gjithanëshme të popullit. Them “Lufta për Çlirimin e Kosovës”, pra theksoj parafjalën “për”, me qëllim që të kuptohet se ajo luftë kish atë objektiv, çlirimin përfundimtar, pavarësishtë që nuk ia arriti plotësishtë. Në rast se do t’ia kish arritur, atëherë në vend të parafjalës “për” do të vendosej lidhësia “e” ose “të”. Njëkohësishtë, duhet ta kemi të qartë se me termin UÇK, nuk kuptohet dhe nuk duhet të kuptohet gjithë Lufta e jonë për Çlirimin e Kosovës. UÇK-ja ishte një pjesë e asaj lufte. UÇK-ja ishte baza morale e asaj lufte për shndërimin e saj në një lëvizje mbarë kombëtare, sikundër edhe ndodhi. Këtu qëndron më së shumti vlera e UÇK-së. Ishte populli ai nga i cili doli kjo ushtri, u furnizua kjo ushtri etj. Dhe kur them populli, nuk kuptoj vetëm popullin shqiptar që banon në Kosovë, por tërë kombin shqiptar. Po qe se do t’i themi “Lufta e UÇK-së” ne ia ulim vlerat e vërteta luftës që bëmë dhe u japim shkas të tjerëve të thurrin njëmijë e një të paqëna”.


Ngrihet Gani Koci, Sherif Krasniqi, Faton Klinaku, Xhavit Zharku, Haxhi Shala e disa “teoricienë” të tjerë dhe e “argumentuan” se po hoqëm fjalën UÇK, mohojmë luftën.


“E kini gabim”,- u thashë, pasi i dëgjova me durim, duke ngrënë sanduiçin që na sollën. “Nuk më vjen mirë që e shtrëmbëroni qëllimisht propozimin tim, pasi vet fjala “Veteran”, që do të thotë “ish luftëtar”, - cilëndo vendosni nga të dyja, por jo të dyja së bashku, sikundër u propozua nga ju- e sqaron qartë dhe që don të thotë: Ish luftëtarët që rrëmbyen armët dhe bënë Luftën për Çlirimin e Kosovës. Në se qytetari do të pyesë nesër se, a kishin ndonjë lloj organizimi ushtarak këta luftëtarë? Po!, do t’i thuhet, ishin të organizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Nuk ka asgjë për t’u ngatërruar, por e ngatërroni ju vetë, qëllimisht. Ku e keni qëllimin, nuk e di. Këtë e tregon vet fjala veteran, dhe që në statusin e veteranit theksohet qartë se kush e gëzon këtë emër, e gëzojnë vetëm ata që u reshtuan në radhët e ushtrisë çlirimtare të asaj lufte, nga “X” periudhë në “Y” periudhë, si pjesa më eminente e asaj lufte. Por, që të themi Lufta e UÇK-së, kjo është mohim i mbarë popullit tonë dhe i kontributit të tij”.


Megjithatë nuk e ndryshuan. Le ta mbajnë. Ata nuk e kuptojnë dhe kurrë nuk kanë për ta kuptuar se çfarë gabimi fatal bëjnë që i mohojnë popullit sakrificat dhe luftën që ai bëri.


Këto ishin zgjedhjet e kuvendit të dytë zgjedhor të veteranëve të luftës së fundit në Kosovë dhe të organeve udhëheqëse të tij.


Kur mbaruam mbledhjen, i pashë se shumë prej tyre shprehnin lumturi që më në fund kishin zgjedhur në kryesi të Shoqatës së Veteranëve militantët dhe veglat qorre të PDK-së dhe që asnjë ish luftëtar nga Republika e Shqipërisë, apo nga trevat e tjera jasht Kosove nuk kish mundur të zgjidhej në kryesinë e shoqatës. Këtë, ndoshta ka si qëllim edhe “Pavarësia e Kosovës”, që e kërkon PDK-ja. Me këtë rast unë pashë se ku qëndron forca e asaj partie: te paturpësia e militantëve të saj dhe jo te intelektualët e vërtetë. Turp e faqe e zezë! Me sa duket, intelektualët e vërtetë në atë parti janë thjeshtë sa për dekor.


(FUND)

___________________________________________


(Pjesë nga ditari për Kuvendin e Dytë Zgjedhor të Veteranëve të Luftës për Çlirimin e Kosovës - qershor 2004)

DILAVER GOXHAJ: PSE KËRKESA IME PËR LLOGARIDHËNIE NGA FONDI "VENDLINDJA THËRRET" I SHQETËSON MILITANTËT E PARTISË?! (1)

http://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=5223

***

DILAVER GOXHAJ: PSE KËRKESA IME PËR LLOGARIDHËNIE NGA F."VENDLINDJA THËRRET" I SHQETËSON MILITANTËT E PARTISË?! (2)


http://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=5224


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks